Shpifjet e Rudolf Markut: objekt studimi në universitetet britanike
Më 7 korrik të 2005 një seri shpërthimesh ne metropolitanen e Londrës marrin jetën e 52 personave. Dy javë më vonë, më 20 korrik, gazeta shqiptare Bota Sot, e botuar në Zvicër nga Xhevdet Mazrekaj dhe me kryeredaktor Skënder Buçpapaj, publikon artikullin Një skandal i ambasadës shqiptare në Londër, me autore Janifer Partosh. Artikulli, që i referohet Daily Mail-it, akuzon drejtpërsëdrejti korrespondentin e disa medieve shqiptare, Muhamed Veliu, për marrëdhënie me komunitetin islam pakistanez dhe sidomos me njërin prej atentatorëve, Mohammad Sidique Khan, i cilësuar si mik i ngushtë i gazetarit shqiptar. Gjithashtu e akuzuar rezulton edhe ambasada shqiptare në Londër, pasi, sipas Partosh-it, Veliu ka ndërmjetësuar takimet mes terroristit të ardhshëm Khan dhe përfaqësisisë diplomatike shqiptare.
Veliu, pasi i kishte dhënë kohë gazetës për ta përgënjeshtruar lajmin, i drejtohet gjykatave britanike, duke bërë padinë përkatëse, rezultati i së cilës është një vendim gjykate i 11-07-2006, që e ndëshkon gazetën Bota Sot me 175.000 £ gjobë, aq sa shuma tërheq edhe vëmendjen e The Guardian-it të kohës. Para vendimit gjyqësor, në muajin maj, gazeta duket e detyruar të ndryshojë pronar.
2.
E ndodhur nën presion, Bota Sot përpiqet të shfajësohet me një artikull të botuar në dhjetor 2005, por tashmë me vonesë, sepse padia ishte dorëzuar. Në thelb Janifer Partosh nuk ekzistonte, dhe këtë e konfirmon dokumenti i gjykatës. Në këtë ndjesë të vonuar shkruhet se artikullin e firmosur nga Partosh ia kishte sjellë redaksisë një “publicist me autoritet”, ish-deputet, ish-numri dy i ambasadës shqiptare në Londër, “miku personal i Skënder Buçpapajt”, shkrimtari Rudolf Marku.
3.
Pjesë e shpifjes ishte edhe emri i Kastriot Islamit, atëherë ministër i jashtëm i Shqipërisë. Sipas Partosh-Markut gazetari Veliu jo vetëm kishte negociuar takimet e Khan-it me ambasadën shqiptare, por ai po përpiqej të ndërmjetësonte një takim mes tij dhe ministrit Islami. Imazhi i Shqipërisë në këtë tablo del skëterrë, por kjo pak e shqetëson Partoshin nga Lezha. Ai, si “i djathtë”, përpiqet të nënvizojë mistikën e mes fundamentalizmit dhe të majtës (shqiptare), pasi njihet mjaft mirë valëvitja e fetarizimit të Berishës nga zëra të majtë ose të tjerë që, të deklaruar si të djathtë, ndodhen në pararojën publike-mediatike të kurdisjes së ndonjë shantazhi për zhvatje. Nuk ka ndryshuar mendim as sot, madje sërish tek e njëjta gazetë, e cila vetë ia zbuloi identitetin si Janifer Partosh dhe vetë i merr/përcjell intervista, të shoqëruara nga foto me libra në krah, si njeri i mendimit.
4.
Marku s’është i ri në këto marifete. Në një intervistë dhënë Belina Budinit për Shekullin (2006) shfaqet si profesor i ‘letërsisë ballkanike’ në Birkbeck University të Londrës. Adrenalina e shtyn Veliun të kërkojë informacione pranë këtij universiteti, ku zbulon, nga vetë zyra përkatëse, se një emër i tillë nuk figuron në listën e stafit akademik.
5.
Mungesa e respektit e Markut për veten, fillimisht, dhe pastaj për lexuesin, vendin ku botohet e atë çka pretendon të përfaqësojë është shqetësimi i fundit për ne, por nuk mund të mos jetë shqetësim e pështjellim ky zaptim i hapësirave të mendimit, katandisja e mediave shqiptare, militantizmi arrogant, gjuha denigruese dhe braktisja e profesionalizmit, shpifja ndaj tjetrit dhe ndaj vendit tonë për qëllime meskine, personale e grupesh interesi. Me gjithë këto kredenciale, Marku gjen ndër vite hapësira të konsiderueshme te gazeta Mapo. I serviret lexuesit për opinione të lidhura kryesisht me vlerat, ku gjykon, fajëson dhe orienton duke bërë ekspertiza letrare, gjuhësore, sociologjike, etnografike, antropologjike, historiografike, politike e gjeopolitike. Edhe pse sollëm në vëmendjen e lexuesit një plagjiaturë të pastër të tijën, akoma e freskët te Mapo, sërish gazeta e boton. Në vend që ta respektojë lexuesin, ofron përsëri dhe përsëri mendimtarin Marku.
6.
Akti i fundit i kësaj tatëpjete shqiptare është vlerësimi i subjektit me çmime kombëtare, mundësisht nga juri me pjesëmarrës të fosilizuar, që të kujtojnë ca kohë mjerimi jo shumë të largëta. Emri i respektuar i At Zef Pllumit, vuajtja nga diktatura që ai mishëron, përdoren për të certifikuar mendimin e personazheve si Marku apo të ndonjë oborrtari të atij regjimi. E kështu shpifësi pastrohet, dhe, sikur nuk ka ndodhur asgjë, kumbon më fuqishëm, natyrisht me të njëjtat metoda e mendësi.
Ironia duket se nuk ka të sosur. Kryetari i jurisë i këtij çmimi për vitin e shkuar, Mark Marku, me sa raportonte Mapo, deklaronte se “ky çmim është një kontribut në orientimin e lexuesit, por dhe vetë sistemit të vlerave në letërsi e publicistikë”. Kemi të bëjmë me një komision jo thjesht vlerësues por orientues, në vijimësi me formatin e trashëguar nga regjimi, pa çka se çmimi bart emrin e një antagonisti të regjimit dhe, me ndonjë përjashtim, jepet nga persona me karrierë pikërisht si flamurtarë të antiregjimit. Ajo çka t’i vret sytë, për ta thënë me eufemizëm, është ky sistem i promovuar vlerash nga vorbulla e orgjisë së mendimtarëve, që ndryshojnë nga vlerësues në të vlerësuar, duke ia ngecur çmimet njëri-tjetrit: Mapo dhe UET, drejtpërdrejtë ose me produkte, janë në përqindjet atmosferike të azotit. Pastaj kush ka interes për një tipologji vlerash mund të lexojë artikullin më të fundit (botuar nga Panorama) mbi shënjestrën gati të preferuar të njërit prej gjykatësve të komisionit orientues, Agron Gjekmarkaj: denigrues që në titull.
S’ka dyshim që ky do të vlerë-sojë Rudolf Markun dhe nga ky këndvështrim shkrimtari është gati-gati, në mos “viktimë”, i përdorur: të ndodhur në këtë situatë vlerash, kuptohet përse spikat kaq natyrshëm dhe i qetë Marku, alias Partosh, Profesor, Jones e kushedi çka tjetër. Ndërsa tashmë shpifja e tij ndaj Veliut është pjesë e manualeve britanike si rast emblematik: Handbook of Social Media and the Law, të Laura Scaife (botim i Routledge). Të ngushëllohemi me këtë arritje tonën dhe kontribut të Markut e të gazetarisë shqiptare.
***
Po sjellim për vëmendjen e lexuesit edhe artikullin e Janifer Partosh – Rudolf Markut botuar nga Bota Sot më 20 korrik të 2005./
Ky tekst është marrë nga www.postbllok.com
PS Për t’i shkruar deri në fund të vërtetës do të japim shpjegime në ditët në vijim.
Shpifjet e Rudolf Markut: objekt studimi në universitetet britanike



Komentet