Kryeministri Rama i ka kushtuar rreth 10 minuta shpjegime librit ‘The Albanian Files’, në programin javor ‘Flasim’. Një botim të cilin ai e solli vetë në qendër të vëmendjes rreth 20 ditë më parë në një mjedis me gazetarë të BE-së sikurse edhe tani kur po e pohon se ka shkruar vetëm parathënien në të.
A mund të jetë kaq e thjeshtë kjo tërheqje vëmendje?!
Protesta ka shkuar sa kaq në ditën e tridhjetë. Ndaj mund të vlerësohet se përpjekja për vëmendje me anë të kësaj mënyre sikurse edhe mundësia e gjetjes së pikave të dobëta në protestë ka një kërkim të vazhdueshëm nga ana e tij. Nuk është vetëm etiketimi dhe gjetja së personazheve në të, por edhe ushqimi me fakte të reja si tek ‘The Albanian Files’ që po e bën atë. Reagimet mund të sjellin një ashpërsim qëndrimeve dhe i sjelljes së qytetarëve në protestë pasi Rama po ndjek një mënyrë vetë ofrimi “për të marrë goditje”.
Po përse nuk na qenka njësoj edhe si një aventurë për arkitektët dhe studentët shqiptarë në një masë të caktuar ky realizim ëndrrash për vendin e tyre ku ata kanë lindur?
Mos kjo u heq atyre vlerat dhe nuk mund të shihen me atë “përcaktueshmëri” edhe aty ku liria duhet të ekzistojë për talentet dhe profesionistët shqiptarë të fushës?
Këto janë vetëm disa nga çështjet të mprehta që kryeministri u mundua t’i qartësojë gjoja me qetësi dhe pa u hedhur ende në sulm ose pa trazuar as demokracinë dhe as ligjet, por kurrë nuk u ngrit në përgjegjësinë e detyrës. një përgjegjësi që ende nuk e ndjen prej një muaji. Shumëkujt mund t’i kujtohet se është Rama ai që e ka shtuar këtë platformë dhe e ka promovuar në dy vite rresht (2025 dhe 2026), si një “universitet në qiell të hapur” për përfitimet e arkitekturës shqiptare ku disave do t’i vinte ndërmend veprimtaria “Bukë e Zemër”. E thjeshtëzuar deri në atë masë sa me lutje jo vetëm u kërkohej bileta pjesëmarrësve, por ata ishin të lutur gjithashtu që të sillnin edhe shijen. “Some Salt Please”(!), shijen e e kripës e cila kur i mblidhet si kritikë bashkë me faktet në të tilla raste fatkeqësisht i duket “shëllirë” dhe ja prish kryeministrit shijen dhe ai nuk kursehet të hidhet në sulm sepse të tjerët nuk mendojnë si ai, nuk përpiqen si ai dhe nuk kuptojnë sa ai.
A i ka dhënë tani ky libër më shumë fakte protestës apo dalja në treg e ‘The Albanian Files’ mund të ndihmojë edhe në krijimin e një përplasjeje të re konceptesh. Ku e reja dhe e vjetra, e prapambetura dhe modernia do të ndeshen apo edhe të tjera paralele e krahasime mes tyre do të ndikojnë tek perceptimi i publik. Në ato kahje interesash ku vendosen raporte të zhvillimit ekonomik, të pronësisë, të punësimit, tek e bukura dhe shijet estetike publiku ka shumë se çfarë të shprehet pasi problematikës së gjerë i ka munguar transparenca që duhej bërë që në fillesë?
Ndoshta kjo mund të jetë strategjia e zhurmës e zgjedhur nga Rama, megjithëse vet e pohon disa herë se ai ka bërë thjeshtë parathënien e kërkuar të librit.
Termat e përdorura “Inkuizicioni revolucionar”, “Revolucioni Kulturor Kinez” janë huazime mentaliteti dhe një nga nxitjet e konsumuara të pushtetit që u kujton “turmave” djegien e librit/librave.
Pra qetësia e protestës qytetare i ka shpëtuar këtij provokimi nga etiketimet që Rama i gjen dhe që tashmë ja ka vendosur vetes, sepse nuk mund të fitojë mbi frymën e kësaj lëvizje të re. Strategjia e zgjedhur prej kryeministrit nuk funksionon, ashtu sikurse edhe përmbajtja e një letre që ai e sjell dhe i kushton kohë nga autori Reinier de Graaf, është përzgjedhur dhe ka zënë vend në debatin edhe më përpara se vetë ky libër në tërësi të përcillet nga lexuesi.
Dikush do të mund të stepej përgjithësisht edhe nga nxitimi i bërjes së reklamës.
Duke ndjekur argumentet e kryeministrit Rama kur thotë se:-“Unë thjesht kam dhënë aty një kontribut me një tekst parathënës, një tekst parathënës që është patjetër krenari që unë si kryeministër i Shqipërisë të isha i ftuar ta shkruaja dhe që së bashku me gjithë këtë armatë arkitektësh dhe profesionistësh të jashtëzakonshëm të cilët janë pedagogë në universitetet më të mira të botës, ndër të tjera, të cilët thirren për të bërë konferenca mbi arkitekturën për të rejat, për të rinjtë, për të interesuarit dhe paguhen sa qimet e kokës nëpër vende të tjera dhe ka ardhur si një projekt editorial tërësisht i pavarur. Është konceptuar, është kuruar nga Anneke Abhelakh dhe siç thashë janë kontribute të studiove që punojnë në Shqipëri dy dekadat e fundit.”Pra që “thirren për të bërë konferenca mbi arkitekturën” dhe “paguhen sa qimet e kokës nëpër vende të tjera” të merren si një akt bamirësie ose ndriçim i mendjes së kryeministrit, atëherë ky aspekt do thellësisht një sqarim shterues ligjor në Komisionet e Kuvendit. Rregullat janë vendosur ndaj duhen zbatuar. Nuk ka pse ai të vazhdojë dhe të qëndrojë i pa shpjeguar për një veprim i tillë disa vjeçar. Këtu kuptohet fare mirë se marrëdhëniet dhe konflikti i interesit janë shkelur dhe veprimet e këtij lloji që kurrë nuk janë vlerësuar marrin tagrin e një norme që kryhet pa dhënie llogarie në institucionet përkatëse.
Në këtë fragment të bisedës së Ramës në ‘Flasim’ del edhe një detaj tjetër që shpreh një marrëdhënie më të ngushtë mes kryeministrit dhe armatës së arkitektëve:-“…armatë arkitektësh dhe profesionistësh të jashtëzakonshëm të cilët janë pedagogë në universitetet më të mira të botës,…” Këtë vlerësim lidhjeje e jep më tej edhe shprehja e kryeministrit Rama:-“Unë besimplotë dhe i vendosur në fuqinë e arkitekturës”, dhënë për ‘The Observer’ në një artikull me titull ‘The man behind Albania’s architectural revolution’. Autori Rowan Moore kritik i arkitekturës shtron pyetjen :-“Edi Rama, kryeministri i një vendi ish komunist, po transformon mjedisin duke ndërtuar në vendit të tij me ndihmën e një “Armate Shigjetarësh”, por kush po e paguan faturën?
Kjo dhe të tjera afera apo projekte pa transparencë janë ato që lidhen me qëndresën një mujore të protestës qytetare. Media po i bën të dallueshme, por ka një rol të madh në kërkimin e informacionit dhe të fakteve. Pas Ditës së 29, qëndrimet pro dhe kundër për zhvillimet më tej nuk tregojnë se po jepen shenja të kthimit pas veç asaj të forcimit të kërkesës për; “Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit!”.





Komentet