“Klithmë nga qielli, nga shpirti, gjithë ajri më merr frymën, ka ikur Bujo! Lajm i dhimbshëm, therës, që ne miqtë, si dhe familja, e kemi të papërballueshëm. Ikja e Bujos ishte apeli më i fuqishëm për respektin ndaj artit të ekranit shqiptar. Secili nga ne do të dëshironte të ikte në këtë mënyrë kaq thirrëse për të ndryshuar mendësinë ndaj vëmendjes dhe kushtimit të artit të ekranit si fytyrë e shoqërisë. Të lumtë Bujar Lako, me këtë ‘gjest’ sublim godite si asnjëherë më fuqishëm. Lamtumirë o njeriu i mesazheve të mëdha, si askush deri më sot!”.
Javën që shkoi, aktori Bujar Lako bëri 40 ditë që u nda nga jeta. E shoqja, Mira, dhe i biri, Bojken, u mblodhën edhe një herë për ta kujtuar me miqtë e të afërmit e tij. Disa nga miqtë e ngushtë të Lakos nuk ishin në Shqipëri kur u nda nga jeta.
Një prej tyre ishte edhe kolegu e miku i tij i vjetër, Mevlan Shanaj, i cili nuk e mbajti për vete dhembjen që e pushtoi kur mësoi lajmin e hidhur, por shkroi menjëherë radhët e mësipërme në “Facebook”. Të njëjtën gjë, bëri dhe bashkëshortja e tij, Natasha Lako. Megjithëqë Bujari vetë preferoi gjithnjë të qëndrojë i tërhequr nga media, sot ne po e njohim pak përtej roleve, pikërisht falë miqve të tij.
Nga kujtimet e tryezave të orëve të gjata, sheshxhirimet me kamerat e fikura, e deri në ditët e fundit kur kafeja që kishin lënë për të pirë të tre, bashkë me kolegun e mikun tjetër, Timo Flloko, nuk u realizua asnjëherë… Shanaj na tregon edhe për dashurinë e Bujar Lakos me Mirën, në kohën kur ishin ende studentë dhe kërkonin t’i ndanin. Edhe për shkak të kohës, historia e tyre u mësua nga të gjithë dhe në fund ia doli të ishte fitimtare.
Një nga punët e pakta të Bujar Lakos në vitet e fundit ka qenë te filmi juaj “Lule të kuqe, lule të zeza”. Të gjithë kolegët e Bujarit tregojnë për përzgjedhjen dhe vështirësinë, me të cilën i pranonte rolet. Si ka qenë në rastin tuaj?
Miqtë dhe aktorët, Mevlan Shanaj dhe Bujar Lako
Marrëdhënia jonë ka qenë mjaft e afërt. Ishte miqësi që kishte nisur para se të vinte në Shkollën e Aktorëve, me vonë Instituti i Lartë i Arteve. Nuk e kam pasur të vështirë ta merrja në film, edhe pse në përgjithësi ishte i vështirë për të pranuar. Në filmin “Lule të kuqe, lule të zeza”, as që pati hezitim për të ardhur në një rol dytësor. Sigurisht që shkëlqeu dhe ishte ky rol, të cilin Paskalevic i zgjodhi së bashku me Yllka Mujon.
Keni qenë edhe më parë në pozitat e regjisorit me të?
Po, përveç filmit që folëm më sipër, ka qenë edhe një rast tjetër. Nga bashkëpunimi me të në dy filma ruaj kujtime të një miku dhe jo ndryshe. Më kujtohet kur takoheshim për realizimin e figurës në filmin “I paharruari”, ne po thuajse e kishim përfunduar filmin pa filluar xhirimet. Përkushtimi në detaje ishte cilësi e veçantë e Bujos.
Përveç të tjerash, më kujtohet që në ato kohë Ndriçim Xhepa ishte në fillimet dhe Bujo më thotë: Merre Xhepën, të garantoj se do të mbetesh i kënaqur. Ashtu u bë dhe mbeta më shumë se i kënaqur nga cilësitë e Xhepës. Po ashtu, për Eva Alikaj. Sugjerimet e këtij miku jo vetëm i mora në konsiderate, por edhe sot ia di për nder. Gjatë xhirimeve me Sheri Mitën, një natë, në miqësi të afërt me Pali Kuken, më thonë se sot kemi përfunduar një shishe me “Metaxa”, ndaj e bëjmë pushim.
Më bëri përshtypje që më pas erdhi më mori me të mira, nuk donte të më linte të mërzitur. I them, ju kam inat që e keni pirë pa mua. Shumë herë së bashku ndiheshim bukur pas ndonjë shisheje vere. Ishte mik i ndjeshëm dhe shumë i ndjeshëm për gjërat njerëzore.
Nga pikëpamja profesionale në teatër, nuk bëri zhurmën që pati në film…
Bujar Lako, që gati u shndërrua në legjendë me ikjen e tij, sipas meje ishte forca e ekranit, të cilin ai e shfrytëzoi në mënyrë intuitave, shkëlqyeshëm. “Përkëdhelia” e aktorit të parë në ekran i dha shansin të shumëzonte në ngjitje hijen e tij dhe si çdo hije që sterrritet e bëri aktorin e ekranit më të lakmuarin për gati dy dekada.
Në teatër nuk pati “këtë hije”, pasi puna në teatër punohet në tavolinë të rrumbullakët, kështu që je në një plan shikimi edhe me kolegët. Ndërsa kamera e kishte përherë në plan të parë dhe në kësi rastesh, ai nuk të falte. Njeriu Bujar dhe aktori Lako zotëronin imponimin sa privat, aq edhe krijues. Bujo ishte artist në formë dhe përmbajtje. Kishte të dhëna fizike të shkëlqyera për një aktor, konstrukt harmonik, portret goditës dhe zërin e ngrohtë burrëror me shikim depërtues, gati-gati asgjësues.
Sqimatar si ai dhe kërkues deri në një për atë që bënte në krijimin e figurave artistike. Dinte shumë mirë procesin e tjetërsimit dhe gjente çastin e zhbirimit të partnerit. I lindur artist, qoftë edhe në mënyrën si ecte, apo edhe si hante. Artistin nuk e luajti ndonjëherë pasi nuk pati rast, por dha shembullin e artistit që mbetet i adhuruari i regjisorëve dhe i gjithë shikueseve, jo vetëm brenda kohës.
Epiteti i gjeneralit qe një rastësi e bukur për Bujar Lakon, pasi tre gjeneralë artistikë ( Gjeneral gramafoni, Mujo Bermema dhe gjenerali i ushtrisë së vdekur), i pari i Vath Koreshit me regjinë e përkryer të Viktor Gjikës, dy të tjerët shkruar nga Ismail Kadare me regji të Kujtim Çashkut dhe Pirro Milkanit, dhe i treti i Dhimitër Anagnostit) krijuan kryegjeneralin Bujar Lako.
Statura civile e këtij “ushtaraku” u duk se ishte krijuar fshehurazi në çdo hap të tijin. Larguar nga sheshet e xhirimeve pa spaletat, por me një ajër gjeneralësh në çdo mjedis ku shkelte, linte hije gjeneralësh. Me ikjen e tij, gjithë opinioni kishte krijuar ekranin gjigant, ku vetë dëshmitarët ishin bërë pjesë e kësaj figure jetësore të vetë artistit unikal, më të arriturën se të tria figurat artistike. Bujar Lako kishte ndërtuar në gjallje mitin e gjeneralit fitues.
Kështu, media nxitoi ta shpallte “Nderi i Kombit”, në një kohë që autoritet që ende nuk ishin kujtuar, patën rastin të korrigjonin veten e tyre. Largimi tinëzarisht i këtij “ushtaraku” të rreptë rikonfirmoi autoritetin e tij krijues të figurës së artistit në çdo çast të jetës. Dinjitoz në krijim, i rreptë në mosnënshtrim. Posedues i gjithë fuqisë krijuese në ekran.
Bujar Lako me bashkëshorten, Mirën
Në kaq shumë vite, si ka qenë marrëdhënia juaj?
Ruaj kujtime miqësore me të që nisin nga vizitat e ndërsjella, kur i kishim fëmijët e vegjël nëpër shtëpitë e njëri-tjetrit. Çiltërsia e vizitave ka mbetur ende e pashlyer. Nuk kishte në këto raste shtirje apo të tjera hipokrizi, ne kishim mes nesh kënaqësitë e miqësisë së pastër dhe diskutimet pafund për kineastët tanë të preferuar zgjasnin e zgjasnin dhe shërbenin si shtysë për ëndrrën tonë.
Kishte një “hobi”, pastërtinë, në të gjitha drejtimet. Po ashtu, kur i binte në dorë ndonjë gjë e veçantë, në ato vite, e trajtonte si një relikte të çmuar dhe i jepte kënaqësi kjo gjë. Sigurisht do të lante duart pas çdo takimi, me këdo. Kishte një përqendrim në detaje kur shikonte një film. Truri i tij regjistronte gati në mënyrë kompjuterike të veçantat e filmit.
Ishte i vështirë në pëlqim të gjërave të zakonshme në art. Sfidues, në më të shumtën e rasteve. Kujtoj që vitin e fundit të shkollës së mesme e bëri në Përrenjas, pasi Politeknikumi “7 Nëntori” u transferua nga Tirana në Përrenjas. Studionte për gjeolog. (Në jetën e tij, në fëmijëri, deri sa u bë 18 vjeç, ka lëvizur sepse prindërit ishin mësues dhe i qarkullonin.)
Në një prag të vitit të ri donte të ishte në Tiranë dhe ishin nisur bashkë me një shok nga Përrenjasi deri në Elbasan në këmbë. Trup atleti, që e mbrojti me ushtrime fizike gjatë gjithë jetës.
Disa kohë më vonë kësaj që thoni, kur ishte student, u bë e famshme historia e tij e dashurisë me Mirën. Ata që kanë qenë me të, me ju, në atë kohë, tregojnë se nuk i lejonin të qëndronin me njëri-tjetrin për shkak të familjeve, çështje politike. Si ka qenë e vërteta?
Vetëm politika që nuk ka fare lidhje në atë histori. U bë vërtet shumë zhurmë atëherë, por nuk u penguan për shkaqe politike. Si shumëkush, Bujari kishte një histori tjetër atëkohë, mirëpo pastaj u njoh me Mirën dhe bëri zgjedhjen e tij.
Vajza reagoi e shkaktoi zhurmën që po dëgjohet ende edhe sot. Mirëpo gjithë kësaj historie i doli përpara vetë Mira, duke e mbrojtur deri në fund, kështu që dashuria e tyre vazhdoi. Prindërit e familjes së asnjërës palë, nuk kanë lidhje me këtë çështje.
Vera, tavolinat, kanë qenë të preferuarat e tij…
Po, janë të shumta tavolinat që kemi ndarë bashkë. Kujtoj rastin e fundit, po ktheheshim nga varrimi i Fatos Selës, u kthyem rrugës dhe përfunduam në lokal, aty poshtë Tufinës. Ishte një rast që dhimbja për një mik, të cilin e kishim lënë përgjithmonë nën dhe, na kishte bërë pafjalë, ashtu siç na bëri të gjithëve ikja e Bujar Lakos.
Pas muajsh mospajtime, shumica e anëtarëve të Unionit të Transmetuesve Evropianë (EBU) u pajtuan që të ndryshojnë rregullat e votimit, që do t’i mundësojnë Izraelit të marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës, Eurovision në maj.
Kjo nënkupton se të gjitha shtetet që duan të marrin pjesë në garën muzikore mund ta bëjnë një gjë të tillë.
Pas këtij vendimi, organizatat transmetuese nga Spanja, Irlanda, Holanda dhe Sllovenia njoftuan më 4 dhjetor se do ta bojkotojnë këtë ngjarje.
Transmetuesi spanjoll, RTVE është një nga pesë financuesit kryesorë të ngjarjes. Ndërsa, Avrotos nga Holanda tha se vendimi ishte “rezultat i një procesi të kujdesshëm”.
Sllovenia tha se vendimin e mori për shkak se “nuk marrin pjesë në Eurovision nëse Izraeli merr pjesë. Në emër të 20 mijë fëmijëve që vdiqën në Gazë”, tha kryetarja e bordit të transmetuesit publik slloven, Natalija Gorscak.
EBU dhe ORF e Austrisë, si transmetues mikpritës, kanë zhvilluar diskutime të shumta javëve të fundit për të parandaluar bojkotin.
Një nga mesazhet kryesore ishte se spektakli më i madh muzikor në botë është një ngjarje e organizuar nga transmetues publikë dhe kjo ngjarje nuk duhet të jetë politike.
EBU gjithashtu kishte ndryshuar rregullat për votimin në Eurovision.
Tani publiku ka më pak ndikim, ndërsa roli i jurisë në dy gjysmëfinalet dhe në finale është forcuar.
Ndryshimet erdhën si reagim ndaj rezultatit të Eurovisionit që u mbajt në Bazel, ku këngëtarja izraelite, Yuval Raphael doli e dyta falë numrit jashtëzakonisht të lartë të votave nga publiku.
Dyshohej se votimi ishte bazuar në një mobilizim strategjik të shikuesve në favor të Izraelit.
Një Wolfgang Amadeus Mozart 4-vjeçar ulet në një tavolinë, zhyt me ngathtësi stilolapsin në bojën e shkrimit dhe kompozon një koncert për piano. Babai i tij shqyrton kompozimin dhe shpërthen në lot për shkak të aftësisë së djalit të tij.
Kjo skenë përshkruhet në një letër nga një mik i familjes Mozart, një nga 12 letrat që “Fondacioni Ndërkombëtar Mozarteum” në Salzburg i mori si dhuratë nga një familje koleksionistësh në Këln t[ë Gjermanisë.
“Nuk do të kishim mundur ta blinim këtë koleksion”, tha Ulrich Leisinger, drejtor akademik i “Fondacionit Mozarteum”.
Dokumentet nga familja Mozart, nga koleksioni i Hans Joachim Eggers, përbëjnë shtesën më të rëndësishme për “Mozarteum” në 100 vitet e fundit. Eggers, një virolog që vdiq në vitin 2016, kishte kaluar 30 vite duke ndërtuar koleksionin më të rëndësishëm privat të Mozartit në Gjermani.
Trashëgimtarët e tij tani kanë përmbushur dëshirën e tij për t’i kaluar këto vepra tek fondacioni.
Fondacioni zotëron koleksionin më të madh në botë të dokumenteve origjinale të Mozartit. Ai përbëhet nga më shumë se gjysma e të gjitha dokumenteve të njohura të familjes Mozart, duke përfshirë rreth 200 letra origjinale nga vetë Mozarti.
Dokumentet e reja do të jenë në ekspozitë në shtëpinë e kompozitorit të madh në qytetin austriak deri më 1 shkurt.
I lindur në Salzburg në vitin 1756, Mozart konsiderohet si një nga kompozitorët më të rëndësishëm të periudhës klasike. bw
Të nderuar kryeministra, ministra, drejtorë institucionesh, federacione futbollesh, media audio-vizive, organizatorë koncertesh, eventesh, banketesh, regjistrimesh, artistë që luani në rrugë, apo në kisha dhe salla të tjera etj., etj., etj.,
Kur përdorni në të gjithë botën muzikën e Feim Ibrahimit, jeni të lutur t’i drejtoheni fondacionit kulturor “Feim Ibrahimi”, për të marrë lejen e përdorimit të saj!
Nuk është pronë e juaja, por është pronë e këtij fondacioni!
Nuk keni asnjë të drejtë përdorimi, pa lejen e shkruar të fondacionit dhe pa paguar tarifën përkatëse për përdorimin e kësaj muzike!
E vetmja organizatë që mund të japë leje për përdorimin e saj (me, ose pa pagesë, si ta shikojë të arsyeshme drejtuesi i kësaj organizate), është pikërisht fondacioni “Feim Ibrahimi” dhe vetëm ai ka të drejtë t’ju autorizojë, si drejtpërdrejt, ashtu edhe nëpërmjet agjencisë së administrimit kolektiv “Albautor”, për ta interpretuar atë, duke specifikuar në çdo publikim tuajin, autorësinë e saj!
Edhe në rastet kur muzika e Feim Ibrahimit është pjesë e koncerteve me vepra të autorëve të ndryshëm, jeni të detyruar, përveç se të merrni autorizimin e fondacionit, të plotësoni gjithashtu formularët e posaçëm dhe të paguani detyrimin ekonomik, për t’u pajisur nga SUADA me autorizimin për përdorimin e muzikës në koncerte, apo evente të çdo lloji.
Jeni të lutur të zbatoni ligjin shekullor të së drejtës së autorit!
Me zërin që i dridhej dhe lotët që nuk i pushonin, këngëtarja Big Mama ka mbajtur një fjalim lamtumire në ceremoninë mortore për Shpat Kasapin, i cili u nda nga jeta papritur në moshën 40-vjeçare.
Në mesazhin e saj, artistja nga Tetova tha se “Shpat Kasapi nuk ka vdekur”, pasi ajo që ka lënë pas do të jetojë përgjithmonë.
“Kjo nuk është lamtumirë miku, por kjo është një shihemi përsëri”, tha Big Mama mes lotësh.
Ajo kujtoi edhe fillimet e jetës artistike me Shpat Kasapin, që kur ishin fëmijë. “Sot jam këtu në këtë skenë që për ne të dy nuk qenë vetëm, skenë, ka qenë vendi ku kemi marrë frymë për herë të parë si fëmijë, si artistë. Kemi ndarë ëndrra, frikë dhe gëzim. Këtu kemi rritur, talentin, shpresat dhe miqësinë tonë. Sot jam këtu në këtë skenë që për ne të dy nuk ka qenë thjesht skenë, por vendi ku kemi marrë frymë për herë të parë si fëmijë”, deklaroi Big Mama.
Më tej ajo u shpreh: “Sot nuk kam fjalë për ta përshkruar boshllëkun që na ka lënë. Na ike shumë herët, shumë padrejtësisht, por kujtimi i tij do të rrojë në zemrat tona në cdo melodi që ai këndoi, në cdo buzëqeshje që na dhuroi dhe në cdo skenë, emri i tij do të përmendet gjithmonë. Shpat, miku im, kemi nisur bashkë prej këtu dhe sot prej këtu po të them lamtumirë. Do të na mungosh në cdo hap, në çdo moment e kujtim. Por ti nuk ke vdekur kurrë, zëri yt, shpirti yt, e gjithë dashuria që ke lënë pas do të jetojë përgjithmonë. Sot nga kjo skenë ku nisëm si fëmijë, po të lëshoj me lot, por të mbaj me shpirt. Kjo nuk është lamtumirë miku, por kjo është një shihemi përsëri”.
Këngëtari Shpat Kasapi u përcoll me duartrokitje nga Pallati i Kulturës në Tetovë, ndërsa arkivoli me trupin e pa jete ishte i mbuluar me flamurin shqiptar. gsh
TETOVË- Në Pallatin e Kulturës në Tetovë u zhvillua sot ceremonia mortore për këngëtarin e ndjerë Shpat Kasapi, i cili u nda papritur nga jeta në moshën 40-vjeçare. Qysh në orët e para të mëngjesit, familjarë, miq, bashkëpunëtorë të afërt dhe adhurues të muzikës së tij u mblodhën për t’i bërë nderimet e fundit artistit.
Atmosfera ishte e rënduar, ndërsa dhjetëra persona u panë me lot në sy teksa kalonin pranë arkivolit për të përshëndetur për herë të fundit këngëtarin që shoqëroi me muzikën e tij një brez të tërë shqiptarësh.
Në ceremoninë mortore morën pjesë edhe emra të njohur të skenës, si Blero, Adelina Tahiri, Big Mama dhe Dafina Zeqiri, të cilët u bashkuan me familjen e Kasapit për të nderuar karrierën dhe kontributin e tij në muzikën moderne shqiptare.
Pas homazheve në Pallatin e Kulturës, trupi i Shpat Kasapit pritet të përcillet për në banesën e fundit, ndërsa qyteti i Tetovës është mbuluar nga një atmosferë zie për humbjen e artistit të dashur.
Këngëtari i njohur nga Maqedonia e Veriut, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, do të përcillet sot për në banesën e fundit.
Lajmi i dhimbshëm është konfirmuar nga familja e tij, që me pikëllim kanë shpërndarë detajet e ceremonisë mortore. Homazhet për artistin do të zhvillohen sot, duke filluar nga ora 12:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 14:00 në varrezat e qytetit.
“Me hidhërim të thellë kumtojmë ndarjen nga jeta të birit, bashkëshortit, babait, vëllait dhe mikut tonë të dashur, Shpati ishte një zemër e pastër, një shpirt i gëzueshëm që jetonte me këngë në buzë dhe me dritë në sy. Ai përhapte vetëm dashuri e mirësi, dhe kushdo që e njihte, e ndiente ngrohtësinë e tij. Largimi i tij i papritur na ka thyer zemrat. Do të na mungojë zëri i tij i butë, buzëqeshja e sinqertë dhe prania e tij qetësuese. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për ne,” thuhet në njoftimin e familjes.
Familja ka ftuar të gjithë ata që dëshirojnë të nderojnë kujtimin e Shpatit dhe t’i japin lamtumirën e fundit artistit të dashur, të marrin pjesë në ceremoninë mortore. bw
Melania Trump njoftoi se ka themeluar kompaninë e saj prodhuese, Muse Films, një lajm që vjen pak para publikimit të dokumentarit të gjatë të Amazon MGM Studios për të.
Dokumentari, me titull Melania, do të jetë debutimi i kompanisë së re dhe është regjistruar nga Brett Ratner. Ai do të shfaqet në kinema më 30 janar në SHBA dhe në disa vende të tjera të përzgjedhura, për t’u ndjekur më pas ekskluzivisht në Prime Video të Amazon.
Muse Films u prezantua për publikun përmes kanaleve zyrtare të rrjeteve sociale të Trump, ku u publikua edhe një video me logon e kompanisë. “Prezantojmë: Muse Films. Kompania ime e re prodhuese,” shkroi Melania Trump. “Melania – filmi, ekskluzivisht në kinema në mbarë botën më 30 janar 2026.” Amazon kishte siguruar të drejtat për dokumentarin që në janar.
Filmi fokusohet tek 20 ditët para inaugurimit të Donald Trump në vitin 2025, të shikuara përmes perspektivës së Zonjës së Parë.
Dokumentari pasqyron organizimin e planit të inaugurimit, sfidat e tranzicionit në Shtëpinë e Bardhë dhe rikthimin e saj në jetën publike me familjen, duke përfshirë pamje ekskluzive nga takime kyçe, biseda private dhe vende që nuk janë shfaqur më parë.
Melania Trump është producente ekzekutive e filmit, së bashku me Fernando Suliczin nga New Element Media. Prodhimi i dokumentarit filloi në dhjetor të 2024-ës. bw
Këngëtari Shpat Kasapi do të varroset ditën e nesërme në orën 14:00 në Tetovë, kanë njoftuar familjarët e tij në rrjetet sociale.
Këngëtari shqiptar vdiq më 26 nëntor pas një sulmi në zemër, në moshën 40-vjeçare. Sipas njoftimit, homazhet për të do të mbahen nesër nga ora 12:00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë e më pas do të kryhet ceremonia e varrimit.
Shpat Kasapi hyri në tregun e muzikës qysh në fillim të viteve 2000. Prej atëherë, u bë një prej yjeve të estradës.
Njoftimi i familjes:
Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të birit, babait, bashkëshortit, vëllait dhe shokut tonë të dashur, SHPAT KASAPI
(1 Maj 1985 – 26 Nëntor 2025)
Shpati ishte një zemër e bardhë, një shpirt i gëzuar që jetonte me këngë në buzë dhe me dritë në sy. Ai falte vetëm dashuri e mirësi, dhe kush e njohu, e ndjeu ngrohtësinë e tij.
Ikja e tij e papritur ka thyer zemrat tona. Do të na mungojë zëri i butë, buzëqeshja e tij e sinqertë dhe prania që na jepte qetësi. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm për ne.
Të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin lamtumirën e fundit Shpatit tonë të dashur janë të mirëpritur të marrin pjesë në ceremoninë e tij.
Homazhet do të mbahen të Dielen, 30.11.2025, në orën 12:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë.
Varrimi: në orën 14:00, në varrezat e qytetit të Tetovës.
-Ndjehem si peshku pa ujë! -ma ktheu ai. -Ishte njeriu im më i afërt. 42 vjet bashkë. U njohëm te revista “Hosteni”. Unë djalë. Ai humorist i madh. Vazhduam bashkë në koncerte. Hartuam bashkë skenare dhe skeçe. Bashkë te “Fiks Fare”, bashkë me pushime në Sarandë. Ai ishte pjesa ime e dytë ose isha unë pjesa e dytë e Koços.
-A mund të qajë Filip Çakuli?
-Kam ndjerë dhimbje të madhe, por nuk kam derdhur lotë as për humbjen e mamasë e as për vdekjen e babait. Si ndodhi që më rrodhën lotët? U futa në zyrën e Koços… Bosh… Gazetarët kishin vendosur mbi tavolinën e punës së tij një tufë me lule. Pashë dy palë syze(njëra e dëmtuar),kompjuterin,një cigare të lënë përgjysmë,letra,disa karikatura… Ngriva. U ula në karrige. Ndenja ca minuta, fshiva sytë dhe pa i folur askujt u futa në zyrën time.
-Të ngushëlluan? -vazhdova të këmbëngul me pyetje unë.
-Si asnjëherë. Mbi 1000 telefonata. Mesazhepa fund.
-Koço Devole në skenë ishte aktor i madh, por jashtë skene ishte i heshtur, i mbyllur,dukej si i bezdisur nga njerëzit.
-E ke gabim, -ma ktheu Filipi. -Ai ishte shumë popullor, në skenë dhe jashtë saj. Ishte humoristi më i madh i Shqipërisë. Qe aktor,regjizor,bënte karikatura me ide. Qe skenarist. Ai, si humorist, mund të krahasohet me Qamil Buxhelin.Kur ecnim rrugës me Koçon, gjenim belanë. E ndalonin qytetarët: “Bëjmë një foto? Dua një foto tjetër me djalin”. Kishte të tjerë që kërkonin autograf. Mua më kërkonin të ndërhyja te Koço që të shkonte të luante në estradat e Shkodrës, Fierit, Vlorës, Tiranës. Me Koçon donte të dilte në skenë Skënder Sollaku, Zef Deda, parodistët e Vlorës, Aleko Prodani, Fadil Hasa. Nuk gjen regjizor që nuk donte ta kishte aktor në filmat e Kinostudios ose në telenovelat e televizioneve. Po koncertet në Pallatin e Sportit, në estradën e Tiranës, në Pallatin e Kongresit a mund të më gjesh njeri që mund t’i bënte si Koçoja? Jo dhe jo. Po pse? Sepse ai ishte si magjistar. I mblidheshin aktorët ekëngëtarët, që nga Vaçe Zela, Tonin Tërshana, Liljana Kondakçi, Luan Zhegu, Parashqevi Simaku, Aleksandër Gjoka e të tjerë. Nuk mund të gjesh mes aktorëve njeri puntor, iniciator, fantazist si ai. I palodhur dhe i rreptë në punë, por i dashur dhe i respektuar pas punës. Unë bëhem kurioz dhe e pyes: -Koçon e mbaje për vete apo ishte edhe pjesë e familjes?
-Kur jetonim në Lushnje, Koço hynte dhe dilte te ne si në shtëpinë e tij. Bënte humor me Vasilikën,luante me dy djemtë e mi, Zhanin dhe Orestin. Ata qeshnin me lot, sepse ai ishte aktor jo vetëm në skenë, por edhe mes fëmijëve.
-A ka ardhur Koço në Dërmisht?
-Sa herë që shkonim në Sarandë, ngjiteshim në fshat, -thotë Filipi.-Dhe çdo herë që shkonim babai bënte festë. Mamaja gatuante pulën që therte babai. Bënte pita. Mbi tavolinë shtrohej raki e verë. Ndërkohë hapej fjala në fshat.Shkonim në klub, tavolinat plot. Dikush qeraste me një gotë verë, dikush me raki,një tjetër me kafe. Koço bënte humor: tregonte barcaleta. Njerëzit qeshnin me lot. Bënin shaka. Largoheshin të lumtur. Babai mburrej dhe krekosej se kishte mik shtëpije të madhin Koço Devole! Pa ikur mirë nga fshati më pyeste se kur do vinim përsëri… Për dy-tre vjet nuk vimë, ia ktheja unë. U harxhojmë ju dhe fshatin. “Lëri këto! Koçoja bie në shtëpi dhe në fshat humor. Nuk i sheh sa të gëzuar janë njerëzit?!”- më thoshte babai.
-Kam mendimin se humori i madh bëhet vetëm në vatan,-them unë përsëri.-Pse mori arratinë Koçoja përtej oqeanit?!
-Ai iku në Amerikë me familjen në vitin 1998. Kishte arsye. Vendi ishte sketerrë. Bandat qeverisnin vendin. Estradat u mbyllën.Humoristët luani tavëll ose me letra. Bisnesi u tha. Nuk kishte para për sposorizime. Arti nuk bëhet nga shtëpija. Një ditë më mori në telefon dhe më tha: “Filip! Po të ra rruga nga Amerika, të pres në shtëpi.”Pas disa muajsh një biszesmen më pagoi biletat. Na dha edhe ca para xhepie bashkë me gazetarin Genc Tirana hipëm në avion.Vizitën e parë në Nju Jork e bëmë në shtëpinë e Koços. Jetonte në mes të pyllit. Shtëpi e bukur. Pronar ishte dhëndri,djalë i zoti, nga Kosova. Ishte bizesmen. Kishin dy vajza. E pyeta një
ditë Koçon: “Çfarë bën në Amerikë?”
-“Dy vjet më parë jepja koncerte për emigrantë. Qytet më qytet. Bashkë me Pëllumb Kullën, Agim Krajkën, Xhevahir Zenelin, Anita Bitrin etj. Por u lodha. U mërzita,u bezdisa. Tani nuk bëj asgjë. Jetoj si i vdekur. Dal për peshk. Rrallë për gjah. Fle. Ëndërroj për humorin.
-Pse nuk vjen në Tiranë?
-Të tund derën apo të mas rrugët?
-Jo. Hajde të punojmë bashkë në Top Channel!
-Por te Top Channel-i ka zot hauri. Pa ftesën e Tanit, nuk e lë Amerikën”…
-U ktheva në Tiranë. I thashë Tanit: “Sikur të marrim në punë Koço Devolen?!”
-Bën shaka! Ai jeton në Amerikë? Vjen të punojë me ne? Unë e kam adhuruar Koçon që fëmijë. Mes shokëve tregonim batutat e tij. Në çdo kohë derën e Topit e ka të hapur.”
-Pas disa ditëve Koço mbërriti në Tiranë.Biletën e avionit ia preu Tani. Pimë kafe të tre. Më i lumturi ishte Tani.
E pyes Filipin: -“Fiks Fare” në vitet 2000 ishte një risi në televizion dhe në humor. U përshtat Koçoja?
-Ai kishte lindur për të bërë çdo gjë. Bënte skenare. Dilte në skenë. Imitonte, shkruante. Solli në jetë shumë personazhe. Bënte monitorimet me Doktorin, Palomën, Fonin. Improvizonte. Shumë miq e shokë më thoshnin se jam me fat që punoj me Koçon. Kur mungonte ndonjë ditë në ekran, kërciste telefoni:”Ku është Koçoja?!”
-Për arsye të mos arsyes Koço u arrestua në Itali. Politikanët bënë sehir?- e pyes unë dhe Filipi më thotë:
-Përkundrazi. Sali Berisha më thirri në Parlament. Më tha se në Itali kishte mik një avokat të njohur. “Zoti Biondi ka qenë edhe ministër i drejtësisë në qeverinë e Berluskonit. Do flas me avokatin. Ai do bëjë të pamundurën për ta nxjerrë të pafajshëm. Nuk ka mundësi që një humorist kaq i madh si Koço Devole të merret me drogë.” Më thirri edhe Ilir Meta. Në atë mot ishte ministër i Jashtëm. Më tha se do bënin të pamundurën në rrugë diplomatike për Koçon. “Do bëjmë disa shkresa zyrtare ku do të tregojmë se cili është për shqiptarët Koçoja.” Ndërkohë Gjergj Luca dhe Agron Duka u treguan të gatshëm për të ndihmuar Koçon nga ana finaciare.
-Shkove në Itali?
-Po. Dy herë. Së pari me Gjergj Lucën. Koçoja ishte i burgosur në Rimini. Takuam avokatin. Dorëzuan dokumentat. Herën e dytë shkova me një përkthyese. E takuam Koçon në burg. Ishte me humor. “Kam trajtim ekstra,” -tha Koço.-“Biruca ime është si një dhomë në hotel me pesë yje. Bëja humor me karabinierët, por nuk kuptonin. I detyrova të mësojnë shqip. Tani u tregoj dhe qesh vetë. Por unë jam i pafajshëm. Më zunë në një makinë. Unë mbaja në duar, si lodër, një vegël. Nuk e dija çfarë ishte. Na kapën karabinierët. Shtypën një sumbull nga vegla që mbaja unë në dorë, diçka kërciti dhe u hap një kuti me drogë. Por unë isha pasagjer. Nuk
dija gjë. Isha viktimë. Por do dali e vërteta.”U bë gjyqi. U mbyll gjyqi. Koço doli i pastër!Por u trishtova me politikën ditën që Koço Devole u nda nga jeta. Ministria e Kulturës duhet të organizonte homazhe. Po kështu qeveria duhet të hapte sallën e “Pallatit të Kongreseve” për t’i dhënë lamtumirën humoristit të madh. Atë që la mangunt qeveria, e bëra bashkë me Agron Llakën. Folëm me drejtorin e Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe ai dërgoi dy motoçiklistë që shoqëruan kortezhin.
-Të la ndonjë amanet Koçoja?
-Po… Një ditë, si shumë herë të tjera, u ulëm për drekë. Ishim vetëm të dy. Ai më tha se kishte merak djalin dhe mbesën. Djali kishte ardhur nga Italia dhe jetonte bashkë me të. A kishte zanat? Vetëm shofer. Ndërsa mbesa, Sindi,ishte studente në Itali. Çdo muaj i dërgonte 300 euro. I duhej edhe një vit që të mbaronte masterin. Pasi Koçoja u largua nga kjo jetë, e rregulluam djalin shofer në spitalin Gjerman. Më pas takova Sindin. E pyeta se kur e mbaronte masterin. I duheshin edhe katër muaj…E plotësova edhe amanetin e dytë të Koços…
Në fund e pyes Filipin: -E ka pasuruar biografinë tënde Koçoja?
-Kam punuar 42 vjet si gazetar. Kam botuar 10 libra. Kam shkruar qindra artikuj. Le të harrohen të gjitha. Mjafton të mbetet në biografinë time fakti që kam punuar, kam jetuar, kam bashkëpunuar dhe kam bërë humor me Koço Devolen.
Festivali i Këngës në RTSH ka bërë publike datat e edicionit të sivjetshëm. Sipas organizatorëve, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, festivali do të zhvillohet më 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor.
Edicioni i këtij viti do të mbledhë në skenë emra të njohur të muzikës shqiptare. Prej disa javësh është bërë publike edhe lista e këngëtarëve që këtë vit, ku interesi është i lartë, për shkak edhe të Eurovision, ku shkon kënga fituese. Por ndryshe nga vitet e shkuara, këtë herë problem duket se është shndërruar emri i moderatorëve që do ta drejtojnë këtë spektakël përgjatë 4 netëve. Shkak për këtë duket se janë bërë edhe financat e këtij institucioni.
Nga organizatorët është kërkuar që drejtues të ishte Salsano Rrapi, përkrah natyrisht edhe me një moderatore tjetër. Por duket se drejtuesit e RTSH kanë kërkuar që në krye të jenë moderator ekzistues në RTSH, Fjodora Fjora dhe Flori Gjini, duke qenë se këta të fundit nuk do të marrin pagesa të mëdha. Për moderimin krah tij, fillimisht u mendua Jonida Shehu, por duke qenë se festivali synon një “erë rinie”, u propozua Arilena Ara.
Sipas burimeve, bukuroshja mund të kërkojë një shumë të lartë, që mund të jetë e vështirë për televizionin publik, i cili ka hasur vështirësi ekonomike kohët e fundit. Deri më tani ende nuk është vendosur për emrin e moderatorit, por ajo që dihet më siguri, është se emri, cilido që të jetë, nuk do të zgjidhet edhe kaq lehtë. Edhe këtë vit drejtoreshë e Festivalit është Elhaida Dani, e cila ka kërkuar që të ketë në skenë si moderator Salsano Rrapin.
Kujtojmë që më herët, Arbana Osmani dhe Luana Vjollca kishin dorëzuar një projekt për të qenë në krye të këtij programi. Deri më tani emri i asnjërës nuk është përfolur si prezantuese të mundshme. Problemet ekonomike duket se po prekin edhe spektaklit më të rëndësishëm të muzikës, duke bërë që kur mungojnë më pak sesa një muaj nga nisja e Festivalit, ende nuk është vendosur emri i moderatorëve që do të jenë në skenë.
Ajo që është e sigurt, është fakti se këtë vit, në Pallatin e Kongreseve nuk do të shohim as Arbanën e as Luanën, të cilat janë refuzuar si moderatore, pikërisht për shkak të pagesave të larta që kanë kërkuar. Mbetet për t’u parë nëse do të jetë Arilena, apo Fjodora ajo që do të jetë mikpritësja e netëve të muzikës live. Panorama
Ndarja nga jeta e këngëtarit Shpat Kasapi ka prekur publikun dhe artistët shqiptarë kudo në botë. Mes tyre reagoi edhe Bebe Rexha, e cila publikoi në Instastory një video të Shpatit duke kënduar, shoqëruar me një pëllumb dhe flamurin shqiptar.
Edhe pse me karrierë ndërkombëtare, Bebe Rexha mbetet e lidhur me rrënjët shqiptare. Ashtu si Shpat Kasapi, të dy janë me origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Shpat Kasapi u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare pas një ataku kardiak në Itali. I lindur në Tetovë, ai ishte një nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare që nga fillimi i viteve 2000, me hite të shumta dhe një karrierë të dashur për publikun.
Kompozitori dhe producenti Gent Myftaraj ka ndarë emocionet dhe dhimbjen e tij pas ndarjes së papritur nga jeta të këngëtarit dhe mikut të tij të afërt, Shpat Kasapi, i cili u shua një ditë më parë në moshën 40-vjeçare pas një ataku kardiak.
I ftuar në studion e News24, Myftaraj rrëfeu kujtime të forta dhe momente të veçanta nga miqësia dhe bashkëpunimi i tyre shumëvjeçar.
“Shpati u ka dhënë shqiptarëve buzëqeshje në dasma e koncerte me muzikën e tij. Dje, sapo hapja rrjetet sociale, pashë vetëm dashuri për të. Të gjithë kishin një foto me Shpatin. Ai duhet ta shikonte vetë këtë dashuri,” u shpreh Myftaraj. Ai vuri në dukje se këngëtari njihej jo vetëm për hitet e tij, por edhe për thjeshtësinë dhe sjelljet e tij prej njeriu të mirë.
Kompozitori kujtoi edhe fillimet e bashkëpunimit të tyre: “Bashkëpunimi im i parë me Shpatin ishte në Festivalin e Këngës, të dy ishim për herë të parë. Ai e bëri hit këngën time dhe më hapi një dritare të madhe në botën e artistëve. Disa artistë e shikonin me skepticizëm për shkak të stilit të tij të gëzuar, por Shpati këndoi më mirë se 80% e këngëtarëve që ishin aty.”
Myftaraj foli edhe për marrëdhënien e veçantë të Shpatit me nënën e tij, që e shoqëronte kudo: “Nëna e tij është një shembull krenarie për shqiptarët e Maqedonisë. Më vjen shumë keq për të. Ai e kishte gjithmonë pranë.”
Ai rrëfeu se lajmin tragjik e mori teksa ishte në gjumë, nga bashkëshortja që e zgjoi e tronditur. “Më pyesnin nëse ishte e vërtetë. Të shtunën kisha folur me të për një spektakël. Ishte i qetë, flisnim për dietën, për sheqerin që donte ta hiqte. Nuk pati asnjë ankesë shëndetësore.”
Myftaraj tregoi se Shpati e kishte humbur të atin nga i njëjti problem shëndetësor dhe se kjo e kishte ndjekur gjatë gjithë jetës: “I ati i atij ka ndërruar jetë nga e njëjta gjë. Shpati ishte djalë i shëndetshëm, por ndoshta mbante gjëra brenda vetes. Kishte një buzëqeshje të madhe, por mund të ketë pasur shqetësime që nuk i shprehte.”
Në fund, kompozitori përmendi edhe kujdesin e veçantë që bashkëshortja e Shpatit kishte për të: “Ajo e merrte gjithmonë në telefon, kujdesej për të.”
Komentet