Deputeti socialist në Qarkun e Tiranës, Artan Gaçi në një intervistë dhënë për Panoramën jep një përgjigje që lë vend për interpretim sa i takon dekriminalizimit të vendit. I pyetur mbi akuzat e opozitës për deputetë të inkriminuar në PS në një kohë që Ndoka dhe dorëheqjen dhe Prenga u përfshi në një konflikt me armë, deputeti Gaçi ka një qendrim që hap debat. Ai thotë se e sheh këtë nga një këndvështrim tjetër duke pohuar se kjo ishte mënyra e ruajtjes së votës që sipas tij, vidhej nga e djathta.
“Dua ta shoh nga një këndvështrim tjetër duke mos parë pasojë, por duke u nisur nga shkaku pse erdhëm deri këtu.
Në vitin 2009 rezultati ishte shumë i ngushtë, pati një presion të jashtëzakonshëm nga PD sepse vinte pas Gërdecit. E gjithë administrata e policia u angazhua në fushatë pa lënë pas dore dhe gjithë kriminelët që nxorën me leje javën e zgjedhjeve”, thotë deputeti ndërsa shton: “Kjo ka qenë një metodë historike e PD-së duke përdorur elementë të inkriminuar. Ishte shteti me bandat që fitonte zgjedhjet jo njerëzit e ndershëm e shpresëplotë që na votonin pa mundur që vullneti i tyre të shndërrohej në përfaqësim politik sikurse ata kishin votuar”, thotë Gaçi teksa kujton edhe grevën e urisë : “Tentuam një grevë urie për transparencë, unë isha pjesë e saj, duke kërkuar hapjen e kutive. Kjo nuk u arrit sepse manipulimi ishte brenda në kuti.
Në 2011-ën Rama i fitoi zgjedhjet dhe më pas ato u manipuluan përmes rregullave të vendosura nga KQZ-ja duke rinumëruar kutitë.
Njerëzit ishin tejet të zhgënjyer me ne sepse ata po votonin dhe ne nuk po mundnim të ruanim votat e tyre”.
Kjo do të thotë se PS iu përgjigj me të njëjtën monedhë PD-së?
“Vijmë në vitin 2013. A mund të rrezikonim ne dhe të thoshim se na i vodhën votat përsëri?! Unë e kam bindje se nuk do të ekzistonte më opozita nëse populli do na votonte dhe bandat do të tjetërsonin votën.
Këtu luheshin fatet e vendit dhe jo të Partisë Socialiste.
Imagjinoni se çfarë dite do ishte nëse më 24 qershor 2013 fitues do shpallej Sali Berisha?! Çfarë drame do ishte për shqiptarët? Ne do ta lejonim këtë rrënim të mëtejshëm të vendit?!
Atëherë për të mbrojtur votën që hidhej për Partinë Socialiste ne kontaktuam njerëzit më me influencë në komunitetet e tyre për të ruajtur votën.
Na duheshin njerëz që i rezistonin presionit dhe kërcënimeve të banditëve të PD”, thotë deputeti i PS në intervistë ndërsa përmbyll duke pohuar se sipas tij dekriminalizimi është thjesht propagandë politike.
Komentet