VOAL

VOAL

Video – Lekë Tasi: Këshillat e Petro Zhejit për kujtimet e internimit

October 20, 2019

Komentet

Shteti që funksionon me dosje Nga Dijana Toska

Për 35 vjet, ky shtet ndërtoi mekanizëma shantazhi.

Në vend që të ndërtonte demokraci funksionale, shteti ndërtoi një shoqëri kancerogjene, ku secili mban diçka për tjetrin dhe askush nuk guxon ta çojë deri në fund betejën me të keqen.

Sepse dosja është më e fuqishme edhe se vetë e vërteta.

Është vendosur mbi ligjin. Është bërë më legjitime se vota.Përdoret për kontroll dhe kështu dosjet u bënë valuta më e fortë politike.

Këto ditë dikush kërkoi nga kryeministri Mickoski hapjen e dosjeve.

Një kërkesë normale për një shtet normal demokratik.

Por, në një shoqëri të metastazuar, si kjo e jona, kjo nuk është aspak e lehtë, ku shumica e politikanëve mbijetojnë me dosje.

Organet e sigurimit shtetëror ndërtojnë dosje për shtetin. Partitë politike ndërtojnë dosje për rivalët. Nëntoka ndërton dosje për pazare. Dikush inçizon. Një tjetër fotografon. Ka edhe të atillë që ruajnë sekrete për momentin e duhur.

Dhe kështu, dalëngadalë, i gjithë aparati shtetëror fillon të funksionojë me politikanë që mbahen peng nga dosjet.

Prandaj ky shtet ecën në vend, po mbijeton disi, por nuk po mund të reformohet, sepse pengu pret radhën e dosjes së tij.

Dosja dhe pengu nuk ndërtojnë shtet…

E kaluara na ka dëshmuar se dosjet në Ballkan rrallëherë kanë shërbyer për ta dënuar dikë.

Zakonisht kanë shërbyer për të kontrolluar, për të ruajtur ekuilibrin e frikës, për t’i kujtuar dikujt se deri ku lejohet të flasë.

Dhe pikërisht për këtë arsye, në këtë rajon vazhdojnë të mbijetojnë shtete me sisteme të kalbura.

Mickoski ndoshta nuk ka guximin t’i hapë dosjet shtetërore.

Ndoshta është ende herët për një shtet që vazhdon të jetojë me frikëra historike, konflikte identitare dhe probleme të pazgjidhura fqinjësore.

Por pyetja tjetër është më e rëndë:

Pse mbahen “ad acta” dosjet në prokurori për rivalët politikë dhe për politikanët shqiptarë?

Pse krimet financiare, përfitimet joligjore dhe pasurimet marramendëse të disa politikanëve e biznesmenëve milionerë mbeten të ngrira në sirtarët e drejtësisë?

Nuk mund të ndërtohen përjetësisht marrëveshje politike mbi pazare që prekin të drejtat e shqiptarëve, ndërkohë që status quo-ja vazhdon të ushqehet si industri politike, duke i mbajtur të drejtat pezull, jo për t’u zgjidhur, por për t’u përdorur sa herë duhen vota, koalicione apo pazare pushteti.

Për këto mekanizma, kohë më parë, ka folur publikisht edhe vetë ish-presidenti Stevo Pendarovski, i cili pranoi se gjatë ndërtimit të koalicioneve politike përdoren forma kontrolli dhe presioni që nuk kanë lidhje me demokracinë.

Atëherë, si t’i besojë qytetari këtij shteti, kur politika mbahet gjallë me dosje dhe drejtësia shantazhohet?

Si t’i besojë qytetari një politikani me dosje kriminale, që flet paturpësisht për demokraci,

kërkon shtet ligjor dhe predikon drejtësi, ndërsa duart i ka të papastra?

Një shtet me sistem të shantazhuar mund t’i mbajë peng politikanët. Mund të frikësojë prokurorë dhe të blejë heshtje.

Por nuk mund t’i heshtë pafundësisht qytetarët, intelektualët e studentët, sepse ata nuk kanë dosje.

Kanë vetëm zërin.

Dhe zëri i lirë është gjithmonë armiku më i madh i çdo sistemi që mbahet gjallë me dosje dhe frikë.

DT

NË NJËVJETORIN E ZBULIMIT TË BUSTIT TË AZEM BEJTËS NË GRABANICË TË KLINËS- Nga Selman Etemi

 

 

Kur dëshira e kahershme të bëhët e realizuar, qetësia edhe shpirtërore mbledh në vete të gjitha ato kujtime, qofshin edhe ato që na rënduan dhe munduan në kohë, tani më bëjnë krenar, që bashkë edhe me të tjerët, e

që sot i kemi dëshmi të një rezistence të pathyeshme në kohë dhe rrethanë të caktuar.

 

Sikur me stuhitë dhe rrebeshet e luftës, me të cilat u përball heroi i kombit Azem Bejta, edhe neve ishim në përballje për mbrojtjen e emërtimit të shkollës në Grabanicë me emrin e tij. Këtë dëshirë ia kisha vu vetes obligim, që patjetër kjo vetër e diturisë ta ketë bustin e këtij heroi flakadan i çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare.

Një vit, pra, para se të vendosej ky bust, shfaqa idenë dhe gatishmërinë, që busti i këtij heroi të bëhët realitet. Këtë ua paraqita edhe përfaqësuesve të komunitetit të fshatit Grabanicë, kryesisht Sejdi Balecit

dhe të tjerë emra, me të cilët bashkëvepruam edhe përgjatë viteve të stuhishme (90-ta), e sidomos në të mirën e kësaj shkolle dhe mbijetesën e saj gjatë asaj kohe.

 

Një ide e tillë iu komunikua edhe drejtorit aktual të shkollës, i cili në parim u pajtua që të angazhohej, por duke më thënë, se „në këtë vit (2025) nuk mund të besoj se do ta kremtojmë Ditën e shkollës, se i kemi disa

prioritete…“!

 

Në fillim parashtruam kërkesën me shkrim tek organet komunale, ku Asamblea miratoi kërkesën tonë, dhe na u lejua që busti të vendoset te shkolla në Grabanicë.

 

Pasi që kontaktova me skulptorin vlerëmadh Ylber Krasniqi, u caktuan format e veprimit dhe na u tha kostoja e përafërt monetare (7000 deri 9000€).

 

Fillon grumbullimi i mjeteve financiane nga qytetarët e Grabanicës.

 

Për këtë, të autorizuar ishin përfaqësuesit e fshatit Grabanicë Sejdi Baleci, Halil Sahiti, e tjerë.

 

Me rrjedhen e kohës, faktori komunal, e sidomos nga DKA-ja me në krye drejtorin e palodhshëm Qemajl Sejdija, na u ofrua gatishmëria që punimi i bustit të financohet (paguhet) nga ta.

 

Fal angazhimit të përfaqësuesve të fshatit Grabanicë, të gjitha punët u kryen si më së miri dhe në kohën e paraparë, dhe busti ishte i gatshëm të vendosej më 15 maj 2025, kur dhe tradicionalisht dekada me radhë, që

nga pavarësimi i shkollës në vitin 1972 nga ajo e Drenocit, Dita e kësaj shkolle kremtohej më 15 maj! Se, shumë ngjarje lidhen me këtë datë; edhe përkundër pengesave, kërcënimeve nga policia okupuese, këtë Ditë

e kremtonim; mu në këtë Ditë (15.05.1992) heroi i kombit Tahir Berisha intervenimit të policisë serbe deshi të i përgjigjet me plumba, i cili vetem 11 ditë më vonë vrau një polic serb dhe tjetrin plagosi rëndë, ku dhe ra

edhe vetë në altarin e lirisë.

 

Megjithatë, zbulimi i bustit u bë në mënyrë madhështore, falë qytetarëve, nxënësve e faktorit përkatës të shkollës si dhe atij komunal, për një pjesëmarrje dinjitoze.

 

Falenderojmë të gjithë ata që dhanë mund në realizimin e këtij projekti tani me përmasa edhe historike.

 

Falenderoj të gjithë ata qytetarë të Grabanicës që ndihmuan me mjete financiare për bustin, e mëqë bustin e pagoi faktori komunal, ato mjete që ishin në grumbullim e sipër, më pastaj, në bazë të vendimit të

përfaqësuesve të atij likaliteti, u shfrytëzuan për pagesën e drekës për të gjithë pjesëmarrësit në restaurantin „Gëzimi“ në Klinë, si dhe mbulimin e disa shpenzimeve tjera organizative për këtë event dhe të tjera.

Mendoj se, sadopak e kryem një obligim ndaj heroit tonë Azem Bejta. Zbulimi i bustit u bë më 23.05.2025, në oborrin e shkollës „Azem Bejta“ në Grabanicë të Klinës. Shkollë kjo që, për shumë dekada e barti me krenari këtë emërtim, por një bust i tillë na mungonte, dhe ja, tani e realizuam dëshirën, por dhe nevojën e domosdoshme.

 

Doja të isha edhe më modest në këtë prezantim, sikur të thuhej me rastin e zbulimint të këtij busti nga organet zyrtare të shkollës apo dhe ato komunale se me iniciativën e kujt filloi ndërtimi i bustit, nga kush u

udhëhoq e gjithë procedura deri në përurim; sepse vetëm akti solemn nuk do të thotë se e gjitha mund të përvetësohet; edhe pse neve (unë dhe përfaqësuesit e fshatit Grabanicacë) nuk e bëmë këtë „për kapuç të madh apo lavdata; e bëmë për nderimin e heroit të kombit Azem Bejta, emër i cili ishte e është halë në syrin e disave edhe sot!

 

Pavarësisht pak zërave me qëllim devijimi të një realiteti apo minimizimi të kësaj vepre të kryer nga ne, apo, besa edhe të pengohej bashkë me eventin perurues të bustit, e biles edhe mos të na ipej hapësira edhe për

ndonjë fjalë të shkurtër rasti apo qoftë edhe ndoj shkrese përshëndetëse nga ana jonë, kjo u arrit dhe u realizua në mënyrën më të mirë të mundëshme.

 

Pra, siç thonë, shkurt dhe trup: Për punimin dhe vendosjen e bustit të Azem Bejtë Galicës u inicua nga unë, u përkrah dhe u ndihmua nga udhëheqësit e fshatit Grabanicë, ku dhe neve filluam grumbullimin e

mjeteve financiare, por me vetëdëshirë faktori komunal e bëri pagesën, përçka edhe i jemi mirënjohës.

 

Tani me krenari ngreh shtat ky bust i luftëtarit nacionalist, i cili deri në flijim luftoi për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare.

Urime dhë gëzuar bustin e Heroit të Kombit, shkolla tradicionalisht më e veçanta në Dukagjin e më gjerë përgjatë kohërave më të vështira!

https://www.youtube.com/watch?v=flmKFGWsm1E

 

Selman Etemi (ish punëtor dhe drejtor i kësaj shkolle si dhe kryetar

i LASH-it në Klinë), 12 maj 2026

Bashkimi i interesave personale në LDK-në e syrgjynosur!- Nga Florim Zeqa

 

E quajta LDK të syrgjynosur, pasi të tillë kanë mbetur veprimtarët dhe aktivistët më të devotshëm të saj. Të harruar dhe anashkaluar nga kryetari aktual dhe servilët e tij morbid! Më e rëndë sesa kjo është kthimi i dezertorëve dhe vendosja e tradhtares së rugovizmit në krye të listës zgjedhore të këtij subjekti politik!

 

Zhvillimet e fundit në LDK dhe në PDK janë pasqyrë e këtij realiteti politik

 

Shëmbullin më të mirë të ndëshkimit të dezertorëve nga partia e dha PDK, e cila për të dytën herë radhazi e refuzoj kërkesën e kthimit të dezertorëve në këtë subjekt politik!

Kështu veprojnë partitë serioze të skenës politike!

Dallimi mes LDK-së dhe PDK-së në këtë aspekt është ky:

 

-E para, LDK u dëshmua parti pa busull orientuese me rikthimin e Osmanit

-E dyta, PDK u tregua parti serioze në refuzimin e Limajt!

 

Dezertorët paraprakisht duhet të dëshmohen, pastaj të futen në listën zgjedhore, por assesi të shpërblehen!

Janë këto dy raste të ndara me analogji të njëjtë!

Përderisa në rastin e PDK-së, largimi i Fatmir Limajt me grupin e tij nuk ishte aq i dëmshëm sa ishte largimi i Vjosa Osmanit me grupin e saj në LVV!

Edhe pse dëmi politik i Fatmir Limajt ishte dukshëm më i vogël në krahasim me dëmin e Vjosa Osmanit që i bëri LDK-së, PDK u tregua parti serioze dhe me pjekuri më të lartë politike!

Ndërsa LDK, u dëshmua si parti pa buzull orientuese dhe me lidership adoleshent që bie pre e politikave ditore dhe egove personale për pushtet!

 

Vizitat derë më derë të dyshes unike për pushtet

 

Mjaftoni t’i shikoni vizitat e dyshes Abdixhiku-Osmani derë më derë dhe në çdo shtëpi duke përqafuar çdo njeri që e takojnë në rrugë! Kur jemi tek përqafimet, pikërisht ato janë që e argumentojnë më së miri jo sinqeritetin e të dalldisures pas pushtetit!

Për të mos i permendur të gjitha, këto janë argumente të mjaftueshme që e dëshmojnë qëllimin e bashkimit: arritja e objektivave personale e jo ngritja e LDK-së!

Sikur Vjosa Osmani të ishte lidere e vërtetë siq paraqitet para opinionit publik do ta maste vetën në peshoren zgjedhore, duke garuar me subjektin e saj “Guxo”, të cilin ua la si ‘këmbët e Arushës’ në dorë Pecit e Donikës!

Sikur të ishte ndryshe, dyshja famoze Lumiri-Vjosa do ta zgjeronte rrethin e “vizitorëve” nëpër familje!

Këtë nuk e bëjnë, pasi nuk janë të interesuar për fatin e të tjerëve, por si të ngriten vetë sa më lartë me voten qytetare, për t’u thënë më pas të tjerëve: “Ja ne jemi më të votuarit”!

Do të dalin më të votuarit, por jo mjaftueshëm për t’i realizuar ambiciet e tyre personale!

Edhe përkundër këtij bashkimi ambicioz, LDK edhe pas këtyre zgjedhjeve do të mbetet parti e tretë e skenës politike kosovare dukshëm nën kuotat e 20 përqindëshit!

 

Kthimi Vjosë është lojë e turpshme me antarësinë e LDK-së

 

Deri dje i thanë ‘notere dhe servile e Kurtit’ e çka nuk i thanë!

Të gjitha që i thanë janë të vërteta, por këto që i bënë tani me hapjen e dyerëve për Vjosa Osmanin, përveqse lojë e turpshme me elektoratin rugovian, e dëshmon edhe përversitetin e Lumir Abdixhikut, i cili e ndihmoj ‘noteren’ e Kurtit të bëhet Presidente!

Tani ndryshuan gjërat, të mirët dhe të merituarit në LDK nuk kanë më hapësirë veprimi, pasi vendet e tyre i zunë dezertorët dhe pazaregjinjët e vullnetit të elektoratit rugovian!

Vjosa Osmani kaloi në LVV jo për të mbrojtur “rugovizmin” siq e mashtronte elektoratin, por, për egon e saj personale për t’u bërë Presidente!

Deri tek arritja e qëllimit i kaloj të gjithë ‘rrathët e ferrit politik’, duke u kthyer në servile dhe notere e Albin Kurtit!

Vjosa pasi dështoj në partneritet me Albin Kurtin, e vendosi që të fillojë një pazar të ri politik me Lumir Abdixhikun në dëm të LDK-së!

“Shpresa” e Vjoses për t’u bërë sërish presidente ka marrë fund ditën që i prishi raportet me Albin Kurtin!

Pranimin e saj me kushte nga LDK-ja, e tregon mjerimin e thellë politik ku ka rënë LDK-ja, ku në vend të vlerave dominojnë servilët dhe matrapazët, dezertorët dhe uzurpatorët e partisë, të cilët e kanë ngulfatur zërin e qëndrestarëve dhe veprimtarëve më të devotshëm në LDK, të cilët për vite dhe dekada e bartën mbi supet e tyre barrën kryesore të aktiviteteve në kohët më të vështira!

U injoruan pikërisht ata që i qëndruan besnik LDK-së kur Vjosa Osmani ia ktheu shpinën këtij subjekti politik për egon e saj personale!

Tashmë familjarizimi dhe privatizimi i LDK-së është bërë realitet i hidhur për njerëzit e ndershëm në LDK.

Mos qofsha në lëkurën e atyre që nxjerrnin helm kundër LDK-së, kurse tani turr e vrap me Vjosen në LDK!

I harruan Pecin e Donikën, idhujt e deridjeshëm!

Sinqeriteti dhe dashuria e vërtetë nuk lëndojnë njeri, lëndojne hipokrizia dhe mashtrimi në vijimësi!

 

LDK nga parti e besës dhe shpresës së qytetarëve është kthyer në burim krizash të njëpasnjëshme, mashtrimeve, komplotit dhe shantazhit politik!

LDK nga shtetndërtuese në të kundërtën e saj!

LDK është zhveshur komplet nga vlerat e saj rugoviane!

Në LDK nuk ndodhi bashkimi, por ndarja e re!

‘Po shkatërrohet bregdeti’ Magjistrati i njohur belg: Mafia po i pastron paratë në hotele në Shqipëri

Magjistrati i njohur belg, Michel Claise, ka folur sërish për mediat në lidhje me mafien shqiptare.

Gjatë një interviste, ai tha se mafia po i pastron paratë duke përdorur hotelet në Shqipëri.

Po ashtu, ai tha se mafia po pastron paratë në prona të patundshme në Marok.

Ish-gjyqtari Claise është bërë një nga figurat më të njohura në vendin e tij në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.

 

Para disa kohësh, ai tha se mafia shqiptare në Belgjikë është bërë po kaq e fuqishme sa mafia marokene, e cila ka dominuar për shumë vite.

Ndërkohë që në një tjetër intervistë, ai deklaroi se mafia shqiptare po shkatërron bregdetin e bukur të Shqipërisë.

“Në bregdetin e Adriatikut po pastrohet një sasi e madhe parash nga krimi. Njeriu bën gjithçka për t’u lejuar të ndërtojë diçka. Bregdeti i mrekullueshëm është nën presion,” shkruante ai.

Claise ka publikuar një libër për mafien shqiptare, ndërsa thotë se e ka hetuar vetë këtë mafie dhe e njeh fuqinë e saj. syri.net

Alba Kepi: Libri i Trocchias s’u lejua të përkthehej në shqip, u bllokua – ‘A Show’ – Denoncon mafian shqiptare dhe takimin në Aruba

 “Të Pamposhturit – Mafia shqiptare nga Roma drejt pushtimit të botës”, libri i gazetarit të njohur investigativ Nello Trocchia është bllokuar të përkthehet në gjuhën shqipe. E zbulon gazetarja Alba Kepi e ftuar në studion e ‘A Shoë’ mbrëmjen e sotme në Syri Tv.

Por çfarë tregon libri në fletët e tij?

Në libër gazetari Nello Trocchia, – I cili është marrë nën mbrojtje nga autoritetet italiane pas kërcënimeve serioze me jetë- përshkruan fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare dhe depërtimin e tyre në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Në libër flitet dhe takimi e zhvilluar në Aruba, ku sipas investigimeve të tij, përfaqësues pranë qeverisë së Edi Ramës janë takuar me eksponentë të karteleve të drogës për çështje që lidhen me pastrimin e parave në Shqipëri.

Trocchia analizon ngritjen e organizatave kriminale shqiptare nga grupime të vogla të viteve ’90 në struktura të fuqishme të narkotrafikut ndërkombëtar, të afta për të krijuar aleanca me mafian italiane dhe për të kontrolluar rrjete trafiku në Europë dhe Amerikën Latine.

U bllokua qëllimisht të sillej në shqip

Libri u botua në 2025. Edhe pse përpjekjet për ta sjellë të përkthyer në shqip kanë qenë të mëdha është refuzuar.

“Libri në Shqipëri është bllokuar për tu përkthyer. Kemi tentuar të sjellim në gjuhën shqipe dhe ka pasur bllokim derisa të thuhet pak interes, por është e natyrshme që ka qenë e qëllimshme. Një bllokim i qëllimshëm në gjuhën shqipe” thotë Alba Kepi

 “Libri ka emra të rëndësishëm dhe për takimin në ishullin Aruba, ku flitet se kanë marrë pjesë dhe personalitete të lartë të qeverisë shqiptare. Thuhet dhe vetë kryeministri. Ekziston një audio por që nuk identifikohet nëse ky zë është i kryeministrit  apo personi mjaft pranë kryeministrit shqiptar. Pra gjërat në atë libër janë mjaft të forta” shton më tej Kepi përballë Adri Krastës.

Kepi zbulon se janë 29 gazetarë në Itali të cilët janë mbarrë në mbrojtje nga autoritetet italiane nga të cilët 2 prej tyre janë gazetarë italianë që kanë denoncuar lidhjet e mafias shqiptare me qeverinë Rama.

“Nello Trocchia është gazetari i 29 – të që vihet nën mbrojtje nga shteti Italian plus 250 gazetarëve që janë nën mbikqyrje.  Pra kanë në shërbim njerëz të armatosur, truproje që mbrojnë jetën e tyre.

Dhe në mes të 29 kemi Nello Trocchia i cili u mor në mbrojtje pak muaj pasi publikoi librin ‘Të pamposhturit’ dhe Sigfrido Ranucci që pak muaj më parë shpëtoi nga një bombë e hedhur në banesën e tij dhe që në disa puntata të emisionit të tij ka thënë gjëra mjaft të forta të lidhura me qeverinë shqitare, vëllanë e kryeministrit dhe sekretarin e Përgjithshëm të qeverisë shqiptare”

Thomas Wittstadt – Qeveria gjermane e bojkotoi konferencën ekonomike t+e Berlinit dhe anulimi i ekspozitës mes dyshimeve për tregtin e artit

 

Kryeministri Edi Rama është përfshirë nga një situatë e pazakontë në 30 prill 2026, ditë kur zyrtarisht, u zhvillua Konferenca Ekonomike Gjermano-Shqiptare, e cila i kushtohej partneritetit strategjik, bashkëpunimit ekonomik dhe perspektivave evropiane.

Nga të pranishmit në këtë event, bëhet me dije se Rama ka anuluar pjesëmarrjen në Konferencën Ekonomike dhe arsyet e këtij vendimi nuk janë bërë publike nga kryeministri.

Gjithashtu, një tjetër zhvillim i pazakontë për Ramën ka qënë dhe refuzimi i personaliteteve të huaja për ekspozitën që kishte përgatitur kryeministri.

Sipas burimeve, arsyet e refuzimit të ftesave nga personalitetet lidhet me dyshimet për tregtinë e artit, si mbulesë për të pastruar paratë e pista.

Në lidhje me këto zhvillime ka reaguar edhe Thomas Wittstadt, Zëvendëspresident i Shoqatës Ekonomike Gjermano-Shqiptare (DAW), i cili ka botuar një shkrim me titull: Berlin mes Konferencës Ekonomike, Artit Diplomatik dhe Skepticizmit Evropian

Nga Thomas Wittstadt – Zëvendëspresident i Shoqatës Ekonomike Gjermano-Shqiptare (DAW)

Ka ditë politike kur e vërteta e mirëfilltë nuk thuhet mbi skenë, por bëhet e dukshme mes imazheve.

30 prilli i vitit 2026 në Berlin ishte një ditë e tillë.

Zyrtarisht, Konferenca Ekonomike Gjermano-Shqiptare i kushtohej partneritetit strategjik, bashkëpunimit ekonomik dhe perspektivave evropiane. Eventi u organizua me një përpjekje të konsiderueshme nga Shoqata Ekonomike Gjermano-Shqiptare, e mbështetur nga Komiteti Lindor i Biznesit Gjerman, DIHK dhe organizata të tjera biznesi. Qëllimi ishte i qartë: prezantimi i Shqipërisë si një destinacion tërheqës për investime dhe si një partner i ngushtë i Gjermanisë.

Por pas prezantimit zyrtar, u bë e dukshme një zbrazëti e jashtëzakonshme politike. Pavarësisht përpjekjeve disamujore, rezultoi e pamundur të silleshin përfaqësues të lartë të qeverisë gjermane apo anëtarë të shquar të Bundestagut dukshëm në krah të Kryeministrit shqiptar Edi Rama. Në fund, Ministria Gjermane e Ekonomisë u përfaqësua vetëm nga një sekretar shteti. Mbështetja e gjerë politike nga qendra e qeverisë federale gjermane mungonte.

Dhe pikërisht kjo mungesë u bë mesazhi i vërtetë i ditës.

Në diplomaci, fjalimet vetë nuk kanë rëndësi.

Rëndësi ka kush shfaqet.

Dhe ndonjëherë edhe më qartë: kush qëndron larg me vetëdije.

Në mënyrë të jashtëzakonshme, pothuajse në të njëjtën kohë, u shfaq një skenë e dytë — jo në qendrën politike të Berlinit, por brenda mjedisit të diplomacisë italiane dhe skenës artistike të Berlinit. Paralelisht me konferencën ekonomike, Edi Rama prezantoi veprat e tij artistike gjatë një eventi të lidhur me Ambasadën Italiane dhe galerinë e Berlinit “Société”. Sipas raportimeve të mediave italiane, u prezantuan gjithsej trembëdhjetë vizatime dhe punime të tjera të Ramës. Ambasadori italian Fabrizio Bucci mbajti publikisht diskutime me Ramën, ndërsa të ftuar të shumtë nga qarqet diplomatike dhe kulturore morën pjesë në mbrëmje.

Megjithatë, edhe këtu, ajo që mungonte ishte goditëse.

Deri më sot, nuk ka asnjë tregues të dukshëm se politikanë të shquar gjermanë, anëtarë kryesorë të Bundestagut apo përfaqësues të lartë të qeverisë gjermane e mbështetën publikisht ose morën pjesë në mënyrë prominente në ekspozitë. Komunikimi publik u fokusua pothuajse ekskluzivisht te veprat e artit, atmosfera diplomatike, ambasadori italian dhe vetë Rama si artist dhe kryeministër.

Dhe pikërisht për këtë arsye, eventi fitoi një simbolikë politike që ndoshta shtrihej shumë përtej vetë artit.

Koha dukej tepër e qartë për t’u injoruar: Në njërën anë, një konferencë ekonomike me rezonancë të kufizuar politike nga Gjermania. Në anën tjetër, një inskenim kulturo-diplomatik brenda mjedisit italian, mbushur me imazhe simbolike dhe optikë përfaqësuese.

Rastësi? Ndoshta.

Por politika nuk jeton nga rastësitë — ajo jeton nga perceptimi.

Veçanërisht të rëndësishme ishin deklaratat e Ramës lidhur me Bashkimin Evropian gjatë qëndrimit të tij në Berlin. Ai e përshkroi procesin e anëtarësimit në BE si “neurotik”, kritikoi ngadalësinë e Evropës dhe argumentoi se Evropa kishte thënë prej kohësh fjalët e duhura pa i shoqëruar ato me veprime konkrete.

Kështu, ajo që dukej si një ekspozitë arti, papritmas u kthye në një shfaqje të politikës së jashtme.

Dhe këtu qëndron pikërisht rëndësia e vërtetë politike e këtyre ditëve të Berlinit.

Sepse ndërsa Rama në Berlin bënte thirrje për një vendosmëri më të madhe evropiane, skepticizmi ndaj zhvillimeve demokratike në Shqipëri vazhdon të rritet në Bruksel. Diskutimet lidhur me korrupsionin, përqendrimin e pushtetit, dobësitë institucionale dhe gjendjen e shtetit të së drejtës po intensifikohen gjithnjë e më shumë brenda Bashkimit Evropian.

Kjo është arsyeja pse Berlini u shfaq si një pasqyrim i disponimit aktual evropian: shumë simbolikë, shumë inskenim, shumë retorikë evropiane — por në të njëjtën kohë një distancë politike dukshëm e kujdesshme.

Ekziston edhe një tjetër çështje e ndjeshme: lidhja mes pushtetit politik, mjeshtërisë skenike diplomatike dhe një tregu personal arti. Sigurisht, një gjë duhet të mbetet e qartë: nuk ka asnjë shkelje të provuar publikisht të lidhur me veprat artistike të Ramës apo eventet e Berlinit. Megjithatë, është po aq e vërtetë se tregu ndërkombëtar i artit është konsideruar prej kohësh si një zonë veçanërisht e ndjeshme për rrjedha financiare të paqarta dhe rrjete influence politike. Kjo është pikërisht arsyeja pse gazetarët investigativë i vëzhgojnë nga afër konstelacione të tilla.

Dhe prandaj lindin në mënyrë të pashmangshme pyetjet: Kush organizon? Kush financon? Kush blen? Kush përfiton politikisht nga këto imazhe? Dhe pse inskenimi politik dhe performanca kulturore po shkrihen gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën?

Në fund, mbetet një përshtypje — një përshtypje që shkon shumë përtej një konference apo ekspozite të vetme. Berlini zbuloi dy realitete paralele: një konferencë ekonomike pa vrull të dukshëm politik dhe një inskenim diplomatiko-kulturor me efekt maksimal simbolik.

Së bashku, të dyja ngjarjet krijojnë një tablo të pakëndshme: një qeveri e cila, pas trembëdhjetë vitesh në pushtet, duket gjithnjë e më shumë e varur nga prezantimi dhe simbolika, sepse afërsia politike e Evropës nuk duket më e vetëkuptueshme.

Ndoshta ky është mesazhi i vërtetë i atyre ditëve të Berlinit.

Jo te fjalimet. Jo te vizatimet. Jo në dhomat diplomatike.

Por në distancën në rritje midis inskenimit politik dhe realitetit evropian.

Thomas Wittstadt

Zëvendëspresident, Shoqata Ekonomike Gjermano-Shqiptare

Vjosa Osmani në listën e LDK-së, PSD me aksion: Me këtë qasje më shumë i shkon simbolika e “Kalit të Trojës”

Besnike Salihu

Partia Socialdemokrate (PSD) ka realizuar një aksion simbolik, ku ish-presidentja Vjosa Osmani është paraqitur si “Kali i Trojës”.

PSD kritikoi rikthimin e Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj theksoi se zhvillimet e fundit po e konfirmojnë se nuk ka tabor opozitar në vend.

“…Këto parti opozitare po shkojnë në këto zgjedhje me një qëllim shumë të thjeshtë, por shumë të padobishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, po garojnë për pak më shumë deputetë që me pas pak më shumë hise në qeverinë e ardhshme. Kthimi që u trumpetua me të madhe i Vjosa Osmanit në LDK i ka dy probleme shumë të mëdha. E para është një mashtrim i madh publik, sepse Vjosa Osmani nuk është kthyer fare në LDK.

Vjosa Osmani po e përdor LDK-në si trampolinë për potencialisht ndonjë pozitë të ardhshme në institucionet e Kosovës. Qysh edhe u mor vesh sheshazi, ajo nuk është anëtare e LDK-së; e mori një grup prej nja 20 veta, po i çon në listën e LDK-së dhe po e ripërdor LDK-në edhe një herë“, u shpreh Molliqaj.

Ai tutje tha se kësaj qasje të saj më shumë i shkon simbolika e “Kalit të Trojës”.

“… ne besojmë që me këtë qasje më shumë i shkon simbolika e ‘Kalit të Trojës’, sepse LDK-ja më shumë sesa po bashkohet, po ndahet rishtazi. Sepse njerëzit të cilët i qëndruan besnikë LDK-së në periudhën kur u braktis nga Vjosa Osmani, ku u sulmua nga Vjosa Osmani, ku u shkatërrua nga Vjosa Osmani qysh edhe vetë ju e keni parë nuk kanë qenë pjesë e ceremonisë së bashkimit të trumpetuar nga kryetari Abdixhiku”, tha tutje kryetari i PSD-së.

Sipas tij, ky bashkim është lidhje e interesit për pozita të dy individëve që e kanë kapur këtë parti. /Telegrafi/

Largimi i Schmidtit nxit spekulime për përplasje me partnerët ndërkombëtarë

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt (në qendër), i cili dha dorëheqje më 11 maj 2026.

 

Goran Katiq

Edhe 24 orë pasi u publikua lajmi për tërheqjen nga posti i përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, arsyet e këtij vendimi të Christian Schmidtit nuk janë ende të qarta.

Megjithëse në mesazhin e tij ai theksoi se bëhet fjalë për një “vendim personal”, mediat spekulojnë se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të presioneve politike, duke e lidhur largimin e tij me çështjen e pronës shtetërore, përkatësisht me ndërtimin e gazsjellësit Interkoneksioni Jugor.

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë e ka për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe të sigurojë që institucionet shtetërore funksionojnë sipas saj.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment lidhur me dorëheqjen e Schmidtit.

Përgjigje nuk kthyen as ambasadat e Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në Sarajevë, të cilat janë anëtare të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) në Bosnje dhe Hercegovinë, e të cilat Schmidt i njoftoi për largimin nga detyra.

Përndryshe, përdorimi i pronës shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë është i ndaluar prej më shumë se 20 vjetësh, që kur ish-përfaqësuesi i lartë, Paddy Ashdown, krijoi ligj për këtë çështje.

Ky ligj mbetet në fuqi derisa Parlamenti shtetëror të miratojë një ligj të ri, që do të përcaktojë se çfarë është pronë shtetërore dhe kush e si mund ta administrojë atë – një proces që për vite me radhë është bllokuar nga përfaqësuesit politikë të entitetit Republika Sërpska.

A mund të ketë lidhje mes Uashingtonit zyrtar dhe largimit të Schmidtit?

Analistja politike nga Sarajeva, Ivana Mariq, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se “politika amerikane ndaj Bosnje dhe Hercegovinës është vendimtare”.

“Ajo politikë e re, që në plan të parë vendos interesat ekonomike dhe gjeopolitike të SHBA-së, mendoj se ka ndikuar në masë të madhe në largimin e Schmidtit, i cili nuk ishte partner për një lloj të tillë bashkëpunimi”, thotë Mariq.

Sipas saj, Schmidt nuk është detyruar të japë dorëheqje, por ka ndjerë mungesë mbështetjeje nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania.

“Prandaj, u tërhoq vetë, sepse është e qartë që amerikanët në atë pozitë do të preferojnë dikë që i përmbush kërkesat e tyre, e jo dikë që vepron sipas ideve të veta pa konsultime”, thotë Mariq.

Vedran Xhihiq nga Fakulteti i Shkencave Politike në Vjenë vlerëson për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë, kanë sjellë edhe ndryshime në nivel global dhe se bota ndodhet në një fazë të “pasigurisë gjeopolitike”.

“Këtu është mjaft e qartë se nuk ka më një politikë parimore të SHBA-së ndaj Bosnje dhe Hercegovinës dhe rajonit, por ajo është zëvendësuar me një qasje shumë pragmatike, të bazuar në interesa ekonomike dhe energjetike – pra një lloj transaksionalizmi”, thotë Xhihiq.

Cila është e ardhmja e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë (OHR)?

Xhihiq vlerëson se e ardhmja e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë (OHR) varet nga Bashkimi Evropian.

“Sot, Evropa ndodhet në një situatë shumë të vështirë dhe nuk ka shumë hapësirë, vullnet, gatishmëri apo edhe njohuri për t’u marrë seriozisht me Bosnje dhe Hercegovinën, sidomos për shkak të Ukrainës, Lindjes së Mesme dhe problemeve të brendshme”, thotë ai.

Mariq, në anën tjetër, vlerëson se në procesin e integrimeve evropiane do të jetë i pashmangshëm zvogëlimi i rolit të përfaqësuesit të lartë, por nuk pret që kjo të ndodhë në një afat të shkurtër.

Sipas saj, edhe përfaqësuesi i ri i lartë do të punojë më shumë në përputhje me dëshirat e administratës së re amerikane.

Debati në Kombet e Bashkuara

Një ditë pasi OHR-ja konfirmoi dorëheqjen e Schmidtit, raporti i tij për gjendjen në Bosnje dhe Hercegovinë do të prezantohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, më 12 maj.

Në raport, ndër të tjera, përfaqësuesi i lartë paralajmëron se bllokadat politike, veçanërisht nga Republika Sërpska, janë duke penguar punën e institucioneve dhe rrugën evropiane të Bosnje dhe Hercegovinës.

Po ashtu, theksohet se nuk ka progres në reformat kyç, ndërsa retorika nacionaliste, kontestimi i integritetit territorial dhe korrupsioni janë duke thelluar më tej ndarjet politike dhe etnike në vend.

Në të njëjtin dokument thuhet se Këshilli i Sigurimit i OKB-së mund të kërkojë një opinion ligjor të Kombeve të Bashkuara për të sqaruar nëse emërimi i Schmidtit si përfaqësues i lartë në vitin 2021 është bërë në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit.

Qëllimi është të sqarohet nëse për emërim nevojitet miratimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, një vendim unanim i Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) apo pëlqimi i palëve vendore.

Analisti për Ballkanin Perëndimor në Iniciativën Evropiane për Stabilitet (ESI) me seli në Berlin, Adi Qerimagiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se OKB-ja, me gjasë, nuk do ta ndryshojë qëndrimin për emërimin e përfaqësuesit të lartë, pasi sekretari i përgjithshëm i OKB-së tashmë ka deklaruar se kjo çështje është në kompetencë të PIC-së dhe jo të OKB-së.

“Ajo që për mua personalisht do të jetë më interesante, është pozicioni i SHBA-së dhe nëse dhe në çfarë mase ka pasur ndonjë ndryshim, krahasuar me deklaratën më të detajuar që dëgjuam në fund të tetorit të vitit të kaluar, kur përfaqësuesja e SHBA-së tha shumë qartë se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe integritetit territorial e sovranitetit të Bosnje dhe Hercegovinës”, thotë Qerimagiq.

Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Dorothy Shea.

Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Dorothy Shea.

Herën e fundit kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskutoi për Bosnje dhe Hercegovinën, tetorin e kaluar, përfaqësuesja amerikane, Dorothy Shea, deklaroi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Dejtonit, por se nuk e ndjek më “politikën e ndërtimit të shteteve dhe ndërhyrjes ndërkombëtare”.

Atëkohë, ajo nuk e përmendi OHR-në, por tha se ka ardhur koha për zgjidhje lokale, të cilat duhet të gjenden nga përfaqësuesit e tre popujve konstituivë të Bosnje dhe Hercegovinës.

Përgatiti: Valona Tela

Analiza e BIRN: Kokaina dhe prostitucioni i luksit përmbysin provincën shqiptare

TIRANË- Bajzë, Malësia e Madhe, Bulqizë, Grabjan, Lushnjë, Prrenjas, Patos. Dimal! Nëse po vrisni mendjen se çfarë kanë të përbashkët këto toponime të larmishme, është kjo: operacionet e policisë që kanë kapur sasi të ndryshme kokaine për shpërndarje te konsumatorët finalë. Policia e Shtetit ka njoftuar gjatë muajit prill 23 raste të operacioneve të arrestimit të personave të dyshuar për shpërndarje kokaine, ose për shpërndarje kokaine dhe canabisi në doza të vogla për konsumatorët shqiptarë.

Kokaina konsiderohet lënda narkotike më e shtrenjtë, me çmim që zakonisht nuk bie nën 100 euro për gramë, ndonëse, shitësit i japin blerësve mundësinë për të blerë sasi më të vogla se një gram. Por edhe në rastet kur doza e kokainës konsiston në vetëm 0.2 gramë, sërish, pagesa e kërkuar arrin në afërsisht çmimin që mund të fitohet nga një ditë punë e lodhshme. Kjo dukshëm sugjeron se, ndërsa, sipas statistikave të Bankës Botërore, pothuajse një në çdo katër shqiptarë jetojnë me më pak se 700 lekë në ditë, një numër i panjohur kanë mirëqenie të mjaftueshme për të konsumuar kokainë dhe këta konsumatorë, që deri më sot janë kufizuar në zonën  e njohur si ish-blloku në Tiranë, apo në  zonat turistike të shtrenjta si Dhërmiu, duket se janë shtrirë në shumë qytete të tjera, përfshirë edhe zonat rurale.

Shumica e kokainës së sekuestruar gjithsesi i përket Tiranës. Por në pjesën tjetër të vendit ka pasur numër më të lartë të arrestuarish. Më 28 mars, policia njoftoi se një operacion i gjatë solli arrestimin e njëmbëdhjetë personave të përfshirë në zonën e ish-Bllokut, kryesisht administratorë lokalesh që kishin biznes anësor shitjen e kokainës dhe gjatë këtij operacioni u sekuestruan në total 100 gramë kokainë. Ndërsa më 30 prill, policia gjeti një kilogram kokainë në një automjet të parkuar në Tiranë, (zona ku u gjet nuk u raportua.)

Gjithsej për periudhën mars-prill pati 30 informacione policore të rasteve të trafikut të kokainës më vete ose të kokainës dhe cannabisit bashkë, nga të cilat, gjashtë ishin raste të zbuluara në Tiranë dhe 24 të tjerat, në rrethe.

Në total, sasitë e raportuara nga policia gjatë periudhës mars prill flasin për mbi 3.6 kilogram kokainë të sekuestruar në të gjithë vendin për ato njoftime në të cilat është dhënë sasia konkrete. Në tetëmbëdhjetë njoftime, sasia e sekuestruar është raportuar në “disa doza” ose “sasi e vogël” ose “qindra doza” pa dhënë peshën specifike.

Sasi të tilla kokaine u kapën, më 26 mars, në një lokal në qytezën minerare të Bulqizës ndërsa më 14 prill, policia ndaloi dy qytetarë të dyshuar shpërndarës droge në fshatin Grabjan të Lushnjës. Më 19 prill, një shtetas suedez i dyshuar si shpërndarës u kap në qytetin ish-industrial të Patosit. Ndërsa në 6 maj, sasi kokaine u kap në Bajzë, qyteza dikur stacion treni në Shqipërinë e veriut.

Krahas operacioneve për kapje kokaine, lajmi tjetër dominues i Policisë së Shtetit gjatë dy muajve të fundit ka të bëjë me trembëdhjetë operacione në të cilat janë evidentuar 30 qytetare të dyshuara për veprën penale të ushtrimit të prostitucionit.

Vetëm një nga të dyshuarat është shqiptare ndërsa të 29 rastet e tjera japin një panoramë të larmishme origjine. Të dyshuarat për prostitucion kanë ardhur në Shqipëri nga Vietnami, Kina, Kolumbia, Brazili, Ukraina dhe Rumania. Ashtu si rastet e kokainës, edhe rastet e prostitucionit të luksit, për të cilat thuhet se shërbimi kushton rreth 250 euro, ose më shtrenjtë se sa pensioni mesatar mujor i vendit, janë gjetur në vende befasuese.

Krahas Durrësit e Tiranës, Elbasani, qyteza industriale veçanërisht e njohur për krim dhe varfëri, rezulton treg tërheqës për profesionin më të vjetër në botë. Një operacion policor arrestoi katër qytetare të huaja më 30 prill, në një qendër që ofronte, krahas këtij shërbimi, edhe kokainë e marijuanë sipas dëshirës. Po kështu, më 10 mars, në Fier u ndaluan dy qytetare rumune të dyshuara për ofrimin e këtij shërbimi në këtë qytet.

Shqipëria është njohur gjatë viteve të fundit si vendi i origjinës së grupeve të shumta të krimit të organizuar të angazhuar në trafikun ndërkombëtar me shumicë të kokainës nga Amerika Latine për në Evropë si dhe për shpërndarjen me pakicë në shumë vende të Evropës. Lajmet e fundit sugjerojnë se gjasat janë që Shqipëria po kthehet gjithashtu, jo vetëm si vendi ku përfundojnë shumë nga flukset monetare të fitimeve të realizuara nga trafiku ndërkombëtar i drogës, por edhe si një konsumator potencial i kokainës./Reporter.al

Bloomberg: Kriza e Hormuzit rrit çmimet e biletave të avionit dhe kërcënon pushimet verore

Kriza ka shkaktuar mungesa serioze të karburantit për avionë në të gjithë botën, pasi ndërprerjet në eksportet e naftës nga Gjiri Persik ndikojnë në prodhimin e vajgurit dhe karburantit për avionë

 

IRAN-  Lufta me Iranin dhe paraliza pothuajse totale e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit po shkaktojnë ndërprerje serioze në transportin global ajror, duke rritur frikën për një valë të re anulimesh fluturimesh dhe një rritje të çmimeve të biletave të avionit përpara kulmit të sezonit të udhëtimit veror në hemisferën veriore.

Kriza ka shkaktuar mungesa serioze të karburantit për avionë në të gjithë botën, pasi ndërprerjet në eksportet e naftës nga Gjiri Persik ndikojnë në prodhimin e vajgurit dhe karburantit për avionë. Bloomberg raporton se, rafineritë në Lindjen e Mesme, nga vijnë më shumë se 10% e prodhimit botëror të karburantit për avionë dhe vajgurit, po përballen tani me vështirësi të mëdha në transportimin e ngarkesave te blerësit jashtë rajonit.

Çmimet e karburantit për avionë janë rritur edhe më shpejt se nafta bruto që nga fillimi i konfliktit. Në Evropë, çmimet kanë arritur nivele historike, duke tejkaluar 200 dollarë për fuçi, duke i dhënë një goditje të rëndë linjave ajrore. Të përballura me rritjen e kostove dhe uljen e disponueshmërisë së karburantit, shumë kompani kanë anuluar tashmë mijëra fluturime, kanë ulur në tokë avionë të vjetër dhe më energji-intensiv, si dhe kanë rritur çmimet e biletave, ndërsa tregu ka frikë se do të pasojnë edhe më shumë shkurtime të itinerareve.

Sipas të dhënave nga OilX i Energy Aspects , prodhimi i karburantit për avionë dhe vajgurit në rafineritë aziatike ra në 2.9 milionë fuçi në ditë në prill, më shumë se 500,000 fuçi në ditë më pak se në shkurt.

Evropa është gjithashtu nën presion , me disa rafineri që janë mbyllur vitet e fundit për shkak të mungesës së konkurrencës nga njësitë më të mëdha aziatike. Rreth 40% e karburantit të avionëve të konsumuar nga Bashkimi Evropian importohet, ndërsa pothuajse gjysma zakonisht kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Shell njoftoi se rafineritë evropiane tani po operojnë me kapacitet maksimal për prodhimin e karburantit të avionëve , ndërsa Evropa po rrit importet nga Amerika e Veriut dhe Afrika. Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara kanë rezerva “ të bollshme ” karburanti për avionë dhe hodhi poshtë idenë e kufizimit të eksporteve për të mbrojtur tregun e brendshëm.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara konsiderohen më të mbrojtura për shkak se janë një eksportues neto i karburantit për avionë, Bregu Perëndimor ende varet nga importet me 15%-20%, kryesisht nga Koreja e Jugut. Karburanti është shpenzimi i dytë më i madh për linjat ajrore pas kostove të punës dhe mund të përbëjë deri në 30% të shpenzimeve operative.

Shumica e transportuesve evropianë kishin hyrë në marrëveshje mbrojtëse paraprakisht, duke fiksuar çmimet e karburantit për muajt në vijim. Në të kundërt, shumë transportues amerikanë e braktisën këtë praktikë pas humbjeve që pësuan në krizën e vitit 2008, e cila tani i lë ata më të ekspozuar.

Linjat ajrore me kosto të ulët, modeli i biznesit i të cilave bazohet në kosto të ulëta dhe tarifa të lira, gjithashtu duket se janë nën presion të veçantë. American Spirit Aviation Holdings falimentoi në fillim të majit, pasi çmimet e larta të karburantit e bënë të vështirë daljen nga falimentimi.

Kompanitë ajrore tashmë po ua kalojnë pjesën më të madhe të kostos së rritur pasagjerëve nëpërmjet rritjes së çmimeve të biletave, mbishpagimeve të karburantit dhe tarifave më të larta për bagazhet dhe përzgjedhjen e vendeve.

Në Azi, rritjet tashmë po ndihen. Cathay Pacific i Hong Kongut njoftoi mbishpagime të reja të karburantit deri në rreth 350 dollarë për udhëtimet ndërkombëtare të gjata duke filluar nga mesi i majit. Në Shtetet e Bashkuara, kostoja mesatare e një fluturimi ndërkombëtar vajtje-ardhje është rritur me 16% nga viti i kaluar, në 1,101 dollarë.

Mbrojtja e konsumatorëve për anulimet e fluturimeve ndryshon nga vendi në vend. Shumica e linjave ajrore ofrojnë rimbursime, kredi për rirezervim ose rirezervim nëse udhëtimi origjinal anulohet. Linjat ajrore janë të përjashtuara nga pagesa e kompensimit në rrethana të jashtëzakonshme, duke përfshirë luftën dhe motin ekstrem. Komisioni Evropian ka thënë se mungesat lokale të karburantit bien në këtë kategori, por kostot e larta të karburantit për avionë jo./Dosja.al

A mundet Irani të vendosë tarifa ndaj kompanive të teknologjisë për kabllot nënujore në Hormuz?

Iranianë duke kaluar pranë një bilbordi në Teheran për Ngushticën e Hormuzit ku shkruhet “Gjithmonë në duart e Iranit”. 15 prill 2026.

 

Kian Sharifi

Irani ka insistuar për javë të tëra se ka të drejtë të vendosë tarifa ndaj anijeve ndërkombëtare që kalojnë transit nëpër Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyç detare pranë brigjeve të Republikës Islamike.

Tani, dy agjenci të lajmeve të lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kanë publikuar propozime që i bëjnë thirrje Teheranit që të procedojë me vendosjen e tarifave ndaj firmave globale të teknologjisë që operojnë kabllot nënujore me fibra optike që gjenden në ngushticën ujore që lidh Gjirin Persik me detin e hapur.

Rihapja e Ngushticës së Hormuzit, që Teherani në mënyrë efektive e ka mbyllur që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën fushatën ajrore më 28 shkurt, mbetet një nga pengesat kryesore për përfundimin e luftës. Teherani pretendon se ka sovranitet mbi këtë rrugë strategjike ujore, pretendim që kundërshtohet nga komuniteti ndërkombëtar.

Kabllot nën Hormuz

Ekspertët thonë se propozimet që Irani të kërkojë pagesa për kabllot nënujore që kalojnë nën ngushticë janë më shumë një kërcënim sesa një plan i zbatueshëm.

“Rreziku i këputjes së kabllove nënujore nga armiqësitë gjithmonë ka ekzistuar, por një kërcënim i hapur nga një shtet si Irani e shton urgjencën”, tha për Radion Evropa e Lirë, Isik Mater, drejtoreshë e hulumtimeve në grupin me seli në Londër për monitorimin e internetit, NetBlocks.

Kabllot nënujore kryesisht janë në pronësi dhe operohen nga kompani ndërkombëtare të teknologjisë sikurse Google, Meta, Microsoft dhe Amazon. Këto kabllo bartin transaksione SWIFT, trafik dhe të dhëna të përgjithshme të internetit mes Azisë, Evropës dhe Gjirit Persik.

Nëse kabllot nënujore që kalojnë nëpër Hormuz do të këputeshin, ndikimi për njerëzit e zakonshëm në mbarë Azinë, Lindjen e Mesme dhe Evropën do të ishte i menjëhershëm dhe i madh.

Shërbimet e transmetimit online do të ndërpriteshin ose do të dështonin plotësisht. Aplikacionet e mesazheve do të ngadalësoheshin ose të dilnin krejtësisht jashtë funksionit. Thirrjet me video do të ndërpriteshin. Shërbimet bankare online dhe pagesat me karta bankare do të ndërpriteshin. Shërbimet e internetit – nga e-mailet e deri te pajisjet e tjera që përdoren në vendet e punës – do të degradoheshin.

Ofruesit e internetit do të mund ta ridrejtonin trafikun përmes kabllove të mbetura funksionale ose satelitëve, por kapaciteti është i kufizuar, çka do të nënkuptonte shpejtësi më të ulët për të gjithë, edhe aty ku lidhja do të vazhdonte të ekzistonte. Riparimet zakonisht zgjasin javë, e ndonjëherë edhe muaj.

Cili është propozimi?

Agjencitë e lajmeve Tasnim dhe Fars argumentuan se Irani duhet jo vetëm të përfitojë financiarisht, por edhe të ushtrojë sovranitet mbi rrjetin e kabllove nënujore që përshkojnë ngushticën.

Baza ligjore e këtyre propozimeve mbështetet në Konventën e Kombeve të Bashkuara për ligjin e detit (UNCLOS), të cilën Irani e ka nënshkruar, por kurrë nuk e ka ratifikuar.

Duke iu referuar nenit 34 të kësaj konvente, agjencia Tasnim argumentoi se të drejtat e kalimit transit për anijet nuk i zbehin të drejtat sovrane të Iranit mbi shtratin e detit. Në pikën më të ngushtë të kësaj rruge detare, pretendimet për ujërat territoriale të Iranit dhe Omanit mbivendosen plotësisht, çka do të thotë se kabllot fizikisht ndodhen në territorin që Irani pretendon se i përket.

Ndërtimi i kabllove në atë zonë pa autorizim, pretendoi Tasnim, përbën “pushtim të tokës iraniane nën ujë” dhe kërkon si licencim, ashtu edhe pagesa tarifore.

Modeli i të ardhurave është marrë pjesërisht nga Egjipti, për të cilin Tasnim pretendoi se fiton qindra miliona dollarë në vit nga kabllot nënujore që kalojnë përmes Kanalit të Suezit.

Tasnim dhe Fars argumentuan po ashtu se Irani duhet t’i detyrojë gjigantët e teknologjisë që të operojnë zyrtarisht sipas ligjeve iraniane dhe të bashkëpunojnë me kompani iraniane të teknologjisë. Fars e përshkroi qëllimin në mënyrë të qartë si shndërrimin e kontrollit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit në një “mjet të fuqisë digjitale”, ku kompanitë iraniane do të kontrollonin mirëmbajtjen dhe riparimin e kabllove.

A qëndron ky argument?

Ekspertët thonë se argumentet ligjore të paraqitura nga agjencitë iraniane të lajmeve kanë dobësi të konsiderueshme.

Megjithëse shtetet bregdetare ruajnë sovranitetin mbi shtratin e detit të territorit të tyre, Tasnim në artikullin e saj e injoron Nenin 79 të UNCLOS-it, që mbron në mënyrë të qartë të drejtën e ofruesve globalë të internetit për të ndërtuar dhe mirëmbajtur kabllo nënujore.

Mater nga NetBlocks tha se krahasimi me Egjiptin “ka peshë të kufizuar”, sepse Kajroja “licencon kalimin dhe pikat e zbarkimit në territorin e vet, dhe këto marrëveshje janë bërë në mënyrë vullnetare”.

“Në të kundërtën, pozicioni i Iranit është më i brishtë dhe megjithëse ka kontroll mbi ujërat e tij territoriale, ai nuk zotëron një pjesë të konsiderueshme të këtyre rrugëve”, shtoi ajo.

Mater tha se “shenja më alarmuese” e këtyre propozimeve është kërkesa që kompanitë ndërkombëtare të teknologjisë të detyrohen të operojnë zyrtarisht sipas ligjeve iraniane dhe të bashkëpunojnë me kompani iraniane të teknologjisë.

Sipas ligjit iranian, “komunikimet zakonisht kontrollohen dhe monitorohen, edhe pa marrë parasysh sanksionet dhe pengesat gjeopolitike”, tha ajo.

“Kjo bën që kërkesa e Iranit të duket më shumë si një tarifë ‘mbrojtëse’ e ngjashme me atë që kanë bërë me cisternat, dhe larg çdo lloj marrëveshjeje konvencionale për licencimin e transitit që zakonisht shohim në industri”, tha Mater.

Përpara se SHBA-ja të vendoste një bllokadë detare në Ngushticën e Hormuzit në mes të muajit prill, Irani u kërkonte anijeve tregtare deri në 2 milionë dollarë për të kaluar nëpër ngushticë, megjithëse pak anije po kalonin. Trafiku detar në ngushticë është ndalur pothuajse plotësisht që nga barrikada amerikane.

Irani ka një histori të vendosjes së kufizimeve të ashpra mbi përdorimin e internetit. Autoritetet kanë në fuqi një bllokadë të internetit që nga 28 shkurti dhe kanë refuzuar të rikthejnë qasjen që kur armëpushimi hyri në fuqi më 8 prill.

“Autoritetet iraniane nuk kanë hezituar të ndërpresin lidhjen e qytetarëve të tyre me internetin dhe mund të përpiqen të ndërpresin edhe lidhjet e jashtme nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen”, tha Isik Mater nga NetBlocks.

“Megjithëse kabllot ndërkombëtare nuk janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Iranit, sabotimi përmes spirancave të anijeve ose ekipeve të zhytësve do të ishte brenda kapaciteteve të tyre në ngushticë”, shtoi ajo.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Kush i bënte shpenzimet në familje?/ Cakrani: I bënte Monika, ministri i brendshëm në familje është gruaja. Kryemadhi: Unë kam qenë klasë punëtore

Gjatë një prononcimi për mediat pas mbylljes së seancës së sotme në GJKKO, Cakrani e cilësoi Kryemadhin “ministre e brendshme në shtëpi”.

 

11 Maj 2026, 18:48Nga E.d

 

Monika Kryemadhi dhe Kujtim Cakrani

TIRANË- Avokati i ish-presidentit Meta, Kujtim Cakrani tha se shpenzimet në familje i ka kryer Monika Kryemadhi. Gjatë një prononcimi për mediat pas mbylljes së seancës së sotme në GJKKO, Cakrani e cilësoi Kryemadhin “ministre e brendshme në shtëpi”.

“Në fakt nuk është se hodhi përgjegjësinë, atë e ka marrë vetë zonja që kur është pyetur në prokurori. Ministri i brendshëm në familje padyshim është gruaja”, tha ai.

Nga ana tjetër, Kryemadhi deklaroi për gazetarët se ka qenë klasa punëtore që zbatonte mbarëvajtjen e shtëpisë. Ajo theksoi se ish-presidenti Meta për shkak të politikës, ka kaluar pak kohë me fëmijët e tyre.

“Nuk ka asnjë shpenzim te tepruar siç pretendon SPAK. Bëhet fjalë për një ndërhyrje shëndetësore të vajzës time, timen dhe zotit Meta, që janë të gjitha të deklaruara. Për fatin e tij të mirë, duke qenë se ka qenë burrë shteti nuk është marrë asnjëherë me gjërat e shtëpisë, nuk është pjesë e asnjë lloj shpenzimi dhe marrëdhënie time me kushëririn tim Adrian Sharku. Për fat të keq Ilir Meta për shkak të politikës, ka kaluar pak kohë me fëmijët e vet”, tha ajo.

Avokati i ish-presidentit të vendit Ilir Meta, Kujtim Cakrani ka shpjeguar simbolin që Meta përdori në gjyq. Pas seancës në GJKKO, Cakrani u shpreh se Meta bëri me duar simbolin e shqiponjës dhe jo atë të numrit 7, për të cilin tha se nuk lidhet me asnjë përvjetor.

Cakrani deklaroi se Meta ishte mirë nga ana fizike, i palestruar edhe nga ana mendore.

“Nuk bëri simbolin 7. Bëri shqiponjën. Nuk ka përvjetor. Është në lartësinë që e kërkon funksioni i tij si kryetar i PL-së. Ishte mirë nga ana fizike, i palestruar edhe nga ana mendore”,-tha Cakrani.

Seanca gjyqësore e cila u zhvillua ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar rreth orës 17:15. GJKKO e ka ndarë çështjen për të pandehurit në dosjen ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Bëhet me dije se për Fatime Kryemadhin, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar ndërsa dosja ndaj ish-presidentit Meta dhe Monika Kryemadhit do të vijojë veçmas.

TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndarë çështjen Meta për të pandehurit ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

Në një prenoncim për mediat fund të seancës, avokati Kujtim Cakrani u shpreh se prokurori nuk kishte asnjë lloj prove që të fajësonte Metën dhe se mbrojtja do të provojë pafajësinë. Sipas Cakranit, ish-presidenti nuk ishte përfshirë në asnjë bisedë, e-mail apo takim lidhur me çështjen.

“Janë rreth 120 dëshmitarë. Ka prova të reja që do t’i paraqesim në gjykatë. Çështja i bashkohet gjykimit të zakonshëm. Do të provojmë pafajësinë. Sot, prokurori nuk kishte asnjë lloj prove që të fajësonte Metën. Zoti Meta nuk përfshihej në asnjë bisedë, e-mail apo takim. Do të vazhdojmë betejën tonë, edhe pse gjykata nuk na e pranoi kërkesën për masën e sigurimit.

Nuk e di çfarë ka dashur të thotë me numrin 7. Nuk bëri numrin 7, por shqiponjën. Meta është në lartësinë që kërkon pozicioni i tij si kryetar i PL-së. Përgjegjësinë Kryemadhi e ka marrë vetë që kur u pyet për hetimet paraprake në prokurori. 120 dëshmitarët janë pjesë e procesit hetimor dhe janë pyetur nga vetë organi i procedurës. Ne do të thërrasim edhe disa dëshmitarë të tjerë dhe do të paraqesim prova të reja”, u shpreh avokati Kujtim Cakrani.

Dosja Meta:

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.

/Dosja.al


Send this to a friend