Roma 2 tetor 1920
I dashur mik,
Nuk të kam shkruar se unë gjith këto ditë s’para kam mundur e ime shoqe ka pasur ethe. Ajo u shërua e pra tani është fare mirë; mua më pushton një xgajtir’e përgjithëshme: është, natyrisht, konseguenca logjike e punimit të tepërt në të cilin e kam vënë veten pa kursim vjetët e fundit. Desha t’i përgjigjesha sot letrës s’ate (17 Shtator) e të hynja n’argumentin, sikurse desha të të shtroj shkurtas vështrimet e mia mbi Intezën e Vogël, por e shoh se s’më punon mëndja si duhet.
Mehmet Konitza erdhi, ndëjti këtu nja 4 ditë dhe dje mbrëma u nis për në Bari, dhe s’andejmi për në Tiranë. Udhëtojnë bashkë me të Milto Sotir Gurra, sekretar i veçantë i ministrit, dhe Eriekson-i, delegat i Vatrës.
Mehmet Konitza do të rrijë, më tha, nja dy javë në Shqipërí dhe pastaj do të kthehet përsërí në Paris. Brënda në këtë kohë do të mirret para së gjithash për të plotësuar marrëveshjen t’onë me Italinë dhe për t’emëruar përfaqësonjës përjashta. Mbi këtë çështjen e fundit pata volí të flas gjer e gjatë me Gurrën i cili, midis të tjeravet, më tha se i shkoka shumë fjala te Mehmet Konitza e m’a përshkroi këtë të fundit si një diplomat të hollë, i çveshur nga mërira e cmira personale, e si një njeri që paska për të bërë ç’të mundet për të mënjanuar veprimin e influencën e bejlerëvet në punët e Shqipërisë. Rá pra fjala mbi njerinë që duhet të përfaqësojë interesat t’ona në Romë. Gurra, pasi u bashkua me mëndjen t’ime se në Romë Shqipëria nuk duhet me asnjë mënyrë të përfaqësohet prej një cilitdò beu, kërkoi seriozisht të dijë prej meje se cili, nga të krishterët, duhet dërguar në Romë si ministër. Duke i shpieguar bashkëfolësit t’im me fakte e argumenta të vërteta rangun e rëndë e delikat që vjen të zhvillojë n’Itali përfaqësonjës’i ynë, i thashë se, pas mëndjes s’ime, askush tjetër do të mos i përfaqësonte dot interesat t’ona pranë Qeverisë Italiane më mirë se Gurakuqi.
Po t’a bëj të njohur këtë çirkostancë se ndofta dhe Qeveria vetë është në mëndjen t’ime e, në këtë mes, të të them, si mik, që përpara – në qoftë se do të kishe ndërmënd të më nderonje duke më pyetur kur t’a deshte puna që, për hír t’interesavet kombëtare, mos t’a bësh fjalën dy, në qoftë se Qeveria jonë të thërret të vijsh në Romë si përfaqësonjës i Shqipërisë.
Castoldi nuk dihet se kur do të vijë; po duhet të besojmë se, tani që vate Mehmet Konitza, punëvet të varura munt t’u jipet një fund i shpejtë. Kështu pra, në qoftë se Dërgata shqiptare ka për t’ardhur në Romë, lipset të gjëndet këtu të shumën nga mezi i këtij muaji.
Bashkë me tê ngjan të vijë edhe Castoldi. Dhe ahére, pa një pa dy, kam për t’a zgjidhur, përfare, çështjen e gazetës; çështje e cila, natyrisht, për mua ka rëndësí të madhe. Nga sa kuptonj, Defaçendis, i cili, siç të shkrova, tani drejton Zyrën Shqipëria e kujtonj se n’atë zyrë ka për të mbetur për shumë kohë. Defacendis pra s’ësht’i mëndjes që Qeveria italiane t’i ndihë sot e tutje një shtypi shqip në Romë sepse, nga pikëpamja italiane, ay nuk sheh nonjë dobí. Me qënë se ish konsulli i Italisë në Shkodër ësht’i prasmi që munt të pyetet për këtë punë e me qënë se kemi fjalën rrotull të pastajmes së Kuvêndit, unë dua të dij se ç’mejton ti, si më thua, bie fjala nga pikëpamja e interesavet shqiptare e dinjitetit t’im personal, a t’a vijoj gazetën me gjendjen e saj financiare si përpara? Se unë, të them të vërtetën, këto ditët e fundit po mejtohem thellë mbi oportunësinë t’a vijoj a të mos e vijoj gazetën: e kur mejtohem kështu, kam para sysh gjithënjë mentalitetin e shqiptarëvet, të cilët janë të lehtë në gjykime, të rrëmbyer e t’ashpër në kritika, e në disa punë as hiqen as ngiten. Do të ketë, pra, për mua, una influenza decisiva fjala jote mbi vendimin e afërm që kam për të marrë. Besoj se këtë fjalë do të m’a thuash me atë miqësi dhe çiltëri që po t’a kërkoj.
Siç dëgjova, lajmin si pas të cilit Dërgata shqiptare kish dalë në Brindisi etj:, e paska përhapur Dervish Hima për tallje!!
Lajmet që mora këto ditë nga Shqipëria kallzojnë një pushim në tërë ballin e luftës. Pasi nuk gjetën fund trajtimet e zhvilluara midis Qeverisë s’onë dhe agjentit jugosllav në Shkodër, zotit Vesiç (ky tani rri në Shirokë), Qeveria jugosllave do të dërgojë për të vijuar trajtimet nji dërgatë të veçantë me fuqí të plotë. Kjo dërgatë gjer më 25 të muajit që doli s’kish arritur në Shkodër. Po gjenden në Shkodër delegatët e Qeverisë shqiptare: Turtulli, Spiro Koleka dhe Nuri Vila, të zgjedhur për të goditur qartën t’onë me Jugosllavinë. Të shohëm pra se si do t’u vejë filli punëvet.
Vincenzi gjëndet akoma në Consultë, po do të dalë, pa tjetër, e shpejt: m’a përsëriti vendimin e tij edhè pardje.
Për policën e telegramën e të 1000 liravet prisha pesë lira e ca qindarka që tani s’më vijnë ndër mënt se sa. Po ti deshe e më kërkove këto shpenzime të vogëlza.
Nuk dij a të shkrova se në Romë gjendet Nikoll Kasneci: ka ardhur të shëndoshet se s’i punon shëndeti e rrin pra në një klinikë private. Pas nja 10 -15 ditëve do të vijë në Napoli të rrijë ca ditë dhe pastaj të hidhet përsërí në Misir.
Disa ditë më parë erdhi në Romë nga Losanne-i Mehmet Këlcyra. Këtu u përfol me Faik Konitzën. Shkoi për Shqipëri. Dëgjova se qënka i ngarkuar me një mision nga ana e Wiedit. Puna, pas mëndjes s’ime, ka të ngjarë.
Të përqafoj me mall.
I yti
Sotir Gjika (firma)
- Q. SH. F. 34 D. 35 Fl. 210 – 211
Roma, 7 ottobre 1920
I dashur mik,
Nga sa vij e të shkruaj më poshtë do të kuptosh se sot më ka lënë pakëzë xgajtira. M’a kënda të besoj se ti do të jesh shëruar fare prej ethevet: është një e shkuar që në Romë zurí me mijra njerëz.
U këthye nga Shqipëria zoti Teofik Mborja, i emëruar prej Qeverisë s’onë sekretar della nostra futura Legazione në Romë. Ky vjen tani fill prej Tirane, e pasi ndëjti disa kohë në Korçë. Fola me të gjër’e gjatë mbi gjëndjen e punëvet t’ona. Nga sa dëgjova prej tij s’mund të kem arësye gëzimi. Kompeticionet e kundrështimet e mprehta personale midis burravet të qeverisë dhe të parlamentit kanë arrirë kulmin. Njerëz me mentalitete dhe edukacione më tepër se orientale, me vështrime dhe interesa të ndryshme, për ndryshe të shtrënguar të vërtiten në një atmosferë e në një rreth të ngushtë si Tirana plot intriga, hipokrizi, gënjeshtra e fanatizmë, ministrat e Shtetit shqiptar nuk e lëftojnë njeri tjatrin shesh për sheshi, sy për syri ; nuk dëgjon kurrë, fjala vjen, një prej syresh të marrë fjalën nga tribuna e parlamentit e të çfaqë një program veprimi, idera të kthjellta e konkrete. Por gjëja m’e keqe është se tërë këtë luftë të shurdhër e frymëzon e e karakterizon një arrivism’i manitur. Me qënë pra se ministravet s’u rreh pizga më një vënd, Teofiku thotë se 90%, tani që vate Mehmet Konitza, një krizë do të pëlcasë. Previzione: munt të mbetet përsërí kryeministër Sulejmani ose kabinetin e rí munt t’a formojë Mehmeti. Këtë të fundit e përkrah sa mundet Ahmet Zogolli; ky ka në anën e tij, veç shumicës së deputetëvet gegë, edhè disa toskë, si deputetët e Korçës etj. Sulejmani mbahet më tepër pas Vlonjatëvet të cilët, èdhe të pa çdehur prej erës së barutit, me një far demagogjizmë po i sjellin akoma punët vërdallë… Kryetar i parlamentit është tani Kacimbra, deputet i Përmetit. Por tre tarafe po trapisen ashtu sheshazi e të çquara : 1) Sulejman Delvina përpiqet t’a mbajë kryesinë, duke bërë nonjë rimpasto; 2) Ahmet Zogolli të sjellë si kryeministër Mehmet Konitzën; 3) Aqif pasha, i cili s’është punë të pajtohet me Ahmet Zogollin, qëllon t’a rrëzojë qeverinë dhe të formojë një të re vetë, me ministër të luftës a të mburesës kombëtare Bajram Currin, e me të punëvet të brëndëshme Mustafa Asim Krujën. Kundër dëshirës së kryeministrit, Zogolli bëri që t’hiqen nga zyrat e tyre, me vendim shumice të parlamentit, ministrat pa portofej; gjë e cila ndodhi ( e do t’a kesh kënduar, besoj, në gazetat e vendit) se Hysen Vrioni e Spiro Koleka paskan qënë dora e djathtë e Sulejmanit.
Me Castoldin qeveria èdhe s’është n’atë intimitet marrëdhëniesh që duhej të qe. Faji më tepër, sipas Teofik Mborjes, i kryeministrit t’onë. Në qoftë se nuk pëlcet kriza që fola më sipër, Dërgata shqiptare shpejt ka për t’ardhur në Romë. Po edhè në këtë mes ka disa pengime; pengime të cilat s’mund të çporren duke mos patur Shqipëria në krye të punëvet të saj një njeri moralisht e intelektualisht të pushtetshëm e të guximshëm, dua të them një burrë që të personifikojë interesat e Kombit, e ato interesa t’i mbrojë, me ngultësí e pa hezitime, ashtu pra si e dó e mira e përgjithshëme, e peshuar me çirkostancat e me gjëndjet t’ona të pa arsyeshme, dhe jo ashtu si i shtyjnë varfëria mendore, e verbëria shovinistike, a bindjet e thjeshta, disa patriotë dell’estrema sinistra.
Pengimet e vështirësitë janë bulmet i intransigjencës së Vlonjatëvet faqe ca pikavet substanciale që përkasin marrëveshjen t’onë me Italinë. Bie fjala çështja e bazës navale. Vlonjatët, siç më tha T. Mborja, pretendojnë që veç Sazanit, e vetëm fill Sazanit, Italisë të mos i bëhen të tjera konçensione e as t’i jepen lehtësira për nevojat teknike e praktike të bazës navale. Bashkëfolësi im nuk dijti të më thotë se ç’mejton mbi këtë çështje qeveria e Tiranës, po më vërtetoi se qeveria duhet të bëjë gjësendi që mos t’u pëlqejë Vlonjatëvet e se, as kryeministrit e as shokëvet të tij, s’para u a paska ënda të vijnë në Romë e t’a mbushin protokollin e nënëshkruar në Tiranë në të gjitha mungesat e tij. Siç po e sheh, kanë frikë nga përgjegjësia e tuten prej mëndjes së botës. Po puna është, pas mëndjes s’ime, fort inkoshiente, posaqë në Romë delegatët shqiptarë nuk do të bëjnë tjetër përveç të plotësojnë marrëveshjen, vijat e përgjithëshme të së cilës janë shënuar në protokollin e nënëshkruar me konsensin e plotë të të dy palëvet.
Si të pata shkruar në letrën e fundit, prej lajmesh të mija mësoj se Delegatët jugosllavë gjënden në tokën shqiptare e po pleqësojnë me delegatët t’anë të zgjedhur çështjen e modus vivendi-t. Unë, më tepër se skeptik, jam pesimist mbi fundin e trajtimevet: Qeveria jonë nuk munt të godisë, pa mos komprometuar seriozisht të pastajmen tokësore të Shtetit shqiptar, një modus vivendi me jugosllavët mbi bazën e vijës së caktuar më 1918 prej gjeneralit Franche d’Espery; nga ana e saj Qeveria e Belgradit, për arësye që të mos komprometojë shpresa e posibilitete për t’a rrumbullakosur kufirin e saj me Shqipërinë, të paktën me pellgun verior të Drinit (Malësí e Lumës e Has, duke j’a mbajtur në Bistricë-Zogaj), s’m’a merr mëndja të godisë me qeverinë t’onë një modus vivendi mbi vijën e 13-tës.
Fan Nolin s’e la qeveria të dalë në Durrës: tani gjëndet në Bari me tërë shtabin e tij. Edhe Çakon s’e la qeveria të delte në Sarandë: dëgjoj se ky i fundit paska vajtur n’Athinë. Për Fan Nolin qeveria bëri shumë liksht. Kjo ngjarje do të ketë një riperkusion, sidomos midis shqiptarëvet t’Amerikës, ku një parti e vogël, me nja dy priftër, janë çkëputur nga Kisha e po e lëftojnë me çdo armë Fan Nolin. Kur, sot e disa muaj, Peshkopi shqiptar më pyeti me letër a ishte koha të vinte në Shqipëri, unë j’u përgjigja Jo, duke i shtruar arësyet; me gjith këtë, gjykoj se qeveria jonë lajthiti. Me qenë se monsignor Noli vate në Durrës, t’a kish lënë të dilte, të vinte në Tiranë dhe me të parin vaporr t’a ftonte të merrte udhën q’e shpuri. Gjëndet në Romë Sami Vrioni; vete, bashkë me të shoqen, në Paris për trashëgimin e Esad merumit. Mid’hati arriti në Boston e shqiptarët e Amerikës po bëjnë propagandë të madhe për Huan Kombëtare. Në Vlorë po formohet një Komitet di sorveglianza nazionale, me një gazetë të vetën, që do të dalë për së shpejti në Vlorë. Do të kemi, me këtë të renë, në Shqipëri, 7-8 gazeta mikroskopike.
Ime shoqe të falet fort me shëndet; Leka e Lena të puthin dorën; unë të përqafoj me mall.
I yti
Sotir Gjika (firma)
P.S. Teofik Mborja më tha edhè se në Tiranë ka një remë (korrente) të fortë kundër kosovarvet, të cilët i quajnë shkaktarë të ngjarjevet të fundit, e se që kërkojnë e predikojnë luftën gjer më një kundër Sërbisë. Kështu, qeveria mejtoka t’a përzërë Hasan Prishtinën e Bajram Currit t’i lutet të dalë jashtë Shqipërisë për disa muaj.
Në një rishpërdorim ndë qeveri, ministrat që paska më të madh posibilitet të hidhen jashtë, qënkan Çoba dhe Kadri Hoxha. Kundër këtij të fundit sidomos e paskan synë të gjithë.
- Q. SH. F. 34 D. 35 Fl. 212 – 215
Komentet