VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Më 19 tetor 2009 u nda nga jeta shkrimtari i shquar shqiptar Dhimitër Xhuvani

By | October 19, 2019

Komentet

Letra e Lasgushit për të bijën: Nuk më vjen frikë të vdes, nëse jam në duart e tua

Marie Poradeci, e bija e poetit Lasgush Poradeci, ka postuar në profilin e saj një letër që i ati i ka nisur vajzës tjetër. Ajo e poston në përvjetorin e vdekjes së poetit me këtë shënim: “Babai im i dashur. Ti e nise fluturimin për në parajse me 12 nëntor 1987, mbasi e kishe kryer destinin tënd, e nise nga shtëpia jote dhe në krahët e vajzave të tua. Ashtu siç kish urdhëruar i madhi Zot që të ka në krahët e tij”



LETRA
Merr. Kostandina Lasgush Poradeci
Lagja e Mburimave, rruga Çeta e Mokrës nr 56

Pogradec.
Tiranë e Mërkurë 17 tetor 1979,
Kostandinë bijë e dashur edhe trimëreshë e babajt, dola të Hënën më 15 Tetor prej spitalit, Pavjoni XIV ku më suall pas operacionit të kataraktit të syrit t’im të djathtë prej Doktor Ylli Shtyllës. Nata e parë pas operacionit ishte e tmerëshme për mua 24 orë pa gjumë sepse me dhembje të mëdha të syrit, ndjenja pështirosje për të vjellë nga 4 injekcionet rreth syrit dhe medikamentet në sy, e të tjerat, e të tjerat. Si nuk vdiqa natën e parë përveç netëve të tjera, 10 net me rradhë të tjera, që më s’thosha në vehten time do vdes, jo nga frika e vdekjes, meqë gjithë gjëja e gjallë ka frikë prej vdekjes, po nga torturat në trup. Nuk thesha më nga torturat do vdes, po edhe në natën e parë kur nga torturimi thesha me vete do vdes, nuk më vinte frikë të vdes, siç ka gjithë njerëzimi frikë, s’e ndjenja frikën si gjithë njerëzimi atë natë – sepse, bijë e babait, atë natë të kisha ty pranë, vdisja në duart e tua. Kur vdes njeriu edhe kafsha kur vdes, do që të ketë një qënie pranë, ose një njeri të dashur pranë, ose një njeri pranë, edhe kur s’ka as të dashur njeri pranë, as një njeri sidokodo pranë, prek me dorë, me dorën që vdes, atë qënien, atë sendin që ka pranë, atë gurin, atë bluashkën edhe atë fijen bar që ka pranë, kaq keq isha, Kostandinë e babajt, atë natë kur si e dërguar nga engjëlli ti më ardhe bijkë e babait papritur pa kujtuar prej aq larg, prej Poradeci, më ardhe pa të thënë njeri, me inisiativën tënde të guximshme, aq vendimtare aq guximtare. Dhe si më rrinje ti ashtu pranë e lodhur e kapitur ditë e natë, unë të falem nderit tashi babkë dhe t’i puth ëmbël, ëmbël fort syçkat e bukura edhe të mënçme. Kaq po të shkruaj, dua të vi në Poradec çdo ditë, po s’ka kush më gjen maqinë se unë vetë jam pa fuqira prej spitalit.
Të kisha lekë, mirja një takximetër angazhé, isha për tre orë aty, po ku të gjesh lekët. Të përqafon dhe të puth me shumë mall babaj tënd.
Lasgush

KRAHËGJATAT E FUSHËS – Cikël poetik nga FASLLI HALITI

KRAHËGJATAT E FUSHËS 

 

 

Krahëgjatat e fëmijërisë sime fushore

Krahëgjata të fushës sime stepore

Ju kam gjuajtur

Me llastiqe

Ju

kam vrarë

Ju kam vjedhur

Vezët natën nëpër folera

Të thurura kaçubeve me fije bari

Ju kam ndjekur

Me vrap, rrufe,

Fushave

Arave

Grunjave

Vija natën t’ju kapja në fole.

 

Doja t’ju shkurtoja krahët e gjatë

T’ju bëja krahëshkurtëra

Si  shkurtëza

Por

As në tokë

As nëpër qiell

As nëpër folera natën s’ju kapa

 

Dhe s’kish sesi gjersa ju ishit krahëgjata.

 

Dhjetor,  2013

 

 

PLAS MOJ ZEMËR

 

Nëse rrëzohem një ditë,

Nga toka,

Mbi tokë,

Dhe jo nga lartësitë,

Sepse s’jam i lartësive

Dhe, s’do jem në përjetësi.

Gjemani kutinë e kuqe të zemrës,

Siç gjendet kutia e zezë e avionit të rrëzuar

Dhe hapeni,

Shikoni gjithçka timen

Të regjistruar brenda saj.

Shikoni të bardhat dhe të zezat e mia,

Veset dhe virtytet,

Të mirat

Dhe të këqijat

Verifikoni në të.

Do gjeni

Vallë

Të regjistruar aty

Më shumë urrejtje

Apo më shumë dashuri?,

 

Do gjeni të regjistruar

Më shumë

Burrëri ,

Besë,

Apo besnikëri,

 

Më shumë sinqeritet, apo dyfytyrësi…?!

 

2012

KUR M’U PRE FJALA

Kur m’u pre Fjala,
M’u përgjak
Gjuha.
Gjuha u vesh me të zeza.
Veshi fustanin e zi të heshtjes.
M’u përlotën organet e mendimit,

Në pellgje të zinj gjaku nis koha e pluskimit…

 

29 tetor 2014

 

 

 

 

NUK MË SHEH ME SYRIN E MIKUT 

 

 

«Nuk më sheh me syrin e mikut», o mik,

Gjersa më vë re

Të metat»

Çdo sekondë,

Çdo minutë, çdo ditë.

 

Me syrin e mikut

Të kam parë e të shoh edhe sot,

Sepse

Që të dy ne

Kemi mëkate, të meta plot…

 

Të mirat, virtytet, vlerat e tua,

Si laureshat unë

I lë të lira

Të fluturojnë qiejve,

Qiejve si lauresha ato unë i nis,

Kurse të metat e tua i mbyll si «brilante»

Në kasafortën time me kyç të florinjtë të miqësisë.

Korrik, 2014

 

TE NE

 

Te ne,

Të ikën,

Të fluturon mendja.

Të pushon zemra…

 

Dhe jo vetëm të pushon zemra,

Jo vetëm të ikën,

Të fluturon,

Mendja,

Por të ikën

Të fluturon koka

Nderi

Jeta …

Mbi të gjitha

Te ne të ikën, të fluturon e drejta !

 

9 tetor 2014

 

 

 

SHPËRBLIMI

 

 

 

Mbolla

Qershinë.

Pas dy, tre, katër,

Pesë, gjashtë ditësh,

Ti i kërkon korra të kuqe qershisë.

Nga mospjekja, skuqja qershia ul kokën,

Qoftë prej meje qoftë prej vetë pemëtarisë

 

Kalon janari shkurti marsi, prilli i blerimit të blertë,

Në maj qershia më dërgon një ftesë të kuqe sferike

Një ftesë me ëmbëlsi të kuqërremtë

 

Pasi çel gjethi i ri

Plas, dhe bulon sythi,

Pasi prilli vjen plot blerim,

Pasi qershia shkumëzon në lulnajë,

Pasi bletë paravjelëse, vjelin mjaltë në fluturim,

Nis edhe unë vjeljen e sferave të kuqe përplot kolor ,

Shijoj si bletët ëmbëlsinë e kuqe sferike të qershisë.

 

Shpërblehem prej bonsensit,jo prej Zotit,Perëndisë.

 

 

Shkurt 2014

 

 

 

 

  AH SIKUR

                                    

 

O

O o

O o o

O o o o

O o o o o

O o o o o o

O o o o o o o o

O o o o o o o o o

O o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o o o o o 1…

Një Keops piramidë zerosh

Pambarim.

Ah!

Sikur

Të ish njëshi para zerove, në fillim

Ah sikur para zerove

Njëshi të ish!

 

Por njëshi në bisht të zerove është mjerisht…!

 

Shkurt 2014

perëndi a monstër – Cikël poetik nga PRENG MACA

era

 

Nëse mua më ngjan shpesh vetja

një varkë me vela

jam i shënuar të jetoj mes detit

në këtë botë me pak shpresa

ngase nuk më pyetën

kur vendosën për mua, si qenie

shpesh isha i mashtruar

nga gjërat shkëlqimtare.

 

Nëse unë jam si  ajo varka,

ti je shkaku

pse fryhen velat

dhe e bëj gjumin me ëndrra,

për ta prekur token, ku ma shkel

syrin… e ardhmja!

 

 

 

sens mase

 

 

Mos më harro,

se… fyhem!

 

Mos më shtrëngo,

se… thyhem!

 

 

 

 

ditët në mes

 

 

Merr frymë, si e sotme

e pakapshme, si e nesërme.

 

Nëpër vargjet e shkruara,

ndjehem në shenjestër,

 

Gjithë plagë zgjohemi

pa shenja plumbash.

 

Mbi qiellin e shpeshtë

shkruajnë paqen pëllumbat!

 

 

 

fjalët

 

Nuk e di a e ke vu re

kur i shkruaj fjalët here pas here

i zgjedh dhe i nis në vargje,

si drejt qiejve

duke iu kushtuar aq vëmendje

që ti ta dallosh,

brenda tyre zemren.

 

 

adresë

 

Nëse Zoti do të më kish bërë zog

Ti e di,

Ku do ta kisha folenë!

 

 

                                

 

                 ditët si vezë

 

 

 Ditë të rrumbullakta krejt, si vezë Pashke

trembem tek e mbaj në dorë,

mos më bie dhe e thyej, pa dashje!

 

E kriset, e thyhet

e përfshihemi të gjithë në… ngjarje!

 

 

 

shtëpi

 

Mendimet e mia janë trarët,

çastet e fiksuara janë çatia,

fjalët e shkruara janë muret,

raportet me jetën dhe vdekjen janë themelet,

ndërsa dashuria ime janë dritaret.

 

Ju gjithnjë mund të shihni

çfarë ndodh në këtë shtëpi

brenda së cilës gjendem i mbyllur,

nga mungesa e dyerve,

shkaktuar prej pavetëdijes!

 

 

 

 kob

 

Në grykë e kam Atdheun tim

një dënesje, një parandjenjë, një si… kob!

 

Mbeti deteve gjithë jetën

kurrë nuk u bë Kolomb!

 

 

 

instikt

 

Mos u tremb,

në këtë jetë asgjë nuk humbim!

 

nëse shpirti ynë,

e tradhëton… trupin!

 

 

 

 

vetmi

 

 

Mos më ler vetëm!

nga zemërimi yt

bien çastet e mia të gëzuara

si një pemë,

prej së cilës bien frutat

prej erës së fortë, prej erës së tërbuar.

 

Mos më lër vetëm!

 

Ngjaj brenda zenkave,

si njl fetus

me kokën… në duar!

 

 

 

det i munguar

 

 

akuarium me peshq

peshq në akuarium.

 

pronari i akuariumit

mashtron peshqit

se, gjoja

akuariumi është… deti.

 

larg prej dhomës gjëmon deti!

po peshqit janë tashmë të shurdhër,

janë të lumtur peshqit.

 

 

 

 

 shi

 

 

Bie shi pa pushim

nën çadra ecim nxituar

pët ti ikur zemërimit të qiellit…

 

duke mbrojtur secili veten nën çadra

harrojmë… njeri tjetrin

 

 

                          shpëtimi i zogjve

 

Isha i vogël aso kohe…

më bie ndërmend jo mosha, por ajo që mbaj mend

është se ai zog ishte i vogël e dridhej,

krejt pupla thuajse ishte

(sa unë mendoja një kohë të gjatë se si mund të fluturonte

e nuk e merrte era zogjtë kur ngriheshin në qiell!)

 

e mora në dorë atë  zog  bashkë me  dridhjen

ja ndjeja zemrën në dorë

rrihte më tërbim e bashkë më të rrihte… zemra ime

duhet shpëtuar, thashë

e vura në një pemë e ai cicëroi për çudi  i dolën fletët

e ndihmova, u ndjeva i shpëtuar vetë,

duke ia shpëtuar jetën…

 

Tani i rritur… akoma e kam në mendje atë ditë strukur në kujtesën e kthjellët

kurrë në jetën time nuk kam vrarë zogj

e sa herë i shoh zogjtë në qiell duke fluturuar

gjithnjë më duket që atëherë kur isha i vogël dhe  e shpëtova atë zog

gjithë zogjtë e botës unë i kam shpëtuar!

                 

 

 

           letra e fundit e motrës së Gjergj Elez Alisë

 

“Në hall të madh jam:

bajlozat gjithë vendin e kanë pushtue

e vëllaj em,

dergjet nën nantë plagë e nuk dëgjon asgja,

ndërsa unë qaj e ligjëroj me za,

ndërsa tregoj,  se bajlozët na i morën të gjitha …

 

“Tash  nuk kemi asgja

dhe ata  bajmë, sikur nuk i shohim

e vëllaj im ban, sikur nuk dëgjon

ata, (bajlozët), bajnë si të urtë,

urtësia  e atyre që i kanë në dorë  të gjitha

e të japin vetëm bukën thatë,

duke ta marr shpirtin e gjithçka,

pastaj rrëmbejnë foltoret duke na treguar,

se ne jemi të lumtur sa më nuk ka….”

 

“Në hall të madh kam ra e çdo natë qaj me za

e vëllaj em me nëntë plagë në shtat,

ban sikur nuk ndigjon e jermas ngrihet e thotë: “Ç’ka  a?”

 

“Unë hesht …Tash nuk i them asgja ma

tash nuk ka ku shkon, në asnjë betejë të mundshme

tash nuk ka çfarë  shpëton… gjithçka u zhba!”

 

 

 

               vizatime… pa dashje

 

as unë vetë nuk e di si ndodh kështu, e pashpjegueshme

është akti se si mbi një letër shpejt e shpejt,

si  e nxjerr prej vezës së ngrohur nuk e di prej sa kohësh

majë lapsit më karbon të butë

merr formë një zog i trishtë, i hajthshëm, i vogël…

 

pastaj tek e sodis natyrën shterpë trishtohem,

ka aq pak pemë gjithandej,

të “fshihet” në një çerdhe  është thuajse e pamundur

foletë e mundshme janë trembur e nga zhurmat e mëdha janë shkundur

(ku do të jetojë ky zog i shkretë?)

 

është puplor e krahët nuk i shkund dot për zhvendosje,

ndërsa  përkundrejt tij sa shumë qenie

presin të jetë preja e tyre e ardhshme,

duke ju gëzuar asaj që unë padashje e vizatova,

thuajse krejt pa dashje!

 

trishtimi më mbulon e më pas i pendohem

asaj lirisë së krijimit absurd

të këtij zogu që ngjan me ëndrrën time

shpik brenda vetes intime,

për të prekur aq gjëra, që së fundmi u gëzoj vetëm dëshirën

 

befas pendohem,

mendoj se ndoshta do të më  duhet ta fshij

për ta shpëtuar nga një e ardhme

me rrisqe të mëdha e nga kjo botë gojë -hata…

 

por sa e kthej kokën sërish në fletë

krijesa ime… ka dalë nga letra  e bardhë

për shkak se,… sapo i dolën fletët

dhe unë tashmë e kam mendjen tek vendet ku fluturon

rreziqet e mëdha  të kësaj bote të madhe

që i ha gjërat,  pasi i lind krejt rastësisht

e thuajse,… krejt  pa dashje!…

                                           

 

 

           jashtë  nesh

 

Jashtë nesh gjendet ,… pa zë, e ma së shumti, pa bujë

djersit, na bie pareshtur me tehun  tepër të mprehur,

duke  e ndjerë plagën  qartë nuk i ankohemi askujt

Çfarë po na gjen kështu?!… Çfarë ka për të na gjetur?!

 

Të dobët jemi, të pafuqishëm, minorë e të plogët

gjersa goditjen nuk e ndalim, ballë saj gjendemi. Pra dalim

të pafuqishëm e nuk e dijmë çfarë është perëndi a monstër

ajo që na bën ta mendojmë të nesërmen, kur papritur mbajmë hapin!…

 

Qenie inferiore ndjehemi,… por kush gjithë kohën  na merr përdore,

duke na drejtuar shpesh …pastaj papritur  na  e sos udhëtimin?

Të fuqishëm ndjehemi, veç kur si përënditë, prore

i sfidojmë  qiejtë, duke u kapur fort tek… mendimi!

 

               

            kur të lexoj ty…

 

Ju lexoj ju dhe ndjehem ndryshe
Në vargje e shkruara që krejt më shkundin
Ti thua gjëra me fjalë aq të fisme
E sytë më hapen e më del… gjumi!

 

Nuk di në fakt për ty asgjë
Po ç’vlerë ka, çfarë është kuptimi?
Nuk mundet gjithë bota të hyjë tek ne
Por ndjehemi pranë shpesh dhe… ky është çmimi!

KËTU VETËM VARRET FRYMOJNË SHQIP…! – Rishkrim refleksiv nga Sejdi BERISHA

Në vend të përkujtimit për krijuesin dhe studiuesin, Hasan Gjonbalaj(1935-2012)

 

 

 

Me dëshirën e zjarrtë u nisa për në Lezhë, ku organizohej një manifestim letrar dhe kulturor në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë rrugës, gjithçka më grumbullohej në mendje, por, tash sikur çdo gjë ishte e mbështjellë me gëzim e hare. Me kohë arritëm në Lezhë, unë me disa nga krijuesit nga Gjakova dhe Bajram Curri, sepse, tani na ka mundësuar Rruga e Kombit! Në këtë qytet, zbresim afër shtatores të At Gjergj Fishtës, e që ai shesh rrethohej nga gjurmë historike: Varri i Skënderbeut, busti i këtij heroi kombëtar, Biblioteka dhe Pallati i Kulturës. Ndërsa, lartë, sikur bënte roje Kalaja e Lezhës.

Miqtë nga ky qytet na presin me përqafime, dhe nuk vonojmë e nisemi për tek Mrizi i Zanave, për në Fishtë, ku do të mbahet edhe manifestimi, për të cilin do të shkruaj njëherë tjetër.

 

Sikur ta dinte se ndodhem në Lezhë, me siguri se vdekjes do t’i thoshte: prit, mos më ngut edhe pak, sepse, sivjet në Lezhë i kam edhe dy-tri llafe për t’i thënë…

 

…Dhe, pas manifestimit, të mbushur plotë oksigjen jete të kësaj ane, kthehemi për në Kosovë; për në Pejë e në Gjakovë, por edhe kolegët tjerë për në Bajram Curri. Posa iu afruam qytetit të Prizrenit, qytetit të Lidhjes për bashkimin kombëtar, telefoni më jap “shenjë” se më kishte arritur një mesazh. E hapi atë me kureshtje, e lexoj edhe mesazhin. Djali më shkruante: babi, ngushëllime… ka vdekur Hasan I. Gjonbalaj. U stepa dhe thjeshtë nuk besova dhe as nuk desha të besoj. Menjëherë më ka brofur mendja dhe më iku tek Krahina e Plavës dhe e Gucisë, të cilin vend aq shumë e deshi, për të cilin vend aq shumë bëri shkrime, aq shumë vepra shkroi, duke folur me krenari edhe për Vuthajt, për vendlindjen e vetë.

Tani, rruga më bëhet njëqind vjet, apo edhe sikur makina vendnumëronte. Sërish meditoj në atë rrugëtim të orëve të mbrëmjes, e në atë terr të dyfishtë për mua, më rridhnin lotët për mikun dhe krijuesin, i cili gjithnjë ka qenë i afërt, i ngrohtë dhe plotë energji përherë për të thënë e për të shkruar diçka me rëndësi e me peshë për atdheun e kombin.

Por, nuk pajtohem se ka ikur, Hasan Gjoni! Dhe, athua mund të jetë kjo koincidencë: unë në Lezhë e Hasan I. Gjobalaj të ikën në mënyrë aq “tinëzare”?!… Sikur ta kishte ditur se kisha udhëtuar dhe ndodhem në Lezhë, me siguri se vdekjes do t’i thoshte: prit, mos më ngut edhe pak, sepse, sivjet në Lezhë i kam edhe dy-tri llafe për t’i thënë, por edhe në Tiranë e në Shkodër…
Por, e tërë kjo është një imagjinim imi i ngarkuar me peshën e pikëllimit. Tani, ky njeri më kujtohet bashkë me veprat e tij, me çantën me shënime e libra, pesha e të cilave, pos tjerash, i sjellke telashe edhe me astmën, me frymëmarrjen! Takimet tona të shpeshta, të cilat nganjëherë begatoheshin edhe me gazin dhe humorin, na sillnin ide e vullnet për shkrime të reja për historinë, për rrënjët, për trungun dhe kurorën e kombit, por gjithnjë, shpeshherë pa e harruar Plavën, Gucinë dhe Vuthajt.

Është bukur vështirë ta shprushësh jetën por edhe krijimtarinë e Hasan I. Gjonbalajt. Sepse, ato kanë një mesazh të veçantë, një porosi si amanet për trojet shqiptare. Me këtë etje, ai gjithmonë ishte i ngarkuar, sa që as shpirtin asnjëherë nuk e kishte të qetë. Ishte i etur… Për këtë arsye, veprat e tij: “Kelmendi-gjenealogjia e familjes Nikçi”, “Lufta e Nokshiqit-epope kundër copëtimit të trojeve shqiptare”, “Ali Pashë Gucia”, “Këngët historike në krahinën e Plavës dhe Gucisë”, “Plava Gucia-dy qendra një malësi”, “Zhanica, Pepajt dhe Nokshiqi” si dhe shumë vepra të tjera me karakter studiues dhe me poezi, janë pasqyra krijuese e këtij shkrimtari, hulumtuesi dhe studiuesi.

 

Hasan GJONBALAJ

 

Peja, e cila në ato çaste më dukej se i kishte drejtuar të gjitha shikimet kah unë, për të më thënë se sot këtij qyteti dhe jo vetëm kësaj qendre të Rrafshit të Dukagjinit, i iku një njeri që la vepra e histori. Apo, për të më ngushëlluar për mikun, që tani fryma e kishte tradhtuar, e cila shumë e shumë vite e kishte munduar për ta ushqyer shpirtin lirshëm me oksigjen atdheu.
Arrita vonë, shumë vonë, dhe këmbët nuk më provonin ta drejtoj makinën për në lagjen “Dardania”, në shtëpinë e familjes Gjonbalaj, ku aty edhe pak orë do të qëndronte, dhe, herët në mëngjes, trupi i tij do të nisej për në vendlindjen e vetë, për ta gjetur aty prehjen përgjithmonë. Aty,… në lëndinën e varrezave në Vuthaj.

 

Amaneti: pushimi në tokën ku lindet njeriu është sikur kur flenë qetë e me ëndrra të bukura në kopshtin plotë lule…

 

Një ikje e tillë është thjeshtë e papranueshme, por amaneti i tij me plotë gojë ishte: pushimi në tokën ku jam lindur është sikur kur njeriu flenë qetë… Deri në mëngjes flas dhe zihem me Hasanin, ashtu siç shpeshherë vepronim për t’i gjetur dhe krijuar gjërat e mira dhe fondamentale. Tani, me taksi arrita në lagjen “Dardania”, ku edhe ishte parkuar autobusi i cili ishte dedikuar për miqtë dhe dashamirët, që do të merrnin pjesë në përcjelljen për në shtëpinë e fundit të krijuesit.
Nuk bëra ballë të shkoj në shtëpinë e tij dhe të përshëndetëm me te, tanimë në mënyrë krejtësisht tjetër! Jo, nuk shkova. Sepse, dëshiroja ta ruaj kujtimin me shikimin dhe vitalitetin e këtij njeriu, i cili për asnjë moment nuk i harroi, por i madhështoi virtytet, doket dhe zakonet dhe karakterin e malësorit. Ishte moment i rëndë e i dhembshëm kur autobusi u nis. Përplot njerëz në autobus i cili ishte komod, por assesi, të paktën unë, nuk isha rehat.
Tani kaluam kufirin në mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe gradualisht i afrohemi cakut. Një mik imi poet, më pyet se a ishim gati për të arritur, por nuk dija saktësisht t’i tregoja, sepse, më kishte shkëputur nga mendimet, edhe pse kësaj rruge, përpara ndoshta kisha kaluar qindra herë, e veçmas kur kam bërë shkrime për Krahinën e Plavës dhe Gucisë. Në të arritur rrëzë Plavës, tani sikur toka, ajri, malet dhe majat e thepisura kishin aromë të shqipeve, frymonin shqip. Por, sa më shumë që i afroheshim Gucisë dhe Vuthajve, ankthi sa vinte e më shtohej. Autobusi qante rrugën e asfaltuar por të ngushtë. Dhe, tani kur arritëm në Vuthaj, u drejtuam për në varreza, të cilat ishin në një kodër të vogël, nga ku mund t’i shikosh të gjitha bukuritë dhe madhështitë e këtij fshati me histori të lashtë por tash të shurdhër, ngase këtu, pak vuthjanë kanë ngelur për të jetuar. Kurse, shtëpitë e reja, shumica syresh ishin me perde të lëshuara, të cilat brenda fshihnin vetminë, dhembjen dhe kallëzimet historike për këtë tokë e për malësorët e saj, shumë prej të cilëve kanë marrë rrugët e kurbetit, e shumë prej tyre kanë zënë vend e kanë krijuar jetë edhe në Kosovë.

Ndërkaq, ato shtëpitë e vjetra, të cilat Hasan I. Gjonbalaj i ka përjetësuar në veprat e tij, tanimë janë vetëm gjurmë kohe që i ngjajnë relikteve. Kanë pamje të librave të shumta, që kanë ngelur të pashkruara e disa edhe të palexuara. Dritaret, qepenat e të cilave pa mëshirë i rrahë era dhe koha, kurse, muret e shembura, shprehin qëndresën, por edhe lodhjen si qortim…!
Për të arritur trupi i pajetë i krijuesit deri tek shtëpia e përjetshme e tij, autobusi duhej të kalonte edhe një copë rrugë, të cilën, në shumë vende e kishte përlarë uji i lumit Gërlica, e besa edhe shumë livadhe e tokë pune. Thash: nuk është kjo pasqyrë e pakujdesisë së banorëve të këtushëm, por sot, ky ujë kaq i pastër është i zemëruar, sepse, një njeri që u lind në këtë tokë, sërish asaj po i kthehet përgjithmonë, por po kthehet në një formë tjerë. Po kthehet krijuesi dhe studiuesi i vlerave të kësaj ane, Hasan Gjoni, i cili, për ta kënaqur shpirtin me madhështinë e kësaj ane, por edhe për të bërë shkrime edhe më thelbësore, kishte ndërtuar një shtëpizë, ku verës i kalonte “pushimet” duke krijuar e duke thurë edhe vargje poetike. Kjo shtëpi është në vendin ku njeriun e provokojnë edhe Krojet e Ali Pashës!… Aty, Hasanit i dukej se brumoste më mirë, më fuqishëm dhe më ngrohtë shkrimet e tija, në të cilat, siç dihet dhe e kemi thënë, i ka kthyer në përjetësi rrjedhat historike, doket dhe zakonet, trimërinë dhe burrërinë, atdhetarizmin, mikpritjen dhe shpirtin e madh të njeriut të kësaj ane, të malësorit, që sot e kësaj dite të gjitha këto i ruan dhe i kultivon me fanatizëm.

 

Edhe sot, kombi dhe atdheu është i copëtuar, që dhembshëm reflekton dhe qorton…!

 

Ecim deri tek varrezat, duke ndërruar hapat tunxh. Sot, këto varre padyshim se ishin plotë dhembje, por dukeshin edhe krenare, sepse, këtu tani do të prehet përgjithmonë biri i kësaj ane, dikur fëmijë i urtë, dikur djalë i ndrydhur dëshirash por i sertë dhe me ndjenja, dhe më vonë, njeri që prej viti në vit puthitej me rrugëtimin e kombit, me fatin e tij, me çelikosjen në frymën dhe madhështinë e atdheut, të cilat gjëra e provokuan dhe e “detyruan” që shkrimi, vargu, krijimet nga fusha e studimeve dhe e kërkimeve të të gjitha gjërave që e kanë bezdisur kombin, atdheun, i cili, siç thoshte ai, është i copëtuar, dhe si i tillë reflekton dhembshëm dhe ftohtë, por edhe qorton.
Tani, para se t’u afrohemi varrezave, ishte radhitur familja Gjonbalaj dhe malësorët, që dora dorës përshëndeteshin me ne për të na falënderuar për pjesëmarrje në varrim, për mua të jashtëzakonshëm! Të jashtëzakonshëm, sepse, krijuesi nuk vdes, por shndërrohet në dritë e në fanar. Djemtë e Hasan Isufit, (kështu kishte dëshirë për ta thirr atë), Rifati dhe Malësori, më shtrëngojnë fortë e fortë, dhe lotët e tyre ishin ndjenje e shprehje e respektit ndaj meje e ndaj babait të tyre, të cilit më kurrë nuk do ta kanë rastin që t’ia dëgjojnë zërin dhe as ta përkëdhelin e përqafojnë si përpara. Janë këta dy intelektualë, sjellja e të cilëve më bën krenar, dhe them: lum Hasani për pasardhësit e vetë. Po ashtu them: i lumi unë që i kam këta djem të mikut tim dhe të krijuesit, i lumi kombi dhe atdheu që i ka!…

Tani, po afrohej koha kur trupi i krijuesit, trupi i pajetë i Hasan I. Gjonbalajt, i mbështjellë dhe i stolisur me flamurin kombëtar do të puthitet dhe ngjitet fortë e fortë me tokën e dheun e vendlindjes, bash ashtu si gjithmonë e kishte këtë shkrumb e këtë dëshirë. Mbi varrin e tij, vërshuan buqeta e kurora lulesh. Në vazhdim fliten edhe disa fjalë, që padyshim se janë pak për t’i dhënë lamtumirën mikut. Unë ia thashë vetëm këto fjalë: “I dashur Hasan, tërë jetën luftove për zbulimin dhe për forcimin e trungut të kombit në Krahinën e Plavës dhe të Gucisë. Dhe tash, ike duke e afirmuar kurorën e këtij trungu. Të qoftë i lehtë dheu i kësaj toke! Nuk dita se ç’t’i them gjë tjetër?!…

Pas pak, kthehemi prapa. Dhe, çfarë ndjenje më kaploi. Ia kthyem shpinën varrit të krijuesit,… ai ngeli vetëm… Kjo është e padrejtë! Por, sërish them: nuk ka më madhështi dhe kënaqësi më të madhe se sa kur t’i merr nën mbrojte dhe t’i ngrohë eshtrat dheu yt, i tokës sate. Sa ngrohtë është,… sa kuptim të madh ka. Besoni!

Kthehemi në rrugën e njëjtë gjarpërore deri në Pejë. Nga lartësitë e thepave të bjeshkës së Zhlepit, duke zbritur drejtë Radacit, shoh nën drita Pejën e Haxhi Zekës, e cila është histori e tregim në vete. Më bëhet se diku kah mesi i qytetit, një dritë është shndërruar në akull, në vetmi, në heshtje, aty pranë shtëpisë së Hasan I. Gjobalajt, në të cilën edhe tutje gjithmonë do të zhurmojë historia, në të cilën do të ketë mendje, njerëzi, por edhe frymë dhe atmosferë malësie e të njeriut të Plavës, Gucisë dhe të Vuthajve. Tërë këtë e dëshmon edhe Malësori, i biri i Hasanit, që pagëzimi i tij nuk është i rastësishëm por është simbol dhe zjarr shpirti i krijuesit, e që tash, Malësori, edhe pse i ri, ka hapëruar kah majat e mendjes, të mirësisë, të punës dhe sukseseve për kombin e atdheun. Këtë e dëshmonte lumi i njerëzve që merrnin pjesë në ngushëllime e që vinin nga çdo cep i Kosovës dhe i Malësisë.
Ndërkaq, Rifati, djali më i madh, profesor i gjuhës dhe i letërsisë, edukon dhe i bën të vetvetes gjenerata e gjenerata në gjimnazin e Pejës.

Kështu afrohet edhe fundi i ditës së tretë të ngushëllimeve për ta nderuar jetën dhe veprën por edhe për ta ruajtur kujtimin për Hasan I. Gjonbalajn, për Hasan Isufin, të cilat e begatojnë jetën e njerëzishme të familjes së tij. Në këtë vazhdë, sërish më rrjedh mendimi për tërë krijimtarinë e këtij njeriu, që, për ta komentuar atë, patjetër se do të nxitën dhe provokohen lëruesit e shkencës dhe të historisë, për të bërë vepra të reja dhe akoma edhe më me peshë për rrugëtimin e njeriut tonë, i cili ende ka nevojë të begatohet me njohuri duke kulmuar historia dhe shkenca me vepra të reja… Them kështu, sepse, Hasani, në çdo takim, në çdo manifestim letrar, kulturor e shkencor, nuk harronte për ta theksuar Nokshiqin dhe disa vendbanime të tjera në Krahinën e Plavës dhe të Gucisë, ku siç thoshte ai: tani, këtu vetëm varret frymojnë shqip…!

Sa mesazh e metaforë që tronditin e të detyrojnë për ta ngritur zërin për shumëçka, që, siç e kam shprehi gjithnjë për të thënë, janë qortim të cilin duhet përfillë e jo vetëm për ta dëgjuar e vetëm sa për ta thënë diku tjetër. Dhe pra, pse është kështu: këtu, tash vetëm varret frymojnë shqip?!!…

 

*    *    *

 

… Iku miku dhe krijuesi, i cili pa dëshirën time ma detyroi këtë shkrim, të cilin ma rëndoi edhe më shumë biseda me A. G., pjesëtar i luftës në Kosovë, por edhe poet, që me vargje di për të përvetësuar e për ta therë edhe zemrën me dhembjen edhe shpirtin për njeriun. Ky më flet për Hasanin, dhe mes tjerash më thotë: … Kur mora lajmin për vdekjen e tij, nuk dita se çfarë të bëja… Nxora telefonin dhe e thirra, siç shpesh bëja kështu… Matanë telefonit nuk kishte zë njeriu. M’u mbushen sytë me lot e zemra si të donte të më dilte nga kraharori, e pastaj më dolën fjalët: Të thirra në telefon, por ti nuk m’u përgjigje… Po, pse ishte kështu?! E di se përgjigjen nuk do ta marrë kurrë…
Tash, kah t’ia mbaj, o Hasan Isufi. Nuk di gjë tjetër, përveç se të të them lamtumirë, kurse kujtimin për ty e kam në zemër e në shpirt. Prehu aty ku gjithnjë kishe dëshirë,… mik, krijues dhe burrë i malësisë, i Vuthajve, ku tani përgjithmonë je pjesë e tij. Kaq. Lamtumirë…!

Shumë gjatë paska fjetur nata – Cikël poetik nga TAHIR BEZHANI

 

NJË KËNGË NË MAL

Një natë vere  në bjeshkë

Kur hëna hapi syrin kodrave e  pishnajës

M’u bë se dëgjova një zë ”eja të këndojmë!”

Nata e hëna janë  mike për ne

Lumi i gërgëlonte heshtjes së bukur

Shkumbojshin gurët nga rruga e gjatë

Freskia përqafte lekurën time  të puçërravt

Hëna lozte gurapeshk me shpirtin tim

Në lëndinën e mejdanit

Aty ku kreshnikët e zanat  ushtroheshin  përherë

Nuk di nga më erdhi një mall

Një këngë shpirtin shpërtheu përmallshëm

Përzier me lot durimi, gjatë bjeshka jehoi

“Sot na erdhi dita jonë!”

 

 

 

                  SA GJATË  FJETI TERRI  NË  MUA

Gjatë,

Shumë gjatë paska fjetur  nata

Në vetminë time padiktueshëm

Shumë vite më ka mashtruar bukuria e zezë

Gati sytë të mësohen vetëm me errësirën

Sa e dhimbshme të harrohet dita e lindjes

Në vorbën e vetmisë të gjitha sillen

Dielli ia fal ngohtësinë zemrës kur  nuk përcëllon

E bukura nxjerr  lulëzimin  nga shpirti

Ecjeve përplasëse rrugëve të gjata

Dy herë po vdiska njeriu

Kur lind vetëm për të  vuajtur në jetë

Kur të vdesësh e nuk di pse ke jetuar

Nëse në varg nuk e ke fsheh veten

Rafteve për të jetuar…

 

                          TETOR 2019

 

 

 

 

 

NËSE TË KUJTOHET….

(persiatje kohe)

 

Mendoj se të kujtohen mbrëmjet

Pas pushimit të shiut në muajn majit

Aromë  bagreni,bukuri  ëndrrash rinore

E dritat e neonit dukeshin  si rreze dielli

Ne lidhnim gishtërinjët  dhe  duat

Ecnim krenarë qytetit,të gjithë na shikonin

Flakë lëvizte poreve tona

Deri te troksima e zemrave

Maje gishtash ecnim dikurë

Askush nuk e dinte rrugëtimin tonë

Deri te këndi  i Urës së Ibrit,

Në dritën e hënës avullonte lumi

Të kujtohet si ishim  qullur nga vesa e natës….

Aty u mbjellën kujtimet e zjarrta

Sot flaka shkrihet në  bardhësi kujtimesh

VETËM NJË HERË – Poezi nga Anne Sexton – Përktheu FASLLI HALITI

Sapo kuptova qëllimin e jetës.

Kjo ndodhi në Boston, papritur.

Ecja  përgjatë Çarlsit

dhe pashë dritat të dyfishoheshin,

të gjitha me zemrën në neon vibrues,

duke hapur gojën si këngëtarë opere;

numërova yjet, veteranët e mi të vegjël,

me çikatriçe të lulëzuara, dhe e kuptova se po mbante

dashurinë time në bregun e gjelbër të natës, dhe në lot

u hapa zemrën makinave drejt lindjes dhe perëndimit

dhe kalova një urë për të vërtetën time

dhe e dërgova shpejt në shtëpinë me bukurinë e saj

dhe deri në mëngjes i grumbullova këto konstante

për të zbuluar pastaj se ato kishin ikur.

 

 

Përktheu: Faslli Haliti

URË E BAJRAMHASANËVE* (Ose, kur gështenjat piqeshin në Voksh) – Poezi nga Sejdi BERISHA

 

1.

Kaherë më kujtohet ura

Kur rrugën filluan

Me kubëza ta shtrojnë

Rrugën që lidhte fshatra e qytete

Interesant

Ishte hallkë historie e rrugës

E ruante edhe Bistricën e Lloçanit

 

2.

Kur binte shi

Më humbnin lopët

Se nën urë strehohesha

Për të mos u lagur

 

3.

Nganjëherë

Nën urë e ndizja zjarrin

Për ta pjekur ndonjë shtalb

Që e merrja në ara të huaja

 

4.

Nganjëherë

Nuk rrihej nën urë

Nga duhma e nevojës

Që rrugëtarët e rastit

Shlironin barkun e tyre

 

5.

Nganjëherë tjetër

Kur binte shi rrebesh

Valët e Bistricës

Bilur e bënin shtratin nën urën

5.

Kjo ndodhte në pranverë

Edhe në vjeshtë

Kur gështenjat piqeshin në Voksh

Edhe kur gjethet në kurorat e pemëve

Loznin vallen e lamtumirës

 

7.

Nganjëherë

Nën Urën e Bajramhasanëve

Stina e dimrit dhe veriu

Të bënin koçan

Edhe gurin e ngrinin

 

8.

Sot

Prapë qëndron e rron

Urë e Bajramhasanëve

Që i bashkon rrugët

Edhe fshatra e qytete

Urë që ka shkruar e shkruan histori

 

9.

Tash

Ndoshta pakkush emrin ia di

Nën te ka vetëm zall

Kujtime, rrëfime, mall e mërzi

Që duken si lumë i dergjur

Nga një pikë ujë duke e përcjellë

Nëpër atë shtrat të vetin gurinë

 

10.

Por

Prapë Urë e Bajramhasanëve

Qëndron aty ku me decenie

Lidhi e forcoi tokën e trojet

Nuk e trembën as plumbat

As çizme e armikut

As erërat e tërbuara nëpër kohëra

 

11.

Edhe tash

Urë e Bajramhasanëve është histori

Përbri ka dhe një lapidarë dëshmorësh

Si mburrje e dëshmi

 

12.

Te ura e nën urë

Nga pak duhet gërmuar

Për ta freskuar e respektuar kujtesën

Madhështinë e saj për ta ndritur

Edhe për ta përjetësuar

 

13.

Sepse

Nën Urën e Bajramhasanëve

Sa uji ka kaluar që ka bartur gjithçka

Ka parë e përjetuar tmerr e llahtari

Edhe dhembje e tradhti

 

14.

Ai ujë i Bistricës

Që nga Lloçani e edhe më lartë

Përspjetke pastër edhe deri këtu

Kalonte urën vazhdonte rrugën

Se deri ku tamam askush se di

 

15.

Urën e Bajramhasanëve

Ta përkëdhelnim

Të mos e harrojmë

Se ajo mund të shfletojë

Shumë e shumë faqe historie

Kurrë më parë të lexuara

 

16.

Nën këtë urë

Nganjëherë tash e shumë herë

Shumë të rinj

Dashuri të çuditshme kanë quar

SHKRIMTARËT SHQIPTARË KËTA DISHEPUJ TË BRAKTISUR – Nga VASIL TABAKU

 

Qeveria godet VLERAT dhe ngre ANTIVLERAT me militante, nje qeveri e korruptuar me trafiqe droge dhe krimi.Inteligjiencia e vertete eshte e papune dhe e braktisur, e goditur dhe e neperkembur ne menyren me fyese dhe poshteruese. Demagogjia e Edi Rames eshte shendrruar ne menyre mbijetese e kesaj qeverie deshtake dhe neokomuniste…

Të lënë në hije, te papërfillur, të braktisur tërësisht, shkrimtarët shqiptarë, heshtin brenda madhështisë së tyre të pamatë, fisnikë, dinjitoz dhe stoikë…Ata nuk përfaqësohen në këtë vend nga asgjë serioze dhe gjithëpërfshirëse, nga ndonjë organizëm serioz apo instancë zyrtare…Ata janë lënë kështu për afro njëzet vjet të këtij tranzicioni pafund. Askush nuk interesohet apo tregon vëmëndje qoftë edhe minimale për këta korifej të mëndimit dhe letrave shqipë, për këta demiurgë madheështorë me shpirt te madh e të mrekullueshëm që cdo ditë flijohen pak e nga pak pëer Atdheun, për Cështjen Shqiptare, për të bukurën dhe artin, për letërsinë kombëtare…Ata ashtu të pafjalë, me një buzëqeshje proverbiale plotë dinjitet dhe mirësi njerzore, enden nëpër Tiranë dhe rrethe, ta pavlerësuar, të papërfillur dhe të lënë pasdore nga ca zyrtarë mediokër, cinikë, shpirtëzinjë dhe përbuzës të shkrimtarëve, këtyre gjigandëve të mëndimit dhe artit të fjalës që me librat e tyre, tentojnë t’i japin dritë shpirtit njerzor dhe të ngrenë në lartësitë e vlerave bashkëkohore letrat shqipe me të vetmen ambicje njerzore për të thënë se Shqipëria është pjesë e thesareve të Kulturës Botërore dhe ka kontribute të cmuara në vepra letrare që kalojnë kufijtë dhe shëndrrohen në vepra të vlerësuara maksimalisht dhe të përkthyera në dhjetra gjuhë të Botës… Një libër më shumë eshtë një pasuri e vërtetë dhe që nënkupton dritë, dashuri, kulturë dhe mëncuri, por padyyshim që u trishtova shumë…përurimet e librave në Tiranë por edhe kudo nëpër Shqipëri bëhen nëpër locale dhe reastorante, sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër, asnjë alternativë dhe asnjë interesim nga ana e Ministrisë së Kulturës si I vetmi istitucion përgjegjës për librin dhe shkrimtarët e lënë në harrëesë dhe të papërfillur.Në Shqipëri është më I përfillur një domateshitës apo gjithfarë tregëtarëucësh se një artistë, piktorë, skulptorë shkrimtarë , poetë dhe krijues arti.A do të ketë ndonjëherë sadopak interesim nga shteti dhe institucionet përkatëse për krijuesit?! A do të ket ambjente së paku dinjitoze për të përuruar veprat e shkrimtarëve shqiptarë? A do të ketë ndonjëherë në Shqipëri një vlerësim I merituar për shkrimtarët dhe krijuesit e artit në përgjithësi?!
Shkrimtarët shqiptarë që me disa qindarka në xhepat e zbrazët, ulen në kafene dhe meditojnë se…valllë a do të bëhët ndonjëherë ky vend? A do të eci përpara Shqipëria ? A do të ket dikur një vlerësim për mundin dhe punën e tyre prej galere…? Dhe në fund të fundit…a do të jenë ata të përfaqësuar diku dhe të ken dinjitet, vlera dhe nderimin e merituar…? Ndoshta. Dikur…Mbase, një ditë…Këta mjeshtra të fjalës dhe mendimit do të meritojnë atë që I mohohet padrejtësisht , ndërsa përballë tyre kapardisen kokoroshët shtetarë me kostume firmato dhe vetura luksoze…që në fund të fundit këtij vendi të mjeruar jo vetëm që nuk I dhanë asgjë por përkundrazi e kanë plackitur barbarisht gjer në dhimbje. Ndërsa ata Shkrimtarët me xhepat boshë dhe paga qesharake, apo edhe më keq të papunë…kalojnë para nesh me veprat e tyre madhore mbi shpinë si Hamejtë më të lavdishëm dhe më të shquar të Kombit me kontribute të cmuara qe do t’iu mbeten shekujve…

Më 11 nëntor 2010 u nda nga jeta shkrimtarii shquar shqiptar Din Mehmeti

Din Mehmeti (lindur më 1929 Gjocaj, Juniku, vdekur më 11 nëntor 2010 Gjakovë[1]), shkrimtar shqiptar nga Kosova.

Ka studiuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Beogradit. Ai ka qenë profesor në Shkollën Pedagogjike të Gjakovës.

Në mars 1999 u njoftua nga shumë burime informacioni se ai u vra nga policia serbe gjatë Luftës së Kosovës, por pas disa ditësh ky njoftim u përgënjeshtrua.

Edhe pse ka botuar disa proza, kritika letrare dhe një dramë, Din Mehmeti njihet kryesisht për poezinë e tij figurative, e cila është botuar që nga viti 1961 deri në vitin 1999 në 16 vëllime. Poezinë e parë e botoi në vitin 1949 në revistën letrare Jeta e Re.

Poezia e Din Mehmetit shquhet për ndjeshmëri popullore. Ashtu si dhe Ali Podrimja, i cili është po nga Gjakova, ai mbështetet në shumë figura, metafora, dhe simbole të poezisë popullore të Shqipërisë së Veriut për të mbrujtur dhe ndërtuar lirikat e tij të trazuara me vizionin stoik të malësorëve. Megjithëse është një fllad i lehtë romantik që përshkon poezinë e tij, sikundër e pati cilësuar dikur kritiku Rexhep Qosja, ky përdorim krijues i folklorit është i shkrirë fuqishëm me një rrjedhë realiste, herë-herë ironike, që buron pjesërisht nga etika e revoltës në traditën e Migjenit (1911-1938) dhe Esad Mekulit (lindur në 1916). Shqetësimi poetik i Din Mehmetit, megjithatë, nuk i drejtohet protestës mesianike ose kritikës sociale, por krijimtarisë artistike dhe përvojës individuale.

Libri i tij “As në tokë as në qiell” është e ndarë në pesë cikle : “Trimat e këngës sime”, “Bishat e bardha”, “Kujtesa e letrave”, “Barka ime mbahu”, dhe “Këngë për vete”. Titulli i ciklit të katërt, “Barka ime mbahu”, është ndofta simbolik për praninë e sotme e letrave shqipe, bile edhe të shqiptarëve në Jugosllavi. Ai vjen nga poezia “Dialog me liqenin”, shkruar në Strugë buzë Liqenit të Ohrit në kufirin jugosllavo-shqiptar, gjatë Festës Ndërkombëtare të Poezisë në Strugë në gusht 1987.
Vepra
Veprat poetike të Din Mehmetit

Në krahët e shkrepave. “Rilindja”, Prishtinë 1961.
Rini diellore. “Jeta e re”, Prishtinë 1966.
Dridhjet e dritës. “Rilindja”, Prishtinë 1969.
Heshtja e kallur. ”Rilindja”, Prishtinë 1972.
Ora. “Rilindja”, Prishtinë 1974.
Ikje nga vdekja. “Rilindja”, Prishtinë 1978.
Fanar në, furtunë. “Rilindja”, Prishtinë 1971.
Kosovë, zog i diellit. “Rilindja”, Prishtinë 1982.
Fatin tim nuk e nënshkruaj. “Rilindja”, Prishtinë 1984.
As në tokë, as në qiell. “Rilindja”, Prishtinë 1988.
Gjaku që këndon. “Rilindja”, Prishtinë 1993.
Prapë fillimi. “Jeta e re”, Prishtinë 1996.
Lumturia është mashtrim. ”Dukagjini”, Pejë 1999.
Mos vdis kur vdiset. “Rilindja”, Prishtinë 2001.
Verbim i bardhë. “Faik Konica”, Prishtinë 2004.
Zjarri i këngës. “Toena”, Tiranë 2007.
Vajet e shiut (Vepër postume), “Drenusha”, Prishtinë 2010.

Përzgjedhje dhe antologji

Mallkimi i gjakut. “8 nëntori”, Tiranë, 1973.
Poezi. (përzgjedhje nga Fatos Arapi), “Naim Frashëri”, Tiranë, 1985.
Klithmë është emri im. (përzgjedhur nga Agim Vinca), “Toena”, Tiranë 2002
Antologji personale. (përzgjedhur nga vetë autori), “Ora”, Tiranë 2004.
Vepra 1-5. “Drenusha”, Prishtinë 2009.

Burimi i të dhënave

Besim MUhadri, “Dhuna dhe liria ne poezine e Din Mehmetit”, “P. Bogdani”, Has, 2008, teme magjistrature dhe “Poezia e Din Mehmetit”. teme doktorature.

Akademi përkujtimore në nderim të poetit dhe profesorit Din Mehmeti

 

VOAL – Me rastin e 90 vjetorit të lindjes dhe të 9 vjetorit të ndarjes së poetit Din Mehmeti nga jeta, Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” dhe Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë organizojnë Akademi Përkujtimore.

Akademia mbahet në Sallën e Bibliotekës “Ibrahim Rugova” të qytetit të Gjakovës, më 11. 11. 2019, në ora 11:00.


Me një fjalë përshëndetëse do të hapë veprimtarinë rektori i Universitetit Prof.Ass.Dr.Artan Nimani, ndërsa me kumtesado të paraqiten studiuesit: Prof.Dr. Agim Vinca dhe Prof. Asoc. Dr. Besim Muhadri si dhe shkrimtarët Adem Gashi e Muharrem Kurti.

Mosmarrëveshje (Një ide për shtendosje) – Esé nga REX KASUMAJ

Berlin, nëntor 2019

 

1.
Një pyetje klasike, e vjetër sa vetë shtetet dhe doktrinat e tyre përhihet ndër shqiptarë.

Përse “Kosova e jashtme” ndërhyn kaq ashpërsisht në punët e “Kosovës së brendshme”?

Në fakt, ky keqkuptim, ftohje, acarim dhe “cënim sovraniteti” është i hershëm. Por, çuditërisht, jashtë rregullit të njohur, deri vonë nuk pati marrëdhënie të prishura. Palë të dëmtuar. Ankestar. Revansh. Gjyq.

Me kalim vitesh, ndërkaq, kur statusi kombëtar i “të brendshmes” do arrijë gjendjen e re, nis e dëgjohet një vaj…Dhe një akuzë që i drejtohet tjetrës, “Kosovës jashtme” fajtore.

Votra ku ngjizet revolta e saj është e gjerë. Një gjithkahnajë zemërate që artikulohet nga rrethe politikë, grupime militantësh, oshënarë, humbës madhështie folklorike, bestytë që shohin shenjë të ligë qielli, hierarkë të rrëzuar, intelektualë oborrtarë, mënirës karriere.

Dhe, natyrisht, më Brutja e të gjithave, është akuza e poetëve…Si mund të transmigrojë aq beftë shpirti lirik i vargjeve të trishta – në tirani pamfletesh vulgare të tregtizës politike?..

Turbullimi fillestar konturohej në trajtën e dilemës: athua? Dhe pse? Por përsëri është e vërteta që kthjellon gjithçka. Sepse, njëmend, a nuk shkeli përfundimisht “Kosova e jashtme” kodeksin dhe praktikat ndërkombëtare?

2.
Rrjedhimisht,

– Si guxoi, vallë, të ëndërronte, të përmallej, të vuante? Të vegimonte Atdhe të lirë. Më vete. E të barabartë në logun e kombeve historikë…Të mbahej nyjëtueshëm për Tokën ku nuk jetonte e kur fëmijët shihnin të tjerë qiej e shira, e mësonin të tjera abetare…

– Pastaj, ç’sfidë arrogante: mendonte, botonte gazeta, revista, madje shkruante poezi! Dhe të gjitha njëj kryemotivi të vetëm: dhimbjen e “Kosovës së brendshme”…

A nuk mjaftonte të shisnin trupin e të robëtonin frymën? Ky ishte misioni i tyre. Mendimi dhe ndjesia ishin një luks që s’iu shkonte. Dhe, fundja, nuk iu përkiste. Ishte i largët për ta si yjet…

– Dhe, tutje akoma, si pati ngasjen, një shtysë absurde të askundparë, të dërgonte lekë, t’i paguante tatim okupimit, tё organizonte projektin unik humanitar “Familja mban familjen”. E, poashtu, njëj ideali të vjetëruar, t’i jepte frymë Arsimit të nëpërkëmbur, Kulturës së shtrirë përdhè!

A s’ishte kjo një taktikë largvajtëse për të indoktrinuar vegjëlinë apo rininë me idenë e huaj? Dhe për të gëzuar, më pas, afeksionin e ndaluar për të?

– Ku mori, vallë, të drejtën të demonstronte, tё bënte promemorje, të zhvillonte njohje e të frymëzonte Rezoluta Europe, të ishte pjesë Konferencash të kancelarëve që prejnë kostume kombesh? Për kë? Për “Kosovën e brendshme”, një krijesë tashmë e tjetërsuar në bezdinë e vet!

– Jo vetëm kaq. Po si guxoi tё krijonte ilegalisht fonde lirie, të luftonte, të vritej jashtë e të vritej në front nga dora e armikut të “Kosovës së brendshme”? Për kauzën që tani del t’mos ketë qenë e saj..!

Mandej, pas netësh bizantine që do i shpërngulte përgjithmonë dhe gjaku i tyre, iu kthyen gjithë vrull jetik, po të ndëshkueshëm, Ringjalljes: shtëpive dhe varreve si dëshmi, kopshteve të bukura, bukës për gojët e fëmijëve të panjohur…

– Në mbyllje fare, dhe ky është kulmi i përfshirjes diverzive në jetën e një Entiteti të huaj, e dënueshme nga Karta e Organizatës botërore, pse “e jashtmja” nuk derton bëmat e veta? Por merr tagrin tё alternojë me votë regjime të liga? Dhe, ashtu, t’i prishë limontinë njerëzisë së prehur në “Kosovën e brendshme” e cila, nga punëmirat e tyre, zvogëlohet e shprishet vazhdimisht…

3.
Ndaj dhe është koha për t’i vënë në udhë të mbarë ndërsjellësie marrëdhëniet e tronditura. Meqë “brendshmja” s’bën asnjë ndërmjetësim në punët e të “jashtmes”, aherë Parlamenti i saj, duhet t’a ligjërojë me ngut një sanksion të prerë. ” Kosovës së jashtme”, përveç parasë, t’i ndalohet çfarëdo vegëzimi apo dorëvënje tjetër në çështjet e saj tё brendshme.

Në emër të paqes dhe mirëkuptimit në Troje dhe Europë përgjithsisht.

R.

KJO SHTEPIÇKA ME QERPIÇKA (Me rastin e 8 Nentorit) Nga Meti Fidani

 

#

Në shtëpiçkën, me qerpiçka
8 Nëntor, lindi partiçka
Dhe u rrit ne ball’ t’furtunës
Sokoleshe, Parti e Punës
Sokoleshe, por mbet’ beqare
Thone, s’u martua fare

#

Thone, s’u martua kurrë
Veçse shkoi, burre me burrë
Ku me Titon, ku me Stalinin
Ku me Mosken, ku me Pekinin
Rrugn’ e mutit , kishte marrë
Domosdo, mbeti me barrë

#

Mbirrë. fara komuniste
Rritur barku sa ti pelciste
Here qante, e here villte
Mbetur mbarse, por nuk po pillte
Dhe u beme, pik e vrer
C’ka Partia, qe s’po e nxjerr
Pritem pritem , 50 vjet
Prit te pjelle, partia shtet

#

Kur aty, nga 90 -ta
Tu shtri Partia, or tungjatjeta
Dhe rrenkonte, si nje dreq
I plasen ujrat, i plasen keq

#

Hajde mor të pjellë hajde
E zbrazi barkun si gajde
Dhe nuk polli pak e pakë
Ku binjake e ku trinjakë
Pill parti, e pill partiçka
Ku te bëmshme, e ku kerthiçka
Mëngjërashka e djathtaniçka
Parti blu, roz e kaleshka
Pill e pill, e s’ju lodh pjeshka
O ta lumsha moj partia nënë
Edhe bushter te kishe qënë

#
Moj parti moj ta lumsha synin
Kyçe moj pjeshken, e i ver’ drynin
30 vjet, vec nxjerr partiçka
Nga shtëpiçka, me qerpiçka

Meti Fidani..