Protesta te Unaza e Re ka vijuar edhe ditën e sotme, ku banorët të cilëve u preken banesat nga projekti kanë kërkuar që të arrestohet i Energjisë dhe Transporteve, Damian Gjiknuri.
Protesta e banorëve ka gati dy muaj që zhvillohet në zonën e Unazës së Re, ku më herët kanë kërkuar dëmshpërblimin e banesave që preken nga projekti, tashmë banorët dhe opozita kërkojnë dënimin me burg të Gjiknurit.
I pranishëm në këtë protestë ishte dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili u shpreh se ky projekt është një aferë korruptive ku përfshihet kryeministri Edi Rama, bashkë me oligarkët e tij.
Basha theksoi se është detyra e opozitës që t’u qëndrojë pranë qytetarëve duke e mbrojtur atë, siç thotë kryedemokrati, nga shteti hajdut.
Kreu i demokratëve akuzoi edhe njëherë dyshen Rama-Veliaj se kanë ndryshuar planin Urbanistik të Tiranës për llogari të projektit të trafikantit të drogës. Në këtë aferë, tha Basha, është dhe firma e Ministrit Arben Ahmetaj.
“Është e rëndësishme që ta kaptoni që ajo që ndodhi këtu, është urdhër i një autoriteti që mund të bëjë koordinimin mes të gjithë institucioneve si dhe ti mbyllë gojën prokurorisë, që të mbyllë sytë para falsifikimit.
Ju bëj një thirrje kryeredaktorëve që ta hapin ekranin gjatë gjithë kohës së protestës. Dua të them se afera që nisi si korrupsion i pastër është pohuar sot si një aferë kriminale, Rama dhe Veliaj firmosën për të zhvendosur lumin e Lanës, që të mos cenohet asnjë centimetër katror i pronës së një trafikanti droge. Zhvendosin lumin që mos preket prona e Taulant Ballës.
Ftoj të gjithë shqiptarët që të ngrihen dhe të luftojmë të keqen. Le të jetë kjo shpresa në këtë fundviti që e keqja mos na hedhë më kundër njëri-tjetrit, por kushtetuta dhe ligji të zbatohet njëlloj për të gjithë”, deklaroi Basha.
Ndërkohë, Dorjon Protoduari, i cili u lirua pak ditë më parë i pranishëm në protestë kërkoi burg për kreun e ARRSH, Afrim Qendron, duke e cilësuar megaskandalin e bërë publik pak kohë më parë nga emisioni ‘Të Paekspozuarit”, si kapje në tentativë për vjedhje.
“Donin të vidhnin këtu dhe nuk ia dolën. Doli Afrim Qendro te ‘Opinioni’ tha se paratë janë te Arka e Shtetit. O zotëri si vjedhja, si tentativa e vjedhjes dënohen njësoj në Kodin Penal.”, u shpreh ai.
Komentet