VOAL

VOAL

Unë jam nga ZHARRËZA! – Cikël poetik nga Përparim Hysi

February 27, 2017

Komentet

Deklaratë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në 38-vjetorin e ekzekutimit të poetit disident Havzi Nela

HAVZI NELA – KUJTESA E NJË POETI DHE DINJITETI I FJALËS SË LIRË

Më 10 gusht 1988, në Kukës, në fundin e një epoke që ende nuk e kishte kuptuar se po i afrohej shembjes, regjimi komunist shqiptar ekzekutoi poetin dhe disidentin Havzi Nela.

Tridhjetë e tetë vjet më pas, kujtimi i tij nuk i përket vetëm historisë së letërsisë shqiptare, as vetëm historisë politike të dhunes se diktaturës. Ai i përket historisë së dinjitetit njerëzor dhe të lirisë së mendimit, sepse jeta dhe vepra e tij dëshmojnë se ekzistojnë rrethana historike në të cilat fjala poetike bëhet formë e rezistencës morale dhe se, përballë një pushteti që kërkon të kontrollojë mendimin, akti i të shkruarit mund të shndërrohet në një akt të lirisë.

Havzi Nela ishte poet, por fati i tij e vendosi atë përtej një përcaktimi thjesht letrar. Ai u bë një nga figurat simbolike të qëndresës së individit përballë një sistemi totalitar që kërkonte të ushtronte kontroll jo vetëm mbi jetën publike, por edhe mbi ndërgjegjen, gjuhën, kujtesën dhe imagjinatën e individit.

Ekzekutimi i tij ishte kulmi tragjik i një politike të gjatë represive ndaj intelektualëve dhe krijuesve shqiptarë. Regjimi komunist nuk e shihte artin si një hapësirë autonome të shpirtit dhe të mendimit, por si një instrument që duhej t’i shërbente ideologjisë zyrtare. Realizmi socialist nuk u imponua vetëm si metodë estetike; ai u përdor si mekanizëm ideologjik për të përcaktuar kufijtë e së lejueshmes në letërsi dhe në arte.

Në këtë sistem, krijuesi nuk vlerësohej vetëm për talentin dhe veprën e tij, por edhe për shkallën e konformizmit me doktrinën politike. Arti humbte autonominë e vet dhe shndërrohej në pjesë të mekanizmit të propagandës. Pikërisht kundër këtij nënshtrimi të ndërgjegjes krijuese u ngritën, në mënyra të ndryshme, shkrimtarë, poetë, artistë dhe intelektualë shqiptarë.

Historia e tyre përbën një nga kapitujt më të dhimbshëm dhe më pak të institucionalizuar të kujtesës sonë kombëtare.

Rreth 175 shkrimtarë, poetë, artistë, përkthyes dhe figura të tjera të botës së kulturës u dënuan me vdekje, me burgime të gjata, internim ose përndjekje politike; disa prej tyre humbën jetën nën tortura dhe në kushtet çnjerëzore të burgjeve komuniste. Pas këtyre shifrave qëndrojnë jetë njerëzore, biblioteka të humbura, dorëshkrime të zhdukura, vepra të ndaluara, karriera të ndërprera dhe familje të dënuara së bashku me krijuesit.

Prandaj, përkujtimi i Havzi Nelës nuk mund të reduktohet në një ceremonial vjetor. Ai duhet të jetë pjesë e një politike të qëndrueshme të kujtesës kulturore dhe historike.

Një shoqëri demokratike nuk e ndërton identitetin e saj vetëm duke kujtuar fitoret; ajo duhet të ketë guximin të përballet edhe me plagët e saj historike. Kujtesa e persekutimit të shkrimtarëve dhe artistëve është e tillë. Ajo na detyron të mendojmë mbi raportin ndërmjet pushtetit dhe kulturës, ndërmjet ideologjisë dhe artit, ndërmjet censurës dhe lirisë së shprehjes.

Në këtë perspektivë, kujtesa nuk është vetëm rikthim në të kaluarën; ajo është një instrument etik për të mbrojtur të ardhmen.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e riorganizuar mbi parimet e pluralizmit, demokracisë, autonomisë së krijimtarisë dhe lirisë së shprehjes pas Kuvendit të 19 majit 2026, e konsideron këtë përgjegjësi pjesë të misionit të saj historik dhe institucional.

Për këtë arsye, Lidhja ka marrë vendim për ngritjen e Muzeut të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Dënuar nga Regjimi Komunist, në ish-ndërtesën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Ky muze synohet si një institucion i kujtesës kulturore shqiptare, ku dokumenti historik, vepra letrare, dorëshkrimi, fotografia, dëshmia personale dhe memoria familjare të bashkohen në një narrativë të përgjegjshme dhe të dokumentuar mbi fatin e krijuesit nën diktaturë.

Ai duhet të jetë një hapësirë e kujtesës, kërkimit shkencor, edukimit dhe dialogut, jo një vend i hakmarrjes ndaj së kaluarës. Qëllimi i tij nuk është të prodhojë një histori të re të ndarjeve, por të dëshmojë se çfarë ndodh me kulturën kur pushteti politik përpiqet të kontrollojë ndërgjegjen krijuese.

Në këtë kuptim, muzeu i ardhshëm duhet të jetë një institucion i hapur për studiuesit, shkrimtarët, artistët, studentët dhe brezat e rinj, një arkiv i gjallë i një kohe që nuk duhet të përsëritet dhe një hapësirë ku dokumentet e historisë të mund të lexohen në dritën e standardeve bashkëkohore të kërkimit, të drejtave të njeriut dhe lirisë akademike.

Havzi Nela është pjesë e kësaj kujtese.Ai na kujton se liria e shprehjes nuk është një dekor i demokracisë, por një nga kushtet themelore të ekzistencës së saj. Një shoqëri mund të ketë institucione, ligje dhe struktura shtetërore, por nëse qytetari nuk ka të drejtën të mendojë, të shkruajë, të krijojë dhe të shprehë bindjen e tij pa frikën e ndëshkimit, demokracia mbetet e paplotë.

Për shkrimtarin dhe artistin kjo e drejtë ka një dimension të veçantë. Autonomia e krijimtarisë është kusht i vetë ekzistencës së artit. Letërsia nuk mund të jetë e lirë nëse i nënshtrohet një doktrine politike; arti nuk mund të jetë autentik nëse i kërkohet të përsërisë të vërteta të paracaktuara; kultura nuk mund të zhvillohet nëse mendimi alternativ trajtohet si kërcënim.

Kjo është arsyeja përse kujtimi i Havzi Nelës mbetet aktual.

Jo sepse historia duhet të jetojë përgjithmonë në dhimbjen e së kaluarës, por sepse e ardhmja duhet të ndërtohet mbi mësimet e saj.

Në 38-vjetorin e ekzekutimit të tij, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë nderon Havzi Nelën dhe të gjithë krijuesit shqiptarë që u persekutuan, u burgosën, u internuan, u censuruan apo humbën jetën për shkak të bindjeve, veprës dhe qëndrimit të tyre ndaj diktaturës.

Ne besojmë se nderimi më i vërtetë për ta nuk është vetëm përkujtimi i emrave të tyre.

Është rikthimi i veprës së tyre në kujtesën kombëtare, dokumentimi i historisë së tyre, studimi i trashëgimisë së tyre dhe mbrojtja e parimeve për të cilat ata u përndoqën.

Prandaj, sot, nga kujtesa e Havzi Nelës, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë përcjell një mesazh që i kapërcen kufijtë e një përvjetori:

Liria krijuese është e drejtë themelore.Liria e shprehjes është themel i demokracisë.Autonomia e artit është kusht i kulturës së lirë. Kujtesa historike është përgjegjësi qytetare.

Dhe mbi të gjitha:Një shoqëri që harron poetët e saj të persekutuar rrezikon të harrojë edhe arsyen përse liria duhet mbrojtur.

Në kujtim të Havzi Nelës dhe të të gjithë krijuesve shqiptarë të persekutuar nga diktatura, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë angazhohet që kujtesa e tyre të mos mbetet vetëm një kapitull i dhimbshëm i historisë, por të shndërrohet në një trashëgimi të gjallë të lirisë, të dinjitetit dhe të përgjegjësisë intelektuale.

Dr. Mujë Bupapaj

KRYETAR I LIDHJES SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE TË SHQIPËRISË

Tiranë, 10 gusht 2026

Në kujtim të poetit të shquar Demir Gjergji

Sot është ditëlindja e poetit të shquar Demir Gjergji.

Demir Gjergji ishte poet i cili nisi të shkruante që në vitet ’70, autor i një sërë vëllimesh poetike dhe gazetar i Radio Tirana. Vargu i tij shquhet për lirizëm të thellë dhe metafora goditëse.

Poezinë e parë e boton në vitin 1970.

Libri i parë “Ngjyrat e tokës”, sheh dritën e botimit në vitin 1974.

“Në sytë e mi” është përmbledhja e dytë poetike e botuar fill pasi përfundon studimet në Ut Tiranë, për gjuhë letërsi.

Më 1997, pas kthimit nga Italia, ku qëndron 2 vjet si emigrant, boton librin me poezi “Mërgimi i bukurisë“

Në vitin 2000 nxjerr në qarkullim librin tjetër me poezi “Vera në ikonë“

2001, nxjerr në qarkullim libri me profile shkrimtarësh “Shtëpia e shkrimtarit”

Një vit më pas boton përmbledhjen me poezi “Digjet ylli i ikur.

Në vitin 204 shkruan dhe boton monografinë “Haxhi Gjyli, një jetë për shkollën”.

2005- Boton përmbledhjen poetike “Ishujt e mbrëmjes”.

Në vitin 2008 shtëpia botuese “Toena” i boton në serinë e poezisë shqipe, cikli “Kambana”, përmbledhjen poetike “Vetëm (V)era vjen”.

Po në këtë vit i jep lexuesit adoleshentët një libër me përralla “Pse nuk qeshte bija e mbretit”.

Para pesë vjetësh, pikërisht në ditën e Shën Valentinit të atij viti, ky autor u dhuron lexuesve të dashuruar përmbledhjen me poezi dashurie ”Bibla e buzëve”, që është libri i parë i një triptiku botimesh me poezi dashurie.

Botim tjetër është libri poetik: ”Orë akulli”, si pjesë e dytë e triptikut. Botimi i fundit është romani “Biri i Botës”. Ndërkohë përmbledhja e tretë me poezi, që po përgatit për botim, me titull, “Alfabeti i algave”, është libri i fundit i triptikut

Ndërkohë Demir Gjergji ka qenë mjaft aktiv në faqet e shtypit të shkruar dhe në median e folur. Ka 12 vjet që punoi si gazetar në “Radio Tirana”, duke realizuar një nga emisionet më jetëgjata dhe më interesante “Fjala si Fillim, Fjala si Flijim”, i cili i kushtohet tërësisht letërsisë dhe autorëve të saj.

Krijimtaria e këtij autori është vlerësuar me çmime të ndryshme si Çmimi i dytë kombëtar për poemë në vitin 1986, Çmimet “Ditët e poezisë Shqipe” në vitin 2001, “Skampini” etj.

Demir Gjergji u nda nga jeta më 16 janar 202.

I VARUR NË LITAR NGA DASHURIA PËR LIRI DHE DEMOKRACI- Nga ARIF EJUPI

 

 

Hapin të qetë,
mendimin me peshë,
vigjilent për të dalluar
miqtë nga armiqtë.

S’dilte nga dera e oborrit
pa u përshëndetur me prindërit.
Edhe kur kishte halle e derte,
ikte dhe kthehej i buzëqeshur.

Nuk ankohej
për ditët e gjata
e netët pa gjumë.

Kurrë nuk e hidhte
vargun në letër
pa e gdhendur mirë,
e mirë.

Dëshironte që
Deti Adriatik
të mblidhte ujërat e Drinit të Bardhë;
Deti i Zi,
ujërat e Ibrit, Sitnicës, Llapit,
Drenicës, Moravës e Binçës;
Deti Egje,
ujërat e Lepencit e Nerodimes.

Nga ky konglomerat ujërash,
që buronin nga trojet shqiptare,
dëshira e tij e vetme ishte
t’i shihte të lulëzuara
Dardaninë, Iliridën,
Shqipërinë dhe Çamërinë.

Skilet e lakenjtë,
të verbuar pas yllit pesëcepësh
dhe përqafimit me sllavë e kinezë,
vargun e tij prej floriri
e kthyen në vaj e zi.

Në shesh e varën Havzi Nelën —
me fajin e vetëm
se Shqipërinë e deshi
me kufijtë e caktuar nga Zoti,
jo nga hartat
e të shiturve dhe pushtuesve.

Arif Ejupi
Gjenevë, 18 shkurt 2026

ZËMËRIM DHE PAS VDEKJES! DISIDENTI I PËRHERSHËM…- Nga VISAR ZHITI

 

– 100 vjetori i shkrimtarit Kasëm Trebeshina në ditë protestash –

 

– Ç’do të themi për shkrimarin Kasëm Trebeshina? – pyesja kur ishte datëlindjae tij. Po sot në 100 vjetorin e tij? Apo disidencë dcisidencës…

Jemi në ditë protestash. Ngritja krye duhet, që gjithsesi e shkundin kohën, shtetin, kërkojnë ndryshimin, godisin korrupsionin, edhe atë moral,  ndëshkim të së keqes, kërkojnë ndryshimin, drejtësi dhe kujtesë, jo harresat e qëllimta… drejtësi dhe në art e letërsi,  me art dhe letërsi…  të lirë, në një Shqipëri EuroAtalantike, Perëndimore…

Pse kjo mëri e ndërsjellte me shkrimtarin? – I kthehem pyetjes. Dhe po vazhdoj me kas:em Trebeshinën. Latinët thoshin se vdekja i barazon të gjitha. Siç duket jo për të gjithë.

S’e di a ndodh kund një marrëdhënie e tillë plot heshtje të zymtë të vendit me një shkrimtar të vetin…

        Diçka u tha dhe u bë dhe për të… Ditë protestash… Po a ishte protestues Trebeshina? Po. Po disident? Po. Mund të ketë kundërshti, që ishte i keq, por disident, që vepra e tij kështu e ashtu, por ai doli kundër, edhe me vepër…  Ndërkaq unë po sjell nga një shkrim, që nuk deshën të ishte parathënia e një libri dikur, pastaj nuk desha unë si pjesë e vorbullës dhe sherrnajës, por gjithsesi doli ndryshe…

Është datëlindja e 100-të e Kasëm Trebeshinës, kur ai s’është më që prej 9 vjetësh…

 

DIKTATURA DËNOI SHKRIMTARIN,                                         QË KISHTE DËNUAR DIKTATURËN:

 

1.

…kundërshtar i pandreqshëm, i zemëruari i gjithmontë, kështu e kaloi jetën dhe duket sikur ende kumton vetëm me heshtjen, por folëse, me të shk(r)uarën, me shumë libra të pabotuar, i burgosuri i lirë, i liri i  vetburgosur, tashmë i vdekur…

Dimë që diktatura e dënoi shkrimtarin, kur shkrimtari e kishte dënuar diktaturën. Ndëshkimin i ndërsjellë, që, si të thuash, nuk i ngjan thikës me dy presa, se në rastin e parë kemi të bëjmë me një krim shtetëror, kurse në të dytin me një qëndrim dhe “credo”, me disidencë, me lirinë e brendshme dhe me brendësinë e lirisë në misionin e lartë të shkrimtarit, edhe kur pengohet.

Duket sikur zgjidhen njerëz për t’u vënë në provë nga fuqi të mbinatyrshme, tragjedira, përmbytje, murtaja, diktatura, perëndi dhe gjysmë perëndi të saj, luftëra dhe shtypje, uri dhe frikë, hetuesi e gardianë, por dhe me konforte e Realizëm Socialist, dhe me mrekullira si dashuria, të tjera të parrezikshme si miqesia e botimet, prapashpinëritë e të dalit dëshmitar. Po në p:erballje me trejtin cil:et jemi?

Është kërshëria të gjetur në jetën dhe në veprën e Kasëm Trebeshinës të fshehta të pazakonshme dhe të zakonshme, prapaskena dhe interesa klanesh, qëllime të mbrapshta, ëndrrën, ku ndeshen të gjallë dhe të vdekur, fantazma dhe të pushtetshëm, mbërritja te tirania, burgu, urrejtja dhe ligësitë si n:e ferr, grupazhet, braktisja, vetburgimi i mëpastajmë sokratik, si në shpellë. Duket si një kthim në gjenezë..

Jetëshkrimi për Kasëm Trebeshinën sillte mjaft bëma, por dhe karakterin e tij të çuditshëm, përplasjet, pabesitë… po çelësat e leximeve të teksteve dhe nënteksteve, për të cilat më shumë flitet se sa janë lexuar, nga që kanë mbetur ende të panjohur, megjithëse herë pas here dalin nga mugëtira…

 

2.

PARTIZAN DHE SHKRIMTAR

 

I tillë ka qenë fati i shkrimtarit Kasëm Trebeshina dhe i krijimtarisë së tij, fat(kob) që ja bënë të tjerët, por që e zgjodhi dhe vetë me idealin e tij dhe asketizmin e tij dhe që ndryshon ngadalë, fat i kacafytjes dhe i mbylljes rrënuese, i mureve brenda mureve, teksa ai si natyrë është i kundërt me fatin e tij, i gjallë, i hapur, i çiltër deri në një egocentrizëm, i paqetë, fantazist, kështu më vjen të them, për aq sa arrikta të di për atë. Trebeshina dhe fati i tij që të dy ishin këmbëngulës dhe duronin. Më i fortë doli Trebeshina, me të vërtetë një kalorës hijerëndë i (ç)misionit të tij. Kali i tij është Pegasi, që ai gjithë kokëkrisje nuk pranoi ta bëjë kalë ushtrie për të tërhequr topa apo të ngarkohet me patatet e batalionit a të burgut, dhe as e futi në kooperativat rurale të Realizmit Socialist, edhe pse kishte qene luftëtar i egër, oficer dhe bënte pjesë me fitimtarët dhe u përkiste atyre që kishin marrë përsipër të ndërtonin një Botë të Re duke dashur me gjak ta shkatërrojnë të vjetrën me gjithsej dhe përfundoi në një burg të ri.

Edhe kur e rrëzonin poetin dhe e merrnin për ta hedhur pas telave me gjemba të ferrit, ai mbahej pas frerëve të yjeve, ndërsa flatrat e Pegasit si me magji i kalonin pas kurrizit… dhe kqyrte botën me mospërfillje krenare dhe mllef të pazakontë. Kështu dhe Kasëm Trebeshina u shndërrua në mit, por të heshtur, edhe t;e përz;enë, në një lloj kentauri të habitshëm, gjysmë pegas dhe gjysmë rob, me flatra dhe me patkonj, me bajonetë dhe penë. Pse ta fshehim, edhe vetë vrasës dhe kundërshtar i vrasësve.

I hazdisur, që i çmoj guximet, qendresën dhe shpërfilljet filozofike për gjithçka që është dhunë, përulje, padrejtësi dhe jo virtyt. Aq më tepër që  Trebeshina nuk ishte aq kollaj i çkyçshëm, por dhe arkivat për të janë të tilla. Por jo dhe aq. Dosjet e tij, që nga ajo e punës, e hetuesisë, e gjyqit, etj, etj, nëse kanë mbetur, s’e di sa mundësi ka patur t’i shfletojë hulumtuesi i mundshëm. Më shumë se sa mister shkrimtarësh, nëpër to me siguri janë ndrydhur kundërshti dhe krim, përplasje dhe mëkat, denoncime, turp, pabesi, vrasje të ngadalta, aq sa ke frikë se mos në vend të fletëve do të gjesh pergamena prej lëkure të rrjepura njerëzish.

Kasëm Trebeshina ishte njeriu që kishte kërkuar vazhdimisht të ndeshej, qoftë dhe me të ultën, se për të beteja ishte e madhëriushme. Kur pa mbaruar mirë adoleshencën, ai rininë e tij e vuri me të parët përballë luftës. U bë partizan dhe luftoi kundër pushtuesit, kuçedrës botërore të nazi-fashizmit. Pastaj kundër komunizmit si me një kuçedër tjetër. Nuk i la kohë vetes të ndihej fitimtar. U fut në burg për të sfiduar tiraninë  dhe mungesën e lirive. Pasi ranë diktaturat komuniste, ai prapë s’u ndie fitimtar, por dhe humbës jo, asnjëherë. Kurrë. I përkushtuar si një murg ndaj shkrimeve të veta. Kështu pohonte. Duke pasur si ikonë rrëfimtarin e shkëlqyer të shqipes, Mitrush Kutelin. Që edhe atë e burgosën. Shkrimtarit do të t’i duhej të ishte i urtë me këdo. Madje edhe me pleqërinë e vet. Por, siç thamë, Trebeshina mbetet egërshan gjithmonë. Me diktatorët, me sistemin e tyre, edhe pse luftoi me ta, me harenë dhe harresën kolektive, me fitoret, me nëpërkëmbjen, me kompromisin, me Realizmin Socialist dhe Lidhjen e Shkrimtarëve, madje dhe me miqtë, kështu më duket, ëndërroi demokracinë dhe s’kish si të kënaqej  me atë, i ikën të gjithave dhe urren disidencën, madje edhe të vetën, edhe kombësinë…

 

Kasëm Trebeshina kur na përshfaqet partizan, trim i çartur, lufton me fanatizëm duke mos besuar në drejtimin, komedianët, i quan ata të shtabit, ndërkaq ka drejtuar vetë beteja dhe gjyqe partizane, ka ekzekutuar dhe ai, jo vetëm gjermanë, por edhe partizanë, duke ju bindur ligjit të luftës, vrit se do të vrasin, etj, etj. Po konturohej kështu lufta civile në Shqipëri. E tmerrshme! Megjithëse pati zëra që buçitën që atëhere:

“Ah, o bijtë e nënës, pse kështu përçarë./ Qoftë i mallkuar kush s’do t’ju bashkonjë, /…/, Pse e bëtë Kombin në greminë të shkonjë.”

(Hekuran Zhiti, “Dy kundërshtarët”, poemë, marrë nga “Luftëtar’ i lirisë”, “Oshëtima e Korçës”, shkurt 1944.)

Mes asaj ploje, thënë troç, vetëm duke i përfytyruar, unë jam ndjerë keq si në një vorbull infernale dhe më është dukur se isha hedhur në zanafillën e krimit dhe të ndëshkimeve të mëpastajme.

Ndërkaq çmoj kurajon për të thënë dhe të vërtetat e rënda.

Se së fundmi, kur shkrimtari gjerman Gynter Grass, vërsnik me Trebeshinën, rrëfeu në një libër autobiografik se në rininë e parë kishte qenë me forcat esese, u trondit jo vetëm lexuesi i tij në Gjermani, por i gjithë opinioni letrar botëror dhe gazetat hapën anketa, madje dhe në Shqipëri, për qëndrimin ndaj tij, aq sa u shkua deri atje, që a do t’i hiqej çmimi “Nobel”. Ndërsa një shkrimtar shqiptar shprehej në shtyp për Trebeshinën që pse të mos e marrë dhe ai “Nobel”-in?

Letërsia ndahet nga ai që e prodhon dhe bën jetë më vete, por për ndërgjegjen e njerëzimit kanë rëndësi në këtë rast dhe realiteti jo letrar. Poeti Ezra Paund si simpatizant i fashizmit u burgos në një kafaz në një shesh të madh të një qyteti të Italisë.

Rebelin Kasëm Trebeshina e burgosën bashkëluftëtarët e tij si kundërshtar dhe, sipas ritualit, dënuan dhe veprën e tij letrare, të akt-ekspertizuar nga kolegët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Fitimtarët ishin bërë më pushtues se pushtuesi që mundën.

Ç’qendrim duhet mbajtur me Kas:em Trebeshinën apo si me burgun e Spaçit?

Duke mos qenë të lirë, duket sikur nuk prodhohet as liri.

Kurse në gjysmën matanë të kombit, në Kosovë, Presidenti Ibrahim Rugova i kishte thënë shkrimtarit Adem Demaçi kur doli gjysmë i verbër nga burgjet e gjata të Jugosllavisë, se “këtu mes nesh ishte një karrike gjithmonë bosh, të priste ty…”.

 

PROMEMORJA:

Intelektualë të shquar të Prishtinës, së bashku, na dëshmon poeti ynë i fuqishëm Ali Podrimja, i ishin kundërvënë uniformitetit në art, servilizmit krijues, tiradave, pra Realizmit Socialist dhe policisë letrare, aq më tepër të huaj, duke guxuar të dalin në mbrojtje të vlerave, lirisë së mendimit e të krijimit dhe botuan si një manifest të tyren tekstin problemor “Vox clamantis in deserto” qysh në tetor të vitit 1971.

Tetori siç duket qenka edhe muaji i kundërshtimeve të mëdha, se edhe Kasëm Trebeshina, “Zë i humbur në shkretëtirë”, në tetor, por më 1955, gati dy dekada më parë, guxoi atëhere kur nuk guxohej dhe i shkroi një promemorje diktatorit Enver Hoxha me akuza të rënda, por të vërteta, largpamëse, e paralajmëronte për batakun ku po e çonte vendin dhe kulturën, akt që nderon jo vetëm inteligjencën shqiptare, por të gjithën në perandorinë komuniste dhe racën e atyre që shkruajnë.

Thonë që ajo letër nuk gjendet në arkivë, të tjerë thonë që ka qenë dhe është. Mund ta kenë zhdukur, etj.  Thonë që Enveri nuk t:e linte gjallë me një letër të atillë, por dhe mund të mos ia kenë dhënë “për të mos e shqetësuar”, etj, etj. Për mua ka rëndësi kumti i Promemorjes. Kasëm Trebeshina e mbartte atë kumt. Gjithashtu Trebeshina u kacafyt në vendin amë të Realizmit Socialist, në Leningrad dhe në Moskë, kundër kësaj metode, e përjashtuan si të marrë, por  e burgosën në atdhe, nisi greva urie, kur i gjithë populli në një farë mënyre do të ishte në një pangopje të gjatë, kur intelektuali i njohur Xhevat Korça i kishte dhënë fund jetës me një grevë të tillë urie, i pari fare në burgun ku do të mbyllej Kasëmi, që pasi të dilte do të kërkonte të drejtën ta linin të ikte nga Shqipëria, por ata që ishin më të çmendur se ai si mund ta linin? Dhe pastaj ai vetë e kërcënoi shtetin se nuk do të votonte më. Kaq kishte në dorë. Dhe e burgosën prapë.

 

Kur Trebeshina hynte së pari në burg si disidenti i parë, bashkëkohës si të tillë kishte dhe Sejfulla Malëshovën, por ndërkohë ai gjente brenda telave me gjemba kundërshtarë tradicionalë, të lartë, të hapur kundër sistemit dhe ideologë antikomunistë, martirë të lirisë, qendrestarë asketë, një pjesë e të cilëve tani ishin nëndhè, pa varr, të pushkatuar nga bashkëluftëtarët e Trebeshinës nga po ato gjyqe, vazhdim i gjyqeve mizore partizane, ku dikur dhe ai pati bërë vetë.

Po ndaloheshin libra, po digjeshin bashkë me to dhe diploma të atyre që ishin lauruar në Perëndim, në Francë e Austri, në Itali e Gjermani, Greqi é Turqi, etj. Mbase ishte inati gjeneral që diktatori s’kishte kryer dot asnjë universitet asgjëkundi, as në mal, siç kishin qejf të thoshin adhuruesit e tij shkretanë.

Do të vazhdonin persekutimet e mëdha. Do të pushkatoheshin dhe poetë, djem të rinj, do të vareshin, dhe atëhere kur s’po ndodhnin më akte të tilla kaq mizore dhe në perandorinë komuniste. Po i afroheshim jo vetëm shekullit të ri, por edhe një mijëvjeçari të ri. Me shpresë të përzishme.

 

3.

KADARE DHE TREBESHINA,

TREBESHINA DHE KADARE.

 

Megjithëse i padëshirueshëm, madje dhe i pakuptimtë duket se ka mbetur pezull një konflikt që shfaqej herë pas here dhe në shtyp, me ndërprerje natyrisht, por i pambaruar dhe i pambyllur mes Trebeshinës dhe Kadaresë apo Kadaresë dhe Trebeshinës a i të dyve, i nisur në diktaturë, i heshtur mbase deri sa nxori krye, kur I.K. nëpërmendi inicialet e dënuara dhe të komplotuara me heshtje të “K. T”-së, gjë që u gjallërua në postdiktaturë, gjithë pezm, hapur, me akuza dhe kundërakuza jashtletrare.

A do të duhej të ndalej pak këtu?

Trebeshina, sipas meje, pati  një përkushtim deri në sakrificë për të vërtetën e letërsisë së tij, por kështu dhe Kadareja për letërsinë e tij të vërtetë. I pari i tha burgut: hapu, në ferr vete si shkrimtar, sepse ruaj brenda vetes luftëtarin, ndërsa i dyti, do të ruanter me çdo kusht shkrimtarin brenda vetes duke pranuar dhe kundërdënimin si mosdënim, luksin që i lejonte ajo kohë dhe më pas për të krijuar si dhe mundësinë e të qenit dëshmitar letrar dhe përballë atyre që sundonin. Ndërsa i pari zbriste humnerave duke u harruar si shkrimtar, i humbbotshëm, i dyti ngjitej lartësive duke u bërë shkrimtar i përbotshëm. Zbritja kishte terr dhe lehtësinë e dhembëshme të asgjësë. Ngjitja ishte e vështirë dhe me vezullime mëkatesh të krijuesit, që të bënin më të dukshëm për t’u goditur. Por dhembja mbetej përreth. Trebeshina, duke hyrë në burg, mbërrinte mjerimin e lirisë, të asaj lirie të mbytur, që s’kishe ç’t’i bëje më, kurse Kadare sikur donte t’ia hiqte kthetrat asaj lirie të mjerë, ta barabiste me liritë që shikonte nëpër Europë. Trebeshinën letërsia nuk e linte të jetonte, Kadarenë nuk e linte të vdiste. Shkruanin të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri, njëri si të thuash në parajsën e rremë të ferrit dhe tjetri në ferrin e parajsës së rremë. Njëri fshehurazi me polic te kryet që i kujtonte abazhurin e fikur që nazistët i bënim me kafka të burgosurish, tjetri me abazhur të përndezur që i kujtonte policin e kuq dhe që duhej të fshihte mesazhet. Njëri s’kishte kohë të veten dhe shpikte moskohën, absurdin e saj vrastar, tjetri krijonte kohë edhe për të tjerët dhe shpikte të ardhmen duke risjellë të shkuarën si pjesë të përjetësisë. Nëse njëri s’botonte dot dhe i goditej vepra e tjetri botonte radhazi, me zulm dhe godiste me veprën, shteti ndërkaq të dyve u shtonte dosjet. Realisht i donte të dy ashtu, mendoj, dhe nuk i donte ndërkohë. Por përdorte imazhe të tilla dyshe për propagandë dhe për të trembur, për të torturuar të gjithën, si rrjedhojë njeri-tjetrin dhe veten. I burgosuri shpresonte lirinë e shpirtit, i paburgosuri çshpresonte shpirtërisht burgun…

Trebeshinën s’e la vendi, shteti më saktë, ta botojë veprën dhe pritet që ajo të dalë më shumë në dritë dhe të zërë vendin e merituar. Shkundëllimën dhe vetëtimat e shpeshta i ka dhënë. Nga thellësitë erdhën dallgët e saj si të një lumi të nëndheshëm. Në apokalipsin e ngjarjeve mes gomoneve të arratiakëve fanitet dhe skafi biblik i Noes.

Kur Faik Konica botonte në shqip në SHBA Përrallat Arabe, mbi  100 vjet më parë, midis të tjerash shkruante në hyrje të tyre se një “Princ i Kishës Romane, një kardinal emeritus”, por edhe Darvini, të dy i lexonin më ëndje ato përralla dhe i fusnin në dhjetë librat më të mirë të tyre. “…dy njerës të larguar njëri nga tjatëri sa një botë nga tjatëra, bashkoheshin në dashurin’ e këtij libri…”.

Dhe unë shtoj se dashuria përbashkuese për librin duhet të na bëjë më të mirë dhe më të drejtë, ashtu si lexuesit edhe shkrimtarët. Polemikat dhe mosmarrëveshjet të mos jenë në emër të urrejtjes. Nderim dhe dhembje për vuajtjen dhe për krijimin.

Shtoj prapë tani se lexuesi korrigjon. Arrin të bëjë pajtimin e atyre që s’u pajtuan asnjëherë edhe kur s’janë më.  Sepse ka veprën…

Jo të brazojë, të japë vlerat, detyrë parësore e Kritikës së munguar.

 

E thosha  me siguri që veprat që dalin nga urrejtja kurrë nuk janë aq të bukura, as aq jetëgjata sa krijimet që dalin nga dashuria. As dhe aq të rëndësishme.

Sa më larg zilive, të jashtburgut dhe për burgun, të lavdisë dhunuese dhe krenarive hiperbolike, boshe, sepse që të gjitha nuk janë letërsi, por lëndë për letërsinë. Veprat e urrejtjes në jetë vdesin më shpejt dhe shërbejnë për ndërprerjen. Dashuria është krijuese dhe punon hyjnisht për vazhdimësinë e pafundme.

 

4.

EMBLEMATIKU I ERRËT

 

Vlerësimet për veprën e botuar deri më tani në prozë dhe poezi të Kasëm Trebeshinës, për risitë dhe mesazhet që mbart ajo, sa e vazhdon traditën dhe sa e thyen atë, sa thyen heshtjen dhe të tashmen, shqetësimet që sjell dhe pasurimin që u bën letrave shqipe, janë biografia e shkrimtarit dhe ajo që mbetet është letërsia e tij. Aty janë vlera dhe mbivlera. Megjithatë nga ana shoqërore kemi të drejtë të dimë se ç’ishte dhe ç’bëri shkrimtari mes nesh, si qytetar. Po ne ç’bëmë me të? Aq më tepër “në kohën sot dhe në vendin këtu” jemi të detyruar të pyesim për këdo: me kë ishte, me ata që shtypnin apo me ata që shtypeshin? Sepse duam të farkëtojmë ndërgjegjen e shëndoshë kolektive, përgjegjësinë dhe guximin qytetar, – kështu pyesja çiltërsisht, kur tashmë dhe  çiltërsia bëhet pengesë

Kasëm Trebeshina është më emblematiku i disidencës shqiptare në diktaturën e letrave, i kundërshtimit të hapur. Ashtu si vepra e tij, na tërheq edhe jeta e tij. Datëlindjet e tij na shtojnë mundësinë e përsiatjes. Rrëfimet, dëshmitë, kujtesa për të dhe për të gjithë ata që vuajtën martirizueshëm, por dhe si heronj, për të Drejtën, të Vërtetën dhe liritë e njeriut, për fjalën, që u përleshën me të keqen vrastare, janë të një rëndësie të domosdoshme. Morali i demokracia nis me to, si me një datëlindje e përditëshme.

Që e gjitha të shndërrohet në vlerë e virtyte, në letërsi dhe art. Jemi në ditë protestash…

Mos u qell, Nexhip!- Esé nga FATBARDH AMURSI

 

Fatmir Musai është nga ata të paktët shkrimtarë, që s`ka lëvizur nga qyteti i tij, duke mos rreshtur ta njohë botën. Përfaqësues i atij brezi, që, për nga ëndrrat: u duk se do t`i ngjante metalurgjikut, gjë që s`ndodhi, për nga shpirti: ditës së verës, krejt e vërtetë kjo në Elbasan dhe për nga karakteri: kalasë në qendër të qytetit, që i shkon të gjithë atyre, të cilët themelet i ngrenë mbi shkëmb. “Dikur shtëpi të vogla plot me zemra,/Sot shtëpi të mëdha bosh përbrenda!”-vë në dukje këtë kontrast, jo pa qëllim. Edhe pse ardhur nga një kohë, kur poetit i kërkohej të ishte i angazhuar, e refuzon rrobën e ushtarit në kuptimin militantesk. Halli i tyre, si të dilnin nga rreshti, edhe pse urdhëri ishte aty me shokët. “Gjenerali i këngës po s’u ngrit nga varri/Për një Hall të Madh, bëjeni lanet!”-shkruan ai. Elbasani është në mesin e Shqipërisë, por Fatmir Musaj vetë s`bën pjesë tek “mesi i artë”, jo se s`ia di vlerën floririt, por ka bindjen se jo se çdo gjë që shkëlqen është ar, duke i ndenjur larg shkëlqimit të rremë. E kisha ndjekur krijimtarinë e tij një këtu e një atje, tani m`u dha rasti t`i lexoja katër libra. Tre më poezi: “Anonimi i artë”, “Kitarë e dehur”, “E di një shteg” dhe në prozë: “Guacka”. Mos vallë anonimi i artë i dehur nga kitara duke ecur në një shteg, që e di vetëm ai: përfundon në një guackë, sikurse i ndodh dhe margaritarit?

I frymëzuar nga libri I. Kadaresë “Autobigrafia e popullit në vargje”, synon dhe ai të krijojë autobiografinë e vetë poetike. “Poezia popullore është një botë e pajisur me gjithçka, e përgatitur për një jetesë autonome”, citon Kadarenë duke parashtruar para vetës të njëjtat pretendime, si ato të “gjeneralit të këngës”. I bën përshtypje që poeti popullor anonim s`di të thotë kurrë “unë”, gjë që e manifeston dhe vetë. Duke fshehur unin mos po rrezikohet individualiteti? Ndaj sqaron: “Egoizmi është si tapa,/Lartësitë kërkon të kapë,/S’di të bëjë një hap prapa,/S’di sepse ka lindur tapë!” Nga të gjitha pijet shampanja është euforike, duke e hedhur tapën përpjetë, por qejfliu i gotës preferon rakinë dhe verën. E merr malli të hyjë në folklor, ngaqë një zanë prej andej ia bën me dorë, duke ngjasuar me dervishin, i cili bën hajmali dhe “për ethe dhe për dashuri”. Nëse zana i qëllon të jetë Hankoja, që i ngjall të vdekurit dhe të gjallin e humb fare, nxiton t`i ngjajë ashikut: “Hapuni ju sorra se po vjen gjeraqina!” Në poezi ndihet një piskamë, është “Klithma e ikjes”, që vjen nga nizami përtej Urës së Qabesë, apo kurbetliu humbur dherave të huaj: “Ju të liq e ju sakatë,/Amanet ju lemë gratë!” Një klithmë kjo, që ndihet edhe sot. Veç të shkruarave në libra, shqetësohet për ato që ende s`i ka thënë, gjë që ndodh me të gjithë ata që duhet të kërkojnë nga vetja. “Merak kam: ca të pathëna/Do t’i them si t’ma marrë mendja,/E pastaj do shkoj të fle.” Prapë s`i flihet përderisa shkruan: “Unë shpesh flas me të ikurit,/Po ju mos më quani mistik,/Në mëngjes, pas gjumit të natës,/Kanatat mbyll që dhe vetë të mos ik!” Mos këto të pathëna do i shpreh me kitarën e dehur? “Një kitarë e dehur/Varur në mejhane,/Telat si ushkurë/Çakorduar fare!”

Dashuria erotike, duke e bërë me krah, e ngre përmbi re me shpejtësi reaktive, por “kur të përplas t`i thyen brinjët”, shkruan ai. Dhe ja shkaku: “Përse xhinset m`i ke grisur/atje sipër përmbi gju?!” Kur femra luan me gjuhën e trupit, një e grisur mbi gju jep një të krisur në zemër. Por në botën erotike gjendjet shpirtërore ndryshojnë me orë. “Po bëhesh xheloze dhe jetën po ma nxin/dhe kur një re të duket sikur po tund shaminë.” Tallet me të dashurën, sikurse do vuaj dhe vetë: “Keni parë të qajë një burrë/Ndënë shi kur zbrazen retë?/…Mos prisni të bëhet qull/Kur e marrin poshtë rrëketë!” Apo: “E mpakur, moj mike, e mpakur…/S’të njoha nga dorë e tretur.”

Duke i përkitur një brezi, që s`është mësuar t`i marr fitoret në tavolinë, por duke u përleshur, shpërthen kundër hilanjosit:

Ti nuk je njeri me huqe,

Se huqe te të gjithë gjen!

Ti je mola në sënduqe

Që krejt pajën na e bren!

Kësaj gjendje i bashkohet dhe Ridvan Dibra në romanin “Triumfi i Gjergj Elez Alisë”, kur shkruan: “Gjithçka e drunjtë në Kullën time ka tenjën brenda. Kjo e vërtetë nuk më shqetëson më, qysh kur jam bindur se çdo gjë në këtë botë ka brenda tenjën e vet: por njerëzit janë plot paragjykime dhe janë mësuar ta kërkojnë atë, domethënë tenjën, vetëm në gjërat e drunjta.”

Në poezinë e Fatmirit nuk mungon humori, që ai e bën pa të keq, sikurse dhe në poezinë “Tradhëtia e poetit”:

-U plake, poeti im, u plake,

Si kukudh rri pas mesnate!

– M’u plake, poezi dhe tinë,

S`e duron më yzengjinë!

– Yzengjia do dragua,

Jo maçok brenda n’katua!

– Ah, e di, je bërë xheloze,

Që kur pas i rashë një proze.

Kur e ngushtë të rri këmisha,

Zgjidh një tjetër në dyqan!

Duke i ndenjur e ngushtë këmisha e poezisë zgjedh atë të prozës. “Një libër që u shkrua vetë” e titullon ai librin me ese të shkruara në kohën e Covidit, i cili nis me njoftim se autori sapo ka krijuar një shoqatë të emërtuar “Kërmilli” dhe kush del jashtë guackës përjashtohet. E gjithë proza ka disa komunikata të renditura njëra pas tjetrës, ku dekori është po ai, veçse ndryshojnë situatat. Ligaveci tenton të përçajë shoqatën. Presidenca, ngaqë ka hapur thesin e dekoratave, tenton ta dekorojë shoqatën me titullin “Nderi i kombit”. (Është njësoj si ta nxjerrësh heroi nga garuzhja e kuzhinierit.) “Kërminjtë e mi të dashur, o paqësorë të avashtë, që bëheni luanë vetëm kur ju prishin rehatinë brenda guackës suaj!”-u drejtohet autori të gjithë atyre, që tregojnë kthetrat sapo i preket interesi e u prishet rehati.

Sikurse në një komunikatë tjetër: “Mirëmëngjes, butakë! Mos dyshuat gjë për këtë fjalën “butak”?! Oooo, jojooo! Nuk po ju denigroj, se unë vetë jam Kriebutaku i madh! Ndaj mos u merakosni! Përkundrazi, merreni si sihariq, sepse, në këtë klasën e Butakëve, ku hyjmë dhe ne Kërmijtë, paskemi disa mijëra kushurinj-specie të të gjitha llojeve të Guaskorëve ku janë e ku s’janë… sepse është Guaska tipari identifikues i Familjes sonë të madhe!”

Prozën e shoqëron dhe me vargje satirike, sikurse është dhe kjo në kohën e plehrave dhe të inceneratorëve. (Metalurgjiku mos u kthye në një mallkim dhe për inceneratorët, që pretendojnë ta nxjerrin energjinë, rrymën dhe nga plehërat, si një ngushëllimë për uzinat të kthyera në skrap?)

Sot jam vrer, sot jam bosh,

Asnjë letër s’hedh në kosh.

Se ca plehra një njeri,

Duhet të bëjë, gjithsesi!

Në një komunikatë tjetër: “Duhet të pranojmë se Heronjtë nuk u zhdukën menjëherë, por, si dinozaurët u zhdukën gradualisht, në tranzicion”, duke e zëvendësuar fillimisht me heroin e fabrikuar dhe më pas me antiheroin. Dikur meskini kritikohej, tani ai imitohet, ndaj dhe poeti nuk ia kursen talljen:

Tri herë e kam shpëtuar nga tymi e zjarri

Pijetarin tim të katit të tretë.

Ai fërkonte sytë si të ngrihej nga varri

E më thoshte: Po ti, pse vjen me vonesë?!

Përkundër mosmirënjohësve ai shpalos bujarin e tij, sikurse janë vargjet për kolegët.

Tash po qaj për Fadil Krajën,

Me k’to vargje plot amshim,

Në s’besofshi, punë e madhe,

S’ishte vetëm miku im!

Meqë e nisëm me Kadarenë, ja vlen ta përmbyllim po me atë, “punë e madhe” do thoshte Fatmir Musai, nëse të tjerëve nuk u pëlqen:

Kadaresë i shterën fjalët

Edhe tha:-Nuk shkruaj më?!

O të mjerë, po flet me zotat,

Që e kuptojnë më mirë se ne!

Kam nxirë shumë letra, por mos m`i shihni me mikroskop, shkruan ai në një poezi. Besoj se këtë kërkesë ia kam respektuar. Eja, Nexhip, mos u qell/…po më kërcasin trarët si film pa zë!” I drejtohet mikut të tij, Nexhip Ejupit. Kur të bjerë rruga këndej nga Elbasani, më tako, më tha një ditë. Dhe unë nuk u qella…

Shënim: Fotoja është shkrepur nga Fatmir Musai, kur u takuam në Elbasan. Përfitoj nga rasti t`i uroj shërim të plotë, pas atij operacioni “ku kish zënë vend një djall i fshehtë”, sikurse ai më shkruante.

Fatbardh Amursi

Ëndërr që përsëritej- Cikël poetik nga FERIDE PAPLEKA

ExLibris

Takimi me sublimen

Poema ime është
Ai ag i shenjtë qershori:
Kur ca murmurima që vinin
Nga shtrati i bebes
Ku flinte im bir
Më zgjuan si një ndriçim –

Ritmi i mistershëm i gugurimës
Që shpërndahej nga fryma e tij
Krahët dhe këmbët që lëvizte në ajër
Si të donte të përvijonte
Rrugët e së ardhmes
Shkruanin një partiturë
Që asnjë orkestër në botë
Nuk mund ta ekzekutojë –

E fshehur nga vështrimi i tij
Dridhtuese dhe e magjepsur
Shpirti im u përmbyt
Me ndjesi të panjohura
Të pakthyeshme
Krejt qenia ime u lëkund
Dhe më pushtoi
Një lloj lumturie si një joshje
Për të vdekur –
Jeta ime po pasqyrohej
Ndoshta ka qenë takimi me sublimen…

Perëndim në bregdet

Dita mbaroi dhe dielli
Mbeti mbi ujëra
Si peshk i kuq që përpëlitet
Në rrjetën e madhe të muzgut
Korriku vjen përvit
Mysafir i përhershëm
Me plazhet dhe zërat rinorë

Syri im sodit, por mendja
Kujton të tjera plazhe
Që zemra i ruan si diamantet
E fshehura në guaskë

Ti je pranë meje
Si diell përherë i ri
Që ma ngroh zemrën
Edhe në dimrin e jetës.

Është „luftë kundër armikut“

Valët e ajrit dridhen
Dhe nuk e lënë dritën e diellit
Të bjerë si përkëdhelje
Mbi fëmijët që luajnë
Mbi qytete dhe fshatra
Mbi pemë dhe mbi zogj
Mbi çati dhe ujëra
Mbi dashuritë

Diçka e e zezë lëviz nëpër qiell
Zërat përplasen dhe shuhen
Eshtë „luftë kundër armikut“
Dikush mbërthen në një tabelë
Foto të rinjsh rënë në front
Foto fëmijësh dhe nënash
Foto pleqsh e të sëmurësh
Vdekur nën rrënoja bombardimesh
Eshtë „luftë kundër armikut”.

Ëndërr që përsëritej

Rrugë të shkreta
Male shkëmborë
Të vdekur që ecnin:
Të vdekur që i kisha njohur në gjallje
Ata nuk më shihnin në fytyrë
Edhe unë nuk i shihja

Ecja pa e ditur se ku
Ata vonoheshin si të vdekurit
Kjo është e kuptueshme
Sigurisht, dikush do të më pyesë
Ku rrinin të vdekurit
Po ti e gjalla ku rrije
Unë s’di të them gjë
Ishte një ecje e shpejtë
Dhe, nuk dua të flas për ato kohë
Kur e ardhmja ime mbahej në një fije.

Unë jam

Unë jam çelësi i Borges-it,
Që ka humbur derën;
Jam muza e Platon-it
Që e frymëzoi të krijonte
Figurën e madhe të Sokratit;
Jam kompozimi i fundmë i Mozart-it
Që u arratis bashkë me të
Në honin e vdekjes;
Jam statuja e Shekspirit
Që shqetësoi për shumë vjet
Me dhjetëra skulptorë në botë;
Jam deti i munguar i Uliksit të Joyce-it;
Dhimbja e pamatshme e Kafka-s
Në katedralen e ndjenjave njerëzore;
Jam planeti i çmendur i Max Ernst-it;
Koha e humbur e Proust-it;
Dhe ndoshta një hije që endet
Në veprën e Pascal Quignard-it.
Jam Mosqenia.

Pohim i hidhur

Akrepat formojnë pa mëshirë
Nuk e di akrepat a ritmi i zemrës
Atë ekuacion me shumë të panjohura
Jetën time
Me vite të mjegullta,
Të strukura diku në nënvetëdijën time
Që presin zgjimin
Me vite të përgjakura
Që s’ua ndal dot agoninë
Me vite të pështjelluara –
Trëndafil Erërash në ndërrim stinësh
Shtojini shifrës fatale
Vitet e brezave që ikën
Vitet e Krishtit e të Parakrishtit
Kohën mitike të zotave sumerianë
Dhe atë kohë që nuk flet dot
Me një gojë të mbushur me natë
Shtojini luftërat
Që janë fytyra e këtij planeti egoist,
Paqen që është veç maskë
Dhe do të dalë një numër
Që nuk e nxë asnjë traktat aritmetik.

Tirana dhe unë

Tirana fle natën
Dhe ëndërron diellin pranveror,
Retë lundrojnë drejt pafundësisë,
Copëra të kaltra pështjellohen.
A është era,
Apo vala e trishtimit
Që bën një zhurmë të tillë
Mendja ime shfaq menjëherë
Një ekran të kujtesës
Që lë të shihet fëmijëria
Si një ëndërr që përsëritet
Kjo ëndërr e ëndrrave
Më dhuron përherë mahnitje
Sidoqoftë, lumturia e munguar
Merr formën e një ëngjëlli të zi
Jeta është një rrënojë qerthullore
E mbjellë me çaste jetëshkurtra.

Natyrë e qetë

Diell që perëndon
Qiell i portokalltë
Tinguj në dhomë
Puthjet tona të harruara
Vështrimet tona të hutuara
Dhe duart tona
Si dy pëllumba
Që kërkojnë të ngjiten në qiell.

Fytyrat tona megjithatë
Kundërshtojnë pasqyrën
Dhe gjërat e ndriçuara
Hapësira e pafund ka mbetur
Një mundësi e pamundur
Për të shkuar larg
Gjithsesi lulet që mblodhe për mua
Këtë ditë pranvere
Përgjojnë mbi tryezë.

Muzg kronologjik

I ndritshëm dhe frikësues qe ai muzg
Në Gare Montparnasse
Turma njerëzish nxitonin
Si një uragan shkonin dhe vinin
Nga të gjitha drejtimet
Një çast diçka e çuditshme i përndriti
Rrugët, njerëzit, ajrin
Mbase qe ideja e fuqishme e lëvizjes
Që ma përshkoi shpirtin
Unë shtanga
Dhe pastaj m’u mjegulluan
Kujtimet dhe shikimi –
Diçka e pakthyeshme po shkrinte –
Tërë e kaluara ime vogëlane
U shqye
Që atëherë unë i shoh gjërat ndryshe
Ja, pra, përse ndonjëherë
Kam brerje në ndërgjegje:
Po të mos ndodhesha atë çast në Gare Montparnasse
Mbase nuk do ta kisha këtë përhitje.

Larg dhe afër

Dje ti i kishe fjalët të lumtura
Që u futën në shpirtin tim
Kur isha e trishtuar nga imazhet e luftës.

E harruam gëzimin
Duke u strukur në shpirtrat tanë
Që kishin hyrë te njëri-tjetri
Dhe të heshtur qanin.

Unë ngrita krahët
Ti ngrite krahët
Me paaftësinë mizore
Për të ndihmuar.

Lufta ishte larg
Lufta ishte afër
Jetët tona donin të shtriheshin
Nën jetët e ikura

Ashtu ecëm të pikëlluar
Për të gjetur një qoshe
Ku lufta të ishte larg
Por ajo vetëm afrohej.

Parajsa nuk ka humbur

Engjëlli i jetës
Ndërton një labirint plot mistere
Parajsa nuk ka humbur
I pafundmë është fati yt
Qiellor zëri
Hapësira dhe Koha
Rrjedhin si një Gang i ri
Dhe trupi yt i ringjallur
I këndon gjestit jetësor.

Paris, korrik 2024

Përsiatje

Ka ditë të zymta
Po ashtu ka edhe net
Por fatlumërisht
Ka edhe ditë të qeshura, ajrore
Dhe net të bardha
Kur humbem
Duke lexuar dialogun « Banketi »
Të shkruar 2500 vjet më parë
Që e jep dashurinë
Si një gjendje të ndërmjetme
Midis vdekatares dhe të pavdekshmes
Midis paditurisë dhe dijes
Si një dëshirë për përjetësi
Dhe aspiratë për të Bukurën –
Ndërkohë unë kthehem tek e tashmja
Që është një përzierje e hollë
E vetëdijes me nënvetëdijen
Në një realitet të ashpër
Dhe, pastaj, kjo vuajtje e perhershme
Si një plagosje metafizike:
Toka ku kam lindur, Shqipëria.

Poema e manjolies

Manjolia është ende
Manjolia e dashurisë sonë
Ajo, në të cilën ti hipe
Këpute një lule e ma dhurove
Ishte muzg atëherë
Dhe ti ishe i ri
I ri si poema që po shkruaj
Për atë kujtim që e prodhon
Vetëm dashuria
Manjolia na priti me bujarinë e saj
Ngaqë e kuptoi
Se dashuria bën edhe marrëzira
Ajo sikur na uroi me zërin e saj të butë
Dhe na ushqeu idenë
Se dashuria mund të shfaqet
Edhe me një gjest të thjeshtë
Që në këtë rast
Mund të quhet antiekologjik
Por kështu ka ndodhur
Më kujtohet vegullia
Kur gjithë hapësira
U mbush me lule të bardha.

Peizazh apokaliptik

Vebdbanime të shkrumbuara
Fusha të zbrazëta
Pyje që i përpin zjarri
Ngjyrë e hirtë
Që shtrihet gjer sa nuk e nxë syri
Ngjyrë e lemerishme
Nuk është ngjyrë pikture
Futur në ndonjë tablo postmoderne
Toka aty lëngon
Nën një qiell legjendar
Dhe sytë e saj
Dikur krejt të blertë
Tani janë të shuar
Si të një zonje që ka humbur
Dashurinë e mbrame të jetës.

Nocturne

Ëndrra dhe prapë ëndrra
Për takime të pandodhura
Me njerëz të panjohur
Në net të bardha pagjumësie
Që lëkundeshin si gjethet në vjeshtë

Qielli ishte gjithnjë i yjezuar
Dhe hëna përherë e re

Në të vërtetë yjtë dhe hëna
Ishin mbushur si gjithnjë me heshtje
Por në një kohë të pakohë
Një melodi vinte ngadalë
Zëulët
Joshëse
Si dashuri e pamundur
A mos vallë
E gjithë kjo ishte një dhuratë
Që do të shndërrohej një ditë në poemë

Dritarja

Natë e zezë.
Sytë e mi zhbirojnë errësirën
Poezia fluturon jashtë dritares
Ajo kërkon mes territ
Dritëra të shkuara
Papritmas në zemrën time
Ndizet një yll :
E qeshura jote e rinisë
Ambruazia e saj më deh
Dhe unë transformohem
Në një vajzë të re të druajtur
Që mbledh lule
Ashtu si vajzat e Terës së lashtë
Që mblidhnin lulëkuqe
Në kohën e Helenës dhe Uliksit.

Nga pesha e moshës te pavdekësia e fjalës, profili i Jusuf Buxhovit në 80-vjetorin e lindjes- Nga Emin AZEMI

Tani që Jusuf Buxhovi shënoi tetë dekada jetë, profili i tij intelektual shpërfaqet në krejt përmasën e vet si institucion i gjallë i kulturës sonë. Ky përvjetor vjen si mundësi e çmuar për të analizuar opusin e gjerë që ka ndikuar thellë në tri fusha të ndryshme: gazetari, letërsi dhe historiografi. I formësuar nëpër fazat më dramatike të Kosovës, Buxhovi ndërtoi profil unik intelektual ku guximi i dëshmitarit shkrihet me finesën e shkrimtarit dhe saktësinë e historianit. Vepra e tij e pasur dhe voluminoze mbetet akt i fuqishëm i kujtesës dhe i rezistencës kulturore, duke i dhënë mendimit shqiptar dimension të ri dhe plotësisht europian.

Opusi i gjithanshëm i Jusuf Buxhovit, në këtë prag të tetëdhjetëvjetorit të lindjes, kërkon një rikthim të vëmendjes te mjedisi jetësor dhe kulturor që formësoi profilin e tij intelektual dhe krijues. Me rrënjë të lidhura fort mes Pejës, Gjakovës dhe Ponoshecit, ku lindi më 4 gusht 1946, ai u rrit në një Kosovë që po përpiqej të konsolidonte hapësirën e vet kulturore nën trysninë e rrethanave të reja politike. Ai përfundoi studimet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës në vitin 1968, në një kohë kthesash të mëdha kombëtare, ndërsa po aty kreu studimet pasuniversitare në degën e Historisë dhe magjistroi në vitin 1979 me temën mbi Lidhjen Shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane.

Mendimtari i madh francez Paul Ricoeur shkruan se kujtesa është një veprim aktiv që rindërton identitetin tonë ekzistencial. Te Buxhovi kjo rindërtim profesionale nisi si një kronikë e pastër e rezistencës intelektuale. Jeta e tij shfaqet si një urë lidhëse mes mendimit europian dhe dramës së Kosovës. Kjo rrugë kalon përmes punës si gazetar i kulturës dhe korrespondent i përhershëm i gazetës „Rilindja“ në Bon të Gjermanisë, duke u përmbyllur me angazhimin e tij si një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 1989. Tetëdhjetëvjetori e gjen atë në tavolinën e punës, duke përgatitur librin e tij të ri me memoare si një dëshmi e gjallë e dy epokave të mëdha historike.

Kronologjia e botimeve letrare

Krijimtaria e Buxhovit lëvizi nga format e vogla tregimtare drejt strukturave komplekse të romanit historik e psikologjik. Rrugëtimi i tij bibliografik zbulon një disiplinë pothuajse asketike të shkrimit.
Në vitet shtatëdhjetë ai hodhi hapat e parë me vëllimet me tregime „Cirku“ në vitin 1972 dhe „Pioni“ në vitin 1975. Shpërthimi i vërtetë erdhi me romanin „Matanëkrena“ në vitin 1976, i cili tronditi strukturat tradicionale të prozës në Kosovë. Kjo periudhë u pasua nga vëllimi kritik „Çaste“ në vitin 1978  dhe drama „Dinozauri“ në vitin 1979.
Vitet tetëdhjetë shënojnë dekadën e pjekurisë së plotë letrare. Romani „Loja“ i vitit 1980, paraprin kryeveprën e tij mit titull „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ të botuar në vitin 1982, i cili u kthye në paradigmë të romanit shqiptar. Më pas vijuan romanet „Ura e Kusturit“ në vitin 1984  dhe triptiku monumental „Libri i të mallkuarve“ në vitin 1986.
Në vitet nëntëdhjetë e tutje, autori kaloi drejt tranzicionit dhe postmodernitetit. Pasuan romanet e internalizimit dhe thyerjes formale si „Prandvera e Zezë“ në vitin 1995. Shekulli i ri solli botime të tjera të rëndësishme si „Libri i Gjakovës“ në vitin 2008, „Lufta e fundit e Bashkim Kosovës“ në vitin 2011, „Dosja e hapur“ në vitin 2012, „Jeniçeri i fundit“ në vitin 2013 [1] dhe „Dosja B“ në vitin 2016.
Rrugëtimit të tij nuk i mungoi ritmi as në vitet në vijim. Autori hapi një cikël të ri krijues që zbron drejtpërdrejt në realitetin e përmbysur shoqëror. Në këtë frymë, ai botoi romanin psikologjik „Dushkaja“ në vitin 2018, një vepër që funksionon si një pasqyrim i kaosit të përditshmërisë në një vend të pasluftës. Ky cikël u përmbyll me romanin „Mona“ të botuar në qershor të vitit 2020, ku shkrimtari analizon me mjete letrare çlirimin pa liri dhe bipolaritetin social e kulturor të shoqërisë së sotme në Kosovë.
Pas romanit „Mona“, Jusuf Buxhovi e ka zgjeruar dhe thelluar edhe më tej projektin e tij mbi anatomizimin letrar të shoqërisë dhe tranzicionit shqiptar.
Në shtator të vitit 2023, autori botoi romanin e tij më të ri me titull „Mendim Drini“. Kjo vepër ndjek fatin e një personazhi që mban emrin e vetë titullit të librit, i cili shfaqet si një lloj alter-egoje narrative për të skanuar krizat shpirtërore, politike dhe morale të kohës sonë. Përmes këtij romani, Buxhovi vazhdon traditën e tij të njohur të thyerjes formale dhe të intelektualizmit metafizik, duke e çuar sagën e tij të vëzhgimit shoqëror deri në ditët e sotme.
Tash së fundmi, autori nxori nga shtypi librin e tij voluminoz të kujtimeve dhe dëshmive me titull „Pasluftat e mia (1946–1999 dhe 2000–2026)“. Ky libër, i strukturuar si një përmbledhje me memoare, biseda dhe dokumente, sjell një rrëfim të drejtpërdrejtë mbi dy epokat më përcaktuese të historisë moderne të Kosovës. Ai analizon me syrin e dëshmitarit dhe të protagonistit, rrugëtimin e vështirë të popullit shqiptar drejt lirisë dhe shtetndërtimit.

Poetika e shkrimit, veçoritë e krijimtarisë letrare

Letërsia e Jusuf Buxhovit refuzoi me forcë dogmat e realizmit socialist që ngulfatën Shqipërinë administrative. Ai gjithashtu shmangu folklorizmin mbytës që rrezikonte letërsinë në Kosovë. Autori zgjodhi postmodernizmin e gërshetuar me parimet e romanit të madh historik europian.
Fjalia e tij karakterizohet nga një densitet i lartë filozofik. Ai përdor me mjeshtëri teknikën e palimpsestit, ku nën tekstin e dukshëm fshihen shtresat e historisë, kodet mesjetare, hermetizmi dhe mistika. Personazhet e Buxhovit, ku shquhet Gjon Nikollë Kazazi, shfaqen si alegori të mbijetesës njerëzore përballë murtajave ideologjike dhe fizike. Gjuha e tij përdor një sintaksë që refuzon linearitetin klasik. Ajo përmban thyerje, kthesa dhe një muzikalitet të brendshëm që kërkon një lexues aktiv në zbërthimin e kuptimeve.

Puna hulumtuese dhe botimet historiografike

Si historian, Buxhovi solli një thyerje epokale në historiografinë shqiptare. Pas punës së gjatë hulumtuese në arkivat e huaja, veçanërisht në ato gjermane, ai ndërtoi një qasje të zhveshur nga mitet romantike dhe nga deformimet ideologjike të periudhës komuniste. Punimi i tij bazohet krejtësisht në rigorozitetin e dokumentit arkivor. Filozofi francez Michel Foucault, kur flet për konceptin e arshivës, thekson se historia nuk duhet të jetë një përsëritje e thashethemeve zyrtare, por një zbulim i strukturave të pushtetit. Buxhovi ndjek pikërisht këtë rrugë hulumtuese për të sfiduar mitet dhe dogmat e ngulitura.

Hapat e tij të parë shkencorë nisin me studimin monumental mbi „Kongresi i Berlinit 1878“, i botuar fillimisht në vitin 2008 dhe i rishikuar si „Kongresi i Berlinit dhe Lidhjes Shqiptare“ në vitin 2012. Në këtë vepër, ai zbardh rolin e diplomacisë europiane dhe analizat e kancelarit Otto von Bismarck, duke sjellë dokumente të papublikuara që ndriçojnë rezistencën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Kulmi i veprimtarisë së tij historiografike shënohet me projektin enciklopedik „Kosova“, i cili fillimisht doli në dritë në vitin 2012 si një triptik vëllimesh. Ky projekt u zgjerua më vonë në pesë vëllime kapitale gjatë viteve 2012-2015, për t’u kurorëzuar përfundimisht në një botim monumental prej tetë vëllimesh dhe mbi pesë mijë faqesh. Në këtë vepër, autori rishikon në mënyrë të detajuar Antikitetin, Mesjetën, periudhën osmane, Konferencën e Londrës dhe rrugëtimin e Kosovës përmes tmerreve të ish-Jugosllavisë deri te shpallja e shtetësisë moderne. Buxhovi e vendos Dardaninë në qendër të antikitetit ballkanik, duke treguar se Kosova nuk ishte aneks, por subjekt dhe epiqendër e historisë etnike shqiptare.

Në vitin 2020, autori botoi studimin „Dardania – antika, mesjeta“, një punim që rishikon lidhjet e thella mes qytetërimit pellazgo-ilir dhe shtatësisë dardane, duke demistifikuar pretendimet e historiografisë serbe mbi kishat ortodokse dhe të ashtuquajturin shtet mesjetar serb. Kjo frymë vazhdoi me veprën „Maqedonia nga antika deri te koha jonë“, e botuar në vitin 2021 dhe e përkthyer në gjuhën angleze në vitin 2023 nga shtëpia botuese amerikane „Jalifat Publishing“. Përmes këtij libri, Buxhovi argumenton se Maqedonia, Dardania dhe Epiri përbënin trinomit mbretëror ilir në antikitet.

Rrugëtimi i tij historiografik plotësohet me dy botime të tjera sintetike me vlerë të madhe pedagogjike dhe shkencore. Libri „Kosova – histori e shkurtër“, i botuar dhe i plotësuar në vitin 2024, funksionon si një udhërrëfyes i ngjeshur për studentët dhe studiuesit e huaj. Po ashtu, një vend të rëndësishëm zë libri i tij dokumentar i vitit 2026 i titulluar „Pasluftat e mia“. Buxhovi guxoi të prekte tabu akademike dhe kritikohet shpesh prej qarqeve që mbrojnë dogma të vjetra, mirëpo botimet e tij mbeten një uragan dokumentar që bën thirrje për rishkrimin e plotë të historisë së Ballkanit.
Vepra historiografike e Jusuf Buxhovit, që nga çasti i botimit të vëllimeve të para të projektit „Kosova“, ka funksionuar si një tërmet metodologjik në mjedisin shkencor shqiptar dhe atë ballkanik. Ky korpus voluminoz nuk u prit si një studim i qetë akademik, por ngriti valë të mëdha diskutimesh, duke u ballafaquar me dy rryma krejtësisht të kundërta të vlerësimit.

Kritikë dhe mendimtarë jashtë rretheve të ngurta akademike e pritën veprimtarinë e tij si një akt çlirimi kombëtar nga klishetë e vjetra ideologjike. Ata theksojnë se Buxhovi arriti të zhvishte periudhën e Antikitetit dhe të Mesjetës nga interpretimet e njëanshme sllave, duke i kthyer Kosovës statusin e bërthamës shpirtërore të shqiptarizmit.

Në anën tjetër, reagimet institucionale jashtë dhe brenda Kosovës shfaqën një natyrë mjaft refuzuese e shpesh polemizuese. Historiografia zyrtare në Serbi e sulmoi menjëherë projektin, duke e deklaruar atë si një përpjekje pa baza shkencore që synon të zhvlerësojë mitet mesjetare serbe mbi Kosovën. Megjithatë, reagimi më delikat erdhi nga vetë rrethet e ngurta akademike në Prishtinë dhe Tiranë. Disa historianë tradicionalë e akuzuan autorin për një qasje skajshmërisht romantike dhe për guxim të tepruar në kapërcimin e periudhave kohore, duke pretenduar se tezat e tij mbi etnogjenezën iliro-dardane përmbysin studimet e konsoliduara deri më sot. Kjo xhelozi klanore shkoi deri aty sa institucione të caktuara arsimore tentuan ta izolonin apo ta mënjanonin autorin nga programet zyrtare të përvjetorëve kombëtarë.
Pritja e veprës jashtë hapësirës shqiptare administrative mori një dimension krejtësisht tjetër, sidomos me botimet në SHBA përmes shtëpisë botuese „Jalifat Publishing“. Përkthimi në gjuhën angleze i vëllimeve të „Kosovës“ dhe „Maqedonisë“ u prit me interesim të veçantë nga studiuesit perëndimorë dhe qendrat universitare amerikane, të cilat panë aty një burim alternativ dokumentar, të paprekur nga propaganda e diktatit të ish-Jugosllavisë. Ky interesim ndërkombëtar vërtetoi se puna e Buxhovit, pavarësisht polemikave lokale, arriti ta kthente çështjen e historisë së Kosovës nga një objekt diskutimi rajonal në një subjekt të mirëfilltë të shkencës europiane.

Simbioza e dy botëve, gërshetimi i historisë me letërsinë dhe gazetarinë

Teoricienti  i madh Hayden White në studimet e tij mbi Metahistorinë argumenton se historia dhe letërsia ndajnë të njëjtat struktura narrative. Te Buxhovi ky gërshetim funksionon si një natyralitet i plotë profesional.

Kur shkruan letërsi, ai shfrytëzon përvojën e historianit për të krijuar atmosferën e saktë të epokës, duke shmangur me kujdes anakronizmat e kohës. Kur shkruan histori, ai shfrytëzon plastikën dhe mprehtësinë e stilit të shkrimtarit për t’i bërë dokumentet e ftohta të flasin me zërin e gjallë të njerëzve. Historia i jep letërsisë së tij vertikalitetin e së vërtetës, ndërsa letërsia i fal historisë horizontin e pafundëm të kuptimit njerëzor.

Në profilin intelektual të Jusuf Buxhovit, gazetaria, letërsia dhe historia nuk janë reparte të ndara me mure të padepërtueshme. Ato funksionojnë si enë komunikuese. Buxhovi gazetarinë e ka pasur bukë, ndërsa letërsinë ujë. Ky gërshetim bëri që gazetaria t’i jepte atij dinamikën e jetës, kurse letërsia ndjenjën dhe formësimin estetik.

Në këtë pikëtakim të rëndësishëm intelektual, Buxhovi ndjek matricën e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë si Gabriel Garcia Markez, Ernest Hemingvej apo Dino Buzzati, të cilët rrugëtimin e tyre krijues e kalitën pikërisht përmes shqisës së mprehtë të gazetarit të terrenit. Përvoja e tyre dëshmon se kronika e përditshme nuk është thjesht një regjistrim i përkohshëm ngjarjesh, por një laborator i vërtetë i njohjes njerëzore ku shkrimtari mëson të kapë detajin, të vëzhgojë krizat dhe të zbërthejë mekanizmat e pushtetit në çastin e lindjes së tyre. Gazetaria te Buxhovi funksionon si kapja e faktit të menjëhershëm dhe e aktualitetit politik në gjendje të nxehtë, duke krijuar kështu arkivën e parë të gjallë të jetës.

Mbi këtë lëndë të parë të dokumentuar, ndërhyn shqisa e dytë e profilit të tij, ku letërsia e shndërron faktin e ftohtë gazetaresk në një përjetim të thellë ekzistencial, duke i dhënë ngjarjes kalimtare një përmasë universale përmes metaforës dhe artit. Megjithatë, ky rrugëtim nuk ndalet në rrafshin e fiksionit letrar, sepse në instancën e fundit vjen historiani, i cili e vendos këtë përjetim artistik dhe atë dëshmi gazetareske në kujtesën e përjetshme të popullit. Përmes kësaj simbioze, trinomi i tij krijues arrin të shpëtojë ngjarjen nga vdekja që sjell harresa, duke treguar se si e djeshmja politike kthehet në artin e së sotmes dhe në historiografinë e palëkundur të së nesërmes.

Gazetari Buxhovi edukoi shqisën e vëzhgimit të mprehtë dhe guximin për të dëshmuar në kohë të vështira. Shkrimtari Buxhov i i dha atij mjetet stilistike për të depëutrar në psikologjinë e thellë të masave, kurse historian Buxhovi erdhi si një instancë e lartë etike, e cila refuzon t’ia lërë të kaluarën mëshirës së harresës. Këto tri fusha bashkëjetojnë si një trinom i pandashëm ku secili profil plotëson dhe pasuron tjetrin.

Vendi i Jusuf Buxhovit në letrat shqipe

Jusuf Buxhovi i përket brezit të viteve shtatëdhjetë të letërsisë shqipe në Kosovë (i njohur në kritikën letrare edhe si brezi i modernizimit apo brezi i rilindjes letrare), ku bënin pjesë edhe autorët Teki Dërvishi, Ali Podrimja, dhe Beqir Musliu. Ky brez kreu modernizimin rrënjësor të letërsisë sonë, duke e shkëputur atë nga provincializmi rural dhe duke e hapur drejt rrymave të mëdha letrare  botërore.
Vlerat specifike që Buxhovi solli në letrat shqipe nisin me demitologjizimin e tekstit historik, duke e kthyer historinë në një hapësirë dyshimi dhe filozofimi. Ai solli gjithashtu intelektualizmin metafizik, ku romanet e tij shtrojnë ide të mëdha ekzistenciale. Përmes kësaj qasjeje, ai tregoi se Kosova mund të prodhonte letërsi me standarde të larta europiane.

Vlerësimet kritike dhe polifonia e recepimit

Vepra e Buxhovit ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së kritikës serioze përgjatë gjithë gjeografisë shqiptare. Ibrahim Rugova shihte te „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ imunitetin autokton të kulturës sonë, duke zbuluar një matricë identitare që i bën ballë tjetërsimit. Në të njëjtën linjë institucionale, akademiku Sabri Hamiti e ka përcaktuar prozën e Buxhovit si një hapësirë ku imagjinimi historik shndërrohet në shpirtëzim të pastër të historiografisë, duke i dhënë tekstit një vertikalitet të ri.

Nga ana tjetër, akademiku Ali Aliu ka nxjerrë në pah kapërcimet e mëdha estetike të këtij autori, duke e pozicionuar brenda prurjeve më emancipuese të brezit të tij. Një ndihmesë të jashtëzakonshme në sistemimin e këtij opusi ka dhënë Ramadan Musliu, i cili shërbeu si redaktor dhe mentor i fjalës së fundit për shumë vepra të tij. Musliu, në studimet e tij mbi psikohistorinë e Buxhovit, vëren se romanet e tij si „Jeniçeri i fundit“ funksionojnë si një katarsë kombëtare. Ai po ashtu e vlerësoi projektin pesëvëllimësh „Kosova“ si një vepër kapitale historiografike që rindërton arkivën tonë kulturore.

Ndërkaq, shkrimtari Visar Zhiti ka vlerësuar me tone të larta esejistike natyrën ekzistenciale dhe dimensionin e vuajtjes njerëzore që përshkon prozën e Buxhovit, duke e parë shkrimin e tij si një dëshmi të pacenueshme lirie. Po ashtu, shkrimtari dhe diplomati Besnik Mustafaj është ndalur te raporti i thellë gjeo-kulturor dhe epistemologjia e diktaturës që autori zbërthen në botimet e tij të fundit, duke e konsideruar Buxhovit si një nga zërat më përfaqësues të vetëdijes sonë moderne letrare.

Në planin ndërkombëtar, vepra e tij ka kaluar kufijtë gjuhësorë. Romane të tij si „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ dhe „Libri i të mallkuarve“ janë përkthyer dhe botuar në gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht, duke bërë që bota të njohë finesën e mendimit tonë letrar.

Kjo trashëgimi intelektuale e krijuese dëshmon për një profil të rrallë autori i cili refuzoi çdo lloj kompromisi me harresën kolektive dhe me plogështinë akademike. Për Buxhovin, shkrimi shfaqet si një akt i ndërgjegjshëm rezistence kulturore, ku prirja estetike dhe profesioni gërshetohen me misionin etik. Kjo rezistencë shtrihet në dy binarë të pandashëm, ku në njërën anë mbrohet vertikaliteti i identitetit kombëtar përballë rreziqeve të tjetërsimit, ndërsa në anën  tjetër synohet integrimi i plotë i vetëdijes shqiptare në horizontin e vlerave universale europiane. Përmes këtij përkushtimi asketik ndaj dokumentit dhe fjalës artistike, ai tregon se si kujtesa e shkruar mund të shndërrohet në mburojën më të fuqishme të një populli përballë stuhive që sjell koha.

Gusht, 2026

Kur Deçani i dha dorën Pogradecit- Nga Neki Lulaj

Erdita dhe Eldi kur dy të rinë për dashuri nuk njohin kufij

Ka çaste në jetë që nuk maten me orë, as me ditë, por me rrahjet e zemrës. Janë ato çaste kur gëzimi bëhet festë, kur loti i mallit përzihet me buzëqeshjen dhe kur dy familje, që deri dje nuk njiheshin, sot bëhen një.

Një ditë e tillë ishte kjo.

Nga Deçani, qyteti i historisë, i besës dhe i krenarisë së Dardanisë, morëm rrugën drejt Pogradecit, qytetit që prehet buzë liqenit si një perlë e lashtësisë shqiptare. Nuk na solli këtu as kureshtja e udhëtimit, as bukuria e natyrës. Na solli një arsye shumë më e madhe: dashuria.

Në këtë udhëtim nuk sollëm vetëm valixhe. Sollëm kujtime, emocione dhe copëza të shpirtit tonë. Sollëm atë që një prind e ruan më me fanatizëm se çdo pasuri tjetër – vajzën tonë, Erlindën, lulen e familjes sonë.

Nuk është e lehtë për një familje ta përcjellë bijën drejt një dere tjetër. Në atë çast zemra ndahet më dysh. Njëra pjesë mbetet në shtëpinë ku ajo u rrit, ndërsa tjetra e shoqëron përgjithmonë në rrugën e saj të re. Por kështu është jeta. Fëmijët nuk lindin për të mbetur gjithmonë pranë nesh; ata lindin për të ndërtuar lumturinë e tyre.

Dhe ne sot jemi të lumtur që Erlinda po e fillon këtë rrugëtim në një familje fisnike, duke lidhur jetën me Eldin, me besimin se dashuria e tyre do të jetë më e fortë se çdo sfidë që mund t’u sjellë koha.

Kjo martesë është shumë më tepër se bashkimi i dy të rinjve. Ajo është takimi i dy familjeve, i dy qyteteve dhe i dy anëve të së njëjtës zemër shqiptare. Deçani dhe Pogradeci sot nuk janë më vetëm emra në hartë. Ata janë bërë ura që lidhin njerëz, kujtime dhe breza.

Për shumë vite kufijtë u përpoqën të na ndanin. Historia ngriti pengesa, por nuk arriti kurrë të ndante gjuhën tonë, këngët tona, zakonet tona dhe dashurinë për njëri-tjetrin. Sot, kur bijtë dhe bijat tona martohen nga njëra anë në tjetrën, duket sikur historia po shëron plagët e veta.

Dashuria po bën atë që shpesh nuk e arritën dot as traktatet, as marrëveshjet politike. Ajo po ndërton ura mbi lumenjtë e kohës dhe po i afron shqiptarët më shumë se kurrë.

Teksa shikoja të gjithë këta njerëz të mbledhur rreth së njëjtës sofër, më dukej sikur nuk kishte më as lindje e as perëndim, as kufij e as ndarje. Kishte vetëm fytyra të buzëqeshura, duar që shtrëngoheshin me sinqeritet dhe zemra që rrihnin në të njëjtin ritëm.

Në atë çast kuptova se pasuria më e madhe e një kombi nuk janë vetëm malet, lumenjtë apo qytetet e tij. Pasuria më e madhe janë njerëzit që dinë të duan, të falin, të respektojnë dhe të ndërtojnë miqësi që zgjasin më shumë se një jetë.

Në emrin tim, si Neki Lulaj, vëllai i Xhevatit, dhe në emër të gjithë familjes Lulaj, falënderoj nga zemra familjen mikpritëse për fisnikërinë dhe dashurinë që na dhuruan.

Erlindës dhe Eldit u uroj që rruga e tyre të jetë gjithmonë e ndriçuar nga dashuria, mirëkuptimi dhe besimi. U bëftë shtëpia e tyre një vatër ku të mos mungojnë kurrë buzëqeshja, bekimi i Zotit, zëri i fëmijëve dhe ngrohtësia e sofrës shqiptare.

Dhe le të mbahet mend kjo ditë jo vetëm si dita kur u martuan dy të rinj, por si dita kur Deçani i dha dorën Pogradecit dhe kur dy familje u bënë një, nën bekimin e dashurisë dhe të kombit tonë shqiptar.

Nuk ishin thjesht dy duar që zgjaten te njëra-tjetra. Janë dy degët e pemës shqiptare, janë dy qoshet e një ode. Janë mali dhe liqeni që duken si vëlla e motër.

E fjala e mençur e poetit është kaq e brishte para kësaj bukurie. Ta gëzojmë!! Sot e mot.

Qoftë e bekuar kjo miqësi!

Qoftë e bekuar kjo martesë!

Qoftë i bekuar çdo hap që bashkon zemrat shqiptare.

 

Pogradec, 2 gusht 2026

PEISAZH GRUAJE- Nga RUZHDI GOLE

1.
T’ju them një të vërtetë:
Poezitë e mia
po i shkruan gruaja
në moshën e tretë.
Frymë tjetër prej gruaje
i ka shkruar
poezitë e mia
në moshën e dytë,
tani ajo është paksa
shumëçka mjegulluar
kujtim mjegulluar
nga sytë.
Në moshën e prozës
moshë të tretë
ç’mund
të shkruajmë
unë dhe gruaja
për valët dhe retë?
2.
Gruaja ime abetare
me një alfabet
të njëjtë dhe ndryshe
nga të tjerët,
e lexova vonë
farërave
ndonëse
gratë i njoha herët.
Gruaja ime bibliotekë
e gjitha e lexuar,
pafundësisht
shkronja
livadhe fletësh
troje, ngjarje
në vete
dhe tek mua.
Gruaja ime
është shtëpi
frymëmarrje
së rilinduri,
unë aty unë
ndonjëherë më pak
më shumë se i gjithi.
3.
S’po e shoh
një çast gruan,
Ajri në guzhinë
pi çaj
të ngrohet
drita
ngroh lulet
lulet zgjuar
flejnë
duke rrokur duart.
I shoh të gjitha
gjithçka shëndetshëm,
nga gjella nuhata
aroma
që shkuan
nga uji dëgjoj flatra
që s’do të k’puten
as nesër.
Po gruaja, ku është gruaja?
Ajër dhe dritë
duke rrokur
duart?!
4.
Peisazhi prej gruaje
përhera hijeshon
hijen edhe dritën,
përqafon perëndimin
pa perënduar
as mbrëmjen
as natën,
peisazhi prej gruaje
i huton të gjithë
i ngre të gjithë
në këmbë
edhe ndrojtjen
edhe frikën
ndonjerën e rrëzon
më shpejt se yjet
më ngadalshëm.
5.
Në gjithçka
tingëllojnë gratë
pa i rënë
asnjë vegle muzike,
ato janë orkestra
më me fat
se kudo janë
përhera
dëgjohen
prej të gjithëve.
Orkestrat e botës heshtin
përpara kësaj orkestre…
për ta dëgjuar burrat
veçanërisht burrat
që mburren se ata
vetëm ata
i mbajnë në këmbë
kontinentet.
6.
Në tezgjahe
vrapojnë gishtat
ngrihen velat
vela joshjesh
pa u dukur
kopshtet vilen,
kjo pëllëmbë
tezgjahu i mbrëmjes
thurr mbrëmjen
e përbotshme
velat valëve
gufojnë gjiret.
Gjithçka prej gruaje…
më afër zogjve
kopshteve
më larg, më lart statujave.
7.
Ajo vajzë, grua sot
herët më mundi
motit shkuar
kopësht,
kur zogjtë çukisnin
frutat pa i lënduar
kur mbrëmja
gjak pastër
jetonte
botë.
Ajo botë prej gruaje
jeton pak e ndjerë
tej përtejmë cak,
cipa e atij dimri
nën vete paprerë
s’ka tehe të tjerë
s’ka shpellë
por kopshte fryme
që shkundin
ndonjëherë
t’artën borë
zjarrmth.
8.
Andej jemi, përhera andej,
ndjehemi të këtushëm,
Deti e mban bluzën
veshur përhera
se përhera
ka ftohtë
edhe kur dimri
s’është dimër
neve
nënë diell
na dridhen buzët.
Mot’ i keq për motin
paj, i rëndë burrash
për gratë e nuset
mosmëkeq,
Mali
s’e tret borën
as në verë
shpuzërash
Vera
për nusegratë
pikon lotëvjeshtë.
9.
Përqafohemi çdo mbrëmje
pafund puthemi
lakuriq xhvesh,
besnikërisht
e pabesë nata
mes këmbëve tona
u bie këmborëve
të na mëshirojë
me fjalë qorre
se jemi fishkur
nga mesi e poshtë
(jo nga mesi përpjetë).
Protezë nata mban
mban syze
shpesh
neve na pyet
ajo vet është natë?
Ne
puthemi pafund
përhera stinë korrjesh
drapinjtë tanë
korrin
korrin natën dinake
të kambanave
qorre
buzëthatë.
10.
Nata urtë – urtë
merr teshat tona
symbyll i fsheh diku
shpejt i nder për fresk,
të vetat tesha nata
i bën lëmsh
kur flora
nga blu
bëhet syzezë.
Nata
në mëngjes
vesh teshat tona…
11.
Fryma kapërceu natën,
t’errta, më t’errta
pa fresk
veriget e padukshme
shpuzarake të vapës.
Frymë tjetër bisqet…
Do të flemë ne sonte?
Do të përqeshim dikë
do na përqeshin?
A do grindemi me natën
se nuk jemi ne
të shurdhërit
as gjysma
të verbërit?

IKONA E ZOJЁS SЁ KЁSHILLIT TЁ MIRЁ- Tregim nga ARTUR SPANJOLLI

 

1.

 

Ngjarja e pabesueshme ndodhi gjatë atyre Pashkëve të paharrueshme, dhe shumë vite më vonë, në vend që të harrohej, ajo u kujtua gjithnjë e më shumë.

Në atë epokë të madhe, prijësi shqiptar ishte tashmë në perëndim të jetës së tij. Ndaj hordhitë turke, me një tërbim të pashpirt e famëkeq, po dyndeshin gjithnjë e më shumë në tokat e Arbërit. Dihet se kohët e vështira sjellin gjithmonë ngjarje të mëdha. Ngjarje që ndajnë edhe vetë epokat dhe lënë shenja të pashlyeshme.

Pesëdhjetë vjet kishin kaluar që nga koha e atyre ngjarjeve aq të bujshme në Arbëri. Ishte viti 1517 dhe kohët ishin disi më të qeta. Gadishulli Italik ishte ende i lirë nga thundra osmane, por po kanosej gjithnjë e më shumë.

Manastiri i priftërinjve agustinianë, në Xhenazano, ngrihej fare pranë Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë. Ishte një mbrëmje e qetë pranvere, edhe pse bënte ende ftohtë. Një ftohtë i çuditshëm, sepse përgjithsisht në prill ajri ngrohej dhe kudo pranvera mbushte kodrat dhe fushat me ngjyra e aroma të freskëta lulesh. Por çuditërisht, atë vit i ftohti ende nuk kishte ikur. Për këtë arsye zjarri në oxhakun e madh të bujtinës së De Slavit nuk ishte shuar ende.

Plaku De Slavi rrinte ulur mbi një karrige druri të gdhendur. Ishte punuar aq mjeshtërisht sa njeriu habitej nga ornamentet e saj aq të sakta. Valenca ku mbështetej ishte e butë. Në dorë mbante një libër në gjuhën latine, ku lexohej edhe titulli: “De Obsidione Scodrensi”. Në prehër kishte dy libra të tjerë: “Mater Boni Consilii” dhe “Codex miraculorum”. Ishte plakur aq shumë vitet e fundit, sa dukej sikur nga çasti në çast do të përgjumej përjetësisht.

I kishte sytë e vegjël dhe në ata sy ndrynte një brengë pa fund. Ishte një brengë malli pa skaj.

Në çast dera u hap dhe një burrë i hijshëm e i gjatë u shfaq. Plaku rrinte mendueshëm. I kishte sytë e zbehur dhe flokët e gjatë, tërësisht të thinjur.

“Bir i dashur”, foli plaku i motshëm duke iu drejtuar djaloshit. “Ti e di se si na u trondit jeta, plot 50 vjet më parë. E ke dëgjuar mijëra herë historinë që më ndodhi mua dhe Gjergjit. Paqja e Jezusit qoftë mbi të! Ti e di, ai na la. Por ai më la edhe një amanet dhe unë, siç kemi folur bashkë herën e fundit, duhet ta kryej porosinë! Kam përgatitur gjithçka për t’u nisur.”

“Ke vendosur të kthehesh atje? Në tokën e etërve?    Në një tokë të cilës i ka rënë gjama e zezë prej vitesh? Tokë e shkelur nga turku mizor?!”

“Amaneti është amanet, bir. Askush nuk mund ta përmbushë amanetin përveç meje. Por jam shumë plak për të ndërmarrë vetëm një rrugëtim të tillë. Ndaj dua që të më shoqërosh.”

“Nuk do të lija kurrë vetëm, baba!”

“Bravo, bir! Të lumtë goja! Jeta e plakut është si një gjethe vjeshte, biri im. E fishkur dhe e dobët nga zverdhja e stinës, mjafton një fllad i lehtë dhe ajo mund të rrokulliset në dhé.”

“Por ti mundesh edhe ta lësh fare këtë amanet, babë! Ky vendim yt kaq këmbëngulës mund të jetë i rrezikshëm! Ti e di, atje vendi është plot me armiq. Vetë ma ke thënë që nuk na shohin me sy të mirë.”

“Ndëgjo, bir!” rrëfeu plaku, tani me zë të ulët. “Kam edhe mall t’i shoh ato vise para se të vdes. Aty ku njeriu ka kaluar fëmijërinë, aty edhe shpirti dëshiron të prehet i qetë. Kujtimet e viteve të fëmijërisë më ndjekin kudo, biri im. Përkundrazi. Sa më shumë plakem, aq më të forta dhe këmbëngulëse ato bëhen. Do të më ndjekin ndoshta edhe përtej; deri në fund të botës. Kudo që të shkoj, ato më rrinë mbi krye si një kryq e kënaqësi. Gjithashtu, vullneti i fundit i Gjergjit do të kryhet, bir. Përndryshe, nuk do të kem paqe nën dhé!”

Djali e dëgjonte me kujdes. Flakët e oxhakut, si koka gjarpërinjsh të ndezur, përkuleshin në ajrin e nxehtë, duke konsumuar vrullin e tyre në eter. “Nuk e di, babë. Nuk e di se ç’do të na presë atje. Mort apo gaz!”

“Biri im,” këmbënguli plaku. “Dy gjëra janë të rëndësishme në jetë: nderi dhe besa. Unë i kam dhënë besën Gjergjit. Porosia do të kryhet. Atje, me ndihmën e Zojës së Mirë, me siguri do ta gjejmë mikun e vjetër të Gjergjit, shpresoj të paktën. Dera e Bashajve dikur ishte një nga më të nderuarat në qytet. Ndaj, edhe pse turku është përzier me atë popull, besoj se do ta gjejmë njeriun të cilit i është adresuar letra e Gjergjit. I kam menduar të gjitha. Atje do të prezantohemi si tregtarë ikonash nga Venecia. Turku e ka mirë këtë periudhë me Venecian. Hajde pra, përgatitu dhe na qoftë udha e mbarë. Dhe Zoja e Këshillit të Mirë qoftë me ne!”

 

 

 

Kur plaku dhe i biri u ngjitën mbi anijen tregtare në portin e Leçes, nuk ishin fare në humor të mirë. Ishin të dy krejt të hirrosur nga një parandjenjë kobzeje. Ashtu si qielli përpara shtrëngatës, plaku shikonte detin pa fund të prillit.

Ndërsa djali i ri, i shtyrë gati me forcë për të kryer një mision të tillë, rrinte i heshtur dhe i zymtë si një rrasë varri.

Dukej qartë se nuk e kishte me dëshirë këtë udhëtim, por respekti i padiskutueshëm për të atin e kishte shtyrë ta shoqëronte në këtë udhëtim të mbrapshtë. Ishte një udhëtim që mund të kishte edhe të papritura. Dukej qartë se ai po shkonte fare pa qejf atje.

Ishte ajo një tokë për të cilën ai kishte dëgjuar të flitej që kur kishte qenë fare i vogël. Nuk e kishte shkelur kurrë. Një tokë nga e cila, me qindra e mijëra arbër, për dhjetëvjeçarë tërë, ishin nisur me lot e mundim, për të mos iu gjunjëzuar armikut mizor. Një tokë e cila, në imagjinatën e tij, shfaqej plot lule me erë gjaku dhe aty ku shkelte këmba e turkut, dheu mallkohej e bëhej gur. Nuk mbinte më as edhe një fije bari. Një tokë ku nënat veç mallkonin duke çjerrë faqet dhe, duke shkulur flokët me dhimbje, qanin për djemtë e vrarë o të marrë peng. Një tokë e braktisur nga qielli dhe nga njeriu.

Osmanët e kishin marrë qytetin që prej shumë kohësh. Kishin ndërtuar tashmë xhaminë e parë dhe e kishin shndёrruar nё një vend kulti për ushtrinë e tyre.

Por nuk kish qenё veç kjo arsyja kryesore. Arsyja kryesore e plakut, pse nuk ishte kthyer kurrё nё tokёn e etёrve kish qenё njё tjetёr. Flitej se populli, nuk i shihte me sy të mirë. Mendonin se dy ushtarët, 50 vjet mё parё, e kishin grabitur Ikonën e shenjtё. Me vete kishte një letër qё i ndjeri Gjergj, kishte shkruar duke iu drejtuar një kushёririt tё tij, famullitar në qytet. Ndaj plaku, shpresonte që me ndihmën e priftit; – nëse ai jetonte akoma -, jo vetёm ta kryente amanetin, por tё sqaronte gjithashtu pёrfundimisht mёrinё qytetare 50 vjeçare mbi dy ushtarёt qё ruanin Ikonёn e Shenjtё.

Thonin se qyteti, mbas pushtimit turk ishte mbushur me ardhacakё nga veriu i Afrikёs, Azia; deri edhe nga Rumelia. Kur Shkodranёt e kishin dorёzuar kёshtjellёn, pjesa mё e madhe kishin emigruar nё Venedik, por njё pjesё e vogёl e tyre, kishin vendosur tё jetonin nёn zgjedhёn osmane. Ndaj, ato qё tani e kujtonin ngjarjen ishin shumё pak. Me shkodranёt nё emigrim ishte zbutur edhe mёria e vjetёr. Plaku shpresonte qё ai mund ta kryente gjithçka me qetёsi dhe fare i pa shqetёsuar nga qytetarёt.

Nëse nuk do tё takonte priftin tё cilit i adresohej letra, atëherë ai do ta kryente vetё amanetin. Shpresonte të gjente ndonjë sarhosh nga fisi i madh i Gjergjit.

Ndërsa nga familja e tij, ai e dinte, nuk kishte mbetur askёnd. De Slavi kishte qenё emigrant nё Shkodёr sё bashku me familjen. Ai kish ardhur fare i vogёl nga vendi i shkjaut. Gjatë luftërave me kordhë në dorë, osmanët i kishin vrarë tё gjithё meshkujt e familjes sё tij barbarisht në betejë.

Amaneti kishte diçka të frikshme por edhe madhёshtore brenda. Diçka që të ndillte krupën, të rrënqethte mishrat, por ai nё thelb ishte fisnik. “Eshtrat e mia dua tё prehen nё dheun qё mё lindi!” i kish pёrshpёritur Gjergji nё prag tё vdekjes. Por De Slavis ishte burrë, dhe trimat, shquheshin për kurajo.

Rruga shkoi mirë. Deti ishte i qetë dhe ato udhëtuan, falë erës Maestrale, e cila, duke fryrë drejt Ballkanit, e bëri udhëtimin shumë të pëlqyeshëm.

Djalit i ri, tek rrinte me bërrylat mbi urën e kiçit, shihte dallgët që çaheshin nga anija, dhe njё kuriozitet i çuditshёm i shtohej gjithnjë e më shumë.

Herё herё ndjente frikё dhe kuriozitet grishёs. Do tё shkelte nё tokёn e etёrve tё tij. Njё tokё e nёmur, e dhunuar, e larё me gjak, por edhe kryeneçe dhe e pabindur. Kush ishin këta turqit? Krijesa barbare, të cilët i kishin kondicjonuar jetën që kur kish qenë femijë? Kush ishin këta kafshë me brirë, pa shpirt, të cilët veç digjnin, vrisnin, plaçkisnin, përdhunonin dhe shkatërronin mizorisht gjithçka? Sidomos në tokën e etërve. A ishte gjithçka e vёrtetё?

Tani, tek shoqёronte babёn plak, do tё kishte rast t’i shihte nga afёr. Një tërbim kaq mizor nga turku, – dëgjonte shpesh nga emigrantёt arbёr ardhur në brigjet italiane -, shpjegohej veç me mllefin 25-vjeçar që osmanllinjtё kishin ruajtur nё zemёr, prej Skënderbeut. Por trimi kishte vdekur. Ndaj jo shumë vonë, kalatë e Arbrit kishin rënë një e nga një. Bashkё me to, edhe ajo e Shkodrёs.

Kur zbritën në Durrës, bashkё me dy kuajt, kishin marrё me vete një sëndyk dhe dy shёrbёtorё. Ishin dy djaloshё tё rinj, shpatarё dhe me kurajo, pёr t’i patur nё krah nё rast rreziku dhe nevoje pёr mbrojtje. Rrinin tё armatosur.

Kur preku dheun e panjohur De Slavis i ri, nuk ndjeu asnjë emocjon. Ç’mund të ndjente? Kjo ishte veç toka e heronjve, e legjendave, e kobave turke. S’kishte lidhje fare me të.

Tani ecnin pёrgjatё rrugёs me kalldrёm të dy, babë e bir. Ecnin në rrjesht si karvan. Rrugës për Shkodër, bashkë me trokun e kalit, ndjehej edhe kllok-klloku i trastës së zezë. Se ç mbante ajo trastё brenda veç plaku e dinte. Mbante amanetin. Ishte një trastë e vjetër e thurur me fije lini. Porosia ishte brenda. E mistershme, kurioze, gati e nёmur. E rёndё si plumb, ajo mund tё bёhej akoma edhe mё e rёndё nёse nuk do tё kryhej siç duhej.

Në muzg, tek ecnin drejt veriut, dielli po zbehej përtej reve pranverore. Ditët ishin zgjatur aq sa mund të udhëtoje deri vonë. Rruga ishte e shtruar me kalldrëm. Çuditёrisht, toka ishte djerrё dhe pa lule. Nuk kishte erё lulesh prilli. Luftёra nuk kishte më, osmanët i kishin zaptuar ato troje, por ndjehej shkretia e dheut djerrё. Heshtja ishte e frikshme. Tashmё ato ishin troje, të cilat kishin mbetur ende me Krishtin, por qeveriseshin nga shteti i madh Osman. Populli ishte i detyruar t’i paguante shuma të mëdha pushtuesit pёr tё ruajtur tё drejtёn e pronave tё tyre.

Ecёn pёr tre ditё.

Nuk kishin hyrë akoma në Shkodër dhe gërmadhat e mbetura nga luftërat, plakut i kthyen ndër mend ato kohëra të largëta, pesëdhjet vjet më parë. Sa herë e kishte parë në ëndërr këtë kodër shkёmbore, ku ngrihej sovrane kalaja e saj. Qyteti kishte disa mure rrethuese. Mure që tani ruheshin nga ushtarë osmanё.

Ishte mbrёmje. Tek ecte si i mpirё, ai përpinte gjithçka me sytë e tij tepër kurioz. Emocjone nga mё tё çuditshmet i zgjoheshin nё shpirt. “Kjo është toka,” mendonte, “ku edhe pse emigrant, jam rritur. Kёtu besoj prehen edhe eshtrat e prindёrve tё mi.”

Plakut, iu mbushёn sytё me lotё. Kur i zunё sytё Bunën qё rridhte e qetё, iu kujtua kur ishte fёmijё dhe aty lahej dikur në verë. Iu kujtua si nё mjergull dashuria a parë. Kishte qenë djalosh i ri, me mustaqe tё zeza, të sapo dala. Tani iu kujtuan fytyrat shokëve tё fёmijrisё. Fytyra tё cilat pёr vite me radhё kishin fjetur nё skutat e kujtesёs sё tij. Pastaj i erdhёn ndёr mend turbull, zhurmshëm, betejat e para kundër osmanllinjve. Më pas, betimi solemn për tu futur në ushtrinë e Skënderbeut. Vetëm kur kishte puthur flamurin e Arbrit, e kishte kuptuar se ishte rritur me tërë mend. Kish qenë 18 vjeç atëhere. Tani i kishte kaluar tё 80 tat.

Gjithkund mbi qytet po binte heshtja e thellë. Njё derё qё mbyllej, njё zё fёmije qё ulёriste, njё kёmbanё qё biente e mekёt, dhe zёri i hoxhёs qё kёndonte nga minareti. Qielli po terrej nga muzgu.

“Mirmbrёma” i tha rojes. “Jemi tregtarё dhe vijmё nga Italia!” dhe i zgjati letrat.

Tek porta e qytetit, ndёrsa tregonte kontratat tregtare, plaku, me sytё me lot, shihte me kujdes gurët e rëndë të murit rrethues.

Qyteti ishte i ndriçuar me pishtarë. Nëpër terr, arriti dhe shkoi deri tek bujtina e parë, që i treguan me gisht.

Sa kishte ndryshuar ai qytet! Shihte ndërtesa të reja dhe diku, në muzg, zëri i hoxhës së garnizonit turk, ngrihej deri ne kupë të qiellit. Kisha e Zojёs sё mirё nё rrёzё tё shkёmbit, anash Bunёs, nuk dukej mё gjёkundi. Pikasi veç njё pirg gurёsh tё rrёmujshёm, tё cilёt plot trishtim, rrinin aty braktisur nga shiu dhe harresa. Më pas, i lodhur, u shtri për të fjetur.

Ndihej plaku aq mirё, aq i ngrohur nё shpirt, aq i lumtur nё gji, sa iu kujtuan kohёt e vjetra, kur ishte fёmijё dhe ai i lodhur, strukur nё prehrin e nёnёs qё i ledhatonte kokёn, e zinte gjumi fare i qetё. Ja ashtu ndihej. Si i ledhatuar nga ca shpirtёra tё padukshёm drite qё e bekonin orё e çast. “Dheu i babёs!” pёshpёriste dhe qante plaku nё errёsirё.

Akoma nuk ishte i ndërgjegjshëm deri në fund por, po flinte në tokën e etërve. Në tokën e egër dhe të ëmbël ku lindnin heronj. Një tokë, e cila e kishte shoqëruar gjithkund me hijen e saj, por ku tashmё ai, nuk kishte më as fis as miq. Një tokë e gjallë, e shkrifët, gjithmonë sunduese brenda shpirtit të tij. Një tokë plot bëma. Plot mrekullira. Plot legjenda nënash që flijoheshin për të ngritur mure kalash dhe lutje murgeshash në përgjërim përpara ikonash mesjetare. “Janë veç gёnjeshtra”, i kishin thёnё shpesh miqtё e tij në Xhenazano. “Legjenda!”. Por ai i besonte. Si të mos i besonte kur vetë ai, kishte jetuar më të pabesueshmen ndodhi të jetës së tij.

 

 

 

3.

 

 

Ndodhi në ditёt nё vijim. Bujtёsit e çuditshёm kёrkonin njё prift por nuk po e gjenin. Askush nuk e kujtonte njё prift me emrin Martin B. Tek e kërkonin nëpër sheshe, duke pyetur pёr tё, lajmi ishte pёrhapur gjithandej. Bujtёsit, e kёrkonin tё panjohurin tek lagja ku plaku ishte rritur dhe e mbante mend qё i vogёl. Mes hekurpunuesve, zdrukthtarёve, furrxhinjve, mullixhinve, famullitarёve e kёrkonte me insistim.

Por qyteti, i djegur dhe i shkatёrruar disa herё nga mёsymja osmane, kishte ndryshuar pamjen gati krejt. Megjithatё, plaku mbante mend themelet e ndёrtesave tё rindёrtuara pas luftёrave, njё prag, njё hark tё gurtё. Ai arriti tё gjente edhe njё mbishkrim me majё thike qё njё shoku i tij, kish gёrryer mbi shtuf. Emrin e Rozafёs, vizatuar me gjoksin jashtё.

Fjala kishte marrё dhenё. Një vendas i emigruar, tregtar ikonash, kërkonte nipin e vetëm të ushtarit të dikurshëm: Gjergj Bashaj. Plaku ende nuk e kish treguar se kush ishte. Dy herё, duke pyetur nёpёr famulli, ra nё gjurmёt e priftit qё kёrkonte, tё cilit i ishte adresuar letra e tё ndjerit dhe dy herё doli qё nuk ishte ai. Priftёrinjtё e ndihmuan duke shqyrtuar ato pak dokumenta kadastre qё kishin shpёtuar nga gjylet e osmanve, pёr vite me radhё.

Mё nё fund, plaku, i lodhur sё kёrkuari, ndryshoi taktikё. U detyrua tё tregonte mё tepёr pёr misjonin dhe pёr veten e tij.

Kjo ndodhi në mes të njё sheshi. Aty ku gjithçka dëgjohej dhe gjithçka shihej me sy. Atё mёngjes ishte mbledhur i madh dhe i vogёl.

“Ti, pretendon se e ke njohur ushtarin Gjergj Basha?!” e pyeti njё shkodran i vjetёr, me emrin Drinish. Burri, e dinte ngjarjen sikur ta kishte jetuar vetё.

“Po!” pohoi plaku me kokë. “Ndaj edhe po kërkoj nipin e tij. Kam një amanet nga i ndjeri.”

“Po ju kush jeni?”

“Një mik i tij!”

“Njё mik i tij?!”

“Po!”

“Mund tё flasёsh mё qartё?”

“Mё qartё?!” ishte habitur plaku.

Kёtё herё ai e kishte ngritur zёrin. Kish mbetur nё heshtje, nuk dinte ç tё thoshte. Ende nuk e ndjente ta thonte tё vёrtetёn, por nёse nevojitej, ai do ta thonte atё. Ai do tё bёrtiste: “Unё jam ushtari tjetёr i ndodhisё. De Slavis.”

Çuditёrisht, njerёzit, nё vend qё tё habiteshin nga pohimi, mbetёn si tё gurёzuar. Po flitej pёr ndodhinё mё tё famshme nё qytet. Plaku u habit se si legjenda, edhe pse shumica e qytetarёve ishin ezmerё, berberё dhe kaukazikё, pra, tё ardhur nga larg me ferman tё Sulltanit, prap, ajo legjendё, ishte akoma edhe mё hijerёndё se vetё legjenda e Rozafёs.

“Ti po thua se e ke njohur? Kush ju beson juve?” ngriti zёrin njё tjetёr burrё nga turma. Plaku nga dialekti e kuptonte qё ato qё flisnin, ishin shkodranё tё vjetёr.

Plaku, u ndje i prekur nё sedёr. Nxorri ca letra krejt tё zverdhura. Nё njёrёn nga to shquhej ende firma e Skёndёrbeut, si dhe ajo e Gjerg Bashajt. Ai e ngriti letrёn e zhubrosur, shkruar nga vetё dora e tё ndjerit duke e treguar atё gjithkund.

Njerёzia qё zgjaste kokёn dhe zgurdullonte sytё, kish mbetur pa frymё. Tani rrinin si tё mpirё, sikur tё kishin marrё njё grusht nё kokё. Plaku, mes tё tjerash nxorri edhe vulën e familjes së Gjergjit, bashkë me një kryq floriri, ku qe gdhendur mbiemri e tё ndjerit latinisht.

“U bindёt tani?”

Njё tregtar i ri, i cili i rrinte ngjitur, vazhdonte ta shihte çuditshёm, me mosbesim.

“Ç thoni ashtu?!” shtoi. “Na e paskeni njohur ju?! Dhe tani, pas kaq shumë vitesh, po na shfaqeni kёtu?! Papritur e papandehur, si një vetëtimë në qiellin e gushtit? Na paske ardhur zotrrote këtu, pёr hir tё njё amaneti?! Dhe pale, me habinë më të madhe, po na del edhe miku mё i ngushtë i Gjergjit?!”

“E dini ju se ç mendon populli, pёr ato tё dy?!” ngriti zёrin njё djalё i ri, i cili tani dukej edhe mё i zellshmi.

Djali, kthente sytё andej kёndej, rrudhte ballin sa nga nervat, sa nga habia, pastaj mbushur me frymё vazhdoi: “Ato ishin veç grabitёs ikonash! Ja ç’ka mendojnё shkodranёt për to. Ato pak qё kanё mbetur, sepse, kur kalaja ra; shkodranёt e vёrtetё, ikёn syrgjyn nё Venedik. Nëse ti me të vërtetë e ke njohur Gjergjin? dhe kjo ёshtё e pabesueshme, pse u zhduk ai atёherё?”

“Kjo qё pohoni është e pabesueshme!” ngriti zёrin njё shkodran tjetёr. “Po na vjen tani, pas 50 vjetësh, pse?”

“Pёr të plotësuar një amanet?!” tha plaku.

“Njё amanet?!”

“Po. Amaneti ështё më i rёndё se guri.” Shtoi ai.

“Mirë e the”, u pёrgjigj njё tjetёr nga turma.

“Po ju? Ju? Ç dini pёr dy ushtarёt e Ikonёs sё Shenjtё?” pyeti ardharaku.

Nisi tё flasё njё i moshuar.

“Baba mё ka treguar shpesh – ishte fëmijë atёhere -, se rojet u zhdukёn sё bashku me Ikonën e Shenjtë të Katedrales. Ata ishin dy nga ushtarët më të zgjedhur të Skënderbeut. Ajo Katedrale ishte vetë Zemra e qytetit. Nga frika e osmanllinjve, kisha ruhej ditë e natë. Aty, dyndeshin besimtarët dhe i luteshin Zojës së Këshillit të Mirë.

Hordhitë turke po vinin gjithnjë e më shumë. Si re të zeza, nxinin qiellin e së ardhmes. Pritej të vinin kohë të egra, – tregonte shpesh babai. Skënderbeu ishte i sёmurё rёndё në Lezhë. Osmanët u informuan. Ndaj ato, morën zemër dhe u nisёn me njё hordhi tё re, gjigande. Vinin gjithmonë në pranverë. Ishte kohë Pashkësh. Siç e dini, 50 vjet më parë. Dhe këto dy roje, nga të cilët Gjergji ishte edhe daja i babёs tim, – në vend që ta ruanin Ikonën, ata u zhdukën. E shkёputёn nga suvaja ikonёn dhe me siguri e grabitёn atё.

Kjo ishte tradhti. Ndodhi e paimagjinueshmja, e pamundura. Në një çast aq kritik, populli, u tremb aq shumё sa nuk dinte si tё reagonte. U bindёn! Ikona e shenjtë ishte grabitur. Ja pse Shkodra ra nё mort dhe ajo i mallkoi tё dy ushtarёt.”

Heshtja u bё gёrryese.

“Ju nuk e dini se ç’ndodhi me Ikonën pёrtej detit?!” u mbrojt fuqishёm plaku. “Ajo, pёrtej detit kreu shumë mrekulli!”

“I kemi dёgjuar. Gjepura!” u dёgjuan njё zё.

“Pse nuk mё besoni, pse?!”

“Shkodranёt u mërzitën shumë. Ato i prisnim mrekullitë në Shkodër! Ndërsa ato ndodhën gjethkё, fare larg! Ndaj, shkaktarët e largimit të Ikonës, ishin ushtarёt, emёruar nga vetё prijsi Skёndёrbej.”

“Ato nuk ikën. Ato nuk e rrëmbyen atë. Ato u gjendën nën vorbullën e një mrekullie.” Tha plaku duke zgurdulluar sytё e tij tё bardhё.

“U gjendën nën vorbullën e një mrekullie?!” pyeti njё burrё me mosbesim. Pastaj u ngërdhesh me ironi.

Tani ai e kishte hedhur vёshtrimin nga turma e qytetarëve. Pastaj u kthye prap nga plaku. Me një zë të rreptë, vazhdoi:

“Gёnjeshtra! Populli e mbante atë ikonë si gjënë më të shtrejtë. Ajo ishte shpresa e tij e fundit. Ajo Ikonë kishte ardhur para gati dy shekujsh nga Toka e Shenjtë!”

Plakut De Slavis po i sosej durimi. Tani e kishte gojёn e hidhur. Ndjente njё boshllёk nё gjoks. Kjo ishte e padurueshme, kjo ishte njё shpifje e ndyrё, mendonte. Nisi të dridhej. Po cënohej vetë ndershmëria e tij, e cila ishte edhe gjeja më e shtrenjtë qё kishte.

“Ёshtë një Zot mbi ne që na dëgjon tani, dhe unë po jua pohoj tani. Para kristjanёve qё besojnё dhe qё nuk besojnё. Para tё gjithёve..” tha plaku dhe nuk duroi mё. E plasi lugёn nё gjellёn qё ishte gatuar plot 50 vjet mё parё, aty, nё vendin ku ishte rritur. “Po!” pohoi me zё tё lartё. “Unë jam ushtari tjetёr. Pjetёr de Slavis. Unё dhe Gjergj Basha, u gjendëm në mes të asaj mrekullie të pabesueshme!”

U dёgjua njё zhurmё habie mes njerёzve qё lёvizёn nё çast.

Mё pas, heshtja u bё e qelqtё dhe e ftohtё.

“Nuk e dimё a t ju besojmё a jo!” tha njё zё.

“E ç ishte kjo mrekulli?! Legjenda e fluturimit të Ikonës? E dimё edhe kёtё… E kemi dëgjuar, por nuk e besojmё!”

“Nuk e besoni?!” tha plaku. “Ngjarja po ndodhte përpara syve tanё. Para syve tё mi dhe tё Gjergjit. Ishte ag. Tutje, dielli kishte lindur. Sheshi ishte plot me besimtarё, tё cilёt vinin qё herёt t’i luteshin dhe tё nderonin Ikonёn. Qёndroja nё kёmbё truproje tek dera e jashtme e kishёs. Nё çast, pashё se si një re e madhe si njё vorbull drite, po afrohej nga lindja. U afrua aq shumë, sa na mbështolli krejt si në një mjergull. Njё mjergull plot dritё dhe mister!”

Ndёrkohё qё plaku fliste plot pasjon, rreth tij, vazhdonin tё mblidheshin qytetarë tё tjerё. Në fillim, ishin thjeshtё kalimtarët tё rastit. Tani, fjala kishte marrё dhenë. Poshtё harqeve të Manastirit ishin afruar edhe fetarët e ndërtesës. “Ç’po ndodh? Ç’po ndodh?” pyesnin kalimtarёt. Ato qё dinin diçka, ia shpjegonin tё tjerёve se kush pretendonte tё ishte bujtësi i panjohur.

Ishte akoma ag dhe dielli ende nuk ishte ngritur nga prapa kodrёs.

“Mrekullia?!” qeshi njё burrё me mosbesim. “E vetmja mrekulli,” vazhdoi ai, “ishte fakti, se si ia dolët të iknit deri në Ulqin?! Dhe nga aty. Si arritët të merrnit anijen për Itali. Ja kjo ishte mrekullia e vetme….! Po si nuk u erdhi zor mor burra?!”

Plaku bujtёs u ndje rishtaz keq. Diçka e çuditshme sikur e mbёrtheu fort prej gryke.

“Kam jetuar një jetë të tërë me nder,” tha. “Unë nuk kam asnjë arsye tё gënjej!”

“Nёse jeni ju vёrtetё njё nga ushtarёt, ta dini se e latë shkodrёn në pikё tё hallit. Braktisёt një popull të tërë. Mirë ti, nёse je vёrtetё ai qё ishe edhe shkja; por Gjergji? Atij, shkodran i vjetër, populli nuk ia fali kurrë!”

“More burra, ta dёgjojmё njё herё!” ia pati një zё nga turma. “Mё pas e gjykojmё!”

“Çfar ti dëgjojmë këtij ne?!” foli një tjetër me mosbesim. “Gjepura!”

Qёndronin akoma brenda harqeve të gurta të njё korridori të gjatë.

Vazhdonin tё flisnin me zjarr. Plaku, i cili pretendonte tё ishte njёri nga rojet e ikonёs, mbante, me dorёn shtrёnguar fort njё torbë tё zezë. E cila, sa herë ai dridhej, tingëllonte me një zhurmë të errët klok-kloku.

Kur plaku, i prekur nё sedёr dridhej, ai e shtrёngonte aq fort grykën torbës, sa ajo tundej frikshёm nё ajёr. Si tё kishte brenda njё gjallesё nevrike.

“More burra!” bёrtiti plaku me gjithё shpirt. “Ikona iku, fluturoi mrekullisht, a po merrni vesh a jo?!” Plaku foli kёshtu dhe ngriti krahun duke treguar me gisht qiellin.

Ndërkohё u afrua një prift akoma edhe më i vjetёr. Nga kurioziteti i bisedёs, prifi kish filluar tё hapte rrugёn mes njerёzve me bёrryla. Mbante tё mbathur, zhgunin Franceskan. Ishte famullitari i një kishe pranë.

Në fillim, kish ndenjur në heshtje duke dëgjuar shamatën, e cila kumbonte në korridoret akoma të përgjumura të manastirit.

Ai iu drejtua plakut.

“Ju, pohoni se jeni një nga rojet?!″

“Po!”, ngriti zërin De Slavis. I cili nuk e kuptonte, por nё vend qё tё stepej, po mbushej me frymëzim.

“E kujtoj unë këtë burrë!” u dёgjua njё zë tjetёr nga turma.

Zёri erdhi nga fundi. Tё gjithё kthyen sytё nga zёri dhe çiuditёrisht, po fliste invalidi Avranit Kopliku.  Ky burrё, dergjej nё shtrat qё prej 33 vjetёsh. Qё kur mbas njё aksidenti me kalё, tё dyja kёmbёt nuk i bindeshin mё vullnetit tё tij.

“Ky zotёri i panjohur!” vazhdoi ai, “ёshtё vërtetë një nga dy rojet. E mbaj mend nga ajo vrrjaga në ballë. Isha rreth dhjetë vjeç kur sillesha qark Katedrales. Kurioz nga natyra, i kqyrja me kujdes ushtarët e Skënderbeut. I kqyrja shpatat. Mburojat, pastaj i shihja nё fytyrё. Po! Ky ishte atje! Ky sybardhi me shenjёn nё ballё!”

Njerёzit nuk ia vunё shumё veshin. E dinin qё Avranit Kopliku, qё kur kishte humbur kёmbёt, kishte raste kur delironte pёr orё tё tёra nё Pazar duke sharё edhe mallkuar fatin e tij ndёrsa shkulte flokёt me duf.

U dёgjua njё zhurmё e mbytur fjalёsh nё eter. Njerёzit lёvizёn me shqetёsim dhe kthenin kokat.

“Dhe ju pohoni se ikona e Zojёs, u shkëput vetë nga suvaja dhe u trasportua mrekullisht?!” e pyeti njё burrё tjetёr. Mbante qylaf mbi kokё dhe njё palё mustaqe si kalli misri.

“Ç ka parё, ç kam ndjerё! Veç natёs sё varrit do t’ja tregoj. Tmerr dhe mrekulli!” foli plaku dhe ngriti prap sytё nga qielli.

“Përse Zoja e kёshillёs sё Mirё do e braktiste qytetin e saj të dashur në një moment aq të vështirë? Ne kishim nevojë për ndihmën e saj! Nёnat tona qanin në përgjërim përpara saj. I luteshin që Ajo të na mbronte!”

“Ajo. E Nderuara.” Shtoi plaku. Tani buzёt po i dridheshin. “E dinte që osmanllinjtë do ta pushtonin qytetin. Do t’i vinin zjarrin Faltores. Zjarri do ta bënte shkrumb e hi ikonën.”

“Ikonёn e kanё grabitur!”, ia pat një zë nga turma. “Historia e fluturimit në qiell është veç një legjendë!”

Nё shesh, mes njerёzve qё mprihnin veshёt, kish ardhur gjithfarlloj kuriozësh. Zejtarë, tregtarë, fshatarë hijerëndë me mustaqe. Të rinj me veshje orjentale. Ushtarë, të moshuar me zhgunin fetar, hekurpunies.

“Ikona nuk u grabit!” u indinjua plaku. “Ne u gjendëm në vorbullën e një mrekullie…”, shtoi.

Ndёrsa fliste, e rrokte me vështrim tërë turmёn, e cila vazhdonte tё shtohej. Bashkё me tё edhe nervozizmi dhe dyshimi.

Por, nga mёnyra se si plaku dridhej, dukej qё po thonte tё vërtetën. Tani ishte krejt i skuqur nё fytyrё. “Ky ose ёshtё i çmendur, ose ёshtё vetё ai!” mendonte gjindja.

Plaku vazhdonte tё mbёrthente në dorë thesin e zi qё dridhej lehtas.

“Po aty brenda ç’fshihni?!” pyeti njё tregtar duke treguar me gisht nga thesi.

“Kёtu?” tha plaku. “Amaneti. Për këtë kam ardhur. Gjergji e dëshironte me zjarr. Ai donte të prehej pranë familjarëve tё tij!”

Plaku foli gati pёrdёllim, por nё zёrin e tij kishte edhe njё tmerr tё fshehtё.

Pasoi një heshtje e re.

Ishte një heshtje gërryese si acid. Një heshtje mospajtimi. Fare e padurueshme, në një tokë, e cila gjatë atyre pesëdhjet vjetëve kishte ndryshuar shumё. Pjesa mё e madhe e qytetarёve, vёrtetё ishin të ardhur, por ato e kishin bёrё tё vetёn legjendёn e ikonёs sё zhdukur.

Tani, të gjithë zhbironin me një kuriozitet vrasës torbën e zezë. Ajo, shtrёnguar nё grushtin e bujtёsit, kur dridhej, dukej sikur kёrcёnonte aty gjithkёnd.

“Gjergji dёshironte tё prehej kёtu?” u dёgjua njё zё. “Ai nuk ka vënd këtu. Për kёt qytet ai është një tradhtar.”

“Duam fakte t’ju besojmë. Zoja e Kёshillёs sё Mirё nuk do ta lente kurrë qytetin e saj.”

“Ju doni fakte?!” u habit plaku. “Kur ikona doli fluturimthi nga Kisha, sheshi, ishte plot me njerëz. Kishte atje, murgesha që luteshin. Ishte krejt populli, me sytё e habitur nga qielli. Kishte tregtarë, luftëtarë të Kastriotit. Pleq dhe fëmijë! Por sidomos gra, tё cilat, qё herёt nё mёngjes, vinin tek kisha pёr tu lutur! Unё vetё I pari u habita. Si ёshtё kjo punё? Mendova. Akoma ag dhe dha ka kaq shumё Shkodranё nё xhiro?””

“Ky është një trill. Asnjë nuk ka dёshmuar pёr ikjen e saj siç e pёrshkruani ju. Zhdukja e saj ndodhi nё fshehtёsi. Mbas gjёmёs, familjet e ushtarёve u fshehёn. Ato kёrkuan ndjesё pёr dy ushtarёt e zhdukur pabesisht. Populli i Shkodrёs filloi t’i urrente. Sidomos nënat e tyre, të cilat kishin rritur tradhëtarë. Populli i Shkodrёs i shikonim gjithë mllef. Ndaj gratё nuk dilnin mё nё qytet. U ngujuan nga turpi. Një mëri pesëdhjetëvjeçare”.

“Për besë, nuk di ç’tju them mё shumё,” shtoi plaku.     “E kush i njeh punët e Perëndisë”.

“Punёt e Perёndisё?! Edhe pse kjo legjendё u përhap nё mbarё Europën, ajo nё Shkodёr nuk u besua kurrё.

Ndaj e përsëris! Në emër të të gjithë shkodranëve: Zoja nuk do ta braktiste kurrë qytetin e saj! Ne e adhuronim Atë!”

Plaku heshti. Nuk donte ta shtonte acarimin.

“Jam këtu,” shtoi plaku, “veç pёr amanetin e Gjergjit. Me mua bёni ç tё doni. Nёse mё mbani pёr tradhtarё dhe grabitёs, ja ku jam. Qёllomёni me gurё. Po e theksoj: Gjergji dhe unë, mrekullisht, u gjendёm pёrtej detit.”

“Tregojnё tё vjetrit se as prifti i Katedrales, nuk e besoi mrekullinё! Kjo ёshtё grabitje u shpreh.”

Ky qё foli ishte njё ushtar. Ushtari fliste shkodrançe por ishte veshur me rroba ushtarake osmane. “Ku ёshtё parё e dёgjuar, tё fluturoj Ikona nё qiell, ka thёnё prifti!”

Pёr arsye tё trastёs sё rёndё, dora e plakut, pak nga pak, po lodhej. Ndaj nisi ta ulё atё lehtas mbi gurët e kalldrëmit.

“Njërëz të mirë dhe fisnikё shkodranё!” shtoi plaku. “Më lejoni ta them deri në fund ç’ndodhi.”

“Flisni, po ju dëgjojmë”, ja ktheu njё zё. Sytё e njerёzve u bёnё edhe mё kuriozё, tё pёrqёndruar.

“Atë mёngjes, siç e thashё ne po bënim roje. Dielli po lindte. Nuk e di. E përsëris. Me siguri u përgjuma. Prisja qё tё ndёrrohesha me Gjergjin. Kisha ndenjur zgjuar tёrё natёn, ndaj doja urgjentisht tё pushoja. Tё flija. Nё ag si duket, gjumi mё kishte kёputur tek shkallёt e faltores. Pashë të afrohej një vorbull e madhe reshë plot dritë. Sa më shumë afrohej, aq më shumë dalloja brenda vorbullës, duar, sy, krahë në formë drite. Nga reja, e cila më magjepsi fare, dëgjohej një muzikë e mrekullueshme. Ishte një këngë hyjnore. Nuk i shquaja tingujt, por melodia ishte aq magjepëse sa të habiste krejt. Pranë meje shihja Gjergjin. Se nga kishte mbirё aty. I kishte sytë e zgurdulluar. Rrinte gojëhapur dhe shihte në qiell. Aty, pashë se si nga vorbulla e resё plot dritë, dy figura tё shndritshme, mrekullisht, mbanin me krahët e tyre Afreskun e Zojës së nderuar. Mu bё si perёndim, por nuk ishte ashtu. Ishte ag dhe qielli ishte krejt i kthjellët. Ngjyrё kobalti nё turkez. Muzika hyjnore shtohej. Në atë rrëmujë krahësh, duarsh, syshë, flatrash, të cilat kishin forma drite, dallova qartë katrorin e vogël të afreskut. Ishte shkëputur çuditshёm nga suvaja e Katedrales. Për një moment ula sytë. Sheshi ishte plot me qytetarë qё shikonin drejt qiellit. Klithnin nga habia. Dikush tregonte me gisht, dikush tjetër lutej me pëllëmbët e ngjitura. Një tjetёr, më larg, kishte ngrirё krejt. Të tjerë, nga mosbesimi, s merrnin frymё. Edhe mё tutje. Mbi bedenat e Rozafatit, kishte grupe njerëzish që tregonin me gisht mrekullinë.

Krejt i magjepsur, u ngrita. Bashkë me mua edhe Gjergji. Mendimi se duhej ta ndiqja Ikonën, si rojtari besnik i saj, mё vetёtiu nё mëndje. Nisa ta ndjek me sy Ikonën. Nuk ia shqisja sytë. Ndёrkohё ecja si i prishur mendёsh. Krejt i magjepsur. Shpatёn e mbaja në mill. Ndjeja një si fuqi të pashpjegueshme. Këmbët nuk e ndjenin lodhjen. As trupi. Ndiqja Ikonën me sy. Isha betuar ta mbroja atë. Po si ta mbroja? Ajo po fluturonte vetё nga Kisha e Shёn Stefanit. Po ikte në mes të një vorbulle drite. Ishin re, mbushur me figura drite. Tani, ajo, e bartur mrekullisht nga duart e atyre krijesave plot shkëlqim verbues, po largohej. “Edhe ti e sheh!” arrita t’i them Gjergjit, nё krah. “Po!” tha ai.

Ishim në ëndërr? Ishim zgjuar? Nuk di ç’të them. Më dukej si udhëtimi nëpër natë i Kostandinit me Doruntinën. Isha në ëndërr me siguri, por ajo ëndërr, ishte aq e fuqishme, aq e kthjellët, aq e bukur dhe hyjnore, sa mund ta pohoj me plot gojën se ato emocjone që ndjeva gjatë asaj eksperience, nuk i kam ndjerë kurrë mё. Miq të mirë! Mrekullitë ekzistojnë.”

Tani turma nuk pipëtinte. Rrinin si të magjepsur nga fjalët e plakut me kurriz tё dalё. Sytё, sikur po i zbardheshin akoma edhe mё shumё.

“U gjendёm rrёzё Bunёs” vazhdoi plaku, “I ishim larguar Kishёs. Pastaj, qyteti na u zhduk. Isha krejt i pёrpirё nga kori hyjnor. Duar, këmbë, flokë plot dritë. I kishin sytё zmeraldi plot dritë të gjelbër. Mbanin kurora vezulluese. Oh ç mrekulli hyjnore! Nuk i ulja sytё, por nё ndёrgjegje e dija që ne dy ushtarёt po ecnim mbi valët e detit. Nuk fundoseshim. Ecnim mbi to. Nuk e di ta shpjegoj. Është një mister, të cilin që prej 50 vjetësh e ndryj brenda vetes. U gjendëm në brigjet pёrtej. Flitej gjuhë tjetër. Kishte tradita të tjera. Mё nё fund, Zoja ishte ulur mbi një Kishë tё papёrfunduar. Gjendej mbi një kodër. “Ku jemi kёtu?” pyeta njё fshatar. “Xhenazano!” mu pёrgjigj. “Xhenazano?! Ku gjendet ky vend?!” I panjohuri, i cili mё kuptoi me zor, ma tha. Me siguri e shihte tronditjen time. Nuk kuptonte si duhej.

“Po Roma nga bie?” e pyeta çuditshёm.

Fshatari u ul. Mori njё shkop dhe vizatoi mbi pluhur. Vuri njё pikё dhe shkroi: Roma. Pastaj bёri shenja mbi dhè. Njё vrrjagё tё gjatё, pastaj bёri njё pikё tjetёr dhe shkroi: Genazzano.

Dieci ore di cammino!” tha pastaj.

“Nga vini?” mё pyeti. Mbeta si i shtangur. E dija qё na kishte ndodhur diçka e bukur, por ajo bukuri ishte e tmerrshme. Gati e frikshme.

Ikona, zuri vend në formë mrekullore, afër murit të njё Kishe nё ndёrtim. Një gisht larg nga muri, në lartësinë e një boje njeriu. Rrinte pezull në ajër. Mbante vetveten duke sfiduar qёndrёn e rёndesёs! E shihja me tmerr dhe mrekulli. Nuk i besoja syve tё mi! Kishim qenë dëshmitarë të një mrekullie! Qoftë Lëvduar Jezu Krishti. Ne ishim të vetmit dëshmitarë të ndodhisë. Veç ne kishim parë ndoshta gjithçka? Vazhdoja tё fërkoja sytё nga mosbesimi, çliroja klithma habije. Edhe vendasit e asaj qyteze mbi kodёr, nuk arrinin tё besonin. Na preknin me kuriozitet, si tё kishim ardhur nga Qielli. Thonё qё mrekullitë, Perëndija ia shfaq vetёm atyre qё besojnё nё to. E gjithë qёnja ime, ndёrgjegjja ime, ishte ende e mpirё. Mundohesha tё kuptoja, ç kish ndodhur? E besoja? Si mos ta besoja! Njё pjesё e qenjes time e besonte. Ndërsa pjesa tjetёr e saj, vazhdonte ta vinte nё dyshim. “Ndoshta jam nё ёndёrr” i thoja vetes si i marrё. Prekja dheun, gurёt, njerёzit e atjeshёm. Si kish qenë e mundur? Si kish ndodhur e pabëra? Si kishte mundësi që brenda një dite, ne kishim kaluar një hapësirë për të cilën duheshin mbi dhjetë ditë rrugë? Krejtësisht tё shtangur, nuk arrinim ta kuptonim! Kishte qenë një ndërhyrje hyjnore. Ishte diçka e mirë për ne të dy, kjo ishte e qartё. Qielli na kishte dashur fort. Në sytë e Perëndisë ishim njerëz të mirë ndoshta? Po ne ishim ushtarё! Kishim vrarё njerёz? Apo tё vrasёsh nё luftё, pёr njё çёshtje tё drejtё, ndoshta nё Qiell nuk shihet si mёkat?! Por shtangja më e madhe ndodhi mё pas.

Filluan mrekullitё.

Tani, kthimin nё atdhe, as nuk e mendonim fare. Njerёzit e panjohur, me gazin nё sy, na ndihmuan, na dhanё strehё, bukё, ujё. “Kjo ёshtё mrekulli!” thonin ato qё kishin nё shpirt farёn e besimit. Jeta e jonë tashmë u lidh pazgjidhshmërisht me Ikonën. Me atë Ikonë të bukur, e cila kishte preferuar të Largohej nga Shkodra. E pabesueshme. Ndёrkohё, – mezor merreshim vesht atje. S kuptonim gjuhёn. Ndёrkohё, ngjarja kishte marrё dhenë. Filluan tё ndodhnin gjёra tё çuditshme. Vinin nga tё gjithё anёt e gadishullit, sikur aty tё ishte qёndra e Vatikanit vetё. Vinin me turma, plot djersё, plot dhurata, plot lutje. Vini duke marrё frymё me zor nga ngjitja e kodrёs. Nё kёmbё, mbi gomar, me kuaj, karroca. Vinin plot shpresё dhe besim se do shёroheshin. Ishin nga tё gjitha moshat, por sidomos gra dhe nёna besimtare. Në 110 ditët nё vijim u verifikuan 160 mrekulli. Kishte hallexhi nga mё tё ndryshmit, tё cilёt, sapo ia zinte veshi ngjarjen e mrekullueshme ja behnin nё qytezё. Vinin të paralizuar, të verbër, të tentuar nga djalli. Vinin të sëmurët rëndë, me lebër, vinin të çmendur. Deri edhe ato që nuk besonin, kur shihnin me sytë e tyre mrekullitë, gjunjëzoheshin me lot në sy dhe konvertoheshin. Të tjerë, ngriheshin nga barrelat e vdekjes dhe ktheheshin me këmbët e tyre në shtёpi.

Bujë të madhe bëri Zoja e Këshillit të Mirë ardhë nga Shkodra! Ndërkohё këtu…. Në dheun mёmё, hordhitë turke kishin filluar ta digjnin këtë vend. Qe thënë prej qiellit ndoshta ky fat kaq i lig? Ne nuk i dimë planet hyjnore. Nuk dimё asgjë. Unë di vetëm t’ju them se gjithçka është e mundur pёr Perëndinё dhe se ne, duhet të sillemi mirё.”

Heshtja u bё e thellё.

Plaku u përkul dhe u bë gati të merrte thesin tё cilin tani e kishte mbёshtetur mbi gurёt e dyshemesё. Ç mbante brenda ai thes i zi? Eshtra? Ikona?

“Ndoshta është rasti ta varrosim kёtu Gjergjin. Të gjithë bashkë dhe ta konsiderojmё njё njeri të shenjtë! Ky burrё shkodran, pas asaj qё na ndodhi, iu fut urdhërit Agostinian. I mbylli sytë duke iu lutur Krishtit. Ishte, pёr mua, njeri i shenjtë. Ndërsa unë pata njё fat tjetёr. Mua mё pёlqenin gratё ndaj, para se vesi tё mё hynte thellё, u martova.”

“Po ai lajmi i mirё qё na ke sjellё ç është?!” pyeti dikush nga turma.

Atёherë plaku u ul mbi bordurën e harqeve të gurta. Rrezet e diellit ia ndriçonin fort fytyrën. Mori frymë thellë dhe filloi prap tё ligjёronte.

“Përpara se ikona të fluturonte në qiell. Në manastirin Agostinian të Xhenazanos jetonte një vejushë. Ishte e vjetër. Ajo me kursimet e një jete, kishte filluar të ndërtonte një Kishë e cila kish mbetur papёrfunduar. Të hollat e vejushёs kishin mbaruar dhe Kisha pat mbetur pёr gjysёm. Ngaqё ajo ishte mburrur lart e poshtё nё qytezё se do ta ndёrtonte para se tё vdiste, tani banorët, kur e shihnin, e vinin nё lojё: ‘Petruccia! Akoma Perëndia nuk po t’i sjell paratë për të përfunduar Kishën?’

Petruccia, nuk u përgjigjej provokimeve. Por një ditë iu kthye: ‘Para se të vdes. Kisha do të ngrihet. Virgjёresha e papёrlyer, bashkё me Shёn Agostinin do tё mё ndihmojnё!”

Ngjau siç e kishte parashikuar ajo. Pak kohë më pas. Kur Ikona u ul mrekullisht mbi muret ende tё zhveshura tё asaj Kishe, filluan të ndodhnin mrekullitë. Atëherë u mblodhën aq shumë parà, sa Kisha u përfundua shpejt. Petruccia, me gjithë habinë e saj, erdhi vetë tek ne të dy, pelegrinët e Shkodrës dhe na rrëfeu veças, se Zoja e Këshillës së Mirë, kishte preferuar të largohej nga Shkodra pёr arsye se qyteti do tё digjej nga osmanёt. Por ajo e kishte akoma për zemër Shkodrën e saj!”

Tani ishin mbledhur aq shumё njerëz, sa ishin ngjitur deri mbi pullaze mbi trarёt qё mbanin kollonat. Kishte qytetarё shkodranё, kishte turq, kishte ushtarë tё zinj, kishte tё rinj, fshatarë, gra dhe plaka, të cilët hynin në qytet për të shitur ushqime, bagëti. Kishte lypës deri edhe tё verbër. Disa nuk e kuptonin fare atё arbёrishte tё vjetёr, por tё tjerё, me zё tё ulёt, pёrkthenin fjalёt e bujtёsit tё çuditshёm.

Mes njerёzve, shtrirё mbi një karrocë të shtyrë nga një jevg, rrinte edhe paralitiku më i famshёm i qytetit: Avranit Kopliku.

Burri, kishte mbetur i paralizuar, që kur kishte rënë nga një kal i tërbuar. Tani dëgjonte rrëfimin e plakut dhe nuk e zinte vendi nё vend.

“Boll me broçkulla or mik!” ia preu një djalosh tjetër. “Boll se po na lodh!”

“Bën mirё të ikësh sa më parë!” tha njё tjetёr, “se baballarёt tanё, i kanё dhёnë drejtim kёsaj pune!”

“O burra!” u dёgjua akoma zёri i sakatit Avranit Kopliku. “Mё besoni. Ky njeri tregon tё vёrtetёn. More dёgjoni sepse e kujtoj mirё fytyrёn e tij. Ky ёshtё ai ushtari tjetёr!”

Një ndjesi mospranimi, mospajtimi, po shtohej gjithnjë e më shumë nëpër shpirtëra. Urrejtja po rritej dhe njerëzit, po e fuqizonin atё ndjesi pak nga pak.

Veç një pjesë fare e vogël heshtte. Tё tjerёt ngrinin zёrin, mёrmёrisnin tё pakёnaqur. Lёviznin, shihnin me sytё plot helm. Dikush kapi njё gurё dhe e fshehu nё pёllёmbё.

Nuk ishte çudi qё turma, krejt e inatosur, t’i vёrsulej plakut dhe ta godiste. “Ёshtё veç njё mashtrues!” pёshpёrisnin tё tjerё. Dikush bёnte shenja mospranimi. Ca nuk arrinin t’ia hidhnin mё as sytё bujtёsit. Ai dukej si tё ishte ngritur nga varri dhe tё donte tё dёshmonte pёr gjёra qё kishin ndodhur nё njё jetё tjetёr.

“Bёn mirё të ikësh mor Shkja!” ulëriti një i moshuar i gjatё dhe plot kocka. “Kёtu nuk je i mirpritur!”

“Petruccia!” ngriti akoma edhe mё fort zërin plaku, i cili tani dridhej edhe mё keq. “Petruccia, mu lut edhe për diçka tjetër!”

Plaku, me nxit, hapi thesin dhe nxorri qё andej një ikonë. Ishte një riprodhim i imazhit te Zojës se Këshillës së mirë!

Njerёzit nisёn të lёviznin, tё pёshpёrisnin nervozё. Ndёrkohë që plaku tregonte Ikonën, nisi tё ndjehej keq.

Tani shkundej si degё lisi. Merrte frymё me zor, po nxihej krejt. Sytë nisёn t’i errёsoheshin. Nё çast, gjithçka iu rrotullua mbi krye dhe para se tё rrёzohej, u mbёshtet mbi mermerin e ndërtesës.

Tani njerёzit po ulёrisnin, ndёrsa ai, tek tregonte ikonёn, nuk po e kuptonte arsyen e habisë së njerëzve. Si nëpër ëndërr, po mendonte se njerëzit habiteshin prej Ikonёs që ai po e shfaqte si pёr t’i marrё me tё mirё. Si arma e fundit mbrojtёse, pёrpara se turma ta qёllonte me gurё. Por nuk ishte ashtu.

Plaku ngriti sytё nga qielli. Gjithçka iu bë krejt e bardhë. Dhe në atë bardhësi qumështore, De Slavis shqoi tё njёjtёn rrëmujё flatrash drite, krahësh, syshё, gjymtyrёsh, buzësh rozё, si dikur, kur kish qenё fare i ri. Një mrekulli drite, të cilën e kish parë 50 vjet më parë gjatë ikjes nëpër qiell tё Zojës së Shkodrës.

Dёgjoheshin ulёrima burrash, klithma grashё dhe fёmijёsh tё habitur.

Plaku po dëgjonte melodinë e mrekullueshme hyjnore dhe krejt i magjepsur, në mes të asaj drite, mendonte se a ishte e mundur, që truri i tij të krijonte një melodi të tillë? Kaq e ëmbël, kaq e lehtë, kaq e bukur, ishte ajo melodi për veshët e tij, sa magjepseja po i shtohej.

Plaku u trand mbi dysheme.

“Vdiq ky. Kaq e pat!” u dëgjua një zë në mes të turmës. De Slavis i ri u pёrkul ta kapte.

Por tani, njerëzit, nuk ishin mё tё përqëndruar tek plaku; i cili, shembur mbi dysheme, e mbante Ikonën shtrёnguar nё krah. Tani rrinte krejt i ngrirë.

Njerёzit po shihnin gjethkё.

Ndёrkohё, De Slavi, i ri, i pёrkulur me habi, vazhdonte ta shkundte fort atin e tij. “Babë!” ulёriste ai. “Ngrihu. Lёviz mor burrё i dheut!”

Njërëzit, krejt të shtangur, vazhdonin të klithnin nga habia. Ato, kishin kthyer kokën nga skaji tjetёr i sheshit. Me habinë më të madhe po shikonin Avranit Koplikun, i cili, edhe pse i paralizuar, çuditёrisht, mrekullisht, ishte ngritur nё këmbë. Tani po ecte mbi kёrcinjtё e tij. Po pёrparonte drejt Ikonës. I hidhte hapat natyrshёm, siç kishte bёrё para 33 vjetёsh, kur kali i trmbur nga djalli qё iu shfaq, e kishte hedhur me tёrbin.

Krejt çuditshёm, me kёmbёt e tij, pasi kish braktisur karrocёn, – tabut varri pёr tё -, i hidhte hapat mbi kalldrёm krejt serbes. Ecte drejt Ikonёs ku rrinte shtrirё De Slavis. “Padre, padre, alzati!” vazhdonte tё ulëriste djali i bujtёsit, i cili nga pika e tij nuk kish parё asgjё.

Ndёrsa turma, krejt e habitur, shihte ndodhinё e Avranit Koplikut.

“E thashё njё herё, ai ёshtё!” foli nё ecje.

Alzati padre. La promessa!” vazhdonte ti fliste i biri.

Por De Slavi-sit nuk i arrinte mё fjala. Ishte përtej. Në anёn e panjohur tё botёs. Tashmё, me siguri i çliruar, i sunduar nga drita marramendёse; ndoshta nga kori madhështor i figurave hyjnore. Figura, të cilat i afroheshin gjithnjë e më shumë. Dhe sa më shumë i afroheshin, aq më shumë plaku gёzonte dritёn e re.

“Zoja është gjithkund. Mjafton ta kërkojmë Atё!” u dёgjua njё zё. Ishte famullitari Drinush Bardhi.

Kur u rivendos rregulli dhe qetёsia, ishte ai qё u kujdes për varrimin e dy ushtarёve.

Ikonën çudibёrёse, si të ishte një fëmijë i sapolindur, ardhur nga larg, e mori nёn kujdesin e tij. E mbёshtolli me njё cohё tё bardhё dhe e vendosi nё altarin e Kishёs kryesore. “Zoja e kёshillёs sё mirё ёshtё gjithkund!” mёrmёriti plot gaz dhe ngriti sytё me besim nga Qielli.

 

 

 

 

Artur Spanjolli

Syri i nënës mbeti në mjegull- Cikël poetik nga KRISTAQ TURTULLI

Syri  i nënës mbeti në mjegull
.
 Ne nuk lindëm. Na zgjoi një këngë
që askush nuk e kishte kënduar ende.
Ende pa marrë emra, mbanim në pëllëmbë
një copë qielli të njomë,
dhe besonim se bota hapej me qepallën e një nëne.
Kur ajo ngrinte syrin e kaltër, detet humbnin brigjet,
zogjtë harronin fluturimin,
dhe koha, si një fëmijë i hutuar, na ndiqte zbathur.
Nuk e dinim se mjegulla nuk zbret nga malet.
Ajo lind nga zemrat që historia nuk i lejon të dashurojnë.
.
Një mëngjes, nëna u bë mjegull.
Syri i saj mbeti i hapur mbi të gjitha horizontet,
si ylli i fundit që nuk pranon të shuhet.
Ne ecëm. Jo drejt së ardhmes. Drejt largësisë.
Në valixhet tona nuk kishim bukë, as rroba, as atdhe.
Mbanim vetëm atë sy.
Dhe këngën.
Atë këngë që nuk gjeti kurrë një gojë njerëzore.
Prandaj e këndonin lumenjtë.
E këndonte bora kur binte mbi varret pa emër.
E këndonte era duke kaluar mbi det,
deri në brigjet ku ne u plakëm në një gjuhë tjetër.
.
Sot, kur mbrëmja na mbështet kokën mbi supet e heshtjes,
e kuptojmë: nuk ishte vetëm nëna që humbëm.
As rinia. As atdheu.
Humbëm derën nga ku hyhej në mrekulli.
Dhe që atëherë, jeta është vetëm udhëtimi i gjatë
i një kënge që ende kërkon zërin tonë.
.
Dorëshkrimi i mjegullës
.
Një ditë koha do të hapë sirtarin e saj të vjetër
dhe do të gjejë rininë tonë ende të palosur.
Do të habitet që nuk është zverdhur.
Sepse vitet nuk e plakën, por e harruan.
Ne e kishim shkruar me bojën e pranverës,
por dikush e ktheu librin
para se të mbaronte kapitulli.
.
Që atëherë ecim si fjalë
që kërkojnë fjalinë e tyre.
Në një stinë, në vite
 Ishte e vetmja dritare
nga ku Zoti shihte tokën.
Ne hymë jo në dashuri, por në pafundësi.
Pastaj mjegulla e mbylli librin.
Askush nuk e pa.
Vetëm era vazhdoi të kthente faqet.
Dhe ne mbetëm brenda një fjalie
që nuk mori kurrë pikë.
Prandaj kur na pyesin sa vjeç jemi,
ne heshtim.
Dhe numërojmë fjalët e harruara në xhepa.
që ende presin në anën tjetër të mjegullës.
.
Katedralja
.
Me katedrale brenda vetes lind çdo njeri,
Plot dritë dhe shkëlqim është në fëmini.
Në të këndon zëri i nënës, mrekullueshme melodi,
lutet një ëndërr në vogëli,
lulëzon dashuria e parë gjithë bukuri,
Një vajzë dritaren e shpirtit hapi
Aty ruhet e gjithë ajo që nuk mund të vdesi.
Por vjen një ditë… njeriu harron
rrugën përndritur për te vetja.
Dyert mbeten hapur, por atje askush nuk hyn.
Këngët bien si pluhur mbi gurë.
Lutjet treten në heshtje.
Dhe ne plakemi pa e ndjerë
duke ruajtur një katedrale
ku nuk u ndez kurrë qiriu ynë.
Pastaj syri i vajzës ikën nxitimthi,
Dhe vonë me dhimbje kuptojmë:
Nuk ishte vetëm një sy gjithë bukuri.
Ishte dritarja nga hynte në shpirt mëngjesi.
Kur dritarja u mbyll, brenda nesh,
mbeti një katedrale e madhe, bosh
ende pret hapat e dikujt nëse vijnë…
.
Mërgimi
.
Gjithë jetën ecëm pranë ëndrrës,
pa e prekur kurrë.
e ndiqnim si një dritë larg në horizont,
që largohej sa herë afroheshim.
Jo Kanadaja.
Jo Shqipëria.
Mërgimi ynë ishte më i thellë.
midis zemrës dhe kujtesës hapësirë mbeti,
ku njeriu humbet mes vedi
pa lëvizur nga vendi.
Mund të banosh në shtëpinë tënde,
të njohësh çdo derë, çdo rrugë,
dhe përsëri je i huaj me veten tënde.
Bulëza e fundit e shpresës
që pikonte nga gjiri i hënës,
u tret ngadalë nën frymën e kohës.
.
Kënga
.
Kënga nuk lind nga buzët.
Ajo lind në vendin më të thellë të shpirtit,
aty ku njeriu ruan atë që nuk mund ta thotë.
Kënga është ura e përjetëshme
që lidh të ikurit me të mbeturit,
të djeshmen me të nesërmen,
lotin e drithëruar të nënës me dritën.
Ne menduam se këngën era e shoi si qiri
Por si gjithnë na mundonte gabimi.
Nuk ishte kënga që humbi.
Ishim ne që humbëm rrugën për te zëri,
Ajo në pragjet e vjetra ende rri,
nën hijet e pemëve, në duart e nënave
në heshtje këndon shpirti.
Kënga pret. Pret, që ne të kthehemi.
Ndoshta një ditë dhe fëmijët tanë
do ta dëgjojnë.
Jo si të vjetrën këngë,
por si rrahjen e një zemre
që nuk pranoi kurrë të vdiste.
KRISTAQ@TURTULLI
.
MBRËMË PASHË DIELLIN NË SY
.
Diellin në sy pashë mbrëmë,
në çastin kur bota mendonte
se ai po vdiste.
Askush nuk më tha,
se edhe perëndimi ka verbërinë e vet.
Flaka e tij nuk më dogji retinën.
Ajo depërtoi më thellë, atje ku syri
ia dorëzon shikimin shpirtit.
Dhe shpirti u drodh, që atëherë
më dhembin sytë.
Jo sepse pashë shumë dritë,
por sepse pashë
atë që drita fsheh gjatë gjithë ditës.
Pashë se koha është një plagë
e mban të hapur që universi.
Se njeriu ecën mbi tokë
duke u quajtur i gjallë,
ndërsa çdo hap është një fije
që e tërheq drejt përjetësisë.
.
Pashë se dashuria është e vetmja dritë
që nuk perëndon,
por është edhe ajo që na verbon më shumë.
Pashë fytyra që buzëqeshnin,
ndërsa brenda tyre rrënoheshin qytete të tëra.
Pashë se se nuk ka ze e vërteta.
Ajo shfaqet si një diell
që të detyron ta shohësh drejt,
derisa të mos shohësh më asgjë.
Ndoshta Zoti nuk na fshihet.
Ndoshta dielli është tepër i ndritshëm
që sytë tanë ta përballojnë.
.
Prandaj Zoti na dhuroi mbrëmjen,
si një mëshirë midis nesh dhe pafundësisë.
Sot ende më dhembin sytë.
Por nuk kam frikë nga kjo dhimbje.
Kam frikë nga dita kur do të mund
ta shoh diellin drejt në sy pa ndier asgjë.
Sepse atë ditë nga drita nuk do të jem verbuar
Do të kem humbur aftësinë për t’u mahnitur.
KRISTAQ@TURTULLI
 .
MOS E ZGJONI PËRSËRI HISTORINË!
.
Mos e zgjoni përsëri historinë!
Ajo fle me plagët hapur,
e shpuar brinjë më brinjë.
Jastëk ka gurët e varreve.
Nga oxhaku fryn erë e fortë,
të përmbyt hiri i shekujve.
Mos ia prekni plagët historisë.
Ato nuk mbyllen me harresë.
Nën koren e kohës marrin frymë,
duke ushqyer rrënjët me gjakun e brezave.
Ky vend ka qarë aq thellë,
sa edhe heshtja mësoi të flasë,
ndërsa librat ulën sytë.
Historia ecte në shtegun e të verbërve,
me qefinin e reve mbi supe.
Varroste agimet,
para se gurët të mësonin emrat e të vdekurve.
Flamujt ndërronin ngjyrën e erës;
tradhtia rridhte pikë-pikë
si rrëshirë e zezë nga plagët e lisave.
Nën rrapin e moçëm
buka ngurtësohej në duart e njeriut;
frika i hante hijen,
shpresa i mbinte vetëm si bar mbi varr.
Fitimtarët hynin me kurora drite,
dhe dilnin të zhveshur nga gjyqi i kohës.
Pas tyre mbeteshin vetëm gurët që nuk flinin,
dhe shamitë e zeza,
që era i numëronte si vitet e këtij vendi.
Ndaj me ngërç, e dhunë
mos e zgjoni përsëri historinë.
Lëreni të flejë.
Le të zgjohet vetëm ardhmëria,
nga buzagazi dhe lumturimi i syve të nënave.
KRISTAQ@TURTULLi

ÇAMËRIA SI PSIKOLOGJI SOCIALE- Nga Albert HABAZAJ

 

Dy fjalë për librin e autores Samanta Ademaj: “Vështrim psikologjik mbi çështjen çame”

 

 

 

Librin e Samantes do ta them me 4 vargje:

 

Plag’ e gjak e shpirt që dhemb

Aty ngrehu, aty shemb,

Dritë besimi, trimërie

Marathonomak lirie!…

 

Të nderuar miq të librit dhe dashamirës të Çamërisë!

Të dashur vëllezër e motra çame!

Ndihem i gëzuar, krenar e shpresëblertë, që më bëtë gëzimtar të kësaj veprimtarie kuptimplote, simbolike dhe me mesazhe të qarta të përditësuara të çështjes kombëtare të Çamërisë, e veçantë si prurje në disa rrafshe nevralgjike për qytetarët, për politikanët, për demokracinë, për kohën, për fqinjët, për të mëdhenjtë e të vegjlit, për ne e për ata.

Sinqerisht ndihem mirë dhe për këtë falënderoj mikun e vëllain tim, kryetarin e Shoqatës Patriotike “Çamëria”, dega Vlorë, atdhetarin artist Sali Nuredini, që më njoftoi dhe më dhuroi një libër vërtet me vlerë të autores Samanta Ademaj me titullin “Vështrim psikologjik mbi çështjen çame”.

E quaj fat për Çamërinë, për Vlorën dhe Shqipërinë, që ka në gjirin e intelektualëve me dritë kombëtare edhe një bijë çame të devotshme si Samanta.

Unë e njoh dhe e dua Çamërinë, porsa ju, edhe pse jam lab, por të mos harrojmë se ne të njëri-tjetrit jemi, bëhemi me njëri-tjetrin në të mira e të këqia dhe furtunat, të parët tanë i kanë përballuar jo sikur të të ishin fqinjëtarë gjeografikë e historikë, por si vëllezër e motra të një gjaku.

Në bibliotekën time kam një syzë të mbushur me libra të miqve të mi autorë çamë, që nga Fadil Zeqiri, Selman Sheme, Ibrahim D. Hoxha, Fatmir Muçaj, Sejdi Kondi, Qamil Buxheli, Bilal Xhaferri, Agim L. Bajrami, Vjollca Staro, Esat Mezani, Selfie Zeqiri, Fabit Beqiri, Shefki Hysa, Arben Kondi, Hekuran Halili, Safet Mustafaj, Shaban Mehmeti, Arben Iliazi, Hyqmet Zane, Enver Kushi, Ibrahim Didani, Fatime Kulli, Mirela Dauti, Namik Mane etj., që janë vlera të mirëfillta kushtuar historisë, kulturës dhe çështjes çame, si pjesë e pandashme dhe e pashmangshme e çështjes kombëtare shqiptare.

Një filiz i ri, i freskët, i veçantë dhe i fortë i së ardhmes po rritet shëndetshëm, edhe nëpërmjet veprës që kemi në dorë “Vështrim psikologjik mbi çështjen çame”.

Ky libër i Samantës është i veçantë, pra unikal deri më sot, (mesa kam dijeni) i pari si vështrim psikologjik mbi çështjen çame.

Ky libër meriton vëmendje akademike, sepse është monografi shkencore. Do të doja të shprehesha gjatë për këtë vepër të autores së re Samanta Ademaj përzgjedhur për lexuesin e kulturuar nga studimi shkencor: “TRASHËGIMIA E TRAUMAVE PSIKOLOGJIKE TË SHKAKTUARA NGA GJEONCIDI GREK NDËR BREZAT E NDRYSHËM TË SHQIPTARËVE TË ÇAMËRISË”.

Si bibliograf më vjen mirëb që të shprehem se S. Ademaj është një studiuese serioze e një teme të vështirë, të dhembshme, dinjitoze për historinë që nuk harrohet. Autorja ka respektuar me korrektesë kriteret e një punimi të mirëfilltë shkencor. Monografia, ndërtuar me 5 kre, ka një aparat bibliografik të pasur, me autorë shqiptarë dhe të huaj. Referencat që ka përdorur autorja, janë tregues i diturisë së saj dhe guximit intelektual.

Samanta Ademaj, ndjenjën e dashurisë për dheun e të parëve, nderimin për gjakun e derdhur për trojet e tyre, e ka gjenetike – në lartësinë e fisnikërisë së idealit.

Samanat Ademaj zotëron dije të plota për Çamërinë:

  • Si kujtesë historike
  • Si memorje e gjallë
  • Si lule e lënduar.

Edhe pse ende nuk ka shkelur në rrugicat e vendlindjes së gjyshit, edhe pse ende nuk i ka puthur gurët e avllisë së Filatit, bila çame e ka në gjak Çamërinë, e ka në eshtër, në shpirt, në dritën e syrit dhe ia njeh mirë psikologjinë, jetën, dramat, begatitë, bukuritë, pasuritë dhe tragjeditë përgjatë rrjedhave të historisë.

Unë e njoh Çamërinë edhe nga këngët popullore të Çamërisë, mbledhur e përgatitur nga adhuruesi i pasionuar i traditave gojore të popullit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë i folklorit çam – Fatos Mero Rrapaj nga Gumenica e Labërisë së Vlorë, të cilat janë botuar e ribotuar e përbëjnë një thesar shpirtëror dhe kulturor në një vepër solide dhe serioze.

Unë e njoh Çamërinë edhe nga aparati fotografik dhe kujtesa fenomenle e gati shekullorit Skënder Beqiri – Marubit të Vlorës dhe Çamërisë, me të cilin kam njohje gati gjysmë shekullore dhe miqësi familjare, që vijon si stafetë tradite dhe kulture.

Gjenocidi grek ndaj popullatës së pafajshme çame dhe përzënia, shpërngulja e tyre me forcën e armëve nga monarko-fashistët përbën një nga aktet më të dhunshme dhe barbare të ndodhura në historinë e njerëzimit, me trauma aq të rënda e të padëgjuara, saqë jo vetëm njeriun, por edhe gurin e trondisin, e shkërmoqin…

Ky libër është sa shkencor, se trajton tema si psikologjia sociale, gjenocidi, aspekte psikologjike etj., po aq edhe kombëtar, demokratik e qytetar, se trajton çështjen çame, një krahinë shumë të pasur shqiptare, në të gjitha këndvështrimet e mundshme njerëzore dhe qytetare.

E thashë që në fillim, se është fat për ne që kemi një Samantë, sepse është edhe atdhetare, edhe e re, që do ta vijojë këtë stafetë denjësisht, është edhe e ditur që mund të ballafaqohet e të përballet me të tjerët, sidomos ata studiues të huaj, edhe me ndonjë piçirruk tonin, apo edhe lakej e vulgarë të pështirë të tipit Arian Çani për ato deklarata televizive aq të këqia ndaj Çamërisë martire dhe njerëzve të saj, që janë aq të mirë. Po Samanta është pishtare e kësaj teme kaq të rëndësishme e të prekshme që rrok Çamërinë si psikologji sociale, sepse është vijuese (në fushën e saj) e stafetës që mban ende xha Skënderi me arkivin fotografik, si dëshmi tronditëse të sa e sa traumave çnjerëzore të nënave, bijave e bijve çamë, që edhe dora më dridhet t’i shkruaj.

Samanta nuk është vetëm, ajo nuk mund të jetë vetëm. Secili nga ne, jo vetëm bijtë e bijat e Çamërisë, të bëjmë atë që mundim, atë që duhet, ashtu si duhet dhe kur duhet. Koha rrjedh. Për Çamërinë si psikologji sociale, mendoj se vlen të organizohet edhe një konferencë shkencore ndërkombëtare dhe ç’ jehonë të bukur, të mirë e të dobishme do të ketë.


Send this to a friend