Ministria e Kulturës shpalli projektet fituese të thirrjes së muajit dhjetor për projektet kulturore që do mbështeten në vitin 2019. Në periudhën nga viti 2011e deri sot aktiviteti “ Maratona Violinistike” (7 edicione) që organizoj është mbështetur një herë të vetme në vitin 2016( me shumën 250 000 leke të reja) dhe në vitin 2018 vetëm me logon e ministrisë. Duke lexuar komentin e publikuar të Ministres Kumbaro për aktivitetin e qershorit 2018 “Maratona violinistike ndriçoi skenën e Teatrit Kombëtar me muzikë të vërtetë dhe skenën e ndezin artistët më shumë se dritat “, një dritë shprese më ndriti si çdo janar viti të ri, se ndoshta kanë ndryshur gjërat .
Në fakt janë të njëjtët njerëz që ndajnë fonde, që kanë të njëjtët miq, që bëjnë të njëjtat qoka, të njëjtat ndere . E sikur kjo të ishte çështje nderesh, qokash, inatesh , interesash për prishje të projektit të dikujt në këmbim të një të mire do heshtja , ndonëse maratona sivjet realizohej me ngjitjen e disa violinistëve në skenë, me interpretimin e krijmtarisë shqiptare për violinë dhe me një krijim të ti posaçërisht për aktivitetin. Do heshtja se jam koshiente që jetoj në një vend të trishtë, të varfër në financa , të varfër në shpirtra ku ca artistë rezistojnë akoma në emër të artit, të profesionit , të idealit , të muzikës që i shoqëron tërë jetën e ca të tjerë komandojnë me keqdashje në këmbim të ndereve e fondeve që fati u ka vënë në duart e të afërmve . Do heshtja sikur kjo të ishte një çështje vetëm e imja, sic kam heshtur për gjobat e padrejta vënë shoqatës e anulluar me vendime, anullimin e shumë koncerteve , letrat absurde kundër shoqatës, etj . Po nuk mund të hesht, se nuk jam tablo “natyrë e qetë” për zbukurim në rradhën e projekteve, nuk duhet të hesht për faktin se Ministria e Kulturës është tempulli i artit , duhet të jetë rregullatorja e politikave afatgjata të kulturës, vendi ku trokitet pa drojë për mbështeje, e artistët që jetojnë në Shqipëri kanë nevojë të përkrahen , motivohen , inkurajohen. Nuk do hesht në emer të vuajtjes se gjithë këtyre viteve, mbajtjes së një shoqate më të vetmin përfitim kundrejt njëmijë sikleteve nga gjobat tek gjithë hallet që një violinist nuk do donte ti kishte. Nuk do hesht se gjithë kjo nuk bëhet për fitime materiale dhe është ndryshe nga mbështetjet e tjera të dhëna pa kursim sot për motive nga më të ndryshmet.
Ministria e Kulturës për trishtim është kthyer në ministri të disave e më keq, me politika që duket se janë larg artit elitar muzikor . Ka dy momente për të cilat vlen të diskutosh . Së pari, si munden nëpunësit që përzgjedhin projektet të shkojnë sinkron me interesat e individëve të caktuar që me letra, mënyra nga më të çuditshmet pengojnë mbështetjen e aktiviteteve siç ndodh me “Maratonën Violinistike” e shoqatën “ Bota e Artit “, fakte tw publikuara këto e të ditura nga drejtoreshat e ministrisë në fjalë.
Pra, së pari detyra përdoret për plotësimin e inatëve të individëve . Së dyti dhe më flagrant është qëndrimi që mbahet ndaj muzikës, politika e çuditshme e kësaj ministrie ndaj muzikës, ndaj aktiviteteve dhe jo vetëm, ndaj individëve që organizojnë festivale, aktivitete me shumë edicione e që përfshijnë zhanre, gjini muzikore, shpalosin krijmtari e promovojnë talente, të atyre që janë personalitetet e artit muzikor në Shqipëri. Këto artistë që regjistrohen nga halli në gjykata , që menaxhojnë nga zori projekte tejet të varfra, se nuk e shohin ndryshe skenën, për muzikën elitare siç është ajo klasike duhet të ishin prioritetet e Ministrisë së Kulturës. I referohem shoqatave muzikore , që janë në fakt mënyra për të sjellë në skenën shqiptare krijmtarinë e djeshme, të sotme , janë tribuna e artit të muzikantëve profesionistë, kryesisht pedagogë aktivë në krijmtari e skenë. Përtej rolit të dy institucioneve të rëndësishme, Teatrit të Operës dhe Orkestrës së RTSH shoqatat e muzikantëve janë drejtimi i duhur për vënien në skënë të muzikës së kompozitorëve të që nuk jetojnë, për të sjellë krijmtarinë e re.
Sistemi totalitar i dikurshëm me metoda të detyruara deri diku e vuri këtë muzikë si prioritet. Artet nuk zëvendesojnë njëri -tjetrin, muzika ka vendin e saj kjo që po ndodh është absurde. Po degradojmë në edukime momentale që përkrahin individë të marrin projekte, ndërsa muzika shqiptare kalon çdo projekt , është pasuri kombëtare si librat, madje duhet përkrahur më shumë se gjuha e saj është e panjohur e rruga për te publiku e vështirë. Në panairin e librit nuk gjen një liber a revistë muzikore , bashkë me këtë mungesë nuk ka ku shfaqet muzika, nuk kanë ku interpretojnë instrumentistët. Pa kaq vitesh në mënyrë paradoksale vlen të përmendet shprehja e Thoma Nasit “Përkrahni muzikën e fjeshtë shqiptare”. Po ne akoma nuk e njohim muzikën, se në koncertet simfonike në publik gjen vetëm tre artistë: një arkitekt piktor, një arkeolog dhe një skulptor ! Letërsia dhe libri nuk të bën muzikant , të mëson kur kanë lindur artistët, historinë e muzikës, po kjo nuk mjafton për ta njohur kuptuar atë. Kësaj vështirësie të muzikës klasike, instrumentale e simfonike i bashkohet injoranca e sotme , kriza e sotme e kësaj muzike që në Shqipëri merr përmasa të frikshme. Kësaj panorame së fundmi i bashkohet dhe vetë Ministria, e cila në vend të përkrahjes zhduk pikërisht përkrahjen për shoqatat që promovojnë muzikën klasike , violinistike, pianistike, romancën vokale, krijmtarinë, pikërisht ata që këto aktivitete i bëjnë si profesionistë e për pasion pasi theksoj se mbështetja ka qënë minimale.
Është e frikshme që këtyre artistëve që janë emrat më në zë të artistëve shqiptarë u ndalohet dhe kjo mbështetje minimale. Është e dhimbshme , e turpshme që një orkestrant profesionist në një aktivitet, koncert, paguhet 10 000 lekë të reja, për katër ditë prova dhe koncert, sa dy lyerje flokësh me bojë shumëngjyrëshe në parukeritë e lira të Tiranës ! E dhimbshme që diferenca e pagesave për një solist instrumentist vendi e një që vjen nga jashtë është tejet e ndryshme ! Po dhe këtë mundësi ua hoqi sërish Ministria e Kulturës kompozitorëve, profesionistëve , instrumentistëve që janë fajtorë për të vetmen zgjedhje, atë të qëndrimit në Shqipëri, atë të besimit se duhet të aplikojnë. Ministria e Kulturës e njerëzit e saj që vendosin në projekte nuk janë pasazhe muzikore, nuk janë fraza siç ne kujtojmë, që duke me kalimin e kohës përmirësohen , ata janë larg muzikës edhe kur për ironi kanë atë profësion krahas atij të zyrës.
Vendi ynë ka pak kompozitorë krahasuar me shtete të tjera, po ata janë kolosët tanë, ata që nuk jetojnë janë klasikët, romantikwt, të gjallët janë modernët, të kohës , që nëse nuk mundemi ti nderojmë siç nderon presidenti i Amerikës kompozitorin Philip Glassin sot, ti lëmë të krijojnë, të organizojnë , të shfaqin veprat, tu krijojmë kushtet minimale, e krahas tyre ti kujtojmë dhe ata që nuk janë më, tu kujtojmë veprat, pjesët, tua zbukurojmë e ruajmë partet e e harruara të humbura në fletë pentagrami me laps zverdhur në botime dinjitoze . Të botojmë si librat partitura, ti përkrahim se tregu nuk lejon të kemi një librari muzikore. Po Ministria përkrah shtëpitë botuese , ato që na pëlqen ose jo janë janë biznese që merren me shitje dhe fitime, përkrahen panaire libri, individë në fushata leximi, duke e kthyer ministrinë si ato emisionet e mëngjesit të televizioneve me gatim në përkrahje individësh me misionin “ Si të lexojmë “… Ministria u heq tërë mundësinë atyre që nuk jetojnë më të kujtohen , tërë kolosëve të muzikës ja harron veprat, të gjallëve aktivitetet, e nuk u lë shans tua dëgjojmë muzikën.
Kur realizohen koncerte me muzikë filmash nga salla dalin të gjithë të entuziazmuar, po kjo muzikë është e atyre që aplikuan këtë herë , këtë e dirigjuan , e krijuan ca të tjerë që e kishin emrin në këto projektet e është fat që i kemi, këtë muzikë e kanë bërë po këta, Aleksandri , Hajku, e shumë të tjerë që janë aktivë e meritojnë të përkrahen se krahas muzikës promovojnë të tjerë artistë të njohur e të rinj nëpërmjet aktiviteteve. E kështu, për politika pa sens ndër vite, se ministria jonë ngjan si kioskë ku gjithçka është momentale dhe asgjë e menduar , koncerti për piano i Tonin Harapit erdhi pas 50 vjetësh në skenë bashkë me të tjera vepra, Poemë koncerti për violinë i Thoma Gaqit pas më shumë se 30 vjetësh. Ministria , bashkitë ndoshta e përkrahin muzikën, artistët , përkrahin ata që në mënyra të ndryshme shfaqen në festivale të tjera me terma të sofistikuar si multikulturë, i përkrahin megjithë fustane e repertor, derisa tu perfeksionohet stonatura, që nga Korça gjer në Vlorë ! E në vend të emrit të kompozitorit që mund të sillte një vepër të re do dëgjoni emrin e stilistit që mundësoi një fustan kaq të mrekullueshëm! E për sa kohë do bëjnë” Fërr , fërr , fërr” fustanet , mos prisni fonde nga Ministria e Kulturës as nga bashkitë e rretheve !
Komentet