Avionë amerikanë dhe mjete fluturuese të telekomanduara kanë filluar të mbërrijnë në një bazë ajrore në jug të Turqisë. Njoftimin e bërë ministri i jashtëm turk sot, në prag të fillimit të një operacioni për të sprapsur ektremistët e Shtetit Islamik nga një zonë e Sirisë pranë kufirit me Turqinë.
Ministri Mevlut Cavusoglu tha se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara do të fillonin së shpejti një betejë në shkallë të gjerë kundër ISIS, për të mundësuar një mjedis më të sigurtë për forcat e moderuara të opozitës të cilat luftojnë kundër ekstremistëve.
Ai i bëri komentet gjatë një vizite në Malajzi, ku u takua me Sekretarin e Shtetit John Kerry, i cili ndodhet atje për një forum rajonal.
Turqia ra dakord muajin e kaluar të lejonte forcat amerikane të përdornin bazën Incirlik pranë kufirit me Sirinë.
Zyrtarët e kanë përshkruar planin si një operacion për të krijuar “një zonë pa elementë të ISIS” e cila të shtrihet 100 kilometra në pjesën veriore të Sirisë. Megjithë kërkesat e përsëritura të Turqisë, plani nuk përfshin vendosjen e një zone ndalim-fluturimesh në rajon.
Shtetet e Bashkuara janë vënë në krye të një koalicioni vendesh që kanë ndërmarrë goditje ajrore kundër Shtetit Islamik që nga shtatori i vitit të kaluar.
Komentet