VOA
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) publikoi sot në Tiranë Raportin e Vlerësimit të Sistemit Kombëtar të Integritetit për Shqipërinë, mbi efektivitetin e mekanizmave kombëtarë kundër korrupsionit.
Raporti, një bashkëpunim me Organizatën Transparency International, me mbështetjen e Bashkimit Europian, vëren një rënie në sektorin publik sa u takon mekanizmave kundër korrupsionit, një stanjacion në media dhe shoqërinë civile, ndërsa veçon si përparimin më të rëndësishëm atë në sistemin gjyqësor dhe në prokurori.
“Kuadri legjislativ i Shqipërisë mbetet i fragmentuar dhe efektiviteti i reformave është i kufizuar; shumë institucioneve publike u mungojnë kapacitetet, burimet dhe stafi i nevojshëm për detyrat e tyre”, thuhet në raport.
Lidija Prokic, këshilltare rajonale e organizatës Transparency International për Europën Lindore dhe Juglindore, tha për Zërin e Amerikës se reformat anti-korrupsion në Shqipëri duhet të vazhdojnë, se reforma në sistemin gjyqësor po kryhet me sukses, por edhe se ky Raport zbuloi se disa sektorë janë ende të brishta përballë korrupsionit.
“Një nga gjetjet më të spikatura nga Raporti është dobësia e rolit mbikëqyrës të parlamentit, prej nga rezulton që në disa fusha korrupsioni lehohet të vazhdojë. Nevojitet më shumë ndërveprim midis shoqërisë civile dhe institucioneve qeveritare në krijimin e një legjislacioni të vërtetë e funksional, që ta mbrojë shoqërinë nga korrupsioni. Kjo është e vetmja rrugë ku Shqipëria dhe vende të tjera në rajon mund të përparojnë drejt integrimeve europiane”, tha zonja Prokic për Zërin e Amerikës.
Në Raportin e Vlerësimit të Sistemit Kombëtar të Integritetit, një instrument i organizatës Transparency International, analizohen mirëqeverisja, transparenca dhe llogaridhënia tek Kuvendi, qeveria, partitë politike, gjyqësori, media, institucionet e pavarura, organizatat e shoqërisë civile si biznesi privat.
“Sektori publik i Shqipërisë është shtylla me pikët më të ulëta, sepse vuan nga standarte të paqarta profesionale, nga rreziku i korrupsionit dhe nga ndikimi politik”, thuhet në raport.
Sipas tij, përpjekjet për reforma dështojnë në krijimin e një sektori publik profesional dhe të përgjegjshëm, ku shkarkimet e padrejta mbeten një shqetësim me rëndësi.
IDM thekson në raport se në Shqipëri janë të pranishme forma të ndryshme korrupsioni, nga korrupsioni i vogël dhe nepotizmi deri te pastrimi i parave dhe kapja e shtetit, të cilat kanë marrë një rritje të konsiderueshme.
“Korrupsioni i madh dhe kapja e shtetit janë rritur ndjeshëm në dekadën e fundit, pasi Shqipëria ka rritur rreziqe të tilla nëpërmjet privatizimit, koncesioneve dhe partneriteteve publik-privat PPP. Këto mënyra të transferimit të parave publike dhe kapitalit në duar të privatit kanë qenë të prirura ndaj korrupsionit dhe pretendohet se kanë kontribuar në pasurimin personal të zyrtarëve qeveritarë”, thekson raporti.
Sektorët ekonomikë më të prekur nga korrupsioni i madh, sipas këtij raporti, kanë qenë energjia, transporti, ndërtimi, shëndetësia dhe turizmi.
“Pastrimi i parave dhe marrëveshjet e fshehta ndërmjet partive politike, zyrtarëve të qeverisë dhe grupeve të organizuara kriminale janë shqetësuese dhe janë përkeqësuar”, thuhet në raport.
Kuadri legjislativ kundër korrupsionit vlerësohet se është mjaft gjithëpërfshirës, por jo mjaftueshëm i qartë në përcaktimin e përgjegjësive institucionale për ta zbatuar atë.
“Mungesa e transparencës lehtëson vendimmarrjen e korruptuar dhe kapjen e shtetit”, thekson raporti.
Pavarësisht Ligjit për të Drejtën e Informimit dhe Ligjit për Njoftimin dhe Konsultimin Publik, institucionet publike, sipas raportit, ende nuk arrijnë të zbulojnë të dhënat përkatëse buxhetore dhe të prokurimit, ndërkohë që proceset e konsultimit publik priren të jenë formale.
Në të theksohet se “ndikimi i qeverisë mbi Kuvendin është i rëndësishëm dhe institucionet e pavarura si KLSH, ILDKPKI dhe Avokati i Popullit ushtrojnë presion të kufizuar thelbësor mbi ekzekutivin për të hartuar politika efektive kundër korrupsionit”.
Pavarësisht një ligji të ri për prokurimin publik, raporti thekson se “procedurat e prokurimit publik në sektorin shëndetësor dhe në infrastrukturë vuajnë nga një sërë çështjesh që variojnë nga ofertat fiktive deri te mungesa e mbikëqyrjes efektive”, ndërsa “nuk bëhen të ditura detajet në lidhje me zbatimin dhe ekzekutimin e kontratave të koncesionit/partneritetit publik-privat (PPP)”.
Në këtë raport theksohet se zbatimi në praktikë i ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit dhe për mbrojtjen e sinjalizuesve mbetet i dobët.
Mjedisi i biznesit në Shqipëri vlerësohet se ka mbetur i prirur ndaj korrupsionit për shkak të sfidave si informaliteti, administrata publike joefektive dhe besimi i ulët në sistemin e drejtësisë. “Rastet e zyrtarëve publikë që marrin pagesa nga sektori privat janë të përhapura, megjithëse ka pasur iniciativa për të reduktuar kontaktet mes bizneseve dhe zyrtarëve publikë”, thuhet në raport.
Në të theksohet se shoqëria civile, mediat dhe partitë politike kanë shënuar rezultate të dobëta.
“Besimi tek partitë politike është shumë i ulët, sepse partitë politike kanë përqafuar klientelizmin, duke ofruar përfitime në këmbim të mbështetjes elektorale dhe financiare, duke shtuar dyshimet për përfshirjen e grupeve kriminale në këtë marrëdhënie”, thuhet në raport.
Në raport thuhet po ashtu se Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ende i mungojnë burimet e mjaftueshme për të monitoruar financimin e partive politike dhe të ndëshkojë shkeljet e ligjit nga partitë politike, ndërsa “ka akuza për ndërhyrje të partive politike në burimet dhe dhënat shtetërore”, por “mekanizmat për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve publike gjatë fushatave politike janë joefektive”.
Zonja Prokic, përfaqësuese e Transparency International, tha për Zërin e Amerikës se shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në luftën ndaj korrupsionit, dhe ajo po kurajohet nga TI, që të jetë më bashkëpunuese dhe më aktive në përpjekjet për të mbajtur nën kontroll korrupsionin.
“Qëllimi ynë është bashkëpunimi me qeverinë që ajo të marrë masa konkrete në kontrollin e korrupsionit së pari në sektorin publik, por Raporti vëzhgon korrupsionin edhe në sektorin e biznesit, i cili është po ashtu i lidhur me rolin e parlamentit, qeverisë, dhe drejtësisë. Secili ka një rol të madh për të luajtur, dhe nuk mund të shihen të shkëputura”, tha zonja Prokic.
Në të theksohet se organizatat e shoqërisë civile monitorojnë llogaridhënien e qeverisë me metoda të ndryshme, por ndikimi i tyre është i kufizuar, ndërsa përballen me vëmendje të kufizuar, me frikësime të vazhdueshme, ngacmime dhe sulme.
Sa i takon gazetarisë, në raport thuhet se materialet e përgatitura nga qeveria dhe reklamat e fshehura vënë në dyshim integritetin gazetaresk dhe rolin publik të medias.
“Pavarësia editoriale kushtëzohet nga interesat e pronarëve dhe vlerësohet se mediat promovojnë axhendat e qeverisë, biznesit dhe grupeve kriminale për përfitime personale në tregje fitimprurëse”, theksohet në raport, i cili veçon si problem kufizimet mbi informacionin për gazetarët investigativë, shoqërinë civile dhe profesionistët e medias.
“Krijimi i Agjencisë për Media dhe Informim në vitin 2021 ka centralizuar më tej kontrollin e përmbajtjes së informacionit që bëhet publike nga institucionet qeveritare”, thuhet në raport.
Ai thekson se “liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar”, ndërsa “media priret të politizohet ndjeshëm dhe marrëdhënia midis qeverisë dhe pronarëve të medias duket se lidhet me një përfitim reciprok: mbulim pozitiv për qeverinë në këmbim të aksesit në fondet publike dhe lehtësimit të procedurave administrative”.
Në raport theksohet se linjat editoriale të mediave diktohen nga interesi vetjak ekonomik; fakti që pronarët e kompanive më të mëdha mediatike janë aktivë edhe në sektorë si ndërtimi, shëndetësia ose financa.
“Këto marrëdhënie zhvillohen më tej në rrjete klientele të plota thelbësore për korrupsionin e madh dhe mundësinë për të përfituar nga kontratat publike”, thekson raporti i IDM-së për vitin 2023, i cili vjen pas atij të fundit në vitin 2016.
Raporti vlerëson reformën në drejtësi, procesin e vetingut, si dhe ngritjen e një prokurorie të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por thekson se ende gjendja e qeverisjes demokratike është përkeqësuar, ndërsa gjendja e shtetit të së drejtës ka ardhur ngadalë në rënie.
Po ashtu regjistrohet përkeqësim edhe sa i takon mbrojtjes së drejtave njerëzore dhe qytetare, ku janë dokumentuar shkelje të së drejtës për tubim të lirë, ndalime të paligjshme dhe shkelje të së drejtës për strehim nëpërmjet dëbimeve me forcë dhe prishjes së pronës për t’i krijuar hapësirë projekteve të infrastrukturës në kryeqytet.
E uroj studiuesin Jusuf Buxhovi per kete veper te rendesishem per historine tone kombetare.
Por nuk e dij, nese ka pasur rast te gjeje ky studiues dicka qe nuk eshte e pasqyruar ne aktet e Kongresit te Berlinit, e kam fjalen per biseden midis Otto Bismarkut me tre te derguarit e Lidhjes se Prizrenit.
Une e kam ndertuar kete bisede qe u zhvillua privatisht midis Bismarkut dhe A. Frasherit, M. Vrionit dhe Y. Prizrenit, nga disa shenime qe ka botuar Mihal Gramenua ne gazeten e tij “Koha”.
Bismarku mbasi u njoh me kërkesën e delegateve shqiptare për të ndikuar që territoret e banuara prej shqiprëve të mos u jepeshin shteteve sllave të Ballkanit, pyeti:
– Si ju quajnë?
Delegatët shqiptarë thanë emrat: Abdyl, Ymer, Mehmet.
Bismarku u dha këtë këshillë: “Ju jeni të tre myslimanë. Populli shqiptar është i ndarë në tre besime, në myslimanë, ne katolikë dhe orthodoksë. Kur të delni nëpër oborret mbretërore të Europës për të mbrojtur çështjen tuaj kombëtare duhet të zgjidhni delegatë nga të tre besimet e popullit tuaj. Ju, duke qenë të tre myslimanë, nuk ju beson kush se kërkoni mbrojtjen e tokave shqiptare. Ju krijoni idenë se ju ka dërguar Porta e Lartë e Stambollit për të mbojtur territoret e Perandorisë Osmane.
Kur Abdyli iu lut që Bismarku t’i ndihmonte për ta bërë të njohur kombin shqiptar, Bismarku i tha:
– “Më jepni një libër të shkruar në gjuhën shqipe.”
Abdyli, i cili nuk u kujtua ose nuk e dinte se në gjuhën shqipe ishte përkthyer “Dhiata e Re” prej Vangjel Meksit e cila ishte botuar prej misionit evangjelist anglez më 1827 dhe prej Kostandin Kristoforidhit më 1868, u përgjegj:
Nuk kemi ndonjë libër të botuar në gjuhën shqipe këto vite. Kemi vetëm disa libra shqip të shkruar dy tre shekuj më parë prej priftërinjve katolikë të veriut.
Atëhere Bismarku dha këtë sqarim:
– “Në Europë as ka as do të ketë komb pa gjuhë të shkruar. Shqipëria është një shprehje gjeografike po të mos shkruhet gjuha shqipe.”
Propagandat e huaja antishqiptare dhe antigjermane, sidomos propaganda zyrtare osmane, ajo serbe e ruse, këtë thënie mobilizuese e shkurtuan duke ia ndërruar thelbin e saj. Ata shpallën sikur Bismarku kishte thënë vetëm: “Shqipëria është një shprehje gjeografike”, duke lënë më njanë sqarimin: “po të mos shkruahet gjuha shqipe”. Kjo shprehje e cunguar e tepër keqdashëse ka zënë vend dhe në shumë tekse të historisë së Shqipërisë edhe sot, madje edhe tek vepra e prof. Kristo Frashërit “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, TOENA, Tiranë 1997, f. 118.
Në fakt, delegatët e Lidhjes e kuptuan drejt thelbin mobilizues të porosisë së Otto Bismarkut, prandaj ata sapo u kthyen në Prizren dhe pastaj në Stamboll, nxitën atdhetarët që të ngrinin në një nivel të ri përpjekjet për hartimin e nje alfabeti të ri për ta shpënë përpara shkrimin e gjuhës shqipe.
Si pasojë e kësaj nxitjeje u arrit që në Stamboll më 6 janar 1879 të krijohej Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip, e cila u njoh prej qeverise osmane në tetor të atij viti. Kjo shoqëri krijoi alfabetin e njohur me emrin Alfabeti i Stambollit që u krijua duke marrë gërmat e alfabetit latin duke e plotësuar këtë alfabet me disa gërma të alfabetit grek, për të pasqyruar me shkrim tingujt e gjuhës shqipe, që nuk i kishte gjuha latine. Filloi kështu puna për botimin e librave në gjuhën shqipe, sidomos puna për hartimin e tekseve shkollore. Poetë të talentuar, të cilët shkruanin e botonin vepra në gjuhë të huaja, si Vaso Pasha në italisht, Naim Frashëri në persisht, Sami Frashëri në turqisht, etj nisën të shkruanin e botonin vepra në shqip duke u bërë nismetarë të letërsisë kombëtare shqiptare. (Shih: “Mosdenimi i krimet eshte krim i ri” OMSCA-1 Tirane 2016, f. 150-151).