Roma, 5 shtator 1920
I dashur mik,
S’kam gjë të ré. Këtu gjendet Dhimitri Beratti dhe nga e mërkura që vjen duket se arrijnë në Romë Peshkopi Theofan Noli me Mehmet Konitzën.
Marr vesh se Çoba me Kadri Hoxhën (për të cilët folën gazetat se erdhën n’Italí si Komision etj) gjenden në Napoli, e se nuk do të vijnë në Romë pa ardhur nga Tirana shokët e tjerë që, së bashku, do të formojnë Dërgatën shqiptare.
Shkruam, të lutem, me të këthyer të postës, në qoftë se di gjësendi mbi këtë çështje.
Këtu gjendet edhè Syrja Vlora me të birin, e erdhi nga Vlora edhè Ajeti, i vëllai i Myfidit. Për këta thuhet erdhën se kishin frikë të rrijnë në Vlorë tani që shkuan italianët.
Të përqafoj,
Sotir Gjika (firma)
- Q. SH. F.34 D. 35 Fl. 203
Roma, 8 shtator 1920
I dashur mik,
Fjalorin Latino- Epirotico të Bardhit s’e gjeta në Propaganda Fide: po kërkoj nëpër Librarit’e vjetra të Vatikanit e në e gjeça dot po t’a dërgoj.
Berattit j’a dhashë letrën. Turkhan Pasha (u nis që këtu ditën që të pata shkruar) gjendet në Sorrento Hôtel Tramontana.
Reshad Asllani gjendet në Shqipëri; unë s’e njoh gazetarin Biondi; n’e mban mënd numerin e muajin e revistës Politica, shkruamë se shkoj e marr vetë e t’a dërgoj. Un i kam gjithë numurat e Politikës që kanë dalë gjer më sot. Numuri yt besoj se do të ketë qënë ay i Prillit, fascicolo doppio. Lajmet nga Shqipëria s’janë të mira: sërbët duket se s’kanë ndërmënt t’a respektojnë kufin’e 13-ës ; ata po forcohen në Tarabosh e në krahë t’Elbasanit tregohen shumë aktivë. Një letër që mora sot nga korespondenti im i Tiranës (e shkruar më 31 të gushtit), më thotë se në ballë të Peshkopisë gjendja s’ka ndryshuar fare. Shton se në Lumë të Prizrenit ka nisur lufta me sërbët. Sipas kësaj letre pastaj, më 24 të muajit që doli, Gjyqi Politik i Tiranës liroi 31 të tjerë të burgosur.
Po të kqyret pra nga një faqe e përgjithshme gjendja e jonë s’është fare e burbuqtë: sërbët po e tregojnë çdo ditë e më tepër qëllimin e tyre e përbrënda, në Shqipëri, vraxhada e oficerëvet të zhandarmërisë s’onë (ata të shkollës së Stambollit e ata q’i solli réa të bëhen oficerë: njerës të gjithë të húrit e të litarit) ka kapërxyer çdo shillim a imagjinacion. Ata qënkan me të vërtet pretorianë!
E në mes të kësaj cikme, na dhe festimet fort të bujëshme për lirimin e Vlorës! Merre me mënt madhërin’e paratës: Osman Nuriu (i veshur me gjelebie të bardhë), Qazim Kokoshi, Qazim Koculi, hipur në kuaj me shalë, hyjnë triomfalisht në qytetin e liruar! Një lajm’e Stefanit dje thoshte se edhè Qeveria dërgoi një komision të veçantë për të festuar zyrtarisht lirimin e Vlorës. Unë këto festime politikisht i gjej fort të dëmshme për çështjen t’onë, se vijnë e ashpërojnë më tepër kundër nesh mëndjen e botës n’Itali, për mirëdashjen e miqësinë e së cilës né kemi nevojë për sot më tepër se kurrë. Nuk e di se ç’mejton ti mbi këtë pikë; po unë, që përgjoj e gjurmoj përshtypjen që bëjnë këtu, në kryeqytet t’Italisë, ato festimet t’ona; unë pra e ndjej tërë gjerësinë e dëmit që na sjellin. Dhe them se, në Shqipërí e paskan humbur të gjithë fillin e arësyetimit. Dhe shtoj se, në mos janë aqë fare injorantë njerzit e punës sa të mos kuptojnë një gjë kaqë elementare, ata janë pra ahere doemos tepër zëmërliq.
Në Vlorë munt të hynim e të sheshojshim pa hordhés qe timbanon.
Besonj t’a kesh kënduar proponimin e Qeverisë italiane në Paris e në Londër për të bërë një çap kolektiv në Belgrad me qëllim që t’i thuhet Qeverisë jugosllave t’a heqë ushtërinë tej vijës së 13-ës dhe të respektojë kufijtë e njohura të Shtetit shqiptar.
Për ardhjen e Dërgatës s’onë në Romë nuk dihet gjë akoma. Unë pres prej teje përgjegjien të letrës s’ime të fundit. Kol. Vicenzi, i cili del përfare këto ditë nga Ministria e Punëvet të jashtme, më kërkoi drejtimin t’ënd e j’a dhashë.
Të përqafoj me mall,
Sotir Gjika (firma)
- Q. SH. F. 34 D. 35 Fl. 205
Roma, 15 shtator 1920
I dashur mik,
Dje ndaj natë herë mora letrën tënde (13 Shtator) e shpejt të dërgova një polcë telegrafike njëmijë lirash, domethënë shumën që më kërkove, të cilën padyshim do t’a kesh marrë. Gëzohem që munda të të gjendem në këtë ngushticë e të falem me nder për besimin që ke në mua. Nuk të them të m’i këthesh sa më shpejt të mundesh (të 1000 lirat janë të hollat e tipografisë), se ti e ke thënë vetë.
Për vdekjen mizore të Minos së shkretë isha lajmuar prej kohe me një letër të gjatë nga ana e Doktorit Giovanni Schirò, i cili m’a përshkroi hollësisht atë skenë tragjike. Në është aty prof. Schirò falmju me shëndet shumë.
Turhani u këthye dhe gjendet në Romë, Hotel Imperial. Më tha se, më të këthyer, qëndroj cazë në Napoli, se erdhi të kërkoi në Hotel po s’të gjeti, e se të la fjalë që të veje t’a bashkonje në stacion e të tjera. Fan Noli erdhi dhe, pasi ndënji këtu nja katër ditë, u nis mbrëmanet më 13 të k.m për Brindisi, ku e prisnin priftërit e q’andej për në Tiranë. Me të, të them të vërtetën, nuk bisedova, osè s’më dha shkak të bisedonja, për gjëra me rëndësí. Kundër letravet që më pat dërguar Peshkop Noli, përpara se të nisej nga Amerika, e kundër çdo prospektive, ay në Romë më duket se s’pati më nevojë të kuvëndojë dhe të kuptohet me mua. Punë e vogël. Po, afërmënç, do t’i ketë mjaftuar eloquenza e Faik Konitzës, me të cilin kanë, përndryshe, shumë pika të përgjashme e shumë interesa të përbashkme…. Monsignor Noli do të rrijë, më tha, në Tiranë; me çështjen e Kishës sot për sot nuk do të merret aktivisht: do të vejë të meshojë, bie fjala, në qoftë se orthodhoksët e Tiranës a të ndonjë tjetër qyteti e thërresin. Ay është, pastaj, edhè deputet i zgjedhur i shqiptarëvet t’Amerikës, të cilët, për t’i dhënë veprimit të tyre një sillë më të madhe, kanë zgjedhur edhè Kryetarin e një partisë që kanë projektuar të formojnë në Shqipëri, Partia e Përparimtarëvet, në fytyrë të Mehmet Konitzës; për formimin e së cilës partie e t’organit të saj, Vatra ka ndarë një shumë të parë 10 mijë Dollarësh. Ti munt të çquash në këtë mes një absurdësí regulle, pò, por të tilla gjëra të vogla nuk viren rè… Né shqiptarët, veç nga bota, s’ka gjë në bëfshim një mëngë në mes të kurrizit: t’emërojmë, për tregim, kryetarin e një partie, palé të mos jetë as e ngjizur partia….
Faik Konitzës – tani Delegat i posaçëm i Vatrës në Romë – i pati shkruar Qeveria jonë një letër me të cilën i propononte – siç dëgjova – të merte përsipër përfaqësimin e Shqipërisë në Romë. Faiku refuzoi, duke shtuar – prap siç dëgjova – se, sikundër e di, me të s’kam të pjekur -; duke shtuar se ay s’munt të bëhej përfaqësonjës i një Qeverie, të cilën s’e nderon, e të tjera. Nga ana ime të vërtetën e të vërtetës së refuzimit e shoh – e nuk besonj të gënjehem – se qëndron gjetkë: 1) Faiku, i mësuar të shesë gjithënjë tym e të shoshë e të mos gatuanj kurrë, s’i pëlqen puna e i rrin larg përgjegjësisë; 2) Faiku pranë Oborrit italian s’është persona grata. Këtë gjë e din mirë beu i Konitzës –
Më duket se në zyrën Albania do të rrijë, hë-për-hë, Defacendis. Sot fola me Vicenzin. Më tha se, sipas lajmevet q’i kan’ardhur Konsultës nga Durrësi, punët në Shqipëri nuk venë aqë mirë nga shkaku i sulmevet sërbe. Më 10 të k.m Castoldi ishte në Tiranë. Tek po bisedonte me ministrat erdhi një lajm, sipas të cilit sërbët qënkëshin afruar nja katër orë nga Tirana. S’ishte e vërtetë. Po qeveria u – drodh e nisi të përgatitej për t’a shpurë selinë e saj në Durrës. Castoldi i qetësoi frymat e kërkoi që të vinte ay vetë e t’u dilte përpara ushtrivet armike. Nga ana tjetër, midis ministravet s’ka pajtim të plotë. Mëria midis Currit e Zogollit sa vete po rritet. Pati ardhur, besoj tani shpejt, një vapor me xhephané nga Fiumi, i dërguar, natyrisht, prej poetit G. d’Annunzio, me të cilin e pat ndrequr punën Hasan Prishtina. Curri deshte t’i merte vetë armët e xhephanenë e t’i dërgonte në Kosovë; Zogolli deshte që t’i merrte Qeveria. Fund i fjalës: vapori iku pa shkarkuar! Zogolli nuk dashka as që të hapet përsërí Parlamenti, se paska frikë nga kundrështarët; për këtë shkak, hapja përsëri e Parlamentit po shtyhet tutje e më tutje. Gjithënjë sipas fjalëve të kol. Vicenzi-t, një pjesë e ministravet dashka që të kërkohet një farë pajtimi me Sërbinë, një pjesë që të vazhdohet lufta e disa të tjerë, midis të cilëvet Aqif Pasha, dashkan që t’i kërkohet Italisë të dërgojë pakë tufa ushtarësh edhè në Shqipërí të Mesme.
Un’e kisha synë këto ditë te Kuvênd i Aix-Les-Banns-it. Sipas gazetavet frënge, edhè me Millerand-in Giolitti është çitur mirë për çeshtjen shqiptare: komenti i Temps-it është pra mjaft i kthjelltë dhe signifikativ. E kjo, pas mëndjes s’ime, domethënë gjith puna. Unë besoj se Sërbia do të mos vazhdojë më s’i rëni murit me kokë pasi t’i kenë thënë Fuqitë të respektojë doemos kufijtë e shënuara të Shtetit shqiptar. Po edhè në bëftë Sërbia të kundërtën, né do të jemi të zotët t’a kundrështojmë, me armë, gjer në fund të fundit, e të mos e lemë t’i qesë në vënd, duke bredhur, qëllimet e saja. Vetëm duhet t’i ndreqim mirë punët t’ona me Italinë, e shpejt. Unë çuditem, për shëmbëll, ç’pret akoma që s’vjen në Romë Dërgata jonë për të plotësuar marrëveshjen. Né duhet t’a lidhim fort ekonomisht Italinë në Shqipëri se, ndryshe, me fundin që muar punët, jo vetëm do të mos gjejmë dot ndihmën e përkrahjen për të cilat kemi nevojë të domosdoshme, po do të gjejmë edhè kundrështim, n’Itali, në qoftë se, bie fjala, shqiptarët nisin edhè një bojkot ekonomik kundër Italisë e preferojnë hyrjen e kapitalesh të tretësh në Shqipëri. Dij se më të mëdhatë grupe të financës italiane do t’i proponojnë, tani shpejt, Qeverisë s’onë për të ngrehur një Bankë të madhe në Shqipërí e për të bërë shumë punëra të tjera që përkasin fill përlindjen ekonomike, sociale dhe morale të vëndit. Kam frikë se mos, për i soliti pregiudizi, që italianët duan të na kolonizojnë….. Qeveria jonë largon çdo kombinacion ekonomik – financiar me italianët.
Fjalorin e Bardhit mund t’a gjesh lehtë në Paris, te një librar q’e njeh Dh. Beratti. Shkruaji këtij të fundit për çkoqitje.
Kët’herë të shkrova gjatë, po fort me nxitim; besonj t’a çmosh durimin e vullnetin t’im, aqë më tepër në të thënça se të shkruaj tek po më fluturon koka nga të dhëmburit.
Ime shoqe të falet shumë me shëndet e na gëzon tepër në qoftë se t’a sjell puna të vish në Romë; Leka e Lena të puthin dorën; unë të përqafoj me mall.
Sotir Gjika (firma)
- Q. SH. F. 34 D. 35 Fl. 206 – 209
Roma, 1 tetor 1920
I dashur mik,
Me zotin Gurra po të çoj këtë letër me pak fjalë.
Posa u këtheva herën e dytë nga Durrësi në Romë. Botova edhè një numur të Kuvêndit dhe e pushova gazetën për ca kohë.
Nuk e di si do të më vejë filli sot e tutje.
Prej teje s’kam marrë as ndonjë letër të falash. E di që punët e detyrës së parë për të shpëtuar Atdheun prej armiqvet nuk të lenë t’a vërtitësh kujdesin mbi sende të dorës së dytë, po nga ndonjë fjalë lipset doemos t’u a dërgosh miqvet që të duan me zemër e që, afër a larg qofshin, janë gjithmonë me shpirt të bashkuar me ty në punët patriotike.
S’jam aqë fort mirë nga shëndeti. Këta gjashtë vjetët e fundit e kam munduar veten shumë së punuari e tani ndjej një lodhje të përgjithëshme në trup.
Më shkruajnë nga Shkodra se Luigj Naraçin e ka shtirë Qeveria në burg pse mori vesh që Naraçi ishte korespondent i Kuvêndit në Shkodër. Në qoftë se është vetëm ky shkaku i të burgosurit, Qeveria ka bërë një punë kundër kanunit.
Të përqafoj
Sotir Gjika (firma)
- Q. SH. F. 148 D 8/2 Fl. 466
Komentet