Shkrime metropolitane
Vjeshtë, 2025
Kisha njohur e lexuar vitesh të hershme shumë fjalë apo përskajime interesante nga e folmja popullore.
Por mbrëmjen e një fundjave të vonë, ndërsa prehesha pas një pune të lodhshme, mora të shoh shtypin. Kryesisht vetëm titujt kalimtarë.
Që në krye, mes informacionesh të shumta, do t’më shfaqej biseda e veçantë me një Zonjë hijerëndë shtëpie (Vahide Ajeti, lagjja e dëgjuar e Dumoshëve), nga rrethinat e Podujevës.
Dhe, papritur, m’dhuroi shlodhje të ëndshme, por dhe një shtysë mendimi të epërm.
Rrëfente me humor të çlirët e burimor për rininë, vitet e bukura dhe, poashtu, për modestinë sociale që kompensohej njëj mirëkuptimi e dashurie njerëzore.
Dhe, krejt thjeshtë, do të fliste për fëmijët, më të shtrenjtit e saj. Njëri, dëshmor lirie, vrarë në luftë, një çupëz e ndjerë dhe të tjerët që ndiqnin të rehatuar shtigjet e jetës.
E tani, në këtë pjesë kallëzimi, ndodhte mrekullimi im, një fjalë e artë që sipërthashë: larja!
E dimë, tashmë, që lahet borgji, detyrimi i besës e, pse jo, dhe mëkati njerëzor…
Ndërkaq, kryezonja familjare e thoshte këtë si një testament të parathënë fillimbote, teksa tregonte për djalin që kishte qenë në luftë.
Po, i përgjegjej gazetares q’e pyeste, një vajzë e hijshme e plot hir: djali i vogël u martua mbasi e lau luftën!
“E lau luftën”?
Pra, lufta çlirimtare në konceptin e saj ishte borxh atdheu që duhej larë. Një kod, urdhër race, që s’kthehej mbrapsht pa mort. (Sepse as dhéu s’të tretë, kujtoja baladat e vjetra)…Dhe ky kumt vinte që nga thellësia e kohëve dhe indi i vetëjetës.
Ndaj, s’mund të mendonte kurrësesi luksin e një dasme, hareje familjare pa larë detyrimin sublim ndaj Votrës së përgjakur.
Një lehtësi të habitshme kishin fjalët e saj. Në kuptimin dhe sytë e kthjellët si gurrë alpine, ishte kaq e thjeshtë dhe e natyrshme përballja me vdekjen dhe flijimin sipëror.
E tillë do ishte për agun, diellin, krushqit e nusen që do t’vinte dhe ulej e bardhë në tryezën e virtytit për t’i dhënë dëshmi vazhdimësie jetës arbnore!
R.