Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në News 24 ka thënë me kryetarin e partisë nuk mund ta heqë askush, qoftë ky edhe ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Paloka gjithashtu tha se Topalli dhe Patozi janë dy figura me përvojë të gjatë në strukturat e PD, dhe e dinë se partia nuk funksionon kështu, pra me shkarkime.
“Nuk kam dëshirë të komentoj deklarata që nuk i njoh. Por nëse do të ishte kështu, është e gabuar, sepse askush nuk mund të shkarkojë kryetari i partisë, qoftë edhe Berisha, ndërkohë që ai ka marrë votat e anëtarësisë. Mendoj se edhe Patozi edhe Topalli kanë jo vetëm përvojën e gjatë në strukturat e PD, por kanë edhe pjekurinë e duhur për të kuptuar se nuk funksionon kështu partia. Nëse kërkojmë funksionimin e statutit, e dimë që nuk funksionon kështu. Për mua kjo nuk është një deklaratë me logjikë. Unë nuk po them që këto figura duan ta shkatërrojnë PD. Nuk kam dëgjuar të thotë dikush që kanë krijuar fraksione.
Kur të shtrihet dora të komunikosh me ide, apo të bindësh anëtarësinë që ke një platformë për të ardhur në pushtet, futesh në konkurrim dhe fiton nëse ke shumicën, por nëse përpiqesh vetëm të dëmtosh, nuk funksionon. Dhe ne rastet i kemi, gjatë fushatës së 2017, unë e kam thënë edhe në vend tjetër, për fat të keq, për pakënaqësi të momentit, patëm anëtarë kryesie që deklaruan dhe i kërkuan demokratëve të mos votojnë. Dolën në konferencë shtypi dhe i kërkuan demokratëve të mos votojnë. Pati nga ata që për karshillëk shkuan dhe bënin selfie nga Parisi, dhe i postonin në FB. Pati të tjerë që nuk shkuan të votojnë”, tha Paloka.
Debatet e nxehta në Kryesi, flet Paloka: Nuk ka fraksione brenda PD-së, por…
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në News 24 është shprehur kundër idesë së krijimit të fraksioneve në parti.
Ai i është përgjigjur pyetjes së gazetares një mbledhje ku në fakt dolën haptazi fraksionet brenda PD-së, që ju në fakt i keni quajtur shkatërruese për PD. Pse janë të tilla mendimet ndryshe?
Paloka tha se:
“Janë dy gjëra të ndryshme. Në atë mbledhje nuk ka dalë ndonjë fraksion, por kanë diskutuar njerëz me mendime të ndryshme. Këtë çështjen e fraksionit, që të jem i sinqertë e kam dëgjuar në media se nuk e kam parë ta shprehë apo kërkojë dikush. Është krejt normale që të ketë qëndrime të ndryshme. Jemi 27 vite demokraci dhe pluralizëm, normale që do ketë ide të tilla. Kur këto qëndrime, ide, apo platforma, siç është përmendur, nëse vijnë në interes të qëllimit të përbashkët që kemi të gjithë demokratët, të ngritjes dhe fuqizimit të PD-së, janë të mirëpritura, dhe kjo është normale. Kështu funksionon në demokraci. Këto ide paraqiten, diskutohen, votohen, dhe kështu ndodh në demokraci, pra vendos shumica. Pasi votohen dhe merret vendim nga strukturat e PD atëherë të gjithë janë të detyruar ta zbatojnë.”
Komentet