VOAL

Please Wait ...
0%

Më 19 maj 1999 ndodhi Masakra e Dubravës, një krim i pandëshkuar*

By | May 19, 2017

Komentet

SHBA, Presidenti Nishani nderon senatorin Bob Dole

Në Uashington, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani nderoi me dekoratën më të lartë të vendit ish-senatorin amerikan Bob Dole. Senatori Dole, i cili ka luajtur rol të veçantë për të mobilizuar Kongresin dhe administratën amerikane në favor të Kosovës, tha se ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët dhe e priti me emocion nderin që iu bë. Bob Dole ka qenë i emëruar si kandidat për president nga Partia Republikane në zgjedhjet e vitit 1996.

Ilir Ikonomi ishte në ceremoni dhe përgatiti këtë kronikë.

Ish-senatori Bob Dole është 94 vjeç dhe prej vitesh përdor karrocën e invalidit. Por ai ka një kujtesë të fortë, është i qartë në mendime dhe nuk ka hequr dorë nga shakatë.

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, së bashku me ambasadoret e Shqipërisë dhe Kosovës në Uashington, si dhe një grup dashamirësish kanë ardhur për të nderuar senatorin me një ceremoni të veçantë.

Kur në sallë luhen himnet e dy vendeve, senatori ngrihet në këmbë në shenjë nderimi.

“Ju, senator Dole ishin ndër të parët që u përpoqët, me vendosmëri duke u rreshtuar në vijën e parë për të ndalur gjenocidin ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës. Ju bëtë një lobim të fuqishëm në senatin amerikan për lirinë që meritonte Kosova dhe më pas për pavarësinë e saj,” tha Presidenti i Shqipërisë.

Zoti Nishani tha se zotit Dole po i akordohej medalja më e lartë dhe më e shenjtë që jep Shqipëria – dekorata e Flamurit Kombëtar.

Senatori Dole pati momente përmallimi.

Në vitin 1996 ai fitoi emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president, por humbi ndaj Bill Clintonit. Ai e kujtoi kështu atë kohë:

“Në vitin 1996 unë garova për president dhe humba. Por fitova thuajse të gjitha votat e shqiptarëve.”

Senatori e vlerëson shumë ndihmën e madhe që i dhanë shqiptarët në fushatë, mes të cilëve ai veçoi shqiptaro-amerikanin Xhim Xhema.

“Xhim Xhema dhe të tjerë, mobilizuan dhjetra njerëz për të më ndihmuar në shtetin Nju Hemshër. Ata vendosnin pankarta. Kishte njerëz që ua hiqnin, por ata i vendosnin përsëri,” kujtoi ish-senatori.

Bob Dole ka treguar vazhdimisht interesim të veçantë për Kosovën. Ai e vizitoi atë në vitin 1990 dhe ishte ndër të parët dhe ndër të paktët zëra që paralajmëruan se në Kosovë po afrohej lufta.

Në vitin 1998, Bob Dole e vizitoi përsëri Kosovën dhe paralajmëroi se tani masakra ishte e afërt. Senatori i bëri thirrje administratës Clinton për veprime energjike. Ai sensibilizoi ligjvënësit e tjerë për të kërkuar që presidentit serb Sllobodan Millosheviç t’i dërgohej një mesazh i qartë për Kosovën, ashtu siç ishte vepruar më parë edhe në Bosnje.

“Ka nga ata që thonë se gjendja në Kosovë është ndërlikuar, – shkruante senatori Dole në atë kohë. – Në fakt gjendja është më e qartë se kurrë. Kjo është një luftë kundër civilëvedhe ne e dimë se kush është përgjegjës: Sllobodan Millosheviçi.”

Bob Dole është vetë veteran i Luftës së Dytë Botërore, nga e cila edhe sot ka plagët në trup.

Kjo është ndoshta arsyeja që jeta e tij ka qenë gjithmonë në krah të atyre të cilët vuajtën nga shtypja dhe kërkuan lirinë. Në këtë kauzë, shqiptarët mbeten ndër miqtë e tij më të mirë, nga ata që nuk të harrojnë./VOA

 

VOAL I URON BESIMTARËT MYSLIMANË SHQIPTARË: GËZUAR MUAJIN E SHENJTË TË RAMAZANIT!

VOAL – Me rastin e filimit të muajit të madhnueshëm të Ramazanit, të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë, në mënyrë të veçantë agjëruesve, iu urojmë përmbushje sa më të plotë të përkushtimit të tyre hyjnor. Muaji i madhnueshëm i Ramazanit të hapë epokë të re përparimi dhe lartësimi për të gjithë njerëzit tanë, për mbarë atdheun tonë, për mbarë kombin tonë shqiptar dhe për të gjithë ata që duan mbretërimin e paqes, të dashurisë dhe të harmonisë në botë.

Ky është muaj i solidaritetit dhe afrimit mes njerëzve, kur kërkohet të shtrihet dora e mëshirës dhe e ndihmës ndaj skamnorëve dhe nevojtarëve, kur i bëhet thirrje ndërgjegjes së më të fuqishmëve për të bërë gjithçka që plaga e varfërisë të zbutet dhe të zhduket përgjithmonë. muaji i Ramazanit bën thirrje për dashuri ndaj njëri tjetrit kundër çdo urrejtjeje, bën thirrje për respekt të ndërsjellët vëllazëror mes njerëzve të të gjitha përkatësive. Ta kemi si sytë e ballit brezin e ri, brezin e ardhmërisë sonë. Shqiptarët në Atdhe të jenë të bashkuar, të jenë bashkëveprues dhe të jenë besnikë ndaj trojeve të tyre. Shqiptarët në botë të vazhdojnë përkushtimin për përparimin e tyre, për të qenë shembullorë kudo që ndodhen, për të qenë gjithmonë në shërbim të atdheut, të kombit dhe të Zotit. Atdheu është i shenjtë, andaj e kemi parim që atë ta ndihmojmë me kapacitetin tonë që kemi intelektual dhe shkencor. Ramazani, është muaji i dijes, i shkencës ngase pikënisja e shpalljes Hyjnore ishte pikërisht në këtë muaj.

 

Kufiri detar – Greqia nis kërkimet për naftë në ujërat shqiptare

Qeveria greke ka dhënë me koncesion kuadratet detare dhe tokësore në zonën e veriut deri në Peloponez nëpërmjet një marrëveshje të nënshkruar në Athinë pasditen e së enjtes në Ministrinë greke te Energjetikës, nga ministri Jorgos Stathakis dhe kompanive fituese të koncesioneve.

Ministria greke publikoi vetëm marrëveshjen dhe jo hartën detare ku do të kryhen kërkimet fizike, duke shtuar dyshimet se ato do të prekin pjesën e negociueshme mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Ndërkohë për kërkimet në tokë, harta dhe koordinatat u publikuan normalisht. Mes zonave të dhëna me koncesion është “Joni 2″, që është kuadrati që shtrihet në veri të ishullit të Korfuzit, një pjesë e të cilit mbivendoset në zonën e diskutueshme mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Kjo zonë iu dha konsorsiumit “Total France”, “Elpe” dhe italianëve të “Edison”, ku shpimi i parë është parashikuar të kryhet brenda vitit 2018.

Përfaqësuesi i “Elpe”, deklaroi se konsorsiumi është i bindur se në këtë zonë ka rezerva të mëdha të gazit dhe naftës. Edhe ministri grek i Energjetikës ka shprehur bindjen se kërkimet do të kenë sukses dhe ka deklaruar se në pak vite harta energjetike botërore do të ndryshojë dhe Greqia do të gjendet në qendër të ndryshimeve pozitive.

Kuadrati “Joni 2”, ndodhet brenda zonës ekskluzive ekonomike të Shqipërisë, por në bazë të marrëveshjes së demilitimit të ujërave me Greqinë mes ministrit të Jashtëm shqiptar Lulzim Basha dhe ministres greke të Jashtme Dora Bakoyannis, një pjesë e madhe e tij, i kalon zonës ekskluzive ekonomike të Greqisë.

Marrëveshja mes dy vendeve u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare dhe nuk është ratifikuar nga parlamentet respektive. Si duket kjo situatë nuk e ka penguar Athinën ta negociojë fillimisht me kompanitë norvegjeze të kërkimeve sizmike, dhënien e zonës për kërkime, të cilat, pas reagimeve të Tiranës zyrtare, u kryen natën nën mbrojtjen e rojes bregdetare greke.

Pas kërkimeve sizmike, Athina vendosi avancimin për shpime me sonde, pavarësisht se kërkimet në këtë zonë, duhet të kenë të paktën dakordësinë e Tiranës, ose për të qenë tërësisht të ligjshme, një tjetër marrëveshje për demilitimin e ujërave mes dy vendeve.

Për Athinën zyrtare kjo pjesë mbetet territor grek, madje për këtë Greqia ka dorëzuar edhe koordinatat gjeografike të saj në departamentin e hartave të OKB, pa patur një rezultat të bisedimeve apo marrëveshje të re mes dy vendeve.

Top Channel

Intervista – DioGuardi: SHBA të marrë rol kryesor në Maqedoni, shqiptarët të kenë të drejta të barabarta kushtetuese me sllavomaqedonët

Joseph J. DioGuardi nuk ka rreshtur në ngritjen e zërit në Washington për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Ish-kongresmeni me origjinë arbëreshe është 77 vjeç, por rrezaton energjinë e një djali të ri me fjalimet filipike, qoftë në Kongresin amerikan, në takime me kongresmenë dhe zyrtarë të rëndësishëm të SHBA-së, apo edhe në biseda me këdo. Entuziazmin dhe energjinë ia  vë re në çdo çast, edhe kur je duke pirë një kafe miqësore me të. Këtë herë e takojmë pas një tjetër beteje tijën në Kongres.

Xhindoset kur mendon se sa padrejtësi po u bëhen shqiptarëve në Maqedoni dhe nuk ka aspak besim se gjërat do të shkojnë mirë për shqiptarët, pas qeverisë së koalicionit të ri.

Në intervistën për portalin tesheshi.com, zoti DioGuardi thotë se nëse edhe këtë herë gjërat nuk funksionojnë dhe një tjetër krizë e pason Maqedoninë, ndaj saj duhen vendosur sanksione dhe të mbahet një tryezë për krijimin e një kornize që më në fund të çojë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Dhe për këtë, sipas DioGuardit, SHBA duhet të marrë një rol kryesor dhe të mos i lërë zhvillimet në dorën e Bashkimit Europian.

Intervista e plotë: 

Zoti DioGuardi, në Kongres u mbajt një seancë dëgjimore për situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ju ishit pjesë e panelit që dëshmoi para kongresmenëve dhe ngritët zërin për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, sidomos në Maqedoni. Çfarë mendoni se do të ndryshojë tashmë, pas kësaj seance dëgjimore?

Ndryshimi i vetëm që mund të presim në këtë moment është që Departamenti i Shtetit ta ketë marrë mesazhin. Por, nëse ata nuk e kanë marrë mesazhin, sepse mos harroni se ata përfaqësojnë administratën amerikane, janë përfaqësues të Trump, duhet të sigurohemi që ta marrin. Edhe duhet të sigurohemi gjithashtu që Kongresi e ka marrë mesazhin. Mua më duhet të flas me Danan (kongresmenin republikan Dana Rohrabacher, i cili është kryetar i Nënkomitetit për Punë të Jashtme në Kongres, anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Kongres dhe drejtues i seancës dëgjimore për Ballkanin), dhe të sigurohem që e ka shumë të qartë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë në tryezën për përcaktimin e kornizës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni.

Në këtë mënyrë, të gjitha ato parime që u shkruajtën më shumë se 15 vjet më parë, duhet t’i zbatojmë tani. Pastaj Kushtetuta duhet të shprehet qartë se ky është një shtet (Republika Ish-Jugosllave e Maqedonisë) për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë edhe shqiptarët dhe maqedonasit. Kushtetuta aktuale nuk e thotë këtë. Ajo Kushtetutë është e një lloji të vjetër, të Jugosllavisë dhe që thotë se ky është një shtet për sllavët e Maqedonisë. Kjo nuk është e drejtë. Shqiptarët ndihen keq dhe mes tyre lind pyetja: “Përse jemi këtu?”

Ne duam që ata të ndihen me të drejta të barabarta. Kjo është mënyra amerikane e të menduarit dhe të vepruarit. Kjo është edhe mënyra ndërkombëtare.

Pra, unë e bëra mjaft të qartë në seancën dëgjimore. Tashmë do të punoj sërish që ta ndjek si çështje me zotin Rohrabacher për të parë se çfarë do të bëjë ai që të lidhet me Departamentin e Shtetit dhe t’u thotë atyre që “kemi këto komente, veçanërisht nga Joe DioGuardi, i cili ka shumë përvojë në këtë fushë, dhe përse nuk kemi një kornizë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe të mos lëmë vetëm Europën që të merret me këtë. Ne madje duhet të marrim drejtimin, ashtu siç bëmë edhe në Kosovë”. Kosova nuk do të ishte e pavarur sot nëse nuk do të ishte për SHBA-në. Ishte George W. Bush. Ne bëmë shumë për ta arritur atë që arritëm dhe shqiptarët e dinë mirë këtë.

Pra, nëse SHBA nuk do ta njihte pavarësinë, as vendet e tjera nuk do ta bënin. Tani kemi sa, 115 vende që e njohin pavarësinë e Kosovës nga 190 vende gjithsej, por Serbia ende nuk e pranon. Dhe ne kemi njerëz që flasin që të kemi Serbinë si shtetin që t’i referohemi për përgjigjet për Ballkanin. Serbia nuk është përgjigjja për Ballkanin. Ata duan Serbinë e madhe. Ata duan dështimin e Bosnje-Hercegovinës si shtet, në mënyrë që të marrin Republikën Srbska dhe ende po bëjnë lojëra në veri të Kosovës. Dhe nëse ndodh ndonjë gjë në Maqedoni, çfarë do të bëjnë ata, do ta quajnë konflikt etnik. Jo politik. Jo ekonomik. Por, etnik. Përse? Sepse ata duan probleme në rajon, në mënyrë që të përfshihet Rusia që t’i mbështesë.

Në seancën dëgjimore në Kongres, ne dëgjuam zotin Rohrabacher të thotë se nuk ka problem që Rusia të përfshihet në rajonin e Ballkanit. Ai foli edhe për bashkëpunim ekonomik mes Shqipërisë, Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Cili është mendimi juaj për këtë?

Nuk kam asnjë mendim. Ai thotë se nuk kemi nevojë për një Luftë të Ftohtë të re. Por duket se dikush, në njëfarë mënyre dëshiron një Luftë të Ftohtë të re. Nuk e di përse.

Por, për çfarë ka nevojë rajoni?

Ajo që kemi nevojë është bashkëpunimi. Problemi është se qeveritë atje janë kaq të korruptuara sa nuk mendoj se do të bashkëpunojnë në mënyrën e duhur.

Ne duhet të bëjmë diçka. Mbase të vendosim sanksione; mbase me anë të marrëveshjeve kornizë që duhet të shtrojmë në tryezë; dhe mbase që të kemi një bojkotim të shqiptarëve të Maqedonisë nëpër botë, në dërgimin e remitancave në atë shtet. Mos të dërgojnë fare para atje për investime apo për çdo gjë. Shumë para shkojnë në Maqedoni nga familjet shqiptare. Unë mendoj që është më mirë t’i dërgojnë dhe t’i investojnë diku tjetër, mos t’i përdorin në Maqedoni. Gjithashtu të mos shkojnë me pushime në Maqedoni.

Bëjini të kuptojnë sa të rëndësishëm jeni. Ashtu siç ndodhi në kohën e Martin Luther King këtu në Amerikë, kur njerërzit me ngjyrë nuk përdorën më autobusët dhe bënë që kompanitë të falimentojnë. Apo kur Gandhi u tha indianëve mos përdorni më pambukun, Anglia pothuajse falimentoi. Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë tani në Maqedoni. Në këtë mënyrë ata do të kuptojnë fuqinë e shqiptarëve. Shqiptarët dërgojnë shumë para në Maqedoni përmes remitancave.

Zëvendës/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, zoti Hoyt Brian Yee tha se Amerika është prezente në Ballkan. Asgjë nuk ka ndryshuar. A mendon se do të ndryshojë ndonjë gjë? A do të ketë më shumë apo më pak prezencë amerikane në Ballkan, veçanërisht në vendet ku jetojnë shqiptarët?

Amerika është prezente në Ballkan përmes NATO-s. Kemi një bazë ushtarake në Kosovë të quajtur Bondsteel. Janë shtatë mijë ushtarë amerikanë atje. Pra, ne jemi prezentë atje dhe nëse diçka do të shkojë keq të jeni të sigurtë se ata do ta ndalojnë përpara se situata të dalë jashtë kontrollit. Por, ne nuk jemi të angazhuar me të vërtetë atje. Shikoni se çfarë tha zoti Yee. Shefi i tij është Donald Trump tashmë. Dhe Donald Trump kërkon të bëjë shkurtime me 30 për qind në fondet për Departamentin e Shtetit.

Si do t’ia bëjmë ne tani që të dërgojmë njerëz të zgjuar nëpër botë, veçanërisht në Ballkan nga Departamenti i Shtetit, kur kemi tashmë probleme më të mëdha me Korenë e Veriut, probleme me Sirinë. Turqia nuk është problem. Ende nuk kemi shtruar në vijë të mbarë problemin mes izraelitëve dhe palestinezëve. Mendoj se zoti Yee është disi shumë optimist për praninë tonë në Ballkan. Ne duhet të bëjmë diçka tjetër.

Prandaj unë jam shprehur se mbase duhet të ndërmarrim ca hapa të vegjël si fillim. Le ta nisim me Maqedoninë, ku mund të bëjmë diçka duke pasur një kornizë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën ishte rënë dakord 16 vjet më parë. SHBA e garantoi zbatimin e asaj marrëveshjeje dhe të njëjtën gjë bëri edhe Bashkimi Europian. Përse nuk po funksionin tani? Ne duhet të kthehemi pas për rregullimin e kësaj dhe mandati për qeverinë e re duhet të funksionojë. Përndryshe duhet të bëjmë diçka. Sanksione apo çfarëdo zgjidhjeje.

Haradinaj: Ushtria bëhet brenda 90 ditësh nga fillimi i punës së Qeverisë

Kandidati për Kryeministër i koalicionit PDK-AAK-NISMA, Ramush Haradinaj thotë se 90 pas nisjes së punës së Qeverisë, Kosova do të ketë ushtrinë e saj. Thotë se do të tentoj t’i bind serbët e Kosovës se ushtria e Kosovës është në interes të tyre por se sipas tij, nëse kjo nuk do të arrihet, do të gjejnë mënyra tjera për të arritur këtë qëllim.

“Nga fillimi i punës së Qeverisë mundet mos me shku 90 ditë ose mundet me shku por unë mendoj se kohë optimale mendoj se është i mujshëm”, theksoi Haradinaj.

“Pra serbët e Kosovës po të ishin në veti dhe po të logjikojshin pa ndërhyrje të Beogradit do ta votojshin ushtrinë se është në të mirën e tyre, sepse ata jetojnë këtu. Kur ka siguri për të gjithë ka siguri edhe për ata”, tha Haradinaj në emisionin ‘Debat’ në RTK.

“Nëse serbët nuk e kuptojnë këtë e unë do t’ua sqaroj në mënyrën më të drejtë e më të mirë do të zgjidhen rrugë me lëvizë me ushtrinë. Ne kemi bisedu edhe me aleatët dhe ata janë të interesum që marrja ose dhënia e mandatit bëhet kushtetues dhe ne jemi për që nënkupton 2/3. Besoj që kjo arrihet se shqiptarët të gjithë e dhënë përkrahjen, komunitetet etnike të gjithë do e dhënë por do ta japin edhe serbët. Me siguri do të ketë serbë mjaft të mençur që e kuptojnë se është në interes të sigurisë së tyre kjo”, theksoi Haradinaj.

Haradinaj tha se nëse do të marrë besimin e qytetarëve ka shumë synime që beson t’i arrijë brenda 3 mujorit të parë të punës.

“Prioritetet e Qeverisë janë të shumta. E di që aplikimi shtesave për fëmijë mund të merr pak më shumë kohë sepse duhet me bë planifikim buxhetor, dojmë me e nda këtë kartonin e gjelbër për diasporën. Janë 100 veprime prioritare që kanë të bëjnë me rendin dhe ligjin, kanë të bëjnë me sigurinë në vend”, tha lideri i AAK’së.

“Sigurojmë me e mrri një ditë që edhe në e harrofsh kerrin çelë mos me u tutë që ta prekë dikush, ose e ke lanë shpinë vetë e mos me u tutë, ose të ka dalë fëmijë vetë në rrugë e mos me u tutë pra pos shkojmë kan një opsion i një vendi të sigurt”, tha ai.

Trumpi – liderëve arabë: Shpresoj se dita e sotme do të kujtohet si fillimi i paqes në Lindjen e Mesme dhe në të gjithë botën

VOAL – “Ju falënderoj për këtë mikpritje fantastike. Mesazhi im është një mesazh dashurie për të hapur një epokë të re në raportet tona,” kështu presidenti amerikan Donald Trump e ka filluar fjalën e tij para liderëve të botës arabo-islamike në Riad.

“Nuk mund të ketë tolerancë ndaj terrorizmit, ndaj të cilit ne mund të fitojmë vetëm nëse forcat tona do të jenë sa më të bashkuara dhe nëse të gjithë ne që ndodhemi në këtë sallë do të japim kontributin tonë. Amerika është gati për të qenë përkrah jush, por nuk mund të asgjësojmë armikun në vendet tuaja. dëbojini nga toka juaj.”

“Objektivi ynë i përbashkët është të krijojmë një koalicion të madh për ta shpartalluar terrorizmin. Shumica myslimane duhet të marrë udhëheqjen në luftën kundër radikalizmit,” ka nënvizuar Trump.

“T’i kundërvohemi ekstremizmit islamik dhe grupeve të terrorit islamik që frymëzohen prej tyre. Kjo nuk është një luftë mes religjioeve, sekteve dhe qytetërimeve të ndryshme. Kjo është një luftë mes kriminelëve barbarë që duan të rrënojnë jetën njerëzore dhe njerëzve të të gjitha religjioneve që duan ta mbrojnë jetën. Kjo është një luftës mes së mirës dhe së keqes,” tha më tej presidenti Trump.

“Duhet të qëndrojmë të bashkuara kundër vrasjes së myslimanëve të pafajshëm, kundër shtypjes së grave, kundër persekutimit të hebrejve dhe masakrimit të të krishterëve. Liderët religjiozë duhet të japin një mesazh të qartë. Barbaria nuk sjell asnjë lavdi – mëshira ndaj së keqes nuk sjell asnjë dinjitet. Nëse zgjidhni rrugën e terrorit, jeta juaj do të jetë boshe, jeta juaj do të jetë e shkurtër dhe shpirti juaj do të jetë i dënuar,” theksoi ndër të tjera presidenti amerikan.

DioGuardi: VMRO-DPMNE të futet në listën e zezë të SHBA-ve

Ish-kongresisti amerikan, Joe DioGuardi, gjatë fjalës së tij në Kongresin Amerikan, ka thënë se me anë të dhunës në Kuvendin e Maqedonisë, është planifikuar të për të futur frikën për qëllime politike, ndaj sipas tij, Departamenti i Shtetit duhet ta cilësojë VMRO-në si organizatë terroriste dhe ta fusë atë në listën e zezë, transmeton Gazeta Express.

Ai këtë kërkesë ia drejtoi kryetarit të Komitetit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresistit Republikan Dana Rohabacher, anëtarëve të Nënkomitetit, demokratit të Nju Jorkut, Gregory W. Meeks, kongresisti republikan Jim Sensenbrenner, dhe ai i Rohad Island David Cicellini.

Dioguardi shtoi se “VMRO-DPMNE e udhëhequr nga Nikola Gruevski përfaqëson një parti anti-shqiptare, një parti të dhunshme në Shkup, përcjell “Ina”.

“VMRO-DPMNE-ja është partia e cila ka shumë kriminelë të dënuar si anëtarë, duke përfshirë edhe deputetët të cilët u dënuan për krime të rënda, si Johan Tarçullovski i cili u dënua për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë gjatë konfliktit të vitit 2001”.

Të akuzuarit e Gjykatës Speciale do të përballen edhe me “dosjet e vjetra”

Të akuzuarit e Gjykatës Speciale mund të përballen me dëshmitarë, ballafaqimi me të cilët nuk do t’u mundësohet. Kjo, për shkak se dëshmi të vjetra mund të përdoren kundër tyre.

Dosja për ta do të ndërtohet edhe me dëshmi, mbi bazën e të cilave është hartuar raporti i senatorit Dick Marty, dokument ky që mban vulën e Këshillit të Evropës. Specialja do t’i konsiderojë edhe deklaratat dhe provat që janë trajtuar menjëherë pas lufte nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë, pastaj nga gjykatat e Kosovës, e madje edhe nga gjykatat në Serbi. Ato kërkohet të jenë përkatëse për vepra penale brenda juridiksionit lëndor të Speciales, shkruan Koha Ditore.

Kështu e mundëson Rregullorja e Procedurës dhe Provave e Dhomave të Specializuara, e cila brenda pak ditësh pritet të hyjë në fuqi. Rregullorja ishte konfidenciale. Së fundmi i është hequr ky status sigurie. Ajo është miratuar në seancë plenare, por disa rregulla të saj janë shpallur jokushtetuese.

Më 19 maj 1999 ndodhi Masakra e Dubravës, një krim i pandëshkuar*

Bombardimeve të Burgut të Dubravës nga NATO-ja i kishte paraprirë një “ogur” i keq të cilin e kishte dhënë “Çizmja”. “Çizmja na tha se vetëm fshati përballë dritares së burgut ku gjendeshim, dhoma numër 35, kati i dytë, pavijoni C kishte mbetur me shqiptarë dhe ne çka ishim në burg, të tjerët thoshte i kemi dëbuar nga Kosova”, kujton 19 majin e vitit 1999, Sadik Zeqiri (1973) nga Reka e Keqe e Gjakovës, ish-pjesëtar i UÇK-së, i cili në Burgun e Dubravës ka qëndruar nga data 15 mars deri më 24 maj 1999. Ai tregon se në pamundësi ta njihnin, të burgosurit njërit nga gardianët më të vrazhdë të burgut i kishin vënë pseudonimin “Çizmja”. “Dhe pasi ka shkuar gardiani ne kemi qenë duke shikuar  ga dritarja kur është bombarduar drejtoria e Burgut të Dubravës dhe është gjuajtur nga aeroplanët edhe pavijoni ku ishim ne. Atë ditë janë vrarë më duket 3 ose 4 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur nja 16 të tjerë”, kthehet mbrapa ai. Mandej ky ish i burgosur së bashku me bashkëvuajtësit e tij përmes hekurave të një krevati kanë thyer derën e dhomës në kërkim të shpëtimit nga bombat. “Edhe pse të gjithë thonë se dyert e burgut nuk hapen pa i hapur me çelës, ne e kemi hapur atë derë burgu. Kur kemi dalë jashtë e kemi parë një rrëmujë dhe jemi nisur të gjithë nga dera kryesore për me dalë nga burgu pasi kemi menduar të gjithë se tash duhet bërë diçka”, kujton ai momentet e para pas bombave. Por forca policore, ushtarake e paramilitare kishin zënë rrugë. Të mbetur brenda mureve të larta të burgut të burgosurit kishin hequr neonët e ndriçimit dhe përmes tyre kishin formësuar fjalën HELP, me shpresë se pilotët e bombarduesve të NATO-s do ta merrnin mesazhin. Kjo megjithatë nuk kishte funksionuar, pasi më 21 maj sërish avionët e NATO-s kishin lëshuar bomba në ambientet e burgut. Sipas Zeqirit nga bombat e NATO-s në vijim ka pasur vetëm të plagosur. Të burgosurit në përpjekje që t’u shmangeshin bombave të NATO-s ishin futur nëpër puseta, dhe kudo në ndonjë skutë që kishin arritur të gjenin një trohë sigurie. Pasi avionët e NATO-s ishin larguar duke hedhur bomba përreth burgut, më tej brenda mureve janë kthyer forcat serbe. “Forcat paramilitare serbe, të burgosurit serbë, një pjesë e madhe që kanë qenë në burg kanë hyrë dhe në çdo pusetë ku kanë gjetur shqiptarë i kanë vrarë gjoja se po i vranë NATO, në kuzhinë e kanë vrarë një djalë 17 vjeç, janë dëshmitarë të gjithë të burgosurit”, rrëfen Sadik Zeqiri. Ditën vijuese pasi të burgosurit ishin mbyllur në ambientet e kuzhinës ishin ftuar fillimisht nga gardianët e më pas me megafon edhe nga drejtori i burgut të dilnin nga aty. Ndonëse me hezitim, të burgosurit ishin detyruar të dilnin. Ashtu duarlidhur atyre u ishte thënë të përshëndeteshin për herë të fundit me njëri – tjetrin. “Na kanë thënë të rreshtohemi dy nga dy, të hallallshtisemi me shoqi-shoqin, sepse tani më kishte përfunduar jeta jonë, ne kemi filluar, ia kemi kërkuar allallin njëri-tjetrit…”, kujton një episode tjetër të trishtë Zeqiri. Më pas u është thënë atyre se po prisnin vendimin e Qeverisë së Serbisë se çka të bëhej me ta, derisa më vonë u ishte komunikuar lajmi se ata ishin në dorë të policisë dhe shtetit të Serbisë, pasi përndryshe mund të rrezikoheshin nga paramilitarët. I kishin porositur që të deklaroheshin se të gjitha vrasjet e tyre gjatë ditëve më parë ishin bërë nga NATO. Të burgosurit më pas i kishin mbledhur detyrimisht në sallën e sporteve. Ndërkohë kishin vazhduar vrasjet nëpër puseta e kthina të ndryshme ku po rrinin fshehur një pjesë e të burgosurve të frikësuar. Në ditën kur ka ndodhur masakra më e madhe Zeqiri thotë të ketë shpëtuar pa u vrarë falë një rastësie. Pasi që nga fillimi i bombardimeve të NATO-s e nga fillimi i vrasjeve nga serbët, të burgosurit shqiptarë po flinin jashtë, Zeqiri pasi kishte siguruar një shishe ujë, i kishte sugjeruar bashkëvuajtësit të tij Rasim Selmani (kryetarit të sotëm të Deçanit) që t’i pastronin dhëmbët, pasi llogarisnin se atë ditë do të niseshin për transferim në Burgun e Sremska Mitrovicës. “Rasimi filloi me më qitë ujë me një shishe për t’i pastruar dhëmbët dhe në ndërkohë derisa unë i pastrova dhëmbët atje u bënë 4 rreshta me të burgosur, afër pikës vrojtuese të fushës së sportit dhe derisa kam shkuar unë kanë filluar gjuajtjet në të burgosurit dhe janë vrarë një pjesë e madhe, pothuaj gjithë rreshti i parë janë vrarë nga rojat e burgut, në atë rast jam plagosur edhe unë edhe shumë njerëz dhe ajo ka qenë vepra më e ulët dhe më e rëndë e krimit”, kujton momentin kritik Zeqiri, nga i cili ende mban një plumb në trupin e tij. Ai kujton ndihmën e madhe që të plagosurve u kishin dhënë të burgosurit Nait Hasani, Bislim Zogaj, Njazi Kryeziu, Bilbil Duraku etj. Mandej më 24 maj ka pasuar transferimi i atyre që kishin mbijetuar. Gjatë rrugëtimit për në Burgun e Lipjanit të burgosurit në fshatin Kijevë të Malishevës ishin lënë në mëshirën e bombave të mundshme të aeroplanëve të NATO-s, të cilit po fluturonin sipër autobusëve prej nga kishin ikur dhe ishin fshehur arave policët serbë. Në Burgun e Lipjanit ishin rrahur pa asnjë shkas të burgosurit, madje edhe të plagosurit dhe më tej ishin transferuar për në Nish të Serbisë.

“Kishte skenar për vrasjen e të gjithë të burgosurve të Burgut të Dubravës”

Kadri Durguti, ish i burgosur politik nga Rahoveci, i plagosur gjatë kohës kur është kryer masakra e Dubravës, është i bindur se më 19 maj Burgu i Dubravës është goditur nga raketa e NATO-s e jo nga bomba. Ai tregon se deri nga fundi i muajit prill kur janë vendosur tëm burgosurit në pavijonin C, aty ka pasur forca serbe. “Aty kanë qenë të stacionuar dhe nga aty kanë marshuar në kryerjen e krimeve në zonat përreth”, thotë Durguti. Ai rrëfen se së bashku me disa të burgosur të tjerë të burgosurve të vrarë ua kanë shënuar emrat në letra e çarçafë dhe ua kanë vendosur në trup përmes të cilëve më vonë është bërë identifikimi i tyre. Nga sulmet e NATO-s sipas tij janë vrarë vetëm 3 të burgosur. Masakra më e madhe ai thotë të jetë bërë më 23 maj gjatë
rreshtimit në fushën e sportit. “Ata i kishin ngritur skelet prapa murit më herët, pastaj ka qenë karakolli në anën veriore, disa të burgosurve edhe u kishin thënë do të shihni nesër, çdo gjë ishte bërë me skenar”, vë në pah ai. “Bomba e parë ka rënë tek unë, jam shtrirë, janë vrarë e janë plagosur shumë, unë mbeta i shtrirë në mesin e tyre rreth një orë dhe më pas jam tërhequr zhagas nga vendi i masakrës”, kujton ai momentin më kritik të jetës së tij. Në një bodrum të burgut sipas tij janë vrarë 9 të burgosur dhe për këta ai thotë se është dëshmitar një i burgosur nga Gërgoci i Gjakovës. Durguti është i bindur se gjatë transferimit të të burgosurve nga Dubrava ka ekzistuar një skenar për vrasjen e tyre. “Ka qenë urdhër i Miloshevqit që fillimisht të na dërgonin në kufi të Shqipërisë dhe atje të inskenonin përpjekjen tonë për të ikur e mandej për të na vrarë. Për ata kemi pritur 4 orë në autobus para nisjes. Një polic ia kishte thënë këtë një të burgosuri ordiner me përkatësi turke me emrin Naser”,
detajon ai.

Prishtina ose Haga, adresat më adekuate për gjykimin e krimit

“Të gjithë ata që kanë bërë krime, edhe kuzhinierët serbë, të gjithë ata duhet të përgjigjen çka ka ndodhur në Burgun e Dubravës.
Ata janë përgjegjës që nga kuzhinieri deri te drejtori i burgut”, thekson Sadik Zeqiri, i mbijetuari i masakrës së Dubravës. Ai tërheq vërejtjen se “për masakrën në Burgun e Dubravës duhet të përgjigjet edhe shteti serb, jo vetëm individët”. “Aty ka qenë një urdhër, sepse kush i armatosi të burgosurit serbë, kush i lejoi ata të armatosen”, nënvizon Zeqiri duke shprehur gatishmërinë e tij për të dëshmuar.
“Adresat më adekuate për gjykimin e kriminelëve do të ishin Kosova ose Haga, por kudo që të organizohej një proces eventual jam gati për të dëshmuar kundër kriminelëve që vranë njerëz duarlidhur”, thekson ai.
“Në një përballje eventuale me kryesit e masakrës, të paktën ‘Çizmen’
e njoh, sepse më ka rrahur shumë”, thotë Zeqiri. “Masakra e Dubravës ka
qenë e planifikuar mirë nga Serbia pasi një kohë të gjatë i kanë grumbulluar aty të burgosurit politikë, ishte thjesht si një përgatitje e kurbanit”, thekson Kadri Durguti. Ai është i gatshëm t’i ofrojë dëshmitë e tij rreth masakrës, “qoftë edhe në Beograd”, edhe pse thotë se “adresat më adekuate për gjykimin e kriminelëve serbë janë vendi ku është kryer krimi ose Haga”. “Mirë do të ishte që kriminelët me i sjellë dhe me i gjykue këtu ku e kanë kryer krimin, po jam skeptik se kjo mund të ndodhë”, shprehet ai. Në anën
tjetër Fatmir Hajda (1976), nga Rahoveci, i vëllai i të burgosurit politik të vrarë në masakrën e Burgut të Dubravës, Lulzim Hajda, thotë se gjithmonë ka menduar se duhet të nxirren para drejtësisë pos urdhërdhënësve edhe kryesit direkt të krimit. “Më së miri do të ishte që ata të gjykohen në Prishtinë ose në Hagë”, shprehet ai. “Mendoj se nëse gjykohen në Serbi ata edhe mund të dalin të pafajshëm, ose thjesht mund t’i dënojnë formalisht” shpreh bindjen e tij Hajda. I vëllai i tij Lulzimi sipas njoftimeve ishte vrarë nga policët serbë në pusetë derisa ishte fshehur nga bombardimet. Gatishmërinë e tij për të dëshmuar rreth Masakrës së Dubravës e shpreh edhe Sami Gashi, 36-vjeçar nga fshati Sferkë i Klinës, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës.
“Më së miri do të ishte që për njerëzit që kanë kryer krime në Burgun e Dubravës, të përgjigjeshin në vendin ku e kanë kryer krimin ose para Gjykatës së Hagës, pasi nuk besoj në drejtësinë serbe”, shprehet Gashi.

KMDLNJ: Të burgosurit sipas ligjeve të luftës, kategori e mbrojtur

Gati për të ofruar një dosje komplete dëshmish rreth masakrës së Dubravës është edhe KMDLNJ në Prishtinë. Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Bexhet Shala, thotë se këshilli ka mbledhur informata rreth kësaj masakre menjëherë pas luftës dhe ka bashkëpunuar ngushtë me Tribunalin e Hagës rreth saj duke ofruar dëshmi të bollshme. “E patëm
bërë edhe një kallëzim penal në Prokurorinë e Qarkut të Pejës, por atëherë kjo ka qenë kompetencë e UNMIK-ut”, kujton ai. “Dubrava ka qenë njëra ndër masakrat më të rënda pasi të burgosurit sipas ligjeve të luftës janë kategori e mbrojtur, përndryshe ata janë sjellë edhe nga burgjet tjera në Dubravë me qëllim që duke shfrytëzuar si pretekst
bombardimin e NATO-s të bëjnë vrasjet siç i kanë bërë policët pastaj, paramilitarët e të burgosurit ordinerë serbë”, thekson Shala. Ai tërheq vërejtjen se Haga i ka hetuar kryesit e krimeve në bazë të përgjegjësisë komanduese që ka qenë qëllimi kryesor i saj, ndërkohë që me rastet tjera ishte paraparë të merreshin gjykatat vendore. “Kjo nuk
është lejuar në Kosovë pasi asnjëherë nuk është formuar as prokurori as gjykatë speciale që do të merrej me krime lufte pasi kjo ka qenë kompetencë ekskluzive e të huajve dhe ata nuk punuan në këtë drejtim”, thekson Shala. Serbia sipas tij i ka formuar prokurorinë dhe gjykatën për krime lufte vetëm pasi ka qenë e obliguar nga bashkësia ndërkombëtare. Shala vlerëson se kriminelët që e kanë kryer masakrën e Dubravës si dhe gjithë të tjerët duhet të gjykohen aty ku e kanë kryer krimin në radhë të parë. “Ata që kanë kryer krime në Kosovë duhet të përgjigjen në Kosovë. Nuk mundet njeriu që i ka kryer krimet në Kosovë të përgjigjet në Beograd, përjashtuar Tribunalin e Hagës që ka pasur mandat nga OKB, Gjykata e Serbisë nuk do të duhej të kishte mandat që t’i gjykojë njerëzit që kanë bërë krime në Kosovë”, tërheq vërejtjen drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së. “Është qesharake që një serb lokal i Kosovës që ka kryer krime të rënda në Dubravë, Qyshk apo Lubeniq, tash të dënohet në Beograd”, shton ai. Ndonëse KMDLNJ është i gatshëm t’i ofrojë dëshmitë e veta edhe për Gjykatën për krime lufte në Beograd rreth masakrës së Dubravës, Shala thotë se në një rast të tillë ka rezerva. Gjykata për krime lufte e Beogradit sipas tij nuk i ka shqiptuar deri tani dënimet meritore. “Nuk është gjykatë që do të mund të ndikonte në parandalimin e krimeve në të ardhmen, por në fakt është një veprim për përmbushje të obligimeve që ka pasur Serbia ndajbashkësisë ndërkombëtare lidhur me ndjekjen e kriminelëve të luftës”,vë n ë pah Shala. “Unë sa kam marrë pjesë në gjykimet në Beograd, janë dhënë dënime shumë simbolike dhe njerëzit e burgosur nuk dënohen e trajtohen si kriminelë lufte, por më tepër si heronj, ata e kanë një status të veçantë atje”, thekson Shala. “Juridikisht është e paqëndrueshme që dikush të bëjë krime në Prishtinë e të përgjigjet në Beograd. Ata që janë përgjegjës për kryerjen e krimeve në Kosovë duhet të përgjigjen në Kosovë, sikurse ndonjë qytetar i Kosovës që eventualisht ka kryer krime në Serbi do të duhej të përgjigjej në Serbi”, spikat drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së.
Fondi për të Drejtën Humanitare të cilin e udhëheq Natasha Kandiq ka zhvilluar më shumë se 45 intervista me të mbijetuarit e masakrës së Dubravës si dhe me më shumë se 60 intervista me familjarë të viktimave. Në bazë të tyre FDH me seli në Beograd, në maj të vitit të kaluar ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë për krime lufte kundër 34 përgjegjësve për këtë masakër. Përfaqësuesi i këtij fondi në Prishtinë, Bekim Baliqi, i ka thënë gazetës më herët se pas dorëzimit të kallëzimit penal Prokuroria për Krime të Luftës ka iniciuar procedurë paraprake në të cilën mblidhen informatat preliminare për krimin, kryerësit e krimit dhe viktimat. Para pak kohësh deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, që është edhe njëri nga të mbijetuarit e Masakrës së Dubravës ka inicuar debat në parlamentin kosovar rreth kësaj masakre. Ai thotë që iniciativa e tij ka marrë mbështetjen e numrit të duhur të deputetëve dhe në debatin i cili do ta zhvillohet të enjten e ardhshme, do t’i rekomandojë kuvendit që të kërkojë nga ekzekutivi kosovar dhe EULEX-i që të ndërmarrin masat për arrestimin e kryesve të Masakrës së Dubravës dhe vënien e tyre para drejtësisë. Vendi ku përgjegjësit e këtij krimi do të duhej të uleshin në bankën e të akuzaurve sipas Hasanit është Gjykata e Qarkut në Pejë ku ai thotë se Shoqata e të Burgosurve Politikë ka bërë një kallëzim penal në vitin 2007 rreth kësaj masakre. Sipas këtij kallëzimi në masakrën e Dubravës janë vrarë 130 të burgosur dhe janë plagosur mbi 300 të tjerë. Këtë kallëzim penal e konfirmon edhe Hydajet Hyseni, kryetar aktual i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës (SHBPK) dhe njëkohësisht deputet në Parlamentin e Kosovës. Debati parlamentar në parlament sipas Hysenit
duhet të adresojë një vlerësim adekuat për masakrën e Dubravës dhe një trajtim meritor për viktimat e përjetuesit e saj. Hyseni thotë se SHBPK e ka adresuar edhe herë të tjera këtë masakër në Kuvendin e Kosovës ndërkaq masakra ndaj njerëzve duarlidhur sipas tij nuk e ka pasur asnjëherë trajtimin adekuat nga faktorët relevantë e sidomos nga faktori ndërkombëtar.

Masakra e Dubravës – në Hagë

Aktakuza e ngritur kundër Slobodan Miloshevqit nga Tribunali i Hagës i ka trajtuar vetëm datat 22 dhe 23 maj rreth masakrës së Dubravës dhe i ka përfshirë vetëm rreth 50 viktima. Milosheviq i cili vdiq në Burgun e Hagës para se të përmbyllej procesi gjyqësor, vazhdimisht e ka mohuar këtë akuzë dhe e ka bërë përgjegjëse për gjithë masakrën NATO-n. Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, thotë se KMDLNJ ka bërë gjithë atë që duhet për Hagën. “Por tribunali është marrë në mënyrë shumë selektive me masakrën e Dubravës. Haga jo vetëm këtë, por shumë masakra të tjera të tmerrshme nuk i ka përfshirë fare”, thekson ai duke bërë me dije se KMDLNJ i ka shprehur shumë herë shqetësimet e veta për këto mospërfshirje. “Tribunali e ka pasur nga ana jonë një dosje komplete dhe ka mundur të bëjë hetime të mirëfillta rreth masakrës së Dubravës”, thekson ai./2011

Blerta Avdili tregon pse e gjuajti me vezë Vlora Çitakun: Aksioni im individual kundrejt regjimit që përfaqëson Vlora Çitaku

Blerta Avdili, qytetarja që gjuajti me ve ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka thënë se veprimi i saj ishte individual dhe nuk ka qenë i koordinuar me asnjë individ apo subjekt politik.

Ajo thekson se nuk është anëtare e asnjë subjekti politik, por nuk do të ndalet me kërkesat e saj për drejtësi për popullin e Kosovës.

Aksioni im individual kundrejt regjimit që përfaqëson Vlora Çitaku

Ka vite që jam e indinjuar thellësisht me situatën e krijuar nga regjimi autoritar i instaluar në Kosovë nga partitë në pushtet dhe njerëzit e dala nga këto parti, si Ambasadorja Vlora Çitaku. Partitë e pushtetit në Kosovë dhe njerëzit e dala prej tyre e kanë lënë popullin tim me një prej sistemeve më të degraduara shëndetësore dhe arsimore në botë.

Populli në Kosovë jeton si në një burg nën qiell të hapur nën një dhunë të vazhdueshme sistemike. Në aktivitetin që u mbajt dje në Universitetin e Denverit, në Kolorado, në ShBA, unë i kam drejtuar disa pyetje Vlora Çitakut lidhur më korrupsionin në Kosovë dhe degradimin e përgjithshëm që ka sjell pushteti që ajo përfaqëson.

Gjithashtu, unë e kam mbajtur përgjegjës këtë pushtet dhe përfaqësuesit e tij, përfshirë Vlora Çitakun, për persekutimin e vazhdueshëm të aktivistëve të opozitës me prova dhe raste gjyqësore të montuara, që kanë çuar deri te vrasja në burg e aktivistit Astrit Dehari.

I njëjti pushtet ka refuzuar një hetim ndërkombëtar mbi këtë vrasje. Vlora Çitaku u përpoq ta relativizonte situatën duke mos qenë e sinqertë para publikut dhe duke u përpjekur sërish që ta mbulonte krimin e pushtetit që ajo përfaqëson.

Unë kisha menduar që t’i bëja Vlora Çitakut si dhuratë dy vezë të prishura të cilat doja t’ia jepja në dorë në formë simbolike për kalbjen e regjimit që ajo përfaqëson. Por nisur nga mungesa e theksuar e sinqeriteti të saj, dhe nga manipulimi që bëri, si dhe nga fakti që moderatorja e aktivitetit ndërhyri në debat duke mos më lejuar që t’ia dorëzoja vezët e prishura Vlora Çitakut, atëherë unë vendosa t’i gjuaj ato dy vezë në drejtim të Vlora Çitakut, në shenjë proteste ndaj gjithçkaje që po heq populli im prej njerëzve si ajo dhe pushtetit që ajo përfaqëson.

Unë jam qytetare e Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht edhe nënshtetase amerikane, dhe kam vepruar e pakoordinuar me asnjë individ tjetër, organizatë apo subjekt politik.

Aksioni im është individual dhe unë mbaj përgjegjësi të plotë personale për qëndrimet dhe veprimet e mia. Unë nuk jam anëtare e asnjë subjekti politik. Nga ana tjetër dëshiroj të theksoj se jam shëndoshë e mirë, dhe se nuk do ndalem në kërkesën time të vazhdueshme për drejtësi për popullin në Kosovë.

Lulzim Basha: Të dashur besimtarë katolikë! Vlerësimi im dhe i Partisë Demokratike për ju është i patundur

VOAL – Në një status të para disa orëve, Lulzim Basha hedh poshtë fushatën shpifëse, keqinformuese me frymë përçarëse kombëtare, e cila merrte shkas nga një intervistë e kryetarit të opozitës duke u keqinterpretuar teksti i saj. Kjo fushatë keqinformimi, thekson lideri opozitar, ka stigmatizuar komunitetin katolik në Shqipëri.

Ja statusi i plotë i Bashës:

Prej disa ditësh një fushatë shpifjesh, keqinformimesh me frymë përçarëse kombëtare, ka nisur nga e njëjta mendje e prishur, e cila, me ndihmën e veglave të veta të verbra ka muaj dhe vite që keqinformon dhe përpiqet të përçajë shqiptarët. Duke marrë shkas nga një intervistë e imja, ku konstatova problemin e rëndë të personave me të shkuar kriminale në pushtet, kjo fushatë keqinformimi ka stigmatizuar komunitetin katolik në Shqipëri.

Dua së pari, të refuzoj me përbuzje shpifjet e ulëta, barbare, të cilat adresojnë në gojën time përkatësi fetare për kriminelët. Dua ta them fare qartë se qëndrimi im nuk ka qenë asgjë më shumë dhe asgjë më pak se konstatimi se në zonat më antikomuniste të Shqipërisë, për shkak të shtypjes dhe terrorit ndaj një komuniteti me lidhje të veçanta me Perëndimin, komunitetit katolik, zona që tradicionalisht votojnë djathtas, Rama zgjodhi të kandidojë persona me rekorde kriminale, ndonëse në komunitetin katolik nuk mungojnë si në çdo komunitet tjetër profesorë, artistë, sportistë, njerëz të nderuar, përfaqësues të vlerave më të mira që mbart ky komunitet. Ky informim dashakeqës bëhet edhe më cinik, sepse mbart me vete një frymë përçarëse me një komb, i cili mund të mos krenohet me politikën dhe politikanët dhe shfaqjet e teatrit të kukullave dhe karagjozllëqet, por duhet të krenohet gjithmonë me frymën e pastër të harmonisë dhe dashurisë së shqiptarëve me njëri-tjetrin, pavarësisht se nga ku kanë vendosur t’i luten Zotit, nga kishat apo xhamitë.

Të dashur besimtarë katolikë! Me ju që kam ndarë në kishat tuaja dhe në shtëpitë tuaja Krishtlindje dhe Pashkë, vlerësimi im dhe i Partisë Demokratike për komunitetin tuaj është një vlerësim i patundur jo vetëm për vlerat e jashtëzakonshme të qëndresës antikomuniste dhe të mbështetjes tradicionale për Partinë Demokratike, por për faktin se keni qenë në momente shumë të vështira të historisë sonë, një urë lidhëse me Perëndimin. Pata fatin ta ndaj këtë mendim me Papa Françeskun kur e prita në Tiranë si kryetar Bashkie.

Dhe nuk do të harroj kurrë se përmes mbështetjes suaj, qëndresës suaj dhe vlerave tuaja, keni dëshmuar se shqiptarët si një popull që e kanë marrë përmes rrugës apostolike të Shën Palit besimin e Krishtit, vazhdojnë të mbështeten fuqimisht në ato vlera tashmë të shekullarizuara, që quhen vlerat europiane, dhe për të cilat Partia Demokratike dhe unë luftojmë dhe do të luftojmë vendosmërisht. Ndaj duke hedhur poshtë me përbuzje këtë fushatë shpifjesh dhe denigrimesh, duke treguar me gisht autorin, i njëjti, i cili po me të njëjtat mënyra u mundua të ngjallte terror në protestën e opozitës, mbetem i vendosur për të luftuar për të drejtat e katolikëve, të ortodoksëve, të myslimanëve, të ungjillorëve dhe çdo besimtari të Zotit dhe çdo jo-besimtari sipas zgjedhjes së tij apo të saj, në një Republikë të Re, ku të drejtat tuaja të jenë të garantuara dhe përfaqësimi juaj të jetë në dorën tuaj dhe jo në dorën e politikanëve të papërgjegjshëm që zgjedhin të poshtërojnë shqiptarët përmes emërimit të kriminelëve në detyra shtetërore.

Rama-Basha arrijnë marrëveshjen për krizën

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha arritën sot në orët e para të mëngjesit një marrëveshje për t’i dhënë fund krizës politike. Të dy udhëheqësit kryesorë u takuan kokë më kokë në mbrëmje për më shumë se tre orë. Ata dolën së bashku përpara mediave për të njoftuar arrijtjen e kompromisit, por pa dhënë detaje. Zoti Basha tha se marrëveshja ka në bazë të ashtuquajtuarën “Platforma McAllister Plus” e cila iu ofrua si zgjidhje dy ditë më parë nga Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee, në përpjekje për të mundësuar përfshirjen e partive opozitare në procesin zgjedhor. Zoti Basha tha se marrëveshja do të detajohet në 24 orët e ardhshme. Zoti Rama nga ana e tij u mjaftua të deklaronte se ishte plotësisht dakort me pohimet e kreut të opozitës. Të dy më pas u ndanë duke shtrënguar duart me një gjest sportiv dhe aspak protokollar, si shenjë e një marrëveshjeje që i kishte kënaqur të dyja palët.

Ndonëse për afro tre muaj këmbënguli për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, opozita pranoi dje një tërheqje, përfshirë dhe nga disa kërkesa të tjera, duke deklaruar se është plotësisht dakort me propozimin e integruar të paraqitur ditën e hënë nga zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit Hoyt Yee. Një propozim i cili përfshinte të ashtuquajturën “Paketa McAllister” si dhe propozimet që më pas kryeministri Edi Rama bëri në dy takimet që ai pati me zotin Basha, ku oferta e shumicës kushtëzohej me përfshirjen e opozitës në komisionet parlamentare që do të duhet të përzgjedhin anëtarët e strukturave të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Siç saktësoi dhe një deklaratë e koalicionit opozitar, përgjigja për zotin Hoyt Yee, duhej të ishte vetëm një ‘PO’ ose një ‘JO’, dhe se çdo propozim shtesë do të konsiderohej refuzim. Opozita deklaron se ka thënë ‘PO’, përfshirë dhe votën për Vettingun. “Duke pranuar propozimin e integruar McAllister Plus të paraqitur nga zoti Hoyt Yee, i cili nuk përfshin shumë nga kërkesat tona thelbësore, opozita ka dëshmuar vullnetin dhe mirëbesimin për të punuar drejt një zgjidhje politike që do t’u garantojë shqiptarëve kushtet minimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme me pjesëmarrjen e opozitës”, thekson deklarata e koalicionit opozitar, duke shtuar se “tani është koha që Zoti Rama të thotë ‘PO’, dhe të hapë rrugën për të garantuar së bashku përmes dialogut që ky propozim të jetë plotësisht i zbatueshëm”.

E majta duket se nuk ishte dakort me shtyrjen e datës së zgjedhjeve e cila sipas “Paketës McAllister” mund të jetë 16 korriku. Në një deklaratë të sajën Partia socialiste akuzoi opozitën për “abuzime mediatike në një proces serioz dhe delikat për të kthyer Partinë Demokratike në rrugën e arsyes”, theksohet në tekst, ndërsa më pas shton se PS është angazhuar për arritjen e një rezultatati pozitiv që sipas saj do të thotë “garanci si asnjëherë për opozitën në zgjedhjet e 18 qershorit, në respekt të kushtetutës dhe ligjit”.

Në një letër dërguar kryeministrit, zoti Basha ritheksoi pranimin e propozimit të integruar të paraqitur nga zoti Hoyt Yee dhe i bëri thirrje atij që të konfirmonte publikisht “pranimin pa kushte të propozimit amerikan”. Kryeministri është përgjigjur shkurtimisht përmes një postimi në Twitter, duke i kërkuar kreut të opozitës që të lerë letrat publike dhe të fokusohet te oferta që ka në tryezë.

Por fjala e fundit nuk ishte thënë ende. Ambasadori amerikan Donald Lu pati dje një takim gati dy orësh me zotin Basha, ndërsa menjëherë më pas takoi për afër 20 minuta kryeministrin Rama. Në mbrëmje, me nismën e dy partive opozitare, Partisë Republikane dhe Partisë Agrare Ambientaliste, u mblodh një tryezë e krerëve të forcave politike, ku të pranishëm ishin si kryeministri edhe kreu i opozitës.Takimi zgjati për afër 1 orë, pas të cilit dy drejtuesit kryesorë politik, Rama dhe Basha, vijuan bisedimet kokë më kokë mes tyre, pa dëshmitarë.