VOAL

VOAL

Basha: Rivlerësimi i gjyqtarëve e prokurorëve – projekt mafioz i ambasadores Vlahutin

April 12, 2017

Komentet

Sondazhi i IRI-t, Ballkani Perëndimor endet mes shtrenjtimit të jetesës, korrupsionit dhe pritshmërisë për integrimet euro-atlantike

VOA/Ilirian Agolli

Instituti Ndërkombëtar Republikan publikoi sot rezultatet e një sondazhi të zhvilluar gjatë shkurtit në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku shtrenjtimi i jetesës, papunësia dhe korrupsioni renditen në të gjithë rajonin si tre problemet kryesore më shqetësuese. Një pjesë e madhe e të anketuarve në Mal të Zi (38%), në Maqedoninë e Veriut (31%), në Bosnje e Hercegovinë (29%), në Serbi (28%), në Kosovë (28%) dhe në Shqipëri (22%) mendojnë se kostot e jetesës dhe çmimet e larta janë problemi më i rëndësishëm, me të cilin përballet vendi i tyre. Për Malin e Zi shqetësimi për kostot e jetesës është më shumë se dyfishuar nga viti 2022 (18%), ndërsa shqetësimi për papunësinë (15%) është ulur dy herë.

Sondazhi IRI, 2

Sondazhi IRI, 2

Papunësia, sipas anketës, është problemi tjetër kryesor me të cilën përballen vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosova (29%) e rendit si shqetësim të parë, ndonëse me një përmirësim të dukshëm nga viti 2022 (46%). Në Shqipëri, ku anketa është realizuar për herë të parë, Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi e renditin papunësinë si shqetësimin e dytë më të madh, ndërsa në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut, papunësia renditet si shqetësimi i tretë më i madh.

Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut, renditet si problemi i dytë më i madh, i përkeqësuar me tre herë në krahasim me vitin 2022. Edhe në Serbi korrupsioni është po ashtu shqetësimi i dytë më i madh. Ndërsa në Shqipëri, Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë korrupsioni renditet si problemi i tretë më shqetësues nga të anketuarit.

Pjesa dërrmuese, në të 6 vendet pohojnë se korrupsioni është një problem serioz për vendet e tyre: 97% në Shqipëri, 90% në Maqedoninë e Veriut, 89% në Malin e Zi, 88% në Kosovë, 86% në Bosnje e Hercegovinë dhe 83% në Serbi. Të anketuarit në Shqipëri perceptojnë si ndër më të korruptuarit, kryeministrin dhe qeverinë, shërbimet publike, drejtësinë, partitë politike dhe oligarkët, ndërsa në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi më shumë të korruptuar perceptohen partitë politike, shërbimet publike, drejtësia dhe oligarkët.

Qytetarët e anketuar, vlerësojnë se shqetësime kryesore si çmimet, papunësia dhe korrupsioni, duhet të trajtohen me përparësi të lartë nga qeveritë e vendeve të tyre.

Në Serbi vetëm 6 për qind e të anketuarve e cilësojnë temën e Kosovës si një problem të rëndësishëm, me të cilin po përballet vendi i tyre, ndërsa vetëm 4 për qind e tyre mendojnë se Kosova duhet të jetë një përparësi kryesore për t’u trajtuar nga qeveria. Ata kanë renditur para saj, shumë shqetësime të tjera si ekonomia, korrupsioni, varfëria, papunësia, shëndetësia dhe kriminaliteti.

Sipas këtij sondazhi rajonal, në Maqedoninë e Veriut janë shtuar skeptikët lidhur me drejtimin nga po shkon vendi. Dy vjet më parë 75% e të anketuarve mendonin se Shkupi po ecte në drejtimin e gabuar, ndërsa tani ata që kanë këtë mendim janë shtuar në 78 për qind.

Tre të katërtat e të anketuarve në Bosnjë dhe Hercegovinë, mendojnë se vendi i tyre po shkon në rrugën e gabuar. Në Shqipëri pak më shumë se gjysma e të anketuarve (52%) mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar, ndërsa 42% pohuan se vendi është në rrugën e duhur.

Kosova shënon sivjet një përmirësim optimist të situatës. Dy vjet më parë 55 për qind mendonin se Prishtina po shkonte në drejtimin e gabuar, ndërsa sot 65 për qind e të anketuarve mendojnë se Kosova është në rrugën e duhur. Në Malin e Zi më shumë se gjysma e të anketuarve (52%) mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e duhur, përkundër pjesës tjetër (41%) e cila mendon të kundërtën.

Në Serbi më shumë se gjysma e të anketuarve (56%) janë të kënaqur me rrugën që po ndjek vendi i tyre, afërsisht i njëjti rezultat me dy vjet më parë. Në mënyrë të përsëritur, nga viti 2020, 2022, 2024, më shumë se gjysma e të anketuarve në Serbi (57%) mendojnë se ajo për të cilën Serbia ka më shumë nevojë aktualisht është qëndrueshmëria dhe vazhdimësia, kundrejt pjesës tjetër (40%) që thotë se duhet ndryshimi, i cili sipas tyre duhet të përfshijë politikanët kryesorë dhe partitë në pushtet, situatën ekonomike, standartet kulturore dhe administrative.

Sondazhi i IRI-t ka një kapitull për standartet demokratike dhe të drejtat e njeriut. Në Maqedoninë e Veriut të anketuarit vlerësojnë se po ecën “keq” dhe “shumë keq” demokracia (58%), të drejtat e njeriut (62%), ekonomia (86%), ndërsa po ecin “mirë” dhe “shumë mirë” liria e medias (54%) dhe sundimi i ligjit (78%). Në Shqipëri të anketuarit pohuan se janë “keq” dhe “shumë keq” demokracia (54%), të drejtat e njeriut (53%), ekonomia (74%), ndërsa po ecën “mirë” dhe “shumë mirë” liria e medias (51%). Lidhur me sundimin e ligjit, të anketuarit, janë të ndarë përgjysmë në vlerësim të mirë dhe të keq.

Të anketuarit në Kosovë vlerësojnë se po ecin “mirë” dhe “shumë mirë” demokracia (80%), të drejtat e njeriut (75%), liria e medias (83%), sundimi i ligjit (63%), ndërsa për ekonominë 71 për qind e tyre thonë se është “keq” dhe “shumë keq“. Në Malin e Zi pohuan se janë “mirë” dhe “shumë mirë” demokracia (59%), të drejtat e njeriut (54%), liria e medias (62%), ndërsa “keq” dhe “shumë keq” vlerësojnë ekonominë (74%) dhe sundimi e ligjit (58%).

Të anketuarit në Serbi vlerësojnë “mirë” dhe “shumë mirë” demokracinë (58%), të drejtat e njeriut (60%), lirinë e medias (59%), mbizotërimin e ligjit (53%), ndonëse ekonominë e cilësojnë (69%) “keq” dhe “shumë keq”. Në Bosnje dhe Hercegovinë pas një vlerësimi të “mirë” për demokracinë (53%) dhe lirinë e medias (62%), të tjerat, për të anketuarit shkojnë “keq” dhe “shumë keq”, të drejtat e njeriut (53%), ekonomia (74%), sundimi i ligjit (60%).

Liria e medias vlerësohet si një temë më vete në anketimin e IRI-t. 82% e të anketuarve në Kosovë mendojnë se media atje është e lirë për të mbuluar çështje në mënyrë të pavarur. Këtë mendim kanë 64% e të anketuarve në Mal të Zi, 61% në Bosnje e Hercegovinë, 60% në Serbi, 53% në Maqedoni të Veriut dhe 51% në Shqipëri.

Besimi tek politikanët dhe institucionet është në nivele të ulëta në të gjithë gjithë vendet e rajonit. Në Shqipëri, sipas anketës, mosbesimi më i lartë është ndaj parlamentit (77%) dhe ndaj partive politike (76%). Afro 60 për qind e të anketuarve pohojnë se nuk kanë besim tek asnjë politikan. Mosbesimi shprehet ndaj KQZ-së (59%), ndaj gjykatave (58%), ndaj presidentit (52%), ndaj kryeministrit (51%). Ata janë të ndarë, në mënyrë të barabartë (49%-49%) në besimin ndaj medias, ndërsa institucionet që besojnë më shumë janë ushtria (51%), institucionet fetare (59%) dhe policia (63%).

Edhe në Kosovë mosbesimi më i lartë shprehet ndaj partive politike (66%) dhe ndaj gjykatave (51%). Të anketuarit atje janë të ndarë (50%/48%) në besimin ndaj parlamentit, ndërsa ata shprehin besim të lartë ndaj medias (54%/44%), ndaj KQZ-së (60%), ndaj kryeministrit (63%), ndaj presidentit (66%), ndaj institucioneve fetare (85%), ndaj policisë (89%) dhe ndaj ushtrisë (91%).

Në Maqedoninë e Veriut të anketuarit shprehin shumë mosbesim ndaj gjykatave (81%), ndaj parlamentit (77%), ndaj kryeministrit (74%), ndaj partive politike (70%), ndaj presidentit (68%), ndaj KQZ-së (65%), si dhe ndaj policisë (51%). Megjithatë ata kanë besim tek media (50%/49%), tek ushtria (60%) dhe tek institucionet fetare (67%).

Të anketuarit në Malin e Zi shprehin mosbesim ndaj partive (69%), ndaj parlamentit (54%), ndaj mediave (55%). Ata pohuan se kanë besim ndaj KQZ-së (50%), ndaj kryeministrit (50%), ndaj gjykatave (52%), ndaj presidentit (59%, ndaj policisë (66%), ndaj besimeve fetare (71%), dhe ndaj ushtrisë (80%).

Në Serbi mosbesimi është po ashtu i konsiderueshëm ndaj partive (66%), ndaj gjykatave (60%), ndaj medias (54%), ndaj parlamentit (51%). Megjithatë të anketuarit shprehin besim tek policia (51%), te kryeministri (58%), te presidenti (62%), te ushtria (63%) si dhe te institucionet fetare (66%).

Në Bosnje dhe Hercegovinë mosbesimi më i lartë shprehet ndaj partive politike (78%), ndaj parlamentit (68%), ndaj kryeministrit (63%), ndaj KQZ-së (59%), ndaj Presidencës (59%), ndaj gjykatave (55%), ndërsa të anketuarit shprehin besim të lartë ndaj mediave (54%), ndaj ushtrisë (64%), ndaj institucioneve fetare 72%, dhe ndaj policisë 75%.

Sondazhi IRI, 3

Sondazhi IRI, 3

Nga anketimi i Institutit Ndërkombëtar Republikan mbi politikën e jashtme del një përkrahje e gjerë pro-Perëndimore e Shqipërisë dhe Kosovës në krahasim me vendet e tjera, ku përkrahja pro-Perëndimore është zbehur edhe në vendet anëtare të NATO-s si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, dhe ku Serbia mbetet në fund të listës. 87 për qind e të anketuarve në Kosovë dhe 82 për qind të anketuarve në Shqipëri mendojnë se këto vende duhet të ndjekin vetëm politika pro perëndimore dhe pro Bashkimit Europian. Kosova dhe Shqipëria janë shtetet më pro-perëndimore në Ballkan. Studimi konstaton se ky mendim në Kosovë është rritur me 10 për qind, nga 77% dy vjet më parë.

Përkrahja për orientimin euro-atlantik në rajon po lëkundet përballë vonesave të integrimit apo ndjenjave pro-ruse, megjithatë për shqiptarët drejtimi perëndimor vazhdon të vlerësohet si drejtimi i vetëm. Ndërsa për të tjerët gjërat duket se kanë ndryshuar. Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie në mbështetjen e politikave perëndimore nga 41% në 31%, Mali i Zi ka mbetur në vetëm 36 për qind, Bosnje e Hercegovina ka një rënie nga 42 për qind në 39%, ndërsa Serbia është në nivelin 10%. Qytetarët në këto katër vende, mendojnë se krahas Perëndimit duhet të mbajnë marrëdhënie me Rusinë, madje në rastin e Serbisë 12% mendojnë se Beogradi duhet të ndjekë vetëm politika pro-Ruse, kundrejt 10% politikave pro-Perëndimore.

Sondazhi IRI, 4

Sondazhi IRI, 4

Sa i takon integrimit në NATO spikasin Kosova dhe Shqipëria. 88% e të anketuarve në Kosovë kërkojnë anëtarësim të plotë në NATO, një rritje me 13% nga viti 2022, ndërsa 91% e shohin pozitv rolin e saj në botë. Në Shqipëri, anëtare e Aleancës prej shumë vitesh, 85% e të anketuarve mbështesin Aleancën, 91% e vlerësojnë pozitiv për vendin anëtarësimin e saj, dhe 86% e tyre e shohin pozitiv rolin e saj në botë. Mbështetja për anëtarësimin në NATO në Maqedoninë e Veriut është 52%, rreth 70% e shohin si pozitiv për vendin, dhe 65% e shohin pozitv rolin e saj në botë.

Në Mal të Zi anëtarësimin në NATO e mbështesin 61%, e shohin si të dobishëm për vendit 39% e tyre, ndërsa 55% e shohin si pozitiv rolin e Aleancës në botë. Në Bosnje e Hercegovinë 50% e të anketuarve shprehen për anëtarësim të plotë në NATO dhe 57% e shohin pozitivisht rolin e saj në botë. Ndërsa në Serbi vetëm 3% cilësojnë anëtarësimin e plotë e shprehin si të dobishëm për të ardhmen e vendit dhe vetëm 2% e shohin pozitivisht rolin e saj në botë.

Sondazhi IRI, 5

Sondazhi IRI, 5

Integrimin në BE e duan të gjithë. Sipas anketës së IRI-t, nëse sot do të mbahej një referendum për anëtarësimin në BE, atëherë do të votonin pro 92% e Shqipërisë, 89% e Kosovës, 79 për qind e Malit të Zi, 68% e Bosnje e Hercegovinës, 68% e Maqedonisë së Veriut, si dhe 40 për qind e Serbisë, por 34 për qind e serbëve janë gati të votojnë kundër anëtarësimit në BE. Shumica (62%) në Kosovë mendojnë se oferta e BE-së për anëtarësim ndaj vendeve të Ballkanit perëndimor është serioze. Po ashtu edhe 59% në Mal të Zi, 54% në Shqipëri dhe 44% në Bosnje e Hercegovinë. Por nga ana tjetër 54% e të anketuarve në Serbi dhe 47% e tyre në Maqedoninë e Veriut mendojnë se BE-ja nuk është serioze me këto oferta.

Sondazhi i IRI-t ikushton vëmendje edhe vlerësimeve mbi marrëdhëniet e vendeve me jashtë dhe ndikimet nga jashtë. Të anketuarit në Shqipëri cilësojnë si aleatë më të rëndësishëm për vendin SHBA-të (56%), Italinë (10%), Turqinë (8%), Kosovën (5%) dhe Gjermaninë (4%). Ata në Kosovë mendojnë si aleatë më të rëndësishëm për vendin e tyre SHBA-të (80%), Shqipërinë (6%), Gjermaninë (5%) dhe Turqinë (3%). Por Maqedonia e Veriut sheh si aleatë më të rëndësishëm Serbinë (34%), SHBA-të (17%), Turqinë (12%), Rusinë (8%) dhe Shqipërinë (5%). Edhe të anketuarit në Malin e Zi shohin si aleatë Serbinë (32%), SHBA-të (20%), Rusinë (9%), Turqinë (6%), Bosnje e Hercegovinën (3%). Në Serbi shohin si aleatë më të rëndësishëm Rusinë (46%), Kinën (14%), Hungarinë (5%), Greqinë (3%), Gjermaninë (2%). Ndërsa të anketuarit në Bosnje e Hercegovinë shohin si aleatë të rëndësishëm për vendin e tyre Turqinë (22%), Serbinë (16%), Rusinë (13%), SHBA-të (12%) dhe Kroacinë (9%).

Sondazhi IRI, 6

Sondazhi IRI, 6

Si kërcënimin më të madh për vendin e tyre të anketuarit në Shqipëri shohin Serbinë (36%), Rusinë (32%) dhe Greqinë (9%). Në Kosovë si kërcënim shohin Serbinë (83%) dhe Rusinë (8%). Të anketuarit në Maqedoninë e Veriut cilësojnë si kërcënim Bullgarinë (23%), Rusinë (12%), Kosovën (10%), Shqipërinë (9%) madje edhe SHBA-të (8%). Në Malin e Zi të anketuarit shohin si kërcënim për vendin e tyre SHBA-të (19%), Rusinë (17%), Serbinë (10%) madje edhe Kosovën (7%). Ndërsa në Serbi të anketuarit shohin si kërcënim SHBA-të (36%), Shqipërinë (18%), Kosovën (10%), Kroacinë (5%), Britaninë e Madhe (5%). Bosnje e Hercegovina sheh si kërcënim Serbinë (27%), SHBA-të (20%), Rusinë (15%), madje edhe Shqipërinë (3%), dhe Turqinë (2%).

Për të anketuarit në Shqipëri vendet më të favorshme janë SHBA-të (92%), Gjermania (91%), Kosova (91%), Turqia (84%), Maqedonia e Veriut (65%), Mali i Zi (64%), Kroacia (62%), madje edhe Bosnje e Hercegovina (40%), ndërsa cilësojnë si vendet më të pafavorshme Rusinë (85%) dhe Serbinë (84%).

Në Kosovë vendet më të favorshme vlerësohen SHBA-të, Gjermania, Shqipëria, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, ndërsa më pak të favorshmet Serbia (91%), Rusia (89%) dhe Kina (79%).

Të anketuarit në Maqedoninë e Veriut cilësuan si vendet më të favorshme Turqinë (77%), Gjermaninë (73%), Malin e Zi (72%), Kroacinë (69%), Serbinë (70%), Bosnje e Hercegovinën (66%), Kinën (56%), SHBA-të (49% /43% jo), Rusia (40% /41% jo), ndërsa më pak të favorshmit përmendin Shqipërinë (50%) dhe Kosovën (58%).

Në Malin e Zi të anketuarit vlerësojnë si të favorshëm për vendin e tyre Bosnje e Hercegovinën (75%), Serbinë (71%), Maqedoninë e Veriut (70%), Gjermaninë (68%), Kinën (66%), Turqinë (65%), Kroacinë (58%), Rusinë (55%), SHBA-të (50%). Vendet më pak të favorshme për malazezët janë Shqipëria (59%) dhe Kosova (54%).

Sipas sondazhit, në Serbi shihen si më të favorshme Rusia, Kina, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Turqia, por më pak të favorshme Shqipëria (86%), SHBA-të (75%), Kroacia (73%), Kosova (67%) dhe Gjermania (49%/).

Në Bosnje e Hercegovinë vlerësojnë si vendet më të favorshme Gjermaninë (73%), Turqinë (69%), Malin e Zi (64%), Maqedoninë e Veriut (60%), Kroacinë (53%), SHBA-të (53%), Kinën (51%) dhe Kosovën (49%), ndërsa si vendet më të pafavorshme renditin Rusinë (57%), Serbinë (56%) dhe Shqipërinë (51%).

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të ndara edhe sa i takon luftës në Ukrainë. 49 për qind e të anketuarve serbë mendojnë se sulmi i Rusisë në Ukrainë është i justifikueshëm, ndërsa 37% që mendojnë të kundërtën. Në Maqedoninë e Veriut 53% mendojnë se sulmi rus ndaj Ukrainës është i pajustifikueshëm, kundrejt 33% që e justifikojnë atë. Në Mal të Zi 61% e të anketuarve e cilësojnë si të pajustifikueshëm sulmin rus ndaj Ukrainës, kundrejt 31% që e justifikojnë. Në Bosnje e Hercegovinë 65% e të anketuarve e cilësojnë sulmin rus ndaj Ukrainës si të pajustifikueshëm kundrejt 27% që e quajnë të justifikueshëm atë. Në Kosovë 72% e të anketuarve e cilësojnë të pajustifikueshëm sulmin rus ndaj Ukrainës, kundrejt vetëm 15% pro, ndërsa në Shqipëri 82% e të anketuarve e cilësojnë atë sulm të pajustifikueshëm, kundrejt vetëm 9 për qind që e justifikojnë atë. Shqipëria dhe Kosova mbajnë gjerësisht anën e Ukrainës përkatësisht me 78% dhe 73%.

Në Maqedoninë e Veriut 54% e të anketuarve shprehen se nuk mbështesin asnjërën nga palët. 54% e serbëve mbështesin Rusinë në konfliktin ushtarak, në Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi janë të ndarë midis mbështetjes për Rusinë, mbështetjes për Ukrainën dhe asnjërës nga palët. Ndërsa 73% në Kosovë, 57% në Shqipëri dhe 34% në Bosnje e Hercegovinë mendojnë se Rusia është përgjegjëse për konfliktin ushtarak. 43% në Serbi, 27% në Maqedoni të Veriut mendojnë se përgjegjës është Perëndimi. Në Malin e Zi 27% bëjnë përgjegjës Rusinë dhe 26% mbajnë përgjegjës Perëndimin për atë konflikt. 68% për qind në Serbi dhe 44% në Mal të Zi mendojnë se Rusia do ta fitojë luftën, ndërsa 50% në Shqipëri dhe 47 për qind në Kosovë mendojnë se Ukraina do të fitojë.

Sondazhi i IRI-t në Ballkanin Perëndimor sjell kështu një pamje mjaft komplekse në zhvillimet e brendshme të secilit vend sa i takon ekonomisë problematike, vlerësimeve ndaj politikës dhe qeverisjes, raporteve të tensionuara apo mosbesuese mes njëri tjetrit, dhe qëndrimeve të tyre ndaj integrimeve në NATO dhe BE, apo zhvillimeve si sulmi rus ndaj Ukrainës, që ka provokuar luhatje në politikat e jashtme të kryeqyteteve në këtë rajon.

PROTESTA E SHTATË- Opozita rikthehet sot te Bashkia pas skandalit ‘5D’

Ditën e sotme Aleanca për Teatrin, e mbështetur edhe nga opozita ka thirrur protestën e 7 para bashkisë së Tiranës ku do të kërkohet dorëheqja e kryetarit të kësaj bashkie Erion Veliajt për aferat korruptive të drejtorëve të tij skandalin e korrupsionit të njohur edhe si dosja “5D”, ku disa prej tyre tashmë gjenden prapa hekurave për vjedhjen e taksave të qytetarëve me kompaninë fantazëm “5D”.

Protesta do të fillojë në orën 11.00.

E ndërsa pritet që në protestën e sotme të ketë pjesëmarrje masive të qytetarëve të Tiranës, gjatë ditës së djeshme Policia e Tiranës bëri me dije se do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin kryesor. sn

UGSHPD: RAMA ME DIASPORËN PO MAT FORCAT E ZGJEDHJEVE TË ARDHSHME 

 
 
Është pasuar me shumë parashikime dhe komente para dhe pas vizita e së Dielës 12 Maj, 2024 në Greqi e kryeministrit Rama. Ajo ç’ka ngjau në dy orë i ka të gjitha brenda në Stadiumin e Galatsit të Athinës përsa i përket vështrimeve pro dhe kundra, me numura real 5 mijë brenda dhe po kaq jashtë, me mbështetës dhe me shumë pak kundërshtarë, me trendin e ri turistëve socialistë për mitingje jashtë shtetit apo vlera e lëvizjes së lirë, ku punonjës të zyrave të shtetetit  shijojnë turizmin partiak në një kohë kur shërbimi për qytetarët ka humbur cilësitë dhe taksohet rëndë. Flitet mbi trazim ujrash për zgjedhjet në BE, për konspiracion apo shënjestra “atentati” dhe theksohet enkas përvjetori i arrestimit të një kryebashkiaku të pakicave greke në Himarë etj. pa çka se demokracia, shteti i së drejtës dhe diplomacia po shihen si burimet e fundit që po e ushqejnë pushtetin e korruptuar të Ramës. Pra gjithshka po investohet duke ngritur rreth tij një zhurmë për të tërhequr vemendjen nga gjendja e vështirë e Shqipërisë. Gazetarët dhe analistët fluturojnë në një avjon me kryeministrin për të kapur atmosferën ditës së tij për më pas dhe jo lajmin. Një shfaqje kjo plot shpenzime që bazës organizative e Rilindjes Socialiste dhe mështetësve (vullnetarë), u ka kushtuar dy muaj dhe ku janë hedhur energji për mbajtjen e takimit me Ramën që kërkoi dhe çeli një turne me diasporën, por që publikut ju njoftua vetëm dy javë më parë.
Ky inventar atmosfere dhe fjalimi i Ramës në versionin zyrtar mund të kuptohet thellësisht nga çdo lexues edhe tek pasqyrimet e detajuara që i ka dhënë Agjencia Telegrafike Shqiptare përveç mediave pranë qeverisë. Një ditë pas zhurmës së Athinës veç përqindjeve me shifrat ditore të turistëve, ATSH hodhi në përdorim aplikacionin e ri të lajmit, prej ku propaganda do të arrijë më shpejtë si shërbim turbullues dhe i njëanëshëm i publikut sa kohë që Rama është në pushtet.
Ndryshe nga këto pasqyrime lajmesh si edhe i atyre të medias greke e shqiptare, dy tre çështje mund të dalin nga  vëzhgimi ndryshe se si u përcoll takimi në Stadiumin e Galatsit të Athinës.
1- ATSH thellon ideologjinë.
 
Për lajmet e saj zyrtare shprehet për komunitete shqiptare dhe diasporë në këtë kohë prag zgjedhjesh kur forca politike që ka pushtetin niset me një tur takimesh në Evropë: “TIRANË, 12 maj/ATS/- Kryeministri Edi Rama nisi sot turin e takimeve me komunitetet shqiptare në Europë. Ndalesa e parë e këtij rrugëtimi ishte Athina, ku Kryeministri u mikprit nga mijëra shqiptarë të diasporës që jetojnë e punojnë prej shumë vitesh tashmë në Greqi”…
Në 33 vitet e fundit  shqiptarët emigrantë u vendosën në shtetet pritëse dhe bashkë me diasporën e vjetër në botë sëbashku njihen si bashkëatdhetarë e bashkëkombas. Kur flitet për shqiptarë në Greqi, atje janë gati 700 mijë në numër të valës së re dhe të gjithë të rritur në numër po përpiqen të integrohen pranë një shteti në BE si Greqia, me punën dhe djersën e ballit të tyre. Janë qytetarë të një shteti që u ka afruar lirinë dhe ata punojnë fort duke bërë ekonomi. Kanë ndërtuar familjet, shkollohen dhe zhvillohen duke i ruajtur treditat, kanë mbajtur lidhjet me familjet dhe të afërmit e tyre në Shqipëri duke i ndihmuar ekonomikisht. Vetëndërgjegjësimi i bashkëatdhetarëve ka nisur për një jetë më të mirë dhe aty ku jetojnë shprehin për vendlindjen një dashuri të madhe cilën as nuk mundet t’ua kujtojë dhe as nuk mundet t’ua rrëmbejë politika dhe politikanët e papërgjegjshëm në Shqipëri të cilët mbeten përgjegjësit kryesorë të ngadalsimit të zhvillimit kombëtar për shkak të korrupsionit. Një forcë politike që rri prej vitesh në pushtet përmes abuzimit dhe vjedhjes dhe që del tani për ta lypur votën në diasporë, tregon se ajo po bën përpjekjet e fundit para humbjes. 
Një ligj kushtetues që ju besua atyre dhe që parashikon “Votën e Diasporës”, është sabotuar prej vitesh nga një aktor si Rama, nga partia e tij dhe nga aleatë të tyre të cilët diasporën e vjetër dhe të re në qoftëse nuk do t’ia dalin dot duke e kompromentuar dhe ta blejnë, ata do ta përdorin shëmtuar si një fasadë.
 

2- Studiot televizive filluan të presin përfaqësues Rilindas.

 

Gjatë një tryeze në Now-Euronews në mbrëmjen e të Hënës 13 Maj, u shtrua për dikutim se: A u provokua  Greqia nga Shqipëria prej kësaj vizite?  Evis Kushi (ish Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste) që ka një karrierë politike aq sa edhe vitet  Rilindjes Socialiste në pushtet të jep përshtypjen se duket si askush tjetër  që të ketë lexuar me zell tezat diplomatike nga Modulet e Akademisë Politike të Ramës kur thekson mbi thelpinjtë e fjalës së Ramës në Athinë: 
“Unë nuk pres aspak tensionim. E para njëherë, unë nuk jam dakort që grekët paskan kulturë evpropiane  dhe ne paskemi kulturë provinciale, aspak. Përkundrazi ne pikërisht këtë treguam në këtë miting  dhe këtë kemi treguar edhe gjatë viteve të fundit neve nuk jemi më inferior. Dhe po ta vini re këtë ka dashur të thotë kryeministri në fjalimin e tij nga fillimi deri në fund.  Që shqiptarët nuk janë më ai kombi inferior që rri me kokën ulur, por përkundrazi kërkon të drejta të barabarta.  Dhe kjo u kërkua pra, respekt. Respekti reciprok njësoj siç trajtojmë ne grekët etnik në Himarë apo kudo tjetër në Shqipëri, në të njëjtën mënyrë ne kërkojmë që edhe që të trajtohen dhe të respektohen shqiptarët  në Greqi.  Ky ishte thelbi i  diskutimit”. 
Evis Kushi në fundin e fjalimit të Ramës zbulon edhe një  thelb të dytë ku Shqipëria dhe Greqia gjinden në një epokë të re marrëdhëniesh si; “dy fqinjë të mirë, si dy miq të mirë”.
 
I kushtuam këtë paragraf për të kuptuar dy thelbet diplomatike të shprehjes “së forcës” ose më mirë të themi të sforcimit të kërkuar nga takimi i liderit të saj Rama. Në të vërtetë cilido që të jetë numri i pjesëmarrjes, 5000 brenda dhe po kaq jashtë ashtu sikurse me mijëra mund ta kenë ndjekur drejtpërdrejtë ky rezultat populist në rrënjën katrore apo të një fuqie më të madhe që përcjell diplomacia profesioniste, e lexon sjelljen autoritare edhe jashtë kufijve shqiptarë si një shterrim pushteti dhe një turne që do të përshpejtojë izolimin në qoftë se ky kryeministër, nuk pengon opozitën dhe pluralizmin, nuk zbaton kushtetutën dhe shtetin e së drejtës dhe për më keq dëmton demokracinë. Të largohesh me mesazhin si dy fqinj të mirë për një tubim në një stadium të Athinës, është njësoj si t’i përdorësh pas 50 vitesh shqiptarët ideologjikisht të bashkuar rreth partisë dhe udhëheqësit. Kjo frymë populiste jep rezultat për të prodhuar histeri siç dha të kundërtën “Koncerti i Marinelës”, kur për veshin e publikut muzika e preferuar greke u ndoq në sallë me bileta të urdhëruara dhe me vetëpërmbajtje revolucionare, ashtu sikurse kudo në Shqipëri shkruheshin parrullat e ndërtimit socialist dhe Partisë së Punës. Koncerti i Marinelës u përsërit disa vite më pas me Albanon numerikisht me po kaq ndjekës dhe i dha provat sa herë që diktaturës i duhej të zbulonte raportet e fqinjësisë së mirë me Greqinë apo Italinë dhe do të luante me kartën e kulturës si e si që ta çorodiste popullsinë dhe të gjente mënyra për ta forcouar më shumë shtrëngesën e rregjimit. Kjo sjellje ngjason mirë me ideologjinë e Rilindjes Socialiste sot dhe me kultin e autokratit të cilat vetëm një fije e vogël i ndan nga ai realitet i partisë shtet.
 
3-Në kërkim të Rilindasve.
 
Për deri sa Rama nuk di ta respektojë diplomacinë dhe të mbajë pozitën e një fqinji të mirë, vizita e sforcuar e Athinës do t’i marrë me kalimin e kohës goditjet e duhura pikërisht për të mos krijuar më precedentë në zhvillimet e lëvizjes së lirë dhe jetës së emigrantëve. Kryesisht kjo për shqiptarët në diasporë dhe për ata brenda vendit që nuk ndajnë të njëjtat ide me qeverinë dhe propagandën e saj ideologjike e cila vetëm blen aksione vlerash me popullsinë shqiptare të diasporës. Të sjellësh në kohë një rilindas si Naim Frashëri duke menduar se krijimi i tij “Dëshira e Vërtetë e Shqiptarëve” i shërben rrënqethjes së stadiumit Galatsi të Athinës dhe më gjerë, duhet thënë për kohën ishte vetëm Naimi. Ai ishte një trim dhe një patriot, burrë i ditur dhe i pa shoq që nuk e bën Ramën sot as të barabartë dhe as aq të zot mes atyre etërve të Rilindjes Kombëtare. Me pushkë dhe penë atë kohë Shqipërisë i duhej Pavarësia, po aq sa dituria dhe trimëria. Ndërsa ta lexosh sot Naimin me shpoti për të rrënqethur stadiumin dhe se po i lë një “pusullë” në mungesë të zotit të shtëpisë kur ke shkuar në kohë të papërshtatshme dhe je i këshilluar për pasojat e një ndërhyrje të tillë, kjo arrogancë është edukatë e munguar sikurse edhe filli i bejtes në fjalimin prej ushëheqësi mbetet një ideologji e varfër imponuese:
Në sipërfaqen e kulturës së shkruar të kohëve të sotme, ku kanalet e informacionit dhe rrjetet sociale i japin fytyrën e politikës së ditës kësaj marrëdhënieje të lashtë duke u ofruar njerëzve sufllaqet e nacionalizmit folklorik dhe rakinë e cikut populist për t’u ngrohur barqet elektorale dhe për të përgjumur trurin qytetar, duket sikur mes Shqipërisë dhe Greqisë ka pasur vetëm probleme të përjetshme”.
Për më tepër ky mendim i Ramës është një diplomaci e dështuar  që vazhdon dhe ushqehet edhe pse brenda Evropës me idetë e dështuara të “Ballkanit të Hapur”, një ideologji globaliste e Ramës.
 

Për ta përforcuar rrënqethjen e Naim Frashërit mes shqiptarësh se kush është fqinji i mirë dhe se kush e do bashkëpunimin, përçarja që i ka ndodhur popullsisë shqiptare bashkë me largimin gjatë viteve të Rilindjes Socialiste, janë pikërisht realizimi së prapthi i vargut të Naimit  Është koha e mirëqenies, është koha e lirisë”, sepse shqiptarët që detyrohen të emigrojnë po e zhbëjnë Shqipërinë sepse mirëqenia dhe liria po humbasin duke ja lënë vendin një elite që nuk ndahet dot prej mashtrimit, prej vjedhjes dhe prej korrupsionit të pushtetit.

Shqiptarët i gjen kudo në botë si bashkëatdhetarë e bashkëkombas, punëtorë me dinitet dhe integritet dhe që më shumë se kurrë dashurinë për Atdheun askush më shumë se Vota e Lirë nuk do të mund t’ja realizonte. Vota e Diasporës sot ka mbetur e pamundur sepse kjo përfaqësi politike dhe ky pushtet po i mashtron shqiptarët. Është mesi i muajit Maj, një vit pas zgjedhjeve vendore ku regjimi shrytëzoi çdo mjet dhe mundësi për të rrëmbyer pushtetin dhe drejtimin në pjesën dërrmuese të bashkive.Turi trazues i Ramës në Evropë me diasporën të rikujton se ai po mat forcat e zgjedhjeve të ardhshme.

14 Maj, 2024

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Gërvalla: Rruga nga Tirana në Beograd kalon nëpër Prishtinë. Kush se kupton, nuk ka kuptuar gjë

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në një intervistë ekskluzive në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV nuk pranoi të komentojë veprimet e Edi Ramës, për shkak të pozicionit të saj, por nuk e la edhe pa e thënë një ‘thumb’ për kryeministrin e Shqipërisë.

Sipas Gërvallës, rruga nga Tirana në Beograd kalon gjithmonë nëpër Prishtinë. Kush se kupton, nuk ka kuptuar asgjë.

‘Kryeministri i Shqipërisë mund të bëjë shumë më tepër.

Dua të them një fjali që ua them të gjithë zyrtarëve nga Shqipëria; mos harroni asnjëherë që rruga nga Tirana në Beograd gjithmonë kalon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, por edhe politikisht.

Politikanët të cilët nuk e kuptojnë që rruga Tiranë-Beograd kalon nëpër Prishtinë, nuk kanë kuptuar asgjë nga gjeopolitika dhe interesat e të gjithë shqiptarëve të rajonit tonë’, tha Donika Gërvalla në SYRI TV.

Blinken në vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, arrin me tren në Kiev të Ukrainës. 14 maj 2024.

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, arriti në Ukrainë në orët e vona të 13 majit. Gjatë kësaj vizite ai do të takohet me zyrtarë të lartë ukrainas për të riafirmuar mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën, teksa Kievi po lufton pushtimin rus, tha zëdhënësi Matthew Miller.

Blinken do të takohet me presidentin Volodymyr Zelensky, kryeministrin Denys Shmyhal, dhe ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, kryediplomati amerikan dhe udhëheqja ukrainase do të diskutojnë për “më të rejat nga fushëbeteja, për ndikimin e ndihmës së re amerikane në fushën e sigurisë dhe ekonomisë dhe për zotimet afatgjata për siguri dhe zotime të tjera”.

Ai shtoi se Blinken po ashtu gjatë ditës do të mbajë një fjalim para studentëve të një poliklinike në Kiev.

Vizita e Blinkenit në Ukrainë po ndodh disa javë pasi Kongresi amerikan miratoi paketën e ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.

Ndihma pritet të dërgohet në Ukrainë me ritëm të përshpejtuar.

“Pikë së pari, ky udhëtim do të dërgojë një sinjal të fortë për të siguruar ukrainasit, që sigurisht janë në moment të vështirë, për shkak të luftimeve të ashpra në frontin lindor, por po ashtu me rusët që pritet të bëjnë disa sulme ndërkufitare në Harkiv”, tha një zyrtar amerikan i cili fole me gazetarët në kushte anonimiteti.

Vizita e fundit në Ukrainë e një zyrtari të lartë amerikan u zhvillua në mars, kur këshilltari për siguri kombëtare Jake Sullivan vizitoi shtetin që po përballet me pushtimin e paprovokuar që nisi Moska në shkurt të vitit 2022.REL

Kush përdor monedhën serbe, ndëshkohet- Kurti për dinarin: Rregullorja e BQK-së ka qëllim ligjshmërinë, jo ndëshkimin

Nga dje euroja është valuta e vetme për transaksione në Kosovë. Periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës ka përfunduar.

Duke nisur nga dita e sotme, sipas Rregullores, do të ketë masa ndëshkuese për ata që përdorin dinarin.

Bankat komerciale që operojnë në Kosovë, ndërkaq janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur rreth rregullores së BQK-së për përdorim të parasë së gatshme.

“Banka Qendrore e Republikë së Kosovës, e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi. Janë ata të cilët janë më lartë se para nesh dhe prin në këtë proces të tranzicionit sa më të lëmuar të kalimit si mjet pagese”, tha Kurti një deklaratë për RTK, nga Kamenica ku po viziton këtë komunë.
Kurti përsëriti se rregullorja e BQK-së nuk është kundër dinarit, por është për euron si i vetmi mjet pagese në Kosovë.

Fermerët e Beratit dhe Fierit në protestë, bllokojnë aksin Berat-Lushnjë, hedhin perimet në rrugë: Po falimentojmë!

Nën moton “Stop masakrimit të fermerëve” dhe “Stop abuzimit me çmimet”, Sindikata e fermerëve ka zhvilluar mesditën e sotme një protestë në vendin e quajtur “Ura e Kuçit”, pikërisht në kufirin ndarën mes Beratit e Fierit.

Fermerët kanë bllokuar për disa minuta aksin nacional Berat-Lushnje dhe kanë hedhur në rrugë edhe produktet e tyre, domatet e sallatorët, në shenjë indinjimi. Protesta është zhvilluar edhe me tensione dhe ofendime të herëpashershme mes protestuesve dhe policisë, kur kjo e fundit është përpjekur të pengojë bllokimin e rrugës nga protestuesit. Fermerët kanë deklaruar se ata po shkojnë drejt falimentimit, për shkak të diskriminimit dhe mos kontrollit nga shteti të pikave të grumbullimit, që produktet e tyre i marrin me çmime qesharake dhe pa fatura TVSH-je e fatura tatimore.

 

Sipas fermerëve, puna dhe mundi i tyre po shkon dëm, ata e kanë të pamundur të nxjerrin edhe shpenzimet e kultivimit të prodhimit, blerjes së farave dhe pesticideve. Fermerët deklarojnë se kjo gjendje e rënduar po i detyron ata ti hedhin prodhimet e tyre kanaleve, pasi duke mos u shitur prodhimi kalbet. Fermerët deklarojnë se protestat e tyre do të vazhdojnë dhe i bëjnë apel Ministrisë së Bujqësisë dhe kryeministrit t’i japi zgjidhje kësaj situate tejet të rënduar.

Armelind Meta, kryetari i Sindikatës së fermerëve të bashkuar, ka deklaruar se protestat e fermerëve, jo vetëm që nuk do të ndalen por do të zhvendosen edhe para kryeministrisë në Tiranë, derisa të plotësohen kushtet e tyre. “Ne do ti vazhdojmë protestat tona deri në zgjidhjen e kësaj situata të rënduar pasi jemi pa asnjë mbrojtje nga shteti dhe jemi të falimentuar”-, ka thënë Meta.
(BalkanWeb)

Sot merr fund periudha tranzitore për Dinarin, nga nesër Euro monedha e vetme në Kosovë

Duke nisur nga 13 maji [nesër], Euro do të jetë valuta e vetme për transaksione në Kosovë, pasi periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës do të përfundojë sot.

Gjatë kësaj periudhe janë ofruar informacione për qytetarët rreth zbatimit të Rregullores për pagesa me para të gatshme. Nga nesër, sipas Rregullores, do të ketë masa ndëshkuese.

Bankat e nivelit të dytë që operojnë në Kosovë janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri.

“Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”, citohet në Rregulloren e BQK-së.

Plani i BQK-së për zbatim të lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, i publikuar më 12 shkurt, “nuk duhet të zgjasë më shumë se tre muaj”.

Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti i pyetur se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të fazës transitore, ka thënë se “ajo që vendos është BQK-ja, e jo ekzekutivi”.

Më 1 shkurt ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e Rregullores, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për popullsinë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që preket nga vendimi.

Serbët në Kosovë, për vite të tëra, pranojnë pagesa me dinarë nga buxheti i Serbisë.

Por as pas gjashtë takimeve në Bruksel nuk u arrit ndonjë marrëveshje.bw

Eksperti amerikan Prof.Edward P.Joseph: Presidentja Osmani të pilotojë Kosovën në KiE, hap transformues për Kosovën dhe rajonin

 

Pas daljes në rrjetin social të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani duke pilotuar një helikopter Dell dhe ndërsa ka dyshime rreth futjes në agjendë të Kosovës për t’u votuar më 16 maj si anëtare në KiE, ka reaguar eksperti Amerikan i mirënjohur Profesori Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington në rrjetin X si më poshtë:

Si një ish-pilot i helikopterit të Ushtrisë – i cili u vendos me NATO/IFOR në Bosnje-Hercegovinë – jam i emocionuar kur shoh Presidentja Osmani duke fluturuar me këtë helikopter Bell. (Kam fluturuar me UH-1, gjithashtu një helikopter Bell.) Unë po llogaris që Presidentja Osmani të pilotojë #Kosovën në Këshillin e Evropës! Një hap transformues për të gjithë qytetarët e Kosovës — dhe për rajonin.”

Ushtarët amerikanë-Osmanit: Ishim të gatshëm të japim jetën për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Osmani ka vizituar me këtë rast ushtarët e Gardës Kombëtare të Teksasit, të cilët kanë shërbyer në Kosovë.

“’Ne ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Republikën e Kosovës’, është mesazhi që dëgjuam nga ushtarët amerikanë të Gardës Kombëtare të Teksasit, të cilët kanë shërbyer në Kosovë, pikërisht në kohën e sulmit të agresionit nga Serbia vitin e kaluar”, shkroi Osmani.

“Gra e burra nga ushtria amerikane për 25 vjet shërbyen me devotshmëri për lirinë dhe paqen, e edhe sot vazhdojnë të qëndrojnë bashkë me ne në mbrojtje të shtetit dhe kufijve tanë. Prandaj dje i vizitova për t’ju shprehur falënderime në emër të popullit të Kosovës”.

Ajo në fund deklaroi se Kosova është e bekuar që e ka këtë mbështetje. sn

Rohde: Gjermania do të katërfishojë numrin e ushtarëve në Kosovë

Prishtinë – Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se shteti i tij do të përforcojë edhe më tej praninë ushtarake në Kosovë në mënyrë që raste si Banjska të mos ndodhin më.

Në një intervistë për A2 CNN, Rohde ka deklaruar se pas Banjskës KFOR-i ka reaguar dhe tashmë ka një qëndrim më të fortë karshi kërcënimeve të sigurisë.

“Situata e sigurisë këtu në Kosovë është e pandryshuar në muajin e fundit. Dua të them, pas Banjskës, sulmit në Kosovë, KFOR ka reaguar. Tani kemi një qëndrim më të fortë. Unë nuk shoh asnjë kërcënim. Dua të them, KFOR është këtu me 27 kombe me gati 5000 ushtarë”, ka deklaruar ai.

Rohde ka thënë se që nga java e ardhshme do të katërfishohet numri i ushtarëve gjerman në kuadër të KFOR-it.

“Gjermania do të katërfishojë forcat e saj. Unë do të udhëtoj javën e ardhshme bashkë me kontingjentin e ri gjerman që do të vendoset në bazën Bondsteel. Kishim 70 veta personel këtu. Tani kemi pothuajse 300”, ka thënë ai.

Diplomati gjerman ka deklaruar se për momentin nuk ka ndonjë indikacion për sulme të ngjashme si ai që ndodhi në Banjskë.

Kryeministri Kurti bëri homazhe te varrezat e martirëve e dëshmorëve të kombit në Çabrat të Gjakovës

Çabrat, Gjakovë, 10 maj 2024

Në kujtim dhe në nderim të sakrificës dhe të gjakut të derdhur për liri që ndodhet në themelet e shtetit dhe të lirisë sonë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe tek varrezat e martirëve e dëshmorëve të kombit në Çabrat të Gjakovës.

I shoqëruar edhe nga anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti takoi familjarët e dëshmorëve dhe martirëve në Gjakovë.

Kryeministri tha se Gjakova ka dhënë shumë në çdo luftë e posaçërisht në luftën e fundit. Në Gjakovë i kemi 361 dëshmorë dhe 1022 martirë. Vetëm në ditët ndërmjet 7 dhe 11 majit të vitit 1999, i kemi 26 dëshmorë dhe mbi 100 martirë.

“Vrasjet e fëmijëve, të pleqve, të grave, të burrave, të rejave e të rinjve, këto varreza ku sheh njeriu pa numër mbiemra të njëjtë të familjeve, tregojnë që Serbia ka ushtruar gjenocid në Kosovë dhe ka pasur për qëllim shfarosjen e shqiptarëve. Por ajo ka dështuar në këtë projekt mizor e antinjerëzor të saj, dhe sot 25 vjet më vonë ne jemi më të fortë e më të fuqishëm se kurrë më parë”, tha kryeministri Kurti.

Ai shprehu mirënjohje të pafund ndaj familjeve që po qëndrojnë kaq të fortë dhe po e mbajnë lart krenarinë e popullit tonë, i cili ka humbur e ka vuajtur shumë, mirëpo ka dalur fitimtar dhe nuk ka kush që e ndal në progres demokratik, socio-ekonomik dhe evropian.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, janë vlera të pamohueshme të shtetit e të kombit tonë, mbi të cilat ne vazhdojmë që të ndërtojmë të ardhmen tonë të ndritshme për brezat që do të vijnë. E ku ka shembull më të mirë për këtë se sa nipi i Lule Sharanit, Dijari, i cili kur u takuam këtu tha që dëshiron të angazhohet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në ushtrinë e Republikës sonë,” tha Kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Atëherë, sot bashkë me kolegë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, erdhëm që të takohemi me familjarët në Gjakovë, tek varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në kujtim dhe në nderim të sakrificës së tyre, të gjakut të derdhur për liri që ndodhet në themelet e shtetit dhe të lirisë sonë.

Gjakova ka dhënë shumë në çdo luftë e posaçërisht në luftën e fundit. Në Gjakovë i kemi 361 dëshmorë dhe 1022 martirë. Vetëm në ditët ndërmjet 7 dhe 11 majit të vitit 1999, i kemi 26 dëshmorë dhe mbi 100 martirë.

Vrasjet e fëmijëve, të pleqve, të grave, të burrave, të rejave e të rinjve, këto varreza ku sheh njeriu pa numër mbiemra të njëjtë të familjeve, tregojnë që Serbia ka ushtruar gjenocid në Kosovë dhe ka pasur për qëllim shfarosjen e shqiptarëve. Por, ajo ka dështuar në këtë projekt mizor e antinjerëzor të saj, dhe sot 25 vjet më vonë ne jemi më të fortë e më të fuqishëm se kurrë më parë.

E kemi ushtrinë e Kosovës, e kemi Policinë e Kosovës e cila na mbron anembanë dhe e cila nuk do të lejojë që kurrë të përsëritet çkado e ngjashme, pavarësisht se fqinji ynë verior, Serbia vazhdon të rrëmbejë shqiptar siç ishte rasti para më pak se një muaji me Sadik Durakun, i cili teksa po qarkullonte nëpër Serbi si një vend transit, meqenëse ai jeton në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke qenë nënshtetas i të dyjave, u kap dhe po mbahet peng në Serbi.

Ata jo vetëm që s’po pendohen, jo vetëm që s’kanë treguar keqardhje, jo vetëm që e pamundësojnë të vërtetën dhe drejtësinë, po në të njëjtën kohë e vazhdojnë avazin e vjetër në kohëra të reja dhe vazhdojnë me pengmarrje të shqiptarëve thua se jemi në kohën e luftës.

Unë kam qenë me shumë gjakovarë rob lufte. Njëherë i burgosur politik, po mandej rob lufte që u transferuam në Serbi. Njësoj po vazhdon edhe pas 25 vjetëve që shqiptarët të mbahen rob lufte atje siç është rasti me Sadik Durakun, për të cilin ne vazhdojmë që të kërkojmë bashkimin me popullin tonë dhe trysninë ndërkombëtare mbi Serbinë për lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht.

Ndërkaq, unë falënderoj përjetësisht me mirënjohje të pafund këto familje që po qëndrojnë kaq të fortë dhe po e mbajnë lart krenarinë e popullit tonë, i cili ka humbur e ka vuajtur shumë, mirëpo ka dalur fitimtar dhe nuk ka kush që e ndal në progres demokratik, socio-ekonomik dhe evropian.

Me këtë rast, më lejoni që të theksoj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, janë vlera të pamohueshme të shtetit e të kombit tonë, mbi të cilat ne vazhdojmë që të ndërtojmë të ardhmen tonë të ndritshme për brezat që do të vijnë. E ku ka shembull më të mirë për këtë se sa nipi i Lule Sharanit, Dijari, i cili kur u takuam këtu tha që dëshiron të angazhohet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në ushtrinë e Republikës sonë.

Faleminderit!

(Zyra e Kryeministrit)


Send this to a friend