VOAL

VOAL

13 vite me helvetët, por Behrami nuk heq dorë

July 4, 2018

Komentet

YMER ADEM LLUGALIU, PA KËRKUAR LËMOSHË E AS MËSHIRË ME STOICIZËM TË PASHEMBULLT E RUJATI TË QENUNIT STËRNIP I DARDANISË- Nga ARIF EJUPI

Lexues të nderuar si shtojcë këtij artikulli i kemi bashkangjitur edhe një poezi tepër prekëse dhe emocionuese të shkruar më 1976 nga studiuesi dhe disidenti Ymer Adem Llugaliu.

 

Sot, dy vjet në Podujevë, ka ndërruar jetë studiuesi, disidenti e luftëtari i orëve të para të demokracisë Ymer Adem Llugaliu, të cilin me shpifje nga më të ulëtat dhe të pambulesë e dënoi me burgim të rëndë regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.

Mirëpo, Ymerii pa ia dridhur qerpikun tytës së drejtuar mbi ballë, me stoicizëm të pashembullt e ruajti dashurinë ndaj tokës së Arbrit, të mohuar nga vëllezërit e tij të një gjaku dhe gjuhe.
Ymer Llugaliu lindi më 11 shtator të vitit 1936 në Surkish të Llapit, qysh si nxënës i fillores bije në sy me njohurit e tij të gjithanshme.

Prirjet e tij të theksuara në Gjuhë, Histori, Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji, Art etj, u vlerësuan lartë edhe nga arsimtarët e tij të progjimnazit të atëhershëm të Podujevës si: Sabit Kapiti, Nexhmi Sejdiu, Ibrahim Demolli, Abdyl Sokoli, Hasan Shala, Ali Zeneli, si dhe nga vet Drejtori i përgjithshëm i kësaj shkolle Tadej Rodiqi, që para një viti kishte ardhur nga Prizreni në Podujevë.

Arratisja e paparalajmëruar e Llugaliut në gusht të vitit 1958 përtej Bjeshkëve të Nemuna, pikënisjen e pati nga një debat i nxehtë me arsimtarin e Shkollës së Mesme Zhikica Jovanoviq, i cili jepte gjuhën serbe.

Jovanoviq, në një orë mësimi kishte thënë “Kam përshtypjen që Gjuha shqipe është një përzierje shumë gjuhësore çfarë lë me dyshua, a mundet me u quajt gjuhë në vete, apo jo. Ka latinizma, ka turqizma, ka serbizma, ka e çka s’ka”

Në formë kundërshtimi Ymeri kishte thënë jo- jo mësues gabim e keni Pjetër Budi, librin “Doktrina kristiane” e ka shkruar qartë dhe pastër në gjuhën shqipe, qysh më 1618.

Ai,madje e ka pasuruar gjuhën edhe me neologjizma të burimit shqip, 49 vjet më herët se Johon Milton, gjuhën angleze me poemën “Parajsa e Humbur”.

Duke menduar që debati mësues- nxënës duhet të jetë i shëndosh dhe konstruktiv Ymeri, kishte vazhduar diskutimin e tij me gjuhën e argumenteve.

Ai kishte thënë: ”Mësues nga hulumtimet e mia shoh që serbishtja juaj është tamam një gjuhë laramane me rusizma, bullgarizma të dyja varianteve egjeiane dhe gjevgjeliane, si dhe me mishmashin e gjuhëve të tjera sllave.

Jovanoviq i revoltuar dhe i pakënaqur me debatin, Ymerin e paraqet në Drejtorinë e shkollës, si nxënës provokator dhe me pikëpamje nacionaliste.

Ai mbase do ta denonconte edhe në Polici, por se lejonte sedra e sëmur dhe inatçore me pohuar që në debate me nxënësin e tij, çdoherë dilte humbës. Urrejtja e papërmbajtur e shovenve serbë del në shesh me arrestimin e arsimtarit të Historisë, Ibrahim Demolli, nga UDB-a.

Ai ishte arrestuar vetëm pse i kishte bërë vërejtje tekstit të Historisë, për klasën e -lll- të, në të cilin fillim e mbarim ishte falsifikuar origjina e shqiptarëve autokton.

Ymeri lajmin mbi arrestimin e arsimtarit të Historisë, Ibrahim Demolli, e kishte pritur me dhembje dhe indinjatë të thellë.

Ai druante që fare lehtë mund ta ketë fatin e mësuesit të tij, të cilin për reagimet e tij konkrete dhe në momente të duhura e quante edhe si mësues “Shtylla”.

Kjo ndjenjë pasigurie dhe mosdurimi ndaj shovenëve serbë e pati detyruar Llugaliun, parritur ende moshën e pjekurisë, që të kalojë në tokën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me origjinë nga Kastri i Hasit të Prizrenit, me banim në Mat, me ngadhënjimin në Krujë, që shekullin  e -XV- e bëri EPOKË të ARBANISË.

Llugaliu, që i hypi krahut të ëndrrës dhe kaloi matanë maleve i bindur që edhe ai është një krah shqipje regjistrohet në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Tiranë.

Inspirimin për studim të mirëfilltë dhe me rrënjë të Gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare atij ia ngjalli përçmimi dhe urrejtja që shovinistët serbo-sllavë, i bënin Gjuhës shqipe, dhe popullit të robëruar shqiptar në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Kosovë lindore.

Pas përfundimit të studimeve me sukses shembullor Ymeri, priste që të bëjë punën e ndihmës profesorit (asistentit) në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Dëshirën që Ymerin ta ketë pranë e kishte shprehur haptas edhe profesori i tij, e studiuesi i njohur Eqrem Çabej.

Mirëpo, një ditë fundgushti Ymerit, pa kurrfarë paralajmërimi i jepet urdhri që të shkojë në Krahinën më të prapambetur dhe më të persekutuar të vendit, në Mirditë.

I njohur me virtytet e tij prej burri dhe pedagogu profesionist plot nëntë vjet ai punon në shkollën e Mesme në Rrëshen, dhe në atë 8-vjeçare në Kurbnesh.

Llugaliu përkundër kushteve të vështira për punë detyrën e tij të mësuesit të Gjuhës Shqipe, dhe letërsisë, siç ishte emërtuar kjo lëndë atëherë e kryen me sukses.

Ai duke e konsideruar arsimimin e brezave si burim drite edhe gjatë kohës kur ishte student kishte punuar si mësues i së njëjtës lëndë 15-16 muaj në Berat dhe katundin malor mallakastriot Siqece.

Me përvojën e tij të gjatë ai ishte në gjendje që nëpërmjet procedurave të testimit ta bëjë edhe matjen e inteligjencës të secilit nxënës. Po ashtu llogaritjen e pikëve për notë e bënte saktë dhe pa i hyrë askujt në hak.

Llugaliu, përveç aftësive intelektuale shquhej edhe me organizimin e aktiviteteve brenda shkollës. Prandaj, respektohej pa përjashtim nga të gjithë malësorët mikpritës dhe bujarë të krahinës së Mirditës.

Edhe pse mirditorët luftonin për të mbijetuar, mania e pansllavistëve kokëbosh dhe këlysh të Stalinit nëpërmjet “fabrikave” të llojit kovaçhane ata i detyronte të bëjnë punë skllavi si në feudalizëm.

Ata apo ato që kundërshtonin punën angari shpalleshin armiq të popullit dhe përfundonin në kampe internimi, ku vite më radhë thanin këneta e moçale.

Grupi tjetër i “vullnetareve “amatorë ndërtonte “pallate” me qerpiç e baltë. Çdonjërit veç e veç, apo si kolektiv për një normë të parealizuar i avullonte jeta.

Këtë diktaturë ekzemplar tmerri disa të verbëruar e altoparlant të monizmit e përshkruanin si parasë, vetburgimin liri, diktaturën demokraci.

Kurse, Hoxha gjirokastritin pejgamber, sepse kështjellën e rezistencës së Gegnisë,të ndërtuar me djersë e gjak nga Buzuku, Bardhi, Bogdani, Budi, Veqilharxhi, Pashko Vasa, Mjeda, Fishta e Migjeni etj, e kishte bërë rrafsh me tokë, nga frika që pasardhësit e tyre po e lidhnin Arbanin me Vatikanin dhe Perëndimin.

Llugaliu si bir i traditës kësaj çmendurie paranoiake i kundërvihet me vargjet revoltë të Migjenit : “-Oh, si s’ po kam një grusht të fuqishëm Malit( diktaturës) që vret mu në zemër me ia ngjesh.”

Më 10 nëntor të vitit 1976,nën pretekstin e “Agjitacion e propagandë” Llugaliu u arrestua dhe u dënua me 14 vjet heqje lirie.

Arrestimit të tij i parapriu spiunimi i një “kolegu” në ekskursionin me nxënës në Pllajën e Valmorit.

Ai e kishte provokuar mësueses Ymerin, duke i thënë : Or kosovar si të duket Valmori ?…

Ymeri, modest dhe pa mburrje këtij të shituri që ishte si gacë e mbuluar me shumë shtresa shpuze iu kishte përgjigjur: “Valmori është i bukur, ama shumëfish më e bukur është Fusha e Kosovës.”

Të nesërmen “kolegu” i tij, një kuisling që regjimi diktatorial e kishte bërë rregëzinë, duke sajuar edhe njëqind gënjeshtra të tjera, raporton tek padronët e tij të Sigurimit të Shtetit.

Pastaj, ata bëjnë atë që s’kishte arritur ta bëj vëllai i tyre ideologjik Zhikica Jovanoviq.

Llugaliun e mbyllin në burgun e Spaçit. Atje i ballafaquar çdoherë me uri dhe etje detyrohet që të kryejë punët më të rënda fizike.

Pas daljes nga burgu rehabilitimin e tij dhe avancimin në pozita, diktatorët gardianë të ferrit të kuq komunist e kushtëzojnë me kërkesën që ai me shkrimet e tij të glorifikoj Kryediktatorin, duke i thurur në të njëjtën kohë elozhe edhe kolektivizimit të vendit, që ishte kthyer në varr të hapur të shqiptarëve.

Llugaliu guximtar dhe frontal, siç janë zakonisht malësorët kësaj oferte i bën refuzim të dyfishtë, jo për mungesë talenti, por nuk donte me u bë në asnjë mënyrë nallban, për me mbath kuaj të xhelatëve komunistë, të cilët gjatë 50 vjetëve-shekuj likuiduan figurat më të ndritura të kombit tonë.

Pas këtij refuzimi atij gojën ia mbyllin e lapsin ia kthejnë në kazmë, duke e izoluar dhe internuar në zona të thella malore, ku nëntëmbëdhjetë vjet rresht, nuk i lejohet kontakti me njeri.

Atë ushqim të paktë dhe pagrimë shije të shumtën e herëve ia hidhnin nëpër sportelet e thurura me thupra hekuri sikur luanit në kafaz.

Edhe pse ishte me qafë nën shpatën e Demokleut, alias diktatorit, Enver Hoxha, më 13 gusht të vitit 1983,ai bëhet shembull guximi dhe besnikërie. Me katër-pesë shokë e bënë varrosjen e disidentes së parë Shqiptare, Musine Kokalari, e cila kishte vdekur në vetmi dhe vuajtje të paimagjinueshme në një kasolle të Rrëshenit.

Llugaliu që rininë e tij e kaloi në qelitë e akullta të Spaçit dhe në izolime i ndrydhur vetmie pas përmbysjes së Diktaturës, një ditë të vonuar pranvere të vitit 1992, kthehet në vendlindje, ku e kishte lënë të ndryme rininë e tij të hershme.

Atij i bëhet pritje madhështore. Surkishi ato ditë ishte vend pelegrinazhi, i të gjithë llapjanëve.

Pushtuesit serbë që ishin instaluar në hyrje të këtij fshati me të kuptuar se Llugaliu, ishte kthyer në Dardani, në tokën e të parëve të tij, e arrestojë dhe ia plaçkisin të gjitha peshqeshet, dhe të hollat e dhuruara nga familjarë, shokë e miq.

Pas katër-pesë ditëve e dëbojnë matanë kufirit të vendosur me dhunë e gjak. Llugaliu që ishte flijuar për Shqipërinë Etnike, shkon në Elbasan, ku fillon punën e mësimdhënësit të Gjuhës gjermane në shkollën e Mesme të Gjuhëve të huaja.

Po ashtu kontribuon në të gjitha Lëvizjet për liri dhe demokraci të Shqipërisë. Më gjithë ferrin e përjetuar Llugaliu, pedagog dhe krijues më 1993, e boton në “Eurorilindja” Tiranë, poemën epike, Luani i Prishtinës “kushtuar heroit tonë kombëtar Hasan Prishtina.. Pas këtij libri ai ka botuar edhe shtatë-tetë libra, të tjerë me temë nga historia, kultura dhe gjuhësia.

Sidomos vëmendjen e atyre që studiojnë Gjuhë shqipe, e kanë zgjuar librat me analiza të ngjeshura nga Fonetika, Morfologjia dhe Sintaksa “Gjuhësi e letrarizueme” dhe ai “Ma i lashti dhe ma i riu”

Llugaliu, opusin e tij krijues e pasuron edhe me fejtone të shumta të botuara në Gazetat e ditës dhe ato javore në Shqipëri e Kosovë.

Po ashtu është më rëndësi të theksohet që ai më 2005, pati botuar studimin dygjuhësor shqip- anglisht “Pretendimet serbe rreth Kosovës dhe realiteti kosovar”. “Serbian claims about Kosova and kosovarian reality”

Ymer Llugaliu, edhe pse në moshë të thyer posedonte potencial të pashtershëm krijues. Ai ka lënë në dorëshkrim edhe disa tema nga fusha e Gramatikës së Gjuhës shqipe dhe mbi 300 poezi të shkruara.

Shumicën prej tyre të përgatitura nga autori i këtij shkrimi i kanë botuar në vazhdime doajenët e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare Skënder Buçpapaj dhe Elida Skënderi-Buçpapaj, pronarë të platformës mediale “Voal.ch”.

Mirditorët edhe pse ka kaluar gati gjysmëshekulli ndihen krenar me ish- mësuesin e tyre të mrekullueshëm e të dashur Ymer Adem Llugaliu.

Ata të nxitur nga respekti i pakufishëm ndaj tij, më 24 Nëntor të vitit 2019, në mënyrë të organizuar e vizitojnë Llugaliun në fshatin e tij të lindjes në Surkish të Podujevës.

Ngjashëm me shokët e tij vepron dhe politikologu e publicisti i njohur Luan Rama. Ai, edhe pse Ymerin e kishte pasur vetëm shtatë-tetë muaj mësimdhënës dhe kujdestar klase, kishte për Te, një simpati të veçantë.
Më rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, më 2020, z. Luan Rama vije enkas nga Tirana, në Llap, për t’i shprehur mirënjohjen dhe konsideratën e tij, më të lartë për punën e shkëlqyer, mësuesit dhe disidentit Ymer Adem Llugaliu.
Ymeri edhe pse 80-vjeç kishte memorie të shkëlqyer. Kur në grupin e ish-nxënësve të tij, sot burra rreth të 70-tave, nuk vëren dy nga nxënësit e tij, të dikurshëm mbetet pak sa i habitur, ngaqë ata i kishin ngelur në kujtesë për zgjuarsi dhe shprehje të mendimit haptas.
Z.Luan Beqaraj, njëri nga ish-nxënësit e mësuesit Ymer, në Rrëshen dhe Mirditë, nismëtar i kësaj vizite në Surkish të Podujevës, i gjendur në ato çaste në pozitë tejet të rëndë i rrëfen mësuesit Ymer, fatin tragjik të dy shokëve të klasës së tij.
Ata vetëm pse kishin kërkuar demokratizimin e Shqipërisë, ishin dënuar dhe ekzekutuar nga regjimi i Hoxhës, i cili në Evropë, njihej si nga më të egërit dhe më të tmerrshmit. Nga ky rrëfim rrënqethës mësuesit Ymer i kishin rrjedhur edhe lotët . Me këtë rast u vërtetua që ai kishte qenë i lidhur si thoi me mishin më nxënësit e tij.
Llugaliu ndihet shumë i nderuar nga kjo vizitë e ish-nxënësve të tij. Meqë ishte i pa trashëgimtarë ata i donte me shpirt dhe i konsideronte si fëmijë të tij. Ai, kudo thoshte “asnjëherë s’kam dyshuar që në burgosjen time, kanë dorë mirditorët.” “Ata ishin në pranga së bashku me mua”
Vizitat e nxënësve të tij nga krahina e Mirditës, gati pas gjysmëshekulli sikur ia kishin zgjatur jetën. Ato ishin prova më e mirë që veprën e Ymer Llugaliut, s’mundi me zhduk e as me hijezua asnjëherë diktatura komuniste.
Ai ngjashëm me Omer Khajamin, që ishte bukur në moshë kur i shkroi Rubairat, i ripërtërirë energjish nga takimi me nxënësit e tij, mirditorë e shkroi poezinë “Ringjallja”
Pathyeshmërinë dhe qëndrimin stoik të Llugaliut, karshi diktaturës dhe padrejtësive të asaj kohe e përshkruan edhe shkrimtari Agim Gjakova, po ashtu i dënuar politik nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.
Gjakova thotë; “Ymer Llugaliu, ishte një ndër figurat më të pastra dhe më të dinjitetshme në Shqipëri, si në burg ashtu edhe në liri” Ai u ndie krenar dhe mbajti lart të qenunit shqiptar i Kosovës(Dardanisë).
Ymer Adem Llugaliu, të cilit edhe Dante do t’ia kishte zili për ferrin nëpër të cilin kishte kaluar, gjatë qëndrimit në burgun famëkeq të Spaçit, shkroi poezinë “KRENARI e PAMBOSHTUR” (botuar post-mortem nga Voal.ch)

Me shigjeta të padukshme;
fjalë intriguese,
gjarpinj helmues,
ma ke godit zemrën,
ma ke plandos shpresën,
ma ke plagua dashurinë.
Por mendja largpamëse
e ka zbulua harkun,
i ka përçmua skllavet,
i ka përbuzë papagajtë;
me fjalën shpatë
u ka pre thimthat helmues.
Më të vogël se shalët hapin e shtrin,
në ballin e mjegullt
rrudhash valëzue
ka ruajt krenarinë.
Pa i shtri dorën lëmoshës,
pa e shqiptua fjalën lutje,
pa iu zgërdhi injorantit,
pa iu përkul tiranit,
pa i ba lajka karrieristit,
pa ia dridh çerpikun
tytës së drejtueme në ballë.
Me trupin ndjersit
kanaleve rrasun deri në fyt
lopatën e kam ba ekskavator.
Shkambijve, dhëmballë të tokës së lashtë,
mbi kurrizin vinç
ua kam prish gravitetin
t’ue i hedh nëpër humnera,
kam hap nji rrugë të re.
Kokën kam përgjak,
fajtoren prometjane,
ndërgjegjes, kambve me u dhanë liri
mbi kordon bajonetash,
mur i burgut të shpirtit,
nëpër tokën e njerëzve
të marshojë bashkë me njerëz.
Floku me asht përthi
pa më buzëqesh rinia;
si lulet ndër livadhe
bryma që i përcëllon.
pa i ledhatua rrezja
e diellit të ambël pranveror.
U shkumue ndër mërgime,
u vyshk në izolime,
u ngri ndër qeli
heroikja ime rini.
Por e pavdekshme gjurmë
e rinisë time ka me mbet
haplir, ballëkrenar,
syshqiponje, gjuhëshpatë,
dorëhekurt , krahnor shkamb.
E etun burimet
e dijes me i përbi,
shtigjeve të pashkeluna
majat donë me i kap.
T’ue i thanë jo-servilizmit
ballin e çon nalt.
T’ue i thanë jo-padenjësisë
shpatën e ke mpreh.
T’ue i thanë jo-shtypjes
grushtin e ka ngreh.
T’ue i thanë jo-frikës
vdekja e rilind.
Nëpër gjurmët tona
breznitë kanë me u nis,
si na nëpër të dikujt.
Nëpër majat që na mësymë
ata kanë me dal.
Shtigje të reja rishtas
kanë me mësy.
Njerizimit hapin
drejt të panjohurës
kush ia ndal?!
Ti tiran,
ti egoist,
ti injorant,
ti i shejtnuem,
ti patriarkal,
ti tradhtar,
ti dogmatik,
ti intrigant,
ti hipokrit,
ti servil…
që nëpër shekuj
ujin ia keni turbullue
njeriut zot të vetvetes,
zot të jetës.
Karvanit të njerizimit
si nji gur në rrugë,
si nji cung i kalbun,
si nji therrë në kamb,
si nji coftinë e qelbun,
si nji qen i hazdisun,
si nji mi dhambbrejtës,
si nji ngricë e lmueme,
si nji mjegull e dendun,
si nji erë me breshën,
si nji furullazë…
hapin ia keni pengue.
Por kurrë me ia ndal.
A more vesh Xhorgje!
Ma par i djeg krijimet,
se sa nji germë prej tyne
tentoj me ndryshue.
As s‘kam me t‘u lut kurrë,
jo, ty me m‘i botue.
Në çdo germë ka gjak,
në çdo fjalë nji ndjenjë,
në çdo rresht nji nerv
i vehtes sime
me frymëzim asht saldue.

Spaç, rrethi i Mirditës,1976

 

RSI: Shqipëria gjilpërë e peshores në grupin e hekurt- Disa prej lojtarëve janë rritur në Zvicër, disa janë lindur dhe rritur në Zvicër

VOAL- Në një analizë të gjatë për Grupin e Hekurt të EURO 2024, Radiotelevizioni i Zvicrës Italiane (Radiotelevisione Svizzera Italiana – RSI) nën mestitullin “Shqipëria gjilpëra e peshores”, shkruan se ky grup do të ofrojë emocione të mëdha dhe intensive:

“Shqiptarët marrin pjesë për herë të dytë pas vitit 2016 dhe aty arritën duke përfunduar për herë të parë në vendin e parë në një grup kualifikues. Goli i vetëm i shënuar tetë vjet më parë, i cili u dha fitoren e tyre të parë në një kampionat evropian (kundër Rumanisë), ishte vepër e Sadikut (dikur i Luganos), por nuk mjaftoi për të qenë në katër skuadrat më të mira të vendit të tretë. Pas një pritjeje treditore, shqiptarët duhej të ktheheshin në shtëpi. Sot braziliani Sylvinho kryeson një përzgjedhje që përfshin disa elementë të rritur në Zvicër. Prej atyre që luajtën tetë vite më parë, të pranishëm janë portieri Berisha, Hysaj, Ajeti dhe kapiteni i GC Abrashi, i cili përfaqëson frymën e skuadrës si kryesues i kombëtares Djimsiti, përveçse duke sjellë përvojë. Tre të fundit të përmendur, si dhe Bajrami dhe Aliji, kanë lindur dhe janë rritur në Zvicër dhe kanë pasaporta të dyfishta, aq sa ia dolën përmes përzgjedhjeve të të rinjve të Kryqit të Kuq. Edhe sulmuesi Berisha erdhi në botë në Zvicër, në një përzgjedhje ku lojtarët kanë lindur në 9 shtete të ndryshme dhe luajnë në 13 liga të ndryshme. Me trajnerin e Amerikës së Jugut ballkanasit luajtën 13 ndeshje: në gjashtë nuk pësuan gol dhe në gjashtë të tjerat vetëm një. Në këtë grup shqiptarët do të kenë tre teste të rëndësishme për të verifikuar qëndrueshmërinë e tyre mbrojtëse.”

Roli i familjes shqiptare në (mos) përkrahjen e gjuhës amtare dhe Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër Nga Nexhmije Mehmetaj

Familja luan një rol të rëndësishëm mbi individin, dhe këtë e shohim qartë tek prindërit shqiptarë në diasporën e Zvicrës. Ata përpiqen të ofrojnë fëmijëve të tyre mundësitë më të mira në vendin pritës, duke siguruar që këta fëmijë të integrohen me sukses dhe të arrijnë rezultate të larta në shkollën mjedisore. Që nga vendosja e tyre në Zvicër, ata kanë krijuar shoqëri të reja dhe janë angazhuar në aktivitete të ndryshme për zhvillimin e tyre profesional. Shumë prej tyre përveç punës ndjekin kurse të ndryshme si sport, muzikë, informatikë, dhe gjuhë të huaja për të përmirësuar aftësitë e tyre dhe për të ndihmuar fëmijët në përballje me sfidat e reja.

Një aspekt mjaft i rëndësishëm i familjeve shqiptare është ruajtja e gjuhës dhe kulturës amtare shqiptare. Ata e konsiderojnë gjuhën amtare shqipe si një element thelbësor në zhvillimin gjuhësor dhe kulturor të fëmijëve, si dhe në zhvillimin e aftësive të tyre dygjuhësore. Për këtë arsye, ata japin mbështetje dhe ndihmesa të çmuara për Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër -LAPSH si në aspektin organizativ ashtu edhe në atë financiar.

Në anën tjetër, realiteti tregon se shumica e familjeve shqiptare nuk i çojnë fëmijët në shkollën shqipe të mësimit plotësues. Më poshtë, do të përmendim disa specifika të familjeve shqiptare në (mos) përkrahjen e gjuhës amtare dhe shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër.

 

1.Familje me prindër shqiptarë që kontribuojnë financiarisht për ekzistencën e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër:

 

Një vend të rëndësishëm në familjet shqiptare në diasporë zë përdorimi i gjuhës amtare në familje. Një pjesë e prindërve shqiptarë flasin shqipen në familje, përdorin shtypin shqiptar, paguajnë për kanale televizive në gjuhën shqipe, kanë libra në shqip dhe u lexojnë fëmijëve në këtë gjuhë. Ata zhvillojnë biseda në shqip me fëmijët e tyre, ruajnë traditat dhe kulturën shqiptare. Kur fëmijët arrijnë moshën shkollore i çojnë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe kontribuojnë financiarisht për shkollën shqipe. Ndërsa shkolla e vendit pritës ku mësohet vetëm gjermanishtja apo frëngjishtja përbën një mjedis ku ushtrohet dhe kultivohet një tjetër model gjuhësor, ai i gjuhës zyrtare të shtetit zviceran. Fëmijët përfitojnë nga mësimi i një gjuhe të re në vendin pritës.

Fëmijët që ndjekin mësimin plotësues në shqip zhvillojnë aftësi të mira në gjuhën amtare. Ata mësojnë të lexojnë dhe të shkruajnë në shqip dhe në gjuhën e vendit pritës. Kështu, ata ecin në rrugën e dijes, duke u integruar në shoqërinë zvicerane dhe duke ruajtur njëkohësisht gjuhën amtare. Prindërit i shoqërojnë fëmijët dhe janë të vetëdijshëm për çdo vështirësi që mund të hasin në shkollën zvicerane dhe në shkollën e mësimit të gjuhës shqipe. Ata bashkëpunojnë ngushtë me mësuesit e të dyja shkollave për të siguruar një edukim të mirë për fëmijët e tyre.

Këta prindër krijojnë një mjedis të shëndoshë kulturor për fëmijët, duke i ekspozuar ata ndaj kulturës shqiptare dhe asaj zvicerane. Fëmijët që mësojnë gjuhën e tyre amtare nuk hasin në vështirësi për të komunikuar me të afërmit e tyre, si me gjyshërit, kur shkojnë në atdhe. Shkolla zvicerane ofron një ndihmë të madhe për këta fëmijë, duke i pajisur me dijet e nevojshme për të përballuar jetën dhe për të zhvilluar studime në universitete të ndryshme.

Fëmijët bëhen dy dygjuhësh ata mund të kalojnë lehtë nga një gjuhë në tjetrën në shoqërinë e tyre. Në këtë pasuri gjuhësore, gjuhët ndihmojnë njëra-tjetrën dhe pasurojnë përvojën e tyre dy kulturore dhe gjuhësore. Kjo është një pasuri e madhe për fëmijët dhe shoqërinë në tërësi.

 

2. Familje me prindër shqiptarë që vetëm flasin në gjuhën shqipe:

 

Në diasporë, shumë familje shqiptare përdorin gjuhën amtare për të komunikuar me fëmijët e tyre, sidomos në fillimet e jetës së fëmijëve. Kjo praktikë është e rëndësishme pasi fëmijët mësojnë fjalët e para dhe krijojnë fjalorin e tyre fillestar në shqip. Për prindërit, është një mënyrë për të ruajtur gjuhën dhe kulturën e tyre, duke i dhënë fëmijëve një bazë solide gjuhësore dhe kulturore që nga fillimi të jetës së tyre.

Megjithatë, ky mësim i gjuhës amtare shpesh mbetet në gjysmë sapo fëmija fillon të ndjekë kopshtin dhe më vonë shkollën publike. Për të ndihmuar fëmijët të jenë më të suksesshëm në mjedisin shkollor, shumë prindër fillojnë të flasin në gjuhën e vendit pritës në shtëpi. Braktisja e gjuhës amtare shpesh bëhet me qëllim të mirë për të lehtësuar integrimin dhe për të ndihmuar fëmijët të përparojnë në shkollë. Megjithatë, një efekt anësor i kësaj dukurie është se gjuha shqipe nuk zhvillohet, shpesh lindin probleme me mësimin e gjuhës së dytë si rrjedhojë fëmijët nuk arrijnë sukses as në mësimin e përgjithshëm.

Pjesa më e madhe e prindërve shqiptarë nuk kujdesen që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin në shkollën shqipe të mësimit plotësues. Si rezultat, gjuha shqipe nuk mbështetet më dhe bëhet një gjuhë e huaj për ta. Në këtë kontekst, fëmijët mund të ndihen në ankth kur dikush ju flet në shqip, pasi nuk e kuptojnë bisedën mirë. Kjo ndodh sepse ata janë larguar kontaktit ndaj gjuhës shqipe dhe nuk kanë mundësi ta praktikojnë atë në mënyrë të rregullt.

Prindërit, ndoshta pa dashur, mund të ndikojnë në asimilimin e gjuhës amtare që është baza e identitetit të fëmijëve. Ndërsa ata përpiqen të ndihmojnë fëmijët të kenë sukses në shkollën zvicerane, ata mund të mos e kuptojnë se humbja e gjuhës amtare mund të ndikojë negativisht në ndjenjën e përkatësisë dhe identitetit të fëmijëve. Fëmijët që nuk e ruajnë gjuhën shqipe mund të kenë më pak lidhje me rrënjët e tyre kulturore dhe të ndihen të shkëputur nga trashëgimia e tyre.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme që prindërit të gjejnë një ekuilibër midis mësimit të gjuhës së vendit pritës dhe ruajtjes së gjuhës amtare. Kjo mund të bëhet duke inkurajuar përdorimin e shqipes në shtëpi, duke ndjekur mësimin e gjuhës shqipe dhe duke marrë pjesë në aktivitete kulturore shqiptare. Në këtë mënyrë, fëmijët mund të zhvillojnë aftësi dygjuhëshe dhe të ndihen krenarë për identitetin e tyre dy kulturor.

 

3. Familje me prindër shqiptarë që nuk e përdorin gjuhën amtare:

 

Një pjesë e familjeve shqiptare në diasporë zgjedhin të mos e përdorin gjuhën amtare në komunikimin e përditshëm me fëmijët e tyre. Këta prindër besojnë se mësimi i gjuhës amtare mund të pengojë zhvillimin e aftësive gjuhësore të gjuhës së vendit pritës. Shprehjet si “I përzihen gjuhët ” apo “Nuk ka çfarë i duhet gjuha amtare” u përhapen shpejt dhe janë të zakonshme te kjo kategori prindërish. Kjo qasje e gabueshme shkon në dëm të fëmijëve, pasi nuk marrin mbështetjen e nevojshme për të ruajtur një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre kulturor dhe gjuhësor.

Prindërit që braktisin përdorimin e gjuhës shqipe në familje shpesh nuk e kuptojnë se ndjenjat më të thella shpirtërore, si dashuria, kënaqësia dhe dhimbja, shprehen më mirë në gjuhën amtare. Kjo është një trashëgimi që ata kanë marrë nga prindërit e tyre dhe që duhet të përcillet te brezat e ardhshëm. Gjuha amtare është jo vetëm një mjet komunikimi, por edhe një komponent thelbësor i identitetit kombëtar dhe personal. Ajo përcakton qenien tonë shqiptare dhe është një lidhje e gjallë me kulturën dhe historinë tonë.

Kur prindërit vendosin të mos flasin shqip në shtëpi, fëmijët humbasin mundësinë për të zhvilluar aftësi dygjuhëshe të qëndrueshme. Studimet kanë treguar se fëmijët që dinë gjuhën amtare kanë më shumë mundësi të mësojnë një gjuhë të dytë. Prandaj, duke inkurajuar përdorimin e shqipes në familje, prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të zhvillojnë më lehtë dhe më mirë aftësitë e nevojshme për të mësuar gjuhën e vendit pritës.

Për më tepër, ruajtja e gjuhës shqipe është një akt respekti dhe vlere për veten dhe kulturën tonë. Të tjerët do të na çmojnë aq sa ne respektojmë vetveten, gjuhën tonë dhe kulturën shqiptare. Prindërit duhet të marrin përgjegjësinë për të edukuar fëmijët e tyre me dashuri për gjuhën dhe kulturën shqipe, duke siguruar që ata të kenë një identitet të plotë.

Për të ruajtur dhe zhvilluar gjuhën shqipe, prindërit mund të inkurajojnë fëmijët të ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe, të marrin pjesë në aktivitete kulturore shqiptare dhe të lexojnë libra në shqip. Kështu, fëmijët do të rriten me dy gjuhë dhe dy kultura.

 

4. Familje nga martesa të përziera me njërin prind shqiptar /shqiptare:

 

Në diasporën shqiptare deri vonë shumica e martesave bëheshin vetëm brenda bërthamës shqiptare, martesa të përziera qenë të rralla. Këta dhjetëvjeçarët e fundit situata shoqërore tek shqiptarët në Zvicër ka ndryshuar dukshëm, martesa e përzier më nuk është sporadike. Shumë djem e vajza shqiptare të lindura e rritura në Zvicër krijojnë familje me etni tjera, gjë që ka krijuar një gjendje të ndryshme nga ajo e mëparshmja, si në planin mirëfilli shoqëror e kulturor, ashtu edhe në atë gjuhësor.

Në rastin e familjeve të përziera kemi një situatë dygjuhësie por meqë gjuha shqipe nuk është një gjuhë e njohur më tepër kemi një bilinguizëm të heshtur. Kjo gjë vërtetohet në shumë raste edhe nga përvoja ime e drejtpërdrejtë në shkollën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Jura. Por gjendja është e tillë: a) Nëna shqiptare shqipfolëse, babai zviceran nuk e flet shqipen (ka përjashtime) por fëmijët e tyre mjaft mirë e flasin shqipen. Gjuhë e parë e fëmijës është shqipja të cilën ai e përdor me të ëmën, ndërsa me të atin përdorë frëngjishten. Fëmijët e mësojnë dialektin e shqipes dhe në disa raste shkojnë dhe në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, është dygjuhësh. b) Babai shqiptar shqipfolës flet vetëm shqip me fëmijë dhe nëna zvicerane në shumicën e rasteve e mëson dialektin e shqipes, në familje ka raste ku fliten dy gjuhët, fëmijët flasin gjuhën e babait disa prej fëmijëve shkojnë në mësimin plotësues. c) Babai shqiptar shqipfolës dhe nëna italiane apo spanjolle, dhe anasjelltas gjuha që përdorin në familje është vetëm frëngjishtja njëra nga gjuhët zyrtare zvicerane.

Ndërsa martesat e përziera kanë shtuar ndryshueshmërinë kulturore brenda familjeve shqiptare në Zvicër, ato gjithashtu kanë nxjerrë në pah rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare. Për prindërit shqiptarë, është e rëndësishme të vazhdojnë të përdorin shqipen në komunikimin e përditshëm dhe të inkurajojnë fëmijët e tyre të mësojnë dhe të praktikojnë dy gjuhët. Kjo do të sigurojë që fëmijët të rriten me një ndjenjë të mirë dy kulturore dhe familjare.

Duke marrë parasysh këta faktorë, është e rëndësishme që komunitetet dhe organizatat shqiptare në Zvicër të punojnë së bashku për të mbështetur familjet në këtë proces. Ofrimi i ndihmës financiare dhe organizative, si dhe ndërgjegjësimi rreth përfitimeve të arsimit dygjuhësor, mund të ndihmojnë në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare ndër breza.

03.06. 2024 Nexhmije Mehmetaj

Arif Ejupi, gazetar, krijues e publicist, që një jetë ia kushtoi Kosovës dhe diasporës së integruar- Nga Musa Sabedini

Gjilan – Arif Ejupi, një emër i njohur në fushën e publicistikës, një krijues brilant dhe njohës i mirë i shumë zhvillimeve, një gazetar pedant dhe i kujdesshëm në shkrime e trajtime, një ish mësues shembullor në diasporë, një kujdestar dhe arkiv e madhe dhe e rëndësishme e organizimit në Zvicër nga diaspora, një humanist i madh që punoi e veproi tërë jetën, për ta parë Kosovën e lirë dhe diasporën e integruar në të gjitha fushat. Ndoshta është hera e parë që ai shpalos detaje të panjohura që nga aktiviteti i tij si gazetar në Radio Prishtina, aktivist në KMDLNJ, pastaj rrahja dhe arrestimi i tij nga policia serbe dhe keqtrajtimi deri në invaliditet të përjetshëm. Arif Ejupi edhe sot mbetet një krijues e publicist aktiv, që asnjëherë nuk e shikoi interesin personal. Ka shkruar dhe shkruan për shumë mediume dhe në pjesën dërmuese të tyre pasqyroi sukseset e të rinjve tanë në Zvicër. Punimet e tij i gjejmë në gazeta e televizione të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, të Kosovës Lindore, Ulqinit, si dhe në revista e portale të mërgatës sonë në Zvicër, Angli, Gjermani, Kanada dhe SHBA. Ejupi, në cilësinë e gazetarit intervistoi figura të shquara nga fusha e shkencës, kulturës dhe sportit. I takon brezit që vuajti për ta bërë Kosovën shtet edhe sot e asaj dite Arif Ejupi kujdeset që Kosovën ta përfaqësoj me dinjitet dhe kredibilitet politik e profesional.
Të shkruash për Arif Ejupin nga Gllamniku i Podujevës të duhet një arkiv e tërë ta hulumtosh dhe ta studiosh, për të dhënë një vlerësim sa profesional aq edhe të qëndrueshëm.
Është i heshtur dhe nuk flet asnjëherë në vetën e parë, përkundrazi sukseset e të tjerëve e bëjnë më krenar, aq më parë që tani jeton dhe vepron në Gjenevë të Zvicrës.
Arif Ejupi ka përjetuar tri periudha të rënda në jetën e tij. Koha e para luftës, që njihet si koha nën sundimin dhe okupimin serb, ku ishte rrahur e përndjekur deri në vdekje nga policia serbe, koha e luftës ku Arif Ejupi me tërë qenien e tij jep kontribut të madh në organizimin e luftës çlirimtare, duke e demaskuar në shumë forume e organizata të huaja, dhunën e pushtuesit serb dhe koha e pas luftës, ku ai sërish nuk heshtet dhe nuk dorëzohet, përkundrazi jep kontribut të madh për ta integruar e shkolluar diasporën në të gjitha nivelet.
Ajo që e bënë të veçantë Arif Ejupin dhe e dallon nga kolegët tij të tjerë në diasporë është fakti se shkruan rrjedhshëm dhe shkruan për figura, personalitete e ekspertë që japin kontribut në avancimin e Kosovës dhe të çështjes shqiptare kudo në botë e në veçanti në Zvicër.
“I gëzohem suksesit të secilit shqiptar, i gëzohem vullnetit të atyre shqiptarëve që angazhohen maksimalisht, të kenë familje të shëndoshë dhe të emancipuar këtu në perëndim. Jetoj dhe veproj që shqiptarët këtu në Zvicër të ndihen të barabartë, të punojnë që një ditë vërtet ta kemi vendin e merituar sikurse kombet tjera” shprehet Ejupi për rajonipress.
Pavarësisht sfidave nëpër të cilat ka kaluar Arif Ejupi, dëshira e tij që të merret me gazetari dhe publicistikë asnjëherë se ka ndarë nga përkushtimi, për të prezantuar suksese e rezultate të kuadrove shqiptare kudo në botë.
Është ndër gazetarët e paktë që kujdeset për të gjitha gjeneratat, e në veçanti për pjesën e cila ka vuajtur dhe hjekur të zitë e ullirit nëpër burgjet serbe.
Arif Ejupi gjithmonë kujdeset që nga diaspora të prezantojë njerëz të devotshëm, që kanë arritur suksese dhe që kanë lënë gjurmë në të mirë të çështjes kombëtare.
Është i pa kompromis dhe nuk lejon për asnjë moment, t’i ikë ndonjë detaj për njerëzit që i njeh mirë.
Përkushtimi i tij maksimal për të pasur një diasporë të emancipuar dhe një gazetari profesionale është preokupim i tij i vazhdueshëm.
“Në gazetari dhe krijimtari mundohem ta bëj punën profesionalisht dhe me shumë kujdes edhe në shkrime dhe në saktësi. Jetoj për një të vërtetë reale dhe shkruaj ashtu siç unë i shoh gjërat dhe i përjetoj. Tek e fundit gazetaria e mirë dhe e ndershme këtë synim duhet ta ketë, të vërtetën dhe gjërat objektive. Gjithashtu kam dëshirë të ofroj për publikun raste interesante, që nuk i dijnë të tjerët dhe që kanë efekt në publikun kosovar. Kam botuar qindra artikuj, kronika, raporte e lajme të ndryshme dhe të gjitha gratis. Bashkëpunoj me të gjithë ata që e kuptojnë rëndësinë e gazetarisë hulumtuese dhe nuk lejoj që kjo fushë të nëpërkëmbet. E mbroj me fanatizëm çdo shkrim përmbajtësor dhe me dedikim të veçantë e të dobishëm për publikun” shprehet Ejupi.
Arif Ejupi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe si mësues në Gjenevë, një rol të madh e ka luajtur në kohën e paraluftës derisa ishte angazhuar nën ombrellën e lëvizjes gjithë popullore në LDK.
I kujtohet mirë data 5 korrik 1990 kur dhunshëm e largojnë nga puna e gazetarit në Radio Prishtina, policia serbe.
“Ishte e rëndë për mua dhe për Kosovën kur dhunshëm na larguan, isha në kohën më të mirë të zotërimit të profesionit të gazetarit, po kështu ndodhi dhe mbetëm pa dritaret tona informative dhe në terr” shton Ejupi.
Ishte organizator e pjesëmarrës i shumë zhvillimeve në vitet e okupimit. Pushtuesve serbë dhe disa veglave të tyre, aktiviteti i Arifit u bije në sy. Ata më 14 mars 1994 në orët e hershme të mëngjesit e arrestojnë atë në shtëpinë e tij.
Arrestimi bëhet nën akuzën se kinse ai dhe disa shokë të tij kanë organizuar rezistencë të armatosur në komunën e Podujevës, në kuadër të ashtuquajturës Mbrojtje Territoriale.
Pastaj e dërgojnë në stacionin e policisë në Podujevë, ku me urdhrin e njëfarë Tomisllav Petroviq, tre kriminelë serbë të njohur me nofkat si Cipiripi, Bosanaci i madh dhe Cvejiq, që kishin ardhur nga stallat e Serbisë, por që mbanin uniformë policësh e rrahin Arifin, në mënyrë çnjerëzore, duke i shkaktuar invaliditet të përjetshëm.
Policia serbe edhe pas kësaj ngjarje të tmerrshme çdo ditë shkonte në shtëpinë e tij, dhe ia traumatizonte anëtarët e tjerë të familjes, si nënën, gruan, motrën, vëllain dhe vajzën 2 vjeçe e gjysmë.
“Ehh… ofshan Arifi, s’e kam të lehtë ta tregoj dhe përkujtoj këtë kohë e periudhë të vështirë të jetës sime dhe të familjes sime e shokëve të idealit. Isha i rrahur për vdekje, e pash si mund të vdiset dhe si mund të mbijetohet nga ajo torturë e egër prej bishave serbe. Njeriu është më i fort se guri, sepse e kisha vullnetin dhe motivin e madh për të çuar deri në fund synimin e shumë gjeneratave tona, që kanë vdekur nga torturat serbe. Ky amanet tani është plotësuar, kuptohet ende kemi punë për ta bërë funksional dhe të pranuar, edhe nga shumë shtete tjera Kosovën tonë të dashur. Këto rrëfime ndoshta mbesin vetëm si rrëfime tonat, por janë të vlefshme dhe kanë peshë, sepse në emër të saj dhe të shumë shqiptarëve, që u dergjën burgjeve dhe u vranë në luftën e fundit erdhi Liria e shumëpritur” shprehet Arif Ejupi.
Arif Ejupi edhe pse në pension të moshës ka në dorëshkrim shumë tema mbi të kaluarën e lavdishme të figurave të shquara dhe thotë se do i botojë në momentin e parë që do ta finalizojë këtë angazhim të tij.
“Kam shumë dokumente, arkiva, vendime e foto të ndryshme që kanë peshë historike e ndriçuese për historinë më të re të Kosovës. Dikush mund të preket e lëndohet, por jam i sigurt se vetëm kështu mund ta njohim njëri tjetrin më mirë dhe mund ta pastrojmë historiografinë shkencore të shqiptarëve. Unë nuk heshti sepse jam dëshmitar dhe përjetues i këtyre rrethanave politike” tha Arifi.

Kush është Arif Ejupi dhe cila është veprimtaria e tij profesionale e politike?

Arif Ejupi, lindi më 15 janar të vitit 1959 në Gllamnik të Podujevës.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij të lindjes, ndërsa atë të mesme (gjimnazin) në qytezën e Podujevës. Që të dyja nivelet e shkollimit i përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm.
Në vitet 1978 – 1979, i filloi studimet e shkallës së dytë, në Fakultetin Juridik, dhe në atë Filozofik, të Universitetit të Kosovës, seksioni – Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Ai edhe studimet i përfundoi me sukses shumë të mirë. Ndërkaq, punën si gazetar në Radio Televizionin e Prishtinës, e nisi gjatë viteve të ’80-ta.
Ejupi, në cilësinë e gazetarit intervistoi figura të shquara nga fusha e shkencës, kulturës dhe sportit.
Mirëpo, të një rëndësie të veçantë i konsideron kronikat e shumta të realizuara me rininë studentore të Universitetit të Kosovës.
Krahas punës në këtë medium, ai shkroi në bashkautorësi me kolegun e tij Fadil Halimi edhe reportazhin “Rrëfime nga kohëra të liga” kushtuar Ismail Ajetit Bushit, i dënuar dy herë me vdekje nga regjimi i Jugosllavisë komuniste.
Ky reportazh apo dokumentar, u botua më 16 Nëntor të vitit 1991, në prestigjiozen “Zëri Javor” të Prishtinës, që udhëhiqej nga gazetari dhe publicisti i njohur kosovar Blerim Ali Shala.
Ismailit edhe pse ishte në moshë pushtuesit serbo -sllavë ia kishin friken,ngase policia fashiste e asaj Jugosllavie në shembje të gjithë numrat e “ Zëri javor” të Prishtinës i konfiskoi.
Kur tamam Ejupi e kishte përsosur profesionin, atë dhe kolegët e tij më 5 korrik të vitit 1990, regjimi i egër dhe diktatorial i Serbisë, i largon me dhunë nga puna.
Arif Ejupi, me miqtë e tij të hershëm Behxhet Shala – Bajgora, Nexhmi Balaj, Sylejman Blaku, Dr. Selman Hoxha, Fehmi Blakçori, inxh. Ramadan Dibrani, Hilmi Ajeti, Naser Behrami, duke parë dhunën e vazhdueshme të Serbisë, mbi shqiptarët duarthatë të Llapit, më 1990 themelojnë KMDLNJ-dega në Podujevë.
Me gjithë rrezikun për jetën ata kompletojnë dosjet e secilit të vrarë, të burgosur e të keqtrajtuar nga pushtuesit serbo-sllavë.
Pastaj ato i dërgojnë në selinë e KMDLNJ-së, në Prishtinë, e prej këtu i gjithë materiali i faktografuar përcillet në Nju-Jork, Londër, Gjenevë, Bruksel, Bon e Paris.
Edhe pse në kushte të vështira ai për asnjë çast nuk i ndërpret shkrimet. Nëpërmjet tyre denoncon dhunën e përditshme serbe, mbi banorët e pafajshëm të Llapit, në gazetat “Bujku” e “Forumi” si dhe në Qendrën për Informim të Kosovës.
Ejupi, që nga themelimi i LDK-së, është anëtar aktiv i saj. Ai nga të gjithë njihet për punën e tij të mirë, ngase në atë periudhë LDK, më tepër ishte Lëvizje mbarë popullore, se sa subjekt politik.
Arifi në zgjedhjet e rregullta lokale të mbajtura më 27 shtator të vitit 1993, me votën e 44 delegatëve të Kuvendit të LDK-së, nëndega në Gllamnik, emërohet kryetar i kësaj njësie, që ishte pjesë e Degës së Podujevës.
Këtë detyrë e kryen me përgjegjësi dhe përkushtim të pashoq, gjë të cilën e vërtetojnë edhe rezultatet e arritura.
Duke parë shkollën në gjuhën shqipe si shtyllën kryesore të shtetësisë së Kosovës, ai gjithë aktivitetin e tij e përqendron në mbrojtjen e saj.
Brenda gjashtë muajve nëndega e Gllamnikut, të cilën e udhëheq ai realizon mbi 11 mijë DM. (valutë gjermane)
Këto mjete të tubuara enkas për mësimdhënësit shqiptarë derdhën në Këshillin Qendror për Financim të Republikës së Kosovës, dega në Podujevë.
Veç kësaj me kohë sigurohet lënda e mjaftueshme drusore, për ngrohje në shkollën fillore të Gllamniut, dhe paralelet e saj të ndara në Sibovc dhe Buricë.
Edhe pse nënokupim fshatarët e lagjes Sekiraçë me vetëfinancim më 1993, nisin ndërtimin e shkollës katër klasëshe si aneks të asaj “Kongresi i Manastirit “ në Gllamnik. E, gjithë kjo arrihet falë unitetit dhe sakrificës së fshatarëve trima e bujarë të këtij lokaliteti.
Pushtuesve serbë dhe disa veglave të tyre, aktiviteti i Arifit u bije në sy. Ata më 14 mars 1994, në orët e hershme të mëngjesit e arrestojnë atë në shtëpinë e tij.
Arrestimi bëhet nën akuzën se kinse ai dhe disa shokë të tij kanë organizuar rezistencë të armatosur në komunën e Podujevës, në kuadër të ashtuquajturës Mbrojtje Territoriale.
Pastaj e dërgojnë në stacionin e policisë në Podujevë, ku me urdhrin e njëfarë Tomisllav Petroviq-Toma, tre kriminelë serbë të njohur me nofkat si Cipiripi, Bosanaci i madh dhe Cvejiq, që kishin ardhur nga stallat e Serbisë, por që mbanin uniformë policësh e rrahin Arifin, në mënyrë çnjerëzore, duke i shkaktuar invaliditet të përjetshëm.
Policia serbe edhe pas kësaj ngjarje të tmerrshme çdo ditë shkonte në shtëpinë e tij, dhe ia traumatizonte anëtarët e tjerë të familjes, si nënën, gruan, motrën, vëllain dhe vajzën 2 vjeçe e gjysmë.
Si pasojë e kësaj përndjekje të vazhdueshme z. Ejupi, me ndihmën e Mr. Sc. Hamdi Jahir Jaha, më 27 korrik të vitit 1995 kalon ilegalisht në Zvicër.
Organet Federale të këtij shteti duke pasur parasysh gjendjen e tij të rëndë shëndetësore menjëherë ia njohin të drejtën e strehimit.
Ai në pamundësi për t’u mjekuar në vendlindje bën qëndrime të përsëritura në Spitalin Universitar të Gjenevës.
Falë angazhimit maksimal të mjekëve të këtij spitali edhe pse me aftësi të kufizuara z. Arif Ejupi, i rikthehet aktivitetit bamirës.
Ai vullnetarisht ndihmon të gjitha veprimtaritë e Komunitetit Shqiptar të Gjenevës. Duke e ditur që Kosova ishte nën okupim të egër maksimalisht angazhohet së bashku me 11 kolegë të tij në Fondin e Republikës së Kosovës – Këshilli në Gjenevë të Zvicrës.
Ky Këshill tregohet mjaft i suksesshëm. Në dy Aksione të jashtëzakonshme “Ta ndihmojmë Drenicën” dhe “Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës” tubon mbi 2 milion franga të Zvicrës.
Një sukses si ky ishte i paparashikueshëm, por kjo u arrit falë zemërgjerësisë dhe solidaritetit të paparë të mërgimtarëve tanë, që pjesa dërrmuese e tyre ishin nga Anamorava.
Ejupi, me insistimin e z. Xhafer Shatri, Ministër për Informim i Republikës së Kosovës, në Gjenevë, ka ndihmuar vullnetarisht në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional në këtë institucion deri më 27 nëntor të vitit 1998.
Po ashtu tri mandate ka qenë anëtar i Kryesisë së shoqatës humanitare “Ali Ajeti”, me seli në Olten të Zvicrës. Nëpërmjet kësaj shoqate ai dhe disa shokë të tij llapjanë me qëndrim në Gjenevë kanë ndihmuar me të holla UÇK-në, Zona Operative e Llapit.
Arif Ejupi jep kontribut të jashtëzakonshëm edhe në shoqatat jofitimprurëse “Ikballe Prishtina” dhe “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”
Më 25 gushtit të vitit 1995, me një Aktvendim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Republikës së Kosovë, emërohet mësues në Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues, në Kantonin e Gjenevës.
Ejupi, punën e mësuesit e bën me dashuri e ndershmëri deri në fund të qershorit të vitit 2000. Ai, me fëmijët e mërgimtarëve tanë punoi në pikat; “Ecole du Mail,” “Ecole de Onex,” Ecole Cayla” dhe “Ecole des Libellulles”.
Respektin për ish-nxënësit e tij të mrekullueshëm do ta ruajë përherë. Atij i bëhet zemra mal dhe ndihet tepër i kënaqur kur sheh që shumica prej tyre sot janë: mjekë, inxhinierë, ekonomistë, juristë, teknologë, profesorë, psikologë, sipërmarrës dhe sportistë shembullorë.
Ejupi, duke e pasur pasion gazetarinë, paralelisht me punën e mësuesit shkroi edhe qindra artikuj. Në pjesën dërmuese të tyre pasqyroi sukseset e të rinjve tanë në Zvicër.
Punimet e tij i gjejmë në gazeta e televizione të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, të Kosovës Lindore, Ulqinit, si dhe në revista e portale të mërgatës sonë në Zvicër, Angli, Gjermani, Kanada dhe SHBA.
Platforma “Albinfo.ch”, që është në lidhje të drejtpërdrejtë me mërgatën tonë, sidomos me atë në Zvicër e Gjermani, disa shkrime të z. Ejupi, i ka përkthyer edhe në frëngjisht e gjermanisht.
Duke qenë anëtar i rregullt i KMDLNJ-së, Ejupi, më 1997-1998, së bashku me prof. dr. Zejnullah Grudën dhe prof. dr. Ymer Jakën, merr pjesë në punimet e Sesionit për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.
Me këtë rast ata gjenocidin serb mbi shqiptarët nëpërmjet pamjeve të tmerrshme e prezantojë edhe në qytete të tjera të Zvicrës dhe Francës.
Arif Ejupi, për punën e tij të palodhshme si aktivist, mësues, gazetar dhe humanist, është shpërblyer me mirënjohje të shumta.
Por, në mesin e këtyre mirënjohjeve dhe shpërblimeve ai veçon atë të KMDLNJ-së, të ndarë më 7 tetor 1997, nga kryetari i kësaj organizate jo qeveritare akademik. Pajazit Nushi.
Puna profesionale e z. Ejupi, është vlerësuar edhe nga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës.
Kjo Ministri, më 3 gusht të vitit 2017, e drejtuar nga z. Valon Murati, me rastin e ndarjes së çmimit “Mërgimtari i Vitit” punimin e z. Ejupi, të titulluar: “FC. Kosova e Gjenevës, 20 vjet futboll dhe integrim” e ka shpallur si shkrimin më të mirë të vitit.
Arif Ejupi edhe pse në pension të moshës ka në dorëshkrim shumë tema mbi të kaluarën e lavdishme të figurave të shquara në Llap e më gjerë.

Shaqiri duhet t’i bashkohet kombëtares zvicerane nesër

Lëndimi i pulpës së lojtarit nuk është serioz

VOAL- Psherëtimë e lehtësuar për Xherdan Shaqirin dhe kombëtaren. Lëndimi i muskujve të pulpës që e pengoi fantazistin zviceran që të niste kampin stërvitor në Sent Galen bashkë me lojtarët e tjerë të Përfaqësueses së Zvicrës, në fakt nuk është i rëndë.

Kështë bëhet e ditur nga RSI.

Shaqiri pritet të marrë pjesë prej nesër në seancat stërvitore.

NË LISTËN E MURAT YAKIN EDHE ALBIAN HAJDARI, QENDËRMBROJTËS I SKUADRËS TIÇINEZE FC LUGANO- Nga ARIF EJUPI

Të rinjtë me rrënjë shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Kosova Lindore e aty-këtu edhe nga Shqipëria, Ulqini dhe Kraja, me prirje në futboll nga viti në vit po tregohen mjaft të suksesshëm, si në skuadrat ku luajnë ashtu dhe me përfaqësuesen e Zvicrës.
Qysh para dy dekadave me ekipin e Zvicrës, kur përzgjedhës ishte Köbi Kuhn, pati luajtur, anamoravasi Milaim Rama, anëtar i FC. Thoune, FC. Augsburg dhe FC. Schaffouse.
Ai, njëfarë mënyre paralajmëroi se të rinjtë shqiptarë të mbikëqyrur nga trajnerë profesionistë në çfarëdo kushtesh ambientohen lehtë dhe shpejt.
Zaten ashtu edhe ndodhi. Me skuadrën e Zvicrës, vite me radhë shkëlqyen futbollistët; Valon Behrami, Blerim Xhemaili dhe Amir Mehmedi,.
Ndërkaq, Frederik Veseli,në vitin2009 si kapiten i shpresave U-17, të Zvicrës u kurorëzua me titullin e më të mirit në botë, duke e mundur në ndeshjen finale Nigerinë 1 me 0.
Me skuadrën e Zvicrës zenitin e arrijnë Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, të cilët me lojën e tyre të bukur patën gjunjëzuar Serbinë në botërorin “Rusi 2018”
Ata edhe sot konsiderohen si truri i skuadrës së Zvicrës. Loja e tyre atraktive pëlqehet nga mijëra sportdashës në të katër anët e globit. Falë lojës së tyre të shkëlqyer luajnë në skuadra të njohura tash sa vjet.
Në përfaqësuesen e Zvicrës ,patën nderin të jenë të ftuar edhe futbollistët ; Pajtim Kasami, Shani Tarashaj, Florian Kamberi, Florent Hadergjonaj dhe Kastriot Imeri.
Në“Euro 2024” që mbahet në Gjermani, muajin e ardhshëm të ftuar nga përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, janë futbollistët me rrënjë shqiptare;Granit Xhaka; Xherdan Shaqiri,Ardon Jashari, Andi Zeqiri, Uran Bislimi dhe Albian Hajdari.
Për herë të parë në skuadrën e Zvicrës është i ftuar Albian Hajdari, qendërmbrojtës standard i skuadrës tiçineze FC. Lugano, anëtare e elitës së futbollit helvetik.
Në këtë skuadër që aktualisht renditet në vendin e dytë me gjithsej 65 pikë, luajnë edhe futbollistët e shquar, Amir Shaipi, portier në rrugë të mirë për të qenë edhe pjesë e ekipit të parë të Zvicrës, Kreshnik Hajrizi, mbrojtës dhe sulmuesit Uran Bislimi dhe Shkëlqim Vladi.
Duke analizuar listën me emrat e lojtarëve të ekipit të Zvicrës, shohim konkurrencë tejet të fortë për 11-shin e parë.
Mirëpo, sipas parashikimeve tona në ekipin e parë të Zvicrës, do të jenë gjithsesi Shaqiri, Xhaka dhe Jashari.
Ndërkaq, me gjasa të mëdha për t’u aktivizuar të paktën në 45 minutat e pjesës së dytë të lojës do të jenë edhe lojtarët; Andi Zeqiri, Uran Bislimi dhe Albian Hajdari.
Luajtën apo nuk luajtën s’ka edhe aq rëndësi. Parësore është që këta djelmosha janë prezentë në një ngjarje të madhe sportive, që mbledh ajkën e futbollistëve më të mirë të Evropës.

ARIF EJUPI

Xhaka lojtari i dytë me ndikim më të madh në fitoret e skuadrave të tyre

Sipas studimit të CIES, zvicerani është pas vetëm Rodrit

VOAL- Sipas një lajmi të transmetuar në RSI, sezoni aktual i Granit Xhakës mund të cilësohet si i jashtëzakonshëm. Në vitin e tij të parë me Bayer Leverkusen, mesfushori zviceran e ndihmoi klubin të fitonte një titull historik dhe të arrinte në finalen e Europa League. Për të konfirmuar ndikimin e tij në klubin gjerman tashmë është edhe certifikimi i CIES (Qendra Ndërkombëtare për Studime Sportive) e cila ka hartuar renditjen e lojtarëve më prekës në botë të sezonit aktual në të cilin kapiteni i kombëtares është në vendin e dytë të përgjithshëm me 92.3 pikë.

Studimi i CIES, njofton RSI, u bazua në performancën e lojtarëve individualë në gjashtë aspekte të lojës (mbrojtja në tokë, shpërndarja e topit, driblimi i fitoreve, rastet e krijuara, përfundimi dhe loja ajrore) dhe më i miri, i vetmi përpara Xhakës, ishte mesfushori i Manchester Cityt. Rodri ka 98.5 pikë. Menjëherë pas Xhakës vjen jo kush tjetër përveç Martin Odegaard (89.9), Florian Wirtz (89.2), Toni Kroos (89.0) dhe Jude Bellingham (87.9).

Zvicra mbetet kuqezi, 6 futbollistë me origjinë shqiptare, Yakin publikon listën për në “Euro2024”

Zvicra edhe në këtë Evropian ka jo pak, por shumë ngjyra kuqezi. Në listën paraprake të publikuar për në “Euro2024”, bie në sy fakti që trajneri Murat Yakin ka ftuar 6 futbollistë me origjinë shqiptare: Granit Xhaka (Bayer Leverkusen), Xherdan Shaqiri (Chicago Fire), Ardon Jashari (Lucernë), Andi Zeqiri (Genk), Uran Bislimi (Lugano) dhe Albian Hajdari (Lugano).

Zvicra
Zvicra

Këtë herë nuk janë më në grup me Serbinë për të na dhuruar emocione të forta si në Botëror, por sërish Zvicra bën pjesë në një grup interesant, në Grupin A, së bashku me Gjermanisë, Hungarinë dhe Skocinë.bw

Intervistë me mësuesen e re Gjestila Mehmetaj, një model frymëzimi për rininë shqiptare në mërgim Intervistoi Nexhmije Mehmetaj

Para disa ditësh më rastisi të takohem në Prishtinë me një vajzë të mrekullueshme, Gjestila Mehmetaj. Kur mësova se është mësuese e anglishtes dhe frëngjishtes në Gjermani, më bëri të ndjej respekt ndaj saj ashtu si kam ndjerë gjithmonë ndaj mësueseve që u japin fëmijëve njohjet e para ndaj shkrimit, gjuhës dhe dukurive të jetës. U befasova nga inteligjenca e saj, nga aftësia për të mësuar në mënyrë të saktë disa gjuhë të huaja, synimi i saj për të udhëtuar në të fshehtat e shkencës së pedagogjisë dhe për të arrirë maja…

Ajo shquhet si një urë midis dy vendeve dhe kulturave të ndryshme, shqiptare dhe gjermane por gjithashtu si një dritare drejt mundësive të reja për brezin e ri.
Gjestila Mehmetaj vazhdon të jetë një model frymëzimi për komunitetin shqiptar dhe për ata që kanë fatin të jenë nxënësit e saj.

Fjala nuk ka forcë ta përshkruaj me tërë ngjyrat çastin. Por më mirë le të flasë ajo, me atë zërin e saj kumbues e me emocionet e një takimi mbresëlënës…

Pyetje A mund të prezantohesh?
Gjestila Mehmetaj: Unë quhem Gjestila Mehmetaj. E lindur dhe e rritur në qytetin Mainz të Gjermanisë, me origjinë nga Kosova, jetoj me prindër tash e 26 vjet. Rrjedh nga një familje e arsimuar, por, që ka përjetuar dhunën dhe persekutimin nga pushtuesit serb. Babai im Gani Mehmetaj, mësues në shkollën “Azem Bejta” në Klinë ishte larguar dhunshëm nga puna arsimore . Për ketë shkak ata janë detyruar të marrin rrugën e mërgimit dhe që nga viti 1992 jetojnë në Gjermani.

Pyetje: Për çfarë keni studiuar ?
Gjestila Mehmetaj: Për mësuesi, kam përfunduar studimet në nivelin Bachlor dhe Master në Universitetin Johannes Gutenberg – në Mainz Gjermani. Aktualisht punoj në një shkollë fillore, jap lëndët gjuhë angleze dhe frënge, por, së shpejti do të kaloj në një shkollë të mesme, pasi përgatitja ime pedagogjike – shkencore i përket asaj mësimdhënie.

Pyete: Çfarë do të thotë për ty të rritesh mes dy vendeve Kosovës dhe Gjermanisë?
Gjestila Mehmetaj: Rritja mes Kosovës dhe Gjermanisë është një përvojë e rëndësishme por edhe emocionale për mua. Në fillim, ndjenja për atdheun është gjithmonë e ndjeshme. Unë vizitoj Kosovën të paktën dy herë në vit, por shumë angazhime më kufizojnë nga të qenit atje më shpesh. Kudo që ndodhem, asnjëherë nuk ndihem më mirë se në Kosovën time. Kosova është burimi ku kam marrë frymëzim të thellë si nga kultura, gjuha dhe traditat në përgjithësi.
Gjermania, nga ana tjetër, është vendi ku jam formuar intelektualist, ku kam pasur mundësinë të arrij dije dhe përvojë të reja. Rritja në mes të këtyre dy vendeve më ka dhënë një perspektivë të pasur dhe të shkëlqyer për të ardhmen, duke më ndihmuar të kuptoj dhe të vlerësoj ndryshimet kulturore dhe të zhvilloj një ndjenjë të gjerë të identitetit kombëtar dhe global.

Dua të theksoj se edukimi dhe studimet në Perëndim janë më shumë se sfiduese. Edhe pse njohim gjuhën gjermane, duhet të njohim fillimisht mirë gjuhën shqipe për të na lehtësuar mësimin e një gjuhe tjetër të huaj.

Universiteti në Mainz ku pata fatin të studioj ka një histori të gjatë prej më shumë se 150 vjetësh, i njohur si Johan Gutenberg, i cili tani është i njohur në arenën ndërkombëtare.

Pyetje: Të studiosh në Universitete prestigjioze në Gjermani është ëndërr e shumë të rinjve të cilët planifikojnë që karrierën e tyre ta nisin nga qendrat kryesore të botës. Na trego si ishte një ditë në universitet?

Gjestila Mehmetaj: Një ditë në universitet për mua është një përvojë e pasur dhe e frytshme. Fillon herët në mëngjes, pas mbledhjes së parë të klasës ose seminarit, unë shkoj në bibliotekë për të kryer punën time të përgatitjes ose për të konsultuar burime për projektet e ardhshme.

Mësimet janë shumë të pasura në diskutime dhe prezantime, dhe pjesa më e mirë e tyre inkurajon pjesëmarrjen aktive të studentëve. Pastaj, shpesh kam takime me profesorët për të diskutuar projekte specifike, punën në kurs, ose për të marrë këshilla për studimet e mia. Përfundimisht, disa ditë përfundojnë me takime me miqtë dhe për të shijuar kohën jashtë klaseve.

Gjatë ditës së universitetit, është e rëndësishme të menaxhosh kohën mirë dhe të jesh i organizuar për të përfituar sa më shumë nga përvoja akademike dhe sociale. Çdo ditë është një mundësi për të mësuar diçka të re dhe për të ndërtuar lidhje të reja dhe të vlefshme me njerëz të ndryshëm.

Pyetje: Cila do të ishte këshilla juaj për të gjithë ata të rinj shqiptarë që ëndërrojnë të studiojnë në Gjermani?………..

Gjestila Mehmetaj: Ja disa këshilla për të gjithë ata të rinj shqiptar që ëndërrojnë të studiojnë në Gjermani janë:

Përgatitu mirë: Bëj kërkime të detajuara për universitetet dhe programet e studimit në Gjermani. Mirëkupto kërkesat për aplikim, dokumentacionin e nevojshëm, dhe procesin e aplikimit për viza studentore.

Përvetëso gjuhën gjermane: Njohja e gjuhës gjermane është shumë e rëndësishme për të integruar me sukses në jetën universitare dhe shoqërore në Gjermani. Mund të marrësh kursa të gjuhës gjermane para se të shkosh, ose të aplikosh për programe të studimit që ofrohen në anglisht.

Rreshtohu: Bëj lidhje me studentë të tjerë shqiptarë në Gjermani, si dhe me studentë të tjerë ndërkombëtarë. Rrjeti i kontakteve mund të jetë i rëndësishëm për të shkëmbyer eksperiencë, për të ndihmuar në studime, dhe për të krijuar marrëdhënie të reja miqësore.

Kërkoni ndihmë dhe përkrahje: Mos hezitoni të kërkoni ndihmë dhe këshilla nga personat e përgjegjshëm në universitet, nga përfaqësuesit e studentëve, dhe nga organizatat studentore. Universitetet gjermane ofrojnë shërbime dhe resurse për të ndihmuar studentët ndërkombëtarë në procesin e adaptimit dhe suksesit të tyre akademik.

Pyetje: Larg atdheut, ku e ke mësuar gjuhën shqipe kaq bukur e kaq rrjedhshëm?

Gjestila Mehmetaj: Gjuha shqipe është pjesë thelbësore e identitetit tim që nga fëmijëria. Edhe pse kam lindur dhe jam rritur jashtë Kosovës, prindërit e mi kanë qenë shumë të përkushtuar për të ruajtur dhe kultivuar lidhjet tona kulturore me atdheun

Gjuhën shqipe përveç me prindër e kam mësuar në shkollën shqipe nga mësuesja ime, Igballa Meta, nga Prishtina. Gjuhën shqipe e përdorim në komunikimin e përditshëm familjar dhe në kontaktet me komunitetin shqiptar. Për më tepër, jam përpjekur për të lexuar libra, artikuj, dhe për të folur shqip në mjediset e ndryshme kanë kontribuar në ruajtjen dhe përparimin në gjuhën shqipe. Në kohën e fundit, përmes përdorimit të internetit dhe rrjeteve sociale, kam qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me gjuhën shqipe.

Pyetje: Çfarë do të u transmetoje emigranteve shqiptare në Gjermani?
Gjestila Mehmetaj: Emigrantët shqiptarë në Gjermani gjenden në një pozitë mjaftë të favorshme ku krahas integrimit në shoqërinë pritëse mund të ruajnë kulturën dhe vlerat vetjake edhe pse janë në një vend të huaj.

Shqiptarët sidomos rina duhet të shfrytëzoi mundësit që ua ofron Gjermania për arsim dhe zhvillim personal, duke përfshirë shkollat, universitetet, dhe programe trajnimi për të zhvilluar aftësitë e tuaja.

Ju inkurajoj të mbani gjallë gjuhën dhe traditat tona shqiptare, duke i përcjellë ato tek brezat e ardhshëm. Kjo do të ndihmojë në ruajtjen e identitetit tonë kulturor dhe do të bëjë që komuniteti ynë të ndihet më i bashkuar edhe larg atdheut.

Gjenevë, 13. 05.2024 Nexhmije Mehmetaj

Informatat dhe shkrimet e sajuara, sëmundje kronike e disa medieve tona- Nga ARIF EJUPI

Qasja në rrjetet sociale e çdo injoranti ka bërë që të rrudhën dukshëm hapësirat e krijuesve të mirëfilltë.
Shkrimtari i madh italian Umberto Eco , fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare thotë” Rrjetet sociale u kanë dhënë të drejtën për të folur legjioneve të budallenjve, që më parë bisedonin në bare( pijetore) pas një gote vërë, pa shkaktuar dëme në shoqëri.”
Kjo thënie epike e Ecos na kthen në të kaluarën kur asnjë lajm që nuk plotësonte kriteret e kërkuara nuk botohej. Ai përpara se të botohej kalonte nëpër duart e redaktorëve profesionistë.
Të jesh i pranishëm me shkrime dhe studime në “Zëri javor” të publicistit dhe gazetarit të njohur Blerim Shala, përveç që ishte privilegj ishte dhe krenari.
Prandaj, s’kishte të ngjarë që të shihje broçkulla dhe antivlera, e as shund e kiç.
Askujt nuk interesonte se çfarë hanë dhe pinë fëmijët e këngëtarëve, artistëve, politikologëve dhe më kënd martoheshin ata.
Ndërhyrjet në privatësinë e familjeve ishin rreptësishtë të ndaluara. Sot, punën e gjykatave e bëjnë gazeta e portale. Ato një ngjarje e japin një njëmijë versione.
Mjerisht, në televizionet tona shohim emisione degjeneruese dhe pa asnjë grimë vlere.
Gjuha e përdorur në disa emisione përveç që është e gërditshme është gjuhë rrugësh e bordelesh.
Kësaj dukurie negative i kanë hapur rrugë edhe disa intelektualë tanë që pranojnë të jenë mysafirë në këto emisione të pa temë, koncept dhe pa kurrfarë mesazhi njerëzor.
Sot, çdo i ri dhe e re preferon profesionin prej moderatori apo moderatorje pa e kuptuar që ky profesion kërkon përgjegjësi, talent e mbi të gjitha kurriz e moral.
Para së gjithash duhet ditur ajo që del nga gojët tona përhapet kudo me shpejtësi rrufeje.
Andaj, çdo fjalë përpara se ta nxjerrim nga gojët tona duhet ta peshojmë mirë.
Agim Shehu, shkrimtar i njohur pastë ndjesë thoshte “letra e bardhë është jona para se të shkruajmë mbi te, duhet peshuar mirë e mirë çdo fjalë”
Disa televizione e portale mbijetojnë duke plasuar gënjeshtra të pa kripë.
Lajmet nga e kaluara jonë historike nga alamet historianësh dhe profesorësh tjetërsohen dhe përshtatën sipas qejfeve të klaneve dhe grupeve të interesit, ku ata kanë bërë grazhd.
Si pasojë e kësaj gjeneratat e ardhshme do të heqin të zinjtë e ullirit për të zbuluar të vërtetën e këtyre ngjarjeve.
Me lajme të rreme dhe të sajuara nuk krijohet sensacion me çmimin e tmerrshëm të shpërfytyrimit të së vërtetës.
Prandaj, sot si asnjëherë më parë, duhet gjurmuar dhe studiuar ngjarjen e pastaj ajo të publikohet duke pasur mbështetjen në fakte e argumente të pathyeshme.
Disaherë është shkruar nga njerëz të papërgjegjshëm dhe djallëzor se ka ndërruar jetë aktori ynë i madh Mirush Kabashi dhe personalitete të tjera të kulturës.
Ky lajm i rrejshëm përpos familjeve të tyre është përjetuar rëndë nga shokë e miq të këtyre artistëve përndryshe ikona të kulturës sonë.
Është sharë e fyer keq e më keq aktori dhe poeti Çun Lajçi, vetëm pse ka bërë përpjekje me mbijetuar nga puna, mendja dhe djersa e vet.
Asnjëherë askush nuk ka shkruar qoftë edhe dy rreshta referencë-kërkesë Qeverive tona, që personaliteteve që janë shquar me talentin dhe përkushtimin e tyre t’u caktohet një pension që u mundëson jetë dhe pleqëri të dinjëtetshme.
Janë fyer e denigruar Atdhetarë të njohur që rininë dhe kockat i kanë lënë në burgjet skëterrë të ish-Jugosllavisë, për lirinë që e gëzojmë sot.
Ndërkaq, të njëjtëve që për së gjalli ua ka helmuar jetën propaganda serbo-shqiptare, pas vdekjes, kur ata nuk kanë fare nevojë për to, u thuren elozhe e këndohen këngë.
Ky është një ves i keq që jo vetëm nuk e forcon sistemin e vlerave, por e shkërmoq atë.
Gazetarë e analistë mercenarë dalin në terren ose kalërojnë nëpër medie duke shpifur dhe përgojuar kundërshtarët e tyre, pa pasuar as edhe një provë të vetme.
Madje disa nëpër studiot tona televizive bëjnë edhe aktrim,duke u çaraveshur dhe imituar individë të dëshmuar në fusha të ndryshme të Shkencës, Artit, Kulturës dhe Perënditjes së vendit.
Veç kësaj ata nuk kanë qëndrime të vetat të pavarura, sepse shiten lirë, tek mujsharë të ndryshëm, që u kërkojnë të krrokëritin sipas shijeve dhe interesave të tyre mesnike.
Ditë më parë, lajmi i rremë se njëfarë Rrustem Llapi,vrau një serb në Gjermani,mori dhenë.
Rrustemit nisën t’i thuren vargje lavdi e trimërie nga të gjitha anët. Kur, një medium yni viziv vërtetoi që ky lajm është i pavërtetë ndaj tij filluan sulmet me fjalët më vulgare.
Ky rast nxori në dritë të vërtetën s’e krijimin e heronjve të rrejshëm e kemi në gjak.
Rrahim Hoxha, një burrë autoritativ nga Obrança e Podujevës, shpeshherë thoshte “S’ka më kiamet se me rrejt vetveten”
Rreth kësaj dukurie të shëmtuar që po na ndjek si hije ogurzezë, profesori i UBT- së, Musa Sabedini, ka bërë një studim të thellë, duke e përmbledhur në librat “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari” dhe “Gazetaria online në Kosovë dhe rajon, etika dhe sfidat e vetrregullimit”
Ata që pretendojnë profesionin e gazetarit të njëmendtë duhet lexuar patjetër këto libra, ngase ato janë Abetare, për të gjitha ata që thirren në etikë, moral dhe edukatë.

ARIF EJUPI

Kandidaturat e Shqipërisë dhe Serbisë në UEFA, për Organizimin e Kampionatit Evropian të Futbollit U – 21, aktualizojnë idenë kryeneçe të Vuçiqit dhe Ramës, për të ashtuquajturin “Open Ballkan”

Federata Shqiptare e Futbollit e drejtuar tash sa vite nga z. Armando Duka, dyshohej se kaherë ishte e politizuar.
Këto dyshime u ringjallën gjatë këtyre ditëve kur Shqipëria në kandidaturë të përbashkët me Serbinë, konkurroi në UEFA, për organizimin e Kampionatit Evropian të Futbollit ,për grupmoshat U – 21, që do të mbahet më 2027.
Ky veprim skandaloz dhe i papërgjegjshëm i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, ka zemëruar jashtëmase shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës lindore.
Udhëheqësit e Federatës së Futbollit Shqiptar, si mund ta bëjnë një turp të tillë, kur e dinë fare mirë që Serbia, në prezencë të forcave ndërkombëtare çdo ditë tenton ta destabilizoj Kosovën.
Ajo me sulme tipike terroriste sulmoi dhe vrau në Mitrovicën e Veriut , eprorët dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Serbia tash 25 vite i mban të traumatizuara dhe në ankth mijëra familje shqiptare të Kosovës, duke mos ua kthyer eshtrat e djemve dhe vajzave të tyre të masakruar nga policë e ushtarë kriminelë të saj.
Dramën tragjike të mbi 20 mijë grave dhe motrave tona të dhunuara nga kriminelët serbë, publicistia dhe shkrimtarja zvicerane Marie – Therese Bouchardy, e përshkruan me këto fjalë “Me fuqinë e tyre ato duhet të shqetësojnë netët tona të qeta, që të mos i fshehim këto humnera tmerri, të atyre grave të dhunuara e të atyre fëmijëve të lindur nga ato akte makabër”
Kurse dukët dhe dudukët e Tiranës, shtiren sikur të mos ketë ndodhur asgjë në Kosovë.
Ata harrojnë kur serbët rrezikuan jetët e futbollistëve shqiptarë në ndeshjen Serbi – Shqipëri të vlefshme për evropianin “Franca 2016”

Në këtë ngjarje të pakëndshme fytyrën na pati zbardhur futbollisti shqiptar Lorik Agim Cana ,me origjinë nga Gjakova.
Ai në stil gladiatorësh romakë e pati zhdëpur me grushte dhe shqelma huliganin Ivan Bogdanoviq, organizator i këtyre grupeve huliganësh.
Bogdanoviq ishte ai që në ndeshjen Itali – Serbi të zhvilluar në Gjenova e pati djegur dhe përdhosur Flamurin shqiptar.
Vojsllav Sheshel dhe Tomisllav Nikoliq, atëkohë kryetar i Serbisë, zbatues të përpiktë të ideve të kryeçetnikut monstruoz Drazha Mihaloviq, derisa mbi futbollistët shqiptarë huliganët serbë përplasin karrige e gjësende të forta zgërdhiheshin sikur prostituta.

Në këtë turp të tyre hise kishte edhe UEFA. As atëherë e as sot këtë marrëzi të saj nuk e lanë as Danubi.

Udhëheqësit e UEFA-s, nga kjo ngjarje e shëmtuar duhet të kenë mësuar shumë.
Prandaj, shpresojmë që ata kësaj radhe do të jenë vigjilentë. Kandidatura e Serbisë patjetër duhet të refuzohet pa arritur ende në tryezat e këtij institucioni të lartë të futbollit evropian.
Ashiqare vërehet se pjesë e kësaj loje të ndytë janë Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe Aleksandër Vuçiq, kryetar i Serbisë.
Shqipëria me mungesë të stadiumeve kërkesën për një organizim të tillë ka mundur ta bëjnë me fqinjët e saj të parë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ose edhe me Greqinë .
Kur edhe sporti politizohet në këtë shkallë shpresat për stabilitet dhe qetësi në këtë pjesë të Evropës Juglindore, janë gjithnjë e më të vogla.
ARIF EJUPI

POETI, SHEMSI MAKOLLI ME RASTIN E 25- VJETORIT DITËS NDËRKOMBËTARE TË TË PAGJETURËVE I FTUAR NË EMISIONIN “FORUM” TË AUTORES SË NJOHUR ZVICERANE ANNE FOURNIER

 

 

Shemsi Makolli i njohur me vargjet e tij unike në frëngjisht dhe shqip, lindi më 18 prill të vitit1966 në Marec të komunës së Prishtinës (fshati pas vitit 1999 njihet edhe me emrin Merion)
Makolli shkollën 8-vjeçare e kreu në vendlindje, kurse atë të mesme në Prishtinë e Kastriot (ish-Obiliq) të Kosovës.
Shemsiu, qëkur ishte nxënës i këtyre shkollave u përkiste shoqërive letrare dhe artistike që vepronin në kuadër të këtyre institucioneve arsimore.
Në vitin 1986 pas përfundimit të mësimeve në shkollën e mesme me rezultat të shkëlqyer, dashuria për artin e vë në siklet s’e në çfarë fushe të studiojë.
Babai i tij Fejza, i lodhur dhe rraskapitur nga udhëtimi dhe puna e rëndë në minierën e Novobërdës, sot Artanës, nga dëshira që Shemsiu sa më shpejtë t’i dalë në ndihmë familjes i sugjeron që të studiojë në Shkollën e Lartë Teknike-drejtimi elektroteknikë, në Mitrovicë të Kosovës.
Meqenëse, Shemsiu kishte njohuri të përgjithshme në shkencat natyrore pahezituar përfill dëshirën e babait të tij. Ai si një i rinj entuziast dhe me vullnet të çeliktë studimeve u qaset seriozisht.
Kur, Shemsiun nga diplomimi e ndanin vetëm edhe dy provime Serbia, me tanke e kërbaç e shuan Autonominë e Kosovës, duke i nxjerrë në rrugë mijëra studentë dhe profesorë shqiptarë.
Makolli i dëshpëruar nga ky okupim barbar dhe i egër me të zbardhur dita e një mëngjesi të hershëm pranveror të vitit 1990, përgatit valixhen me pak plaçka dhe niset drejt Zvicrës.
I edukuar me dashurinë për punën edhe pse me një fillim aspak të lehtë vendos të studiojë gjuhën frënge moderne në Universitetin e Llozanës.
Meqë kishte bërë studime në elektronikë i ringjallet dëshira që ato t’i vazhdojë në mikroteknikë e menaxhment.
Me të fituar titullin specialist i standardeve ISO-9001, punësohet në gjigantin e njohur Hercagon Meterologie të Llozanës, ku ende vazhdon të punojë.
Paralelisht me punën ai nuk lë anash pasionin e tij të hershëm për poezinë.
Me afinitet të dukshëm në të gjitha zhanret e letërsisë Makolli, do ta rrëfejë sagën e familjes së tij dhe dramën tragjike të shqiptarëve të Kosovës të pushtuar nga Serbia.
Liliane Perrine,gazetare, krijuese dhe editore, e njohur në Zvicër, e inspiruar nga rrëfimet e Makollit e shkroi librin “Un marié sans importance”
Parathënien e këtij libri e pati përgatitur Ismail Kadare, kolos i letërsisë sonë dhe asaj botërore.
Me këtë rast Kadare pati thënë” Të shkruash roman për shqiptarët është një qasje (dukuri) e paparë deri me tani”
Ky libër në vitet 1994 dhe 1995, vlerësohet me çmime ndërkombëtare në Paris të Francës dhe Montreal të Kanadasë.
Makolli më 1995, përpara lexuesve frankofonë dhe shqiptarë vjen me përmbledhjen poetike “Ne pleur pas’’ (Mos qaj) botuar nga shtëpia botuese “Bastian” e LLozanës.
Studiuesi dhe shkrimtari i njohur Bertil Galland, pas leximit të veprës së Makollit shprehet me fjalët:
“Shemsi Makolli, përveç që është poet është edhe muzikant i vërtetë i fjalëve. Ai nëpërmjet përvojës së tij personale me mjaft mjeshtëri arrin të pasqyrojë gjithë historinë e popullit të tij”.
Galland vlerësimin mbi veprën e Makollit e përfundon me fjalët: “Duke peshuar mirë fjalën time, lirisht mund të them që vargjet poetike të Makollit, mund të radhiten në mesin e vargjeve më të mira të lirikës evropiane të kohës sonë. (Gazeta “Nouveau Quotidien” 27 gusht 1995)
Poezia “Frontière”- Kufiri e shkëputur nga ky libër i Makollit, është kompozuar dhe shndërruar në këngë.
Në vjeshtën e vitit 2016, ajo është kënduar nga Ansambli Vokal i Llozanës, nën dirigjimin e Orkestrës “Grand Eustache” në qytete të ndryshme të Zvicrës.
Kjo poezi e kthyer në këngë nga kjo trupë artistësh të mrekullueshëm zviceranë, është kënduar në gjuhën shqipe dhe ka impresionuar publikun zviceranë dhe atë shqiptarë.
Makolli në përpjekje të vazhdueshme për të ofruar cilësi e jo sasi më 1997,e shkroi në frëngjisht dhe shqip komedinë teatrale “La belle vie”- “Jeta e bukur” botuar në Llozanë.
Ai, ndërkohë opusin e tij letrar e pasuroi edhe me poemën “Lahuta e këngëve të mia”- “La luth de mes chansons”
Makolli është autor edhe i librit “Pika që shpon gurin” botuar vetëm në gjuhën shqipe, nga shtëpia botuese ”Faik Konica” e Prishtinës, më 2016.
Edhe ky libër mirëpritet nga lexues e kritikë shqiptarë. Librin në fjalë e vlerëson lartë edhe poeti e kritiku i ynë i mirënjohur Shefqet Dibrani. Ai në faqet e para të kësaj përmbledhje u bënë një analizë të gjitha poezive të përfshira brenda këtij libri.
Një vit më vonë Makolli duke i përpunuar mirë e mirë vargjet e tij, të reja i boton në frëngjisht-dhe shqip.
Libri titullohet “L’anatomie du Rêve” “Anatomia e ëndrrës” Botues i tij është “Editions de l’Aire” Vevey-Zvicër.
Vargjet e z. Makolli, kritikë dhe studiues të njohur të letërsisë në Zvicër dhe Francë, i klasifikojnë si vargje të lira që lindin si shprehje e nevojës së brendshme dhe strukturimit të përmbajtjes.
Makolli në vargjet e tij i përdor edhe figurat stilistike që në retorikën e vjetër janë konsideruar si stoli gjuhësore.
Derisa stilistika bashkëkohore përdorimin e dendur të tyre e konsideron si dëmtim të poezisë, Makolli, ato i vendos vetëm brenda tërësisë kuptimore dhe estetike.
Poezitë e Makollit për studim i kanë përzgjedhur edhe disa studentë të gjuhës dhe letërsisë frënge të Universitetit të Llozanës dhe Gjenevës.
Vargjet e tij që lexuesin e pushtojnë të terinë i gjejmë të prezantuara edhe në “Anthologie De La Poesie Suisse d’Aujourd’hui” ku janë të përfshirë 45 poetët më të mirë të Zvicrës.

Veç kësaj krijimtarisë së tij artistike dhe letrare i kanë bërë vështrime edhe gazetat me emër si, “Le Temps” e cila në rubrikën e saj speciale të kulturës prezanton krijuesit më të frytshëm në Zvicër dhe jashtë saj.
Makolli me sukses shkruan edhe tregime të përafërta me novelat.Një nga tregimet që me ëndje lexohet nga të gjithë është ai frëngjisht-shqip “Le pain du chateau”- “Buka e Kështjellës”
Makolli si krijues produktiv ka qenë mysafir edhe në shumë emisione Radio-televizive të Zvicrës dhe Francës.
Poashtu vargjet e tij i ka prezantuar edhe në panaire të ndryshme ndërkombëtare të librit.
Makolli është autor edhe i librave” Elégie d’automne “”Elegji vjeshte” botuar në frëngjisht më 2019,nga “Editions de l’Aire” Vevey – Zvicër.
E, njëjta shtëpi botuese në vitin 2022,duke e konsideruar z.Makolli,si autor serioz e me vlera i boton librin “ Deesses profanes”-“Hyjnesha të përdhosura”

Ky libër i përshtatur dhe adaptuar vitin që shkoi është botuar edhe në gjuhën shqipe, nga shtëpia botuese “Faik Konica”e Prishtinës.
Librit ia shumëfishon vlerën një vështrim i thukët kritik i shkruar nga doajeni i publicistikës dhe gazetarisë zvicerane Bertil Galland, autor i mbi 18 veprave dhe romaneve të cilësuara si perla të letërsisë bashkëkohore.
Makolli, këtë libër me temë rrënqethëse ua kushton mbi 20mijë grave dhe vajzave shqiptare të Kosovës, të dhunuara gjatë Luftë në Kosovë 1998-1999,nga grupe kriminelësh serbë të veshur me uniformën e policit dhe ushtarit.
Ky libër që flet për fatin tragjik të nënave dhe motrave tona është përzgjedhur në mesin e dhjetë librave më të mirë.
Shtjellimi me mjeshtri i temës ka bërë që libri të jetë në konkurrencë të ngushtë edhe për çmimin letrar ”Guillaume Apollanaire” që u dedikohet kryesisht krijueseve frankofonë.
Marie-Therese Boouchardy, poete dhe studiuese e historisë, kritikës dhe teorisë së letërsisë pas analizës së veprës së Makollit, në revistën “Revue Choisir” (Të zgjedhësh ) shkruan: “Dhunimin si aktin më të rëndë të shoqëruar me rrezik të zhbërjes së popullit të tij, poeti kosovar, Shemsi Makolli,i mërguar në Llozanë të Zvicrës, e klith me tërë fuqinë e neverisë së tij nëpërmjet këtyre vargjeve therëse”
“Këto poezi të gdhendura në shpirtin e poetit, sikur shfaqin vdekjen e një universi dhe nxjerrin nga heshtja baladën e njëzetmijë femrave të dhunuara”
“Me fuqinë e tyre duhet të shqetësojnë netët tona të qeta, që të mos i fshehim këto humnera tmerri të grave të dhunuara e të fëmijëve të lindur nga ato akte makabër”.
“Ato meritojnë të mos fshihet ky realitet i rëndë.”
Makolli,duke sensibilizuar opinionin ndërkombëtar me këtë vepër tejet prekëse dhe të ndjeshme, gjatë këtyre ditëve ka qenë i ftuar në emisionin mjaft të dëgjuar,,FORUM ‘’të autores së njohur zvicerane, Anne Fournier.
Artikullit për ata që janë njohës të gjuhës frënge në shtojcë po ia bashkëngjisim edhe nyjën ku lexuesit mund ta gjejnë të plotë intervistën e zotit Shemsi Makolli, dhënë zonjës Anne Fournier ,me rastin e ditës ndërkombëtare të të pagjeturve.

<iframe src=”https://www.rts.ch/play/embed/?urn=urn:rts:audio:14848133″ width=”650″ height=”400″ frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”fullscreen; geolocation *; autoplay; encrypted-media” name=”Journée nationale des disparus de la guerre du Kosovo: interview de Shemsi Makolli”></iframe>

Shpresojmë që Makolli me stilin e tij krijues krejt të veçantë nga të tjerët së shpejti do të na gëzojë edhe me ndonjë vepër tjetër.

ARIF EJUPI


Send this to a friend