VOAL

VOAL

’15 janari të shpallet ditë përkujtimi’- Ja rezoluta e PD për gjenocidin serb në Kosovë

May 28, 2022
blank

Komentet

blank

UGSHPD: KËRCËNIMI FATKEQËSISHT PO KTHEHET NË NJË NORMALITET TË RI, NJË PARALAJMËRIM PËR DHUNË DHE KRIM NGA ARROGANCA E QEVERISJES

 
Rasti më i fundit, dhuna e ushtruar ndaj gazetarit Gjergj Zefi, përsëriti edhe njëherë dukurinë kur krimi i organizuar ka në shënjestër fjalën e lirë. 
Në qoftë se, sipas policisë së Tiranës, ka mbetur njoftimi i dy ditëve më parë : “pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se personi i dëmtuar është shtetasi Gjergj Zefi, 52 vjeç (administrator i një portali), i cili aktualisht po merr ndihmën mjekësore” dhe më tej agresorët “janë larguar në drejtim të paditur”, ky refren i ngritjes së supeve po e bën shoqërinë shqiptare të ndjehet e pasigurt dhe të mbetet e kërcënuar në çdo orë të ditës.
Dhuna verbale mbi median është ndeshur shpesh, kujtojmë këtu etiketimin si “vrasës me pagesë” kur  Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i bëri ndaj një gazetareje, kur ajo zbuloi korrupsion në investimet e munguara në djegësin e plehrave. Pra nga dhuna verbale dhe përshkallëzimi në lëndim fizik vetëm në pak muaj tregon se ndjeshmëria e parandalimit dhe ndëshkimit me forcën e ligjit mungon. Rastet janë shumta dhe të shprehura në forma të ndryshme, por duke e analizuar këtë kapërcim, nga dhuna verbale (normë), deri në dhunë fizike (fakt) dhe kur përgjegjësit nuk ndëshkohen, kjo shpalosje e bën UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës),  që të dënojë me forcë dhe të kërkojë ndërgjegjësimin qytetar që të angazhohet për marrjen e  masave të menjëherëshme për mbrojtjen e sigurisë së jetën e shtetasve.
Këto shprehje të përsëritura që kanë gjetur shprehjen e frikës me formën e kërcënimit të vazhdueshëm  janë dëshmia e realitetit  të sotëm shqiptar që shkon përtej lajmit në kronikën e zezë. Qeveria e cila ka përgjegjësinë dhe detyrën e mbrojtjes së jetës dhe sigurisë së shtetasve ka mbetur vetëm në ushtrimin e propagandës politike dhe të  arrogancës në një kohë kur opozita zgjohet, mediat shprehen, bota sheh ndërsa krimi duket se po drejton vendin.
UGSHPD i fton shqiptarët ta shohin më gjerë dhe me përparësi situatën pasi KËRCËNIMI i kthyer në normalitet në jetën e shoqërisë sot po përbën një rrezik të madh. Janë jo vetëm mediat të kërcënuara që përcjellin kronikën e zezë, për grabitje bankash, vrasje, rrahje të dhunëshme, votues të ndrojtur në qendrat e votimit, veprime bandash të trafiqeve dhe deri tek kërcënimi i jetës së prokurorëve së fundmi që po tregojnë se krimi po ndjehet i lirë dhe ka aftësi dhe epërsi të gjunjëzojë vetë shtetin.
I vetmi mjedis mediatik ku ky fenomen nuk pasqyrohet është ATSH-ja (Agjencia Telegrafike Shqiptare), organi i propagandës së pushtetit që propagandon vetëm arritje. 
Asnjë kronikë e zezë veç sukses it shihet në të. 
Shprehet me bujë sipërmarrja e “operacioneve të koduar” që qendrojnë si tituj filmash, por në rrjetë përfundojnë vetëm pak kokrra. Ca më keq kjo situatë vishet me një tjetër ngjyrim kur rendi dhe policia studiojnë ngritjen e strukturave të reja që do t’i shërbejnë sezonit turistik të ardhshëm, pasi 2023 priti 8.3 mil turistë.
Kjo është farsa e qeverisjes së dështuar që është mbërthyer prej krimit dhe korrupsionit duke kthyer për qytetarët kërcënimin në një normalitet.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
blank

Osmani arrin në Spanjë: Do të flasë për sigurinë, pas agresionit të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar drejt Spanjës ku do të marrë pjesë në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian.

Osmani ka njoftuar se tashmë ka arritur në qytetin e Granadas ku edhe do të mbahet ky samit.

Në një postim në platformën ‘X’, Osmani ka shkruar se në takimet që do të zhvillojë atje në margjinat e këtij samiti, do të flas për sfidat e sigurisë në Kosovë pas sulmit terrorist nga Serbia.

‘Kemi arritur në Granadë për samitin e Komunitetit Politik Evropian. Në takime me kolegët liderë, do të diskutoj sfidat e sigurisë në Kosovë pas aktit të agresionit të Serbisë dhe do të ritheksoj angazhimin tonë për thellimin e bashkëpunimit me aleatët për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjate’, ka shkruar Osmani.

Ndërkaq nga zyra për media kanë njoftuar se Osmani do të marrë pjesë në këtë samit me ftesë të Presidentit të Këshillit të Bashkimi Evropian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez

‘Ky samit do të mbledhë krerë shtetesh nga 47 vende të kontinentit evropian si dhe liderët e institucioneve evropiane, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë në mënyrë që Evropa të jetë më e qëndrueshme, e begatë dhe gjeostrategjike’, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, sipas njoftimit thuhet se Osmani para liderëve evropianë, pritet të përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe siguri në vend dhe rajon.

Në këtë samit është paralajmëruar të marrë pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nuk dihet nëse do të ketë ndonjë takim mes Osmanit dhe Vuçiqit, ndonëse mediat ndërkombëtare kanë raportuar se ka përpjekje për të ndodhur një takim mes dy presidentëve.

blank

Fox News: Sulmi në veri të Kosovës ishte plan i qëllimshëm nga Vuçiçi dhe Rusia për të nxitur një rebelim

Rrjeti i madh televiziv amerikan, Fox News, raporton se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ishte në dijeni të sulmit që ndodhi në veri të Kosovës.

“Dëshmi të reja shpërthyese nga Kosova pretendojnë se presidenti i Serbisë kishte dijeni për një sulm të paramenduar që vrau një polic javën e kaluar, duke ndezur tensionet mes dy vendeve ballkanike.

Të paktën 30 persona të armatosur hapën zjarr ndaj policisë në fshatin Banjska, të mbizotëruar nga serbët në veri të Kosovës dhe më pas mësynë në një manastir ortodoks, duke vrarë një oficer policie dhe plagosur dy të tjerë. Policia e Kosovës sekuestroi 24 automjete, 29 granatahedhës, 150 dinamitë shpërthyes, 142 predha mortajash, 75 granata dore, 7 raketahedhës dhe 8 mina antitank,” raporton Fox News.

“Këto nuk ishin armë të vogla që ranë nga një kamion në vitet 1990 ose që janë blerë në një version ballkanik të Walmart. Është e qartë se këto armë duhet ta kenë origjinën nga një burim shtetëror dhe origjina më e dukshme duket të jetë Beogradi,” tha Leon Hartwell, një studiues në Qendrën për Analizën e Politikave Europiane.

Burime diplomatike në rajon thanë për Fox News se sulmi ishte pjesë e një plani më të madh dhe të qëllimshëm nga Serbia- me ndihmën e Rusisë, për të nxitur një rebelim në veriun e trazuar të Kosovës.

“Rebelimi do të shërbente si një pretekst për ushtrinë serbe për të hyrë në Kosovën veriore dhe për ta justifikuar këtë veprim si mbrojtje të pakicave serbe dhe se trashëgimia kulturore dhe fetare ortodokse ishte në rrezik,” thanë burimet.

“Ky ishte një incident i paramenduar, siç e ka pranuar edhe vetë lideri serb i Kosovës, Radoiçiç. Arsenali masiv i armëve të sekuestruara, mjaftueshëm për të nisur një luftë të vogël, e vërteton këtë fakt dhe tregon sërish se regjimi i Vuçiçit në Serbi vepron si sponsor shtetëror i terrorizmit dhe punon me pretekste të ngjashme me Putinin për pushtimin e veriut të Kosovës,” tha për Fox News, Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA dhe OKB dhe një analist kryesor për rajonin.

blank

Intervista – Bugajski: Më 24 shtator ndodhi një sulm shtetëror nga Serbia kundër Kosovës!

Analisti Janush Bugaiski ka folur në një intervistë për Euronews Albania, ka komentuar sulmet e 24 shtatorit në veri, si dhe raportet Kosovë-Serbi.

Zoti Bugajski, çfarë mendimi keni për ngjarjen që tronditi Kosovën mëngjesin e 24 shtatorit, sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës?

Nuk do e quaja thjesht një sulm terrorist, mendoj se ishte një sulm shtetëror nga Serbia kundër Kosovës. Qartazi, sulmi u orkestrua nga qeveria serbe, nga shërbimi i sigurisë së Serbisë dhe qëllimi ishte të provokonte më tej tensionin dhe paqëndrueshmërinë dhe mendoj se ishte një provë për veprime të mëtejshme. Mendoj se është pjesë e një motivi përshkallëzimi që mendoj se Vuçiçi do e përdorte herë pas here për të minuar sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Edhe disa ditë pas sulmit, Milan Radoiçiç i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe mori përsipër organizimin e këtij sulmi por refuzoi përfshirjen e Beogradit zyrtar. Është kjo një përpjekje për të mbrojtur presidentin serb nga ky sulm?

Më kujton mënyrën se si Moska refuzonte të kishte dorë në sulmin në Krime, e cila çoi në aneksimin e Krimesë dhe rezultoi që sigurisht që ishin të përfshirë që prej fillimit. Deklarata të tilla nuk gënjejnë askënd. Të dhënat tregojnë se shërbimet e inteligjencës së Serbisë, shërbimet e sigurisë së Serbisë, paratë serbe dhe pajisjet luftarake të Beogradit nga Serbia janë duke përshkallëzuar krizën në rajon dhe janë të përqendruar kryesisht në Kosovë.

Së fundmi, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi se Kosova ka mandat për hetimet dhe Serbia duhet të bashkëpunojë. Mendoni se Serbia do të ketë vullnet? Pra për të bashkëpunuar me Kosovën?

Nuk e mendoj. Në cilat terma do të bashkëpunojnë? Nëse ata refuzojnë çdo lloj përfshirjeje në ato që janë duke ndodhur në Kosovë, qartazi ata janë duke u përpjekur të krijojnë konflikt, konflikte etnik. Po përpiqen të tregojnë sikur minoritetet janë duke u shtypur. Duan të destabilizojnë vendin. Mendoj se të gjitha këto hetimet duhet të kryhen nga ndërkombëtarët. Duhet të kryhen nga NATO-ja, nga BE-ja dhe nga Shtetet e Bashkuara. Mendoj se kjo është mënyra e vetme ti shkojmë në fund gjësë dhe të zbulojmë kush fshihet nga pas. Përndryshe mendoj që thjesht po humbasim kohën.

BE-ja ka deklaruar se është në pritje të rezultateve të hetimit për të pasur një panoramë të gjerë të ndodhive. Çfarë rrezikon Serbia? Do të ketë sanksioni ndaj saj?

Në rastin më të mirë po, do të ketë sanksione ndaj çdo veprimi të ndërmarr nga ana e Vuçiç, përfshirë këtu sulmin ndaj trupave të NATO-s përpara disa muajsh. Megjithatë asnjë masë nuk është marre në të vërtetë. Madje ka ndodhur e kundërta. Vuçiçi është lavdëruar dhe ka marrë përfitime nga më të ndryshmet nga BE-ja. Fatkeqësisht BE-ja nuk është mjaftueshëm serioze për të marre masa serioze kundër një shteti, kundër një qeverie e cila po destabilizon rajonin. Pra, unë nuk pres ndonjë sanksion të madh nga BE-ja

Si e shikoni qasjen e Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell në këtë proces. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka akuzuar ato se mbajnë anën e Serbisë.

Ose mbajnë anën e Serbisë ose është kthyer në një lloj rutine. Dalin me mocione, bëjnë deklaratat e duhura, udhëtojnë, udhëtojnë shumë në të dyja kryeqytetet dhe në fund të ditës jo vetëm që nuk kemi asnjë rezultat por kemi të kundërtën e progresit, kemi regres. Pra mendoja që në fakt asnjë prej tyre nuk duhet të shërbeje më si i dërguar pasi kanë dështuar në punën e tyre. Nëse do ishin në çdo pozicion tjetër do të ishin zëvendësuar. Nëse pas gjithë këtyre viteve nuk mund të normalizoni dhe të krijoni marrëdhënie dypalëshe midis Kosovës dhe Serbisë atëherë politika juaj ka dështuar.

Dhe si e shikoni zhvillimin e dialogut tani? Ka dështuar BE-ja dhe do të nevojitet një format tjetër dialogu midis Kosovës dhe Serbisë?

Pasi Vuçiçi deklaroi se Serbia kurrë nuk do ta njoh Kosovën, gjë të cilën e tha para pak ditësh, do të thotë se gjatë regjimit të Vuçiçit nuk ka për të pasur një normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve, pra çfarë kuptimi kanë diskutimet? Mund të zgjidhni çështje të tjera siç janë zgjidhur sipas procesit të Brukselit gjatë viteve, por çështjet thelbësore thjesht nuk mund ti përballojë BE-ja. Mendoj se formati duhet të jetë i gabuar në këtë rast. Diplomatët e përfshirë si dhe formati kanë dështuar, kështu që ato duhen rishikuar dhe duhet të ketë më shumë presion ndaj Serbisë që të zbatoje marrëveshjet dhe të ece nëse jo drejt njohjes zyrtare, të paktën të mos bllokojë rrugën e Kosovës për njohje në vende të tjera si dhe anëtarësimin e saj në organizata të tjera.

blank

Osmani në CNN: Kosova është viktimë e një akti të agresionit nga Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të martën se “Kosova është duke u sulmuar” dhe se është “viktimë e një akti të agresionit nga Serbia”, pas sulmit nga grupe të armatosura serbësh ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit javë më parë.

Më 24 shtator, grupe të armatosura serbe sulmuan policinë e Kosovës në fshatin e komunës së Zveçanit, Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

“Derisa ne po flasim, Kosova po përballet me sfida të papara; me sfida të sigurisë që vijnë nga akti i agresionit të Serbisë që ndodhi më 24 shtator. Ishte një akt agresioni i urdhëruar nga vendimmarrësit, nga shteti i Serbisë, e i kryer nga grupet terroriste paramilitare”, tha Osmani për CNN.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se qëndron prapa këtij sulmi.

Por Osmani nguli këmbë se “ky agresion nuk ndodhi vetëm një herë dhe ishte i planifikuar dhe përgatitur shumë mirë me qëllimin e vetëm për ta aneksuar veriun e Kosovës në stilin e Krimesë”, duke iu referuar aneksimit të Gadishullit ukrainas nga Rusia në vitin 2014.

Pesë ditë më vonë, përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiqit, i cili u mor në pyetje sot nga prokuroria serbe në Beograd, por Osmani nuk beson se Serbia do ta dënojë apo ekstradojë atë tek autoritet e Kosovës.

“Natyrisht, gjëja e parë që ne e duam është që [shteti serb] t’ia dorëzojë Radoiçiqin dhe terroristët e tjerë Republikës së Kosovës, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend. Serbia nuk ka histori të mirë për vënien e drejtësisë në vend”, tha Osmani të martën për televizionin amerikan CNN.

Ajo theksoi se “nuk ka asnjë rast kur kriminelët që kanë kryer krime lufte dhe gjenocid në Kosovë dhe Bosnjë që janë vënë para drejtësisë.”

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se e mori në pyetje Radoiçiqin të martën, të cilin e akuzon për “trafikim armësh” dhe “vepra kundër sigurisë”.

Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.

Ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka informacion për ndonjë armë në zonën e Tuzllës”, që lidhet me rastin e Millan Radoiçiqit.

“Serbia dëshiron ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor për Putinin”

Osmani e akuzoi Serbinë për “përpjekje të vazhdueshme për ta destabilizuar” Ballkanin Perëndimor, për t’ia mundësuar presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, hapjen e “një fronti të ri” kundër Perëndimit në Ballkanin Perëndimor.

Ajo e përmendi zhvendosjen e ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën javën e kaluar, gjë të cilën Serbia e ka mohuar, pavarësisht se u qortua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Ne po punojmë me aleatët dhe partnerët tanë për të mos e lejuar të ndodhë kjo”, tha ajo.

Megjithatë, Osmani beson se Serbia mund ta përsërisë “dhunën jo vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj pjesës tjetër të rajonit”, nëse nuk përballet me masa të ashpra.

Osmani i hodhi poshtë pretendimet e autoriteteve serbe se armët e përdorura nga grupi i udhëhequr nga Radoiçiqi ishin siguruar në Tuzëll të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Policia e Kosovës gjeti dhe konfiskoi arsenal të jashtëzakonshëm armësh pas sulmit në veri.

“Armët që ne i kemi konfiskuar tregojnë se ato ishin prodhuar vetëm gjashtë javë më parë në bazat ushtarake në Serbi”, shtoi Osmani.

Ajo nënvizoi se armët e tilla nuk përdoren nga qytetarët e zakonshëm “por vetëm nga shteti dhe nga ushtria”.

blank

Komuniteti shqiptaro-amerikan letër presidentit Biden, shpreh shqetësim për rrezikun nga Serbia

VOA

Organizata shqiptaro-amerikane nga pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara i dërguan të martën një letër Presidentit Joe Biden, ku shprehën shqetësimin për veprimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe kërkuan që SHBA dhe BE-ja të marrë masa kundër presidentit të saj, Aleksandar Vuçiç.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga kërcënimi i vazhdueshëm që paraqet Serbia dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiç ndaj Kosovës dhe popullit të saj”, thuhet në letrën e nënshkruar nga rreth 90 shoqata dhe grupe shqiptaro-amerikane, të një spektri të gjerë.

Nënshkruesit e letrës i kërkojnë presidentit Biden një takim për të diskutuar për gjendjen e krijuar.

Letra drejtuar presidentit Biden merr shkas kryesisht nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë në pjesën veriore të Kosovës, ku humbi jetën një oficer policie, si edhe nga grumbullimin e madh ushtarak nga Serbia në kufirin me Kosovën, që vetë Shtëpia e Bardhë e quajti “të pashembullt”, duke bërë thirrje Beogradit për tërheqjen e trupave nga kufiri.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby tha të martën se Serbia ka filluar tërheqjen e këtyre forcave.

“SHBA dhe BE duhet të marrin masa ndaj presidentit Vuçiç dhe të mos ta lejojnë atë të nxisë dhunën, të armatosë terroristët dhe të kërcënojë fqinjët e tij. Serbia nuk mund të mbetet anëtare e komunitetit perëndimor duke mbajtur njëkohësisht lidhje të ngushta me Rusinë”, thuhet në letër.

Aktivistët shqiptaro-amerikanë vënë në dukje lidhjen e veçantë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

“Si shqiptaro-amerikanë krenarë, ne vlerësojnë thellësisht mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër, por shtohet se ky komunitet është i shqetësuar për rolin e Serbisë duke i quajtur veprimet e saj si “një rrezik të qartë dhe të pranishëm ndaj popullit, sigurisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

Në letër përmendet fakti që nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiç, e pranoi publikisht se drejtoi operacionin e 24 shtatorit, së bashku me Bojan Mijailoviçin, një truprojë i ministrit të Brendshëm Aleksander Vulin, i cili është sanksionuar nga Departamanti i Thesarit i SHBA-së, për krim të organizuar, operacione të paligjshme lidhur me narkotikë dhe lehtësimin e aktiviteteve keqdashëse të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Në letër përmendet gjithashtu deklarata e ambasadorit amerikan Jeffrey M. Hovenier, se sulmi “ishte i koordinuar dhe i sofistikuar” se personat e armatosur duket të kanë pasur stërvitje ushtarake dhe se sasia e armëve lë të kuptohet se kishte një plan “për të destabilizuar sigurinë në rajon.”

“Sulmi terrorist është pjesë e një sërë përpjekjesh për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin… (Ai) paraqet një kthesë kritike dhe vendimtare jo vetëm për rajonin por edhe për gjithë Evropën”,

Autoritetet në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë kanë kërkuar vënien e autorëve të sulmit para drejtësisë. Prishtina ka akuzuar Beogradin për mbështetjen dhe pajisjen e grupit që kreu sulmin.

“Serbia ka treguar herë pas here se përbën rrezik për Kosovën, fqinjët e saj dhe komunitetit ndërkombëtar më gjerë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk mund ta trajtojnë më Serbinë si një partner i besueshëm ndërkohë që ajo furnizon dhe tani strehon terroristë të armatosur rëndë”, thuhet në letër.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë tha të martën se ka arrestuar Milan Radoiçiçin. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i ka mohuar lidhjet me grupin e armatosur. Ai ka akuzuar Prishtinën zyrtare për nxitje të dhunës në veri.

blank

Kurti: Sulmi i 24 shtatorit dëshmon për planet e Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës

VOA/Edlira Bllaca

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të martën se sulmi i 24 shtatorit ndaj policisë në veri të vendit, është dëshmi e planeve të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës.

Të dielën e 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës një grup serbësh të armatosur qëlloi mbi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër. Përgjatë përleshjeve që pasuan, tre sulmues mbetën të vrarë.

Ndërsa unë kam qenë në tavolinën e dialogut në Bruksel dhe në samite të Procesit të Berlinit për të arritur marrëveshje për të ardhmen, siç kemi parë para një jave Serbia po punonte në plane ushtarake për aneksimin e territorit tonë. Kjo tregon që fqinji ynë në veri nuk është i interesuar për bashkëpunim rajonal dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian, por në vend të kësaj ka orientime alternative gjeopolitike të cilat janë pjesë e ambicieve hegjemoniste ndaj fqinjëve”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se çështja më e rëndësishme dhe urgjente sot është siguria për Kosovën e sulmuar dhe ndëshkimi për sulmuesit, shumica dërmuese e të cilëve tha ai, janë pjesë e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallura terroriste nga qeveria e Kosovës më herët gjatë vitit.

Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton ndëshkimin e Serbisë e cila e mbështeti financiarisht, ushtarakisht, logjistikisht, politikisht, publikisht e zyrtarisht atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit të dielën e 24 shtatorit. Por në të njëjtën kohë edhe dorëzimi apo ekstradimi i të gjithë atyre të cilët janë duke u përndjekur sepse ikën nga vendi i krimit dhe nga shteti ynë”, tha ai.

Kryeministri Kurti i bëri këto komente në një debat të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike mbi Procesin e Berlinit, që është një nismë e krijuar me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të kësaj pjese në Bashkimin Evropain.

Ai tha se Serbia nuk është e interesuar për bashkëpunim rajonal dhe integrim evropian, duke theksuar lidhjet siç tha gjithnjë e më të ngushta të Beogradit me Moskën.

Për integrim dhe bashkëpunim rajonal është me rëndësi që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të gjitha të përparojnë në mënyrë demokratike ngase bashkëpunimi i mirëfilltë ndodh prej vlerave të përbashkëta dhe orientimit të përbashkët strategjik. Shumica e vendeve të Ballkanit i kanë këto të përbashkëta por jo të gjitha. Është e dukshme posaçërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit të Serbisë kundër Kosovës, por edhe bashkëpunimit të saj të hapur dhe çdoherë e më të ngushtë me Rusinë se mungesa e bashkëpunimit rajonal është për shkak të dallimeve të thella në orientimin strategjik”, tha kryeministri Kurti.

Beogradi i ka mohuar lidhjet me ngjarjet e 24 shtatorit të cilat i mori përsipër Milan Radoiçiç, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi.

Përleshjet e 24 shtatorit nxitën shqetësime të reja ndërkombëtare për qëndrueshmërinë e rajonit dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës, që shpalli pavarësinë me mbështetjen e Perëndimit dhe Serbisë që kundërshton shtetësinë e saj më mbështetjen e Moskës.

Ngjarjet e së dielës së kaluar do të jenë pjesë e një diskutimi gjatë ditës në Parlamentin Evropian, nga i cili kryeministri Kurti tha se pret ndëshkim të qartë për sulmuesit.

Unë besoj që diskutimet që zhvillohen në vijim përfshirë edhe ato në forumet e Bashkimit Evropian, më i larti i tyre Parlamenti Evropian, për nga përfshirja qytetare e demokratike, është siguria për Kosovën, ndëshkimet për sulmuesit dhe në të njëjtën kohë të mos provojmë të vazhdojmë me çfarëdo ideje të status quo-së, që mund ta ketë e nuk besoj që do të duhej ta kishte ndokush”, tha kryeministri Kurti.

blank

‘Serbët duan hakmarrje’- Sulmohet shtëpia e shqiptarit në Medvegjë, kërkohet ndihmë nga Shqipëria dhe OSBE

Shqetësimet e liderëve të Luginës së Preshevës se mund të ketë hakmarrje nga Serbia pas ngjarjeve në Banjskë po dalin të vërteta.

Pa kaluar as një javë nga sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës dhe vrasjes të së paku tre terroristëve të përfshirë në sulm, familja Muharremi nga Medvegja është kërcënuar nga serb të maskuar.

Sulme verbale dhe gjuajte me gurë për rreth gjysmë ore janë hedhur në Drejtim të shtëpisë së kryefamiljarit Ruhan Muharremi nga Medvegja mbrëmjen e së shtunës.

Djali i Muharremit, Besarti për Telegrafin ka thënë se për këtë kërcënime e sulme janë lajmëruar organet e sigurisë.

Ai thotë se pas këtij raportimi prindi është ftuar për deklaratë në polici.

“Prindërit e mi janë kërcënuar mbrëmë gjatë orëve të vona të natës nga një grup prej 15 personash në Medvegjë. Kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë hedhur gurë në vetura e shtëpinë e prindërve”, ka treguar Besarti për Telegrafin.

Për kërcënimin në fjalë ka folur edhe kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve Nevzat Lutfiu.

“Sot dy herë jam dëgjuar me pjesëtarët e familjes Muharremi nga Medvegja, që mbrëmë në drejtim të shtëpisë së tyre janë gjuajtur gurë dhe gjësende tjera”.

Ai për këtë veprim të ekstremistëve serb e ka vënë në dije edhe Ambasadën e Shqipërisë dhe OSBE-në.

“Pjesëtarët e kësaj familjeje janë shumë të shqetësuar. E kam njoftuar ambasadën e Shqipërisë në Beograd dhe përfaqësuesit e OSBE lidhur me këtë sulm ndaj kësaj familjeje”, ka shkruar Lutfiu në Facebook.

Edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi ka reaguar për sulmin duke dënuar aktin vandal ndaj familjes shqiptare.

“Ne kërkojmë që autoritetet e sigurisë të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur rendin dhe qetësinë dhe për të siguruar që qytetarët shqiptarë në Medvegjë të mos jenë të ekspozuar ndaj abuzimeve dhe tmerreve të tilla”.

“Gjithashtu, ftojmë bashkësinë ndërkombëtare të ndjekë ngjarjet dhe të monitorojë situatën e sigurisë me kujdes, sidomos në Luginën e Preshevës”, ka shkruar Kamberi./Telegrafi/

blank

Kurti: Shumica e sulmuesve në Banjskë, pjesëtarë të Mbrojtjes Civile ose Brigadës Veriore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se informatat preliminare të autoriteteve të Kosovës tregojnë se shumica dërmuese e personave të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, janë ose pjesëtarë të organizatës, Mbrojtja Civile ose të Brigada Veriore – të dyja të shpallura terroriste në Kosovë, në qershor të këtij viti.

Si pasojë e sulmeve në Banjskë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Gjatë përleshjeve me policinë janë vrarë edhe tre sulmues.

Sipas Kurtit, çështja më e rëndësishme aktualisht është siguria e Kosovës dhe ndëshkimi për sulmuesit e Policisë së Kosovës.

“Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton ndëshkimin e Serbisë, e cila e mbështeti financiarisht, ushtarakisht, logjistikisht, politikisht, publikisht, zyrtarisht, atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, por në të njëjtën kohë edhe ekstradimi, dorëzimi i të gjithë atyre, të cilët janë duke u përndjekur, sepse ikën nga vendi i krimit dhe nga shteti ynë”, ka thënë Kurti teksa ka marrë pjesë në një tryezë të Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS) lidhur me arritjet e deritanishme dhe pritjet nga Procesi i Berlinit.

Ai e ka komentuar edhe një debat që pritet të zhvillojë Parlamenti Evropian të martën, lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës.

“Unë besoj që diskutimet që do të zhvillohen në vijim, përfshirë edhe ato në forumet e Bashkimit Evropian, më i larti i tyre Parlamenti Evropian, për nga përfshirja qytetare demokratike, është siguria për Kosovën, ndëshkimet për sulmuesit, dhe në të njëjtën kohë, të mos provojmë të vazhdojmë me çfarëdo ideje të status quo-së, që mund ta ketë e nuk besoj që do të duhej ndokush”, ka thënë Kurti.

Përgjegjësinë për sulmet në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

Vendndodhja e tij nuk dihet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ai gjendet në “Serbinë qendrore” dhe autoritetet atje e kanë marrë në pyetje “në cilësinë e qytetarit”.

Autoritetet e Kosovës e kanë fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo autoritetet në Beograd e kanë hedhur poshtë këtë akuzë.

Sulmi ndaj Policisë në Banjskë është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e sulmuesve me drejtësinë.rel

blank

Gërvalla për median gjermane: Do të ketë luftë nëse ndërkombëtarët e tolerojnë Serbinë

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka paralajmëruar luftë, në rast se, siç ka thënë ajo, komuniteti ndërkombëtar vazhdon me qasjen e njëjtë ndaj Serbisë.

Gërvalla i tha mediumit publik gjerman, Deutschlandfunk se Serbia dëshiron ta detyrojë Kosovën të negociojë për çështje territoriale në dialog.

“Nëse komuniteti ndërkombëtar i toleron veprimet e Serbisë, do të ketë luftë”, tha ajo. “Serbia dëshiron të krijojë fakte për ta detyruar Kosovën të negociojë çështjet territoriale në Bruksel”.

Gërvalla thotë se BE-ja duhet të ngrijë statusin e Serbisë si vend kandidat.

Afrimi i ushtrisë serbe rreth kufirit me Kosovën i ngjan sjelljes së Rusisë kur iu afrua Ukrainës para pushtimit, tha Gërvalla.

“Nuk ka pasur asnjëherë koncentrim të tillë të trupave në vitet e fundit”, deklaroi ministrja.

“Armatimi që kanë aty, tanket, na jep ndjenja të këqija, sepse nuk e dimë si do të reagojë komuniteti ndërkombëtar”, thotë ajo.

Gërvalla shton se s’është problemi vetëm te ushtria rreth kufirit, pro edhe te retorika dhe metodat që ngjajnë në sjelljen e Rusisë kundrejt Ukrainës.

blank

Kurti: Sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti tha se, bazuar në të gjetjet e Policisë së Kosovës, sulmi terrorist serb ishte pjesë e planit për aneksimin e veriut.

Ai shkrunr në rrjetin social X të hënën se sulmi në fshatin Banjskë të Zveçanit ishte koordinuar në 37 pozicione të dallueshme, e sipas tij, do të pasonte krijimi i një korridori për të mundësuar furnizimin me armë e trupa.

“Në bazë të dokumentacionit të konfiskuar, Policia e Kosovës ka konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës, nëpërmjet një sulmi të koordinuar në 37 pozicione të dallueshme. Do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin me armë dhe me trupa”, shkruan Kurti.

“Ka kaluar një javë nga sulmet tragjike terroriste të orkestruara nga Serbia. Gjatë 7 ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të dhunës, kërcënimeve dhe glorifikimit të akteve të tilla. Gjatë kësaj kohe, ne vlerësojmë thellësisht mbështetjen e aleatëve tanë në luftën tonë kolektive për demokraci”, shton Kurti.

Në këtë sulm të armatosur mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku e u plagosën disa zyrtarë të tjerë policorë, ndërsa janë vrarë të paktën tre serbë të armatosur.

blank

Studentët e Mjekësisë bojkotojnë ditën e parë të mësimit dhe protestojnë: Shfuqizoni ligjin për punën e detyruar!

Dita e parë e fillimit të vitit të ri akademik i ka gjetur studentët e mjekësisë në protestë. Ata njëzëri janë mbledhur para dekanatit të Universitet të Mjekësisë, ku në shenjë proteste për ligjin e ri të miratuar për punën e detyruar që duhet të bëjnë brenda vendit, ata kanë bojkotuar mësimin.

Në një prononcim për gazetaren e News24, Ida Ismalaj, një prej studentëve paralajmëroi se ky bojkot do të vazhdojë deri në ditën kur të ketë reagim për plotësimin e kërkesave të tyre. Ai tha se studentët po përgatisin një padi për ligjin që është miratuar, dhe do ta dorëzojnë atë në Gjykatën e Lartë.

“Ne nuk kemi ende një kontratë, dhe ende nuk ka dalë kostoja. Nuk po i gjykojmë të drejtë që të nënshkruajmë këtë kontratë. S’do i shërbente sistemit shëndetësor në vend. Largimi i bluzave të bardha është një problem edhe i vendeve të tjera, por në Shqipëria e ka më të evidentuar. Ne jemi ndër vendet që paguajmë vetëm gjysmën e specializantëve. Ne keqpaguhemi, korrupsioni po ashtu, ngelen ndër problemet që detyrojnë mjekët e rinj të ikin. Duhet të ulemi në një tryezë të gjerë, që të flasim dhe të diskutojmë për kërkesat tona. Do të vazhdojmë bojkotin deri sa të kemi një reagim. Me bojkotin dhe protestat, po bëjmë përpjekje që ta çojmë ligjin në Gjykatën Kushtetuese, do të bëjmë padi. Ne kërkojmë që të shfuqizohet ligji për detyrimin e studentëve të mjekësisë për kontratat e punës.”, tha studenti.bw


Send this to a friend