EVA DELIA/ Në kërkesën e Prokurorisë së Krujës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” në ngarkim të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit të PS-së, Rrahman Rraja, renditen të gjitha provat, faktet penale dhe dëshmitë që konfirmojnë dhunën e përndjekjen ndaj Xhisiela Malokut.
Gazeta “Panorama” publikon dosjen e plotë të Prokurorisë, ku ndër të tjera pasqyrohet edhe dëshmia e të arrestuarit, 24-vjeçarit Rraja, dhënë në organin e akuzës një ditë para se të përfundonte në qeli. Ai ka mohuar gjithçka.
Madje, edhe pasi është njohur me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, ku përcaktoheshin shenjat e dhunës dhe djegies me cigare, Rexhep Rraja thotë se nuk ia ka shkaktuar ai, por mund t’i ketë marrë diku tjetër. Sa i përket një debati në rrugë, për të cilin Xhisela Maloku bashkë me të motrën kanë lajmëruar Policinë, ai shfajësohet duke thënë se vajzat po bënin manovra me makinë në rrugë, duke i rrezikuar jetën, por ai nuk i ka njohur.
Më pas ka debatuar në rrugë, pasi janë ndaluar makinat. Nga ana tjetër, Xhisela ka rrëfyer me detaje dhunën dhe kërcënimin në hotel “Boçi”, pamjet e kamerave të sigurisë së të cilit janë administruar si provë nga oficeri Emiljano Nuhu. “Nuk do të të vras, do të të plagos, dua të vuash, jo të vdesësh”, deklaron Xhisela t’i ketë thënë Rexhep Rraja pas një sms-je që i kishte dërguar shoqja e saj, nga i cili ka marrë shkas dhuna.
Më pas ajo thotë se ka dalë para nga hoteli dhe Rexhepi e ka përqafuar duke i kërkuar falje. Kjo provohet edhe nga pamjet filmike, ora e të cilave përkon me atë që deklaron e dëmtuara.
KËRKESA E PLOTË E PROKURORISË SË KRUJËS PËR ARRESTIMIN E REXHEP RRAJËS
Më datë 23.07.2018, nga ana e Komisariatit të Policisë Krujë janë përcjellë materialet hetimore në ngarkim të shtetasit Rexhep Rraja. Lidhur me këtë fakt, kjo Prokurori ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të të hetuarit Rexhep Rraja për veprën penale të “Përndjekjes” parashikuar nga neni 121/a i K.Penal.
Nga aktet e administruara në procedimin penal rezulton se: Shtetasi Rexhep Rraja prej disa vitesh ka qenë në një raport dashurie me viktimën Xhisela Maloku. Palët janë njohur para shtatë vitesh në komunën Nikël të qytetit të Krujës dhe mes tyre ka pasur një raport intensiv lidhje dashurie.
Konkretisht, shtetasja Xhisela Maloku me banim në komunën Nikël të qytetit të Krujës, fillimisht më datën 21.07.2018, pranë Komisariatit Nr.3 të qytetit të Tiranës ka kallëzuar faktin se në mënyrë të përsëritur, në episode të përsëritura dhe prej një viti përndiqet nga ana e shtetasit Rexhep Rraja.
Më datën 21.07.2018, përpara oficerit të Policisë Gjyqësore në Stacionin e Fushë–Krujës, shtetasja Xhisela Maloku është shprehur se ka ardhur pranë këtyre ambienteve me qëllim që të tërheqë kallëzimin e bërë pranë Komisariatit Nr.3 Tiranë, pasi gjithçka është bërë për motive xhelozie.
Po më datë 21.07.2018, sikundër rezulton nga aktet e procedimit penal nr.371 të vitit 2018, në ngarkim të oficerit të Policisë Gjyqësore Gentian Çitozi është regjistruar procedimi penal për veprën penale të parashikuar nga neni 248 atë të “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me veprimet e paligjshme dhe trajtimin preferencial në ngarkim të të hetuarit Rexhep Rraja.
Gjithashtu rezulton se faktet e referuara nga ana e oficerit të Policisë Gjyqësore janë referuar në mënyrë të cunguar me qëllim lehtësimin e pozitës procedurale të shtetasit Rexhep Rraja. E ripyetur lidhur faktin penal, më datë 23.07.2018 viktima Xhisela Maloku shprehet se në vazhdimësi përndiqet nga ana e shtetasit nën hetim Rexhep Rraja dhe se më datë 19.07.2018, pasi është telefonuar nga ana e të hetuarit në mënyrë konsistente dhe janë takuar në vendin e quajtur Hotel “Boçi”, me vendndodhje në rrugën e Rinasit, hotel në të cilin i hetuari ka kërcënuar me armë, i ka thyer telefonin vajzës.
Sapo janë futur në dhomë, personi i hetuar ka filluar të ushtrojë dhunë duke e goditur me shkelma, i ka fikur cigaren në trup duke i thënë “trego ku do shkosh se do të të vras këtu”. Shkak për këtë është bërë një sms dërguar viktimës nga rrethi shoqëror i saj, konkretisht nga shtetasja Suela Z.. Këto kërcënime i hetuari i ka vazhduar për 15 minuta, duke i thënë viktimës “nuk do të të vras, do të të plagos. Dua të vuash e jo të vdesësh direkt…” Më datë 20.07.2018 viktima është paraqitur pranë Komisariatit Nr.3 të qytetit të Tiranës me qëllim paraqitjen e ankimit.
Komentet