Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar të premten tri ligjet që përcaktojnë procedurat e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
Në ditën e nënshkrimit të këtyre ligjeve, Thaçi ka uruar edhe një herë të gjithë pjesëtarët e FSK-së për këtë hap.
“Si President i Republikës së Kosovës dhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës, ju uroj juve, i nderuar komandant, gjithë ushtarët, oficerët, nënoficerët dhe popullin e Kosovës. I falënderoj mbështetësit ndërkombëtarë, SHBA-në dhe të gjitha shtetet e tjera aleate në këtë ditë të rëndësishme të zyrtarizimit të Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë presidenti i Kosovës.
Tri projektligjet për FSK-në janë miratuar me shumicë votash nga Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor të këtij viti.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar mbështetje të fuqishme në këtë proces, derisa NATO-ja ka shprehur skepticizëm duke konsideruar se transformimi i FSK-së po ndodh në një “periudhë të papërshtatshme”.
Pakoja e ligjeve ka ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, ligjin për Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe ligjin për Shërbimin në Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Me ligjet në fjalë, FSK kanë marrë një mandat “të mbrojnë integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Kosovës” si një “fuqi multietnike ushtarake, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për shërbimin në vend dhe jashtë tij, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor”.
Komentet