“Me deklaraten e tij per nje qeveri besimi, Ilir Meta dhe LSI-ja është absolutisht në mbështetje të kërkesave të çadrës”.
Ky eshte perfundimi ne te cilin duket se e con analiza e tij Mustafa Nanon, i cili ne nje shkrim per “Mapo”, me titull “Rama duhet rrëzuar me vota o në parlament, o më 18 qershor”, nenvizon se “sinjalet e djeshme, reagimet e PS-së, heshtja ulëritëse e LSI-së, entuziazmi që ka shpërthyer mes njerëzve të PD-së, por edhe koha më e madhe në dispozicion për të lexuar këto rebuse më kanë bërë të mendoj se LSI-ja është absolutisht në mbështetje të kërkesave të çadrës. Madje, personalisht, në këto rrethana, kam filluar të mendoj se çadra është ngritur me ok-in e Metës.
Sipas Nanos, Meta “nuk duhet të mjaftohet me frazat se “zgjedhjet pa opozitën as që duhen menduar”, por duhet të na thotë qartë se cila është receta e tij për të bërë zgjedhje me opozitën. Duhet të na e thotë qartë se çfarë mendon ai vetë mbi shqetësimet e opozitës, a janë këto edhe shqetësime të tijat, a është edhe ai që nuk ka besim te qeveria Rama për sa iu takon zgjedhjeve. Nëse edhe ai mendon se qeveria “Rama” është e prirur dhe e përgatitur për të manipuluar zgjedhjet, zgjidhja nuk është që vendet e LSI-së në kabinetin qeveritar t’ia lëshojë PD-së!!! Zgjidhja është tjetër. Ai duhet të dalë me një paketë propozimesh që synojnë minimizimin e rolit elektoral të qeverisë.
Nëse Ilir Metës kjo i duket një zgjidhje shumë e butë, atëherë duhet të bëjë tjetrën që është më e fortë, e që të gjithë, lsi-stë, pd-istë, ps-istë, janë duke e pritur me gëzim: Duhet të shpallë fundin e koalicionit PS-LSI. Ky koalicion nuk ka më asnjë arsye të qëndrojë më këmbë. Ka njerëz që janë me idenë se ky koalicion as që duhej krijuar, por unë mendoj se për një gjë ia ka vlejtur: në saje të këtij koalicioni është bërë e mundur të shporret njëherë e mirë nga zyrat e shtetit Sali Berisha, s’ka gjë se, sa të ketë shpirt, atë do ta kemi nëpër këmbë, qoftë edhe në trajtën e zombie-zuar të vetën, që është Basha. E tok me këtë shpallje, Meta duhet të synojë rrëzimin e kësaj qeverie. Për këtë, ai duhet të largohet nga mazhoranca, e krahas kësaj të punojë në parlament për identifikimin e votave të tjera anti-Rama. Blushi u tregua i gatshëm menjëherë që t’i bashkojë votat me LSI-në. Ndoshta mund të ketë edhe vota të tjera. Dhe kjo do ishte mënyra e vetme, me të cilën mund të rrëzohet një qeveri mes dy zgjedhjesh. Nëse edhe në këtë mënyrë nuk rrëzohet, atëherë ta gëzojmë të gjithë këtë qeveri, e të bëhemi gati për zgjedhjet e datës 18 qershor”, shkruan Nano.
Komentet