Më 20 të qershorit të shkuar qeveritë e Italisë, të Francës e t’Anglisë ngarkonin përfaqësuesit e tyre n’Athinë për të bërë një hap të përbashkët pranë qeverisë greke, me qëllim që të shprehnin dëshirën e fuqive të mëdha për rivendosjen e paqes në Azinë e Vogël e për t’i besuar ndërmjetësimin e tri fuqive për rregullimin e problemit greko – turk.
Duke i besuar armëve të veta qeveria e Athinës nuk pranoi deklaratën e aleatëvet. Por mbas provës së madhe, sigurisë së fitores mbi turqit e Qemal Pashës, i a zu vendin bindja se turqit n’Anadoll janë një realitet i gjallë e i pathyeshëm e që armët nuk përbëjnë mjetin më të mirë për të vendosur një paqe të qëndrueshme në atë rajon. Që këtej arsyet qenësore të udhëtimit të Gounaris – it, udhëtim i bërë skajshmërisht urgjent mbas rezultatit të mësymjes kundër Shtetit të Ankarasë pranë kryeqyteteve evropiane, për të kërkuar pikërisht ndërhyrjen e fuqive të mëdha në ndeshjen greko – qemaliste. Etapa e parë e Gounaris – it qe Parisi, ku qëndrimi i kryeministrit grek qe shumë i shkurtër, duke qënë Londra qëndra e rëndesës e çështjes që ishte objekti i menjëhershëm dhe thelbësor i misionit të tij.
Mbi bisedimet e gjata që Gounaris ka patur në Londër me Lordin Kurzon mbahet ende një vetëpërmbajtje e plotfuqishme. Në lidhje me to edhe shtypi grek, i cili është drejtpërdrejt i interesuar, nuk ka dhënë sqarime me hollësi. Ne kemi marrë vesh se, në thelb, pyetjet e para të drejtuara nga i nderuari Gounaris qeverisë angleze kanë qenë këto :
- Njohja e regjimit të ri grek, të krijuar në vazhdim të kthimit të Kostandinit.
- Dhënie e një huaje të një sasie të përshtatëshme për të përballuar nevojët e ngutëshme të Greqisë, për të mbajtur në gjëndje lufte trupat e saj në Azinë e Vogël e për të ndaluar rënien e shpejtë të dhrahmisë.
- Ndërmjetësim i aleatëve në përballjen greko – qemaliste, në vartësi të zbatimit një për një të Traktatit të Sevrit.
Kërkesat greke nuk gjetën, siç ishte e parashikueshme, mirëpritjen e Lordit Curzon. Ministri i Jashtëm britanik i bëri të kuptojë qartë të nderuarit Gounaris vendosmërinë e qeverisë angleze për të mos mbështetur më tutje Greqinë në aventurën e saj në Azinë e Vogël. Curzon-i vuri në dukje gjithashtu se ishte e pamundur tashmë të flitej për zbatim një për një të Traktatit të Sevrit, pa mbajtur parasysh gjëndjen e krijuar në Anadoll, si pasojë e përfundimit të keq të mësymjes së fundit greke. Për pasojë, nuk do të ketë asnjë shqyrtim të dobishëm, nga ana e qeverisë britanike, të kërkesave greke që nuk do të ishin thelbësisht të frymëzuara dhe në ujdi me gjëndjen faktike. Duke pranuar ndërmjetësimin në mosmarrëveshjen e papajtueshme me turqit, Greqia duhet të ketë besim të plotë në ndershmërinë dhe ndjenjën e drejtësisë së aleatëve.
Në thelb e tillë ka qenë gjuha e ministrit të jashtëm britanik. Përballë “imperativit kategorik” të Corzon-it, Gounaris, duke pranuar në vija të përgjithëshme ndërmjetësimin e aleatëvet, ka parashtruar shqyrtimit të favorshëm të tyre kërkesat e mëposhtëme, të cilat do të duhej të shërbenin si bazë e zgjidhjes së përballjes greko – turke e që do të përfaqësonin më të paktën, pra flijimin skajor të synimeve helenike :
- Regjimi i ri i Izmirit nuk duhet të ndeshet me autoritetet, deri tani themelisht të vendosura në zonën e Izmirit.
- Zgjerimi i asaj zone deri në bregun e Bropontidit (Deti Marmara).
- Qëndrimi i ushtrisë greke si siguria e vetme për forcimin e çdo regjimi të ri.
- Greqia është e gatëshme të marrë përsipër të zbatojë çdo lloj sigurie që do të quhet me të vërtetë e nevojshme për ruajtjen e pakicave jashtë zonës greke.
Lordi Curzon ka ritheksuar synimin e palëkundur t’aleatëve për të mos kushtëzuar veprën e tyre të ndërmjetësimit në përballjen greko – qemaliste, me kërkesat e palëvet në konflikt që do të përbënin një zotim paraprak. Çështja e përballjes greko – turke do të shqyrtohet e, mundësisht, do të zgjidhet nga konferenca e posaçme e ministrave të jashtëm të Fuqive të mëdha, mbledhja e ardhëshme e së cilës është prapësuar.
Lajmërohet ndërkaq si e menjëherëshme nisja e Gounaris nga Londra. Kryeministri grek pritet në Romë. Ai vjen n’Itali për të mbrojtur çështjen helenike e për të njohur pikëpamjen e saktë të gjykimit të qeverisë italiane duke uruar një qëndrim të ndershëm të saj mbi çështjen e Azisë së Vogël, çështje që intereson drejtpërsëdrejti e në mënyrë të veçantë Italinë. Gounaris do të shfrytëzojë rastin për të ngritur, në bisedat me shtetarët italianë, çështjet e Dodekanezit dhe të Shqipërisë jugore, duke kujtuar marrëveshjen Titoni – Venizellos, tashmë të mohuar nga qeveria italiane, por paditjes të së cilës, për një mendësi kurioze të saj, Greqia vazhdon të mos i besojë.
Greqia nuk ka hequr dorë nga mëtimet e saj mbi Shqipërinë jugore. Ajo ka bërë një protestë formale në Lidhjen e Kombeve dhe në Këshillin e Ambasadorëve kundër vendimevet që i kanë njohur përfundimisht Korçën dhe Gjirokastrën Shqipërisë. Ajo është e vendosur të këmbëngulë në kërkesat për ato dy krahina, shqiptare për gjuhë, kombësi, histori, gjeografi e për tradita. Ajo që është më e mjerueshme në këtë ide, sa absurde aq paradoksale dhe e rrezikshme, është fakti që Greqia synon të njëtrajtësojë qëndrimin e saj të mëtejshëm kundrejt Shqipërisë me atë të Serbisë. Në fakt ministri i Serbisë në Athinë, Balucic, ka patur së fundi një bisedë të gjatë me ministrin e jashtëm grek, Kartalis, në të cilin ka marrë pjesë edhe ministri i luftës, z. Heotoikis. Objekti i atij takimi qe pikërisht shqyrtimi i bazave të një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë e Greqisë për një qëndrim të përbashkët kundër Shqipërisë.
Si duket kombi grek nuk e kupton ende gabimin e tij shumë të rëndë historik e vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e tij të kundërshtimit ngulmues e të dhunshëm kundër Shqipërisë, dhe ajo që është më absurdja, duke u bashkuar me serbët kundër Shqipërisë. Në Athinë kundërshtohet ende të njihet një e vërtetë e prekëshme nga të gjithë : shqiptarët dhe grekët kanë një armik të vetëm e të përbashkët, të natyrshëm dhe tradicional, sllavët e jugut.
Arritja e misionit grek në Romë, sidoqoftë do t’i japë shkas shtypit të dy Vendeve të marrë në shqyrtim mundësinë e një afrimi ndërmjet Italisë dhe Greqisë. Për këtë, madje n’Athinë, ku nevoja e një afrimi të tillë bëhet e detyrueshmedhe urgjente nga vetë kushtet shumë të rënda të Vendit, shprehen më përpara gjykime dhe formulohet urimi që të mund të arrihet një marrëveshje e ndershme italo – greke. Që të mund të kryhet një marrëveshje ndërmjet Italisë dhe Greqisë është e domosdoshme, simbas mendimit tim :
- Që Greqia të heqë dorë efektivisht nga ambicia e shfrenuar dhe mëndjemadhësia për të garuar me Italinë, një fuqi e madhe evropiane prej 45 miljon banorësh, duke marrë takim me realitetin që do të thotë të nënërenduarit e interesave të saj në Azinë e Vogël atyre italiane e të shërbyerit si ndihmëse në zgjerimin e ardhëshëm politik dhe ekonomik të qytetërimit latin e grek në Mesdhe e në gjithë Lindjen evropiane.
- Që Greqia të japë pa ngurim miratimin e saj të plotë e të pakushtëzuar për pikëpamjen italiane në çështjen e Shqipërisë, qenësia e së cilës si shtet i lirë dhe i pavarur, përfaqëson për sigurinë e interesave adriatiko – ballkanike të Italisë një nevojë të pashmangëshme e të paprapësueshme.
SOTIR GJIKA
Corriere delle Puglie, 20 – 12 – 1921 Pёrktheu nga italishtja Eugjen Merlika
Komentet