VOAL

VOAL

Protestat e studentëve përbëjnë kërcënim të ri për regjimin e Iranit

January 14, 2020

Komentet

E veja e Navalnyt i bën thirrje BE-së ta hetojë rrjedhën e parave të lidhura me Putinin

Yulia Navalnaya duke folur në Parlamentin Evropian në Strasburg, Francë, 28 shkurt 2024.

Yulia Navalnaya, e veja e kritikut të ndjerë të Kremlinit Alexei Navalny, u ka bërë thirrje të mërkurën ligjvënësve evropianë ta hetojnë lidershipin rus, të cilin ajo e cilësoi si një “grup të organizuar kriminal” i udhëhequr nga presidenti Vladimir Putin dhe aleatët e tij.

Duke folur në Parlamentin Evropian më 28 shkurt – gati dy javë pasi burri i saj u shpall i vdekur në një burg të Arktikut, ku po kryente dënim me burgim për akuzat që mbështetësit e tij dhe Perëndimi i cilësojnë si të rreme – Navalnaya tha se një hetim për rrjedhën e parave në Perëndim do t’i dërgonin ligjvënësit evropianë drejt e te Putini.

“Ju nuk keni të bëni me një politikan, por me një mafioz të përgjakshëm. Putini është lider i një grupi të organizuar kriminal. Kjo përfshin helmuesit dhe vrasësit, por ata janë thjesht kukulla. Gjëja më e rëndësishme është njerëzit e afërm të Putinit – miqtë e tij, bashkëpunëtorët, dhe mbajtësit e parave të mafias”, tha ajo.

“Ju, të gjithë ne, duhet patjetër ta luftojmë grupin kriminal. Dhe, inovacioni politik këtu është të përdoren metodat e luftimit të krimit të organizuar, jo gara politike. Jo shqetësimet përmes deklaratave, por kërkimi i bashkëpunëtorëve të mafias në vendet tuaja, i avokatëve dhe financierëve të cilët po e ndihmojnë Putinin dhe miqtë e tij t’i fshehin paratë”, shtoi ajo.

Vdekja e Navalnyt në një burg të largët të Arktikut u raportua më 16 shkurt, duke nxitur pikëllim dhe zemërim të madh në Rusi dhe nëpër gjithë botën, pasi autoritetet ruse nuk kishin pranuar t’ia dorëzonin familjes trupin e Navalnyt duke i rritur dyshimet për shkaktarin e vdekjes së tij.

Zyrtarët rusë thanë se shkaktari ishte sindromi “vdekje e papritur”.

Navalnaya e ka akuzuar Putinin drejtpërdrejt për vrasjen e burrit të saj, i cili ishte ndër kritikët më të zëshëm të tij.

Kremlini i ka hedhur poshtë akuzat se ka gisht në vdekjen e Navalnyt, ndërsa Navalnaya është zotuar se do ta vazhdojë punën e bashkëshortit të ndjerë për zbulimin e korrupsionit në Rusi dhe përpjekjet për liri, demokraci dhe të drejtat e njeriut, të cilat Putini i ka kufizuar gjatë sundimit të tij mbi 20-vjeçar.

Putini – i cili ka një pagë zyrtare vjetore prej rreth 140.000 dollarësh – është akuzuar se ka mbledhur një pasuri që nga disa vlerësohet se kap shifrën e 200 miliardë dollarëve, dhe se u ka shpërndarë miliarda dollarë aleatëve më të afërt, përmes një rrjeti të komplikuar të entiteteve financiare.

Ekipi i Navalnyt më 2022 publikoi hollësi të cilat i kishte zbuluar për një superjaht në vlerë 700 milionë dollarë, për të cilin tha se i takonte Putinit.

Në fillim të vitit 2021, ekipi i Putinit kreu një hetim i cili nxori në sipërfaqe një pronë në vlerë 1.35 miliard dollarë në Gjirin e Gelendzhikut në Detin e Zi, i cili dyshohet se u ndërtua për Putinin.

Putini vazhdimisht i ka mohuar akuzat se ka grumbulluar pasuri. Në deklaratën e të hyrave dhe aseteve nga viti 2020, ai e shënoi një banesë modeste, tri vetura të epokës sovjetike, dhe një rimorko të vogël kampingu të dhuruar nga babai i ndjerë.

“Putinin nuk mund ta lëndoni me një rezolutë tjetër, apo me një varg sanksionesh që nuk dallojnë nga ato të kaluarat. Nuk mund ta mposhtni atë duke menduar se ai është njeri i parimeve, i cili ka moral dhe rregulla”, tha Navalnaya, duke bërë thirrje për veprime më efektive kundër rrjedhës së parave të elitës udhëheqëse.

“Nëse doni vërtet ta mposhtni Putinin, duhet të bëheni novator. Dhe duhet të mos jini të mërzitshëm më”, theksoi ajo.REL

Vdiq në burg, të premten ceremonia e varrimit të liderit opozitar rus Navalny

Ceremonia e varrimit dhe lamtumirës për liderin e opozitës ruse Alexei Navalny do të bëhet të premten, më 1 mars në Moskë. Kështu deklaroi zëdhënësja e Navalny, Kira Yarmish në një postim në rrjetin social X.

Funerali do të bëhet në varrezat e Borisovskoye pas një ceremonie lamtumire në një kishë në rrethin Mariino, tha Yarmish.

Kritiku më i ashpër i Putinit vdiq më 16 shkurt në burg, ndërsa nuk dihen rrethanat e ngjarjes.bw

Disidenti rus Orlov dënohet me dy vjet e gjysmë burg

Oleg Orlov duke dëgjuar dënimin e lexuar nga gjyqtari i gjykatës së Moskës

Disidenti rus, bashkë-president i fondacionit që fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2022, do të duhet të vuajë dënimin në një koloni penale.

VOAL- Një gjykatë në Moskë dënoi të martën disidentin Oleg Orlov, ish-bashkëpresident i fondacionit Memorial, i cili u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2022, me dy vjet e gjysmë burg. Oleg Orlov, 71 vjeç në prill, akuzohet se ka denoncuar vazhdimisht agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

“Gjykata vendosi ta shpallë Orlovin fajtor dhe ta dënojë me dy vjet e gjashtë muaj në (…) një koloni penale,” tha gjykatësi në vendimin e tij, sipas një gazetari të AFP-së i pranishëm në seancë.

Në vendimin e dënimit, disidenti, i veshur me një pulovër dhe syze të holla, i shkeli syrin gruas së tij Tatianës dhe i tha: “Tania, më premtove”, ndërsa u shfaq duke i kërkuar asaj që të mos qante. Disa dhjetëra nga mbështetësit e tij shkuan në gjykatë për të mbështetur disidentin, një nga kritikët e fundit të Kremlinit ende pa hekura apo në mërgim jashtë vendit.

Në fjalimin e tij të fundit dje, të hënën, Orlov denoncoi “mbytjen e lirisë” në Rusi dhe “hyrjen e trupave ruse në Ukrainë”. “Nuk pendohem për asgjë dhe nuk më ndalon dot asgjë,” tha ai. rsi-eb

Ndihmësja e Navalnyt thotë se ai u vra derisa po negociohej për këmbimin e tij

Maria Pevchikh, ndihmësja e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny ka pretenduar se një këmbim i të burgosurve – ku ka qenë i përfshirë edhe kritiku i Kremlinit – ka qenë në fazën përfundimtare para se ai të vdiste në një burg në Siberi.

Pevchikh, udhëheqëse e Fonadacionit të Navalnyt Kundër-Korrupsionit, ka thënë të hënën përmes një videoje në YouTube se ndihmësit e Navalnyt kanë punuar për dy vjet që t’i bindin zyrtarët e Perëndimit për të negociuar një marrëveshje që do të përfshinte kritikun e Kremlinit dhe dy shtetas amerikanë të mbajtur në burgjet ruse, për Vadim Krasikovin, ish-kolonelin e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) në Rusi, i cili është dënuar për vrasje të një ish-luftëtari çeçen në Berlin më 2019.

Ajo nuk i ka përmendur emrat e dy shtetasve amerikanë që ishte planifikuar të këmbeheshin.

Aktualisht janë disa amerikanë që po mbahen në burgjet ruse, përfshirë ish-marinsin Paul Whelan, gazetarin e të përditshmes amerikane Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva.

Navalny do të përfshihej në marrëveshje si pjesë e një “këmbimi humanitar”.

“Në fillim të shkurtit, Putinit i është ofruar të këmbejë vrasësin e FSB-së, Vadim Krasikov, i cili është duke vuajtur dënimin për një vrasje në Berlin, për dy shtetas amerikanë dhe Aleksei Navalnyn. E kam pranuar konfirmimin se negociatat ishin në fazën finale në takimin e 15 shkurtit. Më 16 shkurt, Aleksei është vrarë”, ka thënë Pevchikh.

“Aleksei Navalny do të mund të ishte ulur me ne këtu, sot”, ka shtuar ajo.

Deklaratat e saj nuk janë konfirmuar dhe as kundërshtuar prej burimeve tjera.

I pyetur për këtë çështje më 26 shkurt, zëdhënësi i Qeverisë gjermane Christiane Hoffmann, ka thënë se nuk mund të komentojë.

Më herët gjatë këtij muaji, Putin i ka thënë komentatorit amerikan Tucker Carlson, se “një marrëveshje mund të arrihet”, për të liruar Gershkovichin, i cili është arrestuar në mars të vitit të kaluar në Rusi, nën akuzat për spiunim, të cilat ai dhe Qeveria i kanë konsideruar të pabazuara, me një “patriot” rus, që po vuan dënimin në Gjermani, dhe kjo besohet se ka qenë referencë për Krasikovin.

Wall Street Journal i ka cituar zyrtarët perëndimorë në atë kohë, të ketë thënë se Putin dëshiron që Krasikov të këmbehet për dy të burgosur amerikanë, përfshirë Gershkovichin.

Në video, Pevchikh ka dyshuar që Putin “nuk e ka toleruar” lirimin e Navalnyt dhe në vend të këmbimit “ka dashur ta heqë qafe krejtësisht”.

Ajo nuk ka dhënë dëshmi për të mbështetur pretendimin e saj.

Sipas saj, miliarderi rus Roman Abramovich ka qenë “negociator jozyrtar” në mes të Kremlinit dhe zyrtarëve evropianë.

“E kam pyetur Roman Abramovichin për kushtet dhe çfarë ka thënë Putini. Fatkeqësisht Abramovich nuk u është përgjigjur pyetjeve, por as nuk ka mohuar asgjë”, ka thënë Pevchik.

As Abramovich dhe as Kremlini nuk e kanë komentuar këtë deklaratë të saj.

Trupi i Navalyt i është dorëzuar familjes përgjatë fundjavës, një javë pasi është bërë publike vdekja e tij në burgun e ashtuquajtur “Ujku Polar” në Arktik.

Ai ka qenë duke vuajtur dënimin me burgim prej 19 vjetëve, nën akuza që ai dhe mbështetësit e tij i konsiderojnë të motivuara politikisht.

Ende nuk dihet shkaku i vdekjes së tij.

Nëna e Navalnyt i ka akuzuar zyrtarët rusë se i kanë bërë presion që të organizojë një ceremoni sekrete të varrimit për djalin e saj për të shmangur turmat e njerëzve.

Zëdhënës i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë më 26 shkurt se është “absurde” të pretendohet se familjes së Navalnyt i është bërë presion.REL

Kryeministri palestinez jep dorëheqje

Kryeministri palestinez, Mohammed Shtayyeh, tha të hënën se ai po jepte dorëheqjen për të lejuar krijimin e një konsensusi të gjerë ndërmjet palestinezëve mbi marrëveshjet politike pas luftës në Rripin e Gazës.

Kjo sinjalizon një gatishmëri nga udhëheqja palestineze e mbështetur nga perëndimi për të pranuar ndryshime që mund të çojnë në reforma, të cilat shihen si të nevojshme për të rigjallëruar Autoritetin Palestinez.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan një Autoritet Palestinez të reformuar që do të qeverisë Rripin e Gazës pasi të përfundojë lufta mes Izraelit dhe Hamasit, të cilin SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë organizatë terroriste.

Presidenti Mahmud Abbas duhet të vendosë nëse do të pranojë dorëheqjen e kryeministrit Shtayyeh dhe Qeverisë së tij dhe mund t’i kërkojë atij të qëndrojë në detyrë derisa të emërohet një zëvendësues i përhershëm.

Në një deklaratë për qeverinë, Shtayyeh, një ekonomist akademik që mori detyrën në vitin 2019, tha se faza tjetër duhet të marrë parasysh realitetin e ri në Rripin e Gazës, i cili është shkatërruar pas gati pesë muajsh luftime të rënda.

Ai tha se përveç aranzhimeve të reja politike, “duhet shtrirja e autoritetit të administratës (palestineze) në të gjithë vendin, Palestinë”.

Autoriteti Palestinez, i formuar 30 vjet më parë sipas Marrëveshjes së Përkohshme të Paqes të Oslos, ka autoritet të kufizuar mbi pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar, por humbi pushtetin në Gaza pas luftimeve me Hamasin në vitin 2007.

Fatah, i cili kontrollon Autoritetin Palestinez, dhe Hamasi, kanë shtuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje për një qeveri uniteti dhe do të takohen në Moskë, të mërkurën. Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se masa duhet të shoqërohet me një marrëveshje më të gjerë për autoritetin mbi territoret palestineze.

“Dorëheqja e Qeverisë Shtayyeh ka kuptim vetëm nëse është në kontekstin e një konsensusi kombëtar për marrëveshjet për fazën tjetër”, tha për Reutersin zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri.

Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin dhe thotë se për arsye sigurie nuk do të pranojë sundimin e Autoritetit Palestinez mbi Gazë pas luftës, që shpërtheu pas një sulmi të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin, sipas të dhënave izraelite, u vranë rreth 1200 njerëz.

Nga përgjigjja e Izraelit me sulme ajrore e tokësore në Rripin e Gazës deri tani janë vrarë afro 30.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi. REL

Zëdhënësi i Navalnyt: Trupi i vdekur i liderit opozitar iu kthye nënës

Kjo vjen pasi asaj i ishte thënë të pranonte një varrim të fshehtë, përndryshe ai do të varrosej në koloninë e burgut ku vdiq.

Në një postim në X, zëdhënësi i Navalny falënderoi të gjithë ata që kishin kërkuar kthimin e trupit të tij.

Nuk dihet ende se kur do të bëhet varrimi.

(BBC – BalkanWeb)

Vajza e Nemtsovit: Putini më shumë i frikësohet Navalnyt të vdekur, sesa Navalnyt të gjallë

Protestuesit duke mbatur forografi të Vladimir Putinit dhe Aleksei Navalnyt gjatë një tubimi para Konsullatës ruse në Nju Jork, pas njoftimit për vdekjen e kritikut të Kremlinit më 16 shkurt.

 

Vajza e ikur në mërgim e kundërshtarit të vrarë politik të Kremlinit, Boris Nemtsov, e ka akuzuar Rusinë se po e trajton në mënyrë “të tmerrshme, çnjerëzore, të pabesueshme dhe monstruoze” trupin e liderit të vdekur opozitar, Alexei Navalny, duke shtuar se kjo tregon se sa shumë i druhet presidenti Vladimir Putin trashëgimisë së Navalnyt.

“Vladimir Putin i frikësohet trupit të vdekur të Navalnyt më shumë sesa Navalnyt të gjallë”, tha Zhenna Nemtsova për Current Time, një javë pasi autoritetet ruse thanë se Navalny vdiq pasi i humbi ndjenjat në një burg në Arktik.

Babai i Nemtsovës ishte një politikan i njohur që u bë kritik i zëshëm i Putinit i cili, sikurse Navalny, nxirrte raporte të hollësishme për korrupsionin, para se të vritej.

Boris Nemtsov u qëllua me armë për vdekje në një urë pranë Kremlinit në Moskë në shkurt 2015, pak javë pasi publikisht shprehu frikën se Putini mund ta vriste.

Nemtsova tha se televizioni shtetëror rus fillimisht e “mbuloi ngjarjen e babait tim në mënyrë shumë të favorshme, por gjithçka ndryshoi…kur ndodhi marshi i varrimit” i cili dëshmoi popullaritetin e babait të saj, pasi dhjetëra mijëra rusë dolën në rrugë qoftë për një “kufomë politike”.

Si pasojë, autoritetet ruse bënë thirrje kundër mbajtjes së zisë për Nemtsovin dhe i injoruan ngacmimet e simpatizantëve të Nemtsovit nga ultranacionalistët.

“Ata e kuptojnë se e njëjta do të ndodhë edhe me Alexei Navalny” nëse lejohen momerialet publike, tha Nemtsova.

Rusia e ka shtuar përdorimin e mjeteve si, emërtimet “agjentët e huaj” dhe “të padëshirueshëm”, përvec rrahjeve brutale dhe arrestimeve, për ta minimizuar kundërshtimin publik prej se e nisi pushtimin e Ukrainës dy vjet më parë.

Policia ruse i arrestoi qindra njerëz në gjithë vendin pas vdekjes së Navalnyt dhe me shpejtësi i largoi të gjitha memorialet e improvizuara të cilat u vendosën nga qytetarët në dhjetëra qytete.

E veja e Navalnyt dhe nëna e tij e kanë akuzuar Putinin për vdekjen e tij, siç kanë bërë edhe presidenti amerikan Joe Biden dhe disa zyrtarë të tjerë perëndimorë.

Zyrtarët rusë e kanë mohuar se janë përgjegjës për vdekjen e tij, por nuk e kanë liruar trupin e tij dhe raportohet se kanë kërkuar varrim privat, para se t’ia dorëzojnë kufomën të ëmës.

“Besoj se Alexei u vra me urdhër të Putinit, dhe ata kanë frikë se në prag të zgjedhjeve, qindra mijëra njerëz do të shkojnë për t’i dhënë lamtumirë Alexeit”, tha Nemtsova.

Putini po e kërkon mandatin e pestë si president në zgjedhjet e kontrolluara me kujdes nga Kremlini më 15-17 mars, pasi zyrtarët rusë e kanë diskualifikuar tashmë kandidatin e vetëm të mirëfilltë kundër luftës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Rusisë javë më parë ia ndaloi garimin në zgjedhje Boris Nadezhdinit, i cili haptazi ka bërë thirrje për ndaljen e pushtimit të Ukrainës nga Moska.rel

Pushtimi i Ukrainës, dy vjet më vonë- Nga Stefano Grazioli

Le të bëjmë një bilanc të konfliktit që përfshin Moskën dhe Kievin – Si është situata në front? A ishin sanksionet efektive? A ka hapësirë ​​për të folur për paqen? Intervista

VOAL- Ishte 24 shkurt 2022 kur filloi pushtimi rus në territorin ukrainas. Konflikti mes dy palëve vazhdon, edhe pse pushtimet territoriale janë të ngadalta prej disa kohësh. Sanksionet ekonomike, ndihma perëndimore, thirrjet për paqe, takimet, konferencat nuk kanë lejuar ende një pikë kthese.

Ne i kërkuam bashkëpunëtorit dhe ekspertit tonë për Rusinë dhe Ukrainën, Stefano Grazioli, i cili gjatë gjithë këtyre muajve na ka ndihmuar me analiza në kohë për t’ju dhënë një interpretim të këtij konflikti, për t’iu përgjigjur një sërë pyetjesh.

Kanë kaluar dy vjet nga fillimi i pushtimit rus në territorin ukrainas. Cila është situata në të dy frontet?

Linja e frontit të luftës shkon përgjatë mbi 1000 km të territorit ukrainas dhe në thelb mund të ndahet në dy pjesë, atë lindore, në Donbass dhe atë jugore, në rajonet e Zaporizhia dhe Kherson. Në të parën, Rusia ka marrë iniciativën që nga viti i kaluar dhe vazhdon një avancim të ngadaltë me synimin për të zgjeruar perimetrin e territoreve tashmë të aneksuara dhe për të arritur kontrollin e plotë të rajoneve të Luganskut dhe Donetskut. Fitorja e fundit në Avdiivka i shtohet atyre të vitit 2023 në jug të Kharkiv-it, veçanërisht asaj të Bakhmutit. Në këtë fazë të konfliktit, ku epërsia ruse po ndihet edhe për shkak të mungesës së ndihmës perëndimore për Ukrainën, Moska duket se po shtyn përshpejtuesin, duke përfituar nga vështirësitë e Kievit, e cila nuk shkon përtej sulmeve të largëta në Krime apo në rajoni rus i Belgorodit, megjithatë pa mundur të ndikojë në ecurinë e konfliktit. Edhe në frontin jugor, ku kundërofensiva ukrainase duhet të kishte mbërritur verën e kaluar, trupat ukrainase duket se janë përqendruar në operacionet mbrojtëse. Javët e ardhshme dhe muajt e pranverës do të përcaktojnë më qartë mundësitë që Rusia do të ketë për të vazhduar avancimin e saj dhe Ukraina do të duhet të rezistojë dhe ndoshta të përgatisë kundërsulmin që nuk ka gjasa të ndodhë brenda këtij viti. Shumë do të varet nga sa Perëndimi është i gatshëm të investojë në mbështetje ushtarake për Kievin dhe sa forca ka Moska për të vazhduar siç po bën.

Në dy vjet, dy presidentëve, Zelensky dhe Putin, iu desh të merren me stabilitetin e brendshëm politik të vendeve të tyre përkatëse.Çfarë vlerësimi mund të nxirret?

Në vitin 2023, pozicioni i Putinit është forcuar dhe episodi i rebelimit të Evgeny Prigozhin duket se është kapërcyer pa probleme, si në planin ushtarak, me menaxhimin e kompanisë Wagner të integruar në forcat e rregullta, dhe në atë politik, me një fuqizim. e vertikales së pushtetit. Në prag të zgjedhjeve presidenciale të marsit, pas shtypjes së mëtejshme të brendshme që përfshin të gjitha llojet e disidencës, si nga opozita civile dhe e moderuar, ashtu edhe nga skajet ultranacionaliste, Kremlini gëzon stabilitet të lidhur nga njëra anë me rrjedhën pozitive të konfliktit dhe nga ana tjetër për situatën relativisht të qetë ekonomike e cila nuk ofron hapësirë ​​për revolta të mundshme sociale. Në Ukrainë, tabloja është bërë më e ndërlikuar për Zelensky-n, në vazhdën e kundërsulmimit që shkoi keq, duke nxjerrë në pah problemet ushtarake dhe politike. Konsensusi i presidentit ukrainas është në rënie dhe ndryshimi në krye të forcave të armatosura, me shkarkimin e gjeneralit Zaluzhny, i zëvendësuar nga ish-komandanti i forcave tokësore Skyrsky, vetëm sa e ka përkeqësuar situatën. Edhe në anën aleate, Zelensky duket se është në vështirësi, përtej retorikës perëndimore të mbështetjes së pakufizuar për Ukrainën, e cila në realitet filloi të mungonte që në gjysmën e dytë të 2023.

Sa e kanë dobësuar Moskën sanksionet ekonomike?

Bashkimi Evropian ka miratuar trembëdhjetë paketa sanksionesh kundër Rusisë në dy vjet dhe vendet e G7 të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, së bashku me Brukselin, janë përpjekur të izolojnë Moskën, duke goditur ekonominë ruse, për të bërë që Kremlini të ndryshojë kursin pas pushtimit të Ukrainës. Plani perëndimor ka dështuar në thelb, duke qenë se Putini nuk e ka ndryshuar vijën e luftës në ish-republikën sovjetike për asnjë milimetër. Arsyet e këtij rezultati janë të shumta dhe variojnë nga pamundësia fizike në epokën e globalizimit për të vendosur sanksione efektive ndaj një vendi që është i izoluar në anën perëndimore, por që vazhdon të mbajë marrëdhënie ekonomike dhe tregtare me pjesën tjetër të botës, që nuk mbështet qëndrimet e BE-së dhe G7. Për më tepër, Moska u shfaq e përgatitur për të përballuar luftën financiare dhe tregtare, falë jo vetëm mënyrave për të anashkaluar masat kufizuese perëndimore, por kundërmasave të aplikuara me përvojën e viteve të mëparshme, pasi sanksionet e para kishin ardhur më 2014. Ndërsa, nga njëra anë, Rusia po rritet mbi të gjitha falë shndërrimit të saj në një ekonomi lufte, fakti që sektori i energjisë, themelor për vendin, është sanksionuar vetëm pjesërisht (pjesë e tregtisë së naftës, por jo gazit dhe energjisë bërthamore) i lejoi Kremlinit hapësirë ​​të mirë manovrimi, efektive për të shmangur kordonin perëndimor.

Si është gjendja ekonomike e Ukrainës? Sa e rëndësishme është ndihma perëndimore për të kundërshtuar “operacionin special ushtarak” të Putinit?

Ukraina mbijeton ekonomikisht dhe ushtarakisht vetëm falë ndihmës perëndimore. Ndërkohë që Bashkimi Evropian miratoi së fundmi një paketë prej 50 miliardë eurosh, kryesisht për të mbështetur shtetin ukrainas në funksionet e tij bazë, 61 miliardë dollarë janë ende të bllokuara në Shtetet e Bashkuara, të destinuara kryesisht për armatim. Megjithëse Kievi po merr mbështetje të mëtejshme nga vende të veçanta, bllokada e Uashingtonit, nëse vazhdon, do ta detyrojë Bashkimin Evropian të dyfishojë përpjekjet dhe shpejtësinë e tij në furnizime. Problemi kryesor për momentin janë municionet, por ushtria ukrainase ka nevojë të vazhdueshme për armë dhe teknologji. Edhe ardhja e avionëve luftarakë F16 në muajt e ardhshëm të verës mund të mos përfaqësojë ndryshimin e lojës së shpresuar nga Kievi, siç ka ndodhur në të kaluarën për llojet e tjera të armëve. Pyetja më e madhe për Ukrainën në çdo rast ka të bëjë me numrin e burrave në dispozicion, i cili është shumë më i ulët se ai i Rusisë.

Në një sondazh të fundit evropian u zbulua se vetëm 10% e popullsisë beson se Rusia mund të mposhtet. Cilat janë perspektivat e fitores për dy vendet në konflikt?

Kuadri mbetet ai i një lufte rrënimi, ku ata që kanë hapësirën më të gjatë të frymëmarrjes, rezervat më të mëdha, kanë gjithashtu shanset më të mëdha për të fituar. Konfliktet e gjata karakterizohen nga faza të ndryshme dhe në këtë Rusia aktualisht duket se ka avantazhin: pas dy vitesh luftime, Moska kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë Krimenë, dhe duket se ka iniciativën në front, me objektivin minimal. për të përfunduar pushtimin e rajoneve të Luganskut dhe Donestkut së pari, Zaporizhia dhe Kherson më pas. Kievi duket larg objektivave të tij të deklaruara, domethënë të dëbojë trupat ruse përtej kufijve të vitit 2014, duke ripushtuar kështu të gjithë Donbasin dhe gadishullin e Detit të Zi. Nëse lufta do të përfundonte tani, Putini do të ishte fituesi, Zelensky humbësi. Megjithatë, të dy, për arsye të ndryshme, nuk duken të gatshëm për t’u ulur në tryezën e bisedimeve dhe, duke menduar në afat të gjatë, i pari shpreson për një avancim të mëtejshëm, i dyti për të marrë mbështetjen e mjaftueshme për të ndryshuar situatën.

Flitet për një proces paqeje, Zvicra është në ballë në promovimin e një konference, por cilat janë kufijtë për të lejuar një dialog midis Moskës dhe Kievit?

Plani i paqes i paraqitur nga Zelensky është jorealist, duke qenë se ai parashikon negociata me Rusinë vetëm pas humbjes së Moskës dhe ripushtimit ukrainas të Donbasit dhe Krimesë. Kremlini, nga ana tjetër, ka thënë se është gati për negociata vetëm duke filluar nga status quo-ja, pra me Rusinë në krye. Është e qartë se çdo lloj dialogu për të qenë i suksesshëm duhet të përfshijë Moskën dhe Kievin dhe të ketë bekimin e Shteteve të Bashkuara, sponsorit kryesor të Ukrainës. Në çdo rast, rruga drejt paqësimit do të jetë shumë e gjatë, duke marrë parasysh edhe faktin se konflikti në shkallë të vogël në Donbass filloi në vitin 2014 dhe është zgjeruar që nga viti 2022: rreziku është që ai të vazhdojë me intensitet të alternuar deri në njërën nga dy palët. ai nuk do të jetë me të vërtetë i konsumuar dhe do të duhet të dorëzohet para një kompromisi të pashmangshëm. rsi-eb

Biden takohet me Yulia Navalnaya-n, e veja e udhëheqësit të ndjerë të opozitës ruse

Presidenti Biden takohet me familjen e opozitarit Navalny

VOA/Cindy Saine

Ndërsa Shtetet e Bashkuara shpallën sot sanksione të reja, kundër Moskës, pas vdekjes së udhëheqësit të opozitës ruse Alexey Navalny, Presidenti Joe Biden u takua të enjten me të venë e tij në San Françisko. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine, Presidenti Biden vlerësoi veprën e udhëheqësit opozitar në luftën e tij të guximshme për një Rusi demokratike.

Gjatë takimit të enjten në Kaliforni me të venë e Alexey Navalny-t, Yulia Navalnaya-n, dhe vajzën e tyre, Dasha, Presidenti Joe Biden vlerësoi veprën e udhëheqësit opozitar në luftën e tij të guximshme kundër korrupsionit dhe për një Rusi të lirë dhe demokratike.

Në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të G20 në Brazil, Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli për sanksionet amerikane kundër Rusisë lidhur me agresionin e saj kundër Ukrainës dhe vdekjen e opozitarit Navalny.

“…Navalny ishte një udhëheqës heroik në jetën dhe punën e tij. Por fakti që Vladimir Putini e pa të nevojshme ta përndiqte, helmonte dhe burgoste atë, flet shumë. Jo për fuqinë e Rusisë nën Putinin, por për dobësinë e saj”, u shpreh kryediplomati amerikan.

Të mërkurën, mediat ruse publikuan pamje filmike të arrestimit të një 33-vjeçareje me shtetësi të dyfishtë ruso-amerikane nën akuzat për tradhti. Gruaja nga Kalifornia po vizitonte familjen e saj në qytetin rus të Yekaterinburgut për vitin e ri. Mediat ruse nuk e identifikuan atë, por njoftuan se ajo akuzohet për tradhti për mbështetjen ndaj Ukrainës.

Media të tjera njoftuan se ajo quhej Kseniya Karelina dhe disa të tjera përdorën mbiemrin Khavana, nga martesa e mëparshme.

Përmes një postimi në Instagram, punëdhënësi i saj në Los Anxhelos, “Ciel Spa”, tha se ajo akuzohet për tradhti pasi i kishte dhuruar 51 dollarë një organizate bamirësie ukrainase në Shtetet e Bashkuara. Kompania bëri thirrje për lirimin e saj. Zëri i Amerikës bisedoi me e saj, Eleanora Srebroski.

“Më 2 janar ajo mbërriti në Yekaterinburg dhe u arrestua më 27 janar në dyshimet për huliganizëm, çka është qesharake. Unë e njoh atë, dhe ajo nuk është dikush që mund të bëj diçka të keqe. Kurrë në jetën time nuk e kam dëgjuar të thotë një fjalë të keqe apo të shajë. Ajo është një njeri pozitiv që rrezaton dritë dhe gëzim”, tha ish vjehrra.

Ndërkohë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë qasje konsullore për amerikanen e sapo arrestuar. Ai theksoi e Rusia i konsideron individët me dyshtetësi si shtetas rus.

“Është për të ardhur keq pasi Rusia vazhdon të arrestojë qytetarët e saj, vazhdon të arrestojë qytetarët amerikanë, dhe kjo është arsyeja se pse jemi përpjekur t’i paralajmërojmë shtetasit amerikanë që të mos shkojnë në Rusi, sepse rrezikojnë burgosjen nga regjimi rus”.

Lajmi të martën për arrestimin e ruso-amerikanes erdhi në të njëjtën ditë me vendimin e një gjykate në Moskë për mbajtjen në paraburgim të amerikanit Evan Gershkovich që punonte për gazetën Wall Street Journal, në pritje të gjykimit për akuzat për spiunazh që ai i mohon me forcë.

Ndërsa në mbarë botën vazhdojnë nderimet për opozitarin e ndjerë Navalny, nëna e tij njoftoi se ishte lejuar të shohë trupin e djalin të saj. Ajo tha se zyrtarët rusë po këmbëngulin për një funeral të fshehtë.

Një tjetër udhëheqës i burgosur i opozitës ruse, i cili u kthye vullnetarisht në Rusi, pavarësisht rrezikut, Vladimir Kara-Murza, foli nga burgu të enjten përmes një lidhje me video. Ai u bëri thirrje njerëzve në Rusi dhe në mbarë botën që të mos dorëzohen përpara errësirës dhe dëshpërimit pas vdekjes së zotit Navalny, por të punojnë më shumë për ta bërë Rusinë një vend normal evropian, të lirë dhe demokratik.

Fëmijët ukrainas rrëfejnë sot historitë e tyre para Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Një grup i vogël fëmijësh ukrainas të mbijetuar nga lufta do t’i drejtohen një sesioni privat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së sot. Kjo lëvizje vjen si pjesë e një përpjekjeje të Kievit për t’iu kujtuar amerikanëve kostot njerëzore të një konflikti. Fëmijët që do t’i drejtohen trupit të OKB-së, një ndalesë në kuadër të një vizite më të gjerë në SHBA, përfshijnë Kira, 14-vjeçe dhe Ilya, 11-vjeçe, nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, duke shpresuar që historitë e tyre personale do të ndikojnë te republikanët në një kohë kur një paketë ndihme ushtarake për Ukrainën është bllokuar në Dhomë.

“Isha duke qëndruar në një stacion autobusi në orën 6 të mëngjesit, duke pritur të shkoja në shkollë, kur fillova të dëgjoja disa shpërthime. Atëherë kuptova se lufta kishte filluar”, tha Kira për The Guardian përpara udhëtimit të saj në Nju Jork, i cili do të pasohet nga një vizitë në Uashington.

Ajo kaloi rreth një muaj duke u strehuar, duke u fshehur në shtëpi, bodrume dhe në një moment në një kishë, pasi Mariupol ishte goditur dhe ushqimi, uji dhe energjia elektrike ishin jashtëzakonisht të pakta. Në fillim ajo iku te gjyshi i saj, pastaj me babanë e saj, Yevhen Obedinskyi, në “një lagje të zhurmshme”, tha Kira ku “mbi rreth një javë e gjysmë, shpërthimet u dëgjuan gjithnjë e më shumë”.

Përfundimisht arriti në pikën ku ata mendonin se duhej të iknin. Yevhen u vra, Kira dhe familja me të cilën ishte, u desh ta linin trupin e tij pas, duke ikur për t’u fshehur në një bodrum ku mund të duronin edhe pak. Pas disa javësh të dëshpëruara, vajza, anëtarët e familjes së të dashurës së babait të saj dhe disa familje të tjera më në fund u përpoqën të largoheshin nga Mariupol. Ajo kujton se u thanë se do t’u jepej çokollatë nëse dilnin nga qyteti, por ata u kapën nga separatistët pro-rusë.

Kira kujton se “ndodhi një bum” dhe ajo përfundoi në një spital në Donetskun e pushtuar, nga ku thotë se rusët i thanë se do të dërgohej në një jetimore nëse të afërmit e saj nga Ukraina nuk mund të kalonin linjat për ta marrë atë./ dita

Nëna e Navalny-it thotë se po i reziston trysnisë për varrim sekret të kundërshtarit të Kremlinit

VOAL- Marrë nga Associated Press

Nëna e udhëheqësit kryesor të opozitës ruse Alexei Navalny, i cili vdiq në një burg rus, tha të enjten se e ka parë trupin e djalit të saj dhe se po i reziston trysnisë së fortë të autoriteteve për një varrim të fshehtë, jashtë syve të publikut.

Në një deklaratë me video nga qyteti Salekhard në Rrethin Arktik, zonja Lyudmila Navalnaya tha se hetuesit e lejuan atë që të shihte trupin e djalit të saj në morgun e qytetit. Ajo tha se e kishte përsëritur kërkesën për t’i dhënë trupin e djalit të saj të vdekur dhe protestoi ndaj asaj që e cilësoi si presion të autoriteteve për ta detyruar atë të binte dakord për një varrim të fshehtë.

“Ata po më shantazhojnë, po vendosin kushte se ku, kur dhe si të varroset djali im”, tha ajo. “Ata duan ta bëjnë fshehurazi, pa një ceremoni mortore”.

Kira Yarmysh, zëdhënëse e udhëheqësit Navalny, u shpreh në rrjetin X se autoritetet i treguan nënës së tij një certifikatë mjekësore që thoshte se politikani 47-vjeçar vdiq për “shkaqe natyrore”. Zonja Yarmysh nuk specifikoi se cilat ishin ato.

Alexei Navalny, politikani më i njohur i opozitës ruse, vdiq papritur në një burg rus javën e kaluar. Vdekja e tij nxiti qindra rusë në të gjithë vendin që të organizonin përkujtimore të improvizuara me lule dhe qirinj.

Autoritetet ruse arrestuan shumë prej tyre ndërsa përpiqen të shtypin mbështetjen ndaj armikut të madh politik të Presidentit Vladimir Putin në prag të zgjedhjeve presidenciale, ku ai e ka të sigurte fitoren.

Nëna e Navalny-it ka ngritur padi në gjykatën e qytetit Salekhard lidhur me refuzimin e zyrtarëve për t’i dhënë asaj trupin e djalit të saj të vdekur. Ajo i bëri thirrje Presidentit Putin të martën që ta lironte trupin e djalit të saj që ajo ta varroste me dinjitet.

Bideni i hap rrugën Mark Ruttes që të udhëheqë NATO-n dhe të përballet me Putinin

Kryeministrin holandez Mark Rutte është pretendent për të qenë kreu i ardhshëm i NATO-s. Është Mbretëria e Bashkuar dhe Presidenti Joe Biden janë ata që po mbështesin kryeministrin holandez që të bëhet pasardhës i Jens Stoltenberg, i cili pritet të japë dorëheqjen këtë vit pasi i është zgjatur vazhdimisht koha e tij në krye.

Mbështetja e Biden-it ka të ngjarë të ndikojë më shumë aleatë që të pranojnë nominimin e Rutte, pas muajsh lojërash mes tij dhe disa liderëve të tjerë evropianë për këtë detyrë. POLITICO raportoi më herët të mërkurën se dy të tretat e vendeve të NATO-s po mbështesin emërimin e Rutte për të marrë drejtimin e aleancës ushtarake.

Mandati i shefit aktual të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka lundruar në mënyrë të qëndrueshme në bllokun politiko-ushtarak në një kohë të trazuar në politikën transatlantike që nga viti 2014, përfundon në tetor.

Presioni po rritet për të miratuar ofertën për udhëheqje të Rutte përpara samitit të NATO-s në korrik, i cili do të mbahet në Uashington për të festuar 75-vjetorin e aleancës. Rruga e Rutte për në rolin e sekretarit të përgjithshëm e vendos atë në një kurs përplasjeje me Rusinë, pasi aleanca lufton kundër agresionit të Vladimir Putinit dy vjet që nga pushtimi i plotë i Ukrainës. Dhe nëse ish-Presidenti Donald Trump kthehet në Zyrën Ovale, udhëheqësit holandez do t’i duhet të përballet me skepticizmin e republikanëve ndaj NATO-s dhe sigurisë kolektive.bw


Send this to a friend