VOAL – Mbarë atdheu ynë, në të gjithë hapësirën e tij në Ballkanin Perëndimor, kremton përvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Mbarë shqiptarët, kudo që ndodhemi, në atdhe e nëpër botë, kremtojmë të gëzuar festën tonë më të re kombëtare, Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Deri tek 17 Shkurti 2008 ne erdhëm përmes sakrificash të panumërta, përmes flijimesh të panumërta, përmes padrejtësish tragjike. Erdhëm më të vendosur se kurrë, më të përkushtuar se kurrë që idealin e madh kombëtar, idealin e papërmbushur të rilindasve tanë, idealin e papërmbushur të heronjve dhe dëshmorëve tanë, idealin e papërmbushur të brezave të luftëtarëve, brezave të qëndrestarëve ta përmbushim plotësisht dhe ta lartësojmë atë atje ku ai e ka merituar dhe e meriton.
Shqiptarë, kudo që ndodhemi, në atdhe apo nëpër botë, 17 Shkurti qoftë për ne festë e dashurisë së pakufishme për Kosovën, për mbarë atdheun, për kombin, për njëri tjetrin. Le të jetë 17 Shkurti simbol i ri i unitetit tonë kombëtar!
Deri tek 17 Shkurti 2008 ne erdhëm falë mrekullisë që bëri Zoti, duke na dhuruar miq e aleatë të mëdhenj si Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore, duke na dhuruar simpati dhe dashuri ndërkombëtare më të madhe se kurrë ndaj çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Le ta ruajmë si sytë e ballit dhe ta lartësojmë këtë miqësi, aleancë, simpati dhe dashuri!
Meritën më të madhe për këta miq dhe aleatë, për këtë simpati dhe dashuri e kanë arkitekti i pavarësisë së Kosovës Presidenti Ibrahim Rugova dhe Kryekomandanti Adem Jashari. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre, e pavdekshme qoftë vepra e tyre në jetë të jetëve!
Me Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, me Kosovën në gjirin e Bashkimit Evropian, NATO dhe Kombet e Bashkuara, paqja në rajon, Evropë dhe Botë kanë një garanci më të madhe. Shqiptarë, le të punojmë të gjithë së bashku për konsolidimin dhe forcimin e Republikës së Kosovës shtet i lirë unitar, i pavarur dhe sovran! Le të punojmë për këtë objektiv, për këtë qëllim me vetëdijën e plotë se kështu i shërbejmë stabilitetit përfundimtar në Ballkan dhe më gjerë, i shërbejmë paqes afatgjatë në këtë pjesë kaq strategjike të kontinentit dhe të botës!
Komentet