VOAL

VOAL

Kastriot Islami: Prokuroria e krimeve të Rënda të hetojë deputetët se janë në efektin e drogës

September 18, 2015

Komentet

Shqipëria me 300 mijë makina mbi 2 mijë kubikë, detyrimi i taksës do të rritet deri 3.8 herë

Shqipëria renditet e para mes vendet europiane, për peshën më të lartë të automjeteve me motor mbi 2 000 kubikë.

Sipas të dhënave të Eurostat, rreth 30% e totalit të automjeteve apo rreth 300 mijë i përkasin kategorisë së fuqisë motorike të lartë. Nga totali i automjeteve mbi 2 mijë kubikë, 27.8% e tyre janë me naftë dhe 2.4% me benzinë.

Preferenca e shqiptarëve për makina me motorë mbi 2 mijë kubikë lidhet me çmimet e përballueshme të automjeteve të përdorura të importuara, kryesisht nga Gjermania, Zvicra dhe Italia, ku taksat dhe sigurimet për motorët e mëdhenj janë të larta.

Ndikojnë gjithashtu perceptimi i makinës si simbol statusi dhe nevoja për automjete më të fuqishme në zonat me terren të vështirë, apo dhe fakti që historikisht rrugët në Shqipëri kanë qenë të prishura, ndonëse vitet e fundit situata është përmirësuar.

Kjo preferencë për makinat me fuqi motorike të lartë pritet të penalizojë shumë përdorues veturash. Nga ndryshimet e propozuara në projektligjin “Për taksat kombëtare”, pronarët e këtyre mjeteve pritet të përballen me rritjen më të madhe të detyrimit të taksës vjetore të mjeteve të përdorura.

Propozimet me paketën fiskale krijojnë për herë të parë dy nivele të taksimit sipas madhësisë së motorit. Nisur edhe nga numri i lartë i tyre, për automjetet me fuqi motorike mbi 2,000 cc  propozohet taksë fikse për karburantin më e lartë sesa për kategoritë e tjera.

Aktualisht, taksa fikse për llogaritjen e detyrimit vjetor të mjeteve është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën, pa dallim sipas cilindratës.

Me propozimin e ri, për automjetet me motor mbi 2,000 ç, taksa fikse për naftën do të jetë 26 lekë, ndërsa për benzinën 21 lekë. Ndërsa për automjetet me cilindratë deri në 2,000 ç, përfshirë edhe autoveturat, taksa fikse propozohet të jetë 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Krahas taksës fikse ndryshojnë edhe koeficientët e vjetërsisë.

Monitor ka përllogaritur detyrimin e ri për autoveturat me fuqi motorike 2,500 cc. Sipas llogaritjeve duke përfshirë, edhe koeficentët e rinj të viteve të përdorimit të mjeteve të cilat janë rishikuar, detyrimi vjetor për pronat e autoveturave me naftë, në varësi të moshës së mjetit, do të rritet nga 80% deri në 289%. Për makinat me benzinë rritja e detyrimit varion nga 65% deri 236%.

Për të dyja kategoritë rritja më e madhe, efekti më i madh do të ndihet te automjetet e vjetra, të moshës 30 vjeçare.

Sa do të rritet detyrimi për mjetet mbi 2 mijë kubikë; Shembujt

Për një autoveturë me naftë 4-vjeçare dhe 2,500 cc, detyrimi vjetor aktualisht është 5,625 lekë. Pas ndryshimeve fiskale detyrimi arrin në 13,650 lekë, ose 8,025 lekë më shumë, me një rritje prej 80%.

Për një autoveturë 10-vjeçarë me naftë apo e prodhuar në 2016, detyrimi për taksën vjetore nga 7,500 lekë që paguhet aktualisht do të arrijë në 21,450 lekë. Rritja me 140%.

Edhe pronarët e makinave me benzinë do të përballen me një rritje të konsiderueshme, megjithëse më të ulët se ajo e makinave me naftë. Te makinat me benzinë të moshës 10 vjeçare, detyrimi nga 6 mijë lekë që është aktualisht llogaritet të arrijë në 17,325 lekë për autovetura me 2,500 cilindrat. Detyrimi rritet në vlerë 11,325 lekë apo 111% më shumë.

Për automjetet me benzinë 30-vjeçare, detyrimi vjetor do të arrijë në 43,050 lekë, nga 19,500 lekë që është aktualisht. Detyrimi në vlerë do të rritet 23,550 lekë ose 236%.

Detyrimi rritet edhe për makinat deri në 2 mijë kubik 

Sipas ndarjes së fuqisë motorike që Eurostat bën për automjetet, në Shqipëri 40% e totalit i përkasin fashës nga 1,400 deri 1,999 kubikë dhe 5.5% e tyre nën fashën e 1,399 kubikëve.

Monitor përllogariti detyrimin e ri edhe për autoveturat me cilindrat deri në 2,000 cc, si për makinat me naftë, edhe me benzinë, duke marrë në konsideratë moshën e mjetit, nivelin e ri të taksës fikse të propozuar për karburantin dhe koeficientet e rinj të viteve të përdorimit.

Sipas përllogaritjeve nga 71% deri në 175% do të rritet detyrimi i taksës vjetore për makinat me naftë deri në 2,000 cc, në varësi të moshës së automjetit. Edhe për makinat me benzinë detyrimi vjetor për taksën e mjetit do të rritet nga 71 deri në 175% në varësi të moshës.

Niveli aktual i taksës fike

Taksa fikse për llojin e karburantit është 12,5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit është si në shtojcën 1 bashkëlidhur këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij. Mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse.

Propozimi për ndryshimet e taksës fikse  

-Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën, 20 lekë për benzinën dhe 20 lekë për gazin për mjetet me vëllim deri në 2 000 cm3 , për autoveturë, motomjet ATP (sipas grupit I të koeficientit të vjetërsisë) dhe gjithë të tjerat (APV) (sipas grupit II të koeficientit të vjetërsisë); ii.

-Taksa fikse për llojin e karburantit është 26 lekë për naftën, 21 lekë për benzinën dhe 21 lekë për gazin për mjetet me vëllim më të madh se 2 000 cm3 , për autoveturë, ATP (sipas grupit I të koeficientit të vjetërsisë) dhe gjithë të tjerat (APV) (sipas grupit II të koeficientit të vjetërsisë);

/Monitor

Erion Veliaj iu përgjigjet 3 kërkesave të Edi Ramës, avokati Ndreca: M’i ka dhënë të shkruara në fletë ditari

Avokati Plarent Ndreca ka reaguar pas takimit me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, duke konfirmuar se ai është transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit, për shkak të frakturës në këmbë dhe nevojës për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Sipas avokatit, ekzaminimi është kërkuar edhe në bazë të udhëzimeve të mjekut që ndjek procesin e rikuperimit të Veliajt.

Ndërkohë, Ndreca ka bërë të ditur se gjatë takimit, kryebashkiaku i ka dorëzuar disa faqe të shkëputura nga ditari i tij personal. Në këto shënime, sipas avokatit, janë përgjigjet që ai i ka dhënë ministrit të Drejtësisë lidhur me kërkesat e bëra ndaj tij – sipas kryebashkiakut me porosi të kryeministrit Rama – për heqjen dorë nga drejtimi i Bashkisë Tiranë dhe delegimi te Arbër Hajdari, pranimin e autorësisë së protestave studentore dhe të Flamingove, si dhe distancimin nga avokati Ndreca.

Avokati ka paralajmëruar se këto përgjigje do të bëhen publike.

Reagimi i plotë i avokatit Plarent Ndreca:

“Dola nga takimi me Erionin.

  1. Erioni është transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit, për shkak të këmbës së thyer, e cila kërkon ende rikuperim dhe trajtim mjekësor. Ndërkohë, po bëhen gati dy javë që kemi kërkuar zyrtarisht kryerjen e ekzaminimit të nevojshëm për të vlerësuar ecurinë e konsolidimit të frakturës. Deri më sot, ky ekzaminim nuk është realizuar, pavarësisht kërkesave dhe udhëzimeve të mjekut që ndjek rikuperimin e tij.
  2. Erioni më dorëzoi disa faqe të shkëputura nga ditari i tij personal, ku ka shkruar përgjigjet që i ka komunikuar ministrit të Drejtësisë lidhur me kërkesat e bëra ndaj tij. Këto përgjigje do t’i bëjmë publike.”Panorama

Marjana Koçeku: Veliaj e Rama, të dy në luftë! Njëri brenda e tjetri jashtë burgut – finalja do jetë dorëheqja e kryeministrit

Deputetja e pavarur dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka komentuar në emisionin “Prime News24” përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Koçeku e cilësoi situatën si një luftë mes dy figurave të së njëjtës forcë politike, duke u shprehur se nuk duhet të ketë ndërhyrje për të shpëtuar asnjërën palë.

“Situata është e qartë, të dy flasin nga burgu, por njëri është brenda dhe tjetri jashtë burgut. Ka një luftë mes tyre dhe mendoj se duhet t’i lëmë të mbysin njëri-tjetrin. Nuk kemi pse shpëtojmë asnjërën palë, por t’i lëmë në këtë rrugëtim që kanë nisur dhe që nuk ka shenja të kthehet pas”, u shpreh ajo.

Sipas Koçekut, përplasjet dhe ndarjet brenda Partisë Socialiste ishin të pritshme dhe zhvillimet e fundit mund të shkaktojnë një efekt zinxhir, duke sjellë skizma të tjera në radhët e kësaj force politike.

“Ishte e pashmangshme që do të kishte skizma të tilla politike. Një e tillë ishte në PS edhe kur u largova unë dhe pritet të ketë një ‘butterfly effect’ në vijim. Kjo që ndodhi pritej dhe besoj se do të zgjasë në kohë. Efektet e asaj që po ndodh do të ndikojnë edhe në krijimin e skizmave të tjera në PS”, deklaroi Koçeku.

Ajo parashikoi se zhvillimet mund të çojnë në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur këtë përfundim edhe me kërkesën e protestuesve.

“Finalja besoj është ajo që po kërkojnë edhe protestuesit, dorëheqjen e kryeministrit Rama. Nuk mendoj se është çështje dëshire, por është e qartë. Rama nuk është politikani që pranon dorëheqjen dhe nuk do të donte të largohej nga posti, por situata do të vijë e tillë sa nuk do të ketë rrugëzgjidhje tjetër”, tha ajo.

Gjatë intervistës, Koçeku foli edhe për vendimin e saj për t’u larguar nga grupi parlamentar i PS-së dhe për të vijuar si deputete e pavarur, duke sqaruar se shkëputja nga anëtarët e grupit ishte një zgjedhje personale.

“Që kur kam vendosur të largohem nga grupi i PS-së dhe të jem deputete e pavarur, ka qenë vendim imi personal që të shkëpus marrëdhëniet me anëtarë të grupit të PS-së. Nuk kam qenë shumë fanse e miqësisë në politikë, sepse nuk besoj fort te ajo, por ka qenë edhe një kohë e shkurtër kur kam qenë pjesë për të krijuar diçka”, u shpreh Koçeku. gsh

Erion Veliaj me dëmtime, kryebashkiakun e çojnë në sektorin spitalor të burgut

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është zhvendosur nga sektori A i paraburgimit në Fier në sektorin spitalor, që gjendet në të njëjtin burg.

Zhvendosja e Veliaj ndodhi pas gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe ankesave të kryebashiakut që pretendon se nuk u vlerësua gjendja e tij shëndetësore, pasi ai ka dëmtime në këmbë që i ka marrë në burgun e Durrësit.

Kujtojmë që Erion Veliaj u transferua nga paraburgimi në Durrës drejt institucionit të vuajtjes së dënimit në Fier.

Pas këtij transferimi, Veliaj publikoi një letër të shkruar me dorë, përmes së cilës ngriti akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Sipas versionit të Veliajt, ministri Gogu e kishte vizituar në burg, në orët e vona të mbrëmjes së 30 tetorit 2026, dhe gjatë takimit i kishte përcjellë një mesazh në emër të kryeministrit.

Në letrën e tij, kryebashkiaku pretendon se i janë komunikuar tri kërkesa kryesore:

1-Të pranonte përfshirjen në organizimin ose financimin e protestave të njohura si protestat e “Flamingove” dhe studentëve, në të kundërt do të përballej me akuza të tjera dhe me një dënim që, sipas pretendimit të tij, mund të shkonte deri në 100 vite burg.

2-Të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t’ia delegonte kompetencat Arbër Hajdarit.

3-Të ndërpriste konsultimin dhe bashkëpunimin me avokatin e tij, Plarent Ndreca.

“Protestat do kenë kulminacion më të madh”, Koçeku tregon bisedat me ndërkombëtarët: Ata po monitorojnë situatën, mbështesin çdo rrymë demokratike

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e ftuar në emisionin Prime News24 foli edhe për takimet që ka pasur me diplomatë ndërkombëtarë.

Koçeku u shpreh se ndërkombëtarët janë duke e monitoruar situatën me kujdes. Ajo shtoi se diplomatët mbështesin çdo rrymë demokratike në vend.

“Që kur kam dhënë dorëheqjen si deputete e PS, kam pasur takime me diplomatë të huaj, edhe në Bruksel disa herë, por edhe me përfaqësitë diplomatike që janë në vendin tonë. Po monitorojnë situatën nga afër dhe me shumë kujdes, pavarësisht se pozita e tyre dhe gjuha diplomatike nuk ua lejon shpesh herë që të shprehen ashtu siç do të donim ne ose ashtu siç kemi ne pritshmëritë.

Ata mbështesin çdo rrymë demokratike, është sigurisht e tillë dhe kjo që po ndodh, por faktorët e dhunës shpesh herë dhe penalizojnë, për të pasur një mbështetje haptazi. E kam parë se kanë një qasje pozitive ndaj reagimit dhe tentativës për të krijuar një kulturë të re politike shqiptare, nëpërmjet kësaj lëvizjeje”, tha Koçeku.

Deputetja Marjana Koçeku vlerësoi se duhet një bashkim i madh opozitar, që të rrëzohet kjo qeveri. Sipas saj, protestat do kenë një kulminacion edhe më të madh.

“Thirrjet e sheshit janë kundër gjithë establishmentit që kanë qenë në pushtet për 36 vite. Bashkimi i të gjitha forcave opozitare do ishte tepër pozitive. Bashkimi nuk duhet të konsiderohet i pamundur. Kjo, sepse edhe vetë protesta përpara se të ndodhte, nuk e imagjinonim se do bëhej kaq e madhe. Kryeministri Rama do që të ketë përçarje, kjo i leverdis. Por duhet një bashkim i gjerë, që të jetë kundër kësaj qeverie në një front. Ajo që ndodhi në Serbi mund të jetë shembull edhe për Shqipërinë, patjetër, pavarësisht se atje ka një tjetër realitet. Ka një presion të tepruar ndaj protestuesve që të kenë version politik, sepse pesë muaj nuk janë shumë për të nxjerrë një përfaqësi. Besoj se protesta të bëhet akoma më e madhe. Do të kenë kulminacion më të madh”, u shpreh Koçeku.

Adriatik Lapaj: I qëndrojmë mbështetjes së kandidaturës së Binajt për Tiranën!

Kryetari i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, se partia që ai drejton i qëndron mbështetjes së kandidaturës së Florian Binajt për Tiranën.

Pjesë nga biseda: 

Ylli Rakipi: A mundet opozita të krijojë një front të gjerë? Ti ke qenë partizan i kësaj ideje. Kush është pengesë për bashkimin e opozitës?

Adriatik Lapaj: Ky është proces. Sigurisht që ligji elektoral nëse bëhet pa hile dhe demokratik, do të parashikonte koalicione parazgjedhore, barazinë e votës dhe do të krijonte kushtet e nevojshme për garë të ndershme, të lirë dhe të barabartë.  Pastaj si dhe qysh krijohen koalicionet, secili e vlerëson në momentin e duhur. Ajo që besoj fort, që në momentin në të cilin është Shqipëria, është moment që kërkon që egot të lihen mënjanë. Të kuptojmë se vendi ka nevojë për zgjidhje sot dhe jo pas 100 vjetësh. Partitë janë instrumente në funksion të atdheut. Nëse Shqipëria na shkon në konflikt civil, shkatërrohet gjithçka, çfarë vlere kanë pastaj partitë politike?

Ylli Rakipi: A e ke konceptuar, kuptuar, idenë e bashkimit të opozitës?

Adriatik Lapaj: Paradhoma e të gjithë ndryshimit është Kodi Zgjedhor.

Ylli Rakipi: Më konkretisht, janë përpara zgjedhjet lokale. A je për kandidat të përbashkët në Tiranë?

Adriatik Lapaj: Ne kemi marrë vendim vitin e kaluar që ka qenë kandidimi i zotit Binaj, përtej partive. E konsideruam shumë të rëndësishme Tiranën. Në këtë kuptim nuk kemi ndryshuar qëndrim për këtë.

Alban Dudushi: Për parimin apo për zotin Binaj?

Adriatik Lapaj: Për të dyja pasi zoti Binaj ka dalë nga parimi.

Alban Dudushi: Berisha po flet për kandidat të PD.

Adriatik Lapaj: Ky është problem që i përket PD. Vjet u propozua kandidat i përbashkët. Ne vumë një kusht, duhet të jetë përtej një subjekti. Doli Binaj, shprehu vullnetin dhe mori konsensusin. Ne i qëndrojmë atij vendimi.  Ka një arsye pse nuk e kemi ndryshuar qëndrimin, nuk mund të presim në besë një qytetar të angazhuar.

alban Dudushi: Po studentet dhe protestuesit?

Adriatik Lapaj: Për këtë jemi të hapur, por po themi se çfarë qëndrimi kemi deri tani.

Av. Lulzim Tanushi u ka dhënë mbështetje ligjore falas mbi 50 protestuesëve të arrestuar nga policia sepse i bashkon e njëjta kauzë

Në komunikimin me Voal.ch në lidhje me ndihmën ligjore që ju jep falas protestuesëve, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Kushtetutën dhe apeli që i drejton policisë, kemi këtë prononcim të Av.Lulzim Tanushit :

“Mbështetjen per protestuesit e kam nisur qe ne fillim të arrestimeve me daten 2 Korrik. Qe ne ditën e 3 kur nisi revolucioni Flamingom kam dalë vetë duke protestuar dhe ndihma ligjore prej meje per protestuesit ka qenë pa dallim aty dhe pa pagese per te vetmen arsye se na bashkon kauza e përbashkët dhe une ate kauzë e kam te shenjte. Une aty kam dalë se dua te ndryshojmë sistemin

Per mua kushdo që ka protestuar i jam mirënjohës sepse ndajmë njëjtën qëllim (flas ne parim se ka dhe aty njerez qe nuk kane interes per ndryshim sistemi as per te rrezuar kete qeveri)

Unë jam për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, si dhe për ndryshimin e sistemit rajonal proporcional aktual në proporcional kombëtar me lista te hapura, me formulën D’Hondt me prag 2 ose 3%. Une jam per ndryshimin e Kushtetutës, veçanërisht pjesen e mandatit te KM, jo me shume se 2 mandate per te shmangur pushtetin absolut dhe autoritar marrë dhe kontekstin historik dhe zonën ku jemi (mendesi ballkanase), dhe per mos me forcuar lidhjet e pushtetit ekzekutiv me grupe qe punojnë kundra interesit te kombit, ashtu sikurse dhe per mos lejuar qe pushteti ekzekutiv prej kreut te saj te dehur nga pushteti por dhe te kompromentuar te mos degradojnë ne piken qe te kapin pushtetet e tjera, sikurse po ndodh, dhe KM mos te mbaje peng te ardhmen e kombit per hallet e tij personale dhe as mos te shesë interesat strategjike te kombit. Ndër të tjera ndryshime ne Kushtetute është imuniteti i zyrtarëve të lartë si Kryeministër, ministra apo deputet, të balancohen kompetencat e presidentit, mënyra e zgjedhjes së tij, qe mos kemi nje president qe nuk shërben per asgje apo te jete i padobishëm ne rast krize politike, si dhe të përfshihet pjesa e referendumeve, si mekanizmi më drejtpërdrejtë i demokracisë. Këto janë disa prej elementëve domosdoshëm dhe mbi të gjitha të panegociueshëm që duhet të ndryshohen.

Ky ndryshim është thembra e Akilit sepse na eshte marre sovraniteti peng… sot nuk kemi perfaqesim real te vullnetit popullit…. askush nuk perfqesohet

E kam të rëndësishme te them pse jam ne proteste dhe pse kam suportuar protestën dhe protestuesit

Une aty s’jam pa qëllim, une jam per ndryshimin e sistemit me pika konkrete.

Deri tani kam mbështetur mbi 50 protestues, i ndjek procedurat deri në fund që nga arrestimi. Kemi disa vendime ku jane shpallur arrestimet e paligjshme. Kemi bere ankime ne apel per vendimet e tjera e tani jemi duke pritur.

Policisë i bën apel te respektojë vetem ligjin, të mos japin asnje urdhër paligjshëm, te mos i bindet asnje urdhëri te paligjshëm dhe zinxhiri komandues mos japë urdhëra të paligjshëm pasi nuk i përjashton nga përgjegjësia ligjore zbatimi urdherave të paligjshëm… Te referojnë dhe të dalin publikisht si sinjalizues nese jane urdhëruar ose jane ne dijeni te shkeljeve masive te ligjit, sepse aty ku punojnë eshte bere praktikë paligjshmeria, pasi kane mbrojtje ligjore si dhe në momentin qe ndalojnë dike dhe e neutralizojnë mos te ushtrojnë dhunë, asnje formë dhune, por te respektojnë te drejtat ligjore te tyre.”

 

Dokumenti: Veliaj i drejtohet gjykatës: Transferimi në Fier me urdhër personal të Ramës. Hetojeni çfarë ka…

Është shtyrë për më 17 nëntor ora 10 seanca për Erion Veliaj dhe të pandehurit e tjerë për shkak të mungesës së disa avokatëve.

Gazetari Fatjon Gjinaj njofton se gjykata lexoi shkresën e Erion Veliaj të nisur nga paraburgimi i Fierit.

“Siç jeni vënë në dijeni nga mediat ditët e fundit, unë jam rrëmbyer nga një togë shoqërimi policësh pa më thënë se ku do më dërgonin, pa dijeninë time, 100 km larg gjykatës ku po gjykohem dhe larg gruar me dy të mitur dhe nënës time pensioniste. Toni Gogu më ka vizituar pas transferimin dhe më ka thënë që kjo ka ndodhur me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama. Më ka thënë që prokurorët ishin gati të shtonin akuza deri tek ajo e prishjes së rendit kushtetues. Kjo si ndëshkim që kam mbështetur protestën e flamingove dhe studentëve, por kjo është e vërtetë aq sa është i vërtetë kallëzimi i Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit. Kërkoj nga gjykata të marrë masat e duhura për ta verifikuar këtë që ka ndodhur”

Gjykata relatoi se burgjet nuk e kanë vënë në dijeni për transferimin drejt Fierit. Gjykojmë se nuk është kompetencë e jona, sa i takon pretendimeve se transferimi është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama, të ndjek rrugën institucionale, nuk është objekt i këtij gjykimi. I takon organeve kompetente të verifikojnë pretendimet e tij.

Letra e Veliajt:

Image

Image

“I shkoi në orën 22:30” Takimi mes Veliajt dhe ministrit Gogu në burg, Ndreca jep detaje: Biseduan 1 orë e gjysmë në zyrën e drejtorit!

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka reaguar për mediat pas shtyrjes së seancës gjyqësore, ku Veliaj nuk ishte i pranishëm.

Ndreca ka folur edhe për takimin mes Veliajt dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në ambientet e burgut.

Sipas avokatit, ministri ka shkuar për të takuar Veliajn rreth orës 22:30 dhe ka qëndruar me të për rreth një orë e gjysmë në zyrën e drejtorit të burgut.

Ai theksoi se Veliaj nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë për të takuar ministrin, ndërsa shtoi se nëse Gogu kishte si qëllim inspektimin e kushteve në institucionin e vuajtjes së dënimit, duhej ta kryente këtë detyrë në mënyrë zyrtare dhe i shoqëruar nga inspektorët përkatës.

“Nuk ka kërkesë nga Veliaj për ta takuar Gogun. Ai nuk mund të shkojë në orën 22:30 të darkës. Nëse do të shkonte për zbatimin e detyrës, duhet të shkonte në mënyrë zyrtare, jo të takonte për një orë e gjysmë një person nën hetim në zyrën e drejtorit të burgut. Nëse ka qëllim të inspektojë kushtet në burg, duhet të shkojë me inspektorë”, u shpreh Ndreca. bw

Reportazhi i ‘Channel 5’: Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, e akuzojnë se është nën ndikimin e krimit! Koçeku: Banorët nuk janë pyetur kurrë për projektet

Në një reportazh të ‘Channel 5’ me gazetarin amerikan Andrew Callaghan, ku u trajtua gjerësish protestat e Flamingove, foli edhe kryeministri Edi Rama, i cili u vu në vështirësi kur u pyet në lidhje me akuzat për lidhje me krimin dhe korrupsionin. Madje ai braktisi edhe intervistën.

Po në atë reportazh foli edhe deputetja e pavarur, Marjana Koçeku, e cila komentoi projektin e Zvërnecit.

Koçeku thekson se bëhet fjalë për një çështje me rëndësi kombëtare, pasi Zvërneci është një zonë e mbrojtur me vlera të jashtëzakonshme mjedisore, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë rajonin e Mesdheut.

Po ashtu, deputetja Koçeku ka ngritur edhe shqetësimin e moskonsultimit me qytetarët për projektet me rendesi kombetare.

“Kjo po ndodh në Zvërnec, bëhet fjalë për një çështje me rëndësi kombëtare, që lidhet me një zonë të mbrojtur, një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë Mesdheun. Kjo zonë karakterizohet nga një biodiversitet unik dhe habitate të veçanta që strehojnë specie të rrezikuara. Pra, e gjithë kjo po ndodh në një hapësirë ​​kaq të veçantë, e cila përmban monumente natyrore për krijimin e të cilave janë dashur shekuj, por që tani gjendet papritur nën presionin e investitorëve të huaj, pa u marrë fare mendimi i njerëzve”, ka deklaruar deputetja. Panorama

Sondazhi i Noto: Opozita mund PS në Tiranë. Ja shifrat…

Opozita mund Partinë Socialiste në Tiranës. Këto janë të dhënat e nxjerra nga një sondazh më i fundit i bërë për llogari të Syri-t.

Sondazhi tregon të dhëna interesantë të rritjes së partive opozitare, ku duket qartë se Partia Demokratike me koalicionin e saj, së bashku me partitë “Shqipëria Bëhet” dhe partia “Mundësia” janë fituese në Tiranë me 48.5%, kundrejt 42% të Partisë Socialiste.

 

Prej muajsh, Shqipëria ndodhet në një krizë të rëndë politike, ndërsa mijëra nxënës të shkollave të mesme, studentë dhe pedagogë universitetesh janë ngritur në protesta dhe revoltë kundër qeverisë së Edi Ramës. Protestës i është bashkuar edhe Partia Demokratike dhe forca të tjera politike.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e parevokueshme të kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, e cila do të përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të pranuara nga të gjitha palët.

Në këtë klimë të tensionuar politike, kompania e njohur italiane e sondazheve, “Istituto Demoscopico”, e njohur edhe si “NOTO”, ka realizuar një sondazh ekskluziv për SYRI-n, ku ka pyetur qytetarët se për cilën parti politike do të votonin nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin ditën kur ata janë intervistuar.

Sondazhi është realizuar në periudhën 18–27 tetor 2026, në një kohë kur vendi po përjetonte protestat dhe revoltën studentore, si dhe përshkallëzimin e krizës politike. Kampioni i sondazhit përbëhet nga 2,000 qytetarë të intervistuar. Nga përpunimi i të dhënave është evidentuar mbështetja për partitë politike opozitare dhe partinë në pushtet. Marzhi i gabimit të sondazhit është plus/minus 3.3%.

Sipas rezultateve të sondazhit të realizuar nga NOTO për SYRI-n, mbështetja për partitë politike paraqitet si më poshtë:

•          Partia Socialiste e Shqipërisë: 42%

•          Koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike: 37.5%

•          Partia Mundësia: 6%

•          Nisma dhe Shqipëria Bëhet: 5%

•          Lëvizja Bashkë: 4%

•          Koalicioni i Djathtë për Zhvillim (DZH): 2%

•          Partia Socialdemokrate: 1.5%

•          Koalicioni Euro-Atlantik (KEA): 1%

•          Lëvizja Atdheu (LA): 0.5%

•          Partia Aleancë Kombëtare Shqiptare: 0.3%

•          Partia Aleanca për Demokraci dhe Drejtësi (ADR): 0.2%

Image

 

Ndreca: Veliaj është i bindur që pas arrestimit të tij qëndron Edi Rama

TIRANË- Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka deklaruar se pas arrestimit dhe situatës së krijuar ndaj kryebashkiakut të Tiranës qëndron kryeministri Edi Rama. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” nëse Veliaj ka dyshime se pas arrestimit të tij qëndron Rama, Ndreca u përgjigj shkurt: Po.

Avokati argumentoi se dyshimet e tij lidhen me zhvillimet gjatë gjithë procesit, duke veçuar si provë sjelljen pas transferimit të Veliajt dhe qëndrimin e Ministrit të Drejtësisë. I pyetur nëse ekziston një konflikt mes Erion Veliajt dhe ish-zv.kryeministres, Belinda Ballukut, Ndreca u shpreh se nuk ka informacion për një përplasje mes tyre.

Avokati foli gjithashtu për ndikimin që situata e krijuar mund të ketë në të ardhmen politike të Veliajt brenda Partisë Socialiste. Ai tha se nuk ka informacion se cili do të jetë qëndrimi i tij politik në vijim, pasi nuk kanë diskutuar për këtë çështje.

Megjithatë, Ndreca e cilësoi situatën si një moment tronditës edhe për të si socialist, duke kujtuar se Veliaj vijon të jetë anëtar i Kryesisë së PS-së, drejtues politik i qarkut Tiranë dhe kryetar i PS-së së Tiranës. Ai theksoi se nuk mund të parashikojë se si do të sillet Veliaj politikisht në vijim, pasi nuk kanë pasur komunikime për këtë çështje.

Pjesë nga intervista: 

Gazetari Blendi Fevziu: A ka dyshime Veliaj që mbas dënimit, mbas arrestimit i qëndron Rama?

Ndreca: Sapo e thashë po.

Gazetari: Po. Ku i mbështet këto dyshime?

Ndreca: Këto janë dyshime të gjithë procesi dhe prova fundore është sjellja mbas transferimit dhe sjellja e ministrit të Drejtësisë, i cili ka thënë hapur.

Gazetari: A ka një konflikt mes Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut?

Ndreca: Nuk kam informacion që ka një konflikt.

Gazetari: Ndërkohë, cili do të jetë qëndrimi i Veliajt, se ju ndoshta se dini, nga qelia në raport me të qenit një prej drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste? Është kryetar i Bashkisë së Tiranës i zgjedhur dhe anëtar i Partisë Socialiste, anëtar i lartë i Partisë Socialiste. Cili do jetë vijimi i mëtejshëm i tij?

Ndreca: Nuk kam një informacion se çfarë sjellje politike do ketë në vijim zoti Veliaj, por ajo që mund të them është që kjo, kjo situatë apo ky moment është vërtet një moment tronditës edhe për mua si socialist dhe për një prej personave që ne bashkë kemi qenë shpesh në debate ku unë kam mbrojtur PS.

Gazetari: Po, ju e keni mbrojtur kauzat e PS-së edhe kur kanë qenë pak të pambrojtshme, po.

Ndreca: OK, ky është diskutim tjetër, por unë kam qenë këtu për të mbrojtur Partinë Socialiste, pra jam përfaqësues i Partisë Socialiste, kam qenë deputet i Partisë Socialiste dhe realisht është një moment tronditës si për mua si socialist, jo vetëm si avokat i zotit Veliaj, por sigurisht edhe për zotin Veliaj, i cili është anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste sot që flasim, është drejtuesi politik i qarkut Tiranë sot që flasim dhe është kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës sot që flasim, përveç se kryetar i Bashkisë së votuar nga socialistët e Tiranës. Dhe për rrjedhojë, patjetër që do ketë efekte edhe në sjelljen politike të zotit Veliaj. Se si zoti Veliaj do komportohet në vijim, nuk kam informacion, se s’kemi folur./Dosja.al


Send this to a friend