Këtë po e pasqyroj me një nga episodet që më ka ndodhur në aktivitetin tim si kryetar i Shoqatës për kthim dhe Partisë Republikane të Kosovës. Gjatë aksionit 1 mujor (5 shtator – 5 tetor 1990) kishim grumbulluar dhe shpërndarë: 49.640 kg. miell, 1.066 litra vaj, 300 kg. sheqer, 110 kg. kripë, 52,5 kg. makarona, 57 pako detergjent “Biljana”, një kamion me rroba dhe 31 pako tjera me rroba. I gjithë aktiviteti 1990-1999, është bërë në mënyrë vullnetare pa asnjë kompenzim finansiar apo material, përkundrazi, aktivitetet nga të gjithë veprimtarët pa përjashtim janë bërë me mjete finansiare personale apo familjare…! Aksioni si i tillë kishte vështirësi dhe rreziqe të shumta, jo aq në grumbullimin e ndihmave, se populli ishte jashtëzakonisht shumë solidar dhe i gatshëm të ndihmojë… Por, vështirësitë paraqiteshin kur duhej të sigurohej transporti dhe dorëzimi i këtyre ndihmave atje ku ishin planifikuar të dërgohen. Me këtë rast kur i derguam kamionin me 20.075 kg. miell në Mitrovicë, destinuar minatorëve të Stan Tërgut, për shkak të pasigurisë nga policia serbe dhe rrezikut që të mos na konfiskonin miellin dhe të kemi mjaft probleme me ta, ishim të detyruar që transportin ta bëjmë në orët e mbrëmjes…
…Kur arritëm me kamion në Mitrovicë, ishte diku pas orës 20:00 dhe përfaqësuesit e Shoqatës që na pritnin, na treguan se është vonë dhe se miellin dhe rrobat minatorëve nuk mund t’ua shpërndajmë sonte, por po i dërgojmë në një dyqan aty afër, dhe nesër do ta bëjnëata vet shpërndarjen… Arritëm tek objekti ku e kishin paraparë ta zbraznim kamionin, aty nuk kishte kush ta zbraz, kështu që, meqenëse ishte vonë dhe kohë e rrezikshme, nikoqirët nuk e dinin kënd ta ftonin që ta zbraznim kamionin… Ishte vonë, kurse ata një kohë të gjatë humbnin duke u konsultuar se kujt t’i drejtoheshin për ndihmë. Kur e pashë një situatë të tillë, hoqa sakon dhe vet fillova t’i zbraz thasët e miellit dhe i vendosa në dyqanin e paraparë, që në çastin kur fillova me zbraz kamionin… Isha bërë bardh nga mielli… në atë moment erdhën disa qytetarë të Mitrovicës, dhe meqenëse i njihnin nikoqirët tanë dhe e dinin se mielli ishte ndihmë për minatorët dhe familjet e tyre, iu drejtuan nikoqirëve, me këto fjalë: …Sa po e paguani bre këtë “hamball” që po e zbraz kamionin, më mirë të na kishit marrë ne, e do të na kishit paguar, apo si kompensim do të na kishit dhënë miell… Me atë rast, u krijua një atmosferë e zymtë dhe nikoqirët në heshtje, me zë të ultë dhe me gjeste atyre u thoshin të heshtin,… Mos flisni more se është turp, ky është Kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Kosova dhe Kryetar i Partisë Republikane të Kosovës, Reshat Nurboja. Ata, atëherë menjëherë heshtën, ngase, sipas emrit më njihnin, por me pamje jo… Njëri nga ta, nuk mundi të durojë dhe prapëseprapë, me zë e dha një vlerësim apo konstatim të tij, që në mënyrë më të mirë mund të identifikohet me botëkuptimet e mentalitetit të pjesës dërmuese të popullit shqiptar: Çfarë kryetari ky more, a po shihni si është bërë, mos u tallni,…?! Mua, m’u drejtua: më fal, nuk dua të ofendoj, por këta po tallën sa po të paguajnë, se lëreni ore,… ku keni parë që kryetari të merret me ngarkimin dhe zbarkimin e kamionëve me miell dhe ate me ndihma, pa kurfar dhe ate me ndihma, pa kurfarë interesi…
Unë vazhdoja punën, kuptohet se të gjithë nikoqiret, nuk ia kthyhen atyre përgjigjen por m’u bashkëngjiten në zbrazjen e kamionit…dhe tani nuk më kujtohet, a buzëqeshja më shumë nga inati apo nga injorimi i tyre… Pasi vërtetë u binden se jam kryetari, i vinte keq, dhe të gjithë më kërkuan falje, e pastaj, edhe ata që komentonin në fillim mu bashkëngjitën për zbarkimin e miellit nga kamioni,por me ndërgjegjen e lënduar të tyre e arsyetonin me angazhim shtesë gjatë ngarkesës së tyre me nga dy thasë miell në dallim nga ne qëe zbraznim 1 nga 1…….!
Këto ndihma të grumbulluara, janë ndarë sindikatave të pavarura, shoqatave të ndryshme
dhe familjeve të varfra, dhe atë:
Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Stan Tërgut, 20.075 kg. miell dhe një kamion përplot të mbushur me rroba, të cilat ishin të paketuara, Sindikatës së Pavarur të Radio-Televizionit të Prishtinës, 4100 kg. miell, Sindikatës së Pavarur të Minierës Kishnicë Novobërd, 9100 kg. miell, LDK-së dega në Vranjevc, 9775 kg. miell, Bashkimit të Rinisë Demokratike të Kosovës-Turiqevc, 25 pako rroba, Motrave- Misionareve të Dashurisë “Nëna Tereze” në Pejë. Kurse, për familjet që ishin nën përkujdesjen e tyre; 450 kg. miell, 47 litra vaj, 30 kg. sheqer, 25 kg. kripë, Sindikatës së Pavarur të Kombinatit të Lëkurë Këpucëve në Pejë, për 26 familje i janë dhënë: 750 kg. miell, 74 litra vaj, 32 kuti detergjent, 18 kg. makarona, Shoqatës “Nëna Tereze”- nëndega Kapeshnicë/Pejë: 6 pako me rroba, 53 familjeve të varfra në Komunën e Pejës, të cilat kanë emër dhe mbiemër dhe janë evidentuar në dokumentacionin e Shoqatës, por të cilat nuk i pasqyroj në këtë libër se nuk është e nevojshme. Ata e dinë se kush janë dhe shumë herë i kanë shprehur falënderim Shoqatës, që u është gjetur pranë në kohëra të vështira ekonomike, u është ndarë: 1590 kg. miell dhe 180 kg. sheqer.
Komentet