VOAL

VOAL

Më 1 prill 1929 lindi Milan Kundera, një ndër shkrimtarët më të shquar bashkëkohorë

April 1, 2019
blank

Komentet

blank

Luljeta Lleshanaku dhe Marianna Kiyanowska laureate të çmimit “Poeti Evropian i Lirisë” 2022

 

Europejski Poeta Wolności bën me dije si më poshtë:

“Për miqtë dhe vëzhguesit tanë të huaj.

Jemi të lumtur t’ju informojmë se për herë të parë në historinë e çmimit të “Poetit evropian të lirisë”, juria ka vendosur të shpërblejë dy autorë:

Poetët evropianë të lirisë 2022 janë MARIANNA KIYANOWSKA (Ukrainë) me “Zërat e Babi Jar” dhe LULJETA LLESHANAKU (Albania) me “Ujë e karbon”.

Me të njëjtin çmim do të shpërblehen edhe përkthyesit e vëllimeve të përzgjedhura, ADAM POMORSKI dhe DOROTA HORODYSKA.

Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në Gdańsk më 10 qershor gjatë Festivalit Evropian të Poetit të Lirisë (9-11 qershor).

Gjatë takimit të mbajtur më 25 prill, anëtarët e jurisë vendosën njëzëri se ata “mendonin se si Kiyanovska ashtu edhe Lleshanaku dhanë dy arritje poetike ekuivalente, plotësuese dhe po aq të shkëlqyera”.

Juria për “Zërat e Babi Jar” të Marianna Kiyanovska përkthyer nga Adam Pomorski:

“Kjo është një këngë zie, ku Kiyanovska arrin maksimumin e shkëlqyer, duke ndërtuar histori të thjeshta të mbushura me përvoja individuale dhe të shënuara nga parandjenja e dënimit të pashmangshëm”.

Më shumë: https://europejskipoetawolnosci.pl/…/2022-marianna…/…

Juria për “Ujë dhe karbon” të Luljeta Lleshanakut përkthyer nga Dorota Horodyska:

“Uji dhe karbon është një kryevepër, e plotë dhe e fundme. Struktura e saktë dhe përdorimi i jashtëzakonshem i kursyer i fjalëve vetëm sa e shtojnë përshtypjen e përsosmërisë.”

Më shumë: https://europejskipoetawolnosci.pl/…/2022-luljeta…/…

Ne përgëzojmë poetët e vlerësuar dhe përkthyesit e tyre dhe mezi presim të takojmë finalistët në Gdańsk gjatë Festivalit.

Si e perceptojnë anëtarët e jurisë poezinë e fituesve të këtij viti?

Çfarë e bën atë kaq domethënës në sytë e tyre?

Ne i kemi pyetur menjëherë pas diskutimeve:

https://www.youtube.com/watch?v=C4UQu_iN7MI (video me titra në anglisht).
Mësoni më shumë rreth vendimit:

https://europejskipoetawolnosci.pl/marianna…/…

#EPW2022 #gdanskczyta

blank

Lirika maji – Cikël me poezi nga Përparim Hysi

 
1.Ata sy që më vështrojnë

Ah,ata sy që vështrojnë!
Si nga unë kërkojnë përgjigje
Në kohë tjetër seç më çojnë
Në një kohë,kur s’pyes për ligje.
Bëhem gati të përgjigjem
Pse ata sy më vështrojnë?
Porse ti më lë veç “hijen”
Dhe më shumë më turbullon.

 

Mos t’u duka si i “egër”
Që më ike si një “hije”
Jam i “butë” si askush tjetër
Dhe si unë,s’do gjesh, moj mike.
2. Pse u fshehe?

U fshehe si një zok në ferrë
Sa u pamë ballas të dy.
Sikur,papritur, të mori një erë
Jo.Nuk qe erë, por “stuhi”.

Prita që “zogu” nga ferra të dalë;

Prita që era-stuhi  të pushoi.
U shfaqëm tash ballë për ballë
S’kishim ç’të thoshim me gojë.
 

Fjalët, befas, u dukën të tepërta
Ç’kishim,sikur e thamë me sy
Të kujtoj, moj e Paemra!
Dhe çastin kur u puthëm të dy.
 

3. Moment

 

Gjoksi yt si vullkan në shpërthim
Magma gati që të dalë
Po unë nuk”trembem”,mbi”vullkan” synë
Dua të digjem nga ky”shpërthim”,i gjallë.
 
4. Të fshehur në shpirt kam diçka
 
Të fshehur kam në shpirt diçka
E ruaj atë si të jetë thesar
Që e ruaj, kam shkaqe të mëdha
Besomëni,se jam i moshuar.
Dhe kjo”e fshehur”,zë më dhëmb
Siç dhëmb një plagë e vjetër
Këtë plagë sikur ma shpon një gjëmb
Për të treguar, një herë tjetër.

Në ndodhtë që,papritur,ika
Kuriozët mos bëhen  alarmant
Një gjë ju siguroj: të fshehurën nuk e shpika
Dhe  e marr me vete si garant.

 

5. Ah, ajo dekolteja e hapur !

Ah,ajo dekolteja e hapur,
Kur dy gjinjtë duken cullakë
Sado që jam flokëzbardhur
Dua që t’i thithë si fëmijë nga pak.

I thithë dhe pi sa “dehem”
Se “rakia që piva”,qe sarhoshe;
Sulmoj më tutje,sa shkrehem e “velem”
Dhe tulatem,aty në një”qoshe”.

 

6. Ndodh ndonjëherë…

 

Siç dridhet flaka e zjarrit nga era
Dridhem dhe unë para bukurisë
Këtë lloj dridhje ma shton pranvera
Dhe sikur kthehet koha e djalërisë
Bukuria bën “paradë” para syve
Dhe mua më shkakton të dridhura
Lirohet mendja prej”burgjive”
E humb pusullën prej bukurive.

Se të bukurat në maj dalin “lisho”
Dhe unë,ende sytë i kam në ballë.
Sado,në këtë moshë, nuk u bëj dot”iso”
Nepsin e kam si një djalë.

 
7. TI  dhe UNË
 
Ti buzëqesh me dykuptim
Mua më shkojnë mornica
Pse kështu, o shpirti im?
Folëm troç,Sllavica!
Trupi yt zu dhe dridhet
Sikur të zunë ethe
Zemra ime zë e hidhet
Sikur s’jam në vete.

Pastaj,tak një buzëqeshje
Si një  relaksim
Unë e marrë si një marrëveshje
Si thuaj,shpirti im?

Sytë tash sikur perëndojnë
Si me dykuptim
Ata sy seç më ftojnë
Të shkojmë në vidhimë.

 

8.PUTHJET

Puthjet me një femër,i dua të nxehta
Dhe dua që puthjet të jenë reciproke
Nga unë gjithmonë e pastër ka qenë ndjenja
Dhe as që ka vend për ekuivoke.

 

Kurrë nuk kam dhënë një puthje të”shtirë”
Unë  puthjen me një femër nuk e ndërroj me asgjë
Do ta quaja veten si njeriun më të ndyrë
Të puth fare kot:kurrë.Me asnjë!
 

9. Miturake

Një push i butë mbi lëkurë
Ca “sythe”  sikur lulëzojnë nga pak
Më duket mua sikur
Sythet sikur po çelin si zambak.

Sytë tani sikur kanë tjetër dritë
Sythet çelin të plota
Po rritesh dhe po bëhesh si shpirt
Miturake! Je sa bota!

Tani je si zambake ujë
Nga ata që rrinë gjithmonë çelur
Unë të vështroj dhe bëhem pak rrëmujë
Aq e humbas,sa mendjen s’e kam mbledhur.

 

10. Pa titull

Një fllad i ëmbël,nuk di se nga erdhi
Dhe hyri vrullshëm drejt e në mushkëri
Kur mbi buzët e mia gjithë mallin e derdhi
Është zemra që u drodh tani,

Desha që këtyre buzëve t’u ktheja restin
Por mos kujtoni se qe aq kollaj
Ky fllad i ëmbël vuri “domenin”
Dhe u shkoqëm si thërrime,pastaj…

 
                                      Tiraë, 22 maj 2022
blank

KUR JAM I MËRZITUR – Poezi nga THANI NAQO

 
 
S’kam kurreshtje për ngjarje tragjike,
Përgjoj xhezven gjersa mer valë.
Komshiet sot s’më duken erotike,
As pulpat e palmave përballë.
 
Mendjen ma thëthin vëndlindja,
Gjurmoj emra të tejshme.
Kapërdij me kafe lajmet e këqia,
Ndërlikoj bisedën me vitet e hershme.
 
Po pres të vijnë prej së largëti,
Dallgët e thinjura të prehen mbi breg.
Pastaj, me to, të kthehem prapthi,
Atje, ku dheu është i leht’…
blank

Pjetër Bogdani, personalitet i shquar i historisë e kulturës sonë kombëtare – Nga Prof.Asoc.Dr. Muhamet Bela

Pjetër Bogdani është një personalitet i shquar i historisë e kulturës sonë kombëtare. Me veprën dhe veprimtarinë e tij të shumëanshme, kontributin e çmuar në letërsinë e vjetër shqipe, pjesëmarrjen në lëvizjen kundër pushtuesit otoman, erudicionin brilant për shoqërinë, natyrën, mitologjinë, historinë, teologjinë, zotërimin e disa gjuhëve të huaja si; latinisht, italisht, greqishten e vjetër, hebraisht, arabisht, armenisht etj., ai u bë një nga mendimtarët poliedrikë që shkëlqeu në kohën e tij dhe vijoji të mbetet i tillë dhe për gjeneratat pasardhëse. Për të kanë shkruar historianë, linguistë, shkrimtarë, etnografë, ndër të cilët mund të përmendim: AT Shtjefën Gjeçovin, Eqrem Çabejn, Faik Konicën, Dhimitër Shuteriqin, Gaetano Petrottën, Odette Marquet, Injac Zamputin, Ibrahim Rugovën, SabriHamitin, Martin Camajn, Aurel Plasarin, Kristo  Frashërin, Mahir Domin, Ëngjëll Sedajn, Anila Omarin, Moikom Zeqon, Shefqet Hoxhën, Nexhat Çoçajn, Bedri Muhadrin, Mark Palnikajn dhe vitet e fundit, studjuesin e zellshëm hasjan Muhamet Dautin etj.

blank

(Përmendorja e Pjetër Bogdanit, e përuruar në Krumë, më 28 prill 2022, (ideuar nga skulptori i njohur Prof.Dr. Artan Peqini. Sponsorizuar nga biznesmeni Kadri Morina, në bashkëpunim me Bashkinë Krumë)

Në mënyrë të përmbledhur, mund të paraqesim jetëshkrimin e kësaj figure tejet mbresëlënëse. Pjetër Bogdani lindi më 1625, në Gur të Hasit. Fillimisht u shkollua në Ciprovac (Bullgari), pastaj vijoi Kolegjin e Loretos për studime teologjike e filozofike, të cilin e kreu me sukses. Më 1651 ishte meshtar në Pult të Malësisë së Dukagjinit, Shkodër, e vijuar në fshatrat e Prizrenit. Në vitin 1656 shkon në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike e filozofike në Kolegjin e Propagandës Fide, të cilat i kryen shkëlqyeshëm, gjë që shprehet dhe me mbrojtjen e doktoraturës, qoftë për teologji, ashtu dhe për filozofi. Për 21 vjet rrjesht, (1656-1677), ushtron detyrën e Ipeshkëvit të Shkodrës dhe administratorit të Tivarit. Në 12 vjetët e fundit të jetës së tij, ishte Kryepeshkop i Shkupit, në vend të Andrea Bogdanit, xhaxhait të tij.

Në vitin 1665 i parashtron për botim Kongregatës së Vatikanit, Propagadës Fide, veprën “Çeta e Profetëve”, e cila i rekomandon të përkthejë këtë vepër edhe në italisht.

Pjetër Bogdani për veprimtarinë e tij antiosmane përndiqej vazhdimisht nga turqit. Ndër të tjera, mund të përmendim rastin kur ishte në kishën e tij në Shkodër dhe 1656 burgoset nga Biri i Pashës, njëkohësisht i ndalohet letërkëmbimi me Italinë. (Odette Maquet, Pjetër Bogdani, Letra dhe Dokumente, nga Arkivi i Kongregatës “de Propoganda Fide” si dhe nga Arkivat Sekrete të Vatikanit, Shkodër 1997,f.66). Në pasqyrimin e gjendjes tejet të vështirë që kalonte vendi, në një nga letrat e tij, më 20.X.1658, “Bogdani uron që një ditë të lind një prijës i mirë, me vepra dhe me ndjenja sikur Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Odette Marquet, vep.cit…f.83). Si rezultat i kësaj përndjekje detyrohet të strehohej në male dhe larg vendit të tij, si në Ciprovac e Dubrovnik. Në një nga këto lëvizje  humbet librin e Gramatikës latinisht-shqip, që ishte përgatitur nga xhaxhai Andrea Bogdani, të cilit i ishte shumë mirënjohës. Në vitin 1685 shkon në Venedik e Padovë, ku merr me vete dorëshkrimin e përgatitur për botim, i cili botohet në fund të 1685 në Padova.

Më 14 dhjetor 1685, Ipeshkvi i Padovës, kardinali Gregor Barbarito, përkrahës i Pjetër Bogdanit, i shkruante Kardinalit  Kibo: “….Mundimet që ka hequr Imzot Pjetër Bogdani, Arqipeshkv i Shkupit, janë rekomandim i gjallë në mbështetje të tij. Ai do t’i dërgonte SH.T. një libër që ka shtypur mbi jetëm e Jezu Krishtit në gjuhën shqipe dhe në italisht për edukimin e atyre popujve”. Njëkohësisht i kërkon ndihmë për kthimin e Pjetër Bogdanit në selinë e tij.

Më 15 dhjetor 1685, Pjetër Bogdani i shkruan nga Venecia Atit të Shenjtë:”……Iu paraqes me përulje një libër të hartuar nga unë në shqip dhe në italisht:kam arritur ta shtyp me shpenzimet e mia në këtë kohë përndjekje prej turqve që më ka mbajtur larg nga kisha ime, ku jam i vendosur në shpirt që të kthehem vetë…”.

Çeta e profetëve” e Pjetër Bogdanit do jetë një margaritar i kulturës sonë kombëtare, që nga stili, vlerat gjuhësore, përbajtësore e historike, siç theksojnë studjuesit e Bogdanit, është vepër fundamentale, sidomos për shek.XVII-XVIII. Në këtë vepër shprehet dashuria e pakufishme e Bogdanit për popullin shqiptar, trojet tona historike. Që në parathënie të veprës e cilëson atë “..një qirij ndezurë ndarë, për të ndrittunë atë të vobekk dhée të Arbënit”.( P.Bogdani, “Cuneus prophetarum”bot.1685,f.4.).

 Njëkohësisht kuptohen qartë motivet e shkrimit të kësaj vepre, ngase “…po dergjet atdheu në robëri të errët, i verbuar me dy palë mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati dhe mosdija”. Në letrën “lexuesit të nderuar” thekson “Nuk shkrova për lavdin tim, por për dobi të shenjtës fe”.

Pikësëpari kjo vepër spikat për vlerat e saj  me rreth 400 faqe të shkruara në gjuhën shqipe. Dijen  dhe gjuhën shqipe i shikon Bogdani si mjetin kryesor kundër të këqijave të kohës. “E madhe dobi e fryjt anshtë, shkruan Ai, pra me ndrequnë këtë shkallë të urtisë e me shkruem bukurë ………….të mos lënë dijen e giuhën e dheut me u dvarunë, pasi lëfton gjithë dheu e shekulli për të vet”, (Mahir Domi, Pjetër Bogdani dhe letërsia e vjetër shqipe, “Pjetër Bogdani dhe veprat e tij”, Tiranë 1991, f.118.).. Ai thekson: “….. më është dashur mjaft mund për të ndrequr shumë fjalë …….”.

Në aspektin teologjik, sipas Dhjatës së Vjetër, kjo vepër flet për jetën e profetëve izraelitë, ndërsa sipas Djatës së Re flet për jetën e Jezu Krishtit. Veçanërisht në pjesën e parë ka probleme të ndryshme dhe diturore, ndër të cilat mund të veçojmë filozofinë mesjetare të krishterë, ku nuk mungojnë dhe elementë të humanizmit etj. Pjetër Bogdani ishte një njohës shumë i zoti i letërsisë teologjike, por dhe asaj klasike greke e romake. Ka përkthyer pjesë nga vepra e Homerit, Virgjilit etj… Ai ka shtjelluar dhe aspekte të ndryshme që lidhen me gjeografinë, mateamtikën etj.

Pjetër Bogdani është ndalur dhe në koncepte morale. Zoti, sipas tij, krijoi vetëm gjëra të bukura. ….. E bukura  dhe e ndershmja, moralja, shkojnë ose duhet të shkojnë bashkë:”Drini e Buna kur dalënë jashtë brigjeshit së tyne e rrjedhinë ndëpër bërrakë të Hasit e Zadrimës, ndo Sitnica, e si Vardari ndëpër Shkupit e ndëpër Kosovë, gjithëherë ecinë e janë më të turbullta, tuj bajtunë me vehëte plehë e baltë, se kur ecin amësë vet”, shkruan ai.

Me interes të veçantë janë sidomos poezitë e tij origjinale në gjuhën shqipe “Cikli i Sibilave”. Sibilat njihen si profetesha të lashtësisë, që pasqyrojnë profecitë e vajzave pagane, që njihen si parathënëse të ardhjes së Krishtit dhe çlirimin prej mëkateve. Sibila-Fjalë për fjalë përkthehen si shprehëse e vullnetit të zotit. Janë 10 sibila, e secila prej tyre ka një emër. Mund të përmendim Sibilën e Cumaene-s, Delfikën, Eritrean, Persianen, të Libisë etj… Pjetër Bogdani i jep emrave të sibilave emra të trojeve arbërore. Ndër ta spikat  figura e Sibilës Delfika, të cilën Bogdani e emërton Hasiania (pra nga Hasi, vendlindja e tij). Hasiana mban në duar një libër të hapur, sfondi së cilës paraqet peisazhin e Hasit. Ai emërton edhe sibila të tjera si: Sibila Scodrensis (e Shkodrës), Sibila e Shkupit, e Prizrenit, Sibila e Lezhës, Sibila e Zadrimës, Sibila e Kosovës etj.

Për Ciklin e Sibilave të Pjetër Bogdanit, personalitete  të shquara të letrave shqipe kanë theksuar se “….. mund të hyjë tek ciklet më të mëdha poetike të krejt poezisë evropiane baroke të shek.XVII “

Akademiku, Profesor Eqrem Çabej, e vlerëson si një stilist të rrallë, i cili arriti nivelin e lartë të përsosshmërisë gjuhësore dhe artistike.

Studjuesi i Bogdanit, Presidenti Ibrahim Rugova, shkruan:”Kjo vepër, thënë metaforisht, ashtu si e thotë Bogdani për parimin e tij filozofik Zotin, është një krua i gjallë, ku mendja dhe shpirti ynë do të gjejë kënaqësi dhe shqetësim intelektual ku shumëkush mund të marrë ujë, e s’do të shterret lehtë ( I.Rugova, Vepra e Bogdanit, 1625-1689, Prishtinë,1982).

Profesor Sabri Hamiti ka theksuar:”Pjetër Bogdani në shkrimin kanonik katolik, te vepra Cuneus Prophetaraum (Çeta e Profetëve), provon e jep argumenta të burimeve kishtare, filozofike e poetike. Referencat poetike i merr nga letërsia antike greke (Homeri), e latine (Virgjili), kurse referencat filozofike të filozofit antik (Aristoteli), e të filozofit të krishterë (Augustini). Kjo provë dhe argumentimi i shkrimit të parë kanonik katolik në shqip vë në veprim të plotë autorin (Bogdanin), si njohës i botës dhe prodhues i tekstit autorial të tri niveleve: doktrinar, njohës, poetik..” (Sabri Hamiti, Testamenti,Prishtinë 2018,f.17).

Studjuesi i mirënjohur, i ndjeri Profesor Moikom Zeqo, ka theksuar:”Pjetër Bogdani nuk është vetëm një kryemjeshtër mrekullibërës i gjuhës shqipe, por mesa duket ai është dhe ka mbetur teologu më i madh i krishterë në gjuhën shqipe, që reflekton një humanizëm të pashoq në letrat evropiane, si dhe një nga poetët e përndritur të poezisë  së stilit barok në Shqipëri dhe në Evropë, në shek.XVII” (M.Zeqo-ese, Pjetër Bogdani,bota ndryshe, Voal, 11 prill 2016).

Në dhjetor të vitit 1994 kam mbajtur një kumtesë “Koha e Bogdani”, në të cilën jam ndalur në veçanti për rolin e Bogdanit në lëvizjen kundër pushtimit otoman, bashkëpunimin me ushtrinë austriake e gjeneralin e saj Pikolomini. Në relacionin e 24 marsit të vitit 1684, drejtuar Kongregacionit, Bogdani përshkruan gjendjen politike dhe ushtarake të vendit dhe nënvizon si duhet çliruar nga skllavëria e sulltanit. Pjetër Bogdani largohet në male. Ka meritë se punoi shumë duke ofruar banorët myslimanë e katolikë bashkë kundër osmanëve pushtues. Historiani çek F.Vagner shkruan se patriarku i Kelmendit kishte lidhur marrëveshje me gjeneral Pikolominin, që shqiptarërt kryengritës të luftonin bashkë me forcat austriake kundër pushtuesve osmanë. Nipi i Pjetër Bogdanit, Gjon Bogdani, në letrën drejtuar Kongregacionit thekson takimin e Pjetër Bogdanit me Piccolominin dhe forcat mbështetëse. Kronisti anonim austriak i kësaj kohe thotë se Pjetër Bogdani në takimin me Pikolominin kishte me vete 6000 mijë luftëtarë myslimanë e të krishterë. Piccolomini vdes në Prizren nga mortaja, ndërsa Pjetër Bogdani kthehet në Prishtinë dhe mbyll sytë më 6 dhjetor 1689, po nga kjo sëmundje.

Në parathënien e veprës së tij “të primittë përpara lettrarit”, Pjetër Bogdani ka shkruar:” …tue kjanë unë prej Gurit ndë Hast, Sanxhakijet të Dukagjinit, Dioqezit të Prezerendit….”, duke saktësuar vendlindjen e tij. Krahas të tjerave, për këtë në vjershën disa strofëshe “Pjetër Bogdanit, Arshipekshv i Shkupit, kushëririt tim të dashtun.” Lukë Bogdani,, në strofën e parë thekson: “Duel Gurit bukuria, zana si një sutë (drenushë) e naltë, qi s’kish brenda Veneqia, si Pashtriku muem maltë”.  Disa nga studjuesit e veprës së Bogdanit kanë bërë përpjekje për saktësimin e këtij fshati ku u lind Bogdani, duke shprehur mendimet e tyre, mbi bazën e burimeve historike, etnografike etj., për Hasin nga shek.XIV deri në shek.XVII. Një optikë e përbashkët i bashkon këta studiues që analizojnë Hasin e Rrafshit, Hasin e Brinjës dhe Hasin e Gurit, që përfshihen të gjitha në krahinën etnografike të Hasit.

Nga studimet tona arkeologjike dhe historike rezulton se Pjetër Bogdani ashtu si paraardhësit, kohenikët e tij dhe pasardhësit nuk u lindën në një truall të zbrazët. Ai është vijimtar i korifejtë të mendimit e veprimit në fushën e letërsisë e historisë shqiptare, siç ishin Buzuku, Barleti, Budi, Matranga, Bardhi, duke ngritur në një cilësi shumë më të lartë arritjet falë gjithçka që bëri ai për dheun e Arbërit.

Pamëdyshje mund të themi se trashëgimia jonë historike, kulturore në shekuj e mijëvjeçarë, ka shërbyer si bazament i fuqishëm i lindjes dhe formësimit të këtyre personaliteteve të shquara të kombit tonë.

Në vitet 80-të të shekullit të kaluar, nisur dhe nga pasuria e trashëgimisë kulturore të Hasit, etj., si arkeolog, bashkë me kolegun Prof.Dr.Luan Përzhitën, sot Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, si dhe skicografin Bislim Nerguti, kryem rigonicion në këtë trevë dhe gërmime  arkeologjike në disa qendra pranë Pashtrikut. Ndër ta do veçoja Vendbanimin shpellor të Dajçit, ku për herë të parë, në Hasin e Republikës së Shqipërisë, zbulohet epoka e eneolitit (bakrit), si dhe u zbuluan periudhat e bronzit të hershëm, fundit të bronzit dhe fillimit të hekurit, si dhe periudhat antike e mesjetare. Po kështu kryem gërmime sistematike në vendbanimin prehistorik të Pusit të Thatë, Tumat e Mujajve, të Bjeshkës së Krumës, Tumat e Myç-Hasit, (mjafton të përmendim këtu faktin se në këto tuma të fundit u zbuluan rreth 100 armë ilire prej hekuri të asaj kohe, maja heshtash e shigjetash, që tregojnë, ndërmejet të tjerash, pasuritë metalifere të kësaj treve rrëzë Pashtrikut. Njëkohësisht realizuam rigonicione në vendbanimet mesjetare të fortifikuara në Gjinaj, si dhe në “Shpellën e Qytezës”, vendbanimin e fortifikuar të “Majës së Murit “, që i përkasin Hasit të Gurit. Gjatë këtyrë gërmimeve e studimeve jemi njohur edhe me toponime të ndryshme, siç janë në Kishaj-Lama e Bogdanit, Trojet e Bogdanëve, Sofra e Bogdanëve, Gurra e Bogdanit, apo mes  Cahanit e Kishajve “Guri i Bogdanit”.

Mbështetur në kulturën materiale e shpirtërore të zbuluar në vendbanime, shpellore, të hapura, të fortifikuara, nekropole tumulare, varreza antike e mesjetare në qendra të ndryshme të Hasit të Gurit, të Brinjës e të Rrafshit, e më gjerë, në tërë truallin ilir arbëror, dëshmohet vijimësia etnokulturore iliro-arbërore në këtë territor. Falë kësaj vijimësie ky truall ka nxjerrë figura të shdrritshme, siç është Pjetër Bogdani. E rëndësishme është se Bogdani i përket kombit shqiptar. Vepra e tij është e pashlyer. Ai mbetet  një titan i historisë sonë kombëtare, është një njeri i lavdishëm, që secili prej nesh ka për të mësuar për veprën e kontributin e Pjetër Bogdanit.

blank

ALIU -Tregim nga Shkëlqim HAJNO

Ata ishin një grup djemsh. Gjithë energji dhe të dashuruar.
Takimet e tyre bëheshin çdo të shtunë në barin GAS të njohur në nje pjesë të madhe të kryeqytetit helen.
Ai që i shihte për herë të parë, mund të kuptonte lehtësisht se ishin pothuaj të një moshe. Djelmosha që I bashkonte përveçse mosha, edhe një gusto e përafërt, dashuria për muzikën dhe shumë episode nga puna e secilit që rrëfeheshin me humor dhe me zë më të lartë nga të tjerët në tavolinat përreth.
Aty, kalonin një pjesë të mirë të kohës me birra të ftohta dhe fistiqe para. Pastaj, do të shkonin drejt një buzuku të njohur ku e kalonin mesnatën.
***
Djaloshi me ngjyrë të errët të lëkurës dhe flokët kaçurels grica-grica dallohej menjëherë që ishte nga kontinenti i nxehtë afrikan. Ai hynte pothuaj në të njejtën orë në lokal. Në dorë mbante një shportë të vogël ndoshta prej shelgu, të mbushur plot me karafila.
E kish studjuar ‘tregun’.
Të dashuruarit i njihet sikurse ajo fallxhorja me ata që do t’u shohë fatin në një fall të vetëm. I shikonte ëmbël ‘klientët’ e tij djelmoshat pothuaj të një moshe që vinin cdo të shtunë në këtë bar pranë rrugës së madhe dhe u ofronte nga një karafil.
Ish miqësuar me ata qëkurse, një të shtunë të radhës . njeri prej tyre, tip atleti me veshje të modës së fundit në kryeqytetn grek, u ngrit në këmbë dhe iu afrua me një buzëqeshje sikur të njiheshin prej kohësh:
-Duam 20 karafila….Si e ke emrin?
-Ali
-Nga je?
-Bangladesh.
-Ali Bangladeshi?
-Ne. Enoite (Po.Vetkuptohet)….-pohoi djaloshi afrikan.
-Ali, afrou! Duam 20 copë karafila…Me sa i ke?
-Një karafil vetëm 1 euro….Xhaba….
Djemtë qeshën me të madhe. E shikonin dhe vinin bast mes tyre se sa vjeç mund të ishte Aliu. 18….20…15….mbi 20.? Ishte vështirë ta ‘lexoje’ nga ngjyra e lëkurës moshën e një afrikani. Kështu, kishin humbur disa herë bastet me një aziatik që kish hyrë dikur në “GAS’ dhe u ofroi të blinin ore dore teksa ata po pinin birra.
-Mirë Ali -i tha djaloshi me emrin Babi.-Duam 20 copë karafila ..xhaba…!
Të tjerët e grupit qeshën sërish me të madhe me fjalët e shokut të tyre .që quhej Harrallamb por që të gjithë i thërrisnin Babi.
I dha 2 dhjetëshe euro dhe shkoi gjithë humor tek grupi në tavolinën e madhe të lokalit në këndin kundruall banakut të madh.
Aliu buzëqeshi vesh më vesh,
Vuri dorën në zëmër dhe u përkul në shenjë nderimi për djemtë .
-Shumë faleminderit!. Jeni shumë, shumë të mirë!.
***
Të shtunën tjetër, po kështu . Rituali do të vazhdonte .
Aliu, pothuaj në një moshë me ata, ndiqnte me intuitë ‘axhendën’ e çunave që mesa duket, ishin në punëra të ndryshme por bëheshin bashkë një copë herë për të kaluar me alegri një kohë të bukur që e ndanin së bashku.
Merrnin karafilat edhe shkonin ndoshta në ndonjë buzuk për t’i hedhur te këngetari ose për t’ua dhuruar të dashurave të tyre.
Aliu i kishte ‘hetuar’dhe lexuar mirë fytyrat e tyre.
Nuk shikonte gjëkundi në sytë e tyre një grimë urrjejtje. Ndaj, sa hynte te lokali, me shportën e tij të famshme . dëgjonte shpesh zërat:
“Erdhi Aliu!…”
***
Por një ditë, djaloshi bangladeshas hyri në barin e preferuar GAS në orën e caktuar për të parë djemtë dhe syri i kapi vetëm njërin prej tyre.
Iu afrua si me drojtje dhe nisi ta kundrojë vëmendshmë.
Ai dukej qartë se po vuantë një brengë në shpirt. Nuk kishte pothuaj asnjë shenjë nga ai djaloshi I gëzueshëm që dallohej menjëherë nga grupi i tij.
Kishte një dramë dhe qëndronte i vetmuar në përhumbjen e tij. Pas pak, i trishtuar, e vuri re Aliun dhe i ngriti pak dorën në shenjë përshëndetje.
-Ali, sot nuk kam euro. Sot, jemi trokë!. Dhe…pa shoqëri.
Pas një grime kohe , si dikush që ka marrë një plagë dhe ka dhimbje të brendshme s’dihet se ku, i tha djaloshit me karafila:
-Ali, po juve në Bangladesh,… ju braktisin të dashurat ?…
-Më fal, po ju,…jeni shumë I trishtuar sot-tha Aliu.
-Asnjëherë nuk të kam parë kështu, këtu në bar…
I tha këto duke qëndruar në këmbë një hap para tavolinës së Babit. Pastaj e mbështeti shportën e vogël me karafila me të dyja duart pranë gjoksit .
-Po ka edhe më keq…Më keq, miku im…
-Babi…-I tha emrin e tij tjetri.
-Po. Faleminderit, zotni Babi ! Ka edhe më keq, miku im…Mua, m’u mbyt e dashura në det kur tentuam me varka gome të mbërrinim për në ishujt e Greqisë. Pesë vjet më parë. E doja shumë atë…E doja si dritën e syve edhe unë. Po Allahu e mori …
…Ishim rritur bashkë në një lagje. Ishim fqinjë. Ishte shumë e bukur. Ishte… si yjet , zotni Babi ! Qava shumë dhe shikoja nga bregu, dy ditë rresht. Natë e ditë, shikoja mos e nxirrte deti në rërën greke. Por më kot. Me fatin e zi, nuk vihet inat,…zotni Babi… As me Allahun…Nuk vihet inat. Ai na sjell në tokë….Ai ..vetëm Ai, e di se kur duhet të na marrë…pavarësisht nga lotët tanë,,,pavarësisht nga zemra jonë e plagosur dhe e dërmuar…..
Tjetri kish mbushur sytë me lot dhe thithte fort cigaren.
Aliu, e pa sërish në sy me dashamirësi.
-Nuk është kështu, zotni Babi? Mos e kam gabim? Kur bie në tokë dhe vret gjunjët, nuk duhet të ngrihem më?.Unë them, po…
Tjetri, krejt i përhumbur tha:
-Ndoshta….
Aliu i zgjati karafilat dhe shtoi :
-Nuk ka gje mik, ..Do të jap unë ca euro, se kam shitur mirë sot -Meri karafilat. Urdhëro!-dhe si ngaherë i numëroi plot 20 copë.
Tjetri u zu ngushtë.
-S’ka gjë mik, Kur t’i kesh. Ose, e di çfarë? Nuk i dua fare eurot!…Shoqëria juaj plot e plot herë blen karafila nga unë, këtu në barin GAS. JU faleminderit shumë!-dhe e nderoi me dorën në zemër, si gjithmnë kur merrte eurot, teksa buqetën me të kuqen e ndezuar të karafilave, e vendosi me kujdes në tavolinën e tjetrit sikur karafilat të ishin prej qelqi dhe do të thyheshin nga çasti në çast.
Babi, i bëri shenjë kamarierit.
-Kamarier, pyete cfar do të marrë Aliu. Ulu këtu në tavolinen time, Ali!….
Njeriu me ngjyrë hezitoi një grimë por tjetri këmbënguli sinqerisht:
-Ulu këtu të lutem, në tavolinën time! Mos ma prish se boll jam i trishtuar sot!
Aliu u ul ngadalë përballë tij ku i bëri me shenjë tjetri. Në fytyrë iu ravijëzua një buzëqeshje e lehtë.
-Ali, më thuaj ndonjë gjë. Si kalove sot? Si i ke nga shtepia? . Si e mësove kaq shpejt gjuhën tonë? Këtu, je vetëm apo me familjen? Sa kohe ke në Athinë?
Aliu në fillim u habit. Ishte I pari grek që e pyeste për gjera të tilla dhe aq më shumë, me një ton të tillë, gati miqësor. Kurrë më pare, askush nuk e kishte pyetur për gjëra të tilla.
Ai, nuk mund të priste asnjeherë pyetje dhe biseda të tilla. Kjo, nuk I kishte ndodhur asnjë ditë të vetme në vitet që jetonte në këtë qytet të madh dhe të civilizuar.
-Po si të them,-nisi Aliu.-Këtu në qytet kam 8 vjet, po në Greqi kemi 13 vjet. Në fillim, erdha unë me disa shokë dhe të dashurën që ma mori Zoti në det, siç të thashë…. Pastaj, thirra vëllain edhe prindërit pasi gjeta një vend ku futa kokën, u strehova. Tani, jetojmë të gjithë në Athine.-dhe heshti.
U mundua të jepte nga një përgjgie për të gjitha pyetjet që tjetri ia bëri më parë, duke u përpjekur që të mos harronte asnjë prej tyre.
-Gëzuar!-bëri djaloshi vendali.
-Gëzuar! -tha Aliu duke iu përgjigjur me gotën që tjetri ia bëri ‘brom’
-Vazhdo më trego më shumë për vete, or mik. Si të ecin gjërat…Qënkemi edhe një moshë dhe ti na u duke I vogël kur të pamë për herë të parë si shoqëri këtu në barin tonë të preferuar…
-Unë jam nga prefieritë e kryeqytetit tone Dhaka në Bangladesh -vijoi rrëfimin e tij Aliu. -. Familja e babait jetonte më parë në fshatrat e Rajshahit po babai im u zhvendos sapo u martua në Dhaka se aty gjeti një punë për të na mbajtur ne si familje.
Bëri një pauz.
Pa instiktivisht dy njerëz me uniformë policie që hyjnë në GAS por vijoi të tregonte për jetën e tij.
-Në fillim, kur nuk kishim kartërat, lëviznim shumë të kujdesshëm. Me frikë, lëviznim dhe bënim ndonjë punë të vogël. Ecnim shpesh si mbi mina. Se, nuk kishim dokumenta dhe ishim, .në ajër… Sa shihnim ndonjë polic, shmangeshim. Të gjitha punët i kemi bërë…Por, vetëm me djersë. Babai, kur ika atëhere, më tha:
-Të hash vetëm bukën e hallallit! Buka e pistë t’u bëftë
haram! C’të të thotë Aliu ty?…Kur bëhej ndonjë e keqe ose krim, edhe ne që nuk ishim përzier me të tilla gjëra, fshiheshim.
Ruhuni se gjithmonë, i njomi digjet bashkë me të thatin, na thoshte babai….Mund ta hanim kot dhe përfundonim në qeli. Jo. Unë duhet të bëja vetëm punë me bukë hallall. Ja ,si këta karafilat…
….Tani kemi një shtëpi të thjeshtë me qera. Gjysëm bodrum ,por për ne, është një vilë e vërtetë. Dalim, hyjmë si njerëz. Dalim si njerëz. Kalimera, këtu! Kalispera, aty…
Përvec ngjyrës që na dallon, të tjerat, jemi si gjithë të tjerët. Kemi edhe kartat e rregullta. Shkojmë në punët tona, shkojmë në supermarket,…Dalim nëpër rrugë si njerëz, si të gjithë njerëzit e tjerë. Nuk kemi frikë si dikur, sa herë kalon makina e policisë.
Por kaluan shumë vjet ama, sa të arrija në këtë stacion dhe,…. të ulem për herë të parë në jetën time me një qytetar vendali në një tavolinë dhe të bej muhabet.! Siç bëjmë sot….
Pastaj heshti, i menduar po edhe i gëzuar.
-E di një gjë ?
-Ç’farë?
-Kam tani avash-avash, 8 vjet që jetoj në Athinë dhe asnjëherë në jetën time nuk jam ulur si sot, të bisedoj për një orë të tërë me një të huaj vendali….
Prandaj jam I gëzuar. Prandaj ndjehem i lumtur! Dhe shumë I pasur në shpirt…Më i pasuri në botë! Vërtet! Dhe nuk di, si të ta shpreh këtë falënderim…..Dhe, do ta tregoj këtë gjë edhe në shtëpi!. Sa do të gëzohej edhe babai im po të jetonte.
‘Hallall’ !-do më thoshte.
-Hajde gëzuar, Ali! Hallall!–tha tjetri me gotën e birrrës në dorë dhe më një tjetër humor në fytyrën që i qeshte nga një lehtësim në shpirt.
***
Më vonë, në barin e njohur erdhën një nga një shokët e Babit, duke përshëndetur Ali Bangladeshin dhe duke marrë nga një karafil me bisht të gjatë mbi tavolinë…
Aliu u ngrit ngadalë i lumturuar dhe pasi I përshëndeti, u nis të largohej nga lokali.
– Eurot Ali,!-i tha Harallambi.
-Jemi në rregull-ia priti Aliu.-Sot pagova unë-dhe u largua duke ua bërë miqësisht me dorën në zemër djelmoshave që nisën të uleshin përreth bashkëbiseduesit të tij.
Tek ecte atë mbrëmje rrugës kryesore, një ndjenjë gazmendi i trokiste si një flutur e madhe, brenda gjoksit.
Nga dritarja e autobuzit të linjës ku sapo hipi , syri i kapi disa turistë me valiçe që po dilnin nga porta e madhe e Hotel “KARAVEL”.
Disa I dalloi lehtësisht se ishin prej kontinentit të tij.
Të gjitha, vajza. Dhe, që të gjitha, i ngjanin me të dashurën e tij.///
blank

DRIDHJE E VONUAR- Tregim nga TAHIR BEZHANI

Besniku sapo ishte ulur në karrigen e dytë, rendi i tretë në sallën solemne ku do mbahej ora letrare. Të gjithë dashamirët e fjalës së shkruar nguteshin të zinin vendet sa më afër podiumit, ku do prezantoheshin ata që lexonin punimet e tyre. Lëvizjet e poetëve në sallë i ngjanin zhurmës së bletëve në koshere, kur ishin në vlugun e punës së tyre të stinës. Përshëndeteshin me njëri tjetrin, përqafoheshin, kishin ardhur nga disa vende të trojeve tona, dukeshin të përmalluar. Disa të tjerë përshëndeteshin me ngritje dore nga se mes tyre kishte distancë. Atmosfera dhe deponimi ishte i shkëlqyer, pritej koha e fillimit të orës letrare.
Nga dera e sallës hyri Ajo. Ishte veshur me elegancë. Çdo gjë shkëlqente në trupin e saj. Ecte si flutura mbi lule pranvere, e cila thithë nektarin pa lënduar asnjë lule. Sytë e saj shëtisnin të gjitha këndet e sallës .Flokët e gjatë, ngjyrë gështenjë, një këmishë e bardhë te fyti, bardhësi e njëjtë, vetullat e zeza si një reliev malor në pranverë, ata sy të zi e vezullues, natyrisht se tërhiqnin secilin që ishte aty. Por, disa ulnin kokën, si të pa “interesuar” për bukurinë e saj, shikonin tinëzisht Luljetën, e cila pas vetes linte aromën e këndshme të një parfumi karakteristik.
Ecte në drejtim të Besnikut, pa ditur se ishte aty, ulur në rendin e tretë. Nga larg u pa se buzët e saj të kuqe, kishin marrë pozicionin e buzëqeshjes, por askush nuk e dinte se kujt ia “falte” atë buzëqeshje. Ndonëse Besniku nuk ia ndante sytë që nga hyrja e saj brenda sallës, nuk i shkonte mendja se Ajo do ndalej afër ulëses së Besnikut dhe se do i drejtohej atij në emër. Sa më afër që i ofrohej , Besniku gjithnjë e më tepër ndiente rrëqethje në poret e trupit, fytyrës i lëvizte gjaku më shpejt dhe sytë mbeteshin të varur në atë portret të dikurshëm…
-Mirëdita Besnik,i foli Luljeta. Mirë se ke ardhur në këtë manifestim!
– Mirëdita dhe mirë se u kam gjetur!- i foli Besniku heshtur e besa edhe i skuqur, nga se nuk i kujtohej se ku e kishte takuar atë fytyrë aq madhështore e tërheqëse .
– Si je, si kalon, si e ke familjen?! Kam lexuar shumë për ju. Më vjen mirë, keni arritur suksese në krijimtari! Gëzohem që të takova, aq më shumë se nuk paska ndikuar fare koha dhe mynzyrat e saj në ty. Dukeni në pamje,si dikur. Uroj të jeni gjithmonë I tillë!.
Besniku vetëm dëgjonte me shumë kujdes fjalët që dilnin përmes asaj goje të mjaltosur, të cilat, vetëm sa ngrohnin deri në vlim pasionin e heshtur të Besnik Bregut. I kishin mbetur sytë duke shetitur në gjoksin e bardhë mu si ajo këmishë te fyti. Ishte si një det që të joshte përmbytje në valët e tij. Sytë e zi shponin thellësive të zemrës, qepallat si krih dallëndyshje, rrallë lëviznin. Kishin peshën e shkëmbit memec. E tëra ishte si një zanë mali që të zanon.
Besniku u ul në karrige si një gur bjeshke I rëndë. Moderatorja e programit të ores letrare, kërciti lehtë në foltore me tre gishtat e dorës së djathtë, si shenjë për fillimin e manifestimit letrar. Që në fillim ia dha fjalë nkryetarit të komunës, I cili me fjalë të zgjedhura, përshëndeti poetët nga disa vende te trojeve tona.Tani salla ishte e mbushur përplot poetë të ftuar nga shumë qytete . Leximi filloi. Kureshtja ishte në maksimum.
Besniku kishte ulur kokën I tretur në mendime. E ngriste vetëm kur dëgjonte duartrokitjet pas leximit të poetë ve. Ishte“humbur”dikah nëpër një kohë bukur të largët, duke gjurmuar, nëpër pjekje që të rikthente shiritin e kujtesës, për ta identifikuar atë zonjë me atë elegancë e bukuri ,e cila ia trazoi gjitha ndjesitë, anise mosha e kishte bërë të veten …
Befas u kujtua, bash atëherë kur kujtoi se nuk do ta dinte kurrë identitetin e saj.: “ E gjeta! E gjeta! Ajo ështëLulja, ajo Luljeta e spitalit…. Heee! Kohë, moj kohë virane, si i le gjurmët e ecjeve të secilit person në këtë si përfaqe toke? !”
Miku ulur afër Besniku sikur, u trand nga klithja e tij e papritur.
-Çfarë ke o Besnik, ç’katë ka humbur?
– Asgjë miku im, diçka mu soll në kokë tani papritur.
Pasi përceptoi mire figurën e saj me emrin Lule, e thërriste Luljeta, ktheu kokën instiktivisht prapa, ku ishte ulur ajo dhe përforcoi bindjen e sapo përceptuar.
Tani ai kishte hyrë në dhomën e mendime të atyre viteve të largëta. Mendonte se si e kishte njohur Luljeten koridoreve të atij spitali, asaj vere me vapë. I kujtoheshin momentet e para, pastaj ngacmimet fillestare, përqafimet vjedhurazi… Kaq mundësi veprimi kishte falë koha në ato rrethana jete, mbushur me plot sakrifica…
Në mbarim të atij manifestimi letrar, Besniku ia dhuroi Luljetës tre libra me autograf, në shenjë kujtimi. Koha shpalos fletët e jetës, përkund gëzimet dhe hidhërimet deri në vdekje.Jeta kalon si uji nën urë. Valët e saj përplasin fatet e njerëzve në mënyra të paditura. Mes Besnikut e Luljetës ishte mbjellë herët një arë me dashuri, atëherë kur zjarri ndizej vetëm me shikime. Gacat e asaj dashurie nuk kishte ngricëqë mund ti fikë, ato rrinë të heshtura nën hirin e tyre dhe kurdo që I prek syri, dora apo mendja, pak digjesh, pak përvlohesh, ose rreshkësh në tëra stinët e moshës.
Besniku tani vuan nga dridhje e vonuar e dashurisë së shkuar, mbetur si një gjethe e patharë në herbarin e zemrës….
Gjakovë, 2022
.
blank

BILETA E UDHËTIMIT – Poezi nga Skënder Karaçica

Porta e Poezisë

Marrin biletat për udhëtim
kalojnë dete,male e lumnjë

Vijnë me valigjën e kujtimeve

Marrin biletat për udhëtim
dhe shkojnë për të parë tokën

thinjat adresë e panjohur

Marin biletat për udhëtim
për të takuar udhët e fëmijërisë

janë vonuar dhe të panjohur

Marrin biletat për udhëtim
udhët e gjata të mërgimtarit

shkojnë me ëndrrat e luleve

Marrin biletat për udhëtim
mërgimtarët me thinjat e botës

athua mos janë të harruar

Marrin biletat për udhëtim
valixhja është adresa e tyre

Takimet me dritarët e atdheut

Marrin biletat për udhëtim
mos të harrohen nga zogjtë

Sa të thinjur vijnë në vendlindje

Çikago,22 maj 2022

blank

HEROJTE NGA TË MBIJETUARIT E SPAÇIT KEMI MES NESH- Nga Eduard M. Dilo

 

(Kushtuar Martirëve të atij burgu ferr, pjestarë që për fat kanë mbijetuar e janë dëshmimtarë midis nesh, të cilët duke mos perfillur vdekjen u përleshën me dhembë , të gjakosur, të leckosur, fare të pa ngrënë, por me shprese vetem tek Liria.

Ata Heronj të vërtetë dolën mbi diktaturën dhe në ato vite i dhanë një drithëtimë të fortë asaj makine terroriste-vdektare)!

NË SPAÇ

Etja për jetë ,
Si etja për ujë që buzët plasarit
Më e madhe etja për Liri
Në atë grykë mali
Në ato shkrepa pa diell,
Në ata kafaze vetëm hekur
e pllanga gjaku
Me emrin e tmerrshëm qeli.
Në minieren plot tym, pasiguri,
Punojmë të skeletosur,
minerali që nxjerrim erën e gjakut tonë merr
preke me dorë:
Rënkimet tona do të dëgjoshë në të
Janë vuajtje, kaluar jetës mesjetare:
të drobitur, leckocusur, pa buke,
ujë , ajrosje.., pa asgjë .
Aty rrëzë malit, në luginen pa diell
Shokët u zhdukën një nga një
Rënkojne varret pa emër
Mbushur plot eshtra Shqiptari
Rënkimi ndihet kudo…
Ah ç’do do të thotë rënkim varri…

Çfarë paradoks!
Burgu i tmerrshëm i Spaçit që duhet të jetë dëshmi e asaj diktature, sot është i dëmtuar!

TE MBIJETUARVE TE SPAÇIT

Ju ini ata që mbijetuat
Nga ajo kasapane
Me emer “lumturi”
Ju ini ata që mbartni
Ato shenja -plot dhimbje
Të një jete skllavëri.

Ne duart tuaja
Gjurmë kanë lënë prangat
Telat me gjemba gjithashtu
Në zemrat tuaja tejet të dërmuara
Ësht’ dhimbja për shokët aty.
Dhimbja për ata që s’u dihen varret
Dhimmbja për rinine mbyllur në kafaz
Per kohën që erresira ju mbiu në sy.

Ju ini ata që sfiduat kohën,
Ju ini ata që mbijetuat nga ai ferr,
Ju ini ata Heroj kombëtarë
Që u ngritet e jetoni nga i pafundmi tmerr.

blank

Mbi një shekull – Poezi nga Neki Lulaj

Të kërkuam ty

Nëpër dregëzat e erës

Nëpër katet në shkrepëtimë qielli.

Nëpër dhomat e reve

Nëpër shtresat e motit kah dielli.

.

Të kërkuam nëpër livadhet e shpirtit

Nëpër koret e tokës

Nëpër poret e dritës flakërimë

Nëpër ndërskëmbcat e territ

Në shtegun e pritës dhe  pabesisë.

.

Të kërkuam në bebëzat e gjyshit

Nëpër bulat e vesës

Nëpër petalët e luleve e gjëmbit

Nëpër rrënjët e gurit

Nëpër bjegëzat e shkëmbit

.

Të kërkuam në shallin rreth qafës

Nëpër damaret e gjakut

Nëpër flakën e barutit

Nëpër damarët e fjalës

Nëpër gjethet e pyllit me lisa.

 

Të kërkuam në diplomacinë e urtakut

Nëpër gurrat e krojeve,e besën e të parit

Nëpër pellgjet e hënës

Nëpër koridoret e diellit

Mbi valët e cunamit si ëndërr.

.

Të gjetëm në erën e  tymin e barutit

Po të gjetëm në Betimin e luftëtarit

Të heroizmi i deshmorit

Ty, e lumja, e çmuara Liri

Që të pamë në Dardani

Me si friksohëm varrit.

blank

Zarfi me poezi të poetit Visar Zhiti në Prishtinë – Nga Skënder Karaçica

Regjimi serb i Slobodan Millosheviq përmes projektit shfarosës deri në substancën kombëtare dhe në shkallë të gjenocidit,në vitet e `90 i pati mbyllur mjetëne informimit dhe fjalën e lajmit shqip në Kosovë,që,shqiptarët të mbesin në terrin informativ.Regjimi serb me yryshet antishqiptare kishte për qëllim,që,lajmin shqip të varrosë në errësirën pushtuese dhe,siç thoshte një gazetar  anglez(…),një popull i pa informuar mund të vdesë shpejt…!
 
Në këtë kohë të errësirës së lajmit shqip,në Prishtinë një grup intelektualësh kishin vendosur që të botojnë Revistën e pavarur të kohës ,,Fjala e Jonë,,që botohej dy herë në muaj.Në redaksinë e kësaj revisteje informative në gjuhën shqipe që,regjimi serb i kishte vënë vijat antishqiptare të ndalimit,të denigrimit,të përbuzjes  dhe të fyerjes në rrafshin kombëtar,mora detyrën e redaktorit në faqet e kulturës.
 
Revista e përdyjavshme ,,Fjala Jonë,,në Prishtinë nisi të dërgojë lajmin dhe të botojë tema të nduarnduarta politike të kohës së pushtimit serb si dhe ato të rrafsheve ekonomike,historike,gjuhësore,letrare dhe sportive…Në faqet e revsitës botoheshin temat aktuale të autorëve nga bota shkencore:dr.Hakif Bajrami,dr.Muhamet Pirraku,
Akad.Esad Stavileci,Mahmut Bakalli,Mr.Ukshin Hoti, dr.Ibrahim Gashi dhe shumë të tjerë.
 
Një ditë në tovolinën time si redaktor i kulturës,më vjen një zarfë dorë më dorë,që kishte kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar me gjemba dhe,posa e hapa aty ishin një tufë me poezi të poetit Visa Zhiti.Zamra mu bë mal dhe mezi prisja që ti botoja në këndin e peotëve të poezisë së sotme bashkëkohore.Për poetin Visar Zhiti kisha lexuar dhe isha në dijeni për kalvarin e jetës së poetit përmes orës kujdestare  të regjimit komunist dhe të jetës së tij brenda grillave të burgut politik në Shqipëri.
 
Posa i lexova tufëm me poezi,që kishin ardhur dorë më dorë dhe duke kaluar vargmalet shqiptare,në Prishtinë porosia poetike e poetit Visar Zhiti,erdhi me shpirtin e tij ashtu siç dijnë me e dashtë atdheun dhe kombin e vet poetët përmes artit poetik.Poetët e kanë thënë më të drejtë në kritikën letrare të përbotshme,janë ligjvënësit më të mirë të kohës…!Këtu,në rrafshin letrar poeti Visar Zhiti ishte më shumë se një klithmë para botës shqiptare dhe në trajtat në kërkim të lirsë së njeriut për bindjen  e tij të lirë në udhët e jetës…!
 
Posa doli nga shtypi Revista,,Fjala Jonë,në rubrikën e kulturës poeti Visar Zhiti në kohën më të rëndë sheksperiane të jeshë apo mos të jeshë,përmes artit të poezisë nisi mesazhin për shqiptrët dhe Kosovën se nuk ka kush që ua zë diellin e lirisë…!
 
Me poetin Visar Zhiti dhe zarfi me një tufë të poezive që erdhën nga Shqipëria në Prishtinë,ishte ditë gëzimi dhe përjetimi me trajtat poetike të artit të poezisë që di të krijojë drejtpeshimin e shpirtit kombëtar të shqiptarëve para orës së rëndë të historisë së Kosovës!
 
Zarfi me peozi të poetit Visar Zhiti,hyri me poetikën e tij në Kosovë dhe mbeti hise e tokës shqiptare me poezinë e tij që nis mesazhe për popullin e vet.Poetët janë metaforat e pavdekshme të kombit!
 
Çikago,16 maj 2022
blank

VËSHTRIM NDRYSHE ‘MILOSAOS’ SË DE RADËS – Esé nga MOIKOM ZEQO

De Rada i madh nisi ta shkruajë kryeveprën e tij të pavdekshme “Këngët e Milosaos” në vitin 1833. Tepër i ri, i hajthshëm dhe delikat, kurioz dhe kërkimtar, i pavendosur, i dyzuar, por dhe vizionar De Rada, i frymëzuar nga baladat e mahnitëshme arbëreshe ravizoi një roman poetik të hatashëm nga të gjithë pikëpamjet.

Ai nisi të shkruajë fragmente të veçanta në formën e një ditari vetiak, jo të përcaktuar për publikim. Duke dashur të thellohet në misteret e gjuhës arbëreshe, një variant gjuhësor i shqipes në epokën kastriotase para pushtimit otoman, ai zbuloi disa struktura arkaike të lashta të ngjashme me ato të kristaleve dhe gurëve të çmuar.

De Rada e ndjente, që gjuha arbëreshe qe shumë pranë katastrofës së zhdukjes së saj. Për shekuj të tërë kjo gjuhë kish mbijetuar falë dhe një lloj mbylljeje në vetvete, apo të një konservimi strukturor të brendshëm. Ky karakter ishullor i gjuhës arbëreshe nuk mund të qe përfundimisht i amëshuar. Komunitet arbëreshe e kishin gjuhën e tyre si gjuhë orale, kurse si gjuhë e shkruar ajo mund të  lartësohej në një etapë të re, me gjasa për të mbetur përfundimisht, duke zevëndësuar kështu konceptimin e amëshimshmërisë të paktën në formën tekstore.

De Rada u bë pishtarmbartës i gjuhës arbëreshe të shkruar, pra i arbërishtes si libër si një status i veçantë i mbamendjes kombëtare. Procesi i krijimit të “Milosaos” i ngjan një procesi endemik, më saktë biologjik. Më ka mbetur në mendje një shprehje e arbëreshit të ditur Domeniko Mauro, i cili e ka krahasuar stilin e De Radës “me mëngjesin e  vrapimit të një kali”.

Ky përcaktim i mrekullueshëm ka të bëjë jo vetëm më plotfuqishmërinë e natyrës rusojane, por sidomos me lëvizjen e një qënie të gjallë mes qiellit dhe tokës, një lëvizje e vetëtimtë e vizioneve të pafundme. “Milosao” u shkrua kur poeti qe 18 vjeç. Më 1936 “Këngët e Milosaos” përfshinin në botimin e librit 30 këngë (kangjela) dhe tre vjershëza (që De Rada i quan graxeta, ndoshta që këndoheshin nga gratë). Fillimisht De Rada e botoi romanin poetik me titullin “Poezi arbëreshe të shek XV”. Ai dëshëronte të mbetej anonim dhe krijimin e tij ta quante si një krijim të popullit.

Menjëherë u kuptua se ky libër qe kultivimi fin, i përsosur dhe i veçantë i një poeti shumë të madh, në një moshë shumë të re, siç qe De Rada. Ky libër do të bëhej kali i lavdisë dhe i famës së tij të pashtershme. Në botimin e parë të librit De Rada ve si epigraf vragjet e poetit grek Pindari: “Muzat, më ndihmuan mua – që me një varg të ri të shndritshëm – ta përshtat ritmin dorik”. Epigrafi jepet në greqishten klasike. Libri ka këtë kushtim: “Shkëlqesisë së Tij, Gjeneral Brigadier, Komendator, Zotit Dhimitër Leka, këto këngë, që të jenë dëshmi e lidhjeve shpirtërore me zakonet e lashta ndër njerëzit e shpërndarë të Epirit  (Shqipërisë)”.

Më 1847 “Milosao”botohet me titullin ”Poezi arbereshe”, janë 39 këngë të përfshira, shtohen dhe 5 vjershëza (graxeta). Botimi merr një arkitekturë të re, formën e ditarit, duke vënë në krye të çdo kënge ditën dhe muajin, vitin e ngjarjes. Në botimin e vitit 1873 përfshihen këngët e botimit të dytë me përjashtim së Këngës së XI, por ka dhe shtesa të disa këngëve të reja. Interesant është se në këtë botim është hequr epigrafi i Pindarit dhe janë vënë vargjet popullore : “Sytë e saj një mijë duka/Vetulla po aq/Vetë ajo gjithnjë jetë.”

Duket që është një dedikim dashuror, për vajzën e zemrës, reale, ose të imagjinuar.Në të gjithë historitë e letërsisë shqipe, në të gjitha botimet e “Milosaos” thuhet se Milosao qe dhespot i Shkodrës. Ky titull është bizantin i përdorur në Jug të Shqipërisë. Një të tillë e kanë përdorur fjala vjen Muzakajt.

Në botimet e famshme të Dhimitër Shuteriqit dhe Andrea Varfit, që kanë përshtatur “Milosaon” nuk hidhet dyshimi se gjoja Milosao qe dhespot i Shkodrës, qytetit më të madh të Veriut. Studiuesit mendojnë, se De Rada kishte për qëllim të tregonte një histori intime të strukturuar në Shkodrën e shek.XV. Kjo tezë është zotëruese në të gjitha librat e deradologëve. Këtë tezë nuk e ve në dyshim as deradologu i njohur Jup Kastrati. Kaq e vërtetë është kjo, sa që teza e mësipërme  është gati një tabu e historisë së letërsisë shqipe.

Duke i studjuar këto ditë me ngulm dhe kujdes të madh botimet e “Milosaos”, duke u bazuar në substancën letrare poetike të vetë veprës dua të bëj publikisht të njohur një tezë krejt të ndryshme, se “Milosao” nuk lidhet me qytetin e Shkodrës, por lidhet esencialisht me Himarën. Për ta vërtetuar këtë tezë unë natyrisht do të përdor argumente të llojit të brendshëm, argumente vetëtregues.

Kam përpara dy përshtatje të Milosaos në shqipen moderne letrare. Njëra e Dhimitër Shuteriqit dhe tjetra e Andrea  Varfit, të dy deradologë të ndjerë. Të dy dijetarët i kanë pajisur librat me shënime të hollësishme të karakterit shpjegues., por ë të dy nuk dyshojnë tek fakti se gjoja Milosao qe dhespot i Shkodrës.

Në të vërtetë De Rada shkruan formën Skutari. Kjo formë është identifikuar me shqipen Shkodra. Po a kemi të bëjmë vërtet me Shkodrën? Le ti referohemi poemës ciklike të”Milosaos.”  Kënga e I e “Milosaos” fillon me një metaforë të ripërtëritjes së natyrës, kur “jeta kish ndrruar lisat, kurse uji i ri kaltëronte në det, duke paralajmëruar ditë të reja. Që nga Tempa e lashtë, (Tempa është tempull në Thesali), vjen Lumbardha, njëlloj pëllumbi detar e Anakreontit dhe përplaset në qelqet e dritares së poetit. Kjo metaforë  tregon që një simbol i lashtë i poezisë, siç është Lumbardha e Anakreontit vjen në një mjedis buzë detit, mjedis që kurrsesi nuk mund të jetë ai i Shkodrës në Veri të Shqipërisë.

Tipografikisht ky mjedis detar, që është shtrat i poemës, është diku në Shqipërinë e Jugut. Nuk mundet kurrsesi që Lumbardha e Anakreontit të ngjitej në një mjedis të ndryshëm që nuk është detar.Arketipi kryesor mjedisor i poemës është deti. Ai del kudo gjithnjë pranë dhe jo larg. Në Këngën e I është simbolI i përtëritjes së jetës dhe gjithësisë, aq sa duket e mahnitëshme që edhe ujët e lashtë të detit mund të përtërihet me ujë të ri.Kënga e VII nis me këto vargje: “Përse të venë në det /mendimet zemra ime/zbardhuan anijet armike/vëzhguan, pastaj u fshehën./.Erdhi Dita e Arbërit!”

Evokohet kështu një ngjarje që lidhet jo vetëm me luftën në bregdet, por edhe me një betejë detare. Një betejë e tillë nuk mund të bëhet në Shkodër, sepse deti është larg nga Shkodra dhe Shkodra lidhet me detin ndërmjet Bunës dhe lumit Drin, që derdhet në Gjirin e Lezhës.

Në Këngën e VIII thuhet: “Ra bora përmbi det/Dhe mbi leshterikë/Dhe mbuloi krahët e shqiptëzës.” Është një panoramë e mrekullueshme, të tërheq vemendjen detaji, që flokët e borës mbulojnë dhe krahët e pulëbardhës, (shqitëzës).Në këngën X janë vargjet: “Kundrejt kodrave dhe detit/Buzëqeshi ditë e kaltër.” Në këngën XI thuhet: “Kundrejt detit të kaltër rrinte/Zonjë e madhe dhe vërente.” Në këngën XIV  shënohet: “Ajo detin kish ndër sy/Hijen e shtëpisë në zemër.” Në Këngën XV janë këto vargje: “Zemra jote e dhemshur/Le të hapet plot hare/Si anije plot me trima/Që nga mezi i detit shohin/Atdheun e dëshëruar.” Kënga XVIII nis me vargun krahasimtar: “Porsi një tallaz në det”. Në Këngën e XXIV janë vargjet: “Për së pari kur u zgjova/Nga Buzati hënëza/Mbi det po dritëron.”/ Në Këngën XXVI evidentohet thirrja: “Vëllezër hipni në anijet!” E famshme është dhe Kënga XXIX ku janë vargjet madhështore: “Bije po s’dua të fle/Mos ma mbyll ti derën/Të më fryjë era e detit.”/

Kaq shpesh përmendet deti në “Milosao” saqë nuk ka dyshim në mënyrë përfundimtare se mjedisi i poemës është në një vend bregdetar në Jug të Shqipërisë dhe kurrsesi Shkodra veriore. Mendoj se arketipi i detit përcakton gjithçka. Lind pyetja: nëse bëhet fjalë për një vend bregdetar, ku ndodhet ky vend dhe ç’përfaqëson?

Unë do të argumentoj se ky vend është Himara. Së pari poema i është dedikuar ushtarakut të famshëm Dhimitër Leka nga Himara. Pse pikërisht De Rada ia bëri atij këtë dedikim? Kjo është shumë e rëndësishme. Së dyti duke parë toponimet tek poema “Milosao” del qartë se këto toponime lidhen me Himarën.

Për hir të së vërtetës do të them se për herë të parë një ide të tillë e ka shprehur edhe poeti Sulejman Mato, që është nga Bregdeti, nga fshati Fterrë.  Miku im Mato e njeh nga afër toponiminë e Himarës, ai ka vëzhguar në terren dhe njeh mirë këngët popullore himariote. Është meritë e tij e padiskutuar që është marrë me toponimin Skutari. Skutari është marrë deri tani si formë italianizuese e emrit Shkodër. Në të vërtetë përballë fshatit Vuno të Himarës është një mal me emrin Skutara. Këtu ka patur shumë familje që kanë emigruar në Itali. Poshtë fshatit Vuno gjenden gjurmë të një vendbanimi më të vjetër që unë e kam parë me sytë e mi. Mato mendon që Skutari i De Radës nuk është gjë tjetër veçse Skutara e Vunoit në Himarë. Për mendimin tim kjo lidhet në mënyrë konkrete dhe substanciale me poemën “Milosao”. Skutara mund të shpjegohet si një emër i formuar nga fjala skutë, (gropë, qoshe).

Më e çuditshme është se emri Skutara ose Skutari lidhet edhe me emra njerëzish. Studiuesi arbëresh M.Belushi në një libër të tij me përmbledhje folklorike përmend zonjën arbëreshe Roza Skutara, e cila ka rrëfyer shumë nga baladat arbëreshe. Mundet që kjo zonjë të ketë qenë më origjinë nga Skutara e Himarës. Vendbanimi Skutara mund t’i nënshtrohet një gërmimi arkeologjik për të dhënë fakte të reja.  Por tek Milosao ekzistojnë dhe disa toponime të tjera shumë të rëndësishme. Në këtë poemë përmendet toponimi Stani i Marules. Mundet të përkthehet në shqip si “Lulja e detit”, kompozitë e përbërë nga fjala mare – det dhe lule. Pikërisht në Vuno të Himarës është dhe sot toponimi Gjilule, me kuptimin Lulja e gjirit, bëhet fjalë për një gji deti, gjë që krijon një raport identifikimi dhe toponimin e mësipërm Lulja e detit.

Tek Milosao përmendet festa e Shën Mërisë së Mesosporitës, kult ky i veçantë me origjinë bizantine. Ka shumë mundësi që kjo lidhet me kishën e Shën Mërisë në këtë zonë. Një gjë shumë e çuditëshme lidhet edhe me lumin e Vodhit, lumë, ku vdiq i vrarë në betejë Milosao në Këngën e Fundit. Vargu “Gjaku im tek lumi i Vodhit” në origjinal është modifikuar nga përshtatësit. Fjala vjen Andrea Varfi e formon padrejtësisht në formën Lumi i Obotit. Ky ndryshim arbitrar është i pashpjegueshëm. Origjinali e ka lumi i Vodhit, ose i Vodit. Realisht ekziston lumi Belovodi pranë Vunoit të Himarës. Ky është emër sllav, një kompozitë që do të thotë Uji i bardhë. Lumi i Vodit ka kuptimin lumi i Ujit (Voda do të thotë ujë). Dihet që një lumë i tillë nuk ekziston në Shkodër. Shkodra ka tri lumej: Kirin, Drinasën dhe Bunën. Asnjë nga këta lumenj nuk përmendet tek “Milosao”.

De Rada e njihte mirë Shqipërinë, madje e ka përmendur në shkrimet e tij edhe lumin Drin. Nëse do të ishte fjala për Shkodrën ai do të shkruante se Milosao vdiq buzë lumit Drin, por natyrisht jo në bregdet. Do të ishte shumë e lehtë për De Radën që të mos bënte asnjë gabim në përcaktimin e topografisë së poemës. Arketipi më përcaktues tek Milosao është fjala “katund”. Në të gjitha rastet vendlindja e Milosaos quhet katund dhe jo qytet. Ai përmend faktin që pas tërmetit “Skutari s’thuhet më katund”.

Edhe studiuesi Andrea Varfi e ka kapur këtë gjë, kur shkruan tek shënimet e tij se në poemë në origjinal është gjithmonë fjala katund. Por ju lutem shumë të gjithë atyre që lexojnë këtë shkrim si ka mundësi që De Rada të ngatërrojë konceptin e katundit me konceptin e qytetit? Shkodra është qytet nga më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit e Shqipërisë, madje ka qenë dhe kryeqyteti i Ilirisë së vjetër, i Gentit të madh. Shkodra ka një kështjellë madhështore, me përmasa të dukshme dhe në lartësi. Kurrsesi Shkodra nuk mund të quhet katund. Në shekullin XV Shkodra qe një kryeqendër me një numër të madh fshatrash siç del qartë nga rregjistrat e kadastrave turke por dhe venedikase.

Shkodra i kapërcen qartë, në mënyrë të pamohueshme kufijtë e një katundi. Por ka dhe fakte të tjera që e plotësojnë këtë arketip të mësipërm. Rina, e dashura e Milosaos quhet “e bija e Kallogresë”. Emri Kallogre është një emër tipik që përdoret në Shqipërinë e Jugut. Vetë Andrea Varfi, me origjinë nga Himara thotë se në Himarë emri Kallogre është shumë i shpeshtë si emër i përveçëm. Varfi përmend dhe një familje të madhe në Qiparo që mban si mbiemër emrin Kallogre, madje Varfi shton se emri Kallogre është i përhapur tek arbëreshët në Kalabri dhe Sicili.

Një fragment i “Milosaos” quhet “Vjershë e së bijës së Kallogresë së Skutarioteve”. Pra origjina e Rinës lidhet me banorët e Skutarës në Himarës. Një fakt tjetër është se në poemë përmendet një lojë fëmijësh që quhet “Loja me “rrolje”. Fjala rrolja ose rrola do të thotë rrotë, disk. Fëmijët e Himarës marrin rrota ose disqe prej guri dhe mundohen t’i hedhin sa më larg. Kjo lojë që përdoret në Himarë dhe më pas dhe tek arbëreshët nuk dokumentohet në qerthullin e Shkodrës.

Një arketip tjetër mbushamendës është se elementët e mjedisit si limonët, pulëbardhat, ullinjtë, janë tipikë për zonën e Shqipërisë së Jugut, pra dhe të Himarës, kur dihet që limonët dhe përgjithësisht agrumet nuk kanë lidhje tipike dhe endemike me mjedisin verior të Shkodrës me një klimë më të ndryshme. De Rada u ka vënë data ditësh, muajsh dhe vitesh secilës këngë. Kënga I e Milosaos mban datën 27 korrik 1435. Kënga e fundit mban datën 7 nëntor 1443. Po të vihet re me kujdes del qartë që historia e Shkodrës në këto vite lidhet me pushtetin venedikas që qe i plotfuqishëm deri në vitin 1478. Shkodra nuk qe asnjëherë nën sundimin e Gjergj Kastriot Skënderbeut në shekullin XV, kurse Himara ka qenë një zonë e lirë në këtë lak kohor, madje nuk iu nënshtrua turqve edhe pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Është absurde të mendosh se gjoja De Rada duke vendosur këtë kronologji nuk e paska ditur se qyteti i Shkodrës nuk ka qenë nën sundimin venedikas?

Një argument tjetër shumë i rëndësishëm lidhet me romanin tjetër poetik të De Radës të quajtur “Serafina Topia”. Shumë këngë të kësaj poeme ciklike shënohen që kanë ndodhur në Himarë. Himara përmendet shpesh. Por unë nuk po zgjatem sepse kjo do të përbënte subjektin e një shkrimi tjetër, të një tjetre kryevepre deradiane gjithashtu të lidhur me Himarën.

Kryevepra “Milosao” e De Radës qe jo vetëm një monument i shkëlqyer i letërsisë shqipe të romantizmit, por dhe një nga veprat më të shkëlqyera dhe të ndritura të letërsisë evropiane në shekullin XIX. Për këtë kryevepër shqiptare kanë shkruar me admirim Viktor Hygoi, Lamartini, Frederik Mistral etj. Fakti që subjekti i “Milosaos lidhet me Himarën ka një karakter llogjik të fortë. Nuk do të ishte pa vend dhe pa rëndësi që pikërisht mbi bregun e Himarës shqiptare të ngrihet monumenti prej bronzi i heroit Milosao, si figura më e bukur dhe më e çuditshme e letërsisë romantike të kombit tonë. Amen!

blank

AMANETI I SHKRIMTARIT KIN DUSHI – LIBRAT QË NUK I BOTOI

I burgosur në dy regjime, Kin Dushi është një nga prozatorët e parë shqiptarë, i mbuluar me harresë nga regjimi komunist. Ky vit është 20-vjetori i ndarjes së tij nga jeta. Autor i një sërë romanesh dhe shkrimesh gazetareske, shkrimtari që studioi Letërsi në Bashkimin Sovjetik sjell në librat e lënë pas një përshkrim të kohës ku jetoi….


“Ai u duk përsëri rrugëve të qytetit. Sytë e kureshtarëve e ndiqnin si me habi, atë fytyrë disi të njohur, por që tani u dukej pak më e hequr, e pak më e zbehtë; ata sy të zinj e të bukur, por tani të futur disi thellë në zgavra e që kishin nisur ndoshta të humbitnin bukurinë e gjallërinë e tyre të dikurshme. Vetëm trupi i kish mbetur gati ashtu, si edhe më parë, i gjatë dhe i drejtë…”
. Ky është përshkrimi që Kin Dushi, i bën personazhit të tij kryesor në romanin “Një emër në mes yjeve”, një rikthim që i ngjason shkrimtarit rrugëve të Shkodrës, pas burgut. Duket sikur shkrimtari ka parandier të ardhmen e tij. Romani u botua në vitin 1964 dhe u kritikua për “deheroizëm” dhe spontanitet e konceptim anarkik të luftës nacionalçlirimtare, në plenumin e 15-të të KQPPSH. Kim Dushi do të arrestohej 3 vjet më vonë, më 3 tetor 1967, dhe do të dënohet me 8 vjet burg politik, si “armik i popullit”. Të gjitha shkrimet e tij deri në atë kohë u hoqën nga qarkullimi. Ribotimi i këtij romani, duket sikur e shpie Kin Dushin në vendin e duhur. Pikërisht në atë komunikim aq të dëshiruar me lexuesin, të cilin ai e nisi që pas viteve 1940-të.

I lindur në Shkodër më 27 maj 1922, pas mbarimit të shkollës së mesme Normale të Elbasanit, ai përfshihet në Luftën e Dytë Botërore në krahun antifashist. Në vitin 1942-1943 arrestohet nga pushtuesit e dërgohet në kampin e Prishtinës. Pasioni për të shkruar kishte lindur herët te djaloshi, që kërkonte të shihte përtej luftës. Ditët në kampin famëkeq të Prishtinës, ai i shkroi në një ditar të cilin e botoi në vitin 1951. Është interesante rrëfimi që Dushi ka bërë në këtë ditar, i cili u botua në formën e një romani, i cili konsiderohet si romani i parë i pasluftës, por që historiografia komuniste nuk e cilësoi asnjëherë në studimet për letërsinë. Ai roman nuk është vetëm një rrëfim ndryshe në prozën shqipe, por mbart dhe një vlerë historike, për vetë ngjarjet që tregohen aty. Në vitin 1949-1952, Kin Dushi niset për studime në Bashkimin Sovjetik për Letërsi. Këto ishin vite të arta për djaloshin që mbante syze dhe flokët me onde. Njohja me klasikët rusë, por dhe me veprat e tjera të letërsisë botërore, do ta çonin në një tjetër dimension stilin e tij të të shkruarit. E vetmja gjë që ëndërronte pas kthimit në Shqipëri ishte të shkruante libra.

Por kthimi në atdhe do të ishte fatal për Dushin, ashtu si për një pjesë të mirë të shkrimtarëve apo artistëve të asaj periudhe.  Ai nis të punojë si gazetar te “Zëri i Popullit” për zonën e Myzeqesë, ku u frymëzua për të shkruar romane të tjera. Në vitin 1955 shkruan “Udha e Velanit” dhe në vitin 1961 “Kronikë e vendit tim”. Vitet e para pas kthimit duken plot shpresë për të ardhmen për shkrimtarin e ri. Në vitet 1955-1956 ai bëhet laureat i çmimit të Republikës dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Në vitin 1960 shkroi skenarin e dokumentarit të kinostudios “Shqipëria e Re”, “Vallëzimi i Shqipeve” me regji të Endri Kekos. Dushi provoi të shkruante dhe dramaturgji. Në vitin 1962 shkroi komedinë “Banorët e shkallës nr. 6”, që u vu në skenën e Teatrit Popullor të asaj kohe një vit më vonë nën regjinë e Mihal Luarasit. Kjo vepër është rivendosur sërish në skenë në vitin 2009 nën regjinë e Sonila Ulqinakut. Kjo komedi shihet nga kritika si një pasqyrë e hollësishme e shoqërisë shqiptare të tyreve viteve.

Kin Dushi i vendos personazhet në një mjedis të përbashkët, në një shkallë pallati me nr. 5. U përkasin shtresave të ndryshme: një punëtor jeton në një kat me një drejtor, një i ri me një plak etj. Në shkallën e këtij pallati banon një drejtor i Ministrisë së Arsimit, i cili është i martuar me një vajzë të re, që punon mësuese në një shkollë të mesme. Aty është edhe një çift tjetër, Vali me Kriston, një punëtor që ka përqafuar idetë revolucionare të partisë, ka pranuar emancipimin e gruas (por që gruan e vet e ka shtëpiake). Kemi edhe një vajzë, specialiste në Drejtorinë Arsimore, Fatbardha, e cila e ka frikë martesën, nuk do që të martohet, por ambienti imponon idenë që një vajzë duhet të martohet kur i vjen mosha për t’u martuar, pavarësisht se çfarë mendon ajo. Është edhe një djalë, Agroni, një robot i sistemit. Në këtë shkallë imagjinare të Dushit, gjen gjithë elementet e një sistemi. Ishte viti 1962 kur Kin Dushi e shkroi këtë komedi, e cila me një koncept të ri regjisorial mund të vendoset në çdo teatër edhe sot.

Jeta e Kin Dushit do të ndryshojë përgjithmonë pas botimit të romanit “Një emër mes yjeve”. Kritikat për këtë roman do të bënin që ai të arrestohej më 3 tetor 1967. Të gjitha shkrimet e bëra prej tij dhe librat hiqen nga qarkullimi. Në vitin 1975 ai del nga Burgu i Burrelit. Vitet në burg e kishin bërë shëndetin e tij më të dobët. Shikimi iu vështirësua dhe nuk mundi të përfundonte asnjëherë romanin e mbetur në dorëshkrim “Njeriu me proteza”.

Më 6 prill të vitit 1994, Kin Dushi u nda nga jeta. Këtë vit është 20-vjetori i ikjes së tij. Një përvjetor i cili na bën të kthejmë sytë larg tek e shkuara, tek ata që kontribuuan në rritjen e prozës shqipe, por që sistemi i mbuloi me mjegullën e harresës për vite të tëra. Është e trishtë një letër e shkruar prej tij në vitin 1989, e gjetur nga i biri mes dorëshkrimesh. Tashmë në një moshë të vonë, ai nuk ka më as fuqi t’i kundërvihet atyre që i dhanë një tjetër drejtim jetës së tij. “Oh, sa do doja të flisja në këtë letër! Të shfryja gjithë atë mllef që kam në zemër, të grumbulluar prej më shumë se 25 viteve, por jo nuk mundem. Jo se nuk mund të shkruhen mllefet, por nuk e di a mund të lexohen. Sa i qetë do mbetesha sikur të m’i lexonte dikush këto fjalë.Idealist: Po kështu kam qenë gjithmonë, idealist, kuptimi i thjeshtë i fjalës. Më ka pëlqyer e mira dhe e hijshmja dhe jo vetëm më kanë pëlqyer, por edhe kam luftuar për to. Kam urryer kundërshtarët deri në neveri dhe kjo më ka kushtuar shumë, sepse kundërshtarët, mjerisht nuk kanë qenë të pakët, as të pafuqishëm, as edhe të paaftë. Keq, keq për mua, por edhe për çdo njeri që mendon mirë. 25 vjet të shkuara u gjeta përballë një akuze që paralajmëroi shkatërrimin tim total. U mallkova dhe dola jashtë partie. Dola jashtë partie dhe hyra në burg. Mandej pas burgu u gjeta edhe më i burgosur, sepse shpresat m’u prenë. Shoqëria më shkelmoi, familja m’u shkatërrua. Mbeta i braktisur, i vetmua dhe i fyer… Megjithatë duke i trokitur vazhdimisht si kujtesës aq edhe arsyes, nuk mbaj mend të kem ngrënë ndonjë “mollë të ndaluar”… Një gjë duhet të dish o shok, unë nuk kam frikë nga vrasësit, hajdutët dhe të gjithë keqbërësit e tjerë, kam frikë vetëm nga ata që nuk kanë turp”, shkruante Kin Dushi, në këtë letër intime, gjetur vite më vonë mes dorëshkrimeve të pafund në apartamentin e tij.

Botimi i librave dhe dorëshkrimeve të lëna pas nga Kin Dushi, është jeta e vërtetë që ia kemi borxh Kin Dushit…

13 PRILL 2014


Send this to a friend