Roma, 7 mars 1919
I dashur Gurakuqi,[1]
Mustafa Kruja, në letrën e tij Kottes, thonte se do të më ishte dërguar “Përkujtesa” e paraqitur Konferencës nga ana e Dërgatës sonë.
Por un nuk kam marrë asgjë deri tani.
Prandaj, nëse Dërgata do t’a quante të përshtatëshëm botimin e një dokumenti të tillë, do t’ ju isha tejet mirënjohës nëse do të ishit të gatshëm të m’a dërgonit. Shtoj se kam mundësi të garantoj shpërndarjen më të gjërë.
Do të më duheshin gjithashtu sqarime të sakta mbi vijën e kufirit të kërkuar nga Dërgata e jonë. Është e nevojshme të ndriçohet opinioni publik. Juve, nga sa duket, keni pëlqyer heshtjen. Një heshtje e tillë nuk mund të jetë e pranishme, as politikisht as psikologjikisht në rrethana drithërimash, ankthi e tensioni shpirtërash, si këto të tashmet. Shtypi, që të mund të kuptojë në mënyrë të përshtatëshme, duhet të jetë i frymëzuar dhe i mbajtur, brënda kufijve të mundshëm, në dijeni të gjërave nga ana e organeve drejtuese dhe përgjegjëse. Mbani para sysh disi pozicionin e “Kuvendit” në shtypin shqiptar, për të kuptuar se si sot për sot e gjithë vëmëndja e publikut tonë është e kthyer mbi gazetën që kam nderin të drejtoj.
Përshëndes me nderim të thellë Sh. T. Turhan Pashën, të ndriturin kolonel Castoldi, të ndritëshmin Mehmet Konitza, mikun tim Kruja.
Me përshëndetjet më të mira jam miku juaj besnik e i dashur.
Sotir Gjika (firma)
Zotni Prof. Luigj Gurakuqi
Paris
- Q. SH. F. 34 D.35 Fl. 186
Fjesht vetiake.
Paris, më 24 tetor 1919
81, Rue la Boĕtie, VIII.
I dashur mik, Z. Sotir Gjika.
në Romë.
Keni një mijë herë arsye të qaheni kundër meje që nuk Ju kam shkruar deri më sot, po duhet të dini se jam gjithnjë i zënë me punë, sidomos mbasi ka shkuar Z. Mustafai, i cili m’i ka lënë të gjitha punët në qafë. Në tjetër anë, nuk kam pasur edhe mjaft lajme për të Ju dërguar, pse, sikur e dini, çâshtja e jonë nuk është duke u biseduar si çështje në vete, po, mjerisht, gjithmonê si çështje e dytë kur lypset për të pajtuar ngatrresat e të tjervet.
Këtu mbrenda po Ju mbyll aktet e notat e shtypura që kemi dhënë në Konferencët që kur u ndryshua dërgata: ashtu po Ju dërgoj edhe dy notat e fundit, të cilat nuk janë shtypur akoma.
Gazetën “Kuvendi” jam duke e marrë gjithnjë edhe Ju falem nderit fort për tê : copat e tepërme që më dërgoni, i ndaj nëpër shokët.
Këndova sa shkruani për largimin e Z. Pecit e për emrimin e Z. Salih Gjukës. Keni të drejtë që të qortoni masën që u muar kundër Z. Pecit, po lajthiteni tepër në gjykimin që jipni mbi Z. Salih Gjukën, i cili është një nga më të mirët atdhetarë e nëpunës që ka e do të ketë qeveria shqiptare. Sa për Z. Pecin, ndonse unë nuk kam të drejtë të përzihem prej këtej në punët e administratës, do të shkruaj në Durrës qi t’a mbajnë domosdo në Degët t’Arësimit ku është fare i nevojshëm : zelli e aftësia e tij janë të njohur prej të gjithvet.
Kisha kënduar në gazetën “Il Tempo” intervistën e Faik Be Konitzës, e cila, me gjithë që përmban shumë gjëra të drejta, ka disa vërejtje që s’më kanë pëlqyer fare e që në Shqipërì do të shkaktojnë kritika të mëdhà. Për tregim, vërejtjet që Faik Beu bën mbi “ndiesitë aziatike të Gegvet” më duken fare të padrejta, sidomos në gojë të tij që pati guximin të shkojë në 1913 në Durrës e të bashkëpunojë me Esad Pashën e me Gegët aziatikë për trajtimin e Qeverìs së Shqipërìs së Mesme, e që më 1917 vajti në Stamboll për të kërkuar prej Talat Pashës nji Princ turk aziatik !
Çuditem pra si Ju keni nxjerrë e shtypur prej asaj interviste edhe copat e dëmshme e që keni qëllim që t’a përkëtheni edhe shqip. Besoj se është mirë që këtë përkthim t’a lini që të mos nxjerrim polemika të dëmshme në ditët e sotshme.
Duke pritur të Ju këndoj, Ju lutem t’i jipni Zonjës ngjatjetimet e mija e Ju të pëlqeni shëndetet më miqësore.
Nga i juaji
Luigj Gurakuqi (Firma)
P.SH. Ju lutem që këtë letër t’a mbani për veten t’uej e që të mos jipni botim, as të mos i a këndoni kuej.
Luigj Gurakuqi (Firma)
- Q. SH. F. 34 D. 34 Fl. 27
Roma, 31 tetor 1919
I dashur Zoti Luigj Gurakuqi,
Ju falem nderjes shumë për letrën miqësishte dhe për dokumentet që deshët të më dërgoni. Njoh mirë vullnetin t’uaj e interesimin t’uaj për çdo gjë që përket çêshtjen kombëtare andaj kujtonj se s’kam arsye të qahem kundër jush pse s’më kini shkruar.
Munt t’jem në një mêndje me ju se artikull’i bashkëpuntorit t’im që merret me çêshtjen e Salih Gjukës është cazë i ashpër në formë; por, edhè dyke i gjetur të drejta ato që thoni se Gjuka ësht një nga më të mirët atdhetarë e nëpunës që ka e do të ketë qeveria shqiptare. S’mund të pajtohem, as me nonjê mënyrë, me ju, në daçi të thoni e të gjykoni se Salih Gjukës s’i mungojnë, nga çdo pikpamje, cilësit’e nevojëshme për të qênë Drejtor i Përgjithshëm i Mësimit. Kur mora letrën t’uaj intervista e Faikut kish dalë edhè shqip. Tani një lutje. Për ditën 28 Nëntor mejtoj të nxjerr një numër të veçantë të Kuvêndit. Do t’ju a di për mirë shumë në daçi pra të më dërgoni, për atë datë historike, një artikull. Në qoftë se pò, dërgomani sà më shpejt të muntni.
Ime shoqe ju falet nderjes e ju ngjatjeton. Unë ju dërgonj shumë shëndete e të mira. Sotir Gjika (firma)
- Q. SH. F.34 D35 Fl. 187
16 nândor 1919
I dashur mik Z. Sotir Gjika
drejtor i gazetën “KUVENDI”, në Romë
Ju falem nderit për letrën t’uaj më 31 të Tetorit, e cila m’erdhi fort mënuar. Letrat që më kishit mbyllur mbrenda i përdava me një herë duke u a dhënë të zotvet.
Ndonse i zënë me punë shumë, nuk do të mbeten pa Ju dërguar një artikull për numrin e veçantë që do të shtypni me rasën e ditës 28 Nândor. Mund të jeni shigur se artikullin do t’a jap këtu në postë më 20 të muajit e do të Ju a dërgoj letrën expres që të Ju arrijë domosdo më 23. Të m’a ruani pra vendin. Artikulli nuk do të jetë tepër i gjatë e do të ketë karakter politik ; do t’a shkruaj në dialekt gegënisht të butë, e pra Ju lutem që tani që t’i bëni qortimet e shtypit me kujdes që të mos dalin lajthime. Shpresoj se edhe shokët e tjerë do të Ju shkruajnë gjëkafshë për numrin e veçantë.
Dy fjalë tani për çështjen e Z. Salih Gjukës.
Bashkëpuntori i juaj duket që as nuk njeh Z. Salih Gjukën as nuk kupton mirë detyrën e drejtorit të përgjithëshëm t’Arësimit. Kjo detyrë është vetëm administrative e mirret më tepër me themelimin e shkollavet e me disiplinën e trupit mësimor se me programet e me librat shkollorë. Për këto dy çështjet e fundit përgjigjen e ka Komisia shkollore, e cila ësht’ e formuar prej njerëzish kompetentë e ka nisur veprimin në Durrës.
Duke qënë puna kështu, Ju lutem që të shkruani Ju vetë në numrin e afërm të “Kuvendit” një artikull me të cilin t’i sillni Z. Salih Gjukës nderin në vend duke e shkoqitur çështjen mbas pikëpamjes që Ju zhvillova unë, domethënë, duke folur për Salih Gjukën si patriot e si nëpunës e duke dëftyer se ësht mjaft i zoti t’a kryejë detyrën administrore që ka marrë përsypri.
(Shënim : kam përshtypjen se letra nuk është e plotë, por këtë më ka dhënë arkivi) (E.M.)
Paris, 20 nânduer 1919
I dashur mik, Z. Sotir Gjika,
Drejtuer i gazetës “KUVÊNDI”, në Romë
Sikur fjalën qi Ju kisha dhânë me letrën t’ime të fundit, ja ku po Ju dërgoj, këtu mbyllun, artikullin qi kam shkruem për numrin e veçantë të “Kuvêndit” të cilin do t’a nxirni në kujtim të ditës 28 Nânduer 1912.
I zânun si jam me punë të tepêrme, nuk mund të bâj aqë sa kisha dêshir: e dini vetë se për të shkruem për Shqiptarët në nji rasë të tillë duhet qi njeriu të mendohet mirë qi të mos thotë as mâ shum as mâ pak se lyspet; duhet qi t’u apë dëfrim ndiesivet kombtare pa lënduem edhe ndiesiët fetare të shumicës. Anmiku mâ i math i fisit shqiptar ka qenë edhe âsht Turqia deri sa të jetë gjallë, por duhet të mos harrojmë edhe se nji shumicë e madhe e vllazënvet t’anë ka pasë lidhur për qinda vjetësh fatin e vet me tê.
Gjuha e orthografia, qi kam përdorun në ketë artikull, ndryshojnë pakëz nga ato qi përdorni Ju në gazetët; me gjithë këtê Ju lutem qi t’i lini ashtu si janë edhe në qoftë se keni arsye për t’i ndryshuem.
Shumë shëndete e ngjatjetime Zonjës, Juve Ju përshëndosh me mall.
I jueji
P.Sh. Po ju dërgoj këtu mbyllun edhe artikullin e Z. Berattit; at Fishta, Ju dërgon nesër një vjershë.
- Q. SH. F.34 D.34 Fl.29
[1] Kjo letër është shkruar në gjuhën italiane.
Komentet