Zbulohen financat dhe pasuritë e paluajtshme të ministrave të qeverisë “Rama”, të dorëzuara pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive për vitin 2016.
“Panorama” ka siguruar deklarimin vjetor të anëtarëve të Këshillit të Ministrave, ku bie në sy se për disa prej tyre, viti 2016 ka qenë i suksesshëm financiarisht.
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është ndër më të pasurit e qeverisë. Koka, së bashku me bashkëshorten e tij, në vitin 2016 kanë bërë një sërë blerjesh, po ashtu shitje apartamentesh, shlyerje detyrimesh, si dhe kontrata me vlerë 900 mijë euroshe.
Edhe ministra të tjerë, si ai i Energjetikës, Damian Gjiknuri, kanë shtuar investimet në vitin 2016, me porositjen e një apartamenti të ri me hapësirë 199.5 m², me një vlerë totale 271 mijë euro.
Ajo që bie në sy nga verifikimi i deklarimeve vjetore është fakti se ministrat kanë deklaruar vetëm pagat, dietat dhe honoraret, ndërkohë që llogaritë bankare dhe lëvizjen e parave i kryejnë bashkëshortet e tyre.
Ministri i ri, Eduard Shalsi, ka deklaruar pagën e tij dhe një qira nga apartamentet, ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar veçmas depozita bankare dhe një sërë pagash që përfitohen nga mësimdhënia.
Edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka deklaruar shtim të llogarive bankare, por paga e tij si ministër është shumë herë më e ulët sesa fiton bashkëshortja e tij si ekspertë dhe konsulente projektesh.
Ajo që bie në sy është fakti se ministrat, edhe pse kanë shuma të konsiderueshme parash në depozita, ata kanë marrë kredi dhe overdrafte për blerje apartamentesh.
Edhe ministri i ri i Transporteve, Sokol Dervishaj, ka marrë një sërë kredish dhe overdraftesh, po ashtu dhe bashkëshortja e tij, ndërkohë që gjendja financiare në banka është e majme.
Komentet