Liderët e G20-ës bëjnë thirrje për “forcimin e masave kundër financimit të organizatave ndërkombëtare terroriste, në veçanti ISIS-it, Al-Kaedës dhe bashkëpunëtorëve të tyre”
HAMBURG – Liderët e 20 ekonomive më të fuqishme në botë (G20) u zotuan të premten për të rritur përpjekjet për të luftuar terrorizmin, duke përmirësuar ndarjen e informacioneve, duke luftuar financimin e terrorizmit dhe propagandën e saj në internet.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha në një konferencë shtypi se liderët kanë rënë dakord për bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër terrorizmit, pas një diskutimi të gjatë në samitin e Hamburgut.
“Do të donim të punonim më pranë kornizës së Kombeve të Bashkuara”, tha ajo, duke shtuar se bashkëpunimi i tyre do të përqendrohet në luftimin e financimit, rekrutimit dhe burimeve ideologjike të terrorizmit.
Në deklaratën e përbashkët të publikuar pas takimit, liderët e G20-ës bëjnë thirrje për “forcimin e masave kundër financimit të organizatave ndërkombëtare terroriste, në veçanti DEASH-it, Al-Kaedës dhe bashkëpunëtorëve të tyre”.
“Nuk duhet të ketë ‘hapësira të sigurta’ për financimin e terrorizmit kudo në botë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të liderëve.
Liderët u zotuan gjithashtu të përmirësojnë shkëmbimin e informacioneve midis organeve të inteligjencës dhe organet e rendit.
“Ne do të sigurojmë që terroristët të nxirren para drejtësisë”, kanë theksuar liderët.
Ndryshe, Samiti i sotëm në Hamburg është mbajtur teksa kanë vazhduar protesta të shoqëruara me përleshje dhe incidente mes protestuesve dhe policisë, si pasojë e të cilave raportohet edhe për të lënduar.
Komentet