Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”
Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.
I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.
“Letra e fratit pukian e gjeti firmëtarin kruetan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11 vjeçar nga vënde e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.
Aleksandrí, 8 dhetuer 1949
I Ndriçmi Atë,
Letrën t’Ânde me 2 nânduer të kaluem e kam marrë. E faleminderës.
E dijshem se tash po e gjên mënyrën…. me më lëshue në kurthë! Kurthë patriotike, kjo, e nji idealisti kryeneç. Të lumtë e un s’ kam si mos me Të kënaqun.
Kam me Të vu përgjegjun gjithë pyetjeve qi do të më bâjsh e po filloj prej mâ të parave qi ka letra e Jote. Mâ të parat, veç, ku un jam mâ pak kompetent se kudo në jetën t’eme politike.
Rrethim’ i Shkodrës mue më ka gjetun në Vlonë. Kishem shkue atje si delegat i Krujës e i Shoqnís Vllaznia qi kam pasë krijue vetë me qêndër në Durrës e me karakter revolucjonar për të drejtat t’ona kombtare. Duel Ismail Kemali n’atë skele e si s’qe e mundun me u mbledhun Kuvêndi kombtar n’ atë qark fanatik e ku ende ishte mjaft i gjallë pushteti tyrk, i u vûmë mbrapa kush mujti për Vlonë.
Pra gjithçka dij un rreth pyetjes që më bân Ti në letrën t’Ânde e kam vetëm me të ndieme e s’më ka pasë ra asnji herë me e gjurmue punën me njerëz qi kanë qênë vetë n’ atë punë. Këta kanë qênë pa dyshim krenët e klerit katholik, ndër të cilët P. Gjergj Fishta.
Hasan Rizaja, guvernor e komandant i Shkodrës, ka qênë nji oficer i shtatmadhorís tyrke qi ka pasë krye studimet në Gjermaní. E kam pasë pá e kam pasë folë me tê vetëm nji herë në maj ase në qershuer të vjetit 1912, kur porsa kishin fillue trazimet në krahina të ndryshme të Shqipnís qi mbandej muerën karakterin e nji revolucjoni të përgjithshëm e mbaruen me pushtimin e Shkupit prej Kosovarvet. Un ishem i ri atbotë, vetëm 25 vjeç. Ai kishte pasë pasun urdhën prej Ministrit të Mbrêndshëm Haxhi Adil begut me më kapun e internue – kinse si profesor gjymnazi – në Urfa, qi as sod s’e dij a bie në Syrí apo n’ Irak. Shqipnija e mesme po përgatitej me marrë pjesë në kryengritje së bashku me Mirditën e un kishem nevojë me fitue edhe nja nji muej kohë. Prandej kishem shkue në Shkodër, bashkë me Avdi beg Toptanin e me i u lutun Valís qi të shkruente për me më ndalë atje në zyrat e tija si sekretar. Më premtoi edhe përnjimênd e bâni të venë, por përgjegja i erdh negative. Por qëllim’ i im i vërteti qe krye. Moji qi më duhej kishte kalue.
Mbaj mênd se Hasan Rizán e kam pasë përshkrue nji herë në nji rivistë shkodrane, nuk dij a në Hyllin apo në Lekën. Tyrk e bir Tyrku e burrë katërqindsh e me pamje të gjâna. Oficer gjerman me gjithë kuptimin e fjalës. Kur plasi lufta balkanike, pra edhe me Malin e Zí, sigurisht ai i ka shpeshue kontaktet e tija me parín e Shkodrës e posaçe me klerin katholik. Malsija e Madhe, sikurse dihet, pat kapun pushkën bashkë me Malazezt kundra Tyrqís. S’ka dyshim qi Kleri, për me ligjue veprën e Malsorvet, do t’i kenë pasë bâmë fjalë përmbi ndienjat qi i kishin shtýmë ata me u bashkue me Shkjá.
Por derisa atdheu i vet ishte në luftë e kishte ende shpresë fitimi, qoftë edhe me ndërhymjen e Austro-Hungarís, s’kishte si me dhânë asnji premtim për me kënaqun ato dienja. Mirë po qe se Tyrqia u mujt, u shtrëngue me pranue vendimet e konferencës së Londrës e me lamë duert prej Shqipnije e gati prej gjithë Rumelís. E qe se Hasan Rizaja atëherë na zbulohet me të tânë shkëlqimin e vërtyteve të tija. E din se atë ditë e mbrapa s’ ishte tue luftue mâ për nji qytet të Tyrqís, as për t’i ndihmue tërthoras atdheut të vet në konferencën e paqës, mbasi për Tyrqín s’kishte mbetun mâ mundsí transakcjonesh për nji vênd qi e kishte pranue si të humbun definitivisht. Ç’e shtŷni ushtarin gjerman me u grî ndër fortesat e bregdetit verijuer të Francës edhe sa kohë mbas kapitullimit të gjith’atdheut të tij? Hasan Rizaja ishte nji kolos ushtarak qi e kishte thithun edukatën ushtarake prej së njâjtës gurrë. Ai luftonte tash vetëm për nderën ushtarake të kombit e të vetes së vet. Më thotë mêndja edhe se në vêndimin e tij për qëndresë do të ketë luejtun rol mjaft edhe nji ndiesí tjetër: Shkodra për Tyrqín kishte mbarue, por kufîjt e Shqipnís me Malin e Zí ishin ende në bisedim e mâ vonë e dijmë se për me i mbetun Shkodra Shqipnís u deshtën 800000 ushtarë t’Austro-Hungarís nën bajoneta. Hasan Rizaja pra e dinte edhe qi Shkodra ishte në kontestim ndërmjet Shqipnís e Malit të Zí e për ta, ndërmjet Austrís e Rusís. E sigurisht qi donte t’i jitte mâ parë Shqipnís, kombi qi historikisht kishte lânë gjurma të thella në zêmrat e Tyrqvet, pa përjashtue as ndiesín fetare, se sa të Shkjenís. Dhe qe ideja e Hasan Rizá Pashës me e vazhdue luftën me flamurin e Shqipnís. Mâ në fund edhe në nji faktor tjetër më shkon mêndja. Tyrqija kishte bâmë armpushim me anmiqt e vet e atbotë trupat e Shkodrës e Komandanti vetë, tue luftue me flamurin e Tyrqís, në bazë të së drejtës ndërkombëtare mund të quhej rebele me të gjitha konsekvencat ushtarake të ksaj gjâje. Por nuk më resulton se ushtarët e komandantat gjermanë qi zuna në gojë mâ nalt janë trajtue si rebela.
Si po e sheh, un jam i bindun se inicjativa e ndërrimit të flamurit të Tyrqís me të Shqipnís në Shkodër âsht marrë prej Hasan Rizás. Por para se me e bâmë këtë ndërrim ai desh me e shtimë në punë edhe ushtarakisht. Kështu hyni në marrveshtje me klerin katholik për me tërhjekun Malsorët prej veti tue i propunue atë gjâ për shkak të së cilës ata ishin bashkue me Malazezt.
Bash kur puna kishte mbërrîmë në këtë pikë, pra, duel dora tradhtare e i a preu fatosit të Shkodrës ditt e jetës dhe inicjativën bujare.
Mâ shumë un nuk dij me Të thânë rreth asaj episode historike e prandej këtu po i ap fund. Por jo pa e mbarue këtë letër me urimet e mija mâ miqsoret për Kërshëndellat e vjetën e re qi kemi mbas dere.
MKruja
Aleksandrí, 18 kallnuer 1950
I dashtuni mik,
Letrën Tânde me 6 të k.m. e mora. Kishi fillue tue thânë se “ket herë nuk po e pres përgjegjen T’uej… “. S’e mora vesht cilën përgjegje, mbasi nji përgjegje qi të kam pasun borxh T’a kam nisë ka kohë e të porositun madje. Flas këtu për përgjegjen e letrës ku më pyetshe për Hasan Rizán. Kësaj i jam përgjegjun me 22 dhetuer me letër të porositun. Mbas asaj tjetër letër prej Teje marrë s’kam mâ posë ksaj së fundit.
Shënimet e dy fotografí Tuja (aqë sa duhen e të tretën po e mbaj vetë për kujtim) për pasaportën t’Ânde nisen nesër për Kajro e pasaportën do t’a marrsh prej andej nga miku i im Z. Nexhmedin Bey Qorraliu. Ka me qênë nji pasaportë e lëshueme prej Legatës Mbretnore Shqiptare në Kajro, i vetmi mjet qi na ka mbetun sod ne të ngratve për nji ksi dokumenti. Ky âsht e vërtetë qi s’ pin ujë kudo, por s’kemi mundsí tjetër.
Ato shtete qi s’ kanë lidhje me Shqipnín komuniste, me sa më rezulton, e pranojnë, ndërsa tjerat më duket se jo. Besoj, pra, se n’Austrí mundesh me shkue me tê e … ishalla, mbasi je frat, edhe Italija s’T’a mohon vistimin e kthimit mbi tê, sado qi i a desht interesa me bâmë lidhje me Tiranën e kuqe.
Shkuen edhe nji palë Krishtlindje e filloj edhe vjeti 1950 e na gjithmonë në vênd të huej e Zoti e din se edhe për sa Krishtlindje tjera! Veç vetë e din i Lumi se edhe për sa vjet vuejtje tjera e ka dënue atë popull e sa tjerë bashkë me tê. Na po i lutemi, veç, për veti, për familjet e për popullin t’onë e Ai, me madhní të vet, bâftë e na i ndëgjoftë lutjet t’ona. Kështu po bâj un edhe për tý, i dashtuni mik.
Nuk dij a Të bie në dorë rregullisht “L’Albanie Libre”, organ i Blokut Kombtar Indipendent. Të dy këta emna jam un qi i kam gjet’ e ngjitun. Me gjithë këtê, n’e paç lexue numrin e dhetorit të kaluem do t’ a keni pá sa mirë jam shpërblye! Këta për sa më përket personalisht. Por gjith’ aqë interesant janë edhe dy numrat shtatuer e nânduer nga nji pikpamje e përgjithshme. Në mos i paç këndue asnji, edhe mâ mirë, e as vetë s’po Të flas për ta.
Në kohën e Alì Pashë Tepelenës Pasha i Beratit qi kishte pasë qênë nji qyqar, po bisedonte nji ditë me nji qehajë të vet qi ishte njeri i squet e homme d’esprit[1], si i thonë Frângjit; – A ke ndie ti, po i thotë Pasha qehajës, qi Mbreti paska nisun këtyne anve nji tartar të posaçëm me nji dekoratë të madhe për nji Pashë? – Jo, Pashë, un s’kam ndie kurrgjâ, përgjigjet qehaja. – Pra âsht e vërtetë, por s’ po dij se cili ka me qênë ky Pashë fatlum; a të merr mêndja gjâ tý? pyetë Pasha i Beratit prap. E qehaja: – Qe besa, lum Pasha i em, un kishem me thânë se n’i a pastë nisë Mbret’ i ynë këtë nishan kuj për mênd ky ka me qênë Pasha i Vlonës, për trimní ai i Janinës e… në qoftë veç për rizá të Zotit, ky pa dyshim ka me qênë Zotnija e Jote!
Ndiç pra, edhe ne Shqipove veç për mëshrirë në dashtë i Madhi Zot me na falë gjâ.
E me kaqë po Të përshëndes me zêmër e miqsí të vërtetë.
MKruja
Aleksandrí, 6 Fruer 1950
I dashuni Atë,
Letra e jote me 20 dhetuer më ka ra në dorë mbas nji mueji, me postë të zakonshme e jo ajrore. Kështu mora vesht për ç’ përgjegje flitshe në letrën tjetër të mâvonshme e t’ ardhun para ksaj me postë ajrore për punë të pasaportit. Ksaj i u përgjegja mejherë e shpresoj qi të ketë rá në dorë letra e ime. Tash po u përgjigjem me sa dij e me sa më merr mêndja atyne pikave historike qi po më pyet.
Nuk dij e deri tash s’e kam ndie asnji herë qi Esad Toptani të ketë qênë mason. Për mue s’ka as gjasë – nuk po them mundsí – kjo gjâ. Këtë mendim e pështes në faktin qi Esadi ka qênë besimtar e aso kohe, sidomos për nji besimtar të thjeshtë, me qênë mason ishte si me qênë i pafé. Pra për mue edhe vetëm me këtë arsyetim gishti masonik në vrasën e tij bie poshtë.
Po unë edhe pa këtê e dij mirë se si âsht vramë Esad Pasha. Avni Rustemi, qi e kam njohun shumë mirë, nuk ka qênë frymzue prej kurrkuj tjetër, as shqiptar as të huej, posë zêmrës së tij fisnike e patriotike deri aty e kthe dalë. Ishte djalosh i rí, idealist i kulluet e s’prânte tue fshâmë përpara shpektakullit të përvajtueshëm të gjêndjes së Shqipnís s’asohershme e të rreziqeve qi i u kërcnojshin përmbrênda e përjashta. Ishte student në magistero[2] të Romës, por s’i epej, jo me studjue, por as me hângër e me pimë si gjithkush. Kur ka vendosun ai me shkue e me vramë Esadin në Paris, krejt Shqipnija e mesme kishte hymë kryekëput nën influencën esadjane. E kur them Shqipnija e mesme do të kuptojsh virtualisht krejt viset ndërmjet Drinit e Vjosës, veç 9 bajrakve të Zhubës e të Mirditës e Pukës. Qeverija e Tiranës me Sulejman Delvinën kryeministër e Ahmet Zogun ministër të mbrêndshëm kishte mbetun e pafuqishme kundrejt çetavet esadiste qi bridhshin lirisht deri ke muret e kryeqytetit.
Avniu donte me shkue në Paris, e kishte damë vetë me veti. Por ishte i papasun e s’ kishte pare as për shpenzime rruge as për banim atje, deri qi t’i vinte ora e gjestit qi kishte damë me krye. I çilet nji shoqi qi shpresonte se mund t’ i ndihmonte. Por as ky s’ paska pasun apo për arsye tjetër, s’ e dij, edhe paska vojt ‘ e i a ka kallzue punën mikut të vet politik n’atë kohë, ministrit të mbrêndshëm Ahmet Zogut. Ky patjetër i epka atij për Avnín 4000, s’ dij a lira italjane apo frang France. Me këto pare niset Avniu prej Tirane për Romë, ku ndalet pak dit e ku i bien n’erë punës edhe 3-4 nacjonalista tjerë, e mbandej çán për Paris. I avitet Esadit me anën e sekretarit privat të tij Stavro s’dij kushit prej Kavaje kinse për nji bursë studimesh n’atë kryeqytet. Kështu nxûni banimin e viktimës së tij (Hotel Ritz, në mos u gabofsha) edhe nji ditë vojt’e e priti poshtë në hall[3] e kur Pasha duel jashtë, tue i u hudhë automobilit, e ndoq mbrapa e i briti: “Ndalu, tradhtar i Atdheut!” edhe qiti mbë tê nuk dij sa herë me revolen a pistolen qi kishte pasë blé, nuk e dij a në Romë apo në Paris. Këta janë faktet qi dij un të vrasës së Esad Pashë Toptanit.
DORZIM’I SHKODRËS. Historikisht duket nji fakt përgjithsisht i pranuem qi Shkodra për mungesë municjoni e heje nuk mund të qëndronte mâ shumë se edhe pak, fort pak dit tjera kur âsht dorzue. Pra ai dorzim, si fakt në vetveti, jo veç qi s’mund të zêhet tradhtí, por madje nji ndodhí ushtarake e shkëlqyeshme për Komandantin. Tradhtija qëndron ngjeti, në akordin politik të fshehtë ndërmjet Esadit e Malazezvet, ndoshta edhe me pjesmarrjen e ndoj delegati sërb ase edhe rus, për sa i përket s’ ardhmes së Shkodrës. E vërteta âsht qi eksistenca e nji akordi të këtilë mue deri sot nuk më ka resultue as prej botimesh qi janë bâmë as prej bisedimesh diplomatike qi janë zhvillue ndër konferenca të ndryshme rreth fatit të Shqipnís përgjithsisht e të Shkodrës posaçe. Veçse mbas nji bisedimi personal e nji me nji me Esadin në Tiranë pak dit mbasi kishte lëshue Shkodrën, për veti kam dalë i bindun atças, qi ky, së paku me gojë, Shkodrën u a kishte premtue Malazezvet. Prandej edhe, ndonse mik i tij me shpirt e me krye prej axhet e prej babet, qyshë atë minutë u bâna anmik aktiv e i papajtueshëm me tê. Edhe mund të besohet ndoshta qi akordi të ketë qênë verbal. Sepse: 1) Esad Pashë Toptani, qi ishte tue dorzue kalán e rrethueme, ishte nji gjeneral tyrk e si i tilë po e bânte dorzimin, ndërsa ajo kalá i përkitte nji vêndi en principe [4] të damë prej Tyrqijet qysh me kushtet e armpushimit qi kjo kishte nënshkrue me Shtetet balkanikë. Ç’ vjeftë diplomatike, pra, do të kishte për Slavët nji dokument i nënshkruem prej tij? Do të kishte, po, nji vjeftë vetëm faqe Esadit personalisht kur ky t’ishte bâmë Princ i Shqipnís, siç i ishte premtue nga ana e Slavëvet për shpërblim të Shkodrës e për t’a pasun Sërbt vasal të vetin. Pra Slavët e kishin në dorë Esadin: për me i a njohun princnín do t’ i lypshin mâ parë Shkodrën, ndryshe Esadi princ s’u bânte, mbasi e vetmja përkrahje internacjonale qi do të kishte ishte ajo. E qe se pse mund t’ a pranoj qi marrveshtja do të ketë qênë verbale përsa i përket ksaj pike. Kam lexue kopjen tyrqisht të protokollit të dorzimit të Shkodrës. E shkëlqyeshme, asnji gjysë fjale për pronarín e qytetit, vetëm klauza ushtarake.
A ka marrë Esadi pare prej Malazezvet për lëshimin e Shkodrës? Un s’e dij. Por, megjithë qi pyetja e Jote ishte vetëm kjo, un fola përgjithsisht mbi lëshimin e Shkodrës, nergut për me konkludue qi për mue kjo punë s’ka asnji rândsí të posaçme. Ç’ janë, tekembramja, nji gjysë miljoni frang ar për nji Shtet, edhe të vogël si Mal’ i Zí, qi âsht tue bjerrë me qinda djelmsh për gjithë ditë e qi nuk i din me sigurí kushtet e mbrêndshme ushtarake të qytetit të rrethuem? Pra Esadi ato pare mundet me i pasë marrë, e pse jo, edhe me nji bluff[5], pa premtue kurrgjâ për të ardhëshmen e qytetit, por vetëm për dorzimin e këtij ushtarakisht, mbasi për tê pruejtja ishte bâmë tashmâ e pamundshme. Për historjanin, mbas mendimit t’ em, randsí kanë përgjegjet e qe këtyne pyetjeve:
1) A kishte mundsí Shkodra me i qëndrue mâ gjatë rrethimit sërbo-malazez? Edhe sa kohë ende?
2) Mbrênda atyne ditve se, pa pikë dyshimi, çâshtje ditsh ka qênë qi Shkodra mund të mbahej ende, a kishte mundsí ushtarake ase diplomatike qi të shpëtonte ajo definitivisht prej pushtimit?
3) A ka bâmë komandanti i projës nji akord politik me Slavët për avenirin e Shkodrës, me shkrim ase verbal?
Vetëm pyetja e dytë s’e ka përgjegjen t’ eme në sa kam shkrue mâ nalt. Ushtarakisht pa dyshim Slavët do t’ a kishin mbajtun rrethimin edhe për shumë kohë e të rrethuemit s’ishin në gjêndje me qëndrue as me e thye anmikun. Âsht thânë, por un s’jam në gjêndje as t’ a vërtetoj as t’ a përgënjeshtroj, se Fuqít e mëdhá mbrênda pak ditve do t’i kishin shtrëngue Slavët me u tërhjekun. Për vërtetimin e ksaj pike historjanit i duhet me studjue botimet e mundsisht dokumentat diplomatikë qi i përkasin. Âsht nji pikë me rândsí, jo aqë për gjykimin e protagonistit sa për historín në vetveti. Sepse nji komandant i rrethuem pa kurrfarë lidhjeje me botën e jashtme nuk mund t’ a dinte se ç’ ishte tue rrjedhun ndër qarqet diplomatike.
Shênj shum’ i keq e komprometues për Esadin, shumë mâ i rândë se paret qi mund të ketë marrë, âsht vrasa e Hasan Rizás. Pse e vrau? Ç’ qëllim djallzuer kishte? Vetëm për ambicjonin e tij me qênë komandant ai? Jo, objektivisht âsht tepër vështirë me e pranue.
Me kaq roli i Esad Pashë Toptanit në dorzimin e Shkodrës për mue, dmth për aqë sa mundem un, âsht i spjeguem. Të vijmë, pra… ke xhevahiret e Krist Malokit. Fakti historik për të cilin po më pyet në lidhje me pohimet e atij njeriu âsht esencjalisht i vërtetë. Fara e nji ideje kombtare shqiptare ka fillue me u mbjellë ndër ne me anën e shkrimit shqip e të propagandës politike nëpër këtë shkrim. E këtê e kanë fillue Shqiptarët e jashtëm e ata i kanë dhânë hovin mâ të madhin. Un vetë, p.sh., plot para 50 vjetsh, tue qênë fëmijë në Krujën t’eme ende, e kam marrë vesht se ka nji shkrim shqip e e kam nxânë këtê ndër qarqet bektashijane prej “abetares” së Frashërit e mbandej jam frymzue me idét kombtare deri 15 vjeç e mâ vonë, gjithmonë tinëz, në gjymnaz të Janinës prej veprave të Neimit: Istoria e Skënder Beut, Qerbelaja, Lulet e verës; e prej “Shqipëria ç’ka qênë, ç’është e ç’do të jetë” të Samiut. Botimet divulgative shqip, mâ të parat, i kemi prej patrijotvet orthodoks në Rumaní e n’ Egjypt. Pra nuk âsht nji eksagjerim me pohue se lëvizja e përlindjes shqiptare ka fillue prej Shqiptarve të jashtëm, tue i marrë edhe Frashrijotët për të këtilë, me gjithë qi ata kanë jetue në Stamboll, jashta Shqipnijet po, por jo në mërgim.
Me kaq besoj se Të kam vullëndue. Këtë letër, si atê mâ të parën kso doret, kam me t’a nisun të porositun, mbasi letrat i shkruej pa kopje e do të më vinte keq qi këto të Tujat të humbatshin. Nuk mund t’i përsris mâ, mund të shkruej sa të duesh, por me përsritun s’kam durim. Madje do të lutem qi, si t’a keshë përdorë për qëllimet e lavdueshme qi ke me to, të m’ i ruejsh n’arqivën t’Ânde nemose për djelmt e mij. Korrespendenca e ime me Tý po bâhet përherë mâ interesante.
Si të kam shkrue, pasaportin T’a kam porositun e pa tjetër ke për t’a marrë.
Tjetër s’më jet me Të thânë, posë përshëndetjeve të mija krejt miqsore.
MKruja
Komentet