Trokitja e lehtë i preu tregimin në mes mikut tim të vyer Eshref Zagorçanit. Shoqata e të Përndjekurve dhe Persekutuarve Politikë, dega Elbasan, sapo e kishte zgjedhur kryetar. Priste të intervistohej nga një gazetare gjermane. Hapa derën. Krijesë e një bote tjetër përshëndeti me zë timid.
“Mirrëmbrrëma”!
Humba në sytë e kaltër si qielli pranverës. Fytyra e bardhë dukej që nuk kishte parë diell kurrë, ndërsa lëkura delikate, pa rrudha, shkëlqente magjishëm nën tualetin aromë dehës. Flokët i thyeshin bukur mbi jakën e ngritur prapa të pardesysë ngjyrë qumështi, që derdhej mbi trupin elegant deri pak mbi gjunjë. Çizmet femërore, lëkurë kafe të çelur, zbukuronin plot elegancë këmbët e saj të
drejta.
“Ç’janë këto që shetisin me çizme oficerësh në bulevard”?
Kishte pyetur i marri, kur kishte parë nga dritarja e zyrës disa vajza, që kishin veshur çizme të gjata, lëkure dhe bënin xhiron e mbrëmjes, e vetmja kënaqësi, xhiroja në bulevardin e madh. Miku im i vjetër Spiro Duni nuk e preferonte atë.
“Është xhiroja e ajrosjes në oborrin e burgut madh”.
Thoshte ai, kur pinim ndonjë gotë tek sahati.
Aq kishte majftuar dhe hienat i ishin sulur vajza të bukura dhe ia kishin shqyer çizmet në rrugë, me thikë. Menjëherë në shkolla dhe qendra pune kishte filluar të punohej marrëzia e radhës.
“Luftë pa kompromis ndaj çdo shfaqe të huaj”.
Ndërsa vetë i marri porosiste rroba nga firmat më të mira në botë, në Paris. Bile edhe djathin e merrte nga Franca.
Zyra në hollin e Skampës, menjëherë sapo të ngjisje shkallët në krahun e djathtë, kundërmonte erë duhani të fortë. Eshrefi i ulur në kollutukun që shikonte nga dritarja u ngrit menjëherë në këmbë dhe e përshëndeti gjermanisht. Gazetaria shtangu.
“Ju flisni një gjermanishte të bukur, ku e keni mësuar”?
Eshrefi tha se kishte bërë shkollën atje.
“Kur ishin bashkë, të bashkuara”.
Eshrefi i kërkoi leje të ndizte cigaren.
“Tingëllon ndryshe, bukur në gojën tuaj”.
Tha ajo dhe aprovoi me kokë kërkesën e Eshrefit.
“Vjeneze, në Vjenë kam qenë”.
Adela buzëqeshi, sytë i ndritën. Eshrefi fliste për një kohë të largët. Fshehur brenda nënndërgjegjes së të dyve. Në çast u bënë miq të ngushtë.
Adela filloi ta pyesë për shoqatën, funksionet a saj. Numërin e anëtarëve.
“Është shumë e madhe, ju duhet ta ktheni në parti”.
Eshrefi heshti. Humbi në mendime.
“Kur të bjerë në Moskë komunizmi”.
Tha ai ftohtë.
“Ka rënë”!
Tha ajo pa u menduar. Eshrefi ndezi cigare tjetër, këtë radhë pa i kërkuar leje Adelës. Ishte mbrëmje, fillim dhjetori. Jashtë bënte ftohtë, era e Krastës të mpinte veshët. Qyteti ishte zhytur në errësirë të plotë. Falangat komuniste kishin filluar të oraganizoheshin. U siguruan, nuk do të kishte ndëshkim. Në fund të fundit, kush do t’i gjykonte? Nurembergun e bënë fitimatarët. Këtu kush kishte fituar?
“Kur të bjerë në Moskë …”.
Tha Profeti Eshref …
“Diçka per gjendjen ekonomike të anëtarëve”?
Adela mori stilolapsin të shkruajë.
“Është koha për të ngrënë darkë, shkojmë në shtëpinë time, bisedojmë atje”.
E ftoi Eshrefi dhe u ngrit.
Adela pranoi menjëherë. Morëm rrogën për tek Banesat. Lagjia e fundit e qytetit, në periferi, e kishte caktuar komiteti i partisë për të dënuarit, deklasuarit dhe të padëshiruarit. Kishte filluar të ktijohej, kur nisi ndërtimi i metalurgjisë zezë. Rruga ishte pa ndriçim. Kishte ditë që ndodhte një gjë e tillë. Flitej se e bënin me qëllim ata të nishelektrikut, i prisnin dritat që një kompani tregëtare të shiste qirinjtë, ndanin fitimin. Arritëm tek ndërtesa, ishte e pa përfunduar, punohej në katin e tretë, Eshrefi banonte tek hyrjen në anë, kati i parë. E ndante me një ish të dënuar tjetër politik. Kishte vuajtur shtatëmbëdhjetë vjet nëpër burgje e kampe pune. Eshrefi nxorri nga xhepi një bisht qiriri. E ndezi, hapi derën me të kërrcitura. Mbahej nga dy mentesha të improvizuara. Dy copa komerdare makine, një në krye dhe një në fund të kapura me gozhdë tek korniza prej druri në mur. Brenda lagështirë, erë myku, kur kaluam korridorin e pashtruar, drita e zbehtë ra mbi derën e hapur të dhomës përballë, ish i burgosuri politik rrinte shtrirë në shtrat, i mbuluar kokë e këmbë me batanie. U futëm në dhomën e Eshrefit. Ai ndezi llampën e vajgurit, rrinte mbi një komedinë të vjetër. Ndriçimi i saj bëri të shqueshin orenditë. Në krye krevat portativ i mbuluar me batanie të errët. Në mes furnelë vajguri e vjetër, anonte sikur po rrëzohej në dyshemenë e pashtruar prej rëre të ngjeshur. Varur me gozhdë në faqen e murit, pranë derës, ishin një palë pantallona, nuk u kuptohej ngjyra, pranë tyre dy kemisha të errta, ngjitur me to xhup i zi, si prej burgu. Përreth furnelës katër stola te vegjël si ato për kopësht fëmijësh. Na ftoi të uleshim rreth furnelës. Adela fshehurazi fshinte lotët.
“Kam pak raki, nga miqtë e internimit”.
Nxorri nga komedina tri filxhana kafeje. Rakia ishte e fortë, më ra në kokë. Thau edhe lotët e Adelës që u ngrit ta ndihmojë të përgatiste darkën. Tri pjata me nga pak bizele nga një kanaçe konserve e hapur, një domate turshi, pak lakra të regjura, në një pjatë të madhe të përbashkët vuri çerekun e bukës të prerë në feta, e ftohtë, gur. Nxorri nga poshtë krevatit konserva peshku, një për secilin, prodhim i huaj, peshk i tymosur, shiteshin në kjoskat e hapura rishtasi. Mori tre pirunj nga sirtari i parë i komedinës, bëri të dalë jashtë, e ndaloi Adela.
“I laj unë”!
Ndezi qiririn dolën bashkë, lavamani ishte në korridor, nuk e kisha vënë re kur hymë.
“Ich möchte einen Toast auf Adela ausbringen”!
Eshrefi uroi në këmbë, trokiti filxhanin me ne, që kishim kërcyer menjëherë pas tij në këmbë. Njeriu që kishte kaluar tërë jetën në Gulagun shqiptar u shëndrua në çast, djaloshi ëndërrimtar i shetitoreve të Vjenës. Ishte kthyer plot shpresë, do të bëhej atdheu si Evropa.
Babai i Eshrefit, Beqir Zagorçani e kishte dërguar fëmijën e vetëm të shkollohej në Itali. Pasi kishte mbaruar të gjitha ciklet e studimit atje, djaloshi i ri kishte shkuar ne Austri t’i thellonte ato. Gjatë kësaj periudhe Beqiri ishte vrarë në një atentat të ngritur kundër tij në Pogradec, ku punonte oficer i lartë në mbajtjen e rendit. Trimëria e Beqirit tregohej si legjendë në qytet. I shtrirë për tokë, pasi atentatori e kishte goditur pas shpine, Beqiri kishte mundur të nxjerrë nagandën nga brezi dhe godasë në këmbë “trimin” që ikte me vrap. Ishte tërhequr zvarrë deri pranë kriminelit dhe kishte mësuar kush e kishte paguar, pastaj e kishte mbaruar me një plumb në gojë.
U ulëm në verandën e Skampës në katin e dyte. Pranverë, lulet e mimozës sillnin armën deri aty lart. Porositëm kafetë. Eshrefi preferonte ujë pa gaz.
“Nuk më mbarove dy momentet fatale, ato që të ndryshuan jetën”.
Afrova njërën tavëll pranë tij.
“S’mbaj mend ku e lashë herën e fundit”.
“Kur të arrestuan”.
“Ah, po! Herët në mëngjes, erdha në Tiranë. Xhem Salla kthehej nga Korça dhe më bëri vend”.
Xhema vetë vuajti njëzet e katër vjet në Gulag.
“Duhej të merrja udhëzime për Grupin e Rezistencës që organizohej në Pogradec. Ishim një grup intelektualësh, të tërë të ardhur nga jashtë. Adresën e vendit të takimit do ta merrja nga sportelisti i Hotel Dajtit. Njeri i besuar. Familje e mirë, me taban, nga zona e jonë. Njiheshim familiarisht. E njhja edhe vetë”.
Psherëtiu thellë. I humbi shikimi, ashtu si me Adelën dikur.
“I ke nëpër këmbë miku im Muçi. Edhe sot pas dyzet e tetë vjetësh. Janë po ata. Të shkollës së Xherzhinskit … ”.
Erdhën kafetë.
“I keni të paguara”.
Tha kamarierja dhe bëri me dorë nga Skënderi, Skënder Leka, djali i dajos Eshrefit. Skënderin e kisha mik të vjetër, që nga koha kur ishte kthyer nga Gulagu Spaç. Tani punonim bashkë në Skampa.
“Ishte i infiltruar në organizatën tonë, sportelisti”.
Ndezi cigaren tjetër pa fikur ende atë që po pinte.
“Nuk kisha arritur tek shkalla e fundit, kur del nga Dajti, pesë oficerë të sugurimit më bërthyen nga krahët dhe më futën me forcë në makinë”.
Esheref Zagorçanin e torturuan ditë e natë, me format më të egra dy vite radhë. Kërkonin të tregonte anëtarët e tjerë të organizatës. Trimi rezistoi heroikisht. Kur kriminelët komunistë e panë se nuk e thyen dot, e dënuan me vdekje, pushkatim.
“Pritja për t’u pushkatuar ishte tortura më e rëndë psiqike dhe fizike që kam kaluar. Të lidhur duar e këmbë me zinxhirë, më varnin orë të tëra në një çengel në murin e qelisë me kokë poshtë, si bagëtia”.
U ngrit në këmbë kthey duart mbrapa, i bashkoi me njëra-tjetrën, bashkoi edhe këmbët, u përkul pak përpara.
“Pasi më lidhnin duart veç dhe pastaj këmbët, i bashkonin me një zinxhir më të trashë, që kapej në të dy anët, në mes kishte një hallkë të madhe, e varnin në çengelin e ngulur në mur”.
U ul në karrige, thërriti kamarieren.
“Na sill një shishe ujë”.
U kthye nga unë.
“Minutat e para më dukej sikur brinjët do të më shpërthenin nga krahërori, pastaj më binte të fikët, dhimbje e madhe. Dy vjetët e hetuesisë kishin bërë të vetën, më kishin dobësur shumë”.
Eshrefin e mbajtën të lidhur me hekura në pritje të pushkatimit për njëqind e tridhjetë e shtatë ditë. Gajtë kësaj torture psikologjike, brenda një qelie, fare i vetëm, ai kishte kaluar kriza të forta mendore.
“Ishim dy Eshrefë aty, ai fiziku që do ta pushkatonin dhe ai shpirtërori që jetonte në Vjenë, i dashuruar … Ditën e fundit togeri më tha ‘të është kthyer me burgim të përjetshëm’, ndjeva keqardhje për Eshrefin fizik”.
Komentet