Leonardo Azzarita, disa javë më parë, na dërgonte nga Roma me telefon një koment të gjatë mbi veprimtarinë e çuditëshme politike të pashait Toptanas ato ditë në Itali. Censura nuk lejoi botimin e atij shërbimi. Por mbas disa ditësh “Ngulmi” i Milanos mundi të botojë një shkrim të gjatë të Azzaritës tonë mbi të njëjtin argument, të cilin gazetat zvicerane u nxituan t’a riprodhonin në pjesët e saj kryesore.
Ndërkaq, Esat Pasha kishte lënë Italinë për Zvicrën dhe kishte ngrehur çadrën në Gjenevë. E respektuara dhe e përhapura “Journal de Geneve” i mori një intervistë pashait shqiptar nga një redaktor i saj dhe botoi deklaratat në përgjigje të komenteve dhe njoftimeve të korespondentit tonë romak. Atyre deklaratave ka dashur t’i përgjigjej, në marrëveshje me të rinjtë shqiptarë, redaktori shqiptar i “Lajmëtari i Puglies”, Sotir Gjika, që nga Roma i ka dërguar “Ngulm”-it letrën e mëposhtëme, tepër të nevojshme e skajshmërisht fisnike, së cilës Azzarita i ynë i hoqi kapelen :
Një korespondencë e jona, që bën të njohur jetën dhe mrekullitë e pashait famëkeq të Tiranës, ka patur jehonë të gjërë në Zvicër, ku ka shumë refugjatë dhe emigrantë shqiptarë e ku janë të shumta edhe rrethet politike shqiptare. Kemi kuptuar drejt, çfarëdo të thotë Esat pasha, që ka dashur të vërtetojë edhe një herë famën e tij si kopuk i politikës shqiptare me disa deklarata ngjyrë t’errët të dhëna një redaktori të “Gazeta e Gjenevës”, që kujtonte se po pyeste asgjë më pak se një atdhetar shqiptar.
Do t’i ishim përgjigjur një për një pohimeve të pashait Toptanas, nëse nuk do të na jepej rasti t’i kundërviheshin dyshimeve të mendimeve e veprimeve të tij, të rinj shqiptarë që jetojnë në Vendin tonë e që sot, rastësisht, flasin nëpërmjet gojës së të vlertit shkrimtar Sotir Gjika, i cili, për çështjen e atdheut të tij, ka ditur të luftojë të plagoset rëndë në Durrës, ka ditur të vuajë. Asnjë përgjigje e jona nuk do të kishte patur kuptimin dhe rëndësinë e kësaj, të qartë, të ndershme e të hapur të këtij të riu shqiptar ; ne ftojmë rrethet shqiptare të Zvicrës të mendojnë mbi atë që shkruan Gjika me masën e duhur dhe zellin atdhetar.
Letra e kolegut Gjika :
“I shkëlqyer Zoti Drejtor,
Më falni nëse marr guximin t’u nis këtë bisedë e madje t’i kërkoj mirësisë Suaj që t’a botoni tek “Ngulmi”. Por mbasi lexova atë që kishte dalë në të përditëshmen Tuaj të njohur dhe atë që botoi “Gazeta e Gjenevës”, rreth prirjeve dhe veprimeve të Esat pashës lidhur me politikën shqiptare, besova se nuk ishte e kotë t’i drejtohesha bujarisë Suaj, për t’i lejuar një shqiptari të hedhë pak dritë mbi atë që pashai dëshëron t’a mbështjellë me deklarata të dyshimta dhe fjali të zbrazura nga kuptimi.
Mbani parasysh se kam ndërmarrë këtë hap, mbasi jam këshilluar me përfaqësuesit e energjivet më të mira e më të reja shqiptare që, të frymëzuar nga ideale të larta kombëtare, prej kohësh e kanë gjykuar si ogurzezë veprën e pashait, vepër e njohur për të gjithë ata që merren me çështjet shqiptare dhe njohin artet dhe metodat, nëpërmjet të cilave Esat pasha është përpjekur të quhet përfaqësues i Shqipërisë, ndërsa nuk ka ndërmjet shqiptarëve asnjë pasues me përjashtim të pak njerëzve turbullues e të paguar, por pa asnjë vlerë. Ne nuk e dijmë, as që duam t’a dijmë nëse ka patur kundërshtí, premtime dhe betime nga ana e Esatit kundrejt Italisë, megjithëse askush nuk mohon se nga Italia ai pati mbështetje e ndihma në kohët, në të cilat Qeveria italiane mendoi se mund t’ishte e dobishme të përkrahte një larvë Qeverie shqiptare, sido që të ishte, me qëllimin që të mbante në një formë jete Shqipërinë që po jepte shpirt ; është afër mëndsh të mendojmë se nga ana e pashait duhet të ketë qënë së paku një zotim i përgjithshëm, të cilit atij vetë i ka leverdisur të mos i qëndronte besnik me deklaratat e tashme, që mohojnë supozimin e të tilla zotimeve. Por loja e vjetër e dredhisë lindore del hapur, kur ai pranon se ka rënë n’ujdi me sërbët e grekët, të cilët, nëse nuk janë armiq të Italisë, nuk ka asnjë dyshim se janë të Shqipërisë.
Ku është veprimi atdhetar me të cilin pashai do të donte të kalonte si një mbrojtës i Shqipërisë ? Çfarë dhimsurie ka ai për një Atdhe shqiptar kur plotëson lakmitë greke e sërbe ? Esat Toptani është e do të jetë gjithmonë një përfaqësues i vogël i një feudalizmi ala grekshe e ala serbshe, për të cilin fjalët atdhe, lartësim moral e politik, përparim e demokraci, janë fjalë të pakuptueshme, për të cilin shteti shqiptar duhet të jetë një lloj bejllëku, pashallëku a sulltanllëku, në të cilin ai mund të bëjë e të zhbëjë simbas talentit të tij ; ai talent i bukur për të cilin ka dhënë prova të padyshimta, mbi të cilat funksionarët anglezë, italianë e francezë i kanë ndriçuar fort mirë mëndjet e njerëzve të Qeverive t’atyre Shteteve të mëdhenj. Për Esat Pashën, Shteti shqiptar duhet të jetë ajo dyzinë fermash, që kanë përbërë në të shkuarën pronën e më të famëshmit të të parëve të tij, të famëshmit Kapllan Toptani ; ai nuk kënaqet me një të tillë synim meskin për mungesë lakmije, por sepse e di mirë se zotërimi i tij mbi Shqipërinë është i pamundur, duke mos mundur të mbështetet as në partizanët, as në simpatitë, as në nënështrimet. Në veri, në qendër e në jugë, ai është njëlloj i urryer për të shkuarën e tij tiranike. Emri i ti është sinonim i mujshisë, i çrregullimit, i rreptësisë. Në vetë kështjellën e Toptanëve, në Tiranë e në Krujë, ai ka kundër katër të pestat e popullsisë dhe gjithë të afërmit, gjithë familjen Toptani.
Në emër të kujt flet Esat pasha që nuk ka qeverisur kurrë aq tokë sa të mund të kapet me sy nga lartësia e një plepi ? Sepse është mirë të flitet qartë edhe për këtë, e të mos lihet ende në këmbë legjenda e Qeverive esatiane në Shqipëri. Tre herë u përpoq të zotëronte një pjesë të Vendit me forcë. Të parën herë në krye të mbeturinave të garnizonit turk të Shkodrës, mbas dorëzimit të atij qyteti malazezëvet, për të cilën një ditë ne duhet të kërkojmë llogari për vrasjen e komandantit turk, Hasan Riza pashës ; të dytën, mbas ikjes së Princ Wiedit, me ndihmën e bandave të mbledhura në territoret e pushtuara nga sërbët dhe me paratë sërbe në vjeshtën e 1914-ës ; të tretën, në verën e 1915-ës, nëpërmjet një ekspedite sërbe që erdhi t’a çlirojë nga trupat kombëtare shqiptare që e kishin rrethuar në Durrës.
Tri herë u përpoq të imponohej me forcë e tri herë pushteti i tij u thye nga kundërshtimi i armatosur i Vendit. A ka vërtetim më të madh të mungesës absolute të bazës e të mbështetjes së popullsisë kundrejt Esat Toptanit ?
Nuk duam të shpërdorojmë mikpritjen dhe durimin e lexuesvet për të treguar kush ishin funksionarët e Esatit dhe cilat ishin metodat e Qeverisë. U tha më sipër se nuk mungojnë, mbi këtë argument, raportet evropiane, e mund të themi se mjaft tjetër mund të shtohet e do t’a shtojmë në kohën e duhur. Të lëmë mënjanë pohimin mbi pritjet që paskërka patur n’Itali ; ndërsa ne dimë se ai më kot ka pritur në qëndrimet e tij në qytetet italiane ata akte mirësjelljeje që do të kishte dashur t’i quante pritje ; të lëmë mënjanë edhe thirrjen e paqartë për dëshminë e ministrit të hershëm italian në Shqipëri, pa e përcaktuar se për kë bëhet fjalë : për të parin apo për funksionarin që drejtoi Legatën në periudhën e fundit të kryesisë së pashait në Durrës.
Të ndalemi pak për të shqyrtuar se çfarë mendon pashai për t’ardhmen e Shqipërisë, atë t’ardhme së cilës ai i a kërkon rrënjët në vendimet e largëta të Londrës e jo n’ato t’afërtat të Qeverisë italiane, për të cilën ai lëvdohet me miqësinë e dashur ! Ndoshta në mallin e tij për Atdheun pashai mendon se ato vendime të shtrembëra, me pjesët e grisura, me rrudhjet e dobiçllëqet i ndreqin më mirë, mes heshtjesh të vjetra e të reja, programin politik të pashallëkut të ëndërruar.
Sa interesant është interpretimi i Esat pashës rreth Princ Wiedit, në të cilin na kujton mashtrimin e dy letravet që pashai, në janar 1914, i dha doktor Berghausen-it, i dërguar i princit, që t’i a dorëzonte njërën Wiedit dhe tjetrën gazetës “Il piccolo” të Triestes. Kujton Esati këtë episod, të themi kështu, të paturpësisë së tij ? Në arkivin e “Il piccolo” mund të gjindet shkrimi me firmën autografe e të bëhen përsiatje interesante mbi mirëbesimin dhe ndershmërinë e tij. Por veç kësaj, a nuk e sheh Esati se sa fati i Princit i ngjet atij të vetit ? Të dy të mbyllur në Durrës, të veçuar nga pjesa tjetër e Shqipërisë, pa prestigj, fuqi dhe përkrahje, me të gjithë popullsinë kundër dhe të armatosur. Në çfarë ndryshonte fati i tyre, veç faktit se pashai kërkoi dhe arriti që ushtria sërbe, në komandën e kolonelit Pietër Mieiç, të vinte në fillim të qershorit 1915 për t’a çliruar nga rrethimi dhe gjëndja e tij kritike ? Shqiptarët nuk donin të dinin për Esatin, aq sa u qëndruan me armë në dy luftime, në Kukës dhe në Qafën e Krrabës, ushtrive të huaja që vinin për të detyruar zotërimin e pashait ; të mundur ata ruajtën urrejtjen kundër Esatit dhe sërbëvet, që qenë aleatët më të mirë të bullgarëve dhe austriakëve në ecjen e tyre në Shqipëri, sepse çdo shqiptar, mysliman a i krishterë, i thonte edhe atij që nuk donte të dëgjonte : të vijë kushdo vetëm të çlirohemi nga Esati.
Në emër të kujt pra flet pashai ? Ndoshta n’emër të 432 myslimanëve të Shijakut, që hypën me të në vaporrat për të shpëtuar nga trupat austriake, e që mund të quhen ushtria e Esatit ? Një ushtri e çuditëshme e mbajtur në këmbë nga asnjë lloj ndjenje atdhetare ose nga të tjerë ideale të këtij lloji, që lëkundet shumë edhe në besimin kundrejt kryetarit të tyre.
Për miqësinë serbo – shqiptare, në të cilën hedh fjalën pashai, ajo nuk është tjetër veçse një lojë fjalësh, në të cilën ai ngatërron veten me Shqipërinë. Nëse mund të flitet sot për miqësinë ose diçka tjetër mes Esatit dhe sërbëvet, nuk mund të flitet për miqësi serbo – shqiptare veçse kur serbët të njohin të drejtën e përshpagimeve shqiptare : nuk do të jetë edhe kjo deri sa të quhen të mundëshme për t’u sendërtuar projekte kundër tërësisë sonë tokësore, nëpërmjet intrigash e të tjera me Esatët e ndryshëm, që deri tani kanë befasuar mirëbesimin e qeveritarëve t’Evropës, duke i sjellë dëm emrit të mirë të popullit shqiptar.
Mos të ankohet Esat pasha nga qëndrimi i ndryshuar që në Itali ai ka vërejtur kundrejt tij ; shumë gjëra sqarohen me kohë dhe ai nuk duhet të dyshojë se do të vijë edhe ai hetim që don t’a shmangë, por që do të jenë shqiptarët që do t’i a bëjnë.
Të gjithë atdhetarët e sinqertë që kanë vuajtur në heshtje përndjekje e burgje ; të gjithë ne, energjitë e reja të kushtuara Atdheut, jemi e do të jemi në një mëndje se shpresa e rilindjes sonë nuk mbështetet mbi mbeturinat e feudalizmit turk, por mbi veprën që do të dijmë të kryejmë në këto rrethana tragjike, duke u treguar të denjë për atë t’ardhme për të cilën besimi ynë shkon tek ato ushtri që luftojnë për parime, të cilat do të rregullojnë njerëzimin e ardhshëm, parime që nuk pranojnë sulltanate në brigjet e Adriatikut, por qeveri të lira të popujve të pavarur.
Le të kërkojë Esati, ku dhe si don të mashtrojë kë dëshiron të gënjehet. Ne kemi besim se Italia do të dijë, siç na ka premtuar solemnisht, të mbrojë të drejtat tona e të drejtojë vendet tona, pa na imponuar mëndeshën e, aq më pak, të zgjedhim njerëzit që tashmë për ne përfaqësojnë një të shkuar të hidhur e të turpëshme.
Për këtë falënderojmë Juve, i shkëlqyer Zoti Drejtor dhe artikull shkruesin e vlertë që tek “Ngulmi”, duke paraqitur një vepër të politikës së shëndoshë, i jep popullit shqiptar një provë ndriçuese të atij interesimi të lartë e largpamës, që Italia i ka premtuar çështjes sonë kombëtare.
Romë, 26 shtator 1917 SOTIR GJIKA
Corriere delle Puglie, 29 – 9 – 1917 E pёrktheu nga italishtja Eugjen Merlika
Komentet