VOAL

VOAL

Më 30 janar 1948 u vra Mahatma Gandhi – lideri shpirtëror dhe politik i Indisë, frymëzim botëror i lirisë

January 30, 2017

Komentet

Kush është Manfred Weber, njeriu i fuqishëm i BE-së?

AFP

Manfred Weber pa shumë zhurmë është shndërruar në një nga njerëzit më të fuqishëm në skenën politike evropiane.

Pavarësisht se nuk është i njohur shumë nga publiku, politikani gjerman ka një kohë të gjatë që udhëheq subjektin e qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane (PPE), që është grupi më i madh politik në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, ai nuk është aq i panjohur në korridoret e Parlamentit Evropian, ku edhe rivalët që e akuzojnë atë se flirton me ekstremin e djathtë, e pranojnë se ai është “një person me ndikim të madh sa u përket vendimeve”.

Kjo pritet pasi “kam shansin të jem sot” presidenti i partisë më të madhe në Evropë, tha Weberr në një intervistë për AFP.

Ai e shënoi fitoren e fundit të mërkurën e 27 nëntorit, teksa ligjvënësit miratuan Komisionin e ri Evropian të udhëhequr nga Ursula von der Leyen, e cila mori mandatin e dytë në krye të këtij institucioni.

Javë të tëra të kompromiseve politike rezultuan me 27 komisionarët – shumica nga PPE-ja – të kalojnë pa problem në seancat për konfirmimin e tyre.

Kjo u bë pavarësisht kundërshtimit të madh nga e majta dhe qendra për Raffaele Fitton, e partisë së ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë – partia e kryeministres italiane, Giorgia Meloni – të cilit iu besua posti i zëvendëspresidentit të KE-së.

“Për mua kjo është një ditë e mirë”, u tha Weber gazetarëve para votimit në Strasburg.

Fitto argumentoi se ai përfaqëson një krah më të moderuar të së djathtës, e cila kërkon më shumë ballafaqim sesa shmangie.

“Dua që t’i ndaj ata, dua të bëj ndarjen ndërmjet ekstremit të vërtetë të djathtë” gjerman të Alternativës për Gjermaninë (AfD), “konservatorëve të vërtetë” të Marine Le Pen të Francës dhe Viktor Orbanit të Hungarisë, tha ai për AFP-në.

Futja e Melonit dhe AfD-së “në të njëjtin thes, është gabim i madh”, tha ai.

Kjo qasje nuk ka bërë që ai të krijojë shumë miq në mesin e së majtës dhe qendrës, pasi ligjvënësit e kanë akuzuar atë se qëllimshëm përdor gjuhë me dy kuptime ndaj ekstremit të djathtë për përfitime politike.

“Manfred Weber po argëtohet shumë”, tha Manon Aubry nga Franca, bashkëudhëheqëse e të ashtuquajturit Grupi i së Majtës në Parlamentin Evropian, e cila tha se kolegu i saj gjerman po kërkon aleanca nga e majta në të djathtë, varësisht se çfarë interesi ka në ditë të caktuara.

Një ligjvënës në BE që nga viti 2004 dhe udhëheqës i PPE-së që nga viti 2014, Weber për një kohë të gjatë ka punuar për të pasur nivelin e ndikimit që ka tani.

Më 2019, ai tentoi të bëhej president i KE-së, por humbi kundrejt Von der Leyen. Për këtë humbje, disa besojnë se ai ende ka hatërmbetje.

“Ti nuk ulesh këtu… prandaj je i zemëruar”, e talli Orbani atë gjatë një sesioni plenar të mbajtur gjatë këtij viti, duke bërë me gisht drejt karriges së Leyenit.

Por, Weber insiston se kjo humbje i përket së shkuarës.

“Viti 2019 është shumë kohë më parë”, tha Weber, i cili asnjëherë nuk ka mbajtur ndonjë post ministror në Gjermani, por është shprehur se është i lumtur ku është sot.

“Vendimet më të rëndësishme në Evropë sot nuk merren më në kryeqendrat evropiane, por në Bruksel dhe Strasburg”, tha ai.

PPE-ja ka konfirmuar statusin e tij si grupi më i fuqishëm parlamentar pas zgjedhjeve evropiane në qershor, duke fituar 188 nga 720 ulëset – disa ulëse më pak se më 2019.

Por, ndikimi i tij është rritur teksa ekstremi i djathtë dhe e majta kanë humbur, që i kanë lejuar atij të luajë në këta dy krahë politikë.

Inxhinier me profesion, që e paraqet veten si mbrojtës të fermerëve dhe kundërshtar të burokracisë, Weber e rizgjodhi Von der Leyenin në korrik, me mbështetjen e Socialistëve dhe Demokratës, dhe grupit të qendrës, Rilindja.

Por, që atëherë ai është lidhur me grupet e ekstremit të djathtë për të frenuar, mes tjerash, disa politika ambicioze mjedisore të BE-së.

“Ai është personi që ka ndikim në marrjen e vendimeve, është ai që e thotë fjalën e fundit”, tha Marie Toussaint nga të Gjelbrit.

Përbërja e re e plotë e Komisionit u zgjodh edhe me votat nga e majta, qendra dhe e djathta, përfshirë edhe votat e grupit të Melonit.

Weber ishte personi i parë që e përqafoi Von der Leyenin pas votimit.

Weber shpesh preferon që t’i informojë gazetarët përmes takimeve joformale dhe nuk preferon që ata të citojnë deklaratat e tij.

Weber është proevropian, proukrainas dhe e përkrahë sundimin e ligjit. Ai shpesh shihet si “pak liberal” në Bavari, rajonin prej nga vjen, sipas homologut të tij gjerman, Daniel Freund.

“Këtu në Bruksel, ai bën pak të kundërtën e gjithë kësaj”, duke u afruar me ekstremin e djathtë, tha Freund.

Megjithatë, Weber shpërfill kritikat.

Një i krishterë i devotshëm, ai tha se gjen qetësi te feja dhe te bota jashtë institucioneve të BE-së.

“Shkuarja të dielave në kishë, bisedat me miqtë e mi që janë fermerë, që janë zejtarë, që janë njerëz normalë, janë shumë të rëndësishme sepse Brukseli nganjëherë është shumë si një ‘flluskë’”, tha ai.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Ish-kancelarja Merkel nxjerr librin ”Freiheit. Memories 1954-2021”

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel nxori sot në shitje librin me titull “Freiheit. Memories 1954 – 2021” (”Liria. Kujtime 1954-2021”).

Ish-liderja e Unionit Kristian-demokrat (CDU) gjerman do ta prezantojë sot librin në teatrin ”Deutsches”.

Aktiviteti do të jetë i hapur për publikun dhe do të moderohet nga gazetarja Anne Will.

Merkel shkroi kujtimet e saj politike së bashku me këshilltaren e saj politike historike, Beate Baumann.

Sipas botuesit ”Kiepenheuer & Witsch”, libri është afërsisht 700 faqe dhe do të botohet në mbi 30 vende.

Merkel, 70 vjeçe, nuk kandidoi në zgjedhjet federale të vitit 2021 pasi shërbeu si kancelare për 16 vite.

E lindur në qytetin verior gjerman të Hamburgut, ajo u rrit në ish-Gjermaninë Lindore, studioi fizikë dhe u bë politikisht aktive gjatë periudhës së trazirave politike pas rënies së Murit të Berlinit.

Ajo u zgjodh në Bundestag në vitin 1990 dhe shërbeu si ministre për Gratë dhe më vonë si ministre për Mjedisin. bw

Hasan MASURICA, në kodrina të Zarbicës testoi avionin e parë në gjithë Globin!- Nga REFIK HASANI


Hasan Masurica, kreu shkollën e lartë Pedagogjike në Shkup . Punoi gjithë jetën si Mësues i fesë islame në Mejtepin e Zarbicës dhe si Imam i po ksaj gjamie. Qysh si fëmij, në ndeja odash në Zarbicë, Malësi të Bujanocit e më gjërë është dëgjuar rrëfime për imamin, Mësuesin dhe shkenctarin që e konstruktoi ,,Ballanin “,si që e quanin në atë kohë, me të cilin djali i tij, Muharremi fluturoi lart në qiell.

 

Në vitin 1899 Hasan Masurica, duke punuar ditë e natë, me ndihmën e farkatarit të fshatit Zarbicë, ndërtoi aeroplanin e parë pa motor,me të cilin i biri, Muharremi, fluturoi 50 deri në 70 metra. Ai e realizoi këtë projekt 4 vjet para vëllezërve vright (Vilber adhe Orvil Rajt), të cilët e ndërtuan aeroplanin me motor dhe fluturuan në qiell në vitin 1903 nga një kodër e Zarbicës në drejtim fshatit Suharrën e Novosellë.

Muharremi djali i tij u tmerrua nga fluturimi dhe se theu këmbën në atë fluturim,pasi i ati e futi aty dhe litari mbajtës ju lëshua pa kuptuar dhe ballani u ngrit në erë. Fatmirësisht ai ra mbi disa pemë dhe aty e gjetën Muharremin e vogël me këmbë të thyer, dhe tregohet se si i ati megjithëse i dëshpëruar nga gjendja shëndetësore e të birit ,të cilit i lidhi këmbën me këmishën e tij që shqeu atë moment, nga suksesi i shpikjes të tij. Materiali ishte i zgjedhur që u përdore për ndërtimin e këtij avioni nga Hasan Masurica. 

 

Ai ka ndërtuar një Mulli në fshatin e Zarbicë dhe me ndihmën e bashkëfshatarëve ka ndërruar drejtimin e përroit, duke ditur pozicionin e përshtatshëm dhe ky mulli bluante rreth 1000 kg drithë në ditë.

Babëgjyshi im Miftari  ka treguar  se Hasan Masurica ishte i papërtuar, tepër inteligjent, respektohej dhe i dëgjohej fjala. Ai kishte një qoshe pune, një vend në plevicën e shtëpisë së tij, ku ai punonte me vegla primitive. Faktet janë mbledhur nga të dhëna gojore, nga dëshmi okulare dhe nga disa dokumente origjinale të pakta që kanë mbetur nëpër arkiva. Zarbicasit e vjetër tregojn dhe vërtetojn se Hasan Masurica ka jetuar e punuar në Mejtepin e Zarbicës.

                                     Ja se çka zbuloi Hasan Masurica!: 
– Ai ka hartuar kalendarin me të cilin përcakton pozitën dhe rrugën e planeteve në gjithësi që nga viti ‘52 deri në vitin 1952 të erës sonë. Kalendarët e tij kanë impresionuar disa njerëz profesionistë të asaj kohe.
– Që prej vitit 1901 e deri në vitin 1905 Mulla Hasan Masurica konstruktoi pushkët me një, pesë dhe njëzet e pesë fishekë dhe demonstroi funksionimin e tyre para Sulltan Abdyl Hamidit në Stamboll në vitin 1905.

Hasan Masurica që përveq që ishte Imam deri në vdekje për Zarbicë dhe Malësi, posedonte edhe një punëtori të vetën, duke ju ndihmuar fshatarëve të Malësisë, kryente edhe punën Mësuesit të fesë në Mejtepin e Zarbicës. Për në fund të këtij shkrimi fare të shkurtër, për inovatorin dhe shkenctarin që dy gjëra i bëri, se mbronte shqiptarizmin e mbajti me epitet mbiemrin Masurica e Sangjakut të Nishit prej nga ishte edhe i lindur i ati i tij dhe nuk dëshiroi që patenta e tij përë zbulimin e pushkës me një, pesë dhe njëzetë e pesë fishek ti jepet ushtrisë së Perandorisë Osmane për vrasjen e shqiptarëve.

*Autori është Refik Hasani,nga Zarbica e Bujanocit.

Më 13 nëntor 1850 lindi Robert Louis Stevenson, shkrimtari jashtëzakonisht i gjithanshëm skocez

VOAL- I lindur në Edinburg, Skoci, më 13 nëntor 1850, pas një rinie rebele dhe në polemika me të atin dhe me puritanizmin borgjez të mjedisit të tij, ai studioi drejtësi, u bë avokat, por nuk e ushtroi kurrë këtë profesion. Më 1874 simptomat e sëmundjes së mushkërive që e kishin prekur gjatë fëmijërisë u bënë më serioze; fillon një seri qëndrimesh shëruese në Francë. Këtu Stevenson takohet me Fanny Osbourne, amerikane, dhjetë vjet më e madhe se ai, e divorcuar dhe nënë e dy fëmijëve. Lindja e marrëdhënies së tij me Fanny-n përkon me fillimin e angazhimit të tij me kohë të plotë si shkrimtar. Nuk kalon shumë kohë dhe Stevenson ka mundësinë të publikojë tregimet e tij të para.

Krahas tregimeve të ndryshme filloi të shkruajë edhe ese dhe poezi për periodikë të ndryshëm. Ai boton libra të zhanreve të ndryshme, duke përfshirë “Një udhëtim në brendësi, 1878) dhe “Udhëtim me një gomar në Cevennes, 1879), koleksionin e artikujve filozofikë dhe letrarë ” Për vajzat dhe djemtë” (Virginibus puerisque, 1881) dhe përmbledhja me tregime “Netët e reja arabe” (1882). Në 1879 ai arriti Fanny në Kaliforni, ku ajo ishte kthyer për të marrë një divorc. Të dy martohen dhe kthehen së bashku në Edinburg.

Fama e tij erdhi papritur me “Ishullin e thesarit” (1883), libri i tij më i popullarizuar edhe sot: në njëfarë kuptimi, me romanin e tij Stevenson i dha jetë një rinovimi të vërtetë të traditës së romanit aventuresk. Stevenson konsiderohet si një nga eksponentët kryesorë të asaj lëvizjeje komplekse letrare që reagoi ndaj natyralizmit dhe pozitivizmit. Origjinalitetin e rrëfimit të tij e jep ekuilibri mes fantazisë dhe stilit të qartë, preciz, nervoz.

Më 1886 u botua “Rasti i çuditshëm i Dr Jekyll dhe zotit Hyde”. Edhe ky titull kontribuon – dhe jo pak – për të ngulitur emrin e Robert Louis Stevenson në historinë e trillimeve të mëdha botërore të shekullit të 18.

Rrëfimi i një rasti të personalitetit të ndarë merr një vlerë të fuqishme alegorike, duke ndriçuar forcat e së mirës dhe të së keqes të pranishme në natyrën njerëzore. Historia është shumë e famshme, objekt i një numri të konsiderueshëm adaptimesh dhe zhvillimesh filmike.

Në të njëjtin vit, Stevenson botoi “Kid napped”, të cilin autori e ndoqi në 1893 me “Catriona” (1893).

“Shigjeta e zezë” është e vitit 1888. Në “Mjeshtri i Ballantrae” (1889) tema e tërheqjes fatale të së keqes përfaqësohet me mjeshtëri në historinë e urrejtjes midis dy vëllezërve skocezë.

Ai arriti një mirëqenie të arsyeshme ekonomike, megjithatë shëndeti i tij i dobët dhe tërheqja ndaj aventurave e shtynë atë të largohej përgjithmonë nga Evropa në kërkim të një klime më të butë. Në vitin 1888, pas një ndalese të shkurtër në Nju Jork, ai u nis për në Perëndim dhe më pas, së bashku me familjen e tij, drejt Paqësorit Jugor. Ai u vendos në ishujt Samoa duke filluar nga viti 1891. Këtu ai kaloi një jetë të qetë, duke punuar deri në ditën e vdekjes, i rrethuar nga dashuria dhe respekti i vendasve, të cilët në disa raste pati mundësinë t’i mbronte nga ngacmimet e të bardhëve. .

Tregimet “Argëtimet e netëve të ishullit” (1893) dhe “Nei seas del Sud” (Në detet e jugut, 1896) janë të një mjedisi polinezian. Dy romane të papërfunduara u botuan pas vdekjes, “Weir of Hermiston” (1896), një nga veprat e tij më të vlefshme dhe “Saint Yves” (1898).

Një artist jashtëzakonisht i gjithanshëm, në karrierën e tij Stevenson trajtoi zhanret letrare më të ndryshme, nga poezia në një lloj romani detektiv, nga romani historik te përralla ekzotike. Thelbi i punës së tij është morali. Duke shfrytëzuar lirinë narrative të lejuar nga tregimi fantazi dhe romani aventure, Stevenson shpreh ide, probleme dhe konflikte me një formë shumë sugjestive mitiko-simbolike, duke i projektuar personazhet, ashtu si lexuesi, në rrethanat më të pazakonta dhe të papritura.

Robert Louis Stevenson vdiq në Upolu, Samoa, më 3 dhjetor 1894./Elida Buçpapaj

Fundi tragjik i lidhjes së dashurisë mes Sami Frashërit dhe aktores Mari Karyan! Historia e panjohur e dijetarit shqiptar

“Armenia e re, nuk mundi ta harronte Shemsedin Samiun, duke u kthyer kështu në Stamboll, më 1882 dhe duke iu dorëzuar në duart e tij e, do të priste një fëmijë nga kjo lidhje, por…”! –

******

Shemsedin Samiu apo Sami Frasheri, siç rendomë, njihet ndër shqiptarë, ishte figura qendrore e Rilindjes Kombëtare, dhe nga shumëkush  merret edhe si babai dhe ideologu i nacionalizmit shqiptar! Duke jetuar dhe vepruar në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, me veprën dhe te bëmat e tij, dimensioni i Samiut tejkalon atë shqiptar, duke marrë kështu përmasa perandorake.

Si një poliglot i vërtet që ishte, botoi e përktheu shume vepra në gjuhë të ndryshme, duke lënë kështu gjurmë të pashlyera në historinë e dy popujve, shqiptar dhe atij turk. Me përmasat e një alimi, Samiu do të zinte një vend qendror në mesin e modernistëve myslimanë të shekullit XIX.

Edhe pse një figure shumëdimensionale, për lexuesin shqiptar Shemsedin Samiu, ende mbetet i pa eksploruar ne tërësinë e tij, duke u njohur vetëm në konturat e ideologjisë së nacionalizmit. Përmes arkivave dhe bibliotekave të Stambollit, bëhet i mundur një udhëtim në kohë, në Stambollin e asaj kohe, në gjurmët e Samiut, në përditshmërinë dhe botën e tij të brendshme…! gsh

Prof Dr Hektor Çoçoli me fat ai që e ka mjek e pedagog Nga Agron SEJAMINI

                 Tropoja në dimër

Nuk është titulli ynë. Është ndjesia që shprehin pacientët që janë mjekuar nga doktor Hektori dhe studentët e mjekësisë që e kanë pedagog. Më shumë se ata dy numra lakmitarë me nga 40 e ca vite për secilin pozicion, kanë qenë virtytet e karakterit të tij të përsosur që e kanë renditur në emrat më të shquar të historisë së mjekësisë shqiptare. Mjafton të kujtojmë se mbi 30 vjet, ka qenë krahu i djathtë i “babait të pneumologjisë shqiptare”, të madhit Prof.dr. Shefqet Ndroqi. Të rrije pranë atij njeriu vetëm mirësi do të ndieje dhe përfitoje. Një mjek që shënoi epokë në fushën e tij, në saj të përkushtimit dhe aftësive profesionale. Po aq i madhërishëm doktor Ndroqi edhe si njeri me shpirt të madh dhe të ndjeshëm. Edhe ditën e dasmës, iku në sanatorium për t’i ardhur në ndihmë pacientit që kishte ardhur në urgjencë. E nëse atë ditë të shënuar la nusen, pas disa vitesh do të linte dy gishtërinjtë e tij, pasojë e dëmtimit nga rrezet rengen prej radioskopive të pafundme në luftë me turbekulozin dhe tifon. Pas këtyre humbjeve fitoi madhështinë e emrin që nuk do të harrohet, por dhe një brez mjekësh të denjë për ta prezantuar veten si punonjës të Spitalit Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Më i spikaturi mes tyre është doktor Hektori. Dhe kush ecën në gjurmët e më të mirit, mirësia ka për ta ndjekur. Bëri çmos të merrte sa më shumë nga doktor Ndroqi, në aspektin profesional dhe shpirtëror. Nuk ishte e lehtë të zëvendësoje atë njeri dhe mjek të madh. Ky institucion mjekësor ishte bërë shumë i rëndësishëm dhe i njohur. Vetë përhapja dhe pasojat e sëmundjeve të mushkërive kërkonte disiplinë dhe aftësi profesionale. E kush më shumë se Hektori duhej të ndiente peshën e kësaj përgjegjësie dhe besimi. Gjithçka në shërbim të shëndetit të njerëzve të prekur nga këto sëmundje. Një staf i përgatitur dhe i pasionuar për pofilaksinë, diagnostifikimin dhe trajtimin e turbekulozit. Doktor Hektorit i duhej të bënte mjekun, por edhe drejtuesin e këtij stafi mjekësor. Të gjithë ata që kanë punuar me të, kujtojnë komunikimin e ngrohtë dhe thjeshtësinë e shefit të tyre. Por nuk harrojnë as ashpërsinë dhe qëndrimin e tij të prerë nëse vërente dobësi dhe gabime në punë. Në një rast që ai na i kujton vetë, edhe pse kanë kaluar vite, përsëri nuk ndien pishman për masën ndëshkuese që i dha një infermiereje.

Kishte tre-katër ditë që një pacient ishte në gjendje të rënduar dhe me temperaturë të lartë. Edhe me mjekimet e dhëna akoma nuk po dominohej situata. Netë pa gjumë të mjekëve në ato konsulta të gjata ku kërkoheshin arsyet e keqësimit. Lodhje dhe stërmundim kur shkaku ishte shumë i thjeshtë. Infermierja nuk i kishte dhënë pacientit antibiotikun kryesor që i kishin caktuar mjekët. Kjo për arsyen se ai medikament mungonte ato ditë në farmacinë e spitalit. Edhe pse detyra e infermieres ishte që ta ndiqte dhe jo ta gjente atë ilaç, ajo heshti. Heshtje që vuri në tension gjithë stafin e mjekëve dhe mbi të gjitha, në rrezik jetën e pacientit. Nuk u mendua dy herë shefi i shërbimit, doktor Hektori, që të propozonte largimin nga puna të infermieres. Pas këtij rasti, në stafin e shërbimit u shtua edhe më shumë përkushtimi dhe përgjegjësia. Jo rrallë, ndodh që nuk ke mundësi të shpëtosh një jetë njeriu, por ama kur është mundësia nuk të falet të bëhesh aleat me vdekjen. Por jo se i ka shpëtuar edhe këtij emocioni të padëshirueshëm. Çdo rast të humbjes së jetës, edhe pse nuk është për faj të tij, quhet dështim. Por doktor Hektori i ka ndierë më shumë se sa duhet. Madje, kjo është edhe pika më e dobët e tij. Një mjek nuk duhet të përjetojë, por të jetojë me diagnozën e të sëmurit. Por ja që ai në këtë ndjeshmëri, mbase shkon edhe më tej se ata. Kanë kaluar mbi dhjetë vjet dhe ende përjeton me emocion të fuqishëm një rast tragjik. E kuptoi diagnozën e atij djaloshi 20-vjeçar fatkeq, por nuk gjente forca t’i përgjigjej asaj nëne që në përlotjet e çdo dite, i lutej:

-Aman doktor! Më thuaj çdo gjë, vetëm mos më thuaj se ka sëmundje të keqe, se e kam djalë të vetëm!

Më e vështirë se sa ajo luftë që bënte me sëmundjen, i dukej përgjigjja e kësaj lutje nëne.

– Sëmundja është e rëndë, por ne do të bëjmë të pamundurën…, – mezi shqiptonte doktor Hektori.

U përkushtuan dhe u angazhuan natë e ditë i gjithë stafi në atë betejë që e dinin se e kishin të humbur. Një kujdes mjekësor që nuk u zvenit në shpirtin e asaj nëne të plagosur aq rëndë. Kështu, një ditë ndërsa kthehej nga puna, edhe pse u mundua t’i shmangej, ajo nënë dëshironte të takohej me doktor Hektorin. I shprehu mirënjohjen për atë çka kishin bërë për djalin e saj fatkeq. E sikur të çmallej me një relike të djalit të vet, puth duart e doktorit. I prekur tej mase, doktori e fton të ulen dhe të pijnë një kafe. Më tepër edhe për të ngushëlluar zemrën e asaj nëne. Por u çua nga ajo kafe edhe më i dëshpëruar, kur mësoi se para dy vjetësh ajo kishte humbur edhe bashkëshortin. Burrë e grua ishin rritur në shtëpinë e fëmijës dhe gëzimin më të madh në jetë kishin atë djalë… Me ditë të tëra përjetoi doktor Hektori shqetësimet e asaj fatkeqësie. Diçka jo e mirë, për një mjek që duhet të jetësa më i qetë dhe i ftohtë përballë të tilla emocionesh. Ndryshe, do të jetë më i dobët në përballjen me betejën e radhës… Por ama, edhe kjo e keqe dëshmon për karakterin dhe virtytet e larta njerëzore të doktor Hektorit, jo vetëm si mjek, por edhe si pedagog. Janë me dhjetëra studentët që kanë përfituar maksimumin e lëndës së sëmundjeve të mushkërive. I veçantë ky mjek i shquar edhe në mësimdhënie. Nuk kanë për të harruar studentët ditët e para të komunikimit me të. Pasionant, i rrjedhshëm dhe i qartë në ligjëratë e nis leksionin me postulatin: “Asgjë nuk kushton aq pak dhe nuk çmohet aq shumë sa sjellja e mirë!”, sepse mjeku nuk i takon vetes, por të tjerëve. Kush nuk mund të realizojë këtë kusht, është në kohën e duhur për t’i dhënë jetës një drejtim tjetër. Pasi u ka bërë testimin e parë shpirtëror, nuk vonon dhe u citon katër vargjet e popullit që i shërbejnë po shëndetit të popullit.

O more njeri me mend!

Mos e kërko në çdo vend,

Provoje në trupin tënd,

Si të dhemb, ashtu më dhemb!

E ku ka më mirë se të përdorësh mençurinë e popullit, në ngulitjen dhe përsosjen e virtyteve humane dhe njerëzore aq të domosdoshme për profesionin e mjekut. Është këndvështrimi dhe metoda që ndjek një pedagog kaq i suksesshëm, siç është doktor Hektori. Ndoshta është momenti për të dëshmuar edhe faktin tjetër, se në bibliotekën e tij prekëm edhe tre libra voluminozë me arritje dhe informacion të mjekësisë botërore për sëmundjet e mushkërive, botime të vitit 2009. Ndryshe nuk do të ishte aq i vlerësuar dhe i dëshiruar nga studentët e mjekësisë. Nuk ndjehet mirë kur shikon se shumica e tyre tymosin cigare, atë armik kryesor që shkakton edhe sëmundjet e mushkërive. Nuk i lodh apo mërzisë, duke u cituar rreshtat që janë shkruar me gërma kapitale edhe në paketat e cigareve. “Humbet” një orë mësimi dhe i shëtit studentët nëpër dhomat e pacientëve, duke i pyetur se sa prej tyre e pijnë duhanin. Vetë llogaria përfundimtare, u jep përgjigjen tronditëse se mesatarisht në 100 veta të prekur nga kjo sëmundjet e mushkërive, 97 pinë cigare.

Një llogari që na kujton një debat të zhvilluar mes mjekësh të shquar në Edinburg të Skocisë. Me siguri që të gjithë studentët e doktor Hektorit do të ndjeheshin krenar për pedagogun e tyre. Këtë kongres botëror mbi “Kontrollin e turbekulozit në shekullin XXI” e drejtonte doktori i shquar John Crofton, personaliteti më i shquar botëror në fushën e sëmundjeve të turbekulozit. Sapo kishte referuar doktor Hektori studimin me temë: “Gjendja epidemologjike aktuale për turbekulozin në Shqipëri”. Për të përgatitur këtë material ishte bërë një punë parapërgatitore voluminoze. Një grup mjekësh kishte bërë depistimin në gjithë vendin tonë. Ishin vizituar mijëra njerëz, prej të cilëve u gjetën 700 të sëmurë me turbekuloz. Ende pa u larguar nga podiumi doktor Hektori, çohet nga salla një mjek zviceran që kishte referuar pak orë më parë për modelet matematikore që mund të përdoren për vlerësimin e gjendjes me një numër më të vogël pacientësh. Çka do të thoshte kohë më e shkurtër pa e cënuar saktësinë e studimit. Me sa duket, emri pak i njohur i Shqipërisë, serioziteti dhe personaliteti i shfaqur nga mjeku shqiptar, kishte ngacmuar egon e sëmurë të kolegut, për të bërë pyetjen:

-Ku e bazoni ju saktësinë e të dhënave për të cilat ju referuat?

Pa humbur qetësinë dhe pa u menduar, doktor Hektori edhe pse kishte ndier ligësinë e pyetjes, përgjigjet:

-Duke mos vënë në dyshim saktësinë e përdorimit të modeleve matematikore për studimin që ju referuat, të dhënat e studimit tim saktësinë e bazojnë në ekzaminimin mjekësor të të gjithë pacientëve…

E si për të mos mjaftuar kjo shuplakë ndërhyn edhe drejtuesi i Kongresit, sër Crofton, duke e bërë të pavlefshme pyetjen e mjekut zviceran:

– Doktor Hektori nga Shqipëria, ka të drejtë!

Para disa muajsh, doktor Hektori, u shpall “Qytetar Nderi i Tropojës”. Nuk janë pak vlerësimet dhe titujt që atij i janë akorduar, por ky i fundit i ngjalli emocion të fuqishëm. Një mirënjohje e merituar që i rrizgjoi kujtimet e viteve 1960-1965 kur shërbeu si mjek në Tropojë. Pasi mbaroi me rezultate të shkëlqyera Fakultetin e Mjekësisë, shpresonte se do të emërohej në kryeqytet. Nuk u dëshpërua që iku në veriun ekstrem të Shqipërisë, por edhe të lehtë nuk e pati. Përfytyroni një djalosh 21-vjeçar që del për herë të parë nga Tirana dhe përfundon në Tropojë. Sapo kishte mbaruar specializimin njëvjeçar me doktor Ndroqin. Zonat veriore ishin më të prekura me sëmundjet e mushkërive, për arsye edhe të temperaturave të ulëta. Vetëm një mjek gjeti në Bajram Curr. Detyrimisht që nevoja e bëri të shërbente edhe si patollog, gjinekollog, pediatër etj. Çmon faktin që atje gjeti një personel mjekësor të përgatitur dhe të përkushtuar për punën. Akoma më me fat e quan veten që njohu një njeri të mrekullueshëm, të lindur për humor, siç është mjeshtri Ali Mula. Njohja me të ia bëri edhe më të lehtë kryerjen e detyrës së mjekut, por edhe të përshtatjes me banorët mikpritës dhe shumë të kulturuar. Kjo mirënjohje e veçantë që shkon për mikun e tij të respektuar bën që t’ja falë edhe atë “prezantim” torturues si mjek….

I vendosur përballë një aparati të vjetër skopie, fton pacientin e parë. Shikon që zemra e tij ishte në krahun e djathtë. I bën përshtypje, por jo se befasohet, pasi e dinte që në 10 000 banorë ndodh një anomali e tillë. Mbaron punë dhe fton para aparatit qytetarin e dytë. Fshin sytë, por nuk i largohet e njëjta pamje. Edhe ky zemrën e kishte në krahun e djathtë. Të paktën dhe për një arsye tjetër kjo që po i ndodhte nuk duhej të ishte e pranueshme. I kishin thënë që rrethi i Tropojës kishte rreth 11 mijë banorë. Kjo anomali që po shikonte në aparatin e skopisë, do të thoshte se numri i banorëve duhej të ishte mbi 20 mijë banorë. Nuk e jep veten dhe vazhdon punën. Para aparatit i shfaqet trupi i pacientit të tretë. Dhe përsëri, zemra në krahun e djathtë. I tronditur, heq këmbën nga pedali i aparatit që mbante dritën fikur dhe çohet menjëherë në këmbë. Shikon qytetarin që ishte vendosur me shpinë dhe jo siç duhej me fytyrë nga aparati. Nuk përmbahet dhe ngre zërin, duke i treguar se si duhej qëndruar. Ndërkohë edhe dy të tjerët që ishin duke u veshur i thonë se edhe ne kështu kemi hyrë aty, o doktor.

-Hyfshi dhe mos dalshi më! – u lëshoi mallkimin pa shpirt, por me zë të lartë dhe doli nga dhoma.

Por ditët, muajt dhe vitet në vazhdim e bënë doktor Hektorin njeriun më të dashur të asaj treve. Me vrullin djaloshar, pasionin për profesionin dhe dëshirën për të ndihmuar këta njerëz të dashur, por të zhytur në varfëri, nuk la fshat e shtëpi pa hyrë. I qëllonte që të ecte në këmbë ditën apo natën edhe 12 orë pa pushim. Nuk e harron atë përkujdesje dhe dashuri që tregonin për të si të ishte i shenjtë. Edhe sot kujton kur lëvizte në ditë me borë, para tij borën e hapnin dy njerëz të tjerë për t’ja bërë sa më të lehtë udhëtimin. E si të mos u shërbeje dhe ndodheshe pranë këtyre njerëzve në raste urgjente. Edhe sot në shtëpinë e doktor Hektorit trokasin miqtë e vjetër tropojanë. Kush për hall e kush për ta përshëndetur për të mirat e bëra në ato vite dhe në vazhdim, sepse doktor Hektori duke zbuluar dhe bllokuar të gjitha vatrat e infeksionit në Tropojë, hapi për gjithë jetën dyert e shpirtit dhe u bë mysafir i përjetshëm dhe i mirëpritur në çdo vatër tropojane…

Shikon këtë fotografi të çiftit Çoçoli dhe kushdo dallon se Lirika është më rinore. Por po të hysh në shpirtin e doktor Hektorit, këtë hijeshi dhe bukuri e gjen të shumëfishuar… Aq sa shpirti i tij, ndjehet disa vjet edhe më i ri se bashkëshortja e tij. Jo më kot e quan si një nga mbështetëset dhe frymëzueset e karrierës së tij të suksesshme. Një jetë e gëzuar mes harmonisë dhe mirëkuptimit, dashurisë dhe bashkëpunimit. Edhe sot janë po aq të dashuruar dhe të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit, si dikur në sallën e Bibliotekës Kombëtare. Hektori përgatitej për temën e Doktoraturës, ndërsa Lirika studionte për provimet e sezonit. Më shumë se sa tek studimi, e kishin mendjen kur do të vinte pushimi që i bashkonte te koridori. Vërtetë kishin diferencë në moshë, por humori dhe natyra gazmore e Hektorit e bënë për vete menjëherë atë bukuroshe. Sepse edhe tek dashuria më shpejt dhe më sigurtë se çdo gjë, të çon mençuria. Rrjedhshmëria në të folur, çiltërsia dhe komunikimi elegant ia lehtësuan shumë fitimin e betejës atij djaloshi simpatik. Po me barcaletë e nisi dhe e bitisi propozimin. Ishte duke i treguar historinë e një personi që kishte rënë në dashuri me një studente që ai kishte pranë. Ia tregoi aq bukur sa edhe ajo vetë nuk po kuptonte se për kë po binin ato këmbana… Pas heshtjes së tij që priste reagimin e saj, kuptoi se ajo ishte studentja dhe ai personi i dashuruar. E pse duhej vështirësuar më shumë ai propozim kur përgjigjja e secilit prej tyre ishte dhënë prej kohësh nga zemrat e tyre?

-Tek Hektori gjeta jo vetëm njeriun me humor të veçantë, por njeriun e përkushtuar ndaj familjes së tij. Një admirues i zjarrtë i leximit, historisë, gjeografisë, arkitekturës, pikturës, muzikës, udhëtimeve… Është e lehtë të jetohet me Hektorin si bashkëshort sepse jetën ta bën të bukur jo vetëm duke u përshtatur me dëshirat e mija, por e pasuron me intelektin dhe natyrën e tij gazmore…

Nuk ka ç’i duhen më shumë se sa kaq një femre për ta ndier veten mirë dhe të sigurtë, në një jetë të lumtur bashkëshortore.

E dëshmon këtë vetë jeta e tyre, e dëshmon edhe kjo fotografi që shpalos hijshëm gëzimin dhe buzëqeshjen e tyre të përditshme…

AKTIVITETI I PUNËS:

1960 Diplomohet: “Mjek” nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Tiranës.

1980 “Kandidat i Shkencave Mjekësore”, në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë,

1983 “Docent” (titull i barasvlefshëm me Prof.Ass), në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë.

1993 “Doktor i Shkencave Mjekësore”,

1994 “Profesor”, Universiteti i Tiranës,

2007 Profesor, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit privat “KRISTAL”

2008 “Profesor Emeritus”

2009 Përshkruhet biografi e shkurtër në Enciklopedinë Shqiptare, botuar në Tiranë, 2009.

Aktiviteti Shkencor:

Ka marrë pjesë aktive në shumë konferenca, simpoziume, kongrese mjekësore si brenda shtetit ashtu dhe jashtë shtetit.

Jashtë Shqipërisë:

Prishtinë (Kosovë)

Ulqin (Mali i Zi)

Shkup (Maqedoni)

Bukuresht (Rumani)

Constanca ( ” “)

Varna (Bullgari)

Athinë (Greqi)

Janinë ( ” “)

Lubljanë (Slloveni)

Ankara (Turqi)

Budapest (Hungari)

Salzburg (Austria)

Rome (Itali)

Palermo (Itali)

Paris (France)

Nicë ( ” “)

Moskë (Rusi

Mainz (Gjermani

Essen ( ” “)

Fraiburg ( ” “)

Edinburg (Skoci)

Londër (Angli)

Wolfheze (Hollandë)

Seattle (ShBA)

Teheran (Iran)

Tunis (Tunizi)

Lome (Togo)

Ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet shkencore të zhvilluara në Shqipëri, për problemet e sëmundjeve të mushkërive dhe sidomos për ato të tuberkulozit, të zhvilluara në Tiranë apo në qytetet e tjera të vendit; në konferencat e organizuara me mjekë të huaj; në konferencat mjekësore te organizuara nga specialitetet e tjera ku ka diskutuar për problemet e sëmundjeve të mushkërive. Ka botuar studime të shumta: monografi, tekste mësimore, libra për probleme të tuberkulozit dhe sëmundjeve të mushkërive, artikuj shkencore etj. Botimet janë bërë në Shqipëri dhe në disa revista të huaja.

Agron Sejamini

 

27.08. 2009

https://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=SHQIPTAR%C3%8BT&article=2873

Kamala Harris dhe babai i saj

Thyerja me Kamalën është shumë e thellë, dhimbshme dhe nis me divorcin nga gruaja e tij. Por tani 85-vjeçari i ka ofruar këshilla vajzës së tij

Në vjeshtën e vitit 1962, Universiteti Kalifornian i Berkeley-t ishte tashmë kryeqyteti i protestave të studentëve për të drejtat civile me demonstrata në sheshin “Sproul”, në zemër të kampusit.

Shyamala Gopalan, një studente indiane e endokrinologjisë, ishte magjepsur nga një fjalim mbi pabarazitë sociale të mbajtur në një takim nga Donald Harris, një ekonomist i ri xhamajkan që ishte gati të merrte doktoraturën.

Të dy diskutuan për një kohë të gjatë dhe u takuan përsëri disa herë. Pasioni civil u bë një lidhje romantike: në vitin 1963 ata u martuan dhe një vit më vonë lindi Kamala.

Në rrëfimet e jetës së saj, kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë, përmend shumë shpesh nënën e saj: një studiuese, e cila u nda nga jeta në vitin 2009, e cila ia kushtoi jetën luftës kundër kancerit.

Megjithatë, figura e babait krejtësisht mungon, me përjashtim të një përmendjeje të shkurtër në fjalimin investitor në konventën e Demokratëve në Çikago, pavarësisht se Donald Harris ka kaluar dekada duke studiuar pabarazitë sociale, një temë qendrore për një udhëheqës politik demokrat.

Dhe megjithëse, siç zbuloi gazeta “New York Times”, 85-vjeçari tashmë ish-mësues, ende me shëndet të shkëlqyer, jeton tre kilometra larg rezidencës së zëvendëspresidentes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që shpesh udhëton rreth Uashingtonit me makinën tip Chevrolet-Corvette të tij të argjendtë, të dy nuk dëgjohen pothuajse kurrë dhe nuk janë takuar kurrë në vitet e fundit.

Përjashtimi i vetëm ishte një darkë në Uashington në vitin 2016, kur Kamala u zgjodh senatore nga Kalifornia.

Është shkruar se Harris e mban të atin në distancë, sepse Donald Trump e përshkruan atë në mitingjet elektorale si një ekonomist marksist që indoktrinoi Kamalën.

Por ai, pavarësisht se kishte kritikuar ekonominë klasike nga e majta dhe kishte studiuar punën e Marksit, si dhe të shumë ekonomistëve të tjerë, nga Keynes te Sraffa, nuk ishte kurrë një marksist.

Historia e ndarjes me Kamalën është shumë më e thellë, më e dhimbshme dhe fillon me divorcin nga Shyamala (mamaja) në vitin 1972. As Kamala në kujtimet e saj nuk shpjegon arsyen e përfundimit të marrëdhënies mes prindërve.

Ai përmend vetëm mosmarrëveshjet në rritje dhe vrazhdësinë midis dy akademikëve, ndërsa Donaldi mori poste profesori në universitete të largëta, fillimisht në Illinois dhe më pas në Wisconsin.

Ndarja kishte ndodhur tashmë në vitin 1969. Kur ekonomisti u kthye në Kaliforni – në vitin 1972, afrikano-amerikani i parë që mori një post profesori në Stanford – beteja e divorcit kishte përfunduar.

Dhe babai i Kamalas shprehu hidhërimin e tij që nuk kishte marrë kujdestarinë e vajzave të tij, Kamala dhe Maya, duke akuzuar shtetin e Kalifornias se kishte vendosur që një baba nuk është në gjendje të kryejë rolin e prindërve, duke shtuar, sipas “Times”, “veçanërisht nëse ai prind është një burrë me ngjyrë që mund të hajë fëmijët e tij për mëngjes…”.

Zemërim, ndoshta, edhe ndaj vajzave që zgjodhën të qëndronin me nënën e tyre: inat që Donaldi e ka mbajtur me vete gjatë gjithë jetës.

Bir i sipërmarrësve të pasur xhamajkanë, ai u kthye në Xhamajka kur doli në pension në Stanford dhe autor i një plani të politikës industriale që i lejoi vendit të Karaibeve të përgjysmonte borxhin e tij publik dhe të reduktonte papunësinë nga 15% 10 vjet më parë, në 5.4% aktuale, në vitin 1978, Harris i dedikoi suksesin më të madh të librit të tij (Akumulimi i kapitalit dhe shpërndarja e të ardhurave) dy vajzave të tij. Por ai kurrë nuk donte t’i takonte.

Ai nuk shkoi në funeralin e Shyamalas në vitin 2009, as në dasmën e Kamalas me Doug Emhoff në vitin 2015. Dhe braktisi ceremoninë inauguruese të presidencës Biden-Harris tre vjet e gjysmë më parë.

Por tani ai duket se ka ofruar t’i japë këshillat e tij të politikës ekonomike vajzës së tij, duke i propozuar një takim publik në Baltimorë, shtëpia e fushatës së Kamalas dhe kompanive për të cilat babai i saj është konsulent.Tema

Corriere della Sera

Jimmy Carter kremton 100 vjetorin e lindjes

Një president amerikan që në detyrë konsiderohej i dobët dhe pesimist, por që me kalimin e viteve ka arritur të ripushtojë një pjesë të madhe të vendit.

VOAL- Jimmy Carter mbush 100 vjet, presidenti më jetëgjatë në historinë amerikane, i cili qëndroi në Shtëpinë e Bardhë për vetëm katër vjet. Gjysmën e jetës “si ish”, aq sa arritja sot është befasuese, si kur kandidoi për post më 1975.

Jimmy kush? Guvernatori demokrat i Gjeorgjisë, një fermer kikiriku jugor, luajti efektin surprizë: një njeri i zakonshëm për presidencën e Nixon dhe Johnson. Pas skandalit Watergate dhe gënjeshtrave për Vietnamin, ai i ofroi vendit humanizmin dhe busullën e tij morale. Ai fitoi mbi amerikanët, por iu desh të përballej me një komb të zhgënjyer, të testuar nga kriza energjetike dhe recesioni.

Dhe fronti ndërkombëtar theksoi aftësinë e tij – me marrëveshjen e paqes Nobel midis Izraelit dhe Egjiptit – dhe kufijtë e tij. Kriza e pengjeve në Teheran në vitin 1979, 52 amerikanë të mbajtur të burgosur nga regjimi i Khomeinit për më shumë se një vit, ishte elektoralisht fatale për të.

Reganizmi e dërgoi në papafingo epokën e përkohshme të Carter-it… meritat e të cilit do të njihen larg Shtëpisë së Bardhë: për betejat e tij humanitare dhe mjedisin dhe për ndërmjetësimin e tij në konfliktet në mbarë botën, aq sa iu dha një Nobel.

Një dashuri e rifituar me dëshmi personale, krahas dhe kundër sëmundjes, pas një tumori të parë.

Një dëshmi besimi dhe optimizmi punëtor, gjithmonë përkrah të dashurës së tij Rosalynn pranë tij për 77 vjet. Me rastin e funeralit të saj, nëntorin e kaluar, dalja e fundit publike e Jimmy Carter.

“Ai është shumë i kufizuar në atë që mund të bëjë. Ai nuk mund të flasë në telefon. Ai ndjek lajmet dhe kur e pyetëm nëse ishte i emocionuar për ditëlindjen, ai tha po, por aq më tepër për të votuar për Kamala Harrisin”, thotë Jason Carter, nipi i Jimmy Carter dhe president i Carter Center.

Misteri i vrasjes së Zija Dibrës: E vranë krerët e VMRO-së…

Një të diel të janarit të vitit 1925, gazeta “Indipendenca Shqiptare” lajmëronte në faqen e saj të parë: “Zija Dibra u vra. Ish-kapiten Zija Dibra, ministër tjetër herë në kabinetin e Pandeli Evangjelit, i akuzuar për çështje bolshevike, tek internohej në Berat, duke kaluar katundin Harizaj të Qarkut të Kavajës, u mundua të arratisej e t’ikë prej duarsh nji aspiranti, i cili e shoqnonte deri në Berat. Kështu, duke qenë i hypur në kalë, atë e ngau me gjithë fuqinë, përpara. Aspiranti i bërtiti nja dy herë të qëndronte, por mbasi s’e dëgjoi, e qëlloi në kokë dhe e rrëzoi të vrarë prej kalit”.

Zija Dibra, figurë e njohur e politikës shqiptare të fillim-shekullit XX u vra në të njëjtën ditë kur në Tiranë shpallej republika me president Ahmet Zogun tashmë të kthyer triumfator nga Jugosllavia. Vetëm pakkush e besoi versionin zyrtar të vrasjes. Zija Dibra, njihej si kundërshtar i vendosur i Ahmet Zogut, ai vetë kishte marrë pjesë si ushtarak në kryengritjen e drejtuar nga Hasan Prishtina në 1921.

Në 1923-in, bënte pjesë në një organizatë antizogiste të themeluar në Vjenë, nga Aqif Pashë Elbasani. Në qershor të 1924-ës, kishte luftuar me armë në dorë, në krah të kryengritësve, pastaj ishte vendosur në garnizonin e Shkodrës. Në vitin 1924, Noli e kishte dërguar Zija Dibrën, për t’i mbushur mendjen Elez Isufit, që të mos bashkohej me Zogun.

Dibra ia arriti t’i mbushte mendjen Elez Isufit, duke u kujtuar dibranëve armiqësinë e kahershme me serbët dhe duke përdorur edhe një shumë të majme parash. Njerëzit e Zogut, i kishin të gjitha arsyet për ta hequr qafe, por jo vetëm se ishte fanolist…! gsh

Nga grabitja e bankave, te dekadat në burg e miqësia me një bretkosë- Cili është Pepe, presidenti uruguajan që magjepsi botën e ndërtoi një nga demokracitë më liberale në botë

Një dekadë më parë, bota u magjeps pas José Mujica, i cili njihej edhe si Pepe, president i Uruguajit.

“Adhurimi” për të erdhi pas një zyrtar i këtij rangu, kishte zgjedhur të mos jetonte në pallatin presidencial, por banonte në një shtëpi të vogël me gruan dhe qenin e tyre.

Po kjo nuk është gjithçka që rrethonte figurën e tij jo konvencionale.

Jeta e tij është e përshtatshme për një skenar filmi.

Në rininë e tij, Pepe grabiste bankat si gueril, i mbijetoi 15 viteve në burgjet vendase, kjo falë edhe një miqësie me një bretkosë ndërsa qëndronte në qeli.

Pavarësisht të gjithave Pepe ishte ai që në transformimin e kombit të tij të vogël të Amerikës së Jugut në një nga demokracitë më të shëndetshme dhe më liberale në botë.

Tani po lufton me vdekjen, ndërsa është prekur nga një sëmundje e rëndë në ezofag. bw

Arbri Kopliku i riu nga Shkodra që përgatitet të nisë studimet në Harvard

Arbri Kopliku

 

VOA/Pëllumb Sulo

Në Shqipëri, të rinjtë gjithnjë e më shumë po priren të studiojnë jashtë vendit, në universitetet e Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deri në fund të vitit akademik 2023-2024 rreth 14 mijë të rinj shqiptarë studiuan jashtë vendit, ku më shumë se 1000 prej tyre në Universitetet e Amerikës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, sjell përvojën e të riut Arbri Kopliku, i cili, pasi përfundoi shkëlqyeshëm studimet në Institutin e Teknologjisë në Masaçusetts të Bostonit, po përgatitet të nis studimet për doktoratur në Universitetin mjeksor të Harvardit.

Për të rinjtë shqiptarë, që studiojnë në Europë dhe Amerikë, janë ditët e fundit të pushimeve verore në vendlindje, pasi shumë shpejt ata do të rikthehen në auditore.

Edhe i riu nga Shkodra, Arbri Kopliku, pas disa ditësh do të udhëtojë për studime drejt SHBA-së. Gjatë 4 viteve të kaluara, ai përfundoi studimet për Bio-Inxhinieri me rezultate të nivelit të lartë në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit, ndërsa në ditët e para të shtatorit do të nisë studimet për doktoraturë në Universitetin e Harvardit.

“Do të rikthehem në Amerikë, prap në Boston, për të filluar studimet për doktoraturë në programin në mes të shkollës së mjekësisë së Harvardit, Harvard Medical School dhe Institutit Teknologjik të Masaçussets, ku isha për të kryer bachelorin. Do të studioj për inxhinieri mjekësore edhe specifikisht do të punoj në një laborator që zhvillon trajtimet e reja të personalizuara në një shkallë nano, shumë të vogël, për kancerin specifikisht por që të jenë të afta me trajtu shumë lloje të kancerave me të njëjtën teknologji”, tregon ai për Zërin e Amerikës.

Arbri thotë se përvoja e fituar në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets është mjaft e veçantë për të si student, pasi studimi në një prej universiteteve më të mira në botë, i krijoi mundësinë e njohjes me zhvillimet më të fundit të kërkimit shkencor, zgjedhjen e lëndëve dhe komunikimin me profesorët që ishin në frontin e parë të imunologjisë dhe luftës kundër COVID-it, mbi të gjitha, zhvillimin e praktikave mësimore në laboratorë dhe kompani me famë botërore.

Ishte periudha pas COVID-it, thotë ai, dhe kjo ndikoi në mënyrën ku u fokusua shkenca. Laboratorët me rritjen më të shpejtë ishin ato që prodhonin antitrupa dhe vaksina dhe po përparonin në kërkimin shkencor, sidomos për sëmundjet infektive.

Kjo, ndihmoi të përfshihet në kërkimin shkencor dhe të aplikojë njohuritë teorike nëpërmjet projektesh madhore te kompanive më të njohura në Amerikë, ku ai zhvilloi praktikat mësimore.

“Hera e parë ishte tek kompania Moderna që është edhe kompania që ka prodhuar edhe vaksinën kundër COVID-it dhe shumë gjëra të tjera. Puna që kisha unë ishte për të testuar lloje të ndryshme kombinimesh të ARN, që ishte përmbajtja e vaksinës, për të arritur që vaksinat të bëhen më të qëndrueshme ndaj temperaturave të larta dhe më thjeshtë të prodhohen. Pastaj, verën pas kësaj unë u futa në një fushë krejt tjetër, çuditërisht ishte krejt e përshtatshme me edukimin që kisha marrë në shkollë, por që ishte për pajisjet biomjekësore. Kompania prodhonte pajisje për diabetin, për sëmundjet neurodegjenerative edhe për kancerin”, thotë ai.

Në Boston jeton një komunitet i madh shqiptarësh, mes të cilëve edhe të rinj nga trevat shqipfolëse, të cilët studiojnë në universitetet e Bostonit. Kjo, thotë Arbri, ishte një mundësi e mirë për të krijuar shoqatën e studentëve shqiptarë në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, përmes të cilës marrin pjesë nëpër panaire, ekspozita, në festivale të kulturës ballkanike dhe europiane si dhe ndërveprojmë me shoqatën “Besa” dhe Kishën e Shën Gjergjit në Boston.

Ndërsa një vit më parë, bashkë me një të ri shqiptar që studion në Kanada, themeluan organizatën jofitimprurëse “Albanian Trailblazers”, e cila ofron mentorim dhe mbështetje për të rinjtë shqiptarë që duan të studiojnë jashtë vendit.

“Arritëm të krijojmë një organizatë që quhet “Albanian Trailblazers”, e cila vitin që kaloi është zgjeruar shumë. Kemi arritur të krijojmë një grup për workshope ku, shqiptarët e suksesshëm nëpër botë mund të vijnë , të ndajnë përvojat e profesioneve të tyre apo pasionet gjithashtu. Kemi krijuar një grup për ndërlidhjen e shqiptarëve me synimin që të bëjnë grupe të veçanta si shqiptarët e Bostonit, të Londrës apo Austrisë dhe me u arritë të takohemi edhe fizikisht dhe jo vetëm virtualisht”, tregon ai.

Studimet në ciklin e doktoraturës në Universitetin e Harvardit pritet të zgjasin pothuajse 6 vite, një rrugë e gjatë dhe plot sfida edhe për të riun nga Shkodra, Arbri Koplikun, por ai ndjehet optimist se do t’i kapërcejë i nxitur nga synimet që ka për të ardhmen.

“Doktoratura në Amerikë është pak e gjatë, është 5-6 vjet, por duke mendu përtej kësaj unë kam dëshirën që njohuritë që arrij t’i thelloj gjatë doktoraturës si dhe zbulimet t’i paketoj në mënyrë të atillë që të jetë një kompani në të ardhmen. Me hap një kompani dhe, pse jo, me përfshi edhe Shqipërinë aq sa ajo mund të ofrojë për zhvillimin e teknologjive për kurimin e sëmundjeve të ndryshme, por edhe për prodhimin e produkteve biofarmaceotike”.

I ati i kërkoi të bëhej doktor, por Eqrem Çabej iu përkushtua gjuhësisë! Nga braktisja e Fakultetit të Mjekësisë, te studimet në Vjenë

Eqrem Çabej, është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare. Akademiku i shquar shqiptar lindi në Turqi më 6 gusht 1908.

 

Studimet fillore i kreu në Gjirokastër. Më pas kreu shkollën e mesme në Klagenfurt dhe pasi braktisi Fakultetin e Mjekësisë në Romë, u regjistrua në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Gracit, e më pas në Universitetin e Vjenës, në Austri, ku dhe përfundoi studimet. Pas mbarimit me sukses të studimeve universitare 25 – vjeçari Eqrem Çabej u kthye përfundimisht në Shqipëri, me diplomën e Universitetit të Vjenës në xhep dhe me dëshirën e zjarrtë për t´i vënë dituritë dhe energjitë e tij në shërbim të Atdheut. Por pasi kreu gjimnazin në Klagenfurt (1923-1926), për shkollimin e lartë pati një fërkim me synimin që i ati i kishte vënë që të bëhej mjek.

U regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Romës. Por pas këmbënguljes për gjuhësinë, regjistrohet në Grac për vitin akademik 1927-1928 dhe mbasandaj kaloi në Vjenë (1930-1933), ku ndoqi mësimet e Paul Kretschmer, Karl Patsch, Nikolai Trubetzkoy dhe Norbert Jokl. Nën drejtimin e Joklit, Çabeji filloi të kishte interes të madh në zhvillimin historik të gjuhës shqipe. Në 1933, ai dorëzoi disertacionin e doktoraturës mbi “Italoalbanische Studien” (“Studime italoshqiptare”). Çabej u kthye në Shqipëri ku edhe punoi si mësues gjimnazi dhe nëndrejtor i konviktit “Malet Tona” në Shkodër (1933/34) ku dha letërsi shqipe. Në vitin shkollor 1935-’36 u transferua në Normalen e Elbasanit, ku edhe atje ndenji një vit. Që andej u transferua në Ministrinë e Arsimit për t´u marrë me drejtimin e arsimit të mesëm.

Me sa kuptohet nga qëndrimi i tij, ai nuk e kishte mirëpritur një emërim të tillë. Me një lutje më datë 17. 12. 1936, drejtuar Ministrisë së Arsimit, për arsye shëndetësore kërkoi të transferohej duke u riemëruar profesor i letërsisë në liceun e Tiranës. Kërkesa nuk i plotësohet, duke e emëruar në Shkollën e Plotësimit Ushtarak. Me “çështjen Çabej” u mor më në fund edhe Këshilli i Ministrave të asaj kohe, i cili vendosi që Çabej, pas mbarimit të Shkollës së Plotësimit Ushtarak, të transferohej si profesor në Gjirokastër. Më 1938-’39 vijoi si arsimtar në Gjirokastër, ku vazhdoi të jepte mësimin e letërsisë të bashkërenduar me elemente të gjuhës shqipe. Në vitin shkollor 1939-’40 Çabej u transferua në gjimnazin e Tiranës ku u ngarkua me drejtimin e shkollës.

Anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare, më 1940 u dërgua në Romë nga min. i Arsimit Koliqi për të punuar mbi Atlasin Gjuhësor Shqiptar, i cili nuk u krye për arsye të ndryshimeve politike përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Në shtator të 1943 u emëruar min. i Arsimit në qeverinë Mitrovica, post të cilin nuk e pranoi. Më 25 janar 1944 i pushkatohet vëllai, Selaudini, nënprefekt i Malësisë së Gjakovës. Në Shqipëri u kthye vetëm pas korrikut 1944. Në 1947, ai u caktua anëtar i Institutit të Shkencave, instituti paraardhës i Universitetit të Tiranës. Nga 1952 deri më 1957, ai shërbeu si profesor i historisë së Shqipërisë dhe fonetikës historike.

Në 1972, ai u bë anëtar themelues i Akademisë së Shkencave. Eqrem Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indo-evropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Vend zënë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare. Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980. Më 1951 shkroi “Sonetet”, një libërth kushtuar së shoqes, Shyhrete Turkeshit, që e kishte njohur pranverën e 1949 e porsadalur nga burgu dhe punonte në Bibliotekën Kombëtare. U botuan për herë të parë me rastin e 100-vjetorit të lindjes më 2008 nga shtëpia botuese Çabej, drejtuar nga e bija, Brikena. Ai ndërroi jetë pak ditë pas ditëlindjes së tij të shtatëdhjetë e dytë, më 13 gusht të vitit 1980, në një klinikë të Romës. gsh


Send this to a friend