Roma, 16 dhjetor 1920
I dashur mik,
Siç te telegrafova, Shaqua hyri në Kolegjin e Shën-Mitrit të Koronës, ku ka për shok’e vëllezër, përveç t’im-nipi (të cilin e porosita që t’a ketë kujdes në mënyrë të posaçme nipin e Bajram Currit), edhè të pakën 50 shqiptarë të tjerë. Shaqua s’e di fare italishten e në Kolegjin Italo-Shqiptar të Kalabrisë do të mundë t’a mësojë më lehtë se kudo gjetiu.
Për ta hequr s’andejmi e për t’a çuar më ndonjë tjetër vënd e shkollë t’Italisë ka me qenë fort kollaj pasí, fjala vjen, të ketë mësuar italishten e të ketë marrë liçencën e gjimnazit. E porositëm pastaj, në mënyrë të posaçme, për Shaqon, edhe Kryetar-Rektorin e Kolegjit të Shën-Mitrit të Koronës.
Në Shqipërí punët, edhe pas formimit të Qeverisë së ré, s’kanë gjetur fund. Tani ká dalë në shesh çeshtja e zgjedhjevet të réja politike.
Këtu kuvëndimet t’ona me Italinë kanë pushuar fare. Mehmet Konitza hoqi dorë si Kryetar i Dërgatës s’onë në Romë dhe u nis për Zvicër-Paris. Qazim Kokoshi me Eshref Frashërin shkuan në Tiranë të mirren vesh me Qeverin’e ré, së cilës edhe s’i dihet mendimi do të dërgojë a jo të tjerë delegatë në Romë për të vazhduar bisedimet me Qeverinë italiane e për të plotësuar pra marrëveshjen italo-shqiptare. Kanë mbetur në Romë, prej delegatëvet, duke pritur vendimin e Qeverisë, Monsignor Koletzi dhe Spiro Koleka. Gjer kët’orë që po shkruaj s’kam asnjë lajm mbi masat që mejton të marrë, osé i ka marrë, Qeveria e Iliaz Vrionit.
Që të mos zgjatem shumë, them se, pas mëndjes s’ime, është mirë që patriotët si Bajram Curri të gjënden sot në Shqipërí brënda. Vetja në vënd vlen shumë më tepër se hijeja për së largu. Në qoftë pra se i mbarove aty punët më të nevojëshme, nisu të dukesh kësaj ane.
Të fala me shëndet shum’e shumë Danit, djalit të tij Xhevatit, e gjithë shqiptarëvet t’atyshmë.
Të falet e të përqafos me mall,
Miku i yt
Sotir Gjika (firma)
P.S. Po të mbyll këtu një telegraf të Hysnisë. Më fal se t’a vonova tepër: harrova të t’a çoja me letrën e parë.
Roma, 23 dhjetor 1920
I dashur mik,
Duke marrë parasysh kohën që ka shkuar, të jap të drejtë të mejtosh se të dola nga fjala për letrën e gjatë, në të cilën unë, edhe për të vërtetën historike të tyren, doja t’i konsideroja objektivisht punët që kanë rrjedhur pas Protokollit të Tiranës. Po mungesa gjithsesi s’duhet kërkuar te vullneti im kurdoherë i pashuar në çështjet kombëtare: s’t’a kam dërguar gjer më sot atë letër pse tërë këtë kohën e fundit më ka pushtuar keq e s’po më lëshon (veç nga herët e tjera) një krizë morale e spirituale, krizë e prehtë e cila, duke më trallisur mëndjen, më ka çveshur energjinë t’ime normale. Andaj po të shkruaj edhè sot këtë letër të shkurtër sa të të përmbleth të rejat e fundit.
Të nqasurit e Shqipërisë në Lidhjen e Kombevet i mërgoi, nëmos i çduku fare e përfare, kërcënimet e reja kundër Vëndit t’onë. Në Konsultë kafshojnë buzën që lanë Inglinë t’u rrëmbejë nisiativën e të korrë, pra të gjitha pemët e asaj nisiative fort bujare. Sforza i kish dhânë urdhër Dërgatës italiane që abbinare[1] a, më mirë, procrastinare [2]çështjen e të nqasurit të Shqipërisë me atê të Shtetevet të Baltikut, pa dijtur, më parë, pikëpamjen e Inglisë e të Francës. Inglia pra u çfaq, që në krye të punës, për nqasjen e Shqipërisë dhe kështu delegatët italianë mbetën, si thotë fjala, me gisht në gojë. Të pakën tutte le apparenze[3] janë kundër Italisë. Duke folur mbi këtë argument, Castoldi, visibilmente afflitto[4], më tha, midis të tjeravet: non só cosa aspetta l’Italia che non assume ancora una netta linea di condotta nella questione albanese.[5] Në qarqet e Konsultës i peshojnë edhe riperkusionet në Shqipërí të sjelljes italiane në Gjenevë faqe çështjes s’onë. Munt të të vërtetoj se këto ditë kam vënë ré një frymë pajtonjëse më të gjërë se përpara.
Castoldi (të dërgon të fala) shkoi sonte për Vigevano për të kremtet, do të këthehet në Romë javën e parë të janarit. Tek vate të përshëndoshej me Kolecin e me Kolekën hapën fjalën mbi marrëveshjen. Koleka i u ankua për shumë gjëra që pasqyrojnë sjelljen përgjithësisht të Italisë në çështjen shqiptare e i tha, me sëpatët, se marrëveshja do të mos bëhet kurrë ashtu si do Italia.
Është lehtë t’i gjejë njeriu kleçkat po t’i kërkojë, po meritim është vetëm kur të gjejë shtegun e punës, se gjilpërat maj më majë s’venë kurrë.
S’kam marrë letra të tjera nga Gjeneva e nuk dij pra vate a jo në Paris Mosi, e as se ç’mejtojnë të bëjnë delegatët t’anë tani që Lidhja i sosi punët.
Këtu presim dita ditën Kokoshin dhe Curanin. Qeveria i dërgoi një telegram Kolecit (Kryetar i Dërgatës) me të cilin e porosit të presë istruksione të plota prej Kokoshit e Curanit. Kështu pra Dërgata e jonë në Romë mbetet e formuar prej katër vetash, me Curanin të rí.
Çoba u nis pardje mbrâma për Shqipërí. Zogolli niset këto ditë.
Të fala e të kremtet me shëndet.
I yti me besë
Sotir Gjika (firma)
P.S. Zyrën e Kuvêndit e çbëra krejt këto ditë.
Roma, 1 janar 1921
I dashur mik,
Po t’a dërgoj përsërí letrën e mbyllur këtu brënda të cilën, për fat të keq, posta m’a këtheu prapë pse drejtimi s’ishte shkruar siç duhej.
Si gjëra më të réja kemi: presim të vijnë këtó ditë në Romë Qazim Kokoshi me Tef Curanin për të vijuar kuvëndimet me Qeverinë italiane. Ahmet Zogolli u këthye përsërí në Shqipërí, ku do të fillojnë, për së shpejti, zgjedhjet politike.
Pasi u nqas Shqipëria në Lidhjen e Kombevet, Inglia e Franca do të dërgojnë në Shqipërí, besoj për së shpejti, përfaqësonjës të tyret e, kësisoj, marrëdhânat t’ona me Fuqitë e mëdhá t’Europës marrin një fytyrë fjeshtë zyrtare.
Tërmeti në Shqipërin’e poshtme e në të mesmen bëri dême të mëdhá: Tepelena me katundet u-prish fare; n’Elbasan ránë shumë shtëpira e shumë të tjera u çanë në një mënyrë t’atillë që njerëzia rron përjashta. Mijëra njerëz kanë mbetur pa strehë. Kjo bolbë s’i duhej sot në këtë ditë vëndit t’onë të varfër, por s’kemi se ç’bëjmë posa të keqen na e dërgoi Zoti.
Të përqafonj me mall
Sotir Gjika (firma)
Roma, 3 janar 1921
I dashur mik,
Të dërgova me telegraf një mijë Lira. Punës s’ime èdhe s’i kam dhânë fund të nisem a jó për në Shqipërí, po do t’i jap posa të vijë Kokoshi në Romë, prej të cilit do të lajmohem hollësisht mi gjendjen e zgjedhjevet.
Të dy delegatët i presim t’arrijnë këtu nesër a pasnesër. Ka shkuar një torpidinierë t’i marrë. Sonte niset së këtejmi për Tiranë Pandeli Cali. Hil Mosi gjëndet në Shqipërí. Fan Noli ndënji e pret istruksione prej Qeverisë në Gjenevë. Sipas Calit edhè Noli do të këthehet në Shqipërí. Robert Cecil-i j’u tha delegatëvet t’anë në Gjenevë se s’kemi më nevojë të mbajmë Dërgatë në Paris. Mosi vate edhe në kryeqytetin e Francës ku, bashkë me Midhatin, shkuan te Komisioni i Punëve të Jashtme, në Quai d’Orsay: u pritën me simpatí e përgëzime për hyrjen e Shqipërisë në Lidhjen e Popujvet e dëgjuan prej gojës s’antarëvet t’atij Komisioni se Franca do të dërgojë sa më shpejt përfaqësonjës në Shqipëri e të nisë kësisoj me Shtetin t’onë zyrtarisht marrëdhâna. Të shohëm pra a do tregohemi të zotët t’a ngasim anijen t’onë, pa e lënë të përpiqet pas ndonjë shkëmbi, të grykavet të ngushta nëpër të cilat do të lundrojë, tani që bota e madhe po na bën nderin e lartë duke na njohur si popull e të drejtën të rrojmë të lirë.
Të përqafoj me mall
Sotir Gjika (firma)
- Q. SH. F. 34 D. 35 Fl.250
Roma, 8 janar 1921
I dashur mik,
Unë e shkrova miemërin t’ënd fare çkoqur: e kanë ndërruar nëpunësit e postës. Kokoshi gjëndet në Romë. Erdhi ditën që të shkrova letrën e fundit. Curanin po e presim. As Castoldi s’është kthyer. Unë e lashë idenë e kandidaturës: duhej të kisha vajtur në Kolonjë një muaj përpara, tani është tepër mënuar e më vjen shum keq pra q’e humba këtë rasë.
Mësova se Mustafaj do të zgjidhet sigurisht. Gëzohem tepër se vetëm kështu do të mundë t’i mërgojë për fare retë e zeza me të cilat duan artificialisht t’a mbështjellin fytyrën e tij shqiptare “Patriotët e Shpëtimit”. E mësova se edhe zgjedhja e jote në Shkodër ësht’e sigurtë, tjetër arsye gëzimi doemos për mua. Po ti s’më ke zënë ngoje fare në letrat e fundit per la tua eventuale elezione[6]; as për kohën që mejton të rrish akoma në Napoli. Sido qoftë, ësht e mira të piqemi përpara se të nisesh për Shqipërí. N’e kërkoftë puna vij unë aty. Kam, pastaj, në projektet e mija, një udhëtim në Tiranë, në një kohë që të ndodhem në mbledhjen e parë të Parlamentit të rí.
Të përqafonj vëllezërisht
I yti
Sotir Gjika (firma)
- Q. SH. F. 34 D. 35 Fl. 252
Trieste, 19 prill 1921
TELEGRAM[7]
Gurakuqi Hotel Torino Napoli
Hasan Prishtina, i mbrritur nga Roma njofton emërimin tënd si Ministër i brëndshëm i Qeverisë së re. Stop. Telegrafomë saktësinë e pohimit. Gjika Hotel Savoia.
Gjika Savoia Trieste
Lajmi i pabesueshëm, sepse zgjedhja nuk ka gjasë.
Gurakuqi
[1] It : me çiftue
[2] It : me shtye, me zvarritë
[3] It : të gjitha paraqitjet
[4] It : i zemëruar haptas
[5] It : nuk di se ç’pret Italia për të patur një vijë të qartë qëndrimi në çështjen shqiptare.
[6] It. : për zgjedhjen tënde të mundëshme
[7] Telegrami është shkruar në italisht.
Komentet