Roma, 12 nëntor 1920
I dashur mik,
Letrën me çekun e mora. Zyrën edhe s’e kam mbyllur. Po të duash, sot e tutje shkruam në Via Salaria 94: edhè në drejtimin e gazetës letrat më vijnë me sigurí.
Nuk të kam shkruar se dua të të dërgoj një letër të gjatë mbi punët t’ona të këtushmet e pra jam e po mbleth elemente. Ki pakëzë durim.
Njëditëzaj u nisën për në Gjenevë Fan Noli, Hil Mosi dhe Pandeli Cali të cilët, bashkë me Dr. Adhamidhin, venë të përfaqësojnë Shqipërinë në Shoqërin’e Kombevet. Sot arrijnë në Romë Bajram Curri me Hasan Danin. Plaku i Kosovës do të niset, pas nja 3 ditësh, për Vienë e shpije në shkollë të niprit; s’andejmi do të vejë n’Helvetí për fillin e Kosovës. I dhashë të falat e tua Castold-it.
Të përqafoj me mall
Sotir Gjika (firma)
- Q. SH. F. 34 D. 35 Fl. 226
Trieste, 18 nëntor 1920
I dashur mik,
Dje më 2 pasdreke arrita këtu: erdha bashkë me Bajram Currin; erdhëm për fillin e Kosovës. Èdhe s’jemi pjekur me kë na e dó puna. Pastaj Curri do t’heqë për Vienë e unë do të marr përsërí udhën që më solli, se m’a dó puna të këthehem sá më shpejt në Romë. Them madje se, me qënë se punërat e mija edhe s’i kam çitur e rregulluar, kisha interes që mos të largohesha nga Roma as për pak ditë; po e pashë, nga tjetra anë, se s’ish gjë e pëlqyer t’j’a bëja fjalën dy Bajram Kapedanit, i cili, përndryshe, m’u lut shumë t’a përcjell në këtë udhëtim e t’i ndih për të kryer misionin e tij.
T’isha zotuar të të dërgoja nga Roma një letër të gjatë mbi punërat t’ona. Të mos kish ardhur Bajram Curri në kryeqytet t’Italisë (atë kohë të shkurtër që ndêjti në Romë s’më lá të mirrja frymë) do t’a kisha mbushur zotimin t’im. Po sot, me ndryshimin q’erdhi në Qeverinë t’onë shumë nga sendet që kam dashur të të kallzoj kanë vetëm një rëndësí retrospektive. Në njërën nga letrat e mija të pata shkruar mbi tendencat që mbretëronin në Parlament e në Qeverí, midis ministravet: tendenca të cilat në kohën e pastajme erdhën e u mprehën më tepër, e epilogun e asaj krize e gjejmë pra tashtí nella liquidazione të Kryeministrit, Sulejman Delvinës. Ky nuk e dij përse, deshte t’a shtyjë tutje më tutje dërgimin e Komisionit Shqiptar në Romë për të plotësuar marrëveshjen t’onë me Italinë. Edhe për fakte e shkaqe të tjera që kanë të bëjnë përgjithësisht me veprën e zhvilluar prej këtij burri si Kryeministër i Shtetit shqiptar, rreth tij qe krijuar një atmosferë dyshimi e mosbesimi nëpër qarqet politike të Tiranës. Vendimi për t’a rrëzuar Qeverinë ishte pjekur qysh me kohë e kriza në Ministrí do të kish plasur me vajtjen e Mehmet Konitzës në Tiranë, po u lá për më tutje se Qeveria nga njera anë kishte hapur kuvendime me jugosllavët e nga tjetra elementët kundrështarë e gjykonim t’arësyeshme t’i mbaronte, me qënë se i nisi, Kabinet’i Sulejmanit marrëveshjet t’ona me Italinë.
Kështu e la gjendjen politike kur u nis, Bajram Curri. Ngjarjet na tregojnë se në Tiranë i paska mundur durimi.
S’e dij sa rëndon më tepër beu i Beratit që zuri këmbën e beut të Delvinës, pse nuk’e njoh; po këta soj burrash për mua janë të gjithë negativë. Sëmundjen, prej së cilës vúan keq Shqipëria, s’munt t’a shërojë shkenca e këtyre xheranjsh. Një nga faqet e zeza më karakteristike e më për të vënë ré të bejlerëvet shqiptarë është paturpësia e çuditëshme, me të cilën këta mostra i ngarkojnë vetes një barrë të rëndë, pa peshuar përpara forcën dinamike të supevet të tyre. Ke nevojë për një shëmbëll praktike? Pyeti bejlerët t’anë a bëhen Kryeministër: prej syresh 90% të paktën, do të të përgjigjen se po. E kjó është fatkeqësia m’e madhe për një vënd, si i yni, që sot del prej makthit e prej errësirës të një sundimi mizor e prapanik katër qind e ca vjetësh. Nuk dij se ç’fund mori kriza në Tiranë. Ditën që lashë Romën Castoldi më tha (duke u mbështetur pas lajmevet të marra prej Durrësi) se Iliaz Vrioni i qe përgjegjur Regjencës që vetëm po të mbeteshin nëpër zyrat e tyre të gjithë ministrat e sotmë mirrte përsipër kryesinë.
Frika se mos, me largimin e Sulejmanit nga Kryesia e Qeverisë, dalin në Tiranë vështirësí e ngatërresa për të formuar Kabinetin e rí, i tronditi fort delegatët t’anë në Romë të cilët, duke mos patur lajme drejtëpërdrejt nga Tirana (largimin e krizës na komunikoi Castoldi; Sulejmani rá të shtunë; gjer të Martën, 16 Nëntor, Dërgata s’kish marrë ndonjë komunikim zyrtar prej Tirane!), nuk dijshin as gjerësin’e krizës. Ata me përfaqësojësit e Qeverisë italiane kanë patur vetëm një mbledhje preliminare. Pritej të këthyerit e ministrit Sforza nga Kuvênd’i S.Margarita Ligure. Nuk di pastaj a e konfermoi Dërgatën t’onë Kryeministrí i rí. Përgjithësisht delegatët t’anë në Romë ndodhen në një gjendje di inferioritá morale e politica. Disá ditë më parë Sforza i dërgoj Castoldit një Notë, me porosí që t’i jepte Qeverisë s’onë komunikim verbal. Castoldi e këndoj dokumentin përpara Këshillit të ministravet t’anë. Nota, e shkruar me fjalë përtej masës t’ashpra, e padiste Qeverinë t’onë për gënjeshtare e interpretonte mendimin e saj për t’u tallur dinakërisht me qëllimet e thjeshta e të kulluara t’Italisë kundrejt Shqipërisë. Castoldi më tha se s’ka parë kurrë një dokument cosi acre e cosi violentemente offensivo[1] që një Ministër i një shteti t’i ketë dërguar Qeverisë të një tjetër shteti. Prej këtij preçedenti, ti munt të peshosh tani gjendjen morale të Delegatëvet t’anë, dhe prej paqes që Italia mbylli me Jugosllavinë munt të peshosh gjëndjen e tyre politike. Po të kish ardhur Dërgata jonë një múaj më parë në Romë, né do t’ishim, prej çdo pikëvështrimi, më të fituar. Shto pastaj se midis delegatëvet t’anë nuk mbretëron një njësí e një pajtim i plotë mendimesh; ata janë shokë e miq me sëpatë nënë gunët.
Të falem e të përqafonj me mall.
I yti
Sotir Gjika (firma)
- Q. SH. F. 34 D. 35 Fl. 227 – 230
Romë, 1 dhjetor 1920
I dashur mik,
Kam ditë që jam këthyer nga Trieshti e këtu mora dhe letrën t’ënde të 23 Nëntorit.
Nuk të kam shkruar se kam patur shumë punëra të mijat, zyrë etj., të cilat edhe s’i kam mbaruar. Posa të ngehem do të të dërgoj një letër të gjatë. Nga ana tjetër, veç turpevet t’ona, s’është prodhuar këtu ndonjë send me rëndësí, gjer më sot: ndonjë send, bie fjala, që të të zërë synë. Kuvëndimet e Dërgatës po ecin, për disá shkaqe, me çapin e breshkës. Mua më duket se italjanët heqin e s’këputin.
Besoj t’a kesh mësuar si u formua qeverija e ré. Me gjithë këtë, unë po t’i shkruanj emërat. Kryeministër, e interim i P. të Jashtme Iliaz Vrioni; i P. të Brëndëshme, Fuad Dibra; i Financavet, Tef Currani; i Mësimit, Kristo Floqi; i Luftës, Salahedin Peja; i Drejtësisë, Xhaferr Ypi.
Dërgata në Romë u rikonfermua, e po punon pra nënë kryesí të M. Konitzës.
Gjëndet këtu prej pak ditësh Ahmet Zogolli, që ka pasur si sekretar a si maggiordomo Jak Koçin. Dëgjova se ish-ministri i Punëvet të Brëndëshme dashka të vejë në Paris. Midis delegatëvet Monsignor Koleci më duket një figura equivoca.[2]
Të falem me mall
I yti
Sotir Gjika (firma)
- Q. SH. F. 34 D.35 Fl. 231
Romë, 4 dhjetor 1920
I dashur mik,
Edhè sot nuk po të shkruaj dot ashtu si dua unë, domethënë gjëra me lënk : s’më lenë ca halle të mijat, të cilat kam shpresë t’i mbaroj nga java. Po, që mos të të lé fare në t’errët e edhe pse po ndodhin ngjarje që t’i lipset doemos t’i dish, të shkruaj sot përsëri shkurtër e me nxitim.
Dërgata e jonë këtu, duke parë la tendenza dilazionaria[3] të Qeverisë italiane, e duke mos qenë gjer më sot e rikonfermuar formalisht e zyrtarisht si Dërgatë prej Qeverisë së ré (në letrën e fundit të lajmërova liksht), i pushoi kuvendimet ; të cilat, përndryshe, qenë ngarë me zemër të thyer e pa atë frymën pajtonjëse që formon, në të tilla rasa, kushtin e parë të përfundjes së mbarë. Mehmet Konitza hoqi dorë si Kryetar i Dërgatës që kish mbetur pas formimit të Qeverisë së ré ; nesër mbrëma nisen për Tiranë Qazim Kokoshi e Eshref Frashëri : venë, natyrisht, të kuptohen me Qeverin’e ré mbi shtetin e punëvet. Këtu, si delegatë in aspettativa,[4] mbeten Koleci e Koleka. M. Konitza do të niset, kujtoj, këto ditë për Londër se edhe si Kryetar i Dërgatës s’onë në Paris u emërua Midhat Frashëri (u kthye prej Amerike), me shokë : P. Janovangjelin, Sotir Kolenë dhe, siç dëgjoj, Hil Mosin. Gurra, sekretar i Mehmetit, do t’a lerë edhè ky Romën e, kujtoj, do të kthehet në Korçë.
Kuvendimet t’ona pra – në qoftë se përsëriten – do të mbeten doemos për disa kohë të pushuara. Të shohim se si do të mejtohet Qeveria e ré, e cila po e tregon me punë se ka të metat e çdo qeverie shqiptare. Ndër shqiptarët e këtushmë ka bërë përshtypje fort të keqe sjellja e delegatëvet italianë në Lidhjen e Kombevet faqe hyrjes së Shqipërisë n’atë Lidhje. Dhe kanë të drejtë. Qeveria italiane e kurseu, faqe popullit shqiptar, edhe në këtë rasë mirëdashjen e saj e u bë shkak t’a vështirësojë më tepër hyrjen e Shtetit shqiptar në Shoqërin’ e Kombevet. Po të përshkruaj këtu një pjesë të letrës së Hil Mosit që mora sot nga Gjeneva : “Na çudit pak sjellja e delegatit italian – nga i cili shpresojshim, dhe shpresojmë se do të kemi pështetje – kur na, për m’e forcuem se Shqipnia edhe sot âsht e njoftun zyrtarisht, thamë se Italia ka një ministër plenipotenziario në Durrës, ai tha se âsht vetëm si nji i dërguar për me bâ studime etj….. Kështu sot mësuam (29 – XI – ) se nënkomisioni nuk ka dhânë nji raportë aqë të mirë për ne, ndonse atë ditë (më 23 të muajit që doli kur i pat thirrur Lord Robert Cecil-i t’u përgjigjen të katër pyetjevet të vendosura për Shtetet e vogla, e që ti besoj t’i kesh kënduar nëpër gazetat) na u duk, se shumica e pjestarëvet të nën komisionit mbetën shumë të kënaqun nga përgjigjet t’ona.
Thuhet se ai (d.m.th. delegati italian) ka qitë mendimin, qi na të qasemi në mbledhje a titolo consultivo,[5] tue pasë të drejtë me marrë pjesë ndër mbledhje edhe me folë, por jo me dhânë votë. Nuk e dimë se ç’vendim ka me dhânë komisioni e mandej mbledhja e përgjithshme. Nja dy delegatë na kanë thânë, se si do qi t’jetë vendimi i Komisionit, ata kanë me folun për të mirën t’onë.”
Gjykó ti tani vetë a duhej të fliste ashtu si foli delegati italian e nxír pastaj konkluzjet t’ënde se ku munt t’a ketë fillin Consulta që nga njera dredhí hidhet te tjatra. S’e kam parë Castoldi-n gjithë këtë javë.
Rivistën që na kërkove (mua e Berattit) e për të cilin jemi turpëruar me ty (e fajin e ka Beratti q’e mori barrën përsipër t’a kërkojë e harroi), do të t’a dërgojmë së shpejti, n’e gjeçim. Dje m’u zotua formalisht Beratti se do t’a kërkojë pa tjetër. Numurin e Prillit të rivistës Politica do t’i a kërkoj zotit Coppola, se atë gazetarin Bianco që më shkrove, s’e gjeta dot.
Gjendet këtu Lec Kurti, i emëruar nënkonsull shqiptar në Bari. Të gjitha përpjekjet e Dërgatës s’onë që t’a njihte Qeveria e Romës kualitetin e Lecit shkuan kot. Castoldi j’u përgjegj Kurtit (që vate vetë e foli me tê për çështjen e tij) se non vogliamo più fare favori per ricevere dei calci.
Ime shoqe të falet me ndér, Leka e Lena të puthin dorën; unë të përqafoj me mall.
Sotir Gjika (firma)
P.S. Gjer kúr ké nder mënt të rrijsh aty?
A.Q. SH. F. 34 D. 35 Fl. 232 – 239
Romë, 8 dhjetor 1920
I dashur mik,
Njëdizaj të dërgova një letër pa fund! Edhê ti do t’jesh çuditur e do të kesh qeshur. T’a marrë dreqi, kur i ngjita fletët, njerën pas tjetrës s’e vura ré se më kish shpëtuar e fundit. E po t’a çoj tani, që më doli përpara, fundin e asaj letre.
Mehmet Konitza u-nis, dje mbrëma, për n’Helveti në Gjenevë. Do t’a kesh parë në gazetat se ne sivjet mbetëm – unë besoj prej kundrështimit t’Italisë – jashtë Lidhjes së Kombevet.
Të përqafoj me mall
Sotir Gjika (firma)
[1] It. : kaq t’athët e kaq egërsisht fyes
[2] It : figurë e dyshimtë
[3] It : prirjen zvarritëse
[4] It : në pritje
[5] It : me cilësinë e këshilluesit
Komentet