Një gropë tjetër karstike është shfaqur këtë fillim dhjetori në periferi të qytetit të Belshit, duke rikthyer shqetësimin e hershëm në zonën e Dumresë, e njohur për formacionet e tilla natyrore që ndër vite kanë krijuar plot 84 liqene.

Gropa e fundit është hapur në lagjen ‘Hysa’, vetëm 1 kilometër larg qendrës së qytetit në një zonë të banuar me dhjetëra shtëpi.

Banorët raportojnë se ajo po zgjerohet dhe thellohet çdo ditë, duke krijuar panik e pasiguri për sigurinë e banesave dhe lëvizjen e fëmijëve.

Sipas informacioneve nga terreni, fenomeni karstik ka ndryshuar ndjeshëm sipërfaqen e tokës, duke bërë që dhjetëra banorë të ndihen të rrezikuar dhe të kërkojnë reagim të menjëhershëm nga autoritetet.

Ndërkohë, autoritetet vendore kanë paralajmëruar banorët të mos i afrohen gropës, veçanërisht fëmijët që rrezikojnë më shumë për shkak të pavetëdijes mbi pasojat e këtij fenomeni.
Po ashtu, është konfirmuar se në orët në vijim do të nisë rrethimi i perimetrit, ndërsa faza e dytë do të jetë mbushja e gropës me inerte për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Fenomenet karstike në Dumre vijojnë të jenë një sfidë e përhershme, por shfaqja e tyre në zona të banuara rrit urgjencën për masa parandaluese dhe studime të thelluara gjeologjike. gsh






















































































































Komentet