VOAL

VOAL

SPIUNI ‘ÇIFTELIA’ – ÇIFTI KADARE FLE NË KREVATIN E ÇIFTIT SHEHU

May 15, 2015

Komentet

Të njoh mirë kush je- Poezi nga Elida Buçpapaj

ti shtirje
deri në përzirje
që ngjitet si tejë
veç belin dredh
pa i marrë lejë
lukunisë politike
jargos në strofull
zhapinjsh
e nepërkash
vorbull
me teser klinike
.
asnjë hap s’e hedh
pa i thurur
e përgjunjur
partisë tënde korte
si besnike e përdëllyer
me besë eskorte
.
besnikërinë
ta ka mëkuar
që në djep partia
me lot krokodili
e ovacione histerie
sa për sy e faqe
në tru thellë
të ka ngulitur
tradhtinë
që të bësh
me djallin paqe
.
ti je produkt i skaduar
në tezgat e shitjes
me shumicë
të tregut partiak
të shëmtesës
që të dha emrin e vet
plehu i tranzicionit
si i vetmi shansi yt

i mbijetesës

Liria me gabime drejtshkrimore- Poezi nga Enver Rexhaj

Një ditë, në shesh,
një njeri po kërkonte të vërtetën.
E pyetën:
— Çfarë ngjyre ka?

Ai tregoi qiellin.
— Gabim, — i thanë. — Qielli është i yni.

Tregoi detin.
— Edhe deti gënjen, — thanë, — ne kemi dokumente.

Pastaj nxori zemrën nga gjoksi
dhe ua vendosi mbi tavolinë.

Ata e shqyrtuan gjatë,
i matën rrahjet,
i numëruan plagët,
i kontrolluan vulat.

— Nuk është në formatin e duhur, — thanë më në fund.

Dhe e dëbuan nga sheshi.

Turma duartrokiti.
Disa nga bindja,
disa nga frika,
të tjerët sepse duartrokitnin të gjithë.

Një fëmijë pyeti të atin:
— Po nëse ai kishte të drejtë?

I ati ia mbuloi gojën me pëllëmbë.

— Mos pyet gjëra që të lënë pa miq.

Vitet kaluan.
Sheshi u mbush me statuja,
rrugët morën emrat e heronjve,
dhe e vërteta u shpall festë zyrtare.

Atë ditë, të gjithë dolën për ta kremtuar.

Edhe unë dola.

Mbaja një pankartë ku shkruhej:
LIRI!

Por, kur policia më pyeti se çfarë kuptoja me atë fjalë,
e palosa pankartën me kujdes
dhe u thashë:

— Më falni. E kam shkruar gabim.
Doja të thosha:
Qetësi.

Vlora në varg –vargu im Nga Albert HABAZAJ

 

 

Është viti i tretë radhazi që shkoj me kënaqësi në gjimnazin “Halim Xhelo”, Vlorë, i ftuar nga drejtoria e shkollës për muajin e letërsisë dhe arteve. Në të tre vitet e fundit, që kam qenë vetë dhe në juri, kam vërejtur se asnjëra veprimtari nuk i ngjan tjetrës dhe se njëra është më e bukur dhe më e arrirë se tjetra, duke kapur kështu standarde të mira në shfaqjen dhe vlerësimin e talenteve të reja të shkollave të mesme.

Mësuesit e nxënësit e “Halim Xhelos” të thonë buzagaz e me mjaltë mirësie në fjalë: “Tetori mund të përfundojë në kalendar, por magjia e fjalës së bukur mbetet gjithmonë e gjallë”.

Rikthejmë kokën pas dhe ndjejmë aromën poetike të tetorit magjik për Vlorën letrare. Na vijnë në kujtesë zëra, pamje, imazhe dhe një botë e tërë romantike na frymëzon e na motivon me ëndrrat e kaltra, me botën e madhe gjimnaziste, të lirë e aq të pastër.

Paraditen e 31 Tetorit 2026 isha i ftuar në gjimnazin “Halim Xhelo”, Vlorë për konkursin poetik për zërat e rinj dhe promovimin e talenteve artistike të gjimnazit: VLORA NË VARG – VARGU IM me lajtmotivin: shkruaj, recito, ndaj, ler një varg pas. Drejtoria e shkollës dhe stafi pedagogjik ia kishin besuar këtë veprimtari të rëndësishme mësueses së talentuar të letërsisë zonjës Imelda Nini. Ajo me kohë kishte përzgjedhur talentet e reja të gjimnazit për të shprehur mundësitë e tyre në dy rrafshe: në interpretim artistik të poezive të autorëve të tjerë dhe në krijimtarinë e tyre letrare. Konceptimin e kësaj veprimtarie letrare – kulturore e kishte bukurmenduar, fakt që u pa në realizimin origjinal, tërheqës dhe mbresëlënës.

Paraqitja, interpretimi

Veprimtaria u zhvillua në Bibliotekën e shkollës dhe ku më mirë se atje mund të ndihet kuptimi. Biblioteka është Hirushja e Kulturës. Më të bukur e të freskët e bënë katër prezantuesit: Emi Kapo, Klejda Sinaj, Franceska Bufaj dhe Kristian Mërkuri, që i dhanë flladin e shpirtit dhe gjallërinë e moshës atij mjedisi simpatik me mësues e nxënës aq të bukur, të pastër e të mirë, që feksnin që në pamje, në shikim, në veshje, në fjalë…

Nga mësuesja e letërsisë ishin përzgjedhur katër poetë të Vlorës: Ali Asllani, Petro Marko, Fatos Arapi e Hiqmet Meçaj.

Ali Asllani nga Vajza (28.11.1884-20.01.1996) është aristokrati atdhetar, sa lirik i shquar, aq diplomat i zoti, princ i Lirikës shqiptare, dashnor i poezisë së vesuar. Është aq i mirënjohur xha Aliu! Për të edhe unë kam bërë disa shkrime, prandaj nuk po zgjatem këtu, se gjenden informacione boll për autorin e “Hakërrimit” të famshëm.

Petro Marko nga Dhërmiu (25.11.1913-27.12.1991) kalorësi rebel i lirisë është lartësi letrare universale. Romancieri i shquar, pionier i Modernizmit dhe i “Brezit të Humbur” (modernist/ ekzistencialist), i cili tok me Jakov Xoxen (mjeshtër i Romanit epik dhe Realizmit Polifonik: realist/ epiko-shoqëror) njihen si themelues të romanit modern shqiptar, ka shkruar edhe libër me poezi. Ndër vjershërimet e P. Markos është edhe një poezi të thjeshtë, thurur në vitin 1937 kushtuar mësuesit e atdhetarit të shquar Halim Xhelo, emrin e të cilit mban ky gjimnaz. Ajo vjershë është shumë e njohur si këngë labe në Tërbaç – Himarë e gjetkë dhe pak e dinë që autor i saj është Petro Marko. Emri i Halimit nga Tërbaçi im që mban shkolla është motiv krenarie dhe përgjegjësie që unë vij me dëshirën më të madhe në këtë gjimnaz. Edhe në çdo kohë.

Dr. Fatos Arapi nga Zvërneci (19.07.1929-11.10.2018) emër i lartë, një ndër etërit e poezisë bashkëkohore shqipe, që iku me guximin e heshtjes. Poet modern, elitar, ndër themeltarët e poezisë së re qytetare shqiptare, i thellë në mendim si ai, i zjarrtë në ndjenja si Fatos Arapi – Kuota më e lartë e krijimit poetik. Studiuesi dhe shkrimtari polak Andrzej Zaniewski e cilëson Fatosin tonë: “poetin më të madh shqiptar”.

Nga të katër emrat e përzgjdhur, tre nga këta vlonjatë të mëdhenj kanë ikur tek yjet e shkëlqimit shpirtëror dhe na përçojnë dritë të ngrohtë kulture, ndërsa i katërti, Hiqmet Meçaj, qysh nga viti 1948 banon edhe sot e kësaj dite në Vlorën e vjetër, në rrëzë të kodrës së Budakut, duke kaluar pleqërinë e bardhë me Andin, djalin poet e piktor atje sipër, në Shtëpinë e Poetit, si i thonë vlonjatët. Nuk i ikën trishtimi nga shpirti poetit, se e humbi herët Anën e shtrenjtë – Noçen e mrekullueshme, por e mban frymën me dinjitet se ka djalin shok e koleg në letërsi e art.

Hiqmet Meçaj ka lindur në Ballsh më 2 maj 1944 në një familje me origjinë nga Kallarati – Himarë – Vlorë. Është ndër  poetët më të njohur në Shqipëri. Me të drejtë mund ta quajmë Poet i Identitetit të Vlorës për kontributin e shquar që ka dhënë e jep për letërsinë shqipe dhe kulturën e Vlorës dhe trevave të saj.

Është poet, prozator dhe veprimtar i kulturës kombëtare, i njohur për zhvillimin e poezisë moderne shqipe dhe angazhim në përgatitjen e antologjive letrare.

Shok i auditoreve universitare me Xhevahir Spahiun, Koçi Petritin, Ndoc Paplekën, Faik Ballancën, Koço Kostën, Pandeli Koçin, Nasi Lerën, Gaqo Bushakën, Adem Istrefin, Sulejman Krasniqin, Foto Qiriazatin etj., me profesorë Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Mahir Domi, Selman Riza, Androkli Kostallari, Myzafer Xhaxhiu, Fatos Arapi, Jakov Xoxa etj.

Në vitin 1983 u vlerësua me Çmimin Kombëtar për vëllimin poetik: “Tokë e pagjumë”…

Të katër prezantuesit, Kristi, Franceska, Klejda dhe Emi e bënë hijshëm dhe me elegancë paraqitjen e katër autorëve. Vlerat e veprimtarisë u rritën kur gjimnazistët recituan dhe interpretuan poetitë e Asllanit, Markos, Arapit e Meçajt.

Ç’kumbim të ëmbël e melodioz patën vargjet e xha Aliut: “Vlorën edhe Vlorën/ thelp e kam në zemër,/ ditën e kam dritë,/ natën e kam ëndërr…”.

Emocione pruri interpretimi i vargjeve aq të ndjera të shkrimtarit të njohur Petro Marko për Halimin, që na vijnë si një këngë e përvajshme: “Të kish rritur Labëria,/ Djal’ i popullit Halim,/ Halim Xhelo trim o trim,/ Të kish pritur Shqipëria,/Të prit të delje në Vlorë,/ Me flamur të kuq në dorë,/ Po ti u trete i mërguar/ Në Francë e në vend të huaj,/ Shqipërin’ për ta shpëtuar./ Mbahu, moj djalëri, mbahu/ Halimi rrugën e çau,/ Hall e popullit e qau. [1937]”.

Ndërsa poezia e Fatos Arapit quhet një dhuratë hyjnore për brezat. Fisniku i bukurive të shpirtit njerëzor, poeti i madh i epikës dhe tragjedive, i luftës dhe lirisë, i dashurisë dhe tronditjeve të mëdha erdhi me poezinë “ATDHEU”, një poezi me ngarkesë të veçantë emocionale dhe filozofike, ku atdheu nuk trajtohet thjeshtë si hapësirë gjeografike, si vendlindje apo si truall i të parëve, por si një lidhje e thellë shpirtërore e njeriut me rrënjët e veta, ku autori e shikon atdheun si identitet, si përjetim emocional, si dhimbje e mall, si trishtim e dramë njerëzore, patjetër dhe si përgjegjësi morale për ne dhe brezat: “Atdheu është dhimbje, është dhimbje/ Një prill i pikëlluar në shpirt,/ Atdheu është kryqi, është kryqi/ E mban – dhe të mban ty – në shpirt./ Atdheu është toka e premtuar/ Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë,/ Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar/ Vdes dashuria në dashuri që të çmend./ Atdheu është buka e uritur/ të ikën nga duart e dot nuk e ngop,/ ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur/ me sytë n’errësirë vetveten kërkon./ Atdheu është varr i hapur, është varr/ Një jetë drejt tij shkon me besë që bind,/ Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë/ Në një pikë loti lirinë e lind./ Atdheu yt i vogli, i vogli,/ Ai hyjnori i pavdekshmi – loti.”.

Hiqmet Meçaj vjen me poezinë lirike të moshës së rinisë “Tulipani i brishtë” (1964): “Puliste sytë. Çast që s’përtëritesh/ më shfaqesh shpesh ti para sysh, pareshtur,/ aty ngadalë, aty i vetëtimshëm,/ aty me vrull, aty i zbehtë, i heshtur./ Kaluan orë… gënjehet vetja vallë?/ Një grimë lumturi, të lumturon?/ Një grimë gazi a i bën dot ballë/ zemrës që rreh si deti kur dallgon?/ Se zemra e saj rrihte pranë meje,/ te zemra ime ngjitur pranë e pranë,/ në flokë kishte ca petale yjesh,/ në buzë i kish mbirë tulipan.”… Në këtë poezi, nëpërmjet interpretimit të ngrohtë dhe të ndjerë, sikur prekëm dashurinë si një çast të papërsëritshëm, pamë zemrën që rreh dhe detin që dallëzon, kuptuam simbolikën e tulipanit, që është çelësi simbolik i poezisë, se tulipani që i ka mbirë në buzë vajzës përfaqëson bukurinë, freskinë, rininë dhe lulëzimin e dashurisë, ndërkohë dhe brishtësinë, që paralajmëron humbjen si dramë e ndjenjës, ndaj metafora e telit të mandolinës është shumë e goditur. A duhet këputur teli i mandolinës, kur dëshirojmë që muzika të vazhdojë deri në mëngjes? E ja kështu, logjika e poezisë e çon në përmasa qiellore vajzën e dashur.

Krijimet letrare të gjimnazistëve

“A ka një varg për të thënë, mos e mbaj për vete” – me këtë synim e dëshirë, me këtë durim e këmbëngulje u punua me talentet e reja, nxënës të këtij gjimnazi.

Për dëgjimin me vëmendje, leximin e teksteve poetikë (poezi a prozë poetike) dhe vlerësimin e autorëve, drejtorja e shkollës, zonja Sonila Banushi kishte gjykuar me seriozitet e përgjegjësi dhe shpalli jurinë: Albert Habazaj kryetar i jurisë, dhe anëtarë jurie: Adelina Ibrahimaj – mësuese letërsie dhe studiuese, Aleksandër Duka, mësues, shkrimtar, si dhe Gjinovefa Mustaqe nëndrejtoresha e shkollës dhe vetë Sonila Banushi, drejtoresha e gjimnazit “Halim Xhelo”.

U paraqitën për konkursin 16 poezi të nxënësve, nga të cilat u përzgjodhën më të arrirat, ku mund të përmendim autorë të dalluar, të përkushtuar dhe të dashuruar pas letërsisë, si Kejsi Gjokaj, Fabio Arizaj, Hygerta Hysa, Sefire Lazaj, Kleida Sinaj, Fabian Hysi etj.

U paraqitën vjersha të mira, me brumë letrar, me gjetje artistike dhe figuracion të bukur, por pati dhe vjersha që ishin patetike, nuk përfaqësojnë grupmoshën, vuajnë për nivel artistik, stil të rëndomtë të shkruari e pak lëng poetik në poezi. Ka që mbarojnë me folje vend e pavend, gjë që i ul vlerat letrare, apo tek-tuk vërehej edhe ndonjë fjalë e vjetër, që nuk është e shqipes standarde.

Na bënë përshtypje të mirë poezitë: “Përsëri të panjohur”, Më fal, o kohë” (edhe pse pak e gjatë, 7 strofa me nga 4 vargje), “Gjysma që më ndriçon”, “Dialog midis trurit dhe zemrës”. Sidomos që “Varreza e fjalëve” ka vargje vërtet të mira, ka musht poetik, ishim në një mendje të gjithë, si juri.

Pati 3 vlerësime me çmime të treta, 2 me çmime të dyta dhe 1 çmim të parë. Nxënësja Sefire Lazaj, klasa XII A u paraqit me 4 poezi. U vlerësua Hygerta Hysa, klasa XII A për poezinë “Zëri i heronjve”. Nxënësi Fabio Arizaj i klasës XI B, u vlerësua me çmim të dytë për prozën poetike “Përsëri të panjohur”, për nivel të mirë artistik, si strukturë lakonike, elegancë shkrimore dhe mesazh për kohën.

Ndërsa poezia “Varreza e fjalëve” e nxënëses Kejsi Gjokaj, klasa XII A, u pëlqye jo vetëm nga juria, por u duartrokit edhe nga nxënë/sit dhe mësuesit që e ngrohën me dritë të bukur bibliotekën e shkollës këtë fundtetori. Poezia e Kejsit, për nga struktura poetike dhe niveli artistik e tejkalon moshën. Ka imazh, jetë reale prurë me art dhe estetikë. Dhe Kejsi Gjokaj me poezinë “Varreza e fjalëve” e meritoi çmimin e parë për krijimin poetik më të mirë të paraqitur në konkursin poetik, 2026 për zërat e rinj dhe promovimin e talenteve artistike të gjimnazit “Halim Xhelo”, Vlorë. Ja dy strofat e para të kësaj poezie: “Në shpirt kam ngritur një qytet të vjetër/ ku rrugët mbajnë emra që s’i them,/ ku çdo kujtim më shkruan nga një letër/ e çdo e pathënë më rëndon në zemër./ Atje ka dyer që s’u hapën kurrë/ dhe dritare që presin një agim/ ka njerëz që u kthyen veç në hije/ dhe hije që më flasin papushim”…

Epilog

Me krijuesit dhe interpretuesit e rinj të gjimnazit shkëmbyem mendime mbi shkrimtarinë, frymëzimin artistik dhe ëndrrat e tyre në botën e magjishme të librit.

Çaste vërtet të mrekullueshme shijuam përmes këtyre pamjeve dhe paraqitjeve në aktivitetin letrar të zhvilluar në fund të tetorit në gjimnazin “Halim Xhelo”, ku poezia, arti dhe krijimtaria u bashkuan në një takim të veçantë mes brezave. Ky fundtetori, në gjimnazin “Halim Xhelo”, përbashkoi në një orë etydi poetik, aurën letrare të zërave më emblematikë  të artit letrar vlonjat dhe  kombëtar në të njëjtën kohë. Vlora – Muzë, bëri bashkë pena si  Ali Asllani, Petro Marko,  Fatos Arapi  e Hiqmet Meçaj, në  një pikëtakim interesant kohësh  e idepasionesh  me ato të nxënësve krijues dhe interpretues të gjimnazit “Halim Xhelo”.Vlora, dallga, vala e bregu, koha që shkon pa kthim e dialogu i gjithhershëm me të, historia, dashuria në kuptimin e saj universal, liria dhe jeta, ishin kuintesencë e vargut dhe e pasionit të tyre për fjalën e bukur.

Nxënësit pjesëmarrës u vlerësuan me certifikata për krijimet dhe interpretimet më të arrira, si një kujtesë e bukur e një sfide të vogël, por që mund të bëhet  fillesa e një rrugëtimi të gjatë e gjurmëlënës në jetën e tyre!

Në faqen zyrtare të facebok-ut të gjimnazit “Halim Xhelo”, Vlorë është hedhur videoja e veprimtarisë, si dhe është postuar teksti i mëposhtëm:

“Tetori mund të përfundojë në kalendar, por magjia e fjalës së bukur mbetet gjithmonë e gjallë!

Rikthehemi përmes këtyre pamjeve në aktivitetin letrar të zhvilluar në fund të tetorit në gjimnazin “Halim Xhelo”, ku poezia, arti dhe krijimtaria u bashkuan në një takim të veçantë mes brezave.

Vlora – Muzë, bëri bashkë pena të shquara të letërsisë vlonjate dhe kombëtare si Ali Asllani, Petro Marko, Fatos Arapi dhe Hiqmet Meçaj, me krijimet dhe interpretimet e nxënësve tanë.

Përmes vargut poetik u sollën në vëmendje Vlora, deti, historia, dashuria, liria dhe jeta, duke dëshmuar edhe një herë fuqinë e fjalës për të bashkuar kohë dhe breza.

I ftuar në këtë veprimtari ishte z. Albert Habazaj, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në qytet, studiues, kritik letrar, bibliograf dhe eseist, i cili ndau me të rinjtë mendime dhe përvoja mbi krijimtarinë, frymëzimin artistik dhe botën e librit.

Në përfundim, nxënësit pjesëmarrës u vlerësuan me certifikata për krijimet dhe interpretimet e tyre më të arrira.

Një aktivitet që na kujton se letërsia nuk është thjesht fjalë në letër, por ndjenjë, kujtesë, identitet dhe një rrugëtim që nuk përfundon kurrë”.

***

 

Është e natyrshme, që nuk mund të bëhen të gjithë nxënësit poetë e shkrimtarë dhe nuk mund t’ju kërkojmë shumë, veçse krijuesve të rinj me synime letrare, që duan ta vijojnë udhën e vështrirë e të bukur të shkrimtarisë, ju urojmë shëndet, sukse se në mësime dhe pena flori!

PO BIE SHI- Poemë nga Isuf B.Bajrami

…mbi palcën e qenies, kujtesën dhe përjetësinë

Po bie shi mbi trupin tim të lodhur,
Si mbi një lis, në vetmi të ngelur,
Që rrufetë e Zeusit e kanë goditur,
Por rrënjën në palcë të dheut s’ia kanë shkëputur.

Në palcën e kockës fle një histori,
E gdhendur nga koha me plagë e kujtime,
Në rrënjën e tokës pulson e njëjta jetë,
Që lind nga dhimbja dhe çel në agime.

Në trupin tim shtrihet një hartë e lashtë,
Me lumenj në damarë e me male në eshtra,
Me dete që vlojnë në thellësi të gjakut,
E horizonte të mbyllura pas mureve të heshtjes.

Po bie shi…

Mbi mishin e çarë nga rrufetë e moteve,
Mbi kockën e krisur në thellësi të palcës,
Aty ku as drita nuk depërton pa dhimbje,
Ku heshtja ruan gjurmët e dhunës së natës.

Dikur muret ma matën frymën me gurë,
E nata ma numëronte rrahjen e zemrës,
Por unë në errësirë ruaja një agim,
Që asnjë mur s’mund ta burgoste në thellësi të qenies.

Zeusi mbi mua lëshonte rrufetë e qiellit,
Atlasi më mësonte peshën e ekzistencës,
Prometeu në palcë ma ruante zjarrin,
E Odiseu më printe në udhët e qëndresës.

Si Atlasi, mbi supe mbaj barrën e kohës,
Si Prometeu, në shpirt ruaj zjarrin e lirisë,
Si Odiseu, lundroj nëpër dete të pafundme,
Drejt Itakës së mallit, të rrënjëve e dashurisë.

Po bie shi…

Dallgët e kohës përplasen mbi mua,
Furtunat tronditin shkëmbinj e male,
Por rrënjët e mia, thellë në tokë,
Ruajnë kujtesën e brezave të gjallë.

Mali më njeh, se prej tij kam qëndresën,
Lumi më njeh, se në gjak kam rrjedhën,
Deti më njeh, se në shpirt kam thellësinë,
E qielli më njeh, se me të ndaj pafundësinë.

Në trupin tim, si në hartën e dheut,
Ka vija që koha i vizatoi me dhunë,
Ka pjesë që i ndan largësia e kufirit,
Por rrënjët e tyre pinë nga i njëjti lumë.

Nuk ndahet mishi nga kujtesa e trupit,
As rrënja nuk harron prejardhjen e vet,
Se çfarë ndan dora në hartën e kohës,
E bashkon shpirti në përjetësinë e vet.

Nuk jam vetëm unë që përballem me shiun,
Në mua kalojnë shumë breza e mote,
Jam një degë e një pylli të lashtë,
Që ende kërkon pranverë për këto troje.

Po bie shi…

E shiu depërton në plagët e vjetra,
Por nuk i shuan dot gjurmët e kujtesës,
Se disa dhimbje nuk kërkojnë mëshirë,
Por vetëm të mos humbasin në harresë.

Jam lis i vetmuar, por jo pa rrënjë,
Me degë të përkulura, me ballin në hënë,
Erërat më shkundin, furtunat më ndjekin,
Por rrënjët e mia në thellësi më mbajnë.

E dashuria…

Ajo nuk njeh kufij të kohës,
As largësi malesh, as thellësi detesh,
Ajo është fara që çan zemrën e gurit,
Është rrënja që lidh njeriun me dheun.

Është shiu që prek trupin e lodhur,
Është dielli që zgjon farën në tokë,
Është fryma e shenjtë në thellësi të qenies,
Që i jep shpirtit dritë kur gjithçka hesht.

Njeriu është natyrë që mësoi të ndiejë,
Natyra është heshtje që mësoi të flasë,
E dashuria është ura mes të dyjave,
Që i jep kuptim jetës edhe kur ajo dhemb.

Në çdo grimcë të trupit më flet një univers,
Në çdo grimcë të dheut më flet një jetë,
Ndoshta jemi pluhur i yjeve të lashtë,
Që për një çast mësuam të quhemi dashuri.

Po bie shi…

Mbi trojet ku historia ka lënë gjurmë,
Mbi gurët që ruajnë emra e kujtime,
Mbi lisat që panë perandori të shuhen,
E mbi rrënjët që mbetën gjallë ndër stuhitë.

Në këtë tokë, ku brezat u bënë kujtesë,
Ku guri mësoi të flasë me heshtjen,
Ku gjaku u bë dëshmi e ekzistencës,
Liria u rrit në palcën e dheut, si shpresë.

Se liria nuk është veç një fjalë,
As një flamur që valëvitet në erë,
Është fryma që kalon nga brezi në brez,
Është rrënja që mbetet kur trupi bëhet dhe.

Kur të pushojnë dallgët e shekujve,
Kur Zeusi të heshtë mbi kupolën qiellore,
Kur Atlasi ta lëshojë barrën e botës,
E Prometeu të ndezë zjarrin e agimit të ri,

Unë, si Odiseu, do të kërkoj Itakën,
Jo për t’u kthyer aty ku dikur kam qenë,
Por për të gjetur atë që koha s’ma mori:
Rrënjën, kujtesën dhe shpirtin që më mban.

Po bie shi…

Por shpirti im nuk përkulet nga stuhia,
As nuk e shuan shpresën errësira,
Se mund të copëtohet trupi në shumë horizonte,
Por jo një shpirt që i ka rrënjët në liri.

E kur të pushojë shiu mbi këtë lis,
Kur degët të lahen nga lotët e motit,
Ndoshta do ta kuptojmë të vërtetën e jetës:
Se edhe dhimbja mund të bëhet burim i dashurisë.

Ndoshta nuk është qielli ai që qan,
Por njeriu që s’di ta shprehë atë që ndien,
Ndoshta toka nuk pret vetëm pranverën,
Por dashurinë që në çdo plagë mbin.

Se unë jam toka, jam deti, jam mali,
Jam rrënja që mbijeton nëpër shekuj,
Jam njeriu që kërkon kuptimin e jetës,
Jam dashuria që sfidon edhe vdekjen.

PO BIE SHI…

Shiu edhe mund të pushojë,
Stuhitë mund të largohen,
Por ajo që njeriu shkruan me palcën e shpirtit nuk thahet …

DHE UNË ENDE QËNDROJ!

Vendi i Lekës,03.11.2026

RIKTHIM Nga Aurora Strati

Shitjet e punimeve të 28 Artistëve pjesmarrës do të shkojnë si donacion për Gratë e prekura nga kanceri i gjirit

Teknika: Punim mozaik
Materiali: porcelan
Dimensioni: 40x80cm
Pershkrim mbi vepren e prezantuar ne ekspoziten Nderkombetare,
“Ngjyrat shërojnë “, ne galerine e arteve Gjilan.

E inspiruar nga filizofia e Dostojevskit, “Më jepni një dhimbje, t’ju jap një kryevepër”, ky mozaik është një reflektim mbi dhimbjen, forcën dhe aftësinë e gruas për t’u ringritur.

Nëpërmjet gjuhës së ngjyrave, figura femërore shndërrohet në simbol të brishtësisë që bashkëjeton me guximin, të vuajtjes, që gjen forcën për të vazhduar dhe të errësirës, që hap rrugën drejt dritës.

Nga tonet e ftohta të dhimbjes drejt ngjyrave të ngrohta të shpresës, “Rikthim” shpreh një udhëtim të brendshëm, ku çdo copëz mozaiku bëhet pjesë e një historie që nuk flet vetëm për plagët, por edhe për forcën për t’i kapërcyer ato.

Në simbolikën e Tetorit Rozë, kjo vepër i kushtohet çdo gruaje që ka luftuar, që vazhdon të luftojë dhe që, pavarësisht dhimbjes, gjen brenda vetes dritën për t’u rikthyer te jeta.

Sepse ngjyrat nuk e fshijnë dhimbjen, por i japin asaj një gjuhë. Dhe arti e shndërron atë, në forcë, shpresë dhe një kryevepër të shpirtit.

Ndonjehere, Arti,arrin te thote ate, qe fjalet s’ munden…

E keshtu, une çdo grua, qe triumfon mbi dhimbjen, e shoh si nje kryeveper!

——-

Aurora Strati ka lindur ne qytetin e Fierit dhe pas perfundimit te studimeve ne Tiranë, jeton e punon ne mesim-dhenie te Artit Elitar te mozaikut. Pas nje eksperience te gjate ne kete gjini te Artit figurativ, ka marr pjese ne shumë evente artistike, e ftuar nga Institucione Private, por jo vetem… Eshte prezantuar ne Gjilan, Ferizaj, Prishtine, Viti , ne Ambasaden e Kosoves( Sofie Bulgari.) etj. Me rastin e Mujit rozë, me ftesen nga artistja organizatore Jalldez Mustafa, per here te dyte, merr pjese ne Galerine e arteve Gjilan, ne ekspoziten nderkombetare, ” ku të ftuar ishin 28 artiste, dhe veprat e secilit do te shkojne si donacion per grate e prekura nga kanceri i gjirit. Per me shumë se tre vite permes krijimtarise disa vjecare ne artin e mozaikut, sot eshte duke inspiruar e transmetuar kete art Elitar, qe daton mijera vjecare ne vendin tone, edhe tek te rinjte. Ne kuader te ketij ketij misioni per trashegimine e mozaikut tek te rinjte, e ftuar me disa shkolla private dhe shteterore, sepse ARTI SHERON NE ÇDO DIMENSION!

———————

Galeria e Arteve të Gjilanit me ratin e “Tetorit Rozë” mikpriti 28 Artistë në Ekspozitën Ndërkombëtare nën titullin Ngjyrat Shërojnë 

Galeria e Arteve të Gjilanit mirëpriti ekspozitën “Tetori Rozë – Ngjyrat Shërojnë”, një nismë që ndërthuri krijimtarinë artistike me ndërgjegjësimin shoqëror dhe përkushtimin humanitar.

.

Ekspozita mblodhi rreth 28 artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi,Gjermani, Lugina e Preshevës. Përmes veprave të tyre, ata sollën këndvështrime dhe ndjeshmëri të ndryshme, të bashkuara nga një qëllim i përbashkët: të përcillnin mesazhe shprese, force, dashurie dhe solidariteti në mbështetje të gruas.

.

E ideuar dhe organizuar nga artistja Jalldeze Mustafa, nën kurimin e artistes Anila Hetoja dhe me kontributin e kritikut të artit Prof. Dr. Hajrush Fazliu, kjo nismë e vendosi artin në shërbim të një kauze që prek jetën e shumë grave dhe familjeve.

.

Një prani e veçantë ishte ajo e të ftuarit special, Maestro Saimir Strati, artistit të mirënjohur dhe 11 herë rekordmen i Guinness.

.

Pjesëmarrja e tij i dha një vlerë të shtuar takimit dhe mesazhit të bashkimit përmes artit. Jalldeze Mustafa Tetori Roze #tetoriroze

Bregu i Diellit – bregu i pavdekësisë- Nga ARIF EJUPI

 

 

Me sy të zinj
si kokrra ulliri,
me vetulla
krah dallëndyshe,
me shpatulla luani,
me fjalën mjaltë,
me besën kala,
me hapin vetëtimë —

ndritën tokën e qiellin
në Prishtinë.

Me orë të tëra luftuan
me ushtri e polici,
hijena të natës
që donin me na lënë
emër shuar
në Dardani e Iliridë.

Nëntor qëndrese,
nëntor krenarie —

Afrim Zhitia
e Fahri Fazliu,
përjetësisht
simbol heroizmi dhe lirie –
rrufe mbi armiq.

Arif Ejupi
Gjenevë, 3 mars 2026

TOKË FLUTURIMI – Cikël poetik nga RUZHDI GOLE

*
Detin lë pas
poshtë kodrat
qiellin lexoj në ajër,
shoh krahun e avionit
degëz’ drithërimi ndoshta
valë dhe gjeth’ nga krahët.
Jashta,
në të ftohtë
mes hojeve të ajrit
krahët e avionit s’i ndjehen,
zjarrmive buzë puth mes reve?
Mirëfilli së thelli,
këtu, dikund tjetër
më valëzojnë krahët.
Poetin lexoj në ajër.
*
Se si më duken,
njëherë ato nuk mugen
veç të bukura, të hajthme,
qeshin plot hir, xixa buzëve
herë ikona, herë afër përqafje.
Gjatë s’i vështroj dot
njerëzit ngahera nguten
hipin shkallët
pas lënë aeroport,
ah, t’isha bileta e fundit
e fluturimit
për tutje
me një nga ikonat
fshehtas
përqafje në gjoks.
*
Në Erlangen shëtis me pemët…
Ato më rrinë përkrah
në të gjitha çastet
prej tyre
gjethojnë bletë.
Hoje të gjelbërta
dita dhe nata,
të gjitha
çastet
bletë të paqme në Erlangen.
*
Pyll ndin
se po puthet
nga buzë dimri,
i kthjellët syri i ujrave
më i freskët gjaku alpin,
çdo rrekje shkund
hapat e fundmë hirin,
të kraharojmë … më pa u thinj.
Hirnon kalimthi horizonti
hop me gulçe tjera merr frymë
mbrëmja pyllit ia rrëzëllin kryqet,
në Nuremberg jetoj sonte
dhe miliona hapa larg
rrethrrotull atje
me kotjen
(e mortjes)
mes grushteve…
Pylli ndin
se po puthet.
*
Më pak se të tjerët e ndiej atdheun
dheun e tretur të Atit Kastriot,
Përkrenarja ime është thyer
edhe dehur nga triumfet
tona kalorsiake atbotë.
Vetëm një Skënderbe
trokon përkrah meje,
më sheh mua
me hijen shegë të krisur,
gjaku që pikon
s’është më dehje
por bir i arratisur…
*
Pa pandehur
jo aq pa pandehur
por si kujtesë në Nuremberg
më shfaqet një nga fantazmat
më rrëngjethëse të planetit,
Njerëzimi kujtohet për eshtrat
që ia thyen në terr
dhe ende
kurrkund s’i gjen
ende sot
në epokën e vranët
të ofshamave me helm…
më duket sikur edhe sot
plasariten statujat
vet kontinenti.
Në Nuremberg,
një brengë m’afrohet
më shumë se një jetë.
Jo pa pandehur, por kujtesë…
*
Shputat e mugut, të tjera hapa
drobitur ca nga plasat e jugut
ndez’ nga fluturat, flakëzat.
Duke jetuar veriun
kreshtëza, shpella
shputat e mugut
dredhojnë dinake,
borën e lume lënë
tek kufiri i turbullt
vet fshihen diku
gjurmë pa naze.
*
Acari gjerman sonte s’rri këmbëkryq…
Bota kërkon gjithandej shandanë
jo bota e madhe por e vockëla
që nis nga hapi i mbramë
për të shkuar në hënë
jo në hënën veç mall
por rënë pellgjeve
përmbys.
Acari gjerman
askund fshehur, askund përzënë
sonte rri këmbëkryq plot shandanë.
*
Këtu,
në Nuremberg
mëngjesi mbi fshatra
harliset frymëshenjtë.
Po atje tek vendi im ?
Mëngjesi ushqen
nga pak fshatarakët,
fusha ofshan
nga therrja në shpinë
pi ujëra e baltëra
përtyp
bukëpakët.
Mbjellja atje ofshan gjatë
cekët e thellë,
dy kallëza
ah, sa pak
për kurorë pastë
nga korrjet
e ardhshme,
tash për tash
mëngjesi
ushqehet
nga frutet
e pemës erë
fshatarakët e mi
me kothere perëndimi
ushqehen afër ndajnate.
*
Shoh jashta…
Terri zë vend nëpër eter
mbi peisazhe të larmë,
m’afrohen degë zogj
pa u ndjerë
zbresin nga qielli ngjiten lart.
Sot, të gjitha të fshehtat
më shumë i fsheh bota
kur fluturojmë ngahera
me krahë përdëlimi
terri
jashta përjashta
nder teshat e zeza
për çaste të ngrohta
zë vend
ndonjë lugine
shpejt nuk ka fat zgjimi…

„DIJA“, NJË UDHËTIM NJËZETNUMËRSH NË SHËRBIM TË KULTURËS SHQIPTARE- Nga Neki Lulaj

Ulqini kremtoi fjalën e shkruar në prag të 28 Nëntorit

Ka ngjarje kulturore që përfundojnë me mbylljen e një salle, por ka edhe të tilla që vazhdojnë të jetojnë gjatë në kujtesën e njerëzve. Një ngjarje e tillë ishte përurimi i numrit jubilar të njëzetë të revistës shkencore, kulturore dhe artistike „Dija“,  botuar dhe shtypur në IVPE Cetinë, 2026 organizuar nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi, me seli në Ulqin. Në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, qyteti i lashtë i Ulqinit hapi dyert e Bibliotekës Publike „Mirko Srzentiq“ për një takim të njerëzve të librit, të artit dhe të kulturës. Ishte një ditë kur fjala shqipe, e shkruar me përkushtim e dashuri, mblodhi rreth vetes krijues, studiues, gazetarë dhe dashamirës të kulturës, duke dëshmuar edhe një herë se libri mbetet një nga urat më të qëndrueshme që lidhin njerëzit, brezat dhe hapësirat shqiptare.Salla e bibliotekës ishte e mbushur plot. Mysafirë nga vise të ndryshme të Malit të Zi, nga Kosova dhe nga mërgata shqiptare në Gjermani kishin ardhur për të ndarë gëzimin e një botimi që, me kalimin e viteve, ka ndërtuar identitetin e vet në jetën kulturore shqiptare. Në këtë atmosferë të ngrohtë, ku takoheshin fjala, mendimi dhe malli për gjuhën e përbashkët, numri i njëzetë i revistës „Dija“ u paraqit si dëshmi e një pune të vazhdueshme, e një përkushtimi që nuk është shuar me kalimin e kohës.

Një tribunë e hapur për dijen dhe krijimtarinë

Manifestimin e drejtoi znj. Arditë Rama, drejtoreshë e Bibliotekës Publike „Mirko Srzentiq“ në Ulqin. Me fjalën e saj hyrëse, ajo bëri një përmbledhje të rëndësishme për rrugëtimin e revistës, duke vënë në pah rolin e saj edukues, studimor dhe kulturor që nga numri i parë e deri te ky botim jubilar.Fjalët e saj rikthyen në vëmendje jo vetëm historinë e një reviste, por edhe përpjekjet e njerëzve që, për vite me radhë, i kanë shërbyer fjalës së shkruar shqipe. Sepse pas çdo botimi qëndron një punë e heshtur, një përkushtim që shpesh nuk duket, por pa të cilin asnjë faqe nuk do të merrte jetë.Në panelin e përurimit morën pjesë Kryetar:prim. dr. Gani Karamanaga, kryeredaktori i revistës, z. Gazmend Çitaku, si dhe z. Sami Flamuri. Dr. Karamanaga foli  për rëndësinë e këtij botimi shumëdimensional, për përmbajtjen e tij dhe për rrugën që „Dija“ ka përshkuar që nga viti 2003 e deri në ditët tona.Gjatë këtij rrugëtimi, revista është përpjekur të krijojë një hapësirë të hapur për krijimtarinë letrare, studimet shkencore, historinë, traditën dhe mendimin kulturor shqiptar. Në faqet e saj janë takuar zëra të ndryshëm, përvoja të pasura dhe këndvështrime që e shohin kulturën si një pasuri që duhet ruajtur, zhvilluar dhe përcjellë te brezat e ardhshëm.

Pas çdo reviste qëndron puna e shumë njerëzve

Kryeredaktori, z. Gazmend Çitaku, foli për punën e bërë ndër vite, duke theksuar se kjo veprimtari nuk është rezultat i përpjekjeve të një personi të vetëm, por fryt i bashkëpunimit me krijues dhe studiues të shumtë nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova ,Mërgata dhe Ilirida.Ai shprehu mirënjohjen për të gjithë bashkëpunëtorët, të cilët, me punën e tyre vullnetare, kanë ndihmuar në jetëgjatësinë e revistës dhe në pasurimin e përmbajtjes së saj.Këtu qëndron edhe një nga vlerat më të bukura të „Dijes“: bashkimi i njerëzve rreth një ideali kulturor. Në një kohë kur angazhimi për botime serioze kërkon vullnet, sakrificë dhe këmbëngulje, bashkëpunimi i krijuesve dëshmon se dashuria për gjuhën dhe kulturën mund të jetë një forcë që i kapërcen vështirësitë. Çdo numër i botuar është një dëshmi e re e kësaj pune. Çdo faqe ruan një mendim, një kujtim, një varg, një studim apo një copëz historie që, përmes fjalës së shkruar, i shpëton harresës.

Nga poezia te historia, nga tradita te bota

Në vazhdim, fjalën e mori z. Sami Flamuri, i cili u ndal te përmbajtja e numrit jubilar dhe te larmia e temave që revista sjell për lexuesit. Ai theksoi se në këtë numër janë përfshirë poezi, prozë, ese, studime, shkrime historike dhe trajtesa që lidhen me traditën e lashtë të Ulqinit dhe të rrethinës së tij. Faqet e revistës përfshijnë krijimtari poetike shqiptare, ballkanike dhe botërore, si dhe shkrime për historinë, gjeografinë, trashëgiminë kulturore dhe udhë përshkrimet. Kjo larmi e bën „Dijen“ një botim ku lexuesi mund të gjejë jo vetëm kënaqësinë e fjalës artistike, por edhe njohuri të reja për të kaluarën dhe të tashmen. Një vend të veçantë në këtë përurim zuri edhe falënderimi për kryetarin e Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, i cili kishte financuar botimin e numrit jubilar. Mbështetja për revistat kulturore është një investim në kujtesën dhe zhvillimin shpirtëror të shoqërisë. Një botim që u jep hapësirë krijuesve dhe studiuesve nuk i shërben vetëm një rrethi të ngushtë lexuesish, por ndihmon në ruajtjen e pasurisë kulturore dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet brezave.

Fjala shqipe nuk njeh kufij

Një çast i veçantë i manifestimit ishte edhe përshëndetja e mysafirit nga Gjermania, shkrimtarit Neki Lulaj, të cilin drejtuesja e veprimtarisë, znj. Arditë Rama, e ftoi t’u drejtohej të pranishmëve.Në fjalën e tij, ai përshëndeti organizatorët, krijuesit dhe dashamirësit e kulturës, ndërsa kryeredaktorit dhe bashkëpunëtorëve të revistës u uroi punë të mbarë e suksese të mëtejshme në fushën e kulturës.Ai vlerësoi organizimin e këtij manifestimi dhe vuri në pah rëndësinë e takimeve të tilla, të cilat krijojnë mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe për afrimin e krijuesve shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë e veprojnë.Duke qenë se veprimtaria mbahej në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, ai e konsideroi këtë përkim domethënës. Festa kombëtare nuk është vetëm kujtesë e historisë sonë, por edhe një thirrje për të vazhduar punën në shërbim të gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar. Gjuha është atdheu që udhëton me njeriun, ndërsa libri është një nga mënyrat më të bukura për ta mbajtur atë të gjallë.

Mes krijuesve, gazetarëve dhe veprimtarëve të kulturës

Në përurimin e revistës ishin të pranishëm edhe z. Ismet  Kallaba, redaktor përgjegjës i së përjavshmes kulturore „Koha Javore“, përfaqësues të Radiotelevizionit të Ulqinit, shkrimtarët Neki Lulaj, Ali Gjeçbritaj dhe Mustafa Cankaj, si dhe z. Mehmet Bardhi, ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Ulqinit, i cili vazhdon të jetë i pranishëm në veprimtari të ndryshme kulturore. Prania e tyre i dha këtij takimi një frymë të veçantë bashkëpunimi. Në një sallë ku libri ishte arsyeja e mbledhjes, njerëzit patën mundësi të ndanin mendime, të rikujtonin përvoja dhe të shprehnin respektin për ata që i shërbejnë kulturës me punën e tyre të përditshme. Pas përfundimit të pjesës zyrtare, Mustafa  Canka kishte përgatitur një koktej tradicional ulqinak, ku të pranishmit vazhduan bisedat në një atmosferë miqësore. Ishte një vazhdim i natyrshëm i manifestimit, sepse kultura nuk jeton vetëm në fjalimet e përgatitura dhe në faqet e librave, por edhe në bisedat e lira, në njohjet e reja dhe në miqësitë që lindin rreth saj.

Ditë vetëtimash – Poezi nga Përparim Hysi

Vetëtimat ndezin vëndin,pritet shi të bjerë me gjyma
Shoh me sy “azërmënin” dhe nxitoj sa më del fryma
Sado shkrepin vetëtimat,unë jam nisur për në shtçpi
Shoh një zonjë që po friket.dridhet si një zog në stuhi.

E shoh që dridhet frikës,s’ka as çadër në këtë  shi.
Shkoj i bëhem”rrufepritës” dhe,nën çadër,jemi tani.
Rruga është goxha e gjatë dhe gjmimat veç gjëmojnë
Gati vëndi ndizet flakë(bobo,do na”përcëllojnë”!!!)
Ndaj e zë unë me dorë,që të mbushet me fuqi
Po unë pse ndizem horë? Vetëtimë zonja a si?
Vetëtima prapë shkrepi (zonja mend u hodh  përpjetë)
Thasë me vete,oh,ç’më gjeti! Mos e gjen ndonjë gazep?!!!
Me dy duarët e mbërtheva dhe e fut në timin gji
Thashë se në mes e theva,por s’po dridhej më tani.
Duket i pëlqeu “foleja”,se në gjoks m’u tulat
Tani ndryshe “meseleja”, atë  “punë” e kam “zanat”.
Zë e puth atë, me nge: vetëm për t’i nxjerrë”frikën”
Duket e pëlqeu se,tash e pushoi “dridhën”
E mbaj  mend mirë ditën, atë ditë me vetëtima
Se ASAJ i nxorra”frikën” dhe me të ia bëmë “prima”.
                                                                                      FLORIDA,30 tetor 2011

Baba, dashuria e parë e vajzës Nga Dijana Toska

Sot, ndërsa Kosova proteston dhe kërkon drejtësi për një grua të vrarë, duhet të pyesim veten jo vetëm kush është fajtor, por edhe çfarë shoqërie kemi ndërtuar për gratë tona. Dhuna nuk fillon gjithmonë me goditjen e parë; ajo ushqehet edhe nga heshtja, paragjykimet dhe bindja se gruaja duhet të durojë për të ruajtur familjen.

——

Pikërisht sot dua të ndaj këtë shkrim, si një kujtesë se asnjë grua nuk duhet të mbetet pa mbështetje, pa dinjitet dhe pa një derë të hapur.

Baba, dashuria e parë e vajzës

Kur një baba i jep vajzës së tij çelësin e shtëpisë

Sot më doli në Facebook një video nga një ceremoni martesore.

Një çast i bukur, por mbi të gjitha një çast që të dridhte shpirtin.

Babai iu drejtua dhëndrit me këto fjalë:

“Mos harro, Brajan: unë e kam dashur para teje. Ndaj ajo do të jetë gjithmonë e mirëpritur, nëse një ditë do të dojë të kthehet.”

Një fjali rrënqethëse.

E fortë sa shkëmbi dhe e lartë sa qielli.

Një betim i vjetër sa vetë dashuria.

Kjo është një nga ato dashuri dinjitoze që vetëm një baba di t’ia shprehë vajzës së tij:

pa zhurmë, pa dramë, por me një madhështi që i jep gruas siguri për gjithë jetën.

Një burrë një ditë mund të ndalojë së dashuruari.

Jeta mund të ndryshojë.

Rrethanat mund të thyhen.

Por të dish se gjithmonë ekziston një derë ku mund të trokasësh, një adresë ku nuk je e huaj, një strehë ku nuk të gjykojnë është një nga bekimet më të mëdha që mund të marrë një vajzë nga prindërit e saj.

Ah…

Sa shumë vajza ecin sot kokë ulur në jetë, me një frikë të padukshme në kraharor, me një heshtje që u thotë:

“Duro… sepse nuk ke ku të shkosh.”

Mungesa e kësaj fjale nuk është vetëm mungesë dashurie.

Është liri e prangosur mbi kokën e saj.

Një vajzë që nuk ka një derë ku të kthehet, mëson të jetojë me frikën si normë, të durojë e të heshtë edhe atëherë kur duhet të bërtasë.

Dhe kështu, pa e kuptuar, ajo nuk humb vetëm sigurinë humb vetveten.

Nuk është vetëm dhuna që e mban një grua peng.

Është mungesa e një vendi ku ajo ndihet e pranuar pa kushte.

Sa shumë vajza kanë nevojë ta dëgjojnë këtë fjali.

Sepse ajo nuk ishte thjesht një fjali.

Ishte shpirti i një babai që po i thoshte dhëndrit:

kjo është dora që nuk lëshohet kurrë, dhe asnjë derë e mbyllur në botë nuk do të jetë fundi i saj.

Ky është çelësi i një lirie të dhënë që në fillim të jetës.

Sa shumë siguri i jep shpirtit një ndjenjë e tillë.

Sa e bukur duket një vajzë kur ecën në rrugën e jetës me guxim, me vetëdije dhe me dinjitet.

Ndonjëherë edhe një fjali e vetme bën më shumë se një jetë e tërë këshillash.

Ajo thyen prangat në shpirtin e një vajze.

Rrëzon mitet që mbahen me shekuj e paragjykime.

Ndalon grushtet e dhunës para se të bëhen plagë.

I jep të drejtën të largohet, të mos nënshtrohet, të mos trembet, të zgjedhë veten para së gjithash.

Të shpëtohet.

Nga një baba që i thotë vajzës së vet, pa frikë nga bota:

“Ti gjithmonë ke një vend ku të kthehesh.”

Dhe dashuria e vërtetë nuk të mban peng.

Ajo të jep rrugë.

Dhe gjithmonë… një kthim.

Një vajzë nuk ka nevojë për shumë gjëra për të qenë e lumtur.

I mjafton ta dijë se nuk është kurrë vetëm.

Se diku në këtë botë ekziston një shtëpi që e pret gjithmonë derë hapur.

Faleminderit, Baba im.

Çelësin nuk ma dhe vetëm për të hapur një derë.

Ma dhe që të mos humbja kurrë rrugën për në shtëpi.

—-

Nga libri:  Aty ku rri Shqipja

Idealist e guximtar- Nga ARIF EJUPI

 

Nata e ushqeu me gjak rinor,
dita e rriti si sokol.

Nga Orllani e në Prishtinë,
disa herë, nëpër shi e dëborë,
fusha e male këmbë i kaloi.

Edhe pse bënte acar e stuhi,
numëronte çdo varr të djemve të rinj,
të vrarë nga policët
dhe ushtarët e armikut.

Betohej në Flamurin e Arbërit
dhe në fjalën e burrave
të Kongresit të Manastirit,
se do të jetë krahu i djathtë
i Zahir Pajazitit.

Më 4 shtator 1994,
te diga e Liqenit të Batllavës,
shtinë ashtu siç godet rrufeja
mbi policët, xhelatë
dhe satrapë të armikut,
që terrorizonin Llapin e Gallapin.

Isak Shabani,
me guxim luani e zemrën kala,
asnjëherë nuk u ndal,
derisa, befas, u kap
nga xhandarët dhe zagarët e armikut.

Në burgun famëkeq të Sremit.
e torturuan
dhe e lanë në gjak.

Por vetes i kishte vënë kusht:
të vdiste
e të mos jetonte me nofkën
“tradhtar”
apo “i shitur te armiku”.

Edhe pse i lidhur
këmbë e duar,
si Prometeu në pranga,
mbijetoi Masakrën e Dubravës.

Në çdo bisedë
me familjarë, shokë e miq,
thotë:

“Zoti më bekoi
dhe më shpëtoi,
që të rrëfej netët e ferrit
që përjetuam nga egërsirat e Serbisë,
të cilat dalldiseshin
e entuziazmoheshin
kur shihnin lumenj
të përzier me gjakun tonë.”

Isak Shabani,
i rritur me ajrin e pastër
të maleve të Gallapit,
qysh i ri kujtonte
pranverën e përgjakshme
të vitit 1981.

Fare mirë e dinte
se qëllimi i armikut ishte
të vriste e të shkatërronte,
pastaj nga vatrat tona
të na dëbonte,
si dikur nga Sanxhaku i Nishit.

Me djemtë skifterë
të Gallapit e Llapit,
dha betimin
se, për së gjalli,
nuk do ta pranonte robërinë.

Krijuan njësi treshe e katërshe,
që dalëngadalë u shndërruan
në Ushtrinë e lavdishme
Çlirimtare të Kosovës.

Ditën që i rrokën armët,
të gjithë u betuan
se do të vdisnin në rezistencë,
ashtu siç ranë
në Bregun e Diellit, në Prishtinë,
Afrim Zhitia
e Fahri Fazliu.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 27 korrik 2026

Skllevër të interesit- Poezi nga FATBARDH AMURSI

 

Në këtë kohë hipokrite,

ku skllevërit e interesit

kanë zënë shtigjet e mirësisë,

Kupton,

se sa e lartë është kostoja

e të qënit i lirë.

.

Vargonjtë u kthyen në varse floriri,

lëshohet goja

dhe askush s’ta varë,

Më shumë nga një i ditur

bën lajm:

ai që pëllet si i marrë.

.

Qarkullojnë njerëzit:

pavarësisht racës dhe kombësive,

mallrat kontrabandë ecin më shpejt,

Ndërsa idetë konservohen

dhe ngecin si delfinët në breg.

.

Skllevërit e interesit tallen me Spartakun

që herë-herë u përngjan

me një trafikant seksi,

Madje dhe klerikët

në shtëpinë e zotit

e përdorin shenjtërinë si të fshehin vesin.

.

Ia morën shpirtin shpirtit,

askush s’të thotë

mirëmëngjes pa interes,

Madje poetë pa botë lëvdohen,

se po krijojnë një univers…

,

Fatbardh Amursi


Send this to a friend