“Lajmëtari” ynë ka njoftuar për hapjen solemne të vitit akademik të Institutit Lindor të Napolit, e kryer më 27 janar. Siç është e njohur, ndërmjet folësvet, foli avokati kavaljer Zef Skirò, profesor i gjuhës shqipe në atë Institut Mbretëror.
Folësi, shumë i dëgjuar dhe i duartrokitur, ka trajtuar temën “Mbi gjuhën shqipe dhe letërsinë e saj edhe në lidhje me Kolonitë shqiptare t’Italisë”. Profesor Skiroi, një luftëtar i guximshëm për ringjalljen e Atdheut të tij t’origjinës, zë një vend të lartë ndërmjet shkrimtarëve e poetëve shqiptarë më të shquar. Thellësisht i bindur se Shqipëria mund të gjejë vetëm tek Italia mbështetje për t’u ngritur si Shtet i lirë dhe i pavarur, ai ka vepruar gjithmonë për t’i bërë të pazgjidhëshme lidhjet e lashta që bashkojnë të dy Vendet. Fjala e tij, në rastin e përurimit të vitit akademik në Institutin M. të Napolit, në prani të tre ministrave të L. T. Mbretit të Italisë dhe të shumë personazheve të tjerë të ndritur, na jep ne shqiptarëvet, në këtë çast vendimtar, një tjetër provë të prekëshme të qëllimeve të ndershme nga të cilët frymëzohet Qeveria italiane kundrejt Shqipërisë.
Që ky fjalim i rëndësishëm t’i bëhet i njohur publikut italian, i cili sheh me një simpati të sinqertë Atdheun tonë të rilindur, duke uruar një t’ardhme sigurisht të shkëlqyer që, mbas dhimbjesh e flijimesh të pafund, do t’i buzëqeshë dy Vendeve fqinj, të paracaktuar të jetojnë në harmoninë e përsosur të miqësisë së përzemërt e bashkësisë së interesavet të paparashikueshme, po jap këtu një përmbledhje të shkurtër. Duke marrë shkas nga fakti që “Kancelari i hekurt”, princi Ottone Bismark, në një nga mbledhjet e Kongresit të Berlinit, u shtir se nuk kishte njohuri për qenësinë e popullit shqiptar, ashtu sikurse pohoi, për interesa të holla se Shqipëria është vetëm një shprehje gjeografike, hodhi poshtë epitetin “pa libra”, me të cilin turqit me fodullëk tregojnë shqiptarët, prof. Skiroi ka vërtetuar me një gojtari bindëse se nuk ishte e mundur që të lindëte në Shqipëri një letërsi e vërtetë kombëtare, as në kohët kur ai truall ishte vazhdimisht i përshkuar e i shkatërruar nga valët kapërthyese të barbarëvet pushtues, as në periudhën e lavdishme që shkon nga 1357 deri në 1479, që mbrohet nga dalja e Shtëpisë Balsha të Gegëve, duke vazhduar me luftërat epike të gjithë Kombit kundër turqvet, veçanërisht nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, deri në rënien fatale të Krujës e të Shkodrës.
Mbasi ceku kushtet e tmerrshme, në të cilët gjëndej Shqipëria në shekujt XV dhe XVI, kur u duk se Kombi do të copëtohej, më shumë se kurrë, në fise e këta në familje jo rrallë kundërshtare, për shkaqe fetare dhe për interesa lëndore, mjeshtërisht të nxitura e jo aq mjeshtërisht të shfrytëzuara. Oratori i ndritur ka ravijëzuar një kuadër tepër të gjallë dhe interesant të jetës së shqiptarëvet, të maleve të paarritëshme, të atyre krahinave që turqit nuk arritën t’i molepsin me praninë e tyre, vetëm sepse i gjithë populli, nga më fisniku tek qytetari më i thjeshtë, qe gjithmonë e vazhdimisht i gatshëm në armë me largpamësi por jo në letërsi dhe art.
Prof. Skiroi ka vënë në dukje se sa është e lejueshme të pranohet se në çdo kohë, pa përmëndur poezinë popullore, ka lulëzuar gojtaria e vetvetishme, e shenjtë dhe atdhetare ; aq më shumë se historia kujton emra të personazheve të shkëlqyer që, me bisedat e tyre të dobishme e të ndritura, patën një ndikim përcaktues në vendimet e rëndësishme politike, të marra nga tubimet popullore dhe këshillat e kryetarëvet dhe të pleqvet. Ka shtuar më tej se nuk është i pranueshëm, në mënyrë absolute, gjykimi, simbas të cilit shqiptarët, duke pasë vënë çdo kujdes në ushtrimin e armëvet e të vlerave ushtarake, nuk menduan kurrë të lëvronin e të lartësonin shpirtin nëpërmjet nxënies. Në këtë rast Zef Skiroi ze në gojë emrat dhe kujton veprat e Dhimitër Frangut, të Marin Barletit, historiani më i besuar i epokës dhe jetës së Gjergj Kastriotit, e të tjerëve, që patën një kulturë të gjërë latine, sepse vetëm nga Italia, që nga kohët më të hershme, Shqipëria ka mundur të marrë dritën e qytetërimit e të dijes për turp të rreziqeve të vazhdueshme e të holla të armiqvet të organizuar mirë.
Oratori, duke kundërshtuar shpesh me të drejtë e duke vërtetuar si të pathemelta teoritë e paraardhësvet të vet, interesohet për çështjen e vështirë të përcaktimit shkencor të gjuhës shqipe, në të cilën ai është një Mjeshtër i pakrahasueshëm, e që për të nuk është aspak e lidhur historikisht me idiomën e ilirëve të lashtë, pra as me mesapiken, as me venetishten e vjetër, por mbështet tezën e një “gjuhe indoevropiane”, që bën grup në vetvete me dialektet e saj ; si e tillë ajo ka lënë monumente të mbishkruara që na çojnë në shekullin e VI para Krishtit.
Më pas ka trajtuar përpjekjet e vazhdueshme të kryera nga shqiptarët, për të shkruar gjuhën e tyre në mesjetë edhe për liturgjinë, duke përmëndur elementë të vjetër të pa marrë në shqyrtim dhe dorë mbas dore ka rrjeshtuar veprat kryesore, si të shqiptarëvet të Shqipërisë ashtu sikurse dhe ato të Kolonive t’Italisë, duke filluar nga ato të Gjon Buzukut (1555), të Budit (1621 – 36 – 64), të Bardhit (1635) e të Bogdanit 1635 – 81) etj., deri tek ato të gjuhëtarit të shkëlqyer Kristoforidhit, të Sami bej Frashërit ; nga ato të Lek Matrangës nga Piana tek ato të Dhimitër Kamardës, dhe ai nga Piana e të Gavril Darës nga Palaco Adriano, e të Jul Varibobës nga Shën Gjergji (1762) tek Jeronim de Rada nga Makia (1814 – 1903). Dhe e ka përfunduar kështu :
“ Jeronim De Rada dhe Dhimitër Kamarda rifilluan marrëdhëniet, të ndërprera prej disa kohësh, me bashkatdhetarët e Dheut Amë, duke u kthyer për të bërë atë propagandë të dobishme e pjellore të ndjenjës e të mendimit që, e vazhduar pa lodhje nga të tjerë italo – shqiptarë, premton të prodhojë frute të tilla që të sigurojnë unitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë nën mbrojtjen e Italisë më të madhe.”
SOTIR GJIKA
Redaktor i botimit shqip të “Lajmëtari i Puljes”
Corriere delle Puglie, 3 – 2 – 1918 Pёrktheu nga italishtja Eugjen Merlika
Komentet