Presidenti Barak Obama nderoi me Medaljen e Lirisë 21 qytetarë amerikanë për merita të veçanta. Mes fituesve të medaljes kishte filantropistë, artistë, shkencëtarë dhe personalitete të angazhuar fuqishëm në çështje sociale. Në fjalën e tij presidenti Obama tha se çdo njëri prej fituesve të medaljes shërben si thërrje për të kujtuar se diversiteti e ka ndihmuar këtë vend dhe e ka bërë Amerikën madhështore.
Presidenti Barak Obama tha se medalja e lirisë nderon idenë se “kushdo në Amerikë mund të ndihmojë për ta bërë këtë vend më të mirë”.
“ Sot nderojmë ata amerikanë të jashtëzakonshëm që na kanë ngritur shpirtin lart, na kanë bashkuar edhe më shumë dhe nxitur drejt progresit”, tha presidenti Obama.
Në ceremoni morën pjesë emra të njohur të botës së spektaklit , sportit, artit, shkencës dhe filantropisë. Ndër ta themeluesit e mikrosoftit Bill dhe Melinda Gates.
Fondacioni që ata drejtojnë ka siguruar 36 milionë dollarë në formë granti për të promovuar shëndetin dhe luftuar urine dhe varfërinë.
Gjithashtu u nderuan të tjerë emra te mëdhenj si basketbollisti Kareem Abdul-Jabbar.
Legjenda e basketbollit, njihet për fjalimet e tij për drejtësi sociale.
“Fizikisht, intelektualisht dhe shpirtërisht Kareem është shumë i veçantë. Një amerikan që ndriçon liritë dhe aspiratat tona” tha presidenti Obama.
Presidenti u dha medalje dhe aktorëve si Tom Hanks, Robert De Niro e Robert Redford si dhe aktivistëve, shkencëtareve, artistëve sikurse arkitektes Maya Lin.
Ajo është projektuesja e monumentit që përkujton veteranët e luftës në Vietnam, vendosur në Uashington.
“Ky monument ka ndryshuar menyrën sesi ne mendojmë për monumentet por edhe çfarë mendojmë për sakrificën, patriotizmin dhe veten tonë” tha presidenti Obama
Komediania dhe aktorja Ellen DeGeneres u përfshi nga emocionet kur mori medaljen.
DeGeneres bëri histori kur deklaroi publikisht orientimin seksual të saj.
Presidenti Obama tha se ndihej i prekur prej çdo njerit që u nderua me medalje. Kjo sipas tij na kujton se diversiteti i vendit ka ndihmuar për ta bërë madhështore Amerikën.
Komentet