Pas largimit të Sergei Shoigu nga posti i ministrit të Mbrojtjes të Rusisë më 2024, autoritetet kanë nisur një valë hetimesh për korrupsion ndaj ish-zyrtarëve të lartë. Disa nga ta besohet se janë të lidhur me Shoigun.
Gjatë dy vjetëve të fundit, diçka ka ndodhur në komandën e ushtrisë së Rusisë dhe nuk ka qenë e bukur.
Që nga maji i vitit 2024, ka pasur një seri hetimesh penale, shkarkimesh nga detyra, rrjedhje komprometuese të informacioneve në media dhe zbulime turpëruese që kanë në epiqendër Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë.
Hetuesit – kryesisht nga Shërbimi Federal i Sigurisë apo FSB – së bashku me prokurorët dhe autoritetet e Ministrisë së Brendshme kanë shënjestruar në numër në rritje të zëvendësministrave të mbrojtjes, oficerëve të lartë dhe zyrtarëve të lartë civilë nën dyshimet, mes tjerash, për korrupsion, mashtrim dhe përvetësim fondesh.



Më 10 prill, një gjykatë ushtarake në Moskë e dënoi zëvendësministrin e Mbrojtjes, Pavel Popov, me 19 vjet burgim nën akuzat për përvetësim fondesh dhe ryshfet.
Sikurse Popovi, shumica nga të shënjestruarit janë bashkëpunëtorë të kamotshëm të Sergei Shoigu, të cilin presidenti rus, Vladimir Putin, e largoi nga posti i ministrit të Mbrojtjes në maj të vitit 2024 në mes të një riformatizimi më të gjerë të Qeverisë. Shoigu, që e njeh Putinin për dekada të tëra, më pas u emërua shef i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, dhe në ministri u zëvendësua nga Andrei Belousov, një teknokrat dhe ekonomist.
Shumë nga zëvendësministrat e mbrojtjes që u vunë në shënjestër u shkarkuan menjëherë pas largimit të Shoigut. Disa janë të lidhur me një kontraktor të madh të Ministrisë së Mbrojtjes, që mbikëqyri ndërtimin e një parku me tematikë ushtarake në Moskë, të quajtur “Parku Patriot”.
Kjo kompani, e quajtur Bamstroyput, ishte një nënkontraktor i madh i Ministrisë për Situata Emergjente. Shoigu e kishte udhëhequr këtë ministri për 21 vjet para se Putini ta vendoste atë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes më 2012.
Ka shumë spekulime se çfarë dhe kush qëndron pas këtyre hetimeve dhe këtij pastrimi të gjerë. Një shpjegim lidhet me zhvillimin e luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë, e cila shpejt nxori në pah ato që ekspertët thonë se ishin probleme në strukturën komanduese, doktrinën e vjetruar dhe korrupsionin e përhapur si në shkallë të vogël ashtu edhe në të madhe në ushtrinë e Rusisë dhe entitetet civile.
Pjesa më e madhe e kritikave për dështimet e ushtrisë ruse në Ukrainë u përqendrua te Shoigu, si dhe te komandanti më i lartë ushtarak i Rusisë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Valery Gerasimov.
“Përshtypja ime është se spastrimet kanë buruar nga rivalitetet brenda elitës dhe mes shërbimeve”, tha John Hardie, zëvendësdrejtor i Programit për Rusinë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, një institut me seli në Uashington.
“Shoigu e kishte kritikuar industrinë e mbrojtjes… për furnizimet e pamjaftueshme për ushtrinë. Dhe, megjithëse ajo mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për dështimin e fazës fillestare të pushtimit, FSB-ja duket se ka arritur ta zhvendosë fajin te Ministria e Mbrojtjes”, shtoi ai.
Ndër kritikët më të zëshëm të Shoigut ishte Yevgeny Prigozhin, një biznesmen nga Shën Petersburgu, i cili ndërtoi një forcë të fuqishme mercenarësh privatë të quajtur Grupi Wagner, që u bë një nga njësitet më efektive ruse në luftimet në Ukrainë.
Dy muaj pasi Prigozhin organizoi një kryengritje të dështuar në qershor të vitit 2023, vdiq në rrëzimin e aeroplanit me të cilin po udhëtonte, ngjarje që gjerësisht besohet se ishte një atentat.
Rivalët, apo armiqtë e Shoigut, mund të kenë zgjedhur të theksojnë korrupsionin brenda ministrisë nën drejtimin e tij si diçka që dilte jashtë normave, tha Hardie.
“Këto argumente mund të kenë rezonuar me Kremlinin, i cili duket se është i ndjeshëm ndaj faktit se shpenzimet ushtarake po konsumojnë shumë burime”, u shpreh ai. “Prandaj u vendos që të bëhej një spektakël publik i arrestimeve për korrupsion dhe për të emëruar Belousovin, teknokrat dhe ekonmist, me detyrën që të sigurojë shpenzime efikase në mbrojtje”.










Komentet