E ka për nder shërbimin në radhët e ushtrisë së Francës dhe ndjehet krenar që është shqiptar. E quajnë Ertgren Shehu dhe është 30 vjeç. Mban gradën e kapitenit dhe bën pjesë prej vitesh në regjimentin “Djajt e Kuq”. Ka lindur në Tiranë dhe është diplomuar në Paris, fillimisht për shkenca politike e më vonë në një nga Akademinë Ushtarake më prestigjioze të Perëndimit. Origjina shqiptare dhe të qenit nip i Mehmet Shehut, ish-kryeministrit të vetëvrarë në kushte të dyshimta në dhjetorin e vitit ‘81, e bëjnë të ndjehet mirë. I rezervuar në komunikimin me median, sidomos kur bie fjala për historinë e familjes, i bie shkurt të djeshmes, duke mbetur te mbresat nga misionet paqeruajtëse në zonat e nxehta të globit. Sidoqoftë, kujtimet për gjyshin e ngacmojnë dhe, siç shprehet, shembulli i tij e ndjek si një legjendë ngado. E ka brengë që ka pak fotografi me të dhe është i prerë në vendimin për mos t’i bërë publike në emër të privatësisë. “Janë thjeshtë foto familjare, ku Mehmeti më mban në krahë me dashuri, shprehet Ertgreni. Kam tre të tilla, se të tjerat u zhdukën nga sigurimi pas vdekjes se gjyshit. I gjeti mamaja në arkiv, kur u kthyem nga internimi”. Më tej, në rrëfimin për “Panoramë”-n, 30-vjeçari Shehu, që ngazëllehet me tregimet për Mehmetin dhe heziton të flasë për retrospektivën e familjarëve të tjerë dhe marrëdhënieve midis tyre, sjell me çiltërsi jetëshkrimin me fëmijërinë në Shqipëri, shkollimin në Francë dhe shërbimin mes “Djajve të Kuq”. Lumturohet kur i thonë se ngjan shumë me gjyshin e vet…
Mirdita kapiten! Çfarë do të thotë origjina shqiptare për një ushtarak francez?
Kur thuhet origjina shqiptare më duket diçka e përgjithshme. Unë jam shqiptar, me origjinë, me nënë e me babë, me një fis të madh e të dëgjuar në Shqipëri. Madje jam nga Corrushi i Mallakastrës. Ja i biri i Bashikimit dhe i Marjetës. Jam rritur e edukuar në Atdheun tim. Gjysmën e jetës e kam bërë atje. Kam bërë vitet e para të shkollimit. Pastaj kam ardhur në Francë…
Në Francë, me sa kemi dëgjuar u ka buzëqeshur suksesi dhe keni bërë një karrierë relativisht të mirë si ushtarak…
Në Francë kam mbërritur aty nga fillimi i viteve ‘90. Ishte periudha ku shumë shqiptarë mësymën drejt Perëndimit për një jetë më të mirë. Familja ime pati veçoritë e veta në vitet e fundit të diktaturës dhe i priti me etje të madhe zhvillimet demokratike në vend. Integrimi në rrjedhat e reja kërkonte të ringriheshim me dinjitet. Kjo së paku për mua do të thoshte vullnet për t’u shkolluar, për ta përdorur lirinë e fituar në interes të investimit për të nesërmen. Sfida kësisoj u shfaq e tillë qysh ditët e para. I ndërgjegjshëm për të, u përpoqa të bëja më të mirën e mundshme, pa lënë asnjë moment për të kaluar në boshllëk.
Pra, më e mira e mundshme, sipas jush, parakuptonte kualifikimin si oficer…
Profesionin e oficerit e kam ëndërruar qysh herët. Isha ende i vogël kur jam dashuruar me uniformën ushtarake, me shembullin e gjyshit në «background». Ai në përfytyrimin tim mbetet një luftëtar me profilin e një gjenerali historik. Megjithatë desha të them, se studimet në Akademinë Ushtarake, i kam nisur pas diplomimit në Institutin e Shkencave Politike në Aix-en Provence, ku mora edhe Master për Shkëmbime Ndërkombëtare në Bordeaux. Pikërisht në këtë moment pyeta veten: “Cila është rruga që të pasionon më shumë, që ke për zemër dhe mund të të ndihmojë për të plotësuar fatin tënd?” Përgjigjja erdhi aty për aty: Akademia Ushtarake “Saint Cyr”!. Prandaj e kam zgjedhur këtë rrugë. Sidoqoftë, unë kam edhe pasione të tjera që e tejkalojnë ushtrinë, si politika a shkëmbimet ndërkombëtare…
Ju tërhoqi kësisoj Akademia «Saint Cyr», fama e saj…
Është e vërtetë, unë e ëndërrova dhe këmbëngula për t’u diplomuar në Shkollën Speciale Ushtarake “Saint Cyr”. Në Francë, madje edhe përtej saj, ajo njihet si një nga akademitë më prestigjioze. “Saint Cyr” është themeluar nga Napolon Bonaparti në vitin 1802. Aktualisht njihet si Shkolla e Larte e Oficerëve të Forcave Tokësore të Francës.(Ecole Spéciale Militaire de St Cyr). Prej saj kanë dalë personalitete si Gjenerali De Gaulle dhe Pieter I, i Serbisë (1862-1864). Përveç serbëve, që historikisht kanë patur marrëdhënie të mira me Francën, pak ballkanas kanë patur rastin për të studiuar në këtë shkollë…
Nga «Saint Cyr» nisi pastaj udha e karrierës ushtarake…
Unë shkoja për t’u diplomuar si ushtarak, ndërkohë që kisha kryer studimet e tjera universitare. Kështu që me kapërcimin e konkursit të Shkollës Speciale “ST CYR”, nisa direkt vitin e fundit të saj. Në korrik të vit 2003, u gradova toger në këtë shkollë. Për një vit bëra përgatitjen fillimtare ushtarake, një stazh mbijetese në xhunglën e Amerikës së Jugut, një stazh “komando” dhe një stazh parashutisti. Në vitin 2004 zgjodha specializimin për “Këmbësori” dhe shkova në Montpellier, ku për një vit u kualifikova në këtë degë. Në 2005 u bëra pjesë e Regjimentit 152, i quajtur ndryshe streha e “Djajve të Kuq”. Një vit më vonë, përmbusha misionin e parë në TCHAD. Në 2007 përsëri me një mision tjetër paqeruajtës, këtë herë në Liban. Aty mora gradën e kapitenit. Nga prilli i vitit 2008 e deri në fund të tetorit, isha me detyrën e shefit të një ekipi OMLT në Afganistan…
Me se kishte të bënte misioni juaj në Afganistan?
Në Afganistan, bashkë me stafin tim, shërbyem pranë një reparti të ushtrisë afgane, të cilin e shoqëruam në operacione të ndryshme. Unë bëra ndërlidhjen midis mjeteve të kualicionit (avion, helikopterë, artilieri, tanke etj) dhe ushtrisë vendase. Në emërtimin e eprorëve amerikanë cilësoheshim OMLT “Operational mentoring and liaison team”. Nga 6 muaj me shërbim aty, kemi kaluar 5 muaj jashtë, në terren, në male e shkurre. Mbi 10 herë kemi patur ballafaqime të drejtpërdrejta me terroristët dhe nuk pësuam asnjë humbje. Sa për talebanët, ka qenë shumë e vështirë për të përcaktuar humbjet e tyre. Ata shfaqeshin si fantazma dhe ishin të padukshëm, guerile të eksperimentuara që i përgatisnin imtësisht operacionet e tyre.
Ndonjë mbresë të veçantë nga shërbimi në Afganistan…
Afganistani është një vend malor. Afganët me të cilët bashkëpunuam ishin shumë mikpritës, krenarë dhe luftëtarë me përvojë. Ata i japin shumë rëndësi nderit dhe ndjekin një lloj kanuni që quhet “Pashtun wali”. Në disa pika, shoqëria afgane i ngjan shoqërisë tradicionale shqiptare të fillimshekullit 20-të. Në këtë verë trupat e koalicionit patën mjaft humbje. Talibanët nga ana e tyre kanë kryer shume aksione mediatike për të treguar që kërcënohet seriozisht pushteti i Kabulit. Gjithsesi, shteti afgan është i fort, i vendosur dhe nuk ka humbur terren këtë verë. Përkundrazi, ka përparuar në kontrollin e territorit shtetëror. Gjatë shërbimit në Afganistan kam patur rastin të takohem me trupat mjekësore shqiptare që shërbejnë aty. Ato punonin në aeroportin e Kabulit, pranë një spitali çek. Dukeshin ushtarakë serioz e me përvojë dhe vlerësoheshin mjaft për punët e mira që bënin, pa dallim nga trupat e tjera të koalicionit.
Një shqiptar, ushtarak francez, si ndjehet Ertgert Shehu brenda këtij realiteti?
Unë kam vënë shpatën time në shërbim të popullit të Zhan D’Arkës, po kurrë nuk kam fshehur e mohuar origjinën time, për të cilën, e përsëris, ndjehem krenar. Shpresoj që në të ardhmen do të shërbej për Shtetin Francez në lidhje me Shqipërinë. Madje temën e diplomës në shkenca politike e kam bërë mbi Shqipërinë “Qeverisja e Shqipërisë dhe misteri i mosbindjes civile”(në frëngjisht). Po kështu edhe temën e masterit “Integracioni i shteteve ballkanike në Bashkimin Evropian”. Përmbledhtaz do të thosha se ndjehem mirë e njëherazi i obliguar dyfish: Për të nderuar origjinën si shqiptar dhe dinjitetin e uniformës së ushtarakut francez…
A ka një domethënie përzgjedhja e temës mbi mosbindjen civile në Shqipëri?
Përsa i përket temës “Qeverisja e Shqipërisë, misteri i mosbindjes civile”, jam bazuar në fakte historike për të thënë këtë gjë: Shqiptarët nuk i binden lehtë autoritetit shtetëror, se nuk kanë trashëguar një kulturë të zhvilluar të shtetit-komb, pasi para komunizmit, eksperienca e shtetit të pavarur ka qenë tepër e shkurtër për të krijuar këtë koshiencë politike të përbashkët, dhe që mbas rënies së komunizmit, shqiptarët e hodhën poshtë shtetin e plotfuqishëm që i kishte marrë frymën dhe i kishte pushtuar në çdo aspekt të jetës private. Kurse mbas vitit 1992, shteti i është dukur gjithmonë e më shumë si një ”Shtet hajdut” ose “kleptokraci”, që nuk ja vlente të kishe besim në të dhe shërbente vetëm për interesa të veçanta. Kulmi i kësaj situate arriti me kryengritjen e vitit 1997. Përfundimisht, si nga qytetarët e ca më tepër nga politikanët, vazhdon të mungojë koshienca e së mirës publike. Vetëm edukimi dhe koha e gjatë mund ta ndërrojnë këtë situatë e bashkë me të dhe realitetin shqiptar. Në mbrojtje të kësaj teme, profesorët e Institutit të Shkencave Politike më dhanë “Çmimin e temës më të mirë të realizuar nga një student i huaj”.
A e ndiqni jetën politike të Shqipërisë dhe çfarë u tërheq vëmendjen në të?
Unë jam ushtarak dhe si i tillë mundohem të jem indiferent për jetën politike. Sa për zhvillimet në vendin tim, për realitetet sociale, çështje të historisë ato të sigurisë, etj., mundohem të jem në kontakt të vazhdueshëm për aq sa kam mundësi nëpërmjet mjeteve të informimit publik. Teksa gëzohem për përafrimin e Shqipërisë në NATO, brengosem për pjesën konfliktuale me të cilën shfaqet vendi ynë në ekranet e perëndimit. Besoj se i kemi të gjitha forcat, mundësitë dhe resuset për të kapur ritmin që kërkon koha. Tirana mesa duket ka filluar ta korrigjojë shënjestrën e saj. Ne që punojmë e jetojmë jashtë krenohemi kur dëgjojmë një fjalë të mirë për vendin tonë dhe ndjehemi keq kur të tjerët na vënë në dukje ndonjë prapsi që kanë dëgjuar nga Shqipëria…
Zoti kapiten! Mehmet Shehu, kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë komuniste, ka qenë gjyshi juaj. Çfarë ruani në kujtesë prej tij?…
Kam qenë i vogël, fare i vogël, kur Mehmet Shehu ndërroi jetë. Janë fare pak ato që më kujtohen prej tij. Sidoqoftë kam ruajtur e do të ruaj me fanatizëm ndjenjën që i përkas familjes së tij. Ajo që më ngacmon e nuk ka për t’u venitur kurrë është ndjenja që i përkas kësaj familje dhe vendosmëria për t’ju afruar shembullit të gjyshit tim. Mehmeti është për mua një shembull dhe një “pathfinder”! Besoj se ai ka punuar gjithmonë për atë që ai mendonte të ishte interesi i kombit shqiptar dhe jo interesat e tija private. Këtë imazh kam ruajtur unë dhe dua ta ndjek.
Padyshim, historia do bëjë zbardhjet e veta jashtë konteksteve emotive dhe partiake, por ajo që mendoj se do të mbetet është kontributi i tij si një luftëtar i madh dhe si një atdhetar i zjarrtë…
Ju keni vite që jeni në Francë. Gjyshi juaj ka qenë disa herë gjatë periudhës që ka qenë kryeministër. A keni kontaktuar me opinione të vendasve aty për të?
Këtu në Francë emri i Mehmet Shehut dhe i Shqipërisë nuk janë shumë të njohur. Së paku, në komunitetin ku shërbej e jetoj unë. Megjithatë kam patur rastin të takoj ish- senatorë francezë, profesorë të shkencave politike e veteranë të cilët kanë qenë të njohur të Mehmet Shehut dhe më kanë folur me respekt për të.
Në përgjithësi opinionet e tyre janë pozitive, pavarësisht rezervave për sistemin politik të Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Konsiderata të veçanta kam dëgjuar sidomos për figurën karizmatike të Mehmet Shehut në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Antifashizmi për shoqëritë moderne mbetet gjithnjë një vlerë e dobishme. Protagonistët e tij respektohen në të gjitha kohët…
Do të ishte me interes ndonjë rast konkret…
Isha duke hedhur provimin e fundit në Institutin e Shkencave Politike në Aix-en-Provence. Kur u prezantova përpara profesorit përgjegjës, ish-senatorit Alain Delcamp, më pyeti nëse kisha lidhje me Mehmet Shehun. Po, i thashë, unë jam nipi i tij. Kjo ishte befasuese për të. Mbas provimit, më ftoi për kafe dhe më tha “E kam njohur gjyshin tuaj. Ka qenë burrë i shquar dhe njeri fisnik”. Si ndenji disa çaste pa fol, filloi të citojë një fjalë të urtë franceze “Gjaku i mirë nuk gënjen kurrë”. Të them të drejtën u ndjeva mirë dhe aty për aty e falënderova profesorin e nderuar për mbresat e tij për gjyshin, Mehmet. Isha me fat që provimi kaloi mirë, se përndryshe do ta kisha turpëruar emrin e tij…
Pagëzuesi, Petro Zheji
“Me emrin Ertgren më ka pagëzuar i nderuari Petro Zheji. Kur linda, ishte ndër të parët që uroi prindërit e mi dhe aty për aty rekomandoi për të më thirrur Ertgren. E kishte menduar më parë, madje thoshte se e kishte parë në ëndërr që të mbaja këtë emër. Gjithçka kishte të bënte, sipas tij, me fatin tim dhe të familjes. Ertgren vjen nga gjuha e fenikasve, një gjuhë e lashtë e një populli të lashtë, tashmë e harruar. Ertgren vjen nga Ertergruel që do të thotë “shkëmb i artë, i vetmuar dhe i rrahur nga dallgët”
Mbijetesa, prova e xhunglës
Të jesh ushtarak, do të thotë të sfidosh vështirësinë më të madhe. Të qenit shqiptar, i një race të fortë, siç është ajo jona, i bën ballë çdo rreziku. U ballafaqova me këtë sfidë gjatë përgatitjes së mbijetesës në xhunglën Amazoni. Plotë 14 ditë aty. Mbijetuam në xhungël duke u stërvitur nga mjeshtrit e Legjionit të Huaj. U mësuam si mund të përshtateshim në atë mjedis të jashtëzakonshëm. Si mund të jetonim pa bukë e pa ujë vetëm me ushqimin nga bimët dhe kafshët e pyllit. U stërvitëm në kushte torturuese me teknika luftimi të specializuar për në xhungël. Ky stazh na egërsoi shumë, po na dha edhe forcë e siguri për misionet e vështira që duhet të kryejmë në rajone të tilla./Kjo intervistë është dhënë në vitin 2008
30 vjeç dhe ka pak fotografi sikur nuk shkon, Nga 81-shi dhe Tani Jane plot 38 vjet
Intervista eshte e vitit 2008 dmth ne vitin 2008 ka qene 30 vjeç.
Ke mbaruar filloren ti apo si?
Ky qofte me jete e shendet ndersa per gjyshin e tij Mehmet nuk ja se per c’fare te krenohet por perkundrazi te turperohet.
Fakti qe ai (njeri me dy fakultete dhe qe jeton ne nje vend te qyteteruar) ndihet krenar me gjyshin kriminel eshte dicka e neveritshme
Gjyshi i tij mbetet gjenerali mi i famshem shqiptar i koheve moderne mor koqe.
Shendet, suksese. Jeni njeri me integritet. Origjina nuk harrohet, por na frymezon, na ben me identitet, etj. Me respekt
Mehmet Shehu ka qene strategu i Ushtrise Clirimtare te Shqiperise dhe Forcave te Armatosura deri ne vitin qe e vrane se ai me ate kulture qe kishte nuk e vriste kurre veten