Kohët dëshmohen nga trashëgimia kulturore, arti dhe letërsia. Thënë ndryshe, identiteti kulturor hedh dritë në ekzistencën tonë dhe shërben si ushqim e kujtesë për brezat që vijnë. Gjatë diktaturës realiteti fshihej dhe realizmi socialist ishte metoda shterruese e trushplarjes kolektive. Për gjysmë shekulli u krijua një vakuum, sepse nuk u shkrua e përshkrua jeta si jetohej. Ezra Pound thotë se “Letërsia nuk ekziston dot në vakuum, ndërsa shkrimtarët kanë një funksion të definuar social”. Tek ne gjithçka u deformua. U deformuam edhe ne. E, megjithatë, edhe në këtë bunker rrezet e dritës depërtuan. Në Shqipërinë tonë u deformua edhe historia, e cila u fshi, u retushua, u falsifikua dhe u shkrua rrejshëm. Pra, shoqëria shqiptare për gjysmë shekulli jetoi me një histori dhe letërsi të shpërfytyruar, çka ndikoi esencialisht tek e gjithë shoqëria, shkurt u lejfenizuam. Për gjysmë shekulli, nga frika, i humbëm edhe lidhjet me të shkuarën tonë familjare, me rrënjët, pasi këto rrënjë shtriheshin në truallin e një kohe të ndaluar. Ndërsa gjatë tridhjet viteve tranzicion, politika ndikoi në mënyrë rrënuese tek kultura, shoqëria dhe individi. Pa marrë parasysh se arti dhe kultura përbëjnë majën e piramidës, politika i zhvleftësoi duke i trajtuar si anonimat shkrimtarët dhe artistët. Gëte thosh se jeta e një kombi shuhet kur shuhet letërsia. Ne jemi ne fazën e shpopullimit dhe dekulturimit, dmth të tatëpjetës dhe rënies. Lind pyetja: a do të ketë një fund tatëpjeta? Edhe njerëzimi ka patur tatëpjetat e veta dhe, sa më poshtë ka rënë, aq më lart është ngritur. Në kulmin e Mesjetës, në fillim të shekullit XIV, Dante Alighieri shkroi në dialektin fiorentin, që do të shndërrohej më vonë në italishten letrare, Komedinë Hyjnore duke i paraprirë Rilindjes italiane dhe duke i mbijetuar shekujve, pse jo edhe milenarëve. Komedia Hyjnore është një poemë alegorike – didaskalike, që shpërfaq vlerat dhe veset shkatërrimtare të shoqërisë italiane të asaj kohe që Dante, nga egzili përkatësisht u caktonte vendin meritor në parajsë, purgator dhe ferr. Pesë shekuj më vonë, poeti gjerman Heinrich Heine do t’i ngrinte Dantes një statujë me vargjet: “Ti nuk e njeh Ferrin Dantesk/ që me terceta të përvëlon/kur ty atje poeti të vërvit/nuk ka më Zot që të shpëton/. Me këto vargje Heine do të thotë se letērsia e vërtetë ka dy pika rëndese, një në tokë dhe tjetra në Qiell, ka fuqi hyjnore sepse, përputhet e bukura apo e shëmtuara e shprehur në mënyrë të bukurishme, pra vlera estetike dhe e vërteta. Do të ishte Heine të paralajmëronte si profet Holokaustin gati një shekull më parë duke shkruar se “Aty ku digjen librat, në fund fillojnë t’i djegin edhe qëniet njerëzore”. Prandaj Dante kishte zbuluar Ferrin si ndëshkim për mëkatin apo për vetë Mesjetën. E vërteta e takon letërsinë edhe me gazetarinë, njëra e shpreh të vërtetën me art, figuracion, tjetra në mënyrë të thjeshtë, me fakte.
Pra, letërsia nuk është fantazi në vetvete, apo thjesht një vokacion, por është edhe mision, është historia e jetës dhe personazhet jemi vetë ne, lexuesit e saj në kohën e tashme e të shkuar. Dhe atëhere kur nuk jemi më. Letërsia dhe arti i vërtetë mbetet. Boris Pasternak shkruante se “letërsia është arti i zbulimit të së jashtëzakonshmes përmes njerëzve të zakonshëm, ose përmes të thënave të zakonshme zbulohet e jashtëzakonshmja”.
Për shqiptarët, pasi shekujt u kanë dhuruar prova nga më sfidueset, pas tatëpjetash e honesh të prehta, mendoj se ka filluar me mundim ngjitja, kur nga fund-humnera ngrejmë kokën lart dhe shohim dritën, letërsinë, si vegim. Paçka se e fshehur prej ovacioneve të mitingjeve politike, rrezet e dritës do t’i tejkalojnë ulërimat e turmave.
Bëra hyrje të gjatë, të frymëzuar nga sprova të letërsisë së mirë shqipe që kam lexuar këtyre kohëve. Jam dashuruar pas narracionit të romaneve të Luis Sepulvedës që humbi jetën nga Covid dhe jam emocionuar nga mundimi i shkrimtarëve shqiptarë për të krijuar letërsi të denjë estetikisht dhe moralisht, që starton me burgologjinë, me kampet e internimit, me narracionin e vuajtjeve dhe na njeh me atë që na ishte ndaluar ta mësojmë. Hierarkēt e letërsisë shqipe janë, të mbuluar nga mjergulla e pluhurit kaotik prej mungesës së shtetit.
***
Kur flas për letërsi shqipe të mirë kam para sysh edhe romanet e shkrimtares Raimonda Belli Gjençaj. Ata që e kanë lexuar thonë se “mjafton të lexosh rreshtat e parë të librave të saj, e të përpihesh prej tyre, duke mos i hequr nga dora deri sa të mbarosh faqen e fundit.” Kjo është magjia e letërsisë së vërtetë. Të tundon, të tërheq, të bën të vuash, të qash, të qeshesh, të zemërohesh, rebelohesh, të bën të meditosh, të marrësh frymë thellë. Sepse, në fund të fundit, kjo letërsi ka destinacion lexuesin, edhe si personazh, edhe si qytetar, edhe si banor i këtij vendi të vogël me 300 ditë me diell në vit, edhe si banor i këtij rruzulli që e ndjen erën e luftës në Ukrainë dhe nuk i shqitet nga sytë kurmi i mbytur i Aylanit të vogël, i cili e kishte nisur bebe rrugëtimin tragjik të refugjatit, rrugëtim që shqiptarët kanë tri dekada që nuk e ndalin.
Në rrethin e lexuesve të romaneve të Raimonda Belli Gjençaj u përfshiva pas leximit të “Shtatë shpirtërat e Terezës”, historia tregjike e një vajze shqiptare, që dëshironte aq shumë ta kthente jetën në favorin e saj, por e pati të pamundur se kalbësira e shoqërisë shqiptare nuk e lejoi.
Magjia u përsërit edhe me romanin Koha në Mes, por kësaj here autorja ka shkuar më larg dhe më lart. Ajo ka rrëfyer historinë e një familje korçare në gjashtë breza. Ēshtë një narracion epik, kronikë që përshkon tre shekuj apo saga e një familje të madhe, nga ato që po krijonin me përpjekje e stërmundim por ndershmërisht nga brezi në brez, nga errësira e otomanizmit në shtetin e sapokrijuar e me gjymtyrë të cunguar, themelet e forta dhe bazën e kapitalizmit. Por… si një kontrapunkt teatror, përfundon Lufta e Dytë Botërore dhe pushtetin e marrin “çlirimtarët”. Atëherë, jetët e personazheve kthehen përmbys, ashtu edhe klasa që ata përfaqësonin.
Gjithë narracioni është një dramë me klimax, ose dramat shkëmbehen me njëra-tjetrën me kulminacione në rritje.
Historia nis me Simo Lëkurësin, i pari i Familjes Terziu, mjeshtër për regjien e lëkurëve që duhet të ketë lindur aty rreth viteve 1840-45 dhe shkon deri tek Kristi, brezi i gjashtë, i lindur në mes të viteve ’90 deri në ditët tona.
Jeta e familjes Terziu nëpër tre shekuj, tregon vullnetin e paepur të shqiptarëve për t’u bërë, megjithë ndërprerjet. Simo Lëkurësi e nisi të birin Nakon jashtë që ky ta përsoste zanatin e të kthehej sa më i zoti për shtëpi e katandi, për të shërbyer me nder e për të vënë e shtuar pasuri.
Por Nako Bakllamaja në vend se të bëhej mjeshtër për regjien e lëkurëve u kthye një muzikant i shkolluar e i kulturuar që i këndonte serenata Perihanit, një vajze me duar të arta për pe e gjilpërë. Nga martesa e tyre lindi Ludoviku.
Ludoviku trashëgoi talentin e së jëmës, Perihanit. Nako e nisi të birin të shkollohej nëpër sallonet e modës në Itali e Paris. Kur Ludoviku u kthye në Korçë, veç profesionit solli edhe baule plot e përplot me libra të poetëve e filozofëve francezë e italianë. Të dy, nënë e bir, i dhanë nam dhe emēr sallonit të tyre të modës, ku prisnin e qepnin kostume për nuse e dhëndurë, ndërsa i jati Nakoja i binte Bakllamasë e këndonte. Nuk e quanin më kot Korçën, Parisi i vogël.
Nga martesa e Ludovikut me Nasën, mësuese pianoje në shkollën e vashave, lindi Davidi. Edhe Davidin prindërit e nisēn të studionte në Itali për filozofi e histori dhe ai, si i ri antifashist, menjëherë pas zjarrit të Luftës së Dytë Botërore, i edukuar e arsimuar, bëri gjithçka të kthehej në Korçë, në vilën e tyre, ku regjimi i ri tashmë e kishte përmbysur çka të parët dhe prindërit e tij kishin ndërtuar në njëqind vjet.
Koha në Mes është konceptuar me një kompozicion që ndahet sipas kohëve: Prologu, Koha e gjyshërve, Koha e ndërmjetme, Koha e prindërve, Koha e motrave, Koha e turbullirave, Koha pa kohë, Koha e Kristit, që në roman titullohet, Koha ime dhe Në vend të epilogut, dmth autorja e le shtegun e hapur dhe nuk dëshiron ta quajë histori të mbyllur.
Të gjitha kohët në roman përshkohen nga tronditje të thella, por më e forta ishte koha e “çlirimtarëve”, e konfiskimit të pasurive, ku koka të shkonte për hiçmosgjë, kohë që kërkonte përshtatje, t’i shpëtoje tragjedive të sistemit diktatorial, duke jetuar sa më pastër moralisht, kur njeriu tjetër ishte e tjetër i duhej të shtirej, se nuk kish mundësi as ta devijonte fatin e as të kthehej mbrapsht. Dhe ndërsa ndodh kjo kthesë 180 gradëshe, që e përmbys me themel një kohë dhe kur për familjen Terziu shpresat ishin krejt të humbura, si nyje lidhëse apo si një kontrapunkt tjetër nis dashuria e Davidit me Stelën si një sinfoni heroike që i përballoi të gjitha e gjithçka, për hir të familjes, shtëpisë, rrënjëve dhe vazhdimësisë të farës shqiptare. Prindërit e Stelës, ish diplomatë, edhe këta nga klasa e të përmbysurve, arratisen nga Shqipëria, ndërsa Stela që i mohon ata, i bashkohet luftës partizane dhe takohet me Davidin e posakthyer nga Italia në vilën e tij tashmë të shpronësur nga “fitimtarët”. Stela, një vajzë e re, komandante partizane vjen nga familja Floqi, ndërsa Davidi nga familja Terziu, mbiemra shumë të njohur, të cilët autorja i lidh me një dashuri të madhe e të pakufishme nga ato që jetojnë edhe pas jetës. Të dy të rinjtë, bashkë me Ludovikun, janë koshientë se çfarë ka ndodhur, por megjithatë përpiqen të japin më të mirēn e tyre në një regjim të egēr. Qëllimi i tyre është që të vazhdojnë e mbrojnë jetën e familjes dhe birit të tyre Leonit, që lind aty nga 1946.
Shkrimtarja vë përballë realitete dramatike në antitezë të plotë me njëri-tjetrin. Në fund të 1944 rendi i ri që do të vendosej, do të shrrënjoste me themel arritjet e kapitalizmit te sapokrijuar me mund e djersë të shqiptarëve. Gjatë një shekulli familja Lëkursi alias Terziu u kishte krijuar mundësi bijëve të saj brez pas brezi, të shkolloheshin jashte vendit që ata pastaj të ktheheshin më të aftë e të zotë për ta forcuar familjen, zbukuruar jetën dhe bërë Atdheun, Shqipërinë.
Ishin kthyer në Korçën e tyre Nako Bakllamaja, Ludoviku dhe Davidi. Leoni që u lind pas martesës së Davidit me Stelën gjatë diktaturës komuniste, sipas edukatës të familjes, u bë një profesionist i shkëlqyer dhe iu kushtua familjes. Pas martesës me Ninën dhe lindjes së tre fëmijëve, familja e ndërtoi jetën në Tiranë dhe, me ndryshimin e sistemit, Leoni nisi me sukses një biznes frut i iniciativës private. Përveç disa problemeve shendetësore e psikologjike të riparueshme të Ninës, dukej sikur gjithçka po ecte mrekulli. Ndërsa nëna i kërkonte të birit që ta ngrinte edhe katin e tretë në vilën e Tiranës, që tashmë e kishin blerë, ku çdo fëmijë, kur të rritej, të martohej e të jetonte aty, Davidit, Stelës dhe Leonit u doli e gjithë jeta nga duart dhe u zhbë si një lëmsh, kur Nina, bashkë me dy vajzat, njëra studente në mjekësi e tjera sapo kishte nisur adoleshencën, vendosi të largohet nga Shqipëria. Ishin vitet 1999-2000, vite dramatike për shqiptarët, që s’kanë marrë fund. Motivi i largimit të tre pjesëtarēve të familjes ishte takimi i Ninës me familjen e saj, nënēn dhe dy vëllezërit, që e kishin lënë Shqipërinë gjatë eksodit me anije më 1991. Familja kështu u nda, dy vajzat me Ninën, ndërsa Kristi, djali, fëmija i tretë katërvjeçar rritet nga dy gjyshërit në vilën e Korçës e me kujdesin e të jatit. Komunikimet me të jëmën e dy motrat në fillim ishin telefonike e pastaj duke u përfeksionar mjetet e komunikimit në video, por largësia midis tyre mbeti, edhe kur Kristi me të jatin Leon vizituan Francën dhe u takuan me pjesën tjetër të familjes.
Ëndërra e Davidit dhe Stelës, që Leoni ta ngrinte vilën e Tiranës me tre kate, u bë realitet vetëm si ngrehinë, sepse vila mbeti bosh pa zërat dhe të qeshurat e vajzave që e mbushnin shtëpinë. Kur nusja e djalit i mori dy vajzat e iku në Francë për të mos u kthyer më ose për t’u kthyer kush e di kur, atëhere gjyshërit u kapën pas Kristit, si dy të shpëtuar nga anija e mbytur që mbërthehen pas një direku për të dalë në breg. Stela dhe Davidi e rritën nipin e tyre me dashuri të pakufishme për stërgjyshërit, për rrënjët, për shtëpinë. Ishte Davidi dhe Stela që i mësuan Kristit historinë e familjes, brez pas brezi, prej një mijë e tetëqindës, prej Simo Lëkurësit, me foto, me copka gazetash, dokumenta, gjithçka e ruajtur në arkivin e familjes, thesari i paprekshëm, ku historia e brezave tregohej e ritregohej me qëllim që Kristit t’i fiksohej në kujtesë e gjitha, gjithçkaja, sidomos kthimi në shtëpi dhe vazhdimi i krijimit të familjes dhe lindjes aty të fëmijëve.
Romani Koha në Mes nis me arkivin e Terzinjve, të treguar nga Kristi, po aq bukur sa gjyshërit e tij të shtrenjtë, Davidi dhe Stela.
Nga mosha 4 vjeçare Kristi rritet e vazhdon shkollën në vilën e familjes në Korçë, me dashurinë e përkushtimin e Stelës dhe Davidit. Ditën që dha provimet e klasës te nëntë, kur kthehet në shtëpi gjithë shend duke kërkuar gjyshen për ta gëzuar e dhënë lajmin e bukur se kishte përfunduar shkollën me rezultate të shkëlqyera, në shtëpi gjen njerëz dhe e kupton se Stela, gjyshja e tij bukur dhe aq e mirë nuk jeton më. Kalojnë pak muaj e drejt dashurisë së përjetëshme shkon edhe gjyshi David.
Pjesa e fundit e romanit i dedikohet Kristit që përfundon maturën e përgatitet të niset në SHBA për të ndjekur atje studimet. Me largimin nga jeta e Stelës e Davidit, romani bëhet më i ftohtë, kjo edhe prej marrëdhënieve të largëta midis anëtarëve të tjerë të familjes, paçka se Leoni bën gjithçka që ta ruajë familjen, tashmë të shpërndarë, si një shpërbërje.
Pyetja themelore është a do të kthehet Kristi në shtëpi, sikur u kthye gjyshi dhe stërgjyshët e tij? Motrat që i ngjajnë pothuaj si të huaja tashmë janë martuar me djem me kombësi të ndryshme dhe e jetojnë jetën globalisht.
Kjo është pyetja ekzistenciale, ku ndërthehet e gjithë drama e romanit. A a do të kthehet? A do të kthehemi? A do t’i kthejmë bijtë tanë ? Pyetje që ka vlerën e thesarit kombëtar, me 3 milionë shqiptarë të ikur nga vendi në tre dekada tranzicion.
Si fatalitet, edhe Kristi ka vendosur të ikë dhe nga monologjet e tij as ai vetë nuk e di të ardhmen, a do të ngulitet si mijra e mijra bashkëmoshatarë të tij në Perëndim apo do të kthehet ?!
Romani Koha në Mes si zhanër në vetvete është një narracion fiktiv, domethënë personazhet dhe ngjarjet janë pjellë e fantazisë së autores. E veçanta është se ky narracion është autentik, duket si fotografi e kohës ku jetojmë dhe e kohësive që ka përshkuar shoqëria shqiptare. Koha në Mes mund të mendohet lehtë si një roman multizhanër. Aty ka epistolar në formë ditari apo shënimesh, ka memorie, aty ndihet edhe romani historik, sepse tregohen ngjarje që tashmë kanë kaluar gjysmë shekulli, ndihet edhe The novel of manners, pasi narracioni kalon në rivistë përpjekjet e një familje në breza për të krijuar e thelluar edukatën, traditat, zakone e standarde dinjitoze të jetës në një Shqipëri që po fillonte të bëhej, bërje që u ndërpre në mes në mënyrë të egër nga diktatura dhe që po shkon drejt zhbërjes nga tranzicioni.
Romani Koha në Mes është një biografi e shoqërisë sonë, secili prej nesh gjen aty jetën e vet ose të një të afërmi. Autorja është e zhgënjyer nga tranzicioni me përshkallëzimet tragjike pas 1997 e përtej që po i largon shqiptarët nga shtëpitë. Këtë deluzion të madh nga politika autorja e sjell përmes gojës së Davidit e Stelës, dy personazheve kryesorë të romanit, të edukuar e formuar në Itali, të cilët vetë kishin bërë sakrifica të jashtëzakonshme për të mbijetuar duke patur si muzë familjen, për ta mbrojtur që të mos humbasë identitetin e social, në emër të jetës. Sipas Davidit e Stelës kjo që po jetonin shqiptarët në tranzicion nuk ishte demokracia në një shoqëri vlerash.
Koha në Mes krijon impakt tek lexuesi dhe e shtyn të mendojë, sepse është shkruar me dashuri, dhimbje e vërtetësi, çka lexuesi arrin ta perceptojë. Komponentët e Koha në Mes, si të çdo romani, janë personazhët, më të skaliturit Ludoviku, Stela dhe Davidi, subjekti i shtrirë në gjashtë breza, por i fokusuar në tre brezat e fundit, mjedisi ku zhvillohen ngjarjet është Shqipëria nga diktatura në tranzicion, me kulminacione dhe zgjidhje që trondisin. I gjithë romani për nga intensiteti dhe kohët ku parakalojnë personazhet është dramatik, asnjëherë shqiptarët nuk e patën një kohë për ta ndërtuar jetën sipas ëndërrave të tyre ose edhe kur jetën e patën ndërtuar sipas ëndërrave të tyre, sistemi diktatorial dhe tranzicioni ua këputi në mes.
Romanet shkruhen për të treguar, për të ndikuar, për të shkaktuar kënaqësi estetike, por të shkaktuar tronditje, për t’i bërë lexuesit koshientë kur humbin vemendjen prej një apatie dëshpëruese. Koha në Mes i Raimonda Belli Gjençaj meriton të lexohet dhe të vlerësohet nga kritika shqiptare që mjerisht nuk ekziston, duket sikur edhe kritika dhe estetët kanë marrë arratinë, për t’iu lënë vendin eunukëve të politikës.
Koha në Mes, si një dëshmi, si një lutje, si një klithje, të kujton amanetin e Mitrush Kutelit që nuk e tret as dheri kur i porosit bijtë e tij në Letrën Testament që i lë të shoqes pak para se të largohej nga jeta: “Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje.”
Komentet