“Shikues të nderuem të ktij emisioni
sonte nji rast t’rrallë ju ftoj të shijoni,
t’veçantë padyshim,
rastin e nji çifti që n’pesdhet vjet martesë
asnjiherë nuk ka pasë shamatë as ngatrresë
e madje as ferkim!
Fillimisht ftojmë zojën që t’na tregojë
diçka ma shumë rreth kësaj përvojë
gjysëmshekullore,
diçka që t’ju vlejë edhe çifteve të ri,
si lindi e si u forcue kjo harmoni
n’jetën bashkëshortore”.
“Em shoq -tha grueja -e ka për detyrë
me ditë gjithçka, porse si natyrë
ky flet krejt rrallë,
nji herë n’jetë e ndiva t’numrojë deri n’tri
e shpresoj që mâ mos t’kem rast m’e ndi
deri sa t’jem gjallë.
Qysh n’ditën e tretë, pa hjekë mirë duvakun,
me tri fjalë të vetme ky ma diftoi cakun
kjartë e me qetsi,
atë mbasdite t’vonë lamë punën në arë
veglat edhe strajcat ngarkuem mbi gomar
për me kthye në shpi.
“Ush” i tha gomarit me zâ e me dajak,
por hajvani vendit nuk luejti aspak
taman kryeshkam!
“Deri n’tre numroj” i tha, por ai në t’vetën,
ky fill sa i tha “tre” nxori pistoletën
…e t’ja krisi “bam”!
“Tashti -m’u kthye mue -rrezik e ke pasë
ktij që na lá shndetin për samar e thasë
me i xanë vendin ti”.
“Ndoshta je tu’ u tallë?”-kceva unë përpjetë,
por ky, pa nerva hiç, m’shikjoi krejt i qetë
e tha vetëm “nji”!
“S’m’ke marrë për gomaricë”-i fola ndër sy
porse ky, krejt shkurt, më tha vetëm “dy”;
unë nisa tuj mardhitë,
tuj e pa se ç’ e zezë e gjeti gomarin
hodha fill mbi shpinë veglat e samarin
“tri” s’ndeja me pritë”…
“Tashti -tha gazetarja -po i çoj mikrofonin
zotnisë, që edhe ai të na japë opinionin
diçka ma shumë me shtue…”
“Grueja -tha ai -gjithçka t’skjaroi mirë
e unë s’kam çka shtoj mâ, pra je e lirë
ka erdhe me shkue”.
“Unë s’jam jote shoqe, as si t’gjitha gratë…”
por si përgjigje mori veç nji “Nji” të thatë,
çka n’ftyrë e ka terë.
“Kjo sjellje -shtoi ajo -asht e pakuptim…”
por kur ndigjoi “Dy” ndërpreu çdo diskutim
e u zhduk menjiherë.
“Çou e na shtro bukën” -tha burri me ton.
“Po njiky avaz, gjithnji veç urdhnon!”
tha grueja ndër dhamë.
“Nji” -foli ai. “Çka m’ka gjetë me ty!”
u ankue ajo, por sa ndjeu fjalën “dy”
brofi fill e n’kamë…
Komentet