Botuesi dhe pronari i Universitetit Europian të Tiranës Henri Çili është arrestuar nga policia, bashkë me 12 persona të tjerë. Burimet bëjnë me dije se Çili kishte ushtruar ndikim tek një gjyqtar për të liruar nga burgu anëtarët e bandës së Lazaratit. Ndaj Çilit rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.
TIRANE – Botuesi dhe pronari i Universitetit Europian të Tiranës Henri Çili është arrestuar në orët e para të mëngjesit nga policia, bashkë me 12 persona të tjerë mes tyre biznesmeni Sait Fishta, drejtori Juridik i UET Ilir Korbi dhe noterja Shpresa Gjocaj.
Burimet bëjnë me dije se Çili kishte ushtruar ndikim tek një gjyqtar për të liruar nga burgu anëtarët e bandës së Lazaratit. Nga përgjimet ka rezultuar se Çili ka pasur komunikime me babanë e Alban dhe Arbjon Alikos të arrestuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s në qershorin e 2015-ës, Ibrahim Bashës. Babai i tij Alikos i kishte premtuar Çilit një hapësirë toke në Gjirokaster në këmbim të lirimit apo uljes së dënimit të dy djemve. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se emri i Çilit del edhe në kontrata që janë për dhurim pronash në zonën e Gjirokastrës, por edhe në transaksione bankare.
Urdhër-arrestet për ndalimin e tyre janë lëshuar nga Prokuroria e Përmetit pas një hetimi disa mujor. Çili është shoqëruar në orën 21:00 të mbrëmjes së djeshme ndërkohë që urdhër arresti i është komumikuar në orë e para të mëngjesit të sotëm. Ndaj tij rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve, shpërdorim detyre dhe transaksione të dyshimta që do jenë pjesë e një hetimi pasuror.
Gjatë operacionit policia ka arrestuar edhe Amarildo Alikon, i afërm i ish-kryekomunarit të Lazaratit në kohën e PD, Dasho Aliko. në banesën e të cilit u gjetën dhe sekuestruan armë dhe municione. Të arrestuarit janë dërguar tek Policia e Tiranës, ku priten veprime të mëtejshme.
Nga ky operacion i cili është finalizuar në orët e para të mëngjesit mësohet se janë shoqëruar më shumë se 60 persona të tjerë. Kontrolle janë ushtruar në disa banesa në qytetin e Gjirokastrës si dhe në ambientet e UET.
Pritet që kjo dosje të kalojë në SPAK.
lajmi po perditesohet…
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:25
Nga aksioni i policisë në Gjirokastër u arrestua edhe biznesmeni Sait Fishta, ish-kandidat për deputet në zonën e Shkodrës
1582881395_saitfishta1.jpg
Mes të arrestuarve në operacioni ku u vu në pranga botuesi dhe pronari i UET Henri Çili është edhe biznesmeni Sait Fishta ish-kryetari i Komunës së Velipojës dhe ish-kandidat për deputet në siglën e disa partive të ndryshme në zonën e Shkodrës. Ai rezulton i dënuar më parë për akuzën e ndërtimit të paligjshëm në tokë publike të 9 objekteve pallate në zonën bregdetare të Velipojës
Ora 10:24
Në total 31 urdhër ndalime, përgjimet e grupit të zjarrit në Lazarat zbuluan emrin e Çilit
31 urdhra ndalim janë lëshuar në total, por vetëm 12 prej tyre janë ekzekutuar deri më tani. Procedimi fillimisht ka qenë regjistruar për prodhim dhe shitje narkotiëesh me pas nga përgjimet e grupit të zjarrit kanë dalë në skenë emrat e Henri Çilit dhe personave të tjerë.
Ora 09:47
Henri Çili dyshohet se i mori para e prona babait anëtarit të bandës që vrau efektivin e RENEA-s me premtimin se do e nxirrte nga burgu
Burimet bëjnë me dije se Çili kishte ushtruar ndikim tek një gjyqtar për të liruar nga burgu anëtarët e bandës së Lazaratit. Mësohet se Çili ka pasur komunikime me babanë e Arbjon dhe Alban Alikos arrestuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Bashës. Arbjon Aliko është dënuar me burg përjetë lidhur me këtë ngjarje ndërsa vëllai i tij me 20 vite. Babai i kishte premtuar tokë dhe para në këmbim të lirimit të të birit. Nga hetimet ka rezultuar se emri i Çilit del edhe në kontrata që janë për dhurim pronash në zonën e Gjirokastrës, por edhe në transaksione bankare.
Ora 09:00
Ndikimi te gjyqtarët për lirimin e të arrestuarve të Lazaratit, bashkë me Çilin pranga edhe drejtorit Juridik të UET
1582876947_ilirkorbi.jpg
Mes të arrestuarve gjatë operacionit ku është vënë në pranga Henri Çili, është ndaluar edhe avokati Ilir Korbi, drejtori juridik i UET i cili shërben edhe si pedagog pranë këtij universiteti. Bashkë me Korbin janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë të cilët kanë qenë në tavolinë me Korbin.
Ora 08:02
Aksion në Lazarat, sekuestrohen armë dhe municione! Arrestohet Amarildo Aliko
Tre grupe efektivesh te DVP Gjirokastër kanë zhvilluar kontrolle në banesat e fshatit Lazarat.
Në banesën e Amarildo Alikos , i afërm i ish-kryekomunarit të Lazaratit në kohën e PD, Dasho Alikos ata kanë gjetur tre armë automatike model 56 ( kallash), një granatë, një pushke 20-she e mijëra fishekë deri tani. Ky i fundit është vënë në prangat e policisë, për t’u shoqëruar më pas në Komisariatin e Gjirokastrës.
Operacioni ka nisur prej orës 5 të mëngjesit dhe po vijon në disa banesa të tjera në zonën e Lazaratit./Burimi /m.v./Shqiptarja.com
Balkanweb: Arrestohet pedagogu, botuesi dhe analisti Henri Çili.
Mësohet se Çili është arrestuar orët e para të mëngjesit të sotëm për llogari të policisë së Gjirokastrës me disa akuza.
Burimet thanë për News24 se bashkë me Çilin janë ndaluar 40 persona gjithsej të ndaluar në vend, 13 prej tyre nga Përmet, mes tyre dhe një avokat, të cilët dyshohet se janë transferuar nën forca të shumta policore drejt Gjirokastrës.
Arrestimet kanë ardhur pas hetimeve disa mujore nga prokuroria e rrethit të Gjirokastrës dhe dyshohet se këta persona kanë konsumuar disa vepra penale.
(BalkanWeb)
Komentet