Për të mundur populli shqiptar të vejë përpara e të qytetërohet, ndihmë morale më të madhe ka patur, pa fjalë, përveç librave edhe gazetën e tij. Një gazetë, edhe më fort kombëtare që të sjellë pemë të mira duhet të ketë edhe një drejtor të zotin, punëtor, dhe më fort patriot.
Ne Shqiptarët, megjithëqë jemi në shpërgënj në pikëpamje gjuhe e qytetërimi, kemi patur fatmirësisht drejtorë të gazetave tona njerëz të zot e nga të pakët që numurohen sot në kombin tonë. Se cilido prej këtyre s’mund të themi që s’ka bërë detyrën e tij, se them që po të mos ishin dhe këta s’di cila do ishte gjëndja jonë sot. Por ne, të cilët në krye i adhurojmë e i lartësojmë këta njerëz deri në qiell, duke i quajtur shpëtimtarë e udhëheqës të popullit, s’di pastaj pse ftohemi sakaqë edhe, pa një pa dy, jo vetëm s’u jemi mirënjohës këtyre të vetëm patriotë po, përkundrazi, i lemë vetëm gjersa t’u dalë shpirti, i mohojmë pa edhe më në fund i shajmë se s’na pëlqejnë neve! Ç’është shkaku? Po të zemë t’i numërojmë do duam mëditje t’i përshkruajmë, andaj do të përmënd ca të paka.
- Se i dërgojmë drejtorit artikuj të na i botojë, duke patur shumë herë pretendimin të mos na presë asnjë fjalë a të na ndërronjë gjësendi, se, të gjithë shumë a pak pandehim se jemi të zotë të pendës. Drejtori, i cili ka të drejtë të botonjë ose jo një artikull, shumë herë na i hedh në shportë se ashtu e do puna ose programi i gazetës. Kjo është gjë të na dëshpërojë seriozisht sa t’a zemë sakaq armik drejtorin? Besonj që kurrë! Një njeri me mënd gjykon, ose të shumtën kërkon shpiegim me arësye, po jo të zemërohet e të shajë drejtorin, i cili mund të kishte më në fund të drejtë të mos e botonte, po i vetëquajturi shkrimtar s’e merr kurrë fajin përsipër.
- Na vjen mirë të lëvdojmë një ose të shajmë ca dhe i shkruajmë për këto drejtorit. Drejtori, duke gjykuar me gjak të ftohtë boton sa janë për të botuar dhe le më nj’anë të tjerat. Duhet t’i zëmërohemi se s’na e mbaroi punën të tërë sa t’a zemë armik? Kjo është një afërmëndje, ndryshe bëhet vegla jonë drejtori dhe atëherë s’kqyr e s’vepron ai po ne; atëherë ç’duam drejtorë kur qënkemi të zotët vetë?
- Drejtori duke marrë parasysh punët e përgjithëshme kombëtare tregon me paanësi mendimin e tij dhe godit një të paudhë ose kallzon a gjykon rreptë një vështërí. Ne, duke patur far’e fis a mik atë që godit drejtori i zëmërohemi drejt për drejt drejtorit edhe s’hedhim pak sytë prapa të shohim se mos te ay miku ynë ose far’ e fisi fshihet një tradhëtor a një njeri i lik e i dëmshëm për Kombin, të cilin neve s’e shohim se e kemi tonin po e sheh drejtori. Lipset pra t’a neveritim për këto drejtorin e gazetës?
- Na tregon udhën e drejtë duke goditur të shtrëmbrën, na nxeh ndjenjën duke rrëfyer detyrat që kemi, na kërkon më në fund pajtimet e gazetës, se ndryshe s’mbahet as ajo as ai, edhe ne, të cilët jemi të detyruar jo vetëm si patriotë të ndihmojmë Kombin, po as gazetën të mos paguajmë, të cilën na e kanë dërguar? Sa të themi që lipset të turpërohemi e të mos e lemë drejtorin gjer në shkallën sa të trokasë rrezikun e fletës, përkundrazi ne i themi “ç’na çan kokën”! E pse, se na tregon detyrën t’onë? A i mendojmë këto? Kurrë ndonjëherë, se s’duam, se s’dëshirojmë të organizohemi e të vemi përpara.
Pas këtyre e shumë të tjera të panumëruara që munt të thonim pyesim, kush e ka fajin që s’përparon një gazetë kombëtare si do zot DIELLI sot, drejtori apo ne? Le të mendohemi mirë pa do t’a gjejmë pa fjalë, po s’është vetëm qëllimi t’a gjejmë lajthimin e madh t’onin që bëjmë në gazeta edhe në Komb, po edhe t’a ndreqim sa pa dalë shpirti.
Kush ka veshë le t’a dëgjojë.
18 prill 1911 SHKËMB’ I MBLETËS
Botuar nё “Dielli” Marrё nga vёllimi “Detyra ime mbaron me jetёn time”
Komentet