Më 23 mars 1999, Sekretari i atëhershëm i Përgjithshëm i NATO-s Havier Solana ua jepte “go-ahead” (lejen) forcave ajrore për t’i filluar bombardimet mbi makinerinë e luftës të Beogradit. Të nesërmen, më 24 mars 1999, në orën 19:00, nata ndërmjet kësaj date dhe 25 marsit 1999 u shndërrua në ditë nga bombarduesit e NATO-s.
Pak më vonë, në ekranet televizive në mbarë botën, u shfaq Presidentit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton, i cili, konfirmoi urdhërin e dhënë në cilësinë e Komandantit të Forcave të SHBA, në cilësinë e vendit kampion të lirisë, demokracisë, të drejtësisë, që makineria e luftës e Millosheviçit dhe e përkrahësve të tij të përballej me aleancën më të fuqishme ushtarake të të gjitha kohërave, NATO-n. Njerëzimi ishte dëshmitari më i mirë se veprimi i atij 24 marsi ishte absolutisht i pazëvendësueshëm në historinë e tij.
Njerëzimi ishte dëshmitari më i mirë i veprës kriminale të cilën Serbia e vazhdoi përgjatë 78 ditëve të fushatës së bombardimeve. Serbia përzuri nga Kosova gjatë atyre ditëve për në Shqipëri dhe për në Maqedoni 1 milionë shqiptarë, qindra mijë shqiptarë të tjerë u përzunë nëpër pyjet dhe përrenjtë e Kosovës. Gjatë atyre 78 ditëve Serbia e kulmoi egërsinë e saj ndaj kombit shqiptar në Kosovë, duke e mbjellë Kosovën me varreza të panumërta masive. Mbi dhjetë mijë shqiptarë të pafajshëm u masakruan në mënyra më të pashembullta të barbarisë gjatë asaj pranvere të vitit 1999. Në mesin e qershorit 1999 forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke ia sjellë, bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, lirinë e merituar këtij vendi dhe këtij populli. Kosova e kaloi me dinjitet edhe periudhën e protektoratit ndërkombëtar dhe më 17 shkurt 2008, në bashkërendim me aleatët perëndimorë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpalli shtetin e saj të pavarur dhe sovran. Një vit pas kësaj date Kosova dëshmon përditë e më shumë synimet e saj për të qenë sa më shpejt në radhët e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.
24 marsi 1999, një datë prej së cilës ka nxjerrë mësime mbarë njerëzimi. Ka nxjerrë para së gjithash mësimin se proceset e pandalshme mund të vonohen, mund të pengohen, por kurrë nuk mund të ndalen. 24 marsi 1999 ia dha njerëzimit mësimin se, pa ua dhënë shqiptarëve peshën e duhur në kuadrin e proceseve rajonale në gadishullin e Evropës Juglindore, nuk do të ketë stabilitet në këtë rajon as në kontinent dhe më gjerë.
Për shqiptarët 24 marsi 1999 është data e pazëvendësueshme e mirënjohjes ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve perëndimorë, është data e pazëvendësueshme e përbetimit për integrime të suksesshme fqinjësore, evropiane e perëndimore, për një rol gjithnjë konstruktiv e paqësor, është data e pazëvendësueshme e përbetimit për të qenë të bashkuar përballë të të gjitha sfidave.
PRESIDENTI B I LL K LINTON JENI YLLI QE DO SHKLQENI PERJETESISHT PER KOMBIN SHQIPTAR.
HERO BOTEROR I PAQES