Ndoshta po fliste vertet me vdekjen. ..
Shfaqur me kohë në mendjen e tij, por tashmë edhe në trupin e mbështetur përgjysmë, mënjanuar në shtratin krye dhome.Vetëm sytë lëviznin dhe ndiqnin lëvizjet e tjera në dhomë, gjithçka tjetër e tij me sa duket ishte përqëndruar në atë dialog të saponisur…
Sapo hyra sytë e tij u gëzuan dhe trishtuan njëkohësisht dhe për ta kuptuar sa më mirë këtë trill të tyre ju afrova në përqafim. Aq sa mund të përqafoje një grusht eshtrash, brenda të cilave mezi ndjeva pak frymën që doli rëndë prej buzëve, kur më tërhoqi lehtë dorën e majtë dhe ma puthi. Ma puthi ndërsa mbylli sytë një çast, i cili mu duk se zgjati shumë dhe unë frikshëm kujtova se nuk do ti hapte tjetër…
Puthje dhe mbyllje e syve që kurrë nuk e kisha provuar më parë, gjithmonë ai më afronte kokën pranë dhe ashtu shtërnguar më shprehte mirënjohje.Ditë më përpara e mbërtheja nga supet, e ngrija në këmbë, e mbaja disa minuta të rregullonte ritmin e frymëmarrjes dhe pastaj e ndihmoja të vishej. Përpiqej sa mundej që të ruante dinjitetin e një burri dymetrosh dhe 96 vjeçar, por gjithësesi sapo vishte këmishën dorëzohej dhe e linte trupin e tij në duart e mia. I vishja pantollonat, pastaj xhaketën e bukur dhe këpucët prej lëkure, një numër më të madh që ti fuste lehtë këmbët dhe së fundi nuk harronte kurrë të mirrte portofolin nga komodina e tij dhe ta vendoste në xhepin e pasmë të pantollonave.Pastaj shkopin e tij shoqërues varur në derën e jashtme.
Mbyllja derën e shtëpisë dhe duke e mbajtur për krahu zbrisnim ngadalë shkallët e ngushta të pallatit, prej katit të dytë, ku mezi mund të kalonte një person i vetëm dhe uleshim në barin përbri ku porosisnim ‘’forum kafe’’ dhe përballë Shkelzenit shijonim pamjet e ndrrimit të stinëve dhe veriun që e bënte shpeshherë të dridhej.
E kisha njohur tetë vite më parë, sapo ishte kthyer prej Amerike dhe tek kafe Grand na prezantoi një miku ynë i përbashkët.Ndërsa pinim kafen dhe ndrronim përshëndetjet e rastit, biseda kaloi rrufeshëm nga politika, tek dashuria e malësorëve për vendlindjen, gratë dhe mëkatet e kohës dhe pushoi përfundimisht tek poezia.Duke dalë më vendosi një letër në xhepin e këmishës.E palosur në dysh, një fletë fletoreje katrore, si një model i provimeve të dikurshme të ndonjë nxënësi të dobët, që ma dorëzonte pak me ndrojtje, edhe pak me frikë në fund të orës, pasi kishin dalë të tjerët…
Në darkë vonë e nxora nga xhepi, ishte zhubravitur akoma më shumë, por shkrimi ishte i qartë dhe i dallueshëm, pavarësisht lakimeve nga dridhja e tij e duarve, ndërsa e shkruante.Që në titull e kuptova se ishte një dedikim edhe pse nuk kishte emër. Një poemë bukur e gjatë që e përpiva menjëherë, nuk kisha lexuar kurrë një dedikim aq të drejtëpërdrejtë, të ngrohtë, ku dashuria dhe dhimbja ishin një dhe frika e largimit të saj prej tij nga kjo jetë gati sa nuk ulërinte ,ndërsa unë e lexoja. Një poemë kushtuar gruas së vet, një grua e prajtë dhe e heshtur që sa herë e pashë ishte gjithmonë pranë tij, flokët kafë i mbështillte me një shami tejet të bardhë, sikur të verbonte ajo bardhësi si drita e beftë në sy e diellit të verës. Fliste rrallë dhe gjithmonë kur e bënte kthehej nga ai në shënjë miratimi apo adhurimi dhe shkriheshin menjëherë në dakordësinë e mendimit dhe buzëqeshnin të dy.
Poemën e tij të dashurisë e shfaqa një pasdite të vonë në facebukun tim, një muzg gri dhe i trishtë, kur të mbyllur nga covidi ju kishim kthyer leximit dhe bashkëbisedimit virtual me miqtë. Pati një reagim të menjëhershëm pozitiv, pavarësisht se poema nuk respektonte ndonjë rregull poetik dhe më së shumti ishte një grusht ndjenjash të një njeriu të dashuruar prej 63 vitesh me partneren e tij, një lloj himni modest njerëzor, në ritmet e të cilit krahas dhembshurisë dhe mirënjohjes, fshihej dhe një frikë e mezidukshme e humbjes së beftë të saj, e mundësisë së largimit nga kjo botë.Ndoshta pikërisht kjo frikë dhe mirënjohja fine e një 96 vjeçari për bashkëshorten e tij kishte goditur në subkoshiencën e miqve të mi, të cilët përcillnin çdo ditë lajmet e vdekjeve të shumta nga covidi, pleq, por edhe shumë të rinj.
Në këtë moment izolimi tronditës dhe të mungesës së prespektivës, befas të gjendeshe vetëm një ditë dhe të humbisje njeriun e zemrës ishte pragu i fundit tënd…
Ajo vdiq pak ditë më pas, covidi gjithësesi nuk e kishte munduar me atë humbjen e çuditshme të frymëmarrjes dhe nevojës për tubin e ajrimit, por i kishte dhënë një pushim të shpejtë zemre, ndërsa po rrinte pasdreke në ballkonin e vetëm të shtëpisë, ku ajri i bjeshkës ndihej më i pranishëm se kudo tjetër. Ai kishte kujtuar se ajo po bënte një gjumë të qetë, ndërsa kundronte cullufin e saj të flokëve mbi buzët e vogla dhe një buzëqeshje të lehtë skajuar bri tyre. Dhe nuk e kishte luajtur për një copë herë, deri sa e mori malli për kafen e mbrëmjes së bashku dhe i thirri pastaj. Ajo nuk u përgjigj menjëherë, siç bënte gjithmonë, as nuk u shfaq e turpëruar nga vonesa tek dera e ballkonit, por as nuk u kollit si shenjë e zakonshme miratimi…
Ai u rikthye në ballkon, era e mbrëmjes tash po luante ndrojtshëm me cullufin e flokëve dhe fytyra po zbehej së bashku me dritën e ditës, e cila ishte nisur përtej maleve. E preku lehtë në mjekër me një shpresë të vakët dhe të fundit dhe më pas me një lëvizje të ngadaltë dhe të rëndë ja mbylli sytë, në bebëzat e të cilëve pasqyrohej fundi i ditës dhe kapakët e tyre po ftoheshin papritur. Mbeti pak çaste ashtu, përkulur mbi të, si një siluetë peme, pastaj shikoi rretherrotull tij me kujdes dhe kur nuk pa njeri tjetër u përkul dhe e puthi gjatë, për disa minuta që ju dukën fraksione sekonte…
Më tregoi për këtë episod më pas, kur tashmë ai kishte botuar shtatë libra, kishte turbulluar opinionin me këtë fakt interesant dhe fliste aq bukur në tribuna promovimesh dhe takimesh letrare, derisa e lanë forcat dhe gjunjët nuk e mbanin më të sigurtë. Shëtitjen e fundit në rrugën e bukur të sapo përfunduar të lagjes së tij, ndërsa mbahej mbi mua si mbi supet e djalit të tij, mu lut ta dërgoja tek varri i saj, veç ne të dy më tha.Varrezat e qytetit ishin në periferi, pranë lumit, ndërsa ishim atje nuk e dëgjonim dot valët e tij, por ndjenim freskinë e tyre që depërtonte mbi muret rrethuese të varreve, shushërinin gjethet e blinave dhe të dukej se krejt kjo ishte tërësia e psherëtimave të të shumtëve që ndodheshin aty dhe me këtë thyenin monotoninë dhe vetminë e paskaj të kësaj banese të fundit…
E lashë pak vetëm tek varri i të shoqes, ndërkohë që vetëtonte në tru një mendim që ndoshta çdo ditë vjen në mendjen tonë, por ne e shtyjmë vulgarisht gjithmonë për më vonë. Çfarè marrim me vete kur ikim nga kjo jetë, makina, vila, karrigen të cilën e shtërngojmë fort në zyrë,zilinë, egon dhe urrejtjen apo dashurinë dhe puthjet e tilla, të cilat i shihja tek ky plak fisnik që qante dhe meditonte për të dashurën e tij dhe e puthte aq mrekullueshëm me buzët e tij të fishkura, duke përshkruar lehtë mermerin e bukur të emrit dhe fotografisë së saj.Duke u kthyer ja ndjeja ofshamat brenda tij , ngjante se pejzat e shpirtit po kriseshin dhe nga çasti në çast do të shembej nga dhimbja.
“ I bukur varri i saj!”-pëshpërita lehtë, por ai e ndjeu menjëherë.
-Jo, aspak-më tha. Të parët tanë e kishin mirë, kur formonin një grumbull të fortë dheu, gurin e rëndë te koka dhe emrin në drurin krye varrit. Ndërsa shpirti i tyre largohet ngadalë, ti përkulesh, bëhesh një me dheun, ngjeshesh me kujtimin dhe ndjen mesazhet e fshehta. Betoni dhe mermeri na ndajnë shpejt prej tyre, apo jo?!
Ai fliste dhe unë e miratoja me levizjen e kokës dhe më kujtohej dialogu me tim atë, i cili u nda shpejt nga kjo botë dhe kur më pa të tronditur,afër fundit, ma mori dorën, e vuri tek krahërori i tij dhe më tha” do të jemi tek njeri tjetri gjithmonë dhe do të flasim”. Shkoj vazhdimisht te varri i tij dhe flas me të, i tregoj gjithçka anipse nuk e kam zërin e tij në dialog. Por sinqerisht e ndjej thellë brenda vetes.Herë si boshllëk malli, herë si fjalë e shkruar gjaku, e cila lexohet aq shpejt në nënvetëdijen time dhe shfaqet në ekranin e kujtesës si një mesazh i duhur.
Ndoshta po fliste vertet me vdekjen. ..
Apo thellë-thellë ai dialogonte me kujtimin e shtrenjtë të saj dhe shpresonte të ritakohej shumë shpejt me të?! Në fund të fundit zoti secilit prej nesh ja bën më të lehtë fundin, duke e joshur me iluzionin e rigjetjes së asaj çfarë ke humbur në jetë, ndërsa shfaqesh në tunelin që i lidh dy anët, përpara ke një livadh ëndrrash që të tërheq dhe pas kthen kokën herë pas here si shenjë lamtumire për ata që i le. Dhe lotët pastaj shpejt veshin me re’ dhe me një tis të hollë mjegulle rrugën e kalimit…
Mbaj mend, kur u përkula mbi trupin e babait tim, i cili kishte pësuar infarkt, bash në cepin e majtë të syrit i hetova një gjysmë loti, akoma varur mbi qepallën e mbyllur, ishte gati në të rënë, ndoshta më kishte pritur mua, e prita në bulzën e gishtit të vogël si një margaritar dhe kujtova porosinë e tij të ribashkimit dhe komunikimit tonë në vazhdim…
Nuk i thirra më tej plakut, e lashë në dremitjen e tij, veç ja preka përsëri gishtat, mi ngrohu pak dhe në hapësirën e ngushtë, gjysmë të mbyllur të syve buloi një lot, por nuk ra poshtë në fytyrën e tij krejt kocka si reliev i një portreti në skulpturë. “ I lumi ai për jetën e tij, i lumi ai për pritjen e tij!” mendova njëherësh dhe tërhoqa pas vetes derën e rëndë të drurit në largim…
Gusht 2022
shum liber i bukur
Very good
Very good
Replay