“Ky është shansi që Kosova dhe Maqedonia të vendosin bashkëpunimin për fqinjësi të mirë, sidomos tani kur ka vullnet politik nga të dyja vendet”, ka thënë kryeministri i Kosovës
PRISHTINË – Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Radmila Shekerinska, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë u prit në takim nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në një njoftim nga Kryeministria e Kosovës thuhet se pjesë e diskutimit në këtë takim ishte thellimi i bashkëpunimit në shumë fusha me rëndësi për të dyja vendet, veçanërisht në fushën e sigurisë, ekonomisë dhe infrastrukturës, menaxhimi i përbashkët i kufijve dhe tema të tjera në interes reciprok.
Në njoftim poashtu theksohet se kryeministri Haradinaj në këtë takim ka thënë se, “Ky është shansi që Kosova dhe Maqedonia të vendosin bashkëpunimin për fqinjësi të mirë, sidomos tani kur ka vullnet politik nga të dyja vendet”.
Ndërkaq, ministrja Shekerinska ka thënë se “duhet të fuqizohen raportet me fqinjët në baza të komunikimit të përditshëm për punët që i preokupojnë të dyja vendet”.
Me rastin e vizitës së ministres Shekerinska, Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK) organizoi një ceremoni ushtarake. Pas ceremonisë ministrja maqedonase u prit në takim nga ministri i FSK-së, Rrustem Berisha. Pas këtij takimi është mbajtur edhe takimi i përbashkët në mes dy delegacioneve. aa
Komentet